Parregullsi të shumta janë detektuar në disa Institucione shëndetësore publike dhe private. Janë dhënë pushime mjekësore pa pasur nevojë, disa drejtor të klinikave kanë marrë paga më shumë se duhet, ndërsa klinikat gjinekologjike kanë punuar pa kupon fiskalë.
“Në lidhje me pushimet mjekësore, ne jemi duke shqiptuar dënime në 28 institucione private shëndetësore, ku dënimet do të jenë në shumë prej 1.2 milionë denarë dhe për dikë do të jetë për herë të parë, për dikë kemi përsëritje të dënimeve. Tek gjinekologët, për fat të keq kemi një valë të re të ankesave për mos dhënien e kuponit fiskal, kemi 12 ankesa të reja”, deklaroi Sasho Klekovski, drejtor i Fondit Shëndetësor. Klekovski për Alsat tha se janë duke shqyrtuar ndryshimin e politikës penale, pasi dënimet e deritanishme nuk kanë ndikuar në ndalimin e shkeljeve të rregullave. “Politika penale në disa zona nuk demotivon shkeljen e rregullave, dënimet janë të vogla dhe në thelb është e përballueshme ti shkelin rregullat. P.sh për institucionet publike shëndetësore dënimi maksimal është 75 mijë denarë, kështu që kjo nuk ka kuptim”, tha Sasho Klkeovski, drejtor i Fondit Shëndetësor.
Klekovski tha se Fondi është duke punuar bashkë me Ministrinë e Brendshme për të gjitha këto raste të detektuara.
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, së bashku me zëvendëskryeministrin e parë të Qeverisë dhe ministër për Çështje Evropiane, Bekim Sali, sot vizituan ambientet e reja të Institutit të Mjekësisë Transfuzive në Tetovë.
Sali tha se me promovimin e sotëm është përmbyllur procesi i rikonstruksionit të kapaciteteve të reja hapësinore të Institutit të Mjekësisë Transfuzive në Tetovë.
"Për këtë qëllim, nga Instituti janë investuar rreth 8.3 milionë denarë. Qendra Rajonale e Transfuzionit në Tetovë, si pjesë përbërëse e Institutit, përfshin edhe tre qendra më të vogla: në Gostivar, Kërçovë dhe Strugë. Kjo qendër rajonale përpunon gjakun e mbledhur nga qendrat e tjera, ofron shërbime ambulatore shëndetësore për pacientët, organizon aksione për dhurimin e gjakut dhe furnizon klinikat dhe spitalet e këtij rajoni me gjak dhe produkte të gjakut,"- theksoi ministri Aliu gjatë vizitës.
Ai theksoi se Ministria në vazhdimësi punon edhe për forcimin e kapaciteteve kadrovike, veçanërisht në institucionet ku janë evidentuar persona të angazhuar për një kohë të gjatë me kontrata në vepër.
"Në Institutin e Mjekësisë Transfuzive, i cili ka shërbime rajonale në mbarë vendin, në fund të vitit të kaluar përfundoi konkursi për punësim dhe tashmë janë punësuar gjithsej 48 persona, një pjesë e të cilëve edhe këtu, në Institutin e Mjekësisë Transfuzive në Tetovë. Vazhdon angazhimi ynë për forcimin e kapaciteteve infrastrukturore dhe njerëzore në institucionet publike shëndetësore, me qëllim ofrimin e shërbimeve shëndetësore më të qasshme dhe më cilësore për të gjithë qytetarët e vendit", shtoi Aliu.
Gripi në Maqedoni po fillon të humbasë forcën e tij, sipas të dhënave të fundit nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP). Në javën e pestë të vitit 2026, në periudhën nga 26 janari deri më 1 shkurt, u regjistruan 1,498 raste të gripit dhe sëmundjeve të ngjashme me gripin, që është rënie prej 12.3 përqind krahasuar me javën e kaluar, kur u regjistruan 1,708 raste.
Edhe pse kjo periudhë e sezonit zakonisht sjell rritje të numrit të të sëmurëve, të dhënat epidemiologjike tregojnë se trendi javor ka qenë në rënie për javën e dytë radhazi. Përveç kësaj, numri i rasteve të raportuara është dukshëm më i ulët krahasuar me të njëjtën javë të sezonit të kaluar, si dhe me të ashtuquajturën kurbë tipike epidemike bazuar në të dhënat nga 15 vitet e fundit. Sipas ISHP-së, incidenca aktuale javore vlerësohet si aktivitet i ulët i virusit.
