Koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokuroja Laura Pula, e shoqëruar nga menaxheri i projektit strategjik “Mbrojtja e votës”, Besim Kusari pritën në takim pune zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, kolonel Fehmi Hoti dhe drejtorin e departamentit të rendit Publik në Policinë e Kosovës nënkolonel Arbnesh Ajvazi.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se temë e diskutimeve të këtij takimi ishte fillimi i hetimeve paraprake lidhur me mospërputhjen e votave gjatë numërimit brenda subjekteve politike për deputet të Republikës së Kosovës.
"Koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokuroja Laura Pula, informoi të pranishmit se pas evidentimit të mospërputhjeve të votave gjatë numërimit brenda subjekteve politike për deputet, në rajone të ndryshme të Republikës së Kosovës, ka kërkuar nga kryeprokurorët e të gjitha prokurorive themelore që në të gjitha komunat, ku ka përfunduar procesi i rinumërimit të votave, të fillojnë grumbullimin e informatave të nevojshme dhe të sigurojnë prova relevante, që vërtetojnë kryerjen e ndonjë vepre penale që ndërlidhet me procesin zgjedhor", thuhet në njoftim.
Ndërkaq, në njoftim thuhet se më tej koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokuroja Laura Pula theksoi se pasi që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi që të ketë rinumërim të plotë në të gjitha komunat, Prokurori i Shtetit do të fillohej grumbullimin e provave të nevojshme në nivel vendi.
Nga ana tjetër zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Fehmi Hoti potencoi se Policia e Kosovës ka kapacitete të mjaftueshme dhe në kuadër të kompetencave që ka do t’i shërbej kërkesave të prokurorëve të shtetit. /Telegrafi/
Të dielën rreth orës 17:45, pas një mosmarrëveshje mes dy personave në fshatin Randobrave, Prizren njëri prej tyre dyshohet se ka marrë armën dhe ka kanosur personin tjetër, fqinjë i tij.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se policia ka identifikuar të dyshuarit dhe me urdhër të prokurorit përgjegjës është bastisur shtëpia e tij.
“Gjatë bastisjes janë hasur dhe sekuestruar: një revole me dy karikator me 30 fishekë, një pushke gjuetie pa fishekë dhe një pushke luftarake me një karikator pa fishekë”, thuhet në njoftim.
Tutje bëhet e ditur se sektori Rajonal i Hetime nga Drejtoria Rajonale në Prizren është duke e hetuar rastit.
“I dyshuari me aktvendim te prokurorit është ndaluar për në ndalim policor për 48 ore. Kundër tij është filluar procedura penale për veprat penale ‘Posedim i paautorizuar i armës dhe municionit’ dhe ‘ Kanosje’ “.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e veprave penale që lidhen me armëmbajtjen dhe përdorimin e tyre. /Telegrafi/
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë vendim që në 28 komuna të shkohet me rinumërim të plotë të të gjitha votave nga zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025.
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi, ka deklaruar se procesi i rinumërimit të votave ka nxjerrë në pah pasaktësi të theksuara në numërimin e votave të kandidatëve, ndërsa votat e subjekteve politike rezultojnë kryesisht të sakta.
Gjatë mbledhjes së KQZ-së, Radoniqi bëri të ditur se institucioni ka pranuar raportin nga procesi i rinumërimit që po zhvillohet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).
“Sot kemi pranuar raportin nga procesi i rinumërimit që po zhvillohet në QNR. Aktualisht, 914 vendvotime janë në proces rinumërimi, sipas vendimit të KQZ-së. Në 10 komuna po bëhet rinumërimi i plotë, ndërsa në 28 komuna të tjera po rinumërohen rreth 10 për qind e vendvotimeve”, ka deklaruar Radoniqi.
Ai shtoi se KQZ-ja ka pranuar raportin pas rinumërimit të më shumë se gjysmës së vendvotimeve, me të dhëna të datës 13 janar.
