EMV Furnizimi me ngrohje informon se për shkak të defektit në rrjetin distributiv në këtë moment ka ndërprerje të dërgesës së energjisë ngrohëse tek konsumatorët nga Qendra, Aerodromi, Lisiçe e Re, Kisella Voda dhe Autokomanda. “Ekipet e EMV Furnizimi me ngrohje janë në terren me qëllim të detektimit të saktë të defektit dhe izolimit me qëllim të vendosjes së dërgesës normale të energjisë ngrohëse”, thuhet në informatën e publikuar në ueb faqen e kompanisë. Për informata shtesë, konsumatorët mund të paraqiten në Qendrën për kujdes të konsumatorëve në numrat e telefonit (02) 3076 200 и 075 400 100.
Drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore të Maqedonisë së Veriut, Koce Trajanovski, ka publikuar fotografi nga një segment i punimeve në autostradën Kërçovë–Ohër. Sipas postimit të Trajanovskit, në këtë autostradë janë paraparë konstruksione mbrojtëse gjysmë të hapura prej betoni, të njohura si galeri, nëpër të cilat do të kalojë rruga. Këto galeri synojnë rritjen e sigurisë së qarkullimit, veçanërisht në zonat me rrezik nga rrëshqitjet e dheut dhe gurëve. Punimet në autostradën Kërçovë–Ohër po vazhdojnë sipas planifikimit, ndërsa autoritetet theksojnë se ky projekt infrastrukturor është i një rëndësie të veçantë për lidhjen rajonale dhe zhvillimin ekonomik të zonës. Ndryshe, rruga Kërçov[ - Ohër ka nisur tashmë 10 vite dhe ende nuk ka përfunduar deri në fund.
Gati 40 mijë euro dënime ka shqiptuar Agjencia për Ushqim dhe Veterinari operatorëve të ushqimit, në kuadër të inspektimeve të jashtëzakonshme në markete dhe hipermarkete. Siç thonë nga AUV, aksioni ka zgjatur nga 13 deri më 16 janar dhe janë kontrolluar 188 operatorë me ushqim të kësaj kategorie. "Tek 10 operatorë, në kontrolle janë vërtetuar shkelje të buta të sigurisë në ushqim dhe janë shqiptuar masa vërejtje, kurse tek dy marketë është të punësuarit nuk kanë libreza sanitare", thuhet në njoftim. Ata shtojnë se te 6 markete nuk janë zbatuar procedurat për higjienë, kurse te 14 markete ka pasur ushqim me afat të skaduar. Po ashtu në kuadër të aksionit, nga operatorët janë marrë mbi 253 kilogram ushqim (mish, prodhime nga mishi dhe produkte të qumshtit).
Gjithsej 6.128 punëtorë të huaj morën leje për qëndrim të përkohshëm në Maqedoninë e Veriut në vitin 2025. Pra, trefish më shumë se para pesë vjetëve, kur për shkak të punës në vend kishin marrë leje 1.704 punëtorë, tregojnë të dhënat që Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë (REL) i ka siguruar nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB). Ndërtimtaria, industria përpunuese, akomodimi dhe shërbimi, si dhe tregtia me shumicë dhe pakicë, janë vendet ku ka pasur interesim më të madh për punësimin e të huajve, sipas Agjencisë së Punësimit nga viti 2020. Punëtorët nga Turqia mbizotërojnë, por tani në Maqedoninë e Veriut po mbërrijnë gjithnjë e më shumë punëtorë nga Nepali, Bangladeshi dhe India. Bangladeshi, Nepali, India, Turqia, Kina dhe Filipinet janë ndër shtetet, qytetarëve të të cilave MPB-ja u ka lëshuar leje qëndrimi për shkak të punës. Se nga cilët shtetas të huaj ka kërkesën më të madhe, tregojnë edhe të dhënat që REL-i i ka marrë nga Agjencia e Punësimit. Sipas tyre, në vitin 2025 janë lëshuar gjithsej 8.509 mendime pozitive për leje pune. Në këtë numër përfshihen edhe 798 leje personale pune të lëshuara për administratorë, menaxherë etj. Ky mendim është i nevojshëm ndër dokumentet që i mbledh MPB-ja kur vendos nëse do ta miratojë apo jo leje-qëndrimin. Edhe këto të dhëna tregojnë trendin në rritje të të huajve që kërkojnë punë në vend. Në vitin 2020, për shembull, Agjencia kishte lëshuar 3.227 mendime pozitive, që është dy herë më pak se në vitin 2025. Prej vitesh, të parët në këtë listë janë punëtorët nga Turqia, ndërsa në vitet 2024 dhe 2025, në pesë shtetet kryesore qytetarët e të cilave kanë marrë mendime pozitive, përfshihen edhe Nepali, Bangladeshi dhe India. Vitin e kaluar, nga gjithsej 8.509 mendime, Agjencia e Punësimit i dha 2.815 mendime vetëm për shtetasit turq. Pas tyre vijnë shtetasit e Bangladeshit me 1.567, nepalezët me 1.089 dhe indianët me 1.079. Në vendin e pestë janë shtetasit e Kosovës me 406. Më herët, kur edhe numri i kuotave dhe lejeve për të huaj ishte dukshëm më i vogël, këto vende i zinin shtetet e rajonit, si Serbia, Shqipëria dhe Kosova. Trendi i rritjes së numrit të punëtorëve të huaj është i dukshëm edhe në jetën e përditshme, veçanërisht në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, ku ata shpesh shihen në kantierë ndërtimi, por edhe në hotele, restorante, bare etj. Ky proces, thekson Krste Bllazhevski nga shoqata vullnetare dhe jofitimprurëse e bizneseve hotelierike dhe gastronomike – HOTAM, është i natyrshëm duke pasur parasysh se punëtorët vendas