"Një vdekje e lidhur me gripin u raportua gjithashtu në të njëjtën periudhë. Bëhet fjalë për një burrë 62-vjeçar nga Tetova, i shtruar në Departamentin e Sëmundjeve Infektive të Spitalit Klinik në Tetovë. Pacienti kishte sëmundje shoqëruese, nuk ishte vaksinuar kundër gripit sezonal dhe gripi A u konfirmua në laborator. Me këtë rast, numri i përgjithshëm i vdekjeve që lidhen me gripin në sezonin 2025/2026 është katër".
"Numri më i madh i rasteve të regjistruara është tek personat e moshës 15 deri në 64 vjeç (866 raste). Kjo pasohet nga: fëmijët nga 5 deri në 14 vjeç - 247 raste, personat mbi 65 vjeç - 224 raste, fëmijët nga 0 deri në 4 vjeç - 161 raste".
"Edhe pse më të infektuarit janë midis të rriturve, incidenca më e lartë është regjistruar tek fëmijët nga 0 deri në 4 vjeç, gjë që e bën këtë grup veçanërisht të prekshëm", thonë nga ISHP./Telegrafi/
Gjatë vitit 2025 janë bërë rreth 14.000 intervenime kirurgjikale për tumore beninje dhe malinje, nga të cilat rreth 8.000 janë për kancer in-situ ose kancer i dyshuar, theksoi sot drejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor (FSSH), Sasho Klekovski.
Në konferencën për shtyp me rastin e Ditës botërore për luftë kundër kancerit – 4 Shkurti, Klekovski prezantoi të dhëna për zbulimin e hershëm, intervenimet kirurjgikale dhe risitë në diagnostikimin dhe terapinë. Drejtori i FSSH theksoi se vitin e kaluar forkusi ka qenë i vendosur në përforcimin e zbulimit të hershëm përmes furnizimit të pajisjes dhe rritjes së numrit të kontrolleve.
“Intervenime të plota, kontrolle për gjirin, duke përfshirë mamografinë, ultrazërin, rezonancën magnetike, biopsinë janë bërë mbi 13.000 në vitin 2025. Endoskopi, duke përfshirë rektoskopi, gastroskopi, kolonoskopi janë bërë rreth 18.000 gjithsej, me atë që mund të them se nuk jemi të kënaqur nga numri i kolonoskopive të bëra, duke marrë parasysh se të gjithë qytetarët mbi 50 vjeç duhet të bëjnë një kolonoskopi parandaluese dhe i inkurajoj të gjithë të rriturir që ta bëjnë këtë”, tha Klekovski.
Sipas të dhënave të FSSH, në vitin 2025 janë realizuar gjithsej 17.581 ekzaminime endoskopike, nga të cilat 7.096 ishin kolonoskopi dhe 9.807 ishin gastroskopi. Në fushën e diagnostikimit të gjirit, janë kryer gjithsej 13.042 shërbime, ku dominojnë mamografitë me 7.076 ekzaminime.
Klekovski theksoi se progres i rëndësishëm është arritur në patologji dhe në diagnostikën molekulare, me rritjen e buxheteve për Institutin për Patologji dhe Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë (ASHAM), si dhe përfshirjen e Fakultetit Matematiko-Natyror (FMN) në rrjet. Edhe krahas punësimeve të reja dhe katër specializimeve të ndara, drejtori i FSSH paralajmëroi në deficit serioz të kuadrit në periferi.
"Edhe krahas kufizimeve kadrovike, në vend janë bërë mbi 20.000 analiza histopatologjike dhe rreth 2.000 hulumtime molekulare dhe gjenetike. Si risi vendoset “testimi refleks”, i cili duhet dukshëm ta shkurtojë kohën e diagnostikimit", tha ai.
Lidhur me Onkologjinë, Klekovski informoi se buxheti për ilaçet në vitin 2025 është rritur me 70 për qind krahasuar me vitin e kaluar, me qëllim sigurimin e vazhdimësisë së terapisë. Ai gjithashtu njoftoi nevojën për rinovimin urgjent të udhëzuesve zyrtarë të trajtimit, të cilët datojnë që nga viti 2008.
Në repartin kirurgjikal, statistikat tregojnë se në vitin 2025 janë kryer gjithsej 13.993 operacione mbi tumoret sipas sistemeve të organeve, si dhe 7.907 operacione mbi neoplazmat in-situ dhe të dyshimta.
“Ky është një numër i konsiderueshëm që kirurgët tanë në Maqedoni kanë arritur ta arrijnë dhe ne duhet t’u japim atyre njohje”, thotë Klekovski.