"Raporti tregon se ndryshimet në votat e subjekteve politike janë minimale dhe pothuajse të papërfillshme, çka dëshmon se numërimi i tyre është bërë në mënyrë të saktë. Ndërkohë, situata është ndryshe sa i përket votave të kandidatëve. Të dhënat pas rinumërimit tregojnë një shkallë të lartë të pasaktësisë në numërimin e votave të kandidatëve. Nga rinumërimi rezulton se 36 mijë e 7 vota u janë zbritur kandidatëve, të cilat ishin regjistruar gabimisht në QNR, ndërsa 20 mijë e 978 vota u janë shtuar kandidatëve, pasi nuk ishin regjistruar saktë gjatë numërimit fillestar”, tha ai.
Radoniqi theksoi se analiza numerike e veçon Komunën e Prizrenit si rastin më ekstrem sa i përket mospërputhjeve në numërim.
Ai bëri të ditur se para mbledhjes së KQZ-së, në mbledhjen e Këshillit për Operacione Zgjedhore janë dhënë dy rekomandime kryesore: rinumërimi i të gjitha vendvotimeve edhe në 28 komunat e tjera; ndërprerja e mandatit për përfaqësuesit e subjekteve politike në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në Komunën e Prizrenit.
Radoniqi po ashtu theksoi se gjetjet nga procesi i rinumërimit do t’i adresohen Prokurorisë së Shtetit, duke shtuar se KQZ-ja do të ofrojë bashkëpunim të plotë institucional gjatë procesit hetimor. /Telegrafi/
Drejtori i KIPRED, Lulzim Peci, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit rreth procesit zgjedhor, duke ngritur shqetësime serioze për integritetin e votës.
Peci ka deklaruar se vjedhja e votave brenda partive politike, sipas tij, ka kaluar edhe përmasat e asaj që ishte quajtur “vjedhje industriale” në zgjedhjet e vitit 2010, duke theksuar se ky fenomen po shfaqet pothuajse në secilën parti politike.
“Diçka është thellësisht e kalbur në vendin tonë”, ka shkruar Peci, duke e cilësuar situatën aktuale si alarmante për demokracinë dhe shtetin e së drejtës.
Ai ka kritikuar ashpër ata që, sipas tij, po manipulojnë vullnetin qytetar përmes falsifikimit të votës, duke i krahasuar me “xheparosha” dhe duke i quajtur veprimet e tyre të turpshme dhe të dënueshme.
"Çfarë ka ndodhë me vjedhjen e votave brenda partiake si po duket e ka kaluar dimensionin e “vjedhjes industriale” të vitit 2010, dhe atë secila parti! Diçka është e kalbur thellësisht në vendin tonë! Turp për ju që i përngjani xheparoshave që e keni bë përmes falcifikimit të vullnetit qytetar! Nuk e di se si mundeni me ju dalë përball njerëzve të ndershëm të vendit tonë, të cilët e dhanë provimin qytetar të demokracisë më 28 dhjetor", ka shkruar Peci. /Telegrafi/
Kryetari i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP), Fikrim Damka, ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social Facebook lidhur me procesin e rinumërimit të votave që po vazhdon pas zgjedhjeve.
Damka ka theksuar se vullneti i qytetarëve nuk duhet dhe nuk mund të ndërhyhet pas mbylljes së kutive të votimit, duke nënvizuar se çdo votë përfaqëson besimin, mundin dhe sakrificën e popullit.
Sipas tij, çdo ndërhyrje në fletëvotim përbën mosrespektim të hapur jo vetëm ndaj tij personalisht, por ndaj vullnetit të përbashkët të shoqërisë kosovare turke.
Ai ka reaguar gjithashtu ndaj, siç i ka quajtur, sulmeve dhe pretendimeve të pabazuara që kohët e fundit janë drejtuar ndaj tij, duke vlerësuar se qëllimi i tyre është zbehja e arritjeve të deritanishme dhe minimi i vullnetit shoqëror.
