Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 5 February 2026Main stream

Ulet numri i të prekurve me grip në Maqedoni

5 February 2026 at 19:28


Gripi në Maqedoni po fillon të humbasë forcën e tij, sipas të dhënave të fundit nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP). Në javën e pestë të vitit 2026, në periudhën nga 26 janari deri më 1 shkurt, u regjistruan 1,498 raste të gripit dhe sëmundjeve të ngjashme me gripin, që është rënie prej 12.3 përqind krahasuar me javën e kaluar, kur u regjistruan 1,708 raste.

Edhe pse kjo periudhë e sezonit zakonisht sjell rritje të numrit të të sëmurëve, të dhënat epidemiologjike tregojnë se trendi javor ka qenë në rënie për javën e dytë radhazi. Përveç kësaj, numri i rasteve të raportuara është dukshëm më i ulët krahasuar me të njëjtën javë të sezonit të kaluar, si dhe me të ashtuquajturën kurbë tipike epidemike bazuar në të dhënat nga 15 vitet e fundit. Sipas ISHP-së, incidenca aktuale javore vlerësohet si aktivitet i ulët i virusit.

"Një vdekje e lidhur me gripin u raportua gjithashtu në të njëjtën periudhë. Bëhet fjalë për një burrë 62-vjeçar nga Tetova, i shtruar në Departamentin e Sëmundjeve Infektive të Spitalit Klinik në Tetovë. Pacienti kishte sëmundje shoqëruese, nuk ishte vaksinuar kundër gripit sezonal dhe gripi A u konfirmua në laborator. Me këtë rast, numri i përgjithshëm i vdekjeve që lidhen me gripin në sezonin 2025/2026 është katër".

"Numri më i madh i rasteve të regjistruara është tek personat e moshës 15 deri në 64 vjeç (866 raste). Kjo pasohet nga: fëmijët nga 5 deri në 14 vjeç - 247 raste, personat mbi 65 vjeç - 224 raste, fëmijët nga 0 deri në 4 vjeç - 161 raste".

"Edhe pse më të infektuarit janë midis të rriturve, incidenca më e lartë është regjistruar tek fëmijët nga 0 deri në 4 vjeç, gjë që e bën këtë grup veçanërisht të prekshëm", thonë nga ISHP./Telegrafi/

Ndalohet një 42-vjeçar nga Maqedonia e Veriut, refuzoi t’i nënshtrohej kontrollit policor shqiptar në Bllatë

5 February 2026 at 19:03


Në Pikën e Kalimit Kufitar Bllatë, një shtetas 42-vjeçar nga Maqedonia e Veriut u arrestua pasi refuzoi t’i nënshtrohej kontrollit policor shqiptar në vijën e dytë të pikës kufitare dhe më pas tentoi të largohej me shpejtësi, duke rrezikuar jetën e punonjësve të policisë që ishin bë vendngjarje.

Bëhet fjalë për personin me iniciale G.K, banues në Maqedoninë e Veriut, i cili pas veprimeve hetimore u arrestua për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik” dhe “Kalimi i paligjshëm i kufirit”, ndërsa automjeti me të cilin po lëvizte u sekuestrua.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër për veprime të mëtejshme ligjore.

Mickoski: Jemi të fokusuar në realizimin e agjendës reformuese dhe vendosjen e rendit në shtet

5 February 2026 at 18:28


Do të kemi mundësi të fillojmë një cikël takimesh, përkatësisht brifingje me përfaqësuesit e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, të cilat janë rezidente në vendin tonë, dhe vlerësoj se në këtë mënyrë mundemi t’i përafrojmë aktivitetet që i bëjmë si Qeveri, ndërsa janë të lidhura me agjendën reformuese, theksoi kryeministri Hristijan Mickoski në brifingun e sotëm për agjendën reformuese me ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

Ai theksoi se disa nga reformat po realizohen, po të tjera, siç tha, për arsye objektive nuk do të realizohen dhe për atë janë njoftuar përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare.

“Si Qeveri, kur u zgjodhëm para pak më pak se 20 muajsh, kishim një listë indikative hapash të cilët duhet t’i realizonim, praktikisht vitin e parë e gjysmë miratoheshin, e ngjashëm, duke punuar me BE-në. Aty diku në fillim të vitit 2025 që të rrumbullakosej ai proces, filluan hapat të realizohen, normalisht derisa u intensifikua ai proces, vlerësoj se u realizuan një numër i caktuar hapash, e pastaj u shpallën zgjedhjet lokale dhe për shkak të legjislacionit tonë të brendshëm, ne nuk arritëm ta ndiqnim atë dinamikë varësisht nga ambiciet tona. Dhe pasi që atëherë Parlamenti pothuajse është në formë teknike dhe nuk punon, si dhe institucionet e tjera, patëm një pauzë disa mujore".