I pyetur për listat e pritjes dhe disponueshmërinë e terapive inovative, Klekovski është i vendosur se duhet të ketë kritere të qarta që do të vlejnë njësoj për të gjithë. “Nuk duhet të kemi qytetarë më të privilegjuar, shumë të privilegjuar ose të privilegjuar”, nënvizoi drejtori i Fondit për Sigurime Shëndetësore.
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, sot në konferencë për shtyp promovoi modulin e ri për evidencë elektronike të ndërhyrjeve kirurgjikale elektive në institucionet publike shëndetësore, përmes të cilit në një portal publik është e disponueshme lista e ndërhyrjeve kirurgjikale elektive të planifikuara.
"Për herë të parë vendosim rregull dhe një protokoll të qartë që evidenca elektronike e ndërhyrjeve të planifikuara të mbahet në mënyrë transparente. Qëllimi është që çdo pacient ta marrë shërbimin sipas parimit “i pari që vjen, i pari shërbehet”. Portali mundëson kërkim dhe paraqitje të të dhënave përmes disa parametrave të kombinuar, në mënyrë që të jetë i dobishëm si për qytetarët ashtu edhe për krijuesit e politikave. Përdoruesit e portalit publik mund të kërkojnë sipas: specialitetit të mjekut, ndërhyrjes kirurgjikale, institucionit publik shëndetësor, mjekut specialist dhe numrit të pacientëve që presin", theksoi ministri Aliu.
Ai shtoi se aktualisht evidenca për ndërhyrjet kirurgjikale elektive mbahet në sistemin “Termini im”, përmes lëshimit të një rekomandimi me tip “rekomandim spitalor për operacion”, por janë konstatuar mospërputhje, ndër të cilat: rekomandimet nuk lëshohen menjëherë pas konstatimit të nevojës për operacion, por para vetë ndërhyrjes; disa institucione dhe mjekë përdorin një lloj tjetër rekomandimi (trajtim konservativ) për evidencën e pacientëve në lista; mjekët i mbajnë listat në formë letre, ndërsa listat e pritjes nuk pastrohen rregullisht, gjë që krijon një perceptim jo të saktë për kohën e pritjes dhe nevojat reale.
"Institucioneve publike shëndetësore që kryejnë ndërhyrje kirurgjikale tashmë u janë dërguar njoftime individuale me të dhëna nga analiza e realizuar. Çdo institucioni i është treguar veçmas nëse dhe sa dallon numri i ndërhyrjeve të kryera nga numri i rekomandimeve të realizuara për operacion në sistemin “Termini im”. Me këtë risi po rrisim transparencën, po mundësojmë matje reale të kohës së pritjes dhe, rrjedhimisht, planifikim dhe shpërndarje më të mirë të burimeve, si dhe zbatim të praktikave evropiane në këtë fushë", përfundoi ministri.
Ministria e Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut ka dalë me kumtesë lidhur me temën aktuale në publik rreth dërgimit të mostrave të trurit njerëzor në SHBA.
Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se ata nuk kanë kompetenca të drejtpërdrejta në zbatimin e aktiviteteve kërkimore shkencore.
"Nga Fakulteti i Mjekësisë jemi informuar se puna kërkimore shkencore në lidhje me materialin biologjik që përmban karakteristika gjenetike i nënshtrohet rregullimit normativ rigoroz, siç është Ligji për Veprimtarinë Kërkimore Shkencore, Rregullorja për Studimet Klinike, Udhëzimet për Procedurën e Transferimit dhe Transportit të Materialeve Biologjike, si dhe Metoda e Paketimit dhe Etiketimit të Materialeve Biologjike".
"Gjithashtu theksojmë se në periudhën e treguar kohore, detyrimi ligjor për të ruajtur këtë dokumentacion ishte 15 vjet, dhe nga viti 2018 e tutje, detyrimi ligjor për të ruajtur dokumentacionin është 25 vjet.
"Procedura për transportimin e indeve gjatë asaj periudhe kohore përbëhej nga: Pëlqimi i informuar i familjes, i ndjekur nga një vendim nga Komiteti i Etikës për Kërkime Njerëzore, që procedura të vazhdonte me një leje për eksportin e indeve nga Byroja e atëhershme e Barnave, e cila saktësisht thotë se indi është për kërkime shkencore dhe për çfarë qëllimesh përdoret materiali", thonë nga MSH.