po migrojnë drejt vendeve të tjera evropiane. Pjesa më e madhe e lejeve kërkohen për Shkupin, ndërsa nga disa dhjetëra në vit lëshohen për Manastirin, Tetovën, Ohrin, Kumanovën etj. “Këta janë punëtorë nga shtete më të varfra, të cilët këtu do të siguronin bukën e gojës, do të mbijetonin dhe do të dërgonin diçka për familjet e tyre, sepse edhe sot ekzistojnë vende ku ata marrin paga prej 100 dollarësh në muaj. Këtu marrin 600–800 dollarë”, thotë Bllazhevski për REL-in. Por, si vijnë ata në Maqedoninë e Veriut? Praktika më e shpeshtë, kur bëhet fjalë për punëtorë nga vende të largëta si Nepali dhe Bangladeshi, është përmes agjencive ndërmjetësuese. Ndryshe nga e kaluara, sot – thekson Bllazhevski – ka mjaft agjenci të tilla që çdo ditë u ofrojnë punëtorë. Sipas tij, ka dhjetëra të tilla. Ato dërgojnë video, CV të përvojës së punës së kandidatëve etj. Një agjenci e tillë, që prej katër vjetësh sjell punëtorë të huaj në Maqedoninë e Veriut, është edhe “Balkan – Human Resources”. Ajo bashkëpunon me një agjenci nga Bangladeshi. “Në fillim ishte e vështirë t’i gjeja punëtorët e parë, t’i bindja njerëzit se këtu tek ne ka punë edhe për ta. Mirëpo, me ardhjen e njerëzve të parë këtu, u krijua besimi dhe tani është më e lehtë të gjenden njerëz për të ardhur këtu”, thotë për REL-in një përfaqësues i agjencisë. Sipas tij, interesi i punëdhënësve vendas është i madh. “Në fillim isha skeptik se Maqedonia vërtet do të kishte aq shumë nevojë për fuqi punëtore, por vlerësimi im ishte i gabuar. Shoh çdo ditë e më shumë kërkesa”, shton ai. Ai përmend së pari gastronominë, e më pas prodhimin dhe ndërtimtarinë si sektorët që kërkojnë më së shumti punëtorë. Bllazhevski nga HOTAM thotë se kohët e fundit punëtorët që vijnë nuk janë “vetëm punëtorë të përgjithshëm”. “Ka edhe shumë punëtorë me përvojë, të cilët mund ta kuptojnë shpejt se çfarë duhet të punojnë këtu”, thekson ai. Në hotelieri dhe gastronomi, më së shpeshti të huajt angazhohen për “punë prapaskene” – pastrim, punë në kuzhinë etj. Por, sipas Bllazhevskit, ata e mësojnë shpejt gjuhën. Nga përvoja, për gjashtë muaj i zotërojnë gjërat bazë, ndërsa shpesh kuptohen edhe në anglisht. “E dini, asnjë shtet në botë deri më sot nuk ka dështuar për shkak të fuqisë punëtore, nuk është prapambetur. Vetëm ecet përpara. Nëse nuk ka kush t’i kryejë pozitat e punës, atëherë do të jemi në problem të madh, do të duhet të mbyllen objekte dhe të mos ketë të ardhura”, thotë Bllazhevski. Megjithatë, përvoja disavjeçare me punëtorë nga vende të largëta, si India, Nepali dhe Bangladeshi, tregoi se edhe vendet e punës që ata i zënë, boshatisen, pasi ata ikin drejt vendeve të tjera evropiane. Këtë problem nuk e mohojnë as përfaqësuesit e sektorit të biznesit dhe as agjencitë ndërmjetësuese. Përfaqësuesi i “Balkan – Human Resources” thotë se aktualisht bashkëpunon vetëm me një agjenci nga Bangladeshi, sepse një pjesë e tyre “i keqpërdorin kompanitë tona për të ikur në vende të tjera evropiane”. Sipas tij, vetëm katër për qind e atyre që agjencia e tij i ka sjellë në vend janë larguar. Trendi i ikjes së punëtorëve të huaj, sipas Bllazhevskit, është zvogëluar. “Rregulloret nuk ishin të rregulluara siç duhet dhe një numër i caktuar punëtorësh-migrantë e shfrytëzuan këtë. Por vitin e kaluar, ata që erdhën, qëndruan. Nëse disa u larguan, ky është një numër shumë minimal”, pohon ai. Në vitin 2025, kur leje morën 6.128 shtetas të huaj, MPB-ja ka evidentuar 166 të huaj që e kanë lëshuar Maqedoninë e Veriut, ndërsa kanë qenë në vend me status “qëndrim i përkohshëm për shkak të punësimit”. Sipas të dhënave që REL-i i ka marrë nga MPB-ja, prej tyre 129 ishin shtetas të Bangladeshit, 34 të Nepalit dhe tre të Indisë. Sipas dispozitave ligjore në Maqedoninë e Veriut, kuota për punësimin e të huajve nuk guxon të tejkalojë 5% të popullsisë së përgjithshme të aftë për punë në vend. Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, numri i të punësuarve në tremujorin e tretë të vitit 2025 ishte rreth 705.000, ndërsa të papunë rreth 92.000. Sa i përket kuotës për leje pune për të huaj, për vitin 2025 Qeveria e ka caktuar atë në 10.000 punëtorë. Edhe kjo, paralelisht me rritjen e numrit të punëtorëve të huaj të angazhuar, është rritur gjatë viteve të fundit. Në fund të vitit 2023, qeveria e mëparshme e rriti nga pesë në shtatë mijë. Më herët, ajo ishte 3.250. Vitin e kaluar, Qeveria propozoi, ndërsa Kuvendi miratoi ndryshime në Ligjin për të Huajt, sipas të cilave parashihet që jashtë kësaj kuote, qëndrimi i përkohshëm për arsye pune t’i miratohet edhe një të huaji që punon në projekte strategjike të përcaktuara me ligj të veçantë. Kjo do të thotë se punëtorët e angazhuar në projekte strategjike janë fuqi punëtore shtesë, jashtë kuotës prej 10.000. Një projekt i tillë strategjik është, për shembull, ndërtimi i korridoreve 8 dhe 10D nga konsorciumi amerikano-turk “Bechtel & Enka”./REL/