"Por menjëherë pas zgjedhjeve lokale, aty diku nga muaji nëntor, intensivisht punuam në Agjendën Reformuese dhe në realizimin e hapave që janë pjesë e Agjendës Reformuese dhe atyre hapave që mund t’i realizojmë. Ata që nuk mundemi, objektivisht tregojmë pse nuk mundemi, sepse nuk do të dëshironim të ishim një Qeveri e cila premton një gjë para partnerëve tanë nga komuniteti ndërkombëtar, ndërsa bën diçka tjetër pas perdes. Atë që mund ta realizojmë, do ta realizojmë, për atë që nuk mundemi do të japim argumentet tona pse nuk mundemi, dhe jemi të gatshëm gjithmonë për dialog të sinqertë dhe bisedë me partnerët tanë nga komuniteti ndërkombëtar, veçanërisht me partnerët tanë nga BE-ja”, theksoi kryeministri Mickoski.

Mickoski porositi se këtë vit nuk do të ketë zgjedhje, pasi Qeveria është e fokusuar në përmbushjen e reformave dhe vendosjen e rrendit në shtet.

Gjorgjievski: Shoferët e NTP-së nga xhepat e tyre do t'i paguajnë gjobat e shkeljeve në trafik

5 February 2026 at 17:44


Shoferët e autobusëve të NTP-së dhe automjeteve të ndërmarrjeve të tjera publike në Shkup, tani e tutje do të paguajnë vetë gjobat e shkeljeve në trafik, tha sot kryetari i Bashkisë së Shkupit, Orce Gjorgjievski.

Ai sqaroi se nëse një shofer kalon në të kuqe ose tejkalon shpejtësinë e lejuar, gjoba nuk do të paguhet nga ndërmarrja.
Ai tha se Bashkia e Shkupit ende nuk është në gjendjen në të cilën banorët e Shkupit meritojnë të jetojnë.

"Ende nuk e kemi rregulluar plotësisht situatën. Pse? Sepse po bëjmë gjithçka që mundemi deri në atomin e fundit, por na duhet kohë për të zgjidhur të gjitha proceset", tha ai.

Sa i përket çmimeve të parkingut, ai tha se nuk ka plan për rritjen e tyre.

"Ka institucione që paguajnë për shërbimet e parkimit, përfshirë punonjësit e Qytetit të Shkupit, me çmime preferenciale. Nuk do të ketë më diçka të tillë. Punonjësit këtu marrin një pagë dhe janë të njëjtë me qytetarët e tjerë në Shkup. Dhe do të paguajnë aq sa u nevojitet. Dikush nuk mund të paguajë 400 denarë, dhe ju paguani 1.400 për një biletë mujore. Të gjithë do të paguajnë shumën - do të jetë e njëjtë për të gjithë. Këtu nuk do të ketë tolerancë. Por kjo nuk do të thotë rritje e çmimeve, por vendosje e rendit", u përgjigj Gjorgjievski në pyetjen e një gazetari.

Kërkuan 10%, por u pajtuan me 8% - SPAOGJSH arrin marrëveshje me qeverinë për rritjen e pagave

5 February 2026 at 17:11


Pas mbledhjes së sotme në Qeveri, Sindikata e punonjësve administrativ, organeve gjyqësore dhe shoqatave qytetare (SPAOGJSH) njoftoi se pranon formulën qeveritare për rritjen e pagave në administratë dhe gjyqësor.

Rritja, sipas kumtesës pas mbledhjes, do të zbatohet në tre këste nga 8% në vit (në vend të 10% si kërkesë sindikale), dhe pagesa duhet të fillojë në mars, me kusht që procedurat e brendshme të miratohen më parë dhe marrëveshjet kolektive të nënshkruhen nga institucionet.

Kryetari i SPAOGJSH, Trpe Deanoski, deklaroi se Qeveria e ka pranuar kërkesën sindikale "jo plotësisht", por si një hap të konsiderueshëm përpara ai tregoi pranimin e pagesës së shtesave të pagave.

"Për fat të keq, jo 10 përqind, por nuk i morëm vitin e kaluar. Megjithatë, tani Qeveria pranon t'i paguajë ato që tani e tutje, duke filluar nga marsi, në një mënyrë që të gjitha institucionet në administratën shtetërore dhe gjyqësorin, që do të thotë gjykatat, prokuroritë, do të duhet të nënshkruajnë marrëveshje kolektive individuale për të marrë këtë të drejtë", tha Deanoski.

Studentët shqiptarë të juridikut të zhgënjyer, paralajmërohen protesta për provimin në shqip të jurisprudencës

5 February 2026 at 16:41


Studentët shqiptarë të drejtësisë të zhgënjyer nga përgjigja e Ministrisë së Drejtësisë, e cila nuk po lejon që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe, po vetëm në atë maqedonase. Mevlan Ademi nga iniciativa studentore, paralajmëron se mund të përshkallëzojnë nisëm e tyre me protesta nëse situata mbetet e pazgjidhur.