"Gjithashtu sqarojmë se kur bëhet fjalë për eksportin e materialit biologjik, përpara se të fillojë vetë procedura, është e nevojshme që institucionet shkencore në vend dhe jashtë vendit, të cilat kërkojnë miratim për eksportin e materialit biologjik, të kenë të lidhur një marrëveshje formale (memorandum), ku specifikohen protokollet e detajuara në përputhje me rregulloret dhe kuadrin normativ të sotëm - kushte të përcaktuara në mënyrë strikte ku çdo trajtim i materialit biologjik trajtohet saktësisht, si dhe pse kryhet hulumtimi, për të deklaruar qartë trajtimin e materialit biologjik, siç është mbledhja, transporti, marrja në dorëzim nga institucioni dhe trajtimi i mëtejshëm", thonë nga MSH.
Ndryshe, në lidhje me aferën Epstein, në disa dokumente përmendej se Maqedonia ka qenë vend prej ku janë transportuar tru i njerëzve që kanë bërë vetëvrasje në SHBA për hulumtime shkencore./Telegrafi/
Koalicioni VLEN vlerëson se përmes pjesëmarrjes në Qeveri po e vendos sistemin shëndetësor në binarë të qartë, me planifikim, standarde dhe partneritete reale. Kjo u theksua në konferencën “Partneritet për shëndetësi”, e kryesuar nga ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.
Sipas VLEN-it, konferenca ka vendosur një kornizë më të qartë për mbështetjen e projekteve në shëndetësi, duke orientuar partneritetet me sektorin privat dhe aktorët ndërkombëtarë drejt nevojave reale dhe rezultateve të matshme.
"Prioritetet për periudhën 2024–2028 përfshijnë optimizimin dhe riorganizimin funksional të sistemit shëndetësor, qasje të balancuar rajonalisht për pacientët, standardizim të procedurave spitalore dhe rregullim të sistemit të referimit për të ulur dërgimet e panevojshme. VLEN thekson se vëmendje e veçantë i kushtohet personelit mjekësor, përmes trajnimit të vazhdueshëm, mbështetjes për mjekët e rinj dhe masave për të parandaluar largimin e tyre nga vendi", thuhet në njoftimin e VLEN-it.
Sipas tyre, përmes kësaj force politike, synimi është një sistem më i rregullt dhe efikas, ku pacientët marrin shërbime më të shpejta dhe cilësore, urgjenca reagon në kohë dhe mjekët e rinj kanë kushte dinjitoze pune.
Numri i pacienteve me kancer të qafës së mitrës është në rritje në Maqedoninë e Veriut. Sipas statistikave të fundit klinike epidemiologjike të Klinikës për Radioterapi dhe Onkologji, ndryshe nga viti 2024 kur kishte 74 pacientë, në vitin 2025 kishte 122 pacientë që u paraqitën në klinikë me këtë diagnozë për herë të parë, tha sot drejtuesja e Departamentit të Tumoreve Malinje Gjenitale tek Gratë në Klinikë, Violeta Klisarovska.
Klisarovska dhe disa ekspertë folën në ngjarjen që shënoi "Javën për Ngritjen e Ndërgjegjësimit për Luftën Kundër Kancerit të Qafës së Mitrës", të organizuar nga Shoqata Mjekësore e Maqedonisë dhe Shoqata Maqedonase për Patologji Qafës së Mitrës dhe Kolposkopi.
Drejtoresha e Klinikës për Gjinekologji dhe Obstetrikë dhe Kryetarja e Komisionit për Parandalimin e Kancerit të Qafës së Mitrës, Irena Aleksioska-Papestiev, tha se sipas të dhënave të fundit nga studimi klinik i përgatitur nga Instituti i Epidemiologjisë për periudhën nga viti 2016 deri në vitin 2023, ky kancer i parandalueshëm përbën ende një problem serioz në vendin tonë, sepse gjatë asaj periudhe janë diagnostikuar 2.263 pacientë.
"Ajo që është më shqetësuese është se po ndodh tek pacientët gjithnjë e më të rinj. Pacientët më të rinj janë 18 vjeç, të diagnostikuar në vitin 2017 dhe 2020, ndërsa mosha mesatare është rreth 55 vjeç. Gjëja e dytë që është gjithashtu shqetësuese është se një përqindje e madhe, pra 540 pacientë, që janë pothuajse 24 përqind e këtyre pacientëve, kanë vdekur, për fat të keq, dhe ky është një kancer që është i parandalueshëm. Ne kemi parandalimin parësor. Qëllimi ynë është të rrisim ndërgjegjësimin e popinionit", tha Aleksioska-Papestiev.