Në tetor janë dhënë 446 leje për ndërtim në Maqedoni, 22.9% më shumë se në të njëjtën periudhë në vitin e kaluar
Nga dita e sotme komuna e Tetovës ka lëshuar dy autobusë për në Kodër të diellit, edhe atë, një në orën 8 të mëngjesit, dhe i dyti në orën dhjetë. Autobusët do të lëvizin deri në fund të sezonit, por vetëm gjatë ditëve të vikendit, me përjashtim ditën e hënë kur do vazhdohet me të njëjtin itinerar me autobusët për në Kodër të Diellit shkaku i festës. Banorët kanë mirëpritur lëshimin e autobusëve, por kërkojnë që linjë të rregullt të ketë çdo ditë të javës dhe jo vetëm në vikend. Zakonisht këtë periudhë dimërore, për vikende dhe ditë festash qytetarët ja mësyjnë Kodrës së Diellit, por për shkak pamjaftueshmërisë së parkingjeve shkaktohet kaos. Me lëshimin e linjës së autobusëve, pritet që lartë të ketë më pak vetura.
Deputeti i ASH-së, Halil Snopçe, ka reaguar ashpër ndaj koalicionit VLEN, duke e akuzuar për heshtje të vazhdueshme dhe mungesë reagimi lidhur me çështjen e diasporës.
Sipas Snopçes, për disa herë është ushtruar trysni ndaj kryeministrit Mickoski, me kërkesë që qeveria të ndryshojë vendimin për heqjen e diasporës nga përllogaritja e numrit të këshilltarëve komunalë. Në të gjitha këto raste, siç thekson ai, VLEN ka zgjedhur të heshtë.
“Disa herë kemi ushtruar trysni ndaj Mickoskit dhe kemi kërkuar që qeveria të ndryshojë vendimin për heqjen e diasporës nga përllogaritja e numrit të këshilltarëve. Në të gjitha këto raste, VLEN ka heshtur. VLEN asnjëherë nuk e ngriti zërin për uljen e numrit të këshilltarëve në komunat kryesisht shqiptare, si pasojë e heqjes së diasporës nga kjo përllogaritje. Heqja e diasporës nga ana e qeverisë ka pasur ndikim negativ për komunat shqiptare edhe në aspektin ekonomik, pasi në shpërndarjen e mjeteve financiare nga qeveria diaspora nuk merret parasysh. Edhe në këtë rast, VLEN vazhdoi të heshtë.Në zgjedhjet e përsëritura në Gostivar dhe Vrapçisht u shkel ligji, duke mos u lejuar votimi më 28 dhjetor, kur mërgata ishte në vendlindje. Zgjedhjet u shtynë për më 11 janar me qëllim që të pengohej votimi i diasporës. Edhe këtu, VLEN heshti. Ne ushtruam disa herë trysni ndaj ministrit të Drejtësisë, Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, kryetarit të Kuvendit dhe kryeministrit, por VLEN vazhdoi me heshtje totale. Në Kuvend lexuam emrat e 130 personave të vdekur (aq sa na lejonte koha), të cilët ende figuronin në listat zgjedhore dhe nuk ishin fshirë. Kërkuam sqarime, por VLEN vazhdoi me heshtjen totale. Si përfundim, VLEN është ai që e fshiu diasporën nga llogaritjet, që nuk e mori atë në konsideratë dhe që nuk tregoi asnjë interes për përfshirjen e saj. Me heshtjen e tij totale, VLEN kontribuoi drejtpërdrejt në mospërfshirjen e diasporës. Prandaj, është paturpësi dhe imoralitet të akuzohen të tjerët për çështjen e diasporës” ka shkruar Snopçe
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni në intervistën “1+1” në TVM2 duke folur për projektin “Safe City”, ka thënë se insistohet që nga fillimi që njoftimet me SMS nga policia të arrijnë edhe në gjuhën shqipe. Kjo sipas tij është folur edhe në takimin e fundit të liderëve të thirrur nga kryeministri Hristijan Mickoski, të cilën e ka hapur njëri nga liderët e VLEN, Bilall Kasami. “Meqë ka pasur edhe kërkesa tjera në lidhje me ‘Safe City’ që janë adresuar periudhën e fundit, ajo që duhet të japim përgjigje është se SMS porositë vijnë në gjuhë maqedone. Për neve kjo normalisht paraqet problem dhe duhet ta ngrisim këtë çështje më lart. Në takimin e fundit të liderëve është diskutuar edhe kjo që SMS-të për gjobat të vijnë edhe në gjuhën shqipe, ku njëri nga liderët e VLEN e ka ngritur këtë çështje si shumë të rëndësishme”, ka thënë Iseni. Sipas tij, janë dakorduar edhe pikat e mëparshme në lidhje me përfaqësimin e gjuhës shqipe siç është ajo te uniformat, veturat dhe gjithkund tjetër që këto të rregullohen në bazë të kushtetutës. “Qëndrojmë decid në këtë dhe unë kam ngritur zërin që nga fillimi që çdo material madje që del nga kabineti im të jetë në dygjuhësi dhe jemi duke u munduar që të sanojmë problemet e qeverisjes së kaluar”, ka theksuar Iseni. Lidhur me avancimin e shqiptarëve në pozita udhëheqëse në MPB, Iseni ka thënë se në këtë aspekt qëndrojmë shkëlqyeshëm. “Për një vit e gjysmë janë avancuar rreth 300 shqiptarë, pra sa u përket avancimeve në pozita, ka prej ish zv/ministrave që për një periudhë katërvjeçare nuk kanë arrit t’i arrijnë dhjetëra. Është për lëvdatë, por nuk kemi bërë shumë reklamë apo piar dhe kemi lënë që veprat të flasin vetë”, ka nënvizuar numri dy i MPB-së, Astrit Iseni.