“Jemi të zhgënjyer nga përgjigja e paqartë juridike nga Ministria e Drejtësisë. Provimi i jurisprudencës ka për qëllim vlerësimin e njohurive juridike e jo atyre gjuhësore, siç e kishin arsyetuar të njëjtit. Ende nuk kemi përgjigje nga disa të adresuarit tanë të peticionit, gjithsesi u bëjmë thirrje institucioneve dhe deputetëve të reagojnë për të njëjtën. Ish-ministri i Drejtësisë ka depozituar propozim-ligjin që zgjidh problematikën tonë, kështu që u mbetet deputetëve të veprojnë. Gjithsesi, kanë kaluar dy gjenerata të juristëve që kur e kemi adresuar këtë problematikë, prandaj nuk ka zgjidhje. Jemi duke e mbajtur hapur mundësinë e përshkallëzimit të iniciativës tonë me ndonjë protestë”, tha Mevlan Ademi, student.

Pas refuzimit të kërkesës së studentëve, nga Ministria thanë se provimi i jurisprudencës nuk mund të mbahet në shqip sepse shërben si test për njohjen aktive të gjuhës maqedonase, e cila, sipas tyre, është kusht ligjor për ushtrimin e profesioneve juridike. Duke e komentuar Ligjin për përdorimin e gjuhëve, nga Ministria e Drejtësisë thonë se zbatimi i ligjit nuk mund të shqyrtohet në mënyrë të izoluar, por në korrelacion me rregulloret e tjera relevante.

“Meqenëse sipas Ligjit për përdorimin e gjuhëve, gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik është gjuhë zyrtare në të gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe se, krahas gjuhës maqedonase, gjuhë zyrtare është edhe gjuha që flitet nga të paktën 20% e popullsisë që flet një gjuhë tjetër përveç maqedonishtes, kushti për njohjen aktive të gjuhës maqedonase është i domosdoshëm gjatë dhënies së provimit të jurisprudencës, e që në esencë paraqet kusht që të jepen të gjitha provimet e cekura që janë kusht për zgjedhjen e personit për gjyqtar, prokuror publik, avokat, noter dhe përmbarues”, thonë nga Ministria e Drejtësisë.

Nga Ministria e Drejtësisë thonë se Ligji për Provimin e Jurisprudencës nuk parashikon dhënien e provimit në gjuhë tjetër përveç maqedonishtes, ndonëse në ligj nuk ekziston dispozitë që e ndalon shprehimisht këtë, ndërsa Ligji për Përdorimin e Gjuhëve obligon institucionet të mundësojnë përdorimin e shqipes në të gjitha procedurat shtetërore.

Propozim-ligji që do ta lejonte provimin edhe në gjuhën shqipe ishte përgatitur në vitin 2024, por u hoq nga agjenda pas ndryshimit të pushtetit, ndërkohë që 385 studentë shqiptarë të juridikut kërkojnë përmes peticionit që provimi të jepet në gjuhën në të cilën studiojnë, si e drejtë e garantuar me ligj./TV21/

Janevska: Arsimi fillor është i mjaftueshëm për patentë shoferi, shteti u ofron mundësi romëve

5 February 2026 at 15:56


"Për të aplikuar për patentë shoferi, mjafton minimum arsimimi fillor. Shteti u ofron atyre mundësi që ata duhet t'i shfrytëzojnë. Ne nuk kemi një numër të madh instrumentesh me të cilat përpiqemi të përmirësojmë situatën e romëve", tha ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska në lidhje me protestën e romëve që kërkojnë të përjashtohen nga detyrimi për të dhënë provim për leje për vozitje sepse janë analfabetë.

Ministrja deklaroi sot se i kushtohet vëmendje serioze arsimimit të romëve me projektin "Dekada e Romëve" dhe projekte të tjera të veçanta të Ministrisë së Arsimit të destinuara për grupin etnik rom.

"Arsimi është falas edhe për ata që kanë tejkaluar kufirin e moshës, pra deri në moshën 29 vjeç, ose sigurisht deri në moshën 25 vjeç, ata marrin arsim përmes Qendrës për Arsim të Rriturve. Kemi pasur edhe projekte me partnerët tanë të huaj, përmes të cilave romët që ishin të interesuar të përfundonin arsimin e tyre morën një lloj arsimimi të përshtatshëm për kërkesat e tregut të punës, nevojat e tyre personale, etj", tha Janevska.

Ajo gjithashtu theksoi se Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka paguar rreth 40 ndërmjetësues romë për të rritur pjesëmarrjen e fëmijëve romë në shkolla, sepse, siç thonë ata, ata janë të regjistruar, por nuk vijnë në shkollë dhe e braktisin shkollën.

Filipçe: E mbështesim nismën për uljen e pagave të funksionarëve

5 February 2026 at 15:12


Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe sot në konferencë për media duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve tha se e mbështet nismën të cilën dje në Kuvend e parashtroi Lidhja e Sindikatave, për uljen e pagave të funksionarëve.