"Jam duke ndjekur procesin e rinumërimit që po vazhdon pas procesit zgjedhor. Dua të dihet se vullneti i popullit nuk është i hapur për të ndërhyrë pas mbylljes së kutive të votimit.Secila votë është shenjë e prekshme e besimit, mundit dhe djersës që populli ynë ka tek ne. Çdo dorë që del nga fletëvotimi arrin vullnetin e lirë nuk është vetëm e personit tim; është mosrespektim i hapur i përpjekjes dhe vullnetit të përbashkët të shoqërisë kosovare turke.Kohët e fundit, sulmet dhe pretendimet e pabazuara që më synojnë kanë vetëm një qëllim: t’i hedhin hije arritjeve të arritura dhe të minojnë vullnetin tonë shoqëror. Ne jemi gjithmonë të hapur për çdo kritikë konstruktive dhe me kuptim të mirë; megjithatë, është e pamundur të na devijojnë nga këto atentate me reputacion të kryera me qëllime të pista. Të vërtetat do të zënë vend si në ndërgjegjen e popullit ashtu edhe para ligjit", ka shkruar Damka.
Siç tha ai: "Askush nuk duhet të dyshojë se; Partia Demokratike Turke e Kosovës (KDTP) përsëri do të përfaqësohet në parlament dhe komuna me dy deputetë". /Telegrafi/
Sektori Rajonal i Hetimeve nga Drejtoria Rajonale në Prizren është duke zhvilluar hetime lidhur me veprën “Vrasje në tentative”, konkretisht 05.01.2026, rreth orës 22:50, policia ka pranuar informacion se në rrugën “Ali Hadri”, në Prizren, kishte të shtëna me armë zjarri.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se si pasojë e të shtënave kishte edhe persona të plagosur, të cilët ishin dërguar në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Prizrenit për trajtim mjekësor.
"Sipas ekipit mjekësor, dy personat e plagosur ishin jashtë rrezikut për jetë dhe vazhdojnë trajtimin e mëtejmë mjekësor. Rasti është duke u hetuar dhe nga policia, janë identifikuar dhe arrestuar e personave të përfshirë në rast, por njeri nga të dyshuarit është ende në arrati, ai është: - Egzon Besim Reshani, i lindur më 05/07/1992, me banim në Rr. Shkelzen DRAGAJ, nr. 10 Prizren", thuhet nën njoftim.
Tutje bëhet e ditur se me qëllim të ndriçimit të rastit kërkohet bashkëpunim-ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, që do të na ndihmonin në arrestimin e të dyshuarit.
"Andaj kërkojmë bashkëpunim nga të gjithë qytetarët, që nëse kane çfarëdo informate apo din diçka për vendndodhjen e të dyshuarit në foto, të raportojnë policinë në Prizren në numrin 192, në rrjetet sociale, apo në cilin do stacion të policisë në Kosovë", thuhet në njoftim. /Telegrafi/
Drejtori i komanduar i Burgut të Durrësit, Edmond Llabani, ka pësuar hemorragji cerebrale dhe është shtruar me urgjencë në Shërbimin e Neurokirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza në Tiranë.
Llabani u komandua javën e kaluar në këtë detyrë, pas shkarkimit të drejtorit Indrit Cërloj, i cili edhe u arrestua më pas, i akuzuar për shpërdorim detyre, pas arratisjes së të paraburgosurit Altin Ndoci, gjatë një vizite shëndetësore në Spitalin e Durrësit.
Përveç Cërlojit u arrestuan edhe punonjës të tjerë të burgut dhe spitalit.
Llabani është profesionist në fushën e drejtësisë dhe administratës publike dhe ka përvojë të gjerë në menaxhimin e institucioneve të ngjashme, shkruan A2CNN. Më parë ka drejtuar Burgun e Peqinit. (A2 Televizion)
Pas tragjedisë së rëndë të ndodhur këtë të diel në Adamuz, Spanjë, ku përplasje e dy trenave ka shkaktuar mbi 30 viktima, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka shprehur ngushëllimet e tij.
Në një status në X, Rama i drejtohet këtë të hënë drejtpërdrejt kryeministrit spanjoll, Pedro Sánchez, duke shkruar: “I dashur Pedro @sanchezcastejon, Kam marrë me trishtim të thellë lajmin për aksidentin tragjik hekurudhor që ndodhi në Adamuz. Në emër të popullit të Shqipërisë dhe në emrin tim, dua të shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave dhe solidaritetin tim me popullin dhe Qeverinë e Spanjës në këtë moment dhimbjeje. Mendimet tona janë me ata që kanë humbur të dashurit e tyre dhe me të gjitha ekipet që po punojnë pa pushim për t’u përgjigjur kësaj tragjedie”. /Euronews.al/
He recibido con profunda tristeza la noticia del trágico accidente ferroviario ocurrido en Adamuz.