EMV Furnizimi me ngrohje informon se për shkak të defektit në rrjetin distributiv në këtë moment ka ndërprerje të dërgesës së energjisë ngrohëse tek konsumatorët nga Qendra, Aerodromi, Lisiçe e Re, Kisella Voda dhe Autokomanda. “Ekipet e EMV Furnizimi me ngrohje janë në terren me qëllim të detektimit të saktë të defektit dhe izolimit me qëllim të vendosjes së dërgesës normale të energjisë ngrohëse”, thuhet në informatën e publikuar në ueb faqen e kompanisë. Për informata shtesë, konsumatorët mund të paraqiten në Qendrën për kujdes të konsumatorëve në numrat e telefonit (02) 3076 200 и 075 400 100.
Ligji i propozuar për mbrojtje nga duhanpirja, i përgatitur nga Ministria e Shëndetësisë, i cili parasheh ndalim të duhanpirjes në hapësira të mbyllura publike dhe të punës, ka shkaktuar reagime të ndara në opinion. Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, përmes një komunikate theksoi se ky ligj është në përputhje me standardet evropiane dhe rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, me qëllim mbrojtjen e qytetarëve.
“Duhanpirja është zgjedhje personale e qytetarit, por hapësira e përbashkët e mbyllur që përdoret nga i gjithë kolektivi nuk guxon të jetë vend ku zgjedhja e individëve shndërrohet në rrezik për shëndetin e të tjerëve. Ligji i propozuar për mbrojtje nga duhanpirja nuk rregullon nëse dikush do të pijë duhan apo jo, por vetëm përcakton qartë se ku nuk lejohet kjo, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të të gjithë personave të pranishëm”, tha Azir Aliu. Sa i përket objekteve hoteliero-gastronomike dhe ndikimit të ligjit në punën e tyre, Aliu vlerëson se ai nuk do të ketë ndonjë ndikim negativ. Përvojat nga vendet evropiane që tashmë kanë zbatuar zgjidhje të tilla ligjore, si Irlanda, Mbretëria e Bashkuar dhe shumë të tjera, tregojnë se këto masa nuk përbëjnë goditje për gastronominë dhe të ardhurat e saj, por një tranzicion drejt një ambienti më të rregulluar, më cilësor dhe më të parashikueshëm në objektet hoteliero-gastronomike”, deklaroi Azir Aliu.
Vendimi për pezullimin e vizave të emigrimit për qytetarët nga Maqedonia e Veriut, i marrë nga SHBA, është miratuar në kuadër të politikës së tyre të përforcuar të migrimit, vlerëson ish-ambasadori i vendit në SHBA, Vasko Naumovski. Në një deklaratë për Alsat, Naumovski theksoi se pavarësisht këtij vendimi, për vizat e qëndrimit në SHBA, të cilat janë më të kërkuarat nga qytetarët tanë, do të mund të aplikohet më tej.
“Përkohësisht i ngrijnë procedurat për vizat e emigrimit, me qëllim të verifikohet nëse i gjithë ai sistem për përdorimin e ndihmës sociale është në përputhje me ligjet e tyre apo jo. Bëhet fjalë vetëm për ndërprerje të përkohshme të lëshimit të vizave të emigrimit, dhe jo për ato turistike, apo vizitat afariste apo vizat studentore të cilat në masë më të madhe përdoren nga qytetarët tanë”, Deklaroi Vasko Naumovskit, ish-ambasador i Maqedonisë në SHBA.
Menjëherë pas vendimit që Maqedonia e Veriut të shtohet në listën e vendeve për të cilat nuk do të lëshohen viza emigrimi për qëndrim në SHBA, kryeministri Hristijan Mickoski tha se megjithatë së shpejti pret lajme të mira nga Uashingtoni. Sipas Naumovskit, lajmet e mira mund të jenë në drejtim të heqjes së vizave turistike për hyrje në SHBA, diçka për të cilën ai thotë se po negociohet rreth 15 vite. “Po ndërmerren disa hapa në fusha të ndryshme, me qëllim që të plotësohen kriteret që qytetarët e Maqedonisë të jenë pjesë e qytetarëve të cilëve nuk do t’u nevojiten viza për hyrje në SHBA. Ky është një qëllim afatgjatë dhe besoj se në periudhën përpara nesh, ai dialog do të intensifikohet dhe eventualisht të presim rezultate në atë drejtim”, Tha Vasko Naumovski, ish-ambasador i Maqedonisë në SHBA.