“Ne e mbështesim nismën, po debatohet në temë, e cila po shkakton trazira midis sindikatave dhe punëtorëve, ndërsa unë i kuptoj ata, duhet të debatojmë për temën. Ne e mbështesim absolutisht nismën, unë personalisht dhe i gjithë grupi parlamentar, dhe le të jetë e qartë se ky është qëndrim partiak, ne jemi për uljen e pagave të funksionarëve. Sepse edhe këtu e lidh përgjigjen me pyetjen e mëposhtme: kategori të caktuara të qytetarëve nuk mund të jenë të shqetësuar dhe të kenë probleme. Roli i Qeverisë është t’u plotësojë nevojat të gjithëve”, tha Filipçe.

Lidhur me protestat e grupeve të caktuara të qytetarëve për sekuestrimin e automjeteve pa leje drejtimi, ai tha se shkelja e ligjit nuk duhet të tolerohet, por duhet të bisedohet me njerëzit, të shihen problemet dhe t’u ofrohen zgjidhje, në mënyrë që sistemi të funksionojë.

Ai mohoi se LSDM qëndron pas organizimit të atyre protestave, duke theksuar se për to kishte mësuar nga mediat.
Në pyetjen e gazetarëve për qëndrimin e vendit në lidhje me BE, dhe se është rritur mbështetja për hyrje në BE, por se një numër i vogël i qytetarëve janë për ndryshim të Kushtetutës, tha se është i sigurt se do të kalojë një kohë në të cilën të gjithë do të jemi të lumtur që e kemi pasur propozimin francez në tavolinë dhe se do të na vjen keq që e kemi pranuar atë që është ofruar nga BE-ja.

“Fakti që vetëm 11 për qind e qytetarëve i pranojnë ndryshimet kushtetuese është, për mua, një nga sinjalet se ata janë vërtet të informuar në një përqindje të madhe, për fat të keq, nga qendrat e informacionit që përhapin lajme të rreme. Kur ta pyesni qeverinë, askush nuk është kundër ndryshimeve kushtetuese në vetvete, askush nuk është kundër bullgarëve në Kushtetutë, frika është se pasi të hapen kapitujt, mund të përballemi përsëri me disa kërkesa jo parimore që cenojnë përcaktimet tona identitare, dhe kështu të kemi një problem. Askush nuk e pranon këtë, as ne nuk e pranojmë atë. Kjo është arsyeja pse e paraqita propozim-rezolutën, të cilës, për fat të keq, asnjë parti nuk i është përgjigjur deri më tani”, tha ai.

Ai kujtoi se atje u tha se duhet të bashkohemi rreth vijave tona të kuqe dhe për atë që nuk negociojmë, dhe se nuk kanë problem me ndryshimet kushtetuese që po ndodhin, sepse atëherë do të hapen kapitujt dhe se atëherë do të fillojë reforma e vërtetë e ligjeve, dhe më e rëndësishmja, siç tha ai, do të hapen mjetet evropiane, nga të cilat do të përfitojnë qytetarët.

Policia e Tetovës ndaloi një 16-vjeçar, kapet duke vozitur pa leje

5 February 2026 at 14:49


MPB Maqedoni njofton se dje (04.02.2026), në orën 18:00 në rrugën "Ivo Ribar Lola" në Tetovë, zyrtarë policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria një 16-vjeçar nga fshati Zhelinë.

Gjatë kontrollit në trafik, zyrtarët policorë kanë ndaluar automjetin e udhëtarëve "Golf" me targa të Tetovës, i drejtuar nga i mituri, dhe për shkak se e ka drejtuar automjetin para se të fitonte të drejtën për drejtimin e mjetit motorik, pas udhëzimeve të marra nga prokurori publik, 16-vjeçari është privuar nga liria dhe me të është kryer bisedë zyrtare në prani të prindit, ndërsa automjeti është konfiskuar".

"Pas dokumentimit të rastit, do të paraqitet kallëzim sipas nenit 297-a të Kodit Penal, "drejtim i papërgjegjshëm i mjetit motorik"", thonë nga MPB.

Qeveria ende nuk i ka dorëzuar emrat për prokuror në Këshillin e Prokurorëve

5 February 2026 at 14:07


Qeveria ende nuk i ka dorëzuar në Këshillin e Prokurorëve emrat e kandidatëve për prokuror publik. Kreu i Këshillit, Bashkim Besimi pas anulimit të seancës së sotme për shkak të mungesës së kuorumit, deklaroi se sipas ligjit ata japin mendim për emrat e kandidatëve që do të dorëzohen, ndërsa më pas Qeveria, njërin prej tyre e dërgon në Kuvend për miratim.

Për prokuror publik janë kandiduar u.d. prokurorja aktuale Anita Topollova-Isajllovska, prokuroret Lençe Ristovska dhe Lidija Raiçeviq, gjykatësi Nenad Saveski dhe ish gjyqtari Vlladimir Pançevski.