En nombre del pueblo de Albania y en el mío propio, quiero expresar mis más sentidas condolencias a las familias de las víctimas y mi solidaridad con… — Edi Rama (@ediramaal) January 19, 2026
Gjatë podcastit "Shëndeti në rend të parë", e mbështetur nga United Hospital, gastroenterologu Avni Haziri ka treguar rrezikshmërinë dhe fshehtësinë e disa formave të kancerit të sistemit tretës, duke theksuar se mungesa e simptomave nuk do të thotë mungesë sëmundje.
Sipas Hazirit, në mbi 22 vite përvojë profesionale, ai ka hasur raste të shumta të pacientëve me kancer të avancuar të lukthit dhe zorrës së trashë, të cilët nuk kanë pasur asnjë simptomë paralajmëruese.
“Mua më ka ndodhur që gjatë këtyre 22 viteve përvojë të kem pacientë me kancer të avancuar të lukthit pa pasur asnjë simptomë. Po ashtu, kam pasur pacientë me karcinomë të zorrës së trashë pa asnjë shenjë klinike”, ka deklaruar Haziri.
Ai shpjegon se kanceri i zorrës së trashë konsiderohet një nga format më të rrezikshme, pikërisht për shkak se zhvillohet në heshtje dhe simptomat shfaqen shumë vonë.
“Ky lloj kanceri shpesh jep vetëm anemi. Pacienti nuk ka gjak në jashtëqitje, nuk ka kapsllëk, as barkqitje. Pra, nuk ka simptoma tipike që do ta alarmonin menjëherë”, thekson gastroenterologu.
Një tjetër aspekt shumë i rëndësishëm që Haziri vë në pah është faktori gjenetik.
Ai këshillon që personat që kanë raste të kancerit të lukthit apo zorrës së trashë në familje, duhet të jenë veçanërisht të kujdesshëm.
Për më shumë shikoni të plotë podcastin "Shëndeti në rend të parë". /Telegrafi/
Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë, kundër të pandehurit N.Sh., shtetas i Republikës së Shqipërisë.
Në njoftimin e Prokurorisë Speciale thuhet se: Sipas aktakuzës, ndër të tjera ceket se i pandehuri N.Sh., shtetas i Republikës së Shqipërisë, nga data e pa vërtetuar deri më datë 19.06.2024, në fshatin Panorc, Komuna Malishevë, pa autorizim dhe në bashkëkryerje edhe me dy të pandehur tjerë, kultivojnë bimë të hashashit, shkurren e kokainës ose bimën e kanabisit me qëllim të prodhimit të narkotikëve ose substancave psikotrope. Në atë mënyrë që i pandehuri N.Sh., në bashkëpunim me të pandehurin O.Sh., shtetas i Republikës së Shqipërisë, dhe një i dyshuar i tretë i pa identifikuar deri më tani, kanë mbjellur dhe kultivuar narkotik të llojit Kanabis Sativa në tri parcela. Në këto tri lokacione janë gjetur gjithësej 1592 bimë narkotike të llojit Kanabis Sativa”.
Tutje në njoftim bëhet e ditur se parcelat janë identifikuar përmes vëzhgimit me dron nga ajri, ndërsa veprimet e të pandehurve, ku secili nga ta vërehet qartë duke i punuar këto bimë, shihen në foto dhe video të nxjerra nga masa e fshehtë e vëzhgimit.
“Me këto veprime i pandehuri N.Sh., në bashkëkryerje ka kryer veprën penale ‘Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit’ nga neni 272 pargraf 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së. Ai është arrestuar me urdhër arrest ndërkombëtar dhe më pas është ekstraduar nga Republika e Shqipërisë në Republikën e Kosovës, që nga data 2 dhjetor 2025, gjendet në masën e paraburgimit”.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurin ta shpallë fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë. /Telegrafi/
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj N.C., për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se ekziston dyshimi i bazuar mirë se e pandehura N.C., gjatë periudhës 1998-1999, në cilësinë e personit zyrtar-gardiane në Burgun e Prishtinës, paralelja për gra në Lipjan, në bashkëkryerje me zyrtarë të tjerë të burgut, ka shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare gjatë konfliktit të armatosur, përkatësisht kohës së luftës.