Nga ana tjetër, sipas të dhënave të fundit të Departamentit të Shtetit, numri i vizave të emigrimit nga Maqedonia në SHBA ka shënuar ulje në dekadën e fundit. Kështu, në vitin 2024 numri i vizave të lëshuara për shtetas të Maqedonisë ishte 573, ndërsa në vitin 2016 ky numër kishte qenë 1.354. /Alsat.mk
Projekti Sejf Siti pritet që javën tjetër të miratohet në kuvend, por kabineti i kryeparlamentarit Afrim Gashi ende nuk ka caktuar seancë për këtë çështje. Nëse kordinatorët e grupeve parlamentare për disa pika i kanë sqaruar deputetët e BDI-së, social demokratët do të kërkojnë debat në kuvend për çështjen e gjobave dhe fatin e të dhënave në sistem.
Kryetari i LSDM-së Venko Filipçe tha se e mbështesim ligjin në pjesën me të cilin rregullohet një pjesë e trafikut dhe ulet rreziku nga fatëkeqësi por duhet diskutuar këto dy çështje.
“E para në kontekstin aktual sa i takon pozitës ekonomike të qytetarëve, do të duhet të flitet për lartësinë e dënimeve dhe e dyta se kush i kontrollon sasinë e madhe të të dhënave të cilat I mbledh sistemi Sejf Siti. Bëhet fjalë për një qeveri e cila ka histori të keqpërdorimeve të shërbimeve të sigurisë, ndjekje, përgjime të një pjese të madhe të qytetarëve. Nuk jemi komod që thjesht kjo pjesë të kaloj pa diskutim. Dyshojmë se këto të dhëna mund ti keqpërdorin për interesa të ngushta partiake. Andaj do të debatohet në kuvend për këto dy çështje”, deklaroi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
Gjobat që parashikohen pas regjistrimit të shkeljeve në kamerat e sigurisë janë nga 15 deri në 300 euro. Kryeministri Hristijan Mickoski optimist se ligji për kundërvajtje do të kalojë në kuvend dhe nga një shkruti do të nis jetësimi I të njëjtit.
Edhe partitë tjera koalicioni VLEN, lëvizja E Di por edhe E Majta janë shprehur për bashkëpunim rreth miratimit të ligjit.
Gastronomët në Ohër dhe Strugë kërkojnë nga qeveria të shtyjë hyrjen në fuqi të ligjit të ri për duhanin ose deri në fund të sezonit veror në mënyrë që të kenë kohë të përshtaten me rregullat e reja. Ata gjithashtu përgatisin një peticion që do t’ia dorëzojnë autoriteteve kompetente. “Përmendet se është nga 1 marsi. Do të thosha nëse mund të shtyhet për të paktën një ose dy muaj. Dhe atje, diku nga 1 maji, kur do të jetë ngrohtë të sugjerohet si i tillë që vizitorë të shkojnë ku është më ngrohtë, ndërsa për më tej të mendohet për ato zona të pirjes së duhanit që duhet të jenë brenda. Ka sisteme të tilla, janë të shtrenjta, por nëse dikush mendon se duhet të ketë pirje duhani në lokal, ata do të investojnë në një sistem të tillë”, tha Kërste Blazheski, Kryetar i HOTAM. Gastronomët druajnë se ligji i ri me të gjitha dispozitat që ofron tani do të ndikojë ndjeshëm në qarkullimin e tyre dhe në numrin e vizitorëve. “Pirja e duhanit zvogëlon turistët ata që duan të vijnë në pushime. Dikush dëshiron të pijë duhan, dikush nuk dëshiron, dhe ne si hotelierë duhet t’u sigurojmë kushte. Pasi thuhet se ligji duhet të jetë i rreptë në hapësirë të mbyllur, të mbyllet gjithçka, dhe njerëzit të dalin jashtë për të pirë duhan, kjo do të zvogëlojë qarkullimin tonë. Me siguri do të reflektohet, sepse me vetë rezervimet që na vijnë, 45% e kërkesave janë me kushte nëse mund të pihet duhan apo jo”, u shpreh Musa Rashid, pronar hoteli. “Nëse e bëjmë këtë tani, do të jetë rigoroze, në mars ka ende ditë të ftohta, ku do të duhet të dalim jashtë, sepse nuk kemi tarraca të hapura në tre anë dhe është e pamundur t’i ngrohim në temperatura 0 gradë. Ata do të diskriminohen në një mënyrë, por derisa të gjendet mënyra e duhur, ligji do të duhet të shtyhet, ne të përgatitemi dhe të gjejmë një zgjidhje të përshtatshme, që do të jetë e mirë për të gjithë”, deklaroi Kërste Blazheski, Kryetar i HOTAM. Ata shpresojnë se qeveria do t’i shqyrtojë kërkesat dhe vërejtjet e tyre. Bëhet fjalë për një industri që gjeneron 7,7% të Prodhimit Bruto Vendor, me mbi 30,000 punonjës dhe një qarkullim vjetor prej mbi 500 milionë euro.