“Nuk do të them në mënyrë të përgjithshme, derisa nuk vijnë paraqitjet. Në parim i dimë të gjithë kandidatët që janë paraqitur, do t’i shqyrtojmë dhe në seancë do të vendosim dhe do ta njoftojmë qeverinë në afatin ligjor. Ne mund të japim dy-tre apo një kandidat, megjithatë Qeveria është vegla e fundit që jep propozim në Kuvend. Nëse japim mendim negativ, ajo nënkuptohet që qeveria atë kandidat nuk mund ta japë në Kuvend”, tha Bashkim Besimi, kryetar i Këshillit të Prokurorëve.

Policia e kap personin që ka mashtruar njerëzit për aksidente të rreme, të dëmtuarve u ka marrë 3.6 milion denarë

5 February 2026 at 13:45


MPB Maqedoni njofton se dje (04.02.2026), oficerë policie nga Departamenti i Policisë Kriminale pranë SPB Shtip, në koordinim me Departamentin e Policisë Kriminale, ndërmorën masa operative dhe taktike për të zbardhur veprat penale të kryera më parë të mashtrimit në lidhje me aksidente të rreme trafiku.

"Personi P.S. (38) nga Ohri u privua nga liria. Pas një interviste zyrtare, P.S. shpjegoi mënyrën, vendin dhe kohën e kryerjes së nëntë veprave penale, gjashtë prej të cilave ishin në Shtip dhe tre në Vinicë, me ç'rast ankuesit u dëmtuan për afërsisht 3.600.000 denarë".

"Një padi penale u paraqit në Prokurorinë Publike të Shtipit me procedurë urgjente, dhe me propozim të Prokurorisë Publike të Shtipit, P.S. u nxor para gjykatësit për procedurë paraprake, ku iu caktua paraburgimi", thonë nga MPB.

Yesterday — 4 February 2026Main stream

Klekovski: Vitin e kaluar janë kryer mbi 14.000 intervenime kirurgjikale për tumore

4 February 2026 at 15:47


Gjatë vitit 2025 janë bërë rreth 14.000 intervenime kirurgjikale për tumore beninje dhe malinje, nga të cilat rreth 8.000 janë për kancer in-situ ose kancer i dyshuar, theksoi sot drejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor (FSSH), Sasho Klekovski.

Në konferencën për shtyp me rastin e Ditës botërore për luftë kundër kancerit – 4 Shkurti, Klekovski prezantoi të dhëna për zbulimin e hershëm, intervenimet kirurjgikale dhe risitë në diagnostikimin dhe terapinë. Drejtori i FSSH theksoi se vitin e kaluar forkusi ka qenë i vendosur në përforcimin e zbulimit të hershëm përmes furnizimit të pajisjes dhe rritjes së numrit të kontrolleve.

“Intervenime të plota, kontrolle për gjirin, duke përfshirë mamografinë, ultrazërin, rezonancën magnetike, biopsinë janë bërë mbi 13.000 në vitin 2025. Endoskopi, duke përfshirë rektoskopi, gastroskopi, kolonoskopi janë bërë rreth 18.000 gjithsej, me atë që mund të them se nuk jemi të kënaqur nga numri i kolonoskopive të bëra, duke marrë parasysh se të gjithë qytetarët mbi 50 vjeç duhet të bëjnë një kolonoskopi parandaluese dhe i inkurajoj të gjithë të rriturir që ta bëjnë këtë”, tha Klekovski.

Sipas të dhënave të FSSH, në vitin 2025 janë realizuar gjithsej 17.581 ekzaminime endoskopike, nga të cilat 7.096 ishin kolonoskopi dhe 9.807 ishin gastroskopi. Në fushën e diagnostikimit të gjirit, janë kryer gjithsej 13.042 shërbime, ku dominojnë mamografitë me 7.076 ekzaminime.

Klekovski theksoi se progres i rëndësishëm është arritur në patologji dhe në diagnostikën molekulare, me rritjen e buxheteve për Institutin për Patologji dhe Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë (ASHAM), si dhe përfshirjen e Fakultetit Matematiko-Natyror (FMN) në rrjet. Edhe krahas punësimeve të reja dhe katër specializimeve të ndara, drejtori i FSSH paralajmëroi në deficit serioz të kuadrit në periferi.

"Edhe krahas kufizimeve kadrovike, në vend janë bërë mbi 20.000 analiza histopatologjike dhe rreth 2.000 hulumtime molekulare dhe gjenetike. Si risi vendoset “testimi refleks”, i cili duhet dukshëm ta shkurtojë kohën e diagnostikimit", tha ai.

Lidhur me Onkologjinë, Klekovski informoi se buxheti për ilaçet në vitin 2025 është rritur me 70 për qind krahasuar me vitin e kaluar, me qëllim sigurimin e vazhdimësisë së terapisë. Ai gjithashtu njoftoi nevojën për rinovimin urgjent të udhëzuesve zyrtarë të trajtimit, të cilët datojnë që nga viti 2008.