Patologu specialist dhe drejtuesi i Laboratorit të Citologjisë në Klinikën për Gjinekologji dhe Obstetrikë, Verdi Stanojeviç, tha se sipas të dhënave për vitin 2025, nga 60,000 PAP teste, 2.500 rezultuan pozitive. Është tronditëse, tha ai, që tetë pacientë kanë kancer invaziv./Telegrafi/
Gjatë javës së tretë të vitit 2026 – prej 12 deri më 18 janar – në vend janë paraqitur 2.062 raste të të sëmurëve nga gripi – sëmundje të ngjashme me gripin, 11,2 për qind më pak në karahasim me javën e kaluar. Numri i personave të paraqitur këtë javë, në krahasim me javën e tretë të stinës së kaluar është rritur për 46,0 për qind, ndërkaq në krahasim me numrin për javën e tretë nga kurba tipike epidemike e modeluar nga 15 stinët e fundit është ulur për 6,9 për qind.
Gjatë javës së tretë incidenca e paraqitur është mbi kufirin javor për aktivitet mesatar, informuan sot nga Instituti për shëndet publik.
Lidhur me distribuimin e moshës, 1.274 persona ishin të moshës prej 15 deri 64 vjeç. Gjithsej 279 ishin fëmijë të moshës deri katër vjeç, mbi 65 vjeç ishin 266 persona, ndërsa 243 fëmijë të moshës prej 5 deri 14 vjeç. Incidenca më e madhe është regjistruar tek fëmijët e moshës deri katër vjeç.
Personat e paraqitur janë nga 29 QSHP/NJR: Shkup – 556, Tetovë – 146, Ohër – 142, Manastir – 139, Kumanovë – 137, Prilep – 115, Shtip – 110, Kavadar – 102, Veles – 96, Strumicë – 85, Dibër – 75, Sveti Nikole – 59, Gostivar – 52, Radovish – 33, Negotinë – 30, ndërsa në Gjevgjeli, Vinicë, Strugë, Resnjë, Kërçovë, Krushevë, Kratovë, Makedonski Brod, Probishtip, Dellçevë, Kriva Pallankë, Koçan, Demir Hisar dhe Berovë, numri i të sëmurëve është më i vogël se 30, tregojnë të dhënat e ISHP.
Në katër QSHP/NJR: Dibër, Ohër, Sveti Nikole dhe Kavadar vërehet aktivitet shumë i lartë, në tre: Kratovë, Shtip dhe Vinicë – aktivitet i lartë, aktivitet mesatar është regjistruar në 11 QPSH/NJR, në nëntë vërehet aktivitet stinor, ndërsa në dy njësi vërehet aktivitet i ulur i virusit të gripit.
Në vitin 2025/2026 numri i përgjithshëm i rasteve të gripit – sëmundje të ngjashme me gripin – është 8.209 në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit së kaluar, numri i rasteve të paraqitura është rritur për 2,1 herë, ndërsa në raport me modelin e 15 viteve të fundit është regjistruar rritje prej 16,3 për qind.
Me ligjin e ri, shteti dërgon një mesazh të qartë se shëndeti publik, veçanërisht shëndeti i të rinjve dhe joduhanpirësve është prioritet, thotë në një deklaratë për AIM, pulmologu-alergolog, mjeku specialist primarius Oliver Zafirovski, drejtor i Institutit Publik Shëndetësor Klinika universitare për pulmologji dhe alergologji në Shkup.
“Sipas analizave të kryera dhe të dhënave relevante për situatën me përdorimin e produkteve të duhanit në vend, vlerësohet se rreth gjysma e popullsisë në Maqedoninë e Veriut është e varur nga cigaret, me një konsum mesatar ditor prej 18 deri në 22 cigare për person”, ka thënë mjeku.
Ai tha se të dhënat në mesin e popullsisë së re janë shqetësuese.
“Analizat tregojnë se rreth 7,7 për qind e fëmijëve të moshës 13 deri në 14 vjeç janë duhanpirës aktivë, ndërsa në mesin e të rinjve të moshës 15 deri në 16 vjeç, kjo përqindje arrin afërsisht 37 për qind. Përveç kësaj, përdorimi i cigareve elektronike identifikohet si një fenomen masiv dhe gjithnjë e më i përhapur në mesin e të rinjve që paraqet një rrezik serioz për shëndetin publik dhe një sfidë shtesë për politikat preventive”, paralajmëron Zafirovski.
Dr. Zafirovski shton se tek njerëzit me SOMB, astmë dhe sëmundje të tjera kronike, nikotina dhe duhani përkeqësojnë drejtpërdrejt shëndetin e tyre.
“Ato rrisin rrezikun e komplikimeve të rënda dhe janë të lidhura fort me zhvillimin e sëmundjeve malinje”, theksoi Zafirovski. Në të njëjtën kohë, ai sqaroi se cigaret elektronike shpesh perceptohen si një alternativë më e sigurt ndaj cigareve klasike. “Megjithatë, provat shkencore tregojnë se ato nuk janë të padëmshme. Edhe pse nuk prodhojnë tym si duhani, ato krijojnë një aerosol që përmban nikotinë, metale të rënda dhe substanca të tjera kimike që kanë një ndikim negativ mbi shëndetin”, alarmon drejtori i Klinikës për pulmologji dhe alergologji.