Mbi 3000 shtëpi të ndërtuara pa leje në komunën e Tetovës, të cilëve përshka të mungesës të dokumentacionit ju është refuzuar lënda për legalizim, kanë mundësi që deri më 3 Mars ti dërzojn edhe një herë dokumentet e nevojshme për legalizim thoën nga komuna e Tetovës. Ata thonë se bëhët fjalë për ndërtimet gjatë periudhës 2011-2018. Siaps tyre shumica e shtëpive të ndërtuara pa leje dhe pa dokumente janë në qytet, por ka edhe në fshatrat e Tetovës. “Deri më 3 Mars është thirrja që kemi bërë që të gjithë qytetarët që kanë probleme pronaore juridike, mungesë të dokumentacionit ti sjellin në mënyrë që këta lënd të përfundohen.Nga gjithsej 14451 lënd që janë numri për momentin është rreth 3000 lënd.Pra janë 3000 lëndë që kanë probleme dokumentacioni ose probleme të ndryshme,dhe thirrja është deri më 3 Mars të sjellin dokumentat se pas këtij afati nuk do mund të legalizohen të njejtat.Bëhët fjalë për objekte që kanë mungesë dokumentacioni. Thirrja vlene vetëm për ato ndërtime që janë ndërtuar gjatë periudhës 2011-2018-të,shumica e objekteve janë në qytet por ka edhe në fshatrat e Tetovës,por dokumentet që janë pa dokumentacion të nevojshëm janë në qytet” deklaroi Alili, zëdhënës i komunës së Tetovës. Por, mbetet në pikëpyetje shtëpit që janë ndërtuar në vakëf të BFI-së, të cilët nuk arrin të gjejn një zgjedhje ligjore. Nga komuna e Tetovës thonë se ky probleme është i kahëmotshëm. “Ai është si problem i më hershëm. Shumica e shtëpive aty janë ndërtuar la leje dhe pa kriter ndërtimit, dhe është pornlem i veçant dhe sigurisht që do merren masa”, u shpreh zëdhënësi i komunës se Tetovës Albion Alili. Ndërkohë, nga Myfteni e Tetovës, janë përgjigjur shkurt duke theksuar se kjo temë një herë duhet diskutuar në organet më të larta të BFI-së. Myftiu Selver Xhemaili, tha se ka gadishmëri për të diskutuar me institucione relevante. Nga ana tjetër edhe shumë vikend shtëpiza presin legalizim në Kodër të Diellit, ndërsa gjatë vizitës së fundit në qendrën turistike Kodra e Diellit, kryeministri i vendit Hristijan Mickovski, është deklaraur i prer që as ka ligj për ta e as do ketë.
Në Kumanovë ka vazhduar aksioni për largimin e objekteve dhe paisjeve të përkohshme hotelerike, të vendosura ilegalisht në sipërfaqet publike në qytet. Bëhet fjalë për aktivitet të filluar para festave të fundvitit në zonën qendrore të Kumanovës, e që nën mbykqyrjen e organeve kompetente komunale ka vazhduar këtë muaj. “Aktualisht, pronarët po largojnë teracën verore të objektit të hotelerisë “La Vita”. Por vendime për largimin e paisjeve të këtilla kanë marrë pronarët e objekteve në sheshin e qytetit dhe në ish-kazermën në Bedinjë. Të gjitha objektet e hotelerisë që zënë zonat e trafikut publik dhe nuk kanë leje për instalimin e pajisjeve urbane në përputhje me ligjin do të largohen”, thonë nga Komuna e Kumanovës. Autoritetet komunale thonë se në Kumanovë ka rreth njëzet objekte hotelierike me pajisje urbane të vendosura ilegalisht, dhe largimi i tyre do të kryhet në bazë të prioritetit. Nëse pronarët nuk e bëjnë këtë, do të angazhohet një kompani nga ana e komunës. Për këtë qëllim, në buxhetin e vitit 2026, komuna ka parashikuar katër milionë denarë, ose rreth 65 mijë euro. Qytetarët janë kryesisht të kënaqur me këtë vendim, pasiqë me vendosjen e objekteve apo paisjeve të këtilla, vështirësohej kalimi i tyre nëpër trotuare.
Deklaratat e Arben Taravarit dhe bashkëpartiakut të tij, Isen Shabanit, për dështimin e censusit në Gostivar dhe Vrapçisht janë hipokrizi e pastër dhe tentativë për të fshehur fajtorin e vërtetë, Bashkimin Demokratik për Integrim dhe kryetarin e saj, Ali Ahmetin. Të flasësh sot për “lista të papastruara” dhe për “5–6 mijë të vdekur në lista zgjedhore”, ndërkohë që BDI për 20 vite ka fituar zgjedhje pikërisht me këto lista, është mashtrim i qëllimshëm i opinionit. Nëse listat janë problem, atëherë fajin ta kërkojnë te partneri i tyre politik, BDI-ja, e cila kurrë nuk kishte interes t’i pastronte.Por problemi është edhe më i thellë dhe më i rrezikshëm. Pas regjistrimit të fundit të popullsisë, BDI e ndau popullatën në rezidentë dhe jorezidentë, duke zhvlerësuar numrat realë të shqiptarëve dhe duke nxjerrë jashtë loje qindra mijë bashkatdhetarë nga diaspora. Ishte pikërisht BDI ajo që propozoi dhe votoi metodologjinë skandaloze të regjistrimit, e cila goditi drejtpërdrejt përfaqësimin e shqiptarëve në institucione. Sot, Taravari dhe Isen Shabani po shkojnë edhe një hap më tej: pas përjashtimit të diasporës nga regjistrimi real, tani duan ta heqin edhe nga lista e votuesve. Kjo është vazhdimësi e së njëjtës politikë antishqiptare, e paketuar me retorikë të rreme për “pastrim listash”. VLEN e bëri të qartë në takimin e fundit të liderëve:Diaspora nuk është problem, diaspora është zgjidhje.Përjashtimi i saj nga votimi është grusht ndaj demokracisë dhe vullnetit të shqiptarëve, kudo që jetojnë. Censusi nuk u arrit sepse BDI për dy dekada i detyroi qytetarët të largohen nga vendi, me korrupsion, kapje institucionesh dhe politikë të mbyllur klanore. Sot, të njëjtët njerëz kanë paturpësinë ta përdorin mërgimin si alibi për dështimet e tyre. Problemi nuk ra nga qielli, por BDI e krijoi atë, Taravari e mbron këtë problem, ndërsa neve si VLEN na mbet që ti rregullojmë gabimet e tyre.