"Sipas aktakuzës, N.C., gjatë gjithë kësaj periudhe, në mënyrë sistematike, i ka keqtrajtuar të burgosurat shqiptare, duke i kanosur për jetë dhe torturuar në mënyrë çnjerëzore me mjete të ndryshme , si shkop gome, shqelma dhe grushte, deri në alivanosje, duke u shkaktuar lëndime trupore. Si pasojë e këtyre rrahjeve, viktimat kanë pësuar dhunë psikike, gjendje ankthi dhe frike, dhe u është cenuar rëndë dinjiteti njerëzor", thuhet në njoftim.
Rasti i ka kaluar për shqyrtim Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë. /Telegrafi/
Ministria e Ekonomisë ka bërë të ditur se "Thirrja Publike për Skemën e Granteve për Energji të Pastër" është e hapur deri më 31 janar.
Sipas një njoftimi për media lejohet aplikimi për subvencion për sistemet e baterive për ruajtjen e energjisë elektrike, edhe në rastet kur aplikuesi ka një sistem solar fotovoltaik ekzistues, të instaluar prapa njehsorit (behind the meter) ose sipas rregullës për vet-konsumatorët (prosumatorët).
"Subvencionimi bëhet në bazë të kapacitetit të instaluar të sistemit të baterive, sipas konfigurimit teknik të paraqitur në aplikim. Thirrja nuk përcakton kufizim të drejtpërdrejtë për kapacitetin (kWh) të baterive dhe kufizimi zbatohet vetëm në vlerën maksimale të mbështetjes financiare, sipas kushteve të përcaktuara në thirrje”, thuhet në njoftim.
Aplikuesit ftohen të konsultojnë dokumentin i cili mund t’ju ndihmojë gjatë përgatitjes së aplikimit.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka shpenzuar rreth 272 mijë euro për fushatën e zgjedhjeve lokale të 12 tetorit 2025.
Përmes një raporti të KQZ-së bëhet e ditur se këto shpenzime janë kryesisht për reklama rreth 50 mijë euro dhe shpenzimet lidhur me donacionet dhe kontributet ne natyrë në mallra dhe shërbim rreth 222 mijë euro.
Ndërsa, sa i përket donacioneve dhe kontributeve kjo parti ka pranuar rreth 25 mijë euro.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar raportet e deklarimit financiar të fushatës zgjedhore të subjekteve politike për Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale, të cilat janë mbajtur më 12 tetor 2025.
Lëvizja Vetëvendosje, për periudhën 09.06.2025-09.11.2025 ka shpenzuar mbi 388 mijë euro në të cilën përfshihen shpenzimet e pagave dhe kompensimet, të transportit, reklama, blerjet e mallrave, etj.
Po ashtu sipas këtij raporti për pesë muaj ka pranuar 36 mijë e 680 euro donacione.
Në raport bëhet e ditur se në mesin e 34 kontribuuesve është edhe nënkryetari i kësaj partie, ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca me shumën prej 1 mijë euro.
Dy herë nga 165 euro i dha edhe ish-deputeti i legjislaturës së fundit dhe deputeti i zgjedhur, Avni Dehari, që në total bëjnë 330 euro. /Telegrafi/
Edhe sot në seancën gjyqësore për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend në vitin 2018 nuk është prezent ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe trupi gjykues propozoi të veçohet procedura për Xhelal Sveçlën.
Avokati i Xhelal Sveçlës, Laur Prenaj arsyetoi mungesën e ministrit në detyrë, Xhelal Sveçlës, ndërsa këkroi mirëkuptim.
“Kërkoj nga gjykata që të ketë konsideratë dhe mirëkuptim në faktin se i mbrojturi im mban një detyrë me përgjegjësi të lartë si ministër në detyrë i Punëve të Brendshme dhe jo çdo herë mund të jetë prezent apo i gatshëm që t’i përgjigjet ftesave nga gjykata”, tha ai.