Duke iu referuar ndikimit në shëndet, ai theksoi se nikotina është një substancë që shkakton varësi të lartë.
“Tek të rinjtë, përdorimi i saj mund të ndikojë në zhvillimin e trurit, përqendrimin dhe shëndetin mendor. Përveç kësaj, ka prova për një rrezik në rritje të problemeve të frymëmarrjes dhe kardiovaskulare tek përdoruesit e cigareve elektronike”, thekson ai. Një rrezik i veçantë për të rinjtë, siç tha mjeku, janë cigaret elektronike.
“Cigaret elektronike me aromë janë veçanërisht tërheqëse për fëmijët dhe adoleshentët. Ato krijojnë një imazh të rremë se janë një produkt i padëmshëm, por në fakt shpesh përfaqësojnë hapin e parë drejt varësisë nga nikotina dhe përdorimit të mëvonshëm të cigareve klasike”, nënvizoi Zafirovski.
Duke folur për rëndësinë e ligjit të ri, pulmologu-alergolog theksoi se përfshirja e cigareve elektronike në rregullore është një hap në përputhje me rekomandimet evropiane dhe njohuritë shkencore moderne.
Si ekspert, ai rikujtoi rëndësinë e madhe të mbrojtjes së shëndetit publik.
“Ndalimi i përdorimit të cigareve elektronike në hapësirat publike të mbyllura nuk drejtohet kundër individëve, por është një masë për të mbrojtur të gjithë qytetarët nga ekspozimi pasiv dhe normalizimi i pirjes së duhanit”, nënvizoi mjeku.
Në vend është shtuar numri i pacientëve që ankohen me viruse dhe gripin sezonal. Mjekët thonë se është mirë që në simptomat e para të vizitohet mjeku amë për terapinë adekuate të sëmundjes. Sipas mjekut Harkan Memedi, simptomat e para të infeksioneve janë me temperaturë të lartë, kollitje, molisje të trupit dhe zakonisht këto simptoma zgjasin një javë. “Çdo prind kur e sheh që ndryshon sjellja e fëmijës apo ka çdo ndryshim që e vëren te fëmija, menjëherë e konsulton mjekun amë dhe normal kur ka infeksione, ku me anë të analizave të gjakut, me kontrollin që e bën mjeku amë i tregohet prindit apo fokusohet prindi në çfarë gjendje është fëmija. Zakonisht infeksionet virusale kalojnë deri në një javë, mirëpo ka infeksione virusale kur vetëm se imuniteti është i ulur te fëmija dhe atëherë mund të mbërthen edhe ndonjë infeksion tjetër bakterial, i cili e prolongon atë gjendje të fëmijës dhe mund të vijë te disa komplikime që mund të përfundojnë edhe në spital, mirëpo zakonisht shumica e rasteve kalojnë deri në një javë.”, – deklaroi pediatri, Harkan Memedi. Memedi thekson se është mirë të bëhen analiza laboratorike për të vërtetuar që pacienti vuan nga ndonjë virus apo baktere. “Kemi shumë faktorë që ndikojnë. Është sezoni i dimrit që paraqiten infeksionet respiratore, ku ndikon njëjtë ndotja e ajrit, mbyllja e njerëzve në një hapësirë, ku nuk mund ta dish a është i infektuar a jo, ku mund të merren infeksionet virusale apo bakteriale, për atë arsye është sezoni i gripave. Është prezent në të gjithë botën, jo vetëm tek ne. Nuk është diçka e re, po ndodh çdo vit kur fillon sezoni i dimrit. Shumica e infeksioneve virusale zakonisht fillon me temperaturë të lartë trupore dy deri në tre ditë. Prindi vetëm që brengoset me atë temperaturë ku mjeku amë e konstaton që përveç temperaturës nuk ka kollitje që e aludon deri tek infeksionet bakteriale dhe me atë e fton prapë për dy ditë të vijë në kontroll, sepse dy ditë i duhen trupit që të krijojë antitruptha dhe pas analizave laboratorike vërtetohet se a bëhet fjalë për virus apo baktere.”, – deklaroi pediatri, Harkan Memedi. Mjekët thonë se kapacitetet në spitale janë të mbushura me fëmijë që janë me viruse të ndryshme dhe me grip. Njëherësh rekomandojnë për kujdes të shtuar në këtë periudhe të dimrit. Të përdoret ushqim i shëndetshëm, supa të ngrohta, çaj, si dhe te evitohen daljet në ambiente të mbyllura pa nevojë që të mos përhapet virusi edhe më shumë.