Në vend është shtuar numri i pacientëve që ankohen me viruse dhe gripin sezonal. Mjekët thonë se është mirë që në simptomat e para të vizitohet mjeku amë për terapinë adekuate të sëmundjes. Sipas mjekut Harkan Memedi, simptomat e para të infeksioneve janë me temperaturë të lartë, kollitje, molisje të trupit dhe zakonisht këto simptoma zgjasin një javë. “Çdo prind kur e sheh që ndryshon sjellja e fëmijës apo ka çdo ndryshim që e vëren te fëmija, menjëherë e konsulton mjekun amë dhe normal kur ka infeksione, ku me anë të analizave të gjakut, me kontrollin që e bën mjeku amë i tregohet prindit apo fokusohet prindi në çfarë gjendje është fëmija. Zakonisht infeksionet virusale kalojnë deri në një javë, mirëpo ka infeksione virusale kur vetëm se imuniteti është i ulur te fëmija dhe atëherë mund të mbërthen edhe ndonjë infeksion tjetër bakterial, i cili e prolongon atë gjendje të fëmijës dhe mund të vijë te disa komplikime që mund të përfundojnë edhe në spital, mirëpo zakonisht shumica e rasteve kalojnë deri në një javë.”, – deklaroi pediatri, Harkan Memedi. Memedi thekson se është mirë të bëhen analiza laboratorike për të vërtetuar që pacienti vuan nga ndonjë virus apo baktere. “Kemi shumë faktorë që ndikojnë. Është sezoni i dimrit që paraqiten infeksionet respiratore, ku ndikon njëjtë ndotja e ajrit, mbyllja e njerëzve në një hapësirë, ku nuk mund ta dish a është i infektuar a jo, ku mund të merren infeksionet virusale apo bakteriale, për atë arsye është sezoni i gripave. Është prezent në të gjithë botën, jo vetëm tek ne. Nuk është diçka e re, po ndodh çdo vit kur fillon sezoni i dimrit. Shumica e infeksioneve virusale zakonisht fillon me temperaturë të lartë trupore dy deri në tre ditë. Prindi vetëm që brengoset me atë temperaturë ku mjeku amë e konstaton që përveç temperaturës nuk ka kollitje që e aludon deri tek infeksionet bakteriale dhe me atë e fton prapë për dy ditë të vijë në kontroll, sepse dy ditë i duhen trupit që të krijojë antitruptha dhe pas analizave laboratorike vërtetohet se a bëhet fjalë për virus apo baktere.”, – deklaroi pediatri, Harkan Memedi. Mjekët thonë se kapacitetet në spitale janë të mbushura me fëmijë që janë me viruse të ndryshme dhe me grip. Njëherësh rekomandojnë për kujdes të shtuar në këtë periudhe të dimrit. Të përdoret ushqim i shëndetshëm, supa të ngrohta, çaj, si dhe te evitohen daljet në ambiente të mbyllura pa nevojë që të mos përhapet virusi edhe më shumë.
Numri i punëtorëve të huaj në Maqedoninë e Veriut është trefishuar në pesë vitet e fundit, duke reflektuar ndryshime të thella në tregun e punës dhe në strukturën e fuqisë punëtore. Nga rreth 1.700 punëtorë të huaj në vitin 2021, ky numër është rritur në mbi 6.000 në vitin 2025. Trendi i rritjes së punëtorëve të huaj është i dukshëm edhe në jetën e përditshme, veçanërisht në Shkup, ku ata gjithnjë e më shpesh shihen të angazhuar në hotele, restorante si banakierë dhe pastrues, por edhe në kantieret e ndërtimit. Kjo prani e shtuar pasqyron mungesën e fuqisë punëtore vendore në disa sektorë kyç të ekonomisë. Sipas dispozitave ligjore në Maqedoninë e Veriut, kuota për punësimin e shtetasve të huaj nuk duhet të tejkalojë 5 për qind të popullsisë në moshë pune. Megjithatë, të dhënat e fundit tregojnë se Qeveria ka vendosur ta rrisë ndjeshëm kuotën për lejet e punës për vitin 2025, duke e çuar atë në 10.000 angazhime. Sipas vendimit që hyn në fuqi më 16 janar, 9750 leje janë të destinuara për punësim të rregullt të shtetasve të huaj, 200 leje për të huaj me përvojë specifike dhe 50 leje për angazhime sezonale. Nga totali, 4500 leje janë për punëtorë të rinj, ndërsa 5250 janë për vazhdimin e lejeve të punëtorëve të huaj që tashmë janë të punësuar në vend. Ministria e Ekonomisë dhe Punës do të monitorojë shfrytëzimin e kuotës dhe ndikimin në tregun e punës. Gjatë vitit të kaluar, Agjencia e Punësimit ka lëshuar gjithsej 8.509 opinione pozitive për leje pune, ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme ka miratuar 6.128 leje qëndrimi për punëtorë të huaj. Bizneset kanë kërkuar prej vitesh rritje të kuotave, duke theksuar mungesën kronike të fuqisë punëtore në sektorë të caktuar. Sipas të dhënave të Agjencisë së Punësimit, interesimi më i madh për punësimin e të huajve nga viti 2020 e këtej është evidentuar në ndërtimtari, industrinë përpunuese, akomodimin dhe shërbimin ushqimor, si dhe në tregtinë me shumicë dhe pakicë. Me vite, në krye të listës së punëtorëve të huaj kanë qenë shtetasit nga Turqia. Vetëm vitin e