Gjyqtari, Sabit Sadiku tha se me e-mail Sveçla ka njoftuar se gjendet jashtë vendit.
“Ka dërguar e-mail, gjendet jashtë vendit”, tha ai.
Ndërsa, prezent ishin edhe ish-deputetët e LVV-së, Sali Zyba, Fitore Pacolli dhe Drita Millaku. /Telegrafi/
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim ambasadorët të ngarkuarit me punë, shefat e misioneve diplomatike dhe përfaqësues diplomatikë të akredituar në Kosovë.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se në kuadër të komunikimit të rregullt dhe zhvillimeve të fundit, Kurti dhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, i njoftuan për fazat e zbatimit të Ligjit për të Huaj dhe Ligjit për Automjete, ligje këto të harmonizuara me legjislacionin e Bashkimit Evropian dhe veprimet afirmative, që institucionet e Republikës së Kosovës do të ndërmarrin për zbatimin e plotë të këtyre dy ligjeve.
“Faza e parë e zbatimit, e cila nis sot, parasheh një periudhë informimi mbi zbatimin e dispozitave ligjore. Vizitorët që hyjnë në vendkalimet kufitare do të pajisen me materiale informuese, të cilat ofrojnë udhëzime të qarta mbi të drejtat, detyrimet dhe procedurat përkatëse që rrjedhin nga legjislacioni në fuqi. Paralelisht do të organizohen sesioneve informuese me qytetarë, fushatë informimi përmes medieve, linja telefonike informuese, etj. Kjo fazë do të zgjasë deri më datën 15 mars të këtij viti, kur fillon zbatimi i plotë. Zbatimi i Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjetet synon lehtësimin e qëndrimit të shtetasve jorezidentë në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Tutje në njoftim thuhet se kryeministri informoi ambasadorët e pranishëm mbi domosdoshmërinë e fillimit të integrimit gradual të sistemeve të shëndetësisë dhe arsimit, si pjesë e një qasjeje gjithëpërfshirëse dhe afatgjate.
“Kryeministri tha se ky proces integruese do të bëhet në koordinim me Bashkimin Evropian dhe duke siguruar që brengat dhe këshillat e komunitetit joshumicë serb në Kosovë merren në konsideratë. Kryeministri ritheksoi përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për sundimin e ligjit, zbatimin e barabartë të legjislacionit dhe forcimin e rendit juridik, duke u shprehur se periudha në vijim është thelbësore për funksionalizimin e plotë të këtyre proceseve”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/
Në Qendrën Korrektuese të Dubravës, zyrtarët korrektues, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kanë realizuar një operacion të gjerë bastisjeje me qëllim parandalimin e veprimtarive të kundërligjshme dhe rritjen e sigurisë brenda institucionit.
Sipas një njoftimi bëhet e ditur se gjatë operacionit janë kontrolluar të gjitha hapësirat e brendshme, përfshirë dhomat e të burgosurve, si dhe hapësirat e jashtme, salla e sportit dhe ambientet e tjera përcjellëse.
"Në aksion kanë marrë pjesë edhe zyrtarë korrektues nga institucione të tjera, si dhe njësiti special K9. Pas përfundimit të bastisjes nuk është gjetur asnjë send i kundërligjshëm. Gjatë kontrollit janë larguar sende të tepërta nga dhomat e të burgosurve dhe hapësirat e përbashkëta", thuhet në njoftim.
Shërbimi Korrektues i Kosovës falënderon të burgosurit për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin gjatë këtij aksioni, i cili ka për synim ruajtjen e sigurisë dhe krijimin e një ambienti korrektues të qetë dhe të sigurt. /Telegrafi/
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar raportet e deklarimit financiar të fushatës zgjedhore të subjekteve politike për Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale, të cilat janë mbajtur më 12 tetor 2025.
Përmes një njoftimi bëhet e ditur se sipas këtij ligji, është detyrim ligjor për subjektet politike që garojnë në zgjedhje të dorëzojnë në Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP) raportin financiar të fushatës zgjedhore jo më vonë se 30 ditë kalendarike pas certifikimit të rezultateve përfundimtare nga KQZ.