Në repartin kirurgjikal, statistikat tregojnë se në vitin 2025 janë kryer gjithsej 13.993 operacione mbi tumoret sipas sistemeve të organeve, si dhe 7.907 operacione mbi neoplazmat in-situ dhe të dyshimta.

“Ky është një numër i konsiderueshëm që kirurgët tanë në Maqedoni kanë arritur ta arrijnë dhe ne duhet t’u japim atyre njohje”, thotë Klekovski.

I pyetur për listat e pritjes dhe disponueshmërinë e terapive inovative, Klekovski është i vendosur se duhet të ketë kritere të qarta që do të vlejnë njësoj për të gjithë. “Nuk duhet të kemi qytetarë më të privilegjuar, shumë të privilegjuar ose të privilegjuar”, nënvizoi drejtori i Fondit për Sigurime Shëndetësore.

Promovohet portali për ndërhyrjet kurirgjike jo urgjente, Aliu: Po vendosim rregull dhe po rrisim transparencën në institucionet publike shëndetësore

4 February 2026 at 15:22


Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, sot në konferencë për shtyp promovoi modulin e ri për evidencë elektronike të ndërhyrjeve kirurgjikale elektive në institucionet publike shëndetësore, përmes të cilit në një portal publik është e disponueshme lista e ndërhyrjeve kirurgjikale elektive të planifikuara.

"Për herë të parë vendosim rregull dhe një protokoll të qartë që evidenca elektronike e ndërhyrjeve të planifikuara të mbahet në mënyrë transparente. Qëllimi është që çdo pacient ta marrë shërbimin sipas parimit “i pari që vjen, i pari shërbehet”. Portali mundëson kërkim dhe paraqitje të të dhënave përmes disa parametrave të kombinuar, në mënyrë që të jetë i dobishëm si për qytetarët ashtu edhe për krijuesit e politikave. Përdoruesit e portalit publik mund të kërkojnë sipas: specialitetit të mjekut, ndërhyrjes kirurgjikale, institucionit publik shëndetësor, mjekut specialist dhe numrit të pacientëve që presin", theksoi ministri Aliu.

Ai shtoi se aktualisht evidenca për ndërhyrjet kirurgjikale elektive mbahet në sistemin “Termini im”, përmes lëshimit të një rekomandimi me tip “rekomandim spitalor për operacion”, por janë konstatuar mospërputhje, ndër të cilat: rekomandimet nuk lëshohen menjëherë pas konstatimit të nevojës për operacion, por para vetë ndërhyrjes; disa institucione dhe mjekë përdorin një lloj tjetër rekomandimi (trajtim konservativ) për evidencën e pacientëve në lista; mjekët i mbajnë listat në formë letre, ndërsa listat e pritjes nuk pastrohen rregullisht, gjë që krijon një perceptim jo të saktë për kohën e pritjes dhe nevojat reale.

"Institucioneve publike shëndetësore që kryejnë ndërhyrje kirurgjikale tashmë u janë dërguar njoftime individuale me të dhëna nga analiza e realizuar. Çdo institucioni i është treguar veçmas nëse dhe sa dallon numri i ndërhyrjeve të kryera nga numri i rekomandimeve të realizuara për operacion në sistemin “Termini im”. Me këtë risi po rrisim transparencën, po mundësojmë matje reale të kohës së pritjes dhe, rrjedhimisht, planifikim dhe shpërndarje më të mirë të burimeve, si dhe zbatim të praktikave evropiane në këtë fushë", përfundoi ministri.

Dogana e Maqedonisë: Gjatë vitit të kaluar janë dorëzuar 213 kallëzime penale

4 February 2026 at 14:46


Drejtoria e Doganave njoftoi se gjatë vitit të kaluar ka dorëzuar 213 kallëzime penale në Prokurorinë Themelore Publike dhe në Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Këto kallëzime përfshijnë 443 persona fizikë dhe 160 persona juridikë, ndërsa është konstatuar dëm prej mbi 102 milionë denarë. Sipas Doganave, numri i kallëzimeve penale është më shumë se dyfish krahasuar me vitin 2024.

Shumica e kallëzimeve lidhen me falsifikim dokumentesh, kontrabandë dhe mashtrim doganor, tregti të palejuar me drogë dhe armë, keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Në kuadër të kontrolleve, janë dërguar 450 kërkesa për verifikime tek shërbimet e huaja dhe janë hapur 15 hetime financiare me qëllim konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme.

Mickoski për rritjen e pagës minimale: Propozimi është që për 4 vite të sigurohet rritje 40%

4 February 2026 at 14:09


Kryeministri Hristijan Mickoski në sot sërish shpjegoi propozimin e qeverisë për rritjen e pagës së administratorëve shtetërorë. Mickoski thotë se propozimi parasheh që çdo rritje prej 1500 denarëve në tre vitet e ardhshme, t’i shtohet rritje edhe për 8%, me çka për rreth 4 vjet do të sigurohet rritje prej 40%.