Oda e Mjekësisë e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka shprehur mbështetjen e plotë dhe të qartë për Projektligjin e ri për mbrojtjen nga duhani. Si një organizatë profesionale që bashkon të gjithë mjekët, Oda theksoi se një ligj i rreptë është i nevojshëm për të mbrojtur shëndetin publik, veçanërisht atë të të rinjve.
Ndërsa publiku debaton kufizimet rigoroze, mjekët theksojnë se ata përballen me pasojat e pirjes së duhanit në zyrat dhe spitalet e tyre çdo ditë.
"Shëndeti i qytetarëve duhet të jetë mbi të gjitha interesat e tjera. Respektimi i vazhdueshëm i kufizimeve ligjore do të rezultojë në më pak shtrime në spital dhe përfitime afatgjata për të gjithë shoqërinë", thonë nga Oda.
Mjekët theksojnë se pirja e duhanit nuk është vetëm një zakon i keq, por edhe një shkak i sëmundjeve të rënda që rëndojnë si individin ashtu edhe sistemin e kujdesit shëndetësor.
"Sëmundjet kardiovaskulare - ataket në zemër dhe goditjet në tru. Sëmundjet malinje - lloje të ndryshme të kancerit të lidhura drejtpërdrejt me duhanin. Sëmundjet kronike të mushkërive - dëmtime që ulin cilësinë e jetës".
"Duke mbështetur praktikat evropiane, Dhoma thekson se masat e reja do të zvogëlojnë numrin e duhanpirësve të rinj, veçanërisht midis adoleshentëve, dhe do të sigurojnë mbrojtjen e jo-duhanpirësve nga pirja pasive e duhanit në ambiente të mbyllura", thonë nga Oda e Mjekëve.
Gjendja me gripin në Maqedoni këtë javë është në nivel mesatar, njoftuan nga Instituti i Shëndetit Publik.
Nga 5 deri 11 janar u regjistruan gjithsej 2322 raste. Mirëpo, siç njofton Dragan Koçinski, numri është rritur për 34,6% më shumë në krahasim me javën e kaluar.
Ai bëri të ditur se të prekur nga gripi më shumë ka në Shkup rreth 556, dhe vetëm në Berovë, Pehçevë dhe Dellçevë deri më tani nuk ka pasur raste të regjistruara. Piku pritet të jetë nga fundi i janarit deri në mesin e shkurtit.
“Numri më i madh i pacientëve është përsëri në grupmoshën nga 15 deri në 64 vjeç, ndërsa incidenca më e lartë regjistrohet tek fëmijët nga 0 deri në 4 vjeç dhe fëmijët nga 5 deri në 14 vjeç”, tha Dragan Koçinski, Instituti i Shëndetit Publik.
Sa i përket zgjatjes së pushimit dimëror në shkolla, Koçinski tha se nuk është e nevojshme, pasi rritja e numrit të rasteve është vërejtur disa javë më herët se zakonisht, dhe se nuk ka nevojë për një masë të tillë. Përveç kësaj ai bëri të ditur se ka 6 raste pozitive me Covid.
“65 persona kemi pozitiv me grip, të gjithë janë me Influencën A, ndërsa dominon Influenca AH3 domethënë me 66% prej pozitivëve. Kemi 6 persona pozitiv me Covid, dhe 21 me respirator sincicial”, shtoi Dragan Koçinski, Instituti i Shëndetit Publik. Si masa të përgjithshme, rekomandohet shmangia e mjediseve të mbyllura me numër të madh njerëzish, ajrosja e rregullt, konsumimi i vitaminave dhe mineraleve, si dhe qëndrimi në shtëpi në rast sëmundjeje. Nëse simptomat përkeqësohen ose nuk qetësohen, qytetarët këshillohen të kontaktojnë mjekun e familjes ose specialistin e sëmundjeve infektive.
Duhet të ketë mbështetje për çdo ligj që mbron shëndetin e qytetarëve, deklaroi sot zëvendësministri i Ekonomisë dhe Punës, Marjan Risteski, i cili mori pjesë në një aktivitet në Komunën e Kisella Vodës.
Ai u pyet nëse është planifikuar një takim me hotelierët në lidhje me ligjin e paralajmëruar kundër pirjes së duhanit.