Tutje thuhet se duke pasur parasysh se ende nuk është bërë auditimi i këtyre raporteve, kanë sqaruar se këto raporte financiare janë të paaudituara dhe mund të pësojnë ndryshime dhe saktësime gjatë procesit të auditimit. /Telegrafi/
Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar propozimet e mbrojtjes për dëgjimin e 9 dëshmitarëve të propozuar nga avokatja Jovana Filipoviq, duke vlerësuar se as pretendimet e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) nuk tregojnë se i pandehuri ka pasur rol të drejtpërdrejtë gjatë datave kritike të përshkruara në parashtrimin e mbrojtjes.
Gjykata theksoi se dëshmitarët e propozuar nuk do të ndryshonin vlerësimin mbi fajësinë ose pafajësinë e të pandehurit, i cili sipas aktakuzës akuzohet vetëm për rol ndihmues brenda grupit të akuzuar.
Po ashtu, u refuzuan edhe propozimet e mbrojtjes për nxjerrjen e ekspertizës për krahasimin e uniformave, pasi gjykata vlerësoi se një vlerësim i tillë mund të bëhet direkt nga përmbajtja e fotografive. Në lidhje me pyetjen nëse arma ishte snajper apo pushkë gjuetie, gjykata tha se kjo nuk ka relevancë për të përcaktuar përfshirjen e Dushan Maksimoviq në grupin terrorist.
Kryetari i trupit gjykues, Ngadhënjim Arrni, deklaroi se arsyetimi më i detajuar mbi bazën ligjore dhe arsyeshmërinë e refuzimit të këtyre propozimeve do të përfshihet gjatë përpilimit të aktgjykimit.
Gjithsesi, propozimi i avokates Jovana Filipoviq për dëgjimin e dëshmitarit Millosh Radosajlleviq mbetet i validuar dhe do të mbahet, ashtu siç ishte miratuar paraprakisht nga kjo gjykatë.
Rasti “Banjska”, sërish dy të akuzuarit nuk deklarohen e njëri thotë se nuk është fajtor
(Përditësuar 10.41) Sot ka nisur vazhdimi i gjykimit në rastin “Banjska” në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pas ndryshimit të trupit gjykues.
Rasti që më herët udhëhiqej nga gjyqtari Arben Hoti, tash drejtohet nga gjyqtari Ngadhënjim Arrni si kryetar i trupit gjykues, me anëtarë Rrahman Beqiri dhe Donikë Shala, pas avancimit të Hotit në Gjykatën e Apelit.
Në seancë ishte i pranishëm dëshmitari Millosh Radosajlleviq, i propozuar nga mbrojtja për të dhënë deklarimin e tij. Kryetari Arrni njoftoi se për momentin nuk ka mundësi kohore për të vazhduar me dëshminë, për shkak të ndryshimit të trupit gjykues, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjithashtu u konstatua se aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) është lexuar dhe pranuar nga të gjitha palët, pasi mbrojtja dhe prokuroria hoqën dorë nga leximi zyrtar.
Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq thanë se nuk dëshirojnë të deklarohen.
Ndërsa, Dushan Maksimoviq tha se nuk është fajtor për akuzën që ngarkohet.
Avokati Millosh Deleviq, theksoi se aktakuza duhet të përqendrohet në veprimet konkrete të Vladimir Toliq.
Prokurori Naim Abazi tha se shqyrtimi duhet të fillojë rishtazi dhe provat të lexohen për të vazhduar nga faza e mëparshme. Avokatët e të akuzuarve dhe të pandehurit ranë dakord, duke thënë se kjo shmang vonesa dhe siguron efikasitet të procedurës.
Lidhur me propozimin për dëgjimin e nëntë dëshmitarëve të ri nga ana e mbrojtjes, pas analizimit të shkresave, Prokuroria ka kundërshtuar këtë propozim.
Sipas prokurorisë, propozimi i tillë ka mungesë të relevancës dhe individualizimin konkret të provës që janë propozuar.
Prokuroria konsideron se dëshmitarët e propozuar nuk rezultojnë të tregojnë për atë se çfarë ka ndodhur në Bansjkë.
“Dëshmitarët e propozuar synojnë të ndërtojnë një narrativë të përgjithshme të mbrojtjes apo alibi kolektive a ndonjë vlerë të re provuese dhe që është krejtësisht në kundërshtim me provat materiale dhe personale që i kemi dorëzuar në këtë shqyrtim gjyqësor”, ka thënë prokurori Abazi.
Avokatja Jovana Filipoviq kërkoi që dëshmitarja Dragana Antonijeviq të ftohet sërish, pasi ka punuar me Maksimoviq dhe mund të japë informacione, por gjykata konstaton se nuk është arritur ta sigurojë prezencën e saj. Deklarata e saj është konsideruar e lexuar për të mos zvarritur procesin, ndërsa gjykata do të bëjë një përpjekje të re në të ardhmen.
Prokurori njoftoi se nga shqyrtimi i mëparshëm më 17 prill 2025 nuk ka ndryshime në situatën e të akuzuarve, por do të dorëzohen prova të reja materiale me shkrim.
Përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Arianit Koci dhe palët e dëmtuara nuk kanë pasur çfarë të shtojnë, ndërsa avokatët e të akuzuarve mbeten pas fjalës hyrëse.
Gjykata Themelore në Prishtinë pas propozimit të prokurorit special Naim Abazi që gjykimi të vazhhdojë në mungesë, i ishte drejtuar Gjykatës Supreme për të kërkuar opinion nëse në rastin “Banjska” mund të aplikohet gjykimi në mungesë. Por, Supremja, pas shqyrtimit të kërkesës “për dhënie të mendimit juridik përkitazi me nenin 303 par.7 të Kodit Procedurës Penale në rastin “Banjska”, kishte sqaruar se nuk jep mendime juridike për dilemat që ka shkalla e parë gjatë procedimit të rastit.
Kështu, Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim, me të cilin ka refuzuar propozimin që gjykimi për 42 të akuzuarit tjerë (41 persona fizikë dhe një person juridik) të akuzuar për sulmin terrorist në “Banjskë” të vazhdojë në mungesë. Gjykata po ashtu kishte bërë të ditur që për këta të pandehur është lëshuar letërreshtim ndërkombëtar dhe pritet ndalimi dhe ekstradimi i tyre për zhvillimin e procedurës ndaj tyre.
Seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj të tre akuzuarve në rastin “Banjska”: Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq, u mbajt më 17 prill 2025, në të cilën tre të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm. Ndërsa, prokurori special Naim Abazi, mbrojtja e të akuzuarve dhe pala e dëmtuar, kanë dhënë fjalën hyrëse.
Edhe në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 9 tetor 2024, tre të pandehurit janë deklaruar të pafajshëm.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, me aktvendimin e 6 dhjetorit 2024, i kishte refuzuar si të pabazuara kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimet ndaj provave, të paraqitura nga mbrojtësit e të akuzuarve të lartpëmendur kundër aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Kurse, Gjykata e Apelit më 13 mars 2025 njoftoi se ka marrë vendim, me të cilin e ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë me të cilën u konfirmua aktakuza ndaj të akuzuarve në rastin “Bajska”.
Deri tani, të arrestuar dhe nën masën e paraburgimit për këtë rast janë: Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, për të cilët është veçuar procedura penale.
Aktakuza e Prokurorisë Speciale ngarkon 44 persona fizikë dhe një person juridik “RAD D.O.O”. Listës së të akuzuarve i prin Milan Radoiçiq.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 11 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiqit dhe 44 të tjerëve për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit. Të akuzuarit ngarkohen se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, tentuan ta shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës e t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë, me ç’rast si rezultat i dhunës së përdorur ka mbetur i vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku e u rrezikua jeta e zyrtarëve tjerë policorë dhe popullatës civile. Aktakuzën e plotë mund ta gjeni: KËTU.
Në Bajsnkë të Zveçanit, në orët e hershme të 24 shtatorit 2023, ishte vrarë rreshteri Afrim Bunjaku si dhe ishin plagosur dy të tjerë. Pastaj, të vrarë kishin mbetur edhe tre sulmues, kurse të tjerët ishin larguar pasi ishin strehuar për disa orë në Manastirin e Bajnskës. Milan Radoiçiq e kishte marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin terrorist. /BetimipërDrejtësisë/