“Unë kur thash paga mesatare prej 30,000 denarëve, fola për një shumë që për momentin aplikohet. Është diku mbi 30,000 denarë, por ja që të jetë matematika më e lehtë, këtu improvizova me rritjen e pagës minimale për 1,500 denarë 3 vjet me rend. Tani pa këtë ofertë të qeverisë, si rritet rroga e administratorëve shtetëror. Pagën që e merr administratori shtetëror i shtohet rritja e pagës minimale. Të themi, nëse unë jam administrator shtetëror dhe marr pagë prej 35,000 denarëve, ndërsa rritja e pagës minimale për këtë vit është 1,500 denarë, atëherë paga ime do të jetë 36,500 denarë. Tani ne çfarë propozojmë".

"Kjo shumë, të rritet për plus 8%, dhe kjo do të japë rezultat “X” para. Vitin tjetër në mars, të supozojmë që sërish rritja e pagës minimale do të jetë 1,500 denarë. Paratë e mija “X”, do t’i rrisim për 1,500 denarë dhe këtë shumë do ta rrisim për shtesë 8% dhe do të marrim “Y” para, viti i tretë në mars të vitit 2028, të supozojmë që paga minimale sërish do të rritet për 1,500 denarë, këto “Y” para do t’i rrisim për 1,500 denarë, dhe këtë shumë do ta rrisim për herë të tretë me 8%, do të marrim “Z” para. Këto “Z” para janë minimum 40% më shumë se ata 30,000 denarë ku tani kemi filluar”, tha kryeministri Mickoski.

Gashi në Washington: Maqedonia e Veriut është e përkushtuar në ruajtjen e sigurisë në Ballkanin Perëndimor

4 February 2026 at 13:34


Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, po qëndron për vizitë pune në Uashington, SHBA, ku ka zhvilluar një sërë takimesh me përfaqësues të lartë të institucioneve amerikane dhe organizatave ndërkombëtare, në kuadër të forcimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimit ndërparlamentar.

Siç njoftojnë nga kabineti i tij, Gashi zhvilloi takim me anëtaren e Kongresit të Shteteve të Bashkuara, Claudia Tenney, bashkëkryetare e Grupit Parlamentar për Maqedoninë e Veriut në Kongres.

"Gjatë takimit, bashkëbiseduesit diskutuan për partneritetin strategjik ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara, të bazuar në vlera të përbashkëta demokratike, si dhe për rëndësinë e rolit të Kongresit amerikan në zhvillimin dhe stabilitetin e rajonit. Kryetari Gashi theksoi përkushtimin e Maqedonisë së Veriut si anëtare e NATO-s, duke nënvizuar njëkohësisht rëndësinë e lidershipit amerikan në ruajtjen e sigurisë euroatlantike, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor".

"Në vazhdën e vizitës, Kryetari i Kuvendit zhvilloi takime edhe me drejtues të organizatave ndërkombëtare që prej vitesh mbështesin proceset demokratike dhe zhvillimin institucional të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, respektivisht në IRI dhe NDI".

"Në takimin me z. Daniel Twining, Kryetar i Institutit Ndërkombëtar Republikan (IRI), dhe z. Stephen Nix, Drejtor për Evropën dhe Euroazinë, u diskutua bashkëpunimi i deritanishëm, dhe dialogu strategjik ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-ve. Po ashtu, në një takim me znj. Tamara Wittes, Kryetare e Institutit Kombëtar Demokratik (NDI), z. Scott Bates, Drejtor Rajonal për Evropën dhe Azinë, u diskutuam për vlerën e bashkëpunimit afatgjatë ndërmjet Kuvendit dhe NDI-së".

"Gashi shprehu mirënjohje për projektet në forcimin e pavarësisë dhe kapaciteteve parlamentare, digjitalizimin, transparencën dhe afrimin e Kuvendit me qytetarët, përfshirë Programit për Mbështetje Parlamentare, i cili ndër vite ka dhënë rezultate të prekshme", thuhet në njoftim.

Më tej theksohet se në të gjitha takimet, Gashi vlerësoi lart mbështetjen e vazhdueshme të partnerëve amerikanë për avancimin e standardeve demokratike, duke riafirmuar gatishmërinë e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit në funksion të forcimit të demokracisë, stabilitetit dhe përfaqësimit më të mirë të qytetarëve.

Bastisje në Shkup, sekuestrohen armë dhe drogë - ndalohet një person

4 February 2026 at 13:02


MPB Maqedoni njofton se dje (3 shkurt 2026) zyrtarët policor nga SPB Shkup kanë arrestuar personin Gj.S (23) nga Shkupi.

Siç thonë nga MPB, gjatë bastisjes me urdhër gjyqësor në shtëpinë e tij në Shkup, në rajonin e Qendrës, janë gjetur dhe sekuestruar marihuanë, peshore digjitale, pistoletë, para dhe mjete tjera.

"Pas dokumentimit të plotë të rastit do të vijojë parashtresë adekuate", thonë nga MPB.