“Ligji i ri për duhanpirjen që po shpallet është nën kompetencë të Ministrisë së Shëndetësisë, jo të Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës. Sigurisht, do të ketë takime me hotelierët dhe të gjithë në mënyrë që të njihen, para së gjithash nga Ministria për ligjin e ri. Unë konsideroj se duhet të ketë mbështetje për çdo ligj që mbron në radhë të parë shëndetin e qytetarëve dhe se gradualisht rregullativën ligjore ta përshtatim dhe harmonizojmë me rregullativat ligjore evropiane”, u përgjigj Risteski.
Gripi mori viktimën e parë për këtë vit. Në Klinikën Infektive në Shkup ndërroi jetë një grua 75-vjeçare me shumë sëmundje kronike, e pa vaksinuar kundër gripit sezonal.
Drejtor i Klinikës Fadil Cana ka konfirmuar se bëhet fjalë për një pacientë tek e cila laboratorikisht u konfirmua influenza A dhe që kishte shumë komorbiditete.
Të paktën dy pacientë të tjerë janë në gjendje kritike dhe me respirator, ndërsa disa të tjerë marrin mbështetje me oksigjen. Aktualisht janë të hospitalizuar 25 pacientë, kryesisht të moshuar. Gjatë javës së parë të këtij viti, Instituti i Shëndetit Publik ka regjistruar 1.725 raste gripi.
Numri i personave të infektuar me grip është në rritje, klinikat ambulatore janë plot, por edhe kapacitetet e spitaleve janë plot. Temperatura e lartë, kolla, dobësia janë simptomat më të zakonshme. Komplikimet nga virusi po bëhen gjithashtu më të zakonshme, veçanërisht tek fëmijët.
Një foshnjë njëmuajshe është pacientja më e re e shtruar në spital në Klinikën e Sëmundjeve Pulmonare "Kozle". Dhjetëra fëmijë me pamje klinike më të rëndë janë në mbështetje me oksigjen.
Për shkak të komplikimeve, rreth 80 janë ende nën mbikëqyrjen e spitalit. Brenda një dite, mjekët kanë mbi 200 ekzaminime, të gjitha me një temperaturë të lartë që zgjat deri në shtatë ditë.
"Ato festa para Vitit të Ri, kolektivi bënë gjënë e tyre. Kjo është arsyeja pse po përhapet më shpejt këtë vit dhe po merr numër më të madh. Po rishikohet se në çdo moshë, ata që janë të shtruar në spital janë më shpesh deri në dy vjeç, në popullatën më të vogël të fëmijëve, gripi mund të shkaktojë ndërlikime që kërkojnë trajtim spitalor. Aktualisht, kapacitetet janë të plota, rreth 80 fëmijë janë në spital dhe po krijohet një vend për fëmijët më të sëmurë rëndë që do të kenë nevojë për trajtim spitalor", thonë në Klinikën për Sëmundje Pulmonare "Kozle".
Autoritetet presin një numër në rritje të pacientëve me grip me fillimin e gjysmës së dytë të vitit - pasi fëmijët të kthehen në shkollë. Në javën e parë të vitit, Instituti i Shëndetit Publik regjistroi 1,725 raste të gripit.
Virusi më dominues në vendin tonë është Influenza AX3 dhe H1 – njoftoi drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Marija Andonovska. Ajo gjithashtu konfirmoi se Maqedonia është mbi mesataren evropiane në numrin e rasteve të hepatitit B, por shtoi se aktualisht nuk ka të dhëna të sakta se sa njerëz janë të infektuar. Sipas saj, rreziku është që ky virus të përhapet tek të rriturit që nuk janë të vaksinuar.
“Në vendin tonë ekziston një i ashtuquajtur rrezik rezidual i hepatitit B, veçanërisht tek grupmoshat e pavaksinuara, gjë që konfirmon nevojën për vaksinim të hershëm. Të dhënat që keni janë të sakta, aktualisht nuk kam shifra, por kjo është ajo që po thoni”, thotë Marija Andonovska, drejtoreshë e Institutit të Shëndetit Publik.
Lidhur me përhapjen e virusit tek fëmijët, Andonovska tha se situata është nën kontroll. Megjithatë, ende nuk është marrë një vendim nëse do të jepen rekomandime për zgjatjen e pushimeve dimërore.
"Po i monitorojmë gjërat, ndoshta është ende herët për të thënë nëse do të rekomandojmë diçka apo jo. Gjëja më e rëndësishme është që situata të jetë nën kontroll dhe të monitorohet", tha Marija Andonovska./Telegrafi/
Në Maqedoninë e Veriut ka rreth 200 pacientë në listën e pritjes për organe - 165 për veshka, 30 për zemër, pjesa tjetër për mëlçi ose kocka.
Disa pacientë