kaluar rreth 2.800 prej tyre ishin të angazhuar në Maqedoni, kryesisht si pasojë e investimeve të mëdha turke. Pas tyre renditen punëtorët nga Bangladeshi (rreth 1600), si dhe nga Nepali dhe India (rreth 1100). Në vendin e pestë janë shtetasit e Kosovës, me 406 leje qëndrimi. Të dhënat historike tregojnë se numri i shtetasve të huaj me leje të rregullt pune në Maqedoni është rritur nga 918 në vitin 2007 në mbi 3.000 në vitin 2016. Në periudhat e mëhershme, kur kuotat ishin më të ulëta, këto vende pune kryesisht zinin punëtorë nga rajoni, si Kosova, Shqipëria dhe Serbia. Në pesë vitet e fundit, këto trende kanë ndryshuar ndjeshëm. Vetëm në periudhën 01.01.2024 – 31.12.2024 janë paraqitur gjithsej 9.079 kërkesa, nga të cilat 844 kërkesa për dhënie leje pune dhe 8.233 kërkesa nga MPB për dhënie mendimi lidhur me shfrytëzimin e kuotës dhe nevojat e tregut të punës. Si rezultat, janë miratuar 815 vendime për leje pune, ndërsa një numër i vogël kërkesash janë refuzuar, tërhequr ose kanë mbetur të pazgjidhura. Profesionet ku janë angazhuar më së shumti punëtorë të huaj përfshijnë: menaxherë, punëtorë ndërtimi, zdrukthëtarë, elektricistë, operatorë makinerish, por edhe sportistë profesionistë, kryesisht futbollistë. Ata janë punësuar kryesisht në Shkup, Manastir, Tetovë, Kumanovë, Ohër, Prilep, Strumicë, Veles dhe Gjevgjeli. Para vitit 2020, rritja e numrit të të huajve ishte e lidhur kryesisht me privatizimin e bankave, hyrjen e kapitalit të huaj në sektorët e telekomunikacionit, ushqimit, birrës, tekstilit, energjetikës, duhanit, metalurgjisë, dhënien me koncesion të aeroporteve, si dhe hapjen e institucioneve arsimore private, ku u angazhua edhe personel mësimor nga jashtë. Në vitet e fundit, hapja e bizneseve në teknologjinë informatike, ndërtimtari, hoteleri, si dhe angazhimi i mjekëve specialistë të huaj në spitalet private, e ka rritur edhe më tej numrin e profesionistëve të huaj që punojnë në Maqedoni.
SPB Tetovë njofton se dje (11.01.2026) në ora 13:00 në rrugën “Boro Vuliq” në Tetovë, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor Tetovë, kanë privuar nga liria personin Sh.M.(52) nga Tetova. Siç thonë nga SPB, i njëjti është sjellë në mënyrë agresive ndaj policëve dhe i ka fyer gjatë kryerjes së detyrës zyrtare. “Sh.M. është ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të rasti ndaj tij do të parashtrohet kallëzim përkatës”, thonë nga SPB Tetovë.
Projektligji për mbrojtjen nga pirja e duhanit, i përgatitur nga Ministria e Shëndetësisë, parashikon ndalimin e pirjes së duhanit në hapësirat e mbyllura publike dhe të punës, në përputhje me standardet evropiane dhe rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Kjo përcakton një rregull të qartë dhe universal që mbron të gjithë qytetarët, pa përjashtime dhe pa zona gri. Sipas standardeve të shëndetit publik, pirja e duhanit është një zgjedhje personale, por një hapësirë e përbashkët e brendshme nuk duhet të jetë një vend ku kjo zgjedhje bëhet rrezik për shëndetin e të tjerëve. Ligji nuk rregullon nëse dikush do të pijë duhan, por përcakton qartë se ku nuk mund të praktikohet, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të të gjithë të pranishmëve. Cilësia e ajrit të brendshëm lidhet drejtpërdrejt me rezultatet shëndetësore. Ajri i pastër do të thotë më pak acarim i traktit respirator, më pak sulme astme dhe një rrezik të reduktuar të zhvillimit të sëmundjeve kronike. Projektligji e trajton ekspozimin ndaj tymit të duhanit si çështje të sigurisë dhe shëndetit në punë, dhe jo si çështje të stilit të jetesës. Në institucionet e ushqimit, është stafi që ekspozohet ndaj tymit të cigareve dhe produkteve të tjera të duhanit dhe nikotinës për më gjatë dhe më intensivisht, prandaj shteti ka një detyrim të qartë për të mbrojtur të drejtën e punonjësve për një mjedis pune të shëndetshëm dhe të sigurt. “Përvojat nga vendet evropiane që tashmë kanë zbatuar zgjidhje të tilla ligjore, si Irlanda, Mbretëria e Bashkuar dhe shumë të tjera, tregojnë se këto masa nuk përbëjnë goditje për gastronominë dhe të ardhurat e saj, por një tranzicion drejt një ambienti më të rregulluar, më cilësor dhe më të parashikueshëm në objektet hoteliero-gastronomike”,- shpjegon ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu. Ai shton se masa të tilla mundësojnë frekuentim më të madh nga familjet, turistët dhe qytetarët që preferojnë ajër të pastër, gjë që në afat të gjatë përfaqëson përfitim të drejtpërdrejtë edhe për vetë objektet gastronomike./Telegrafi/