MPB: Dje janë regjistruar 650 shkelje nëpërmjet "Safe City"

4 February 2026 at 12:35


MPB njofton se nëpërmjet sistemit të kamerave “Safe City” janë regjistruar një numër i lartë i shkeljeve të rregullave të trafikut në rrugët e kryeqytetit gjatë ditës së djeshme.

Sipas njoftimit zyrtar nga MPB, janë konstatuar gjithsej 650 shkelje, ku dominon tejkalimi i shpejtësisë me plot 590 raste.

"Përveç shpejtësisë, kamerat kanë kapur 36 shoferë që kanë kaluar në dritë të kuqe dhe 24 mjete të paregjistruara. Si masë ndëshkimore, policia ka shqiptuar edhe 61 ndalesa për drejtim të mjetit, ndërsa u bën thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar dhe respektim të rregullave për të garantuar sigurinë në trafik", thonë nga MPB.

Prokuroria hap lëndë për informacionet për transport të trurit të njerëzve të vdekur në SHBA

4 February 2026 at 11:49


Prokuroria Publike e Maqedonisë së Veriut informon se bazuar në disa informacione të publikuara në media, ka hapur lëndë sipas detyrës zyrtare për shkak të pretendimeve nga dokumentet e publikuara në rastin Jeffrey Epstein se mostrat e trurit të individëve të vdekur nga RMV, dyshohet se janë transportuar për qëllime kërkimore shkencore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

"Duke marrë parasysh natyrën e pretendimeve, të cilat përfshijnë përpunimin, ngrirjen dhe transportin ndërkombëtar të indeve njerëzore, si dhe çështjet e mundshme në lidhje me pajtueshmërinë me standardet ligjore dhe etike për eksperimentet me indet dhe mostrat njerëzore, Prokuroria Publike ka hapur lëndë me qëllim shqyrtimin e të gjitha indikacioneve të ekzistencës së mundshme të elementeve të një vepre penale që ndiqet penalisht sipas detyrës zyrtare".

"Lënda është paraqitur për veprim kompetent në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen Penale të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, e cila duhet të ndërmarrë veprime për të mbledhur informacione zyrtare nga autoritetet, institucionet dhe institucionet shëndetësore kompetente, me qëllim përcaktimin e trajtimit të mundshëm të paligjshëm të indeve dhe biomaterialeve njerëzore, lëshimeve ose abuzimeve në marrjen e lejeve dhe pëlqimeve", thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Ndryshe, në dokumentet e publikuara në aferën Epstein, Maqedonia përmendej si burim i transportit të trurit të njerëzve të vdekur për qëllime shkencore në SHBA.

Dje në lidhje me këtë çështje reaguan edhe nga Ministria e Shëndetësisë, prej ku thanë se ata nuk kanë kompetenca të drejtpërdrejta në zbatimin e aktiviteteve kërkimore shkencore.

"Nga Fakulteti i Mjekësisë jemi informuar se puna kërkimore shkencore në lidhje me materialin biologjik që përmban karakteristika gjenetike i nënshtrohet rregullimit normativ rigoroz, siç është Ligji për Veprimtarinë Kërkimore Shkencore, Rregullorja për Studimet Klinike, Udhëzimet për Procedurën e Transferimit dhe Transportit të Materialeve Biologjike, si dhe Metoda e Paketimit dhe Etiketimit të Materialeve Biologjike".

"Gjithashtu theksojmë se në periudhën e treguar kohore, detyrimi ligjor për të ruajtur këtë dokumentacion ishte 15 vjet, dhe nga viti 2018 e tutje, detyrimi ligjor për të ruajtur dokumentacionin është 25 vjet.

"Procedura për transportimin e indeve gjatë asaj periudhe kohore përbëhej nga: Pëlqimi i informuar i familjes, i ndjekur nga një vendim nga Komiteti i Etikës për Kërkime Njerëzore, që procedura të vazhdonte me një leje për eksportin e indeve nga Byroja e atëhershme e Barnave, e cila saktësisht thotë se indi është për kërkime shkencore dhe për çfarë qëllimesh përdoret materiali", thonë nga MSH./Telegrafi/

MPB: Arrestohet 25-vjeçari i arratisur nga burgu i Idrizovës

4 February 2026 at 10:28


Është arrestuar një i arratisur nga burgu "Idrizovë". Ai do të dërgohet në të njëjtin burg për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit.

Siç njoftojnë nga MPB, sot (04.02.2026) në orën 09:15 në bulevardin "Koço Racin" në Shkup, oficerët e policisë nga Sektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor arrestuan A.J. (25) nga Gostivari, i cili kërkohej me urdhër arresti me vendim gjykate për arratisje nga Burgu i Idrizovës.

"A.J. është dënuar me pesë vite e një muaj burg për krime të kryera sipas neneve 236 dhe 215 të Kodit Penal. Ai do të dërgohet në Burgun e Idrizovës për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit", thonë nga MPB.

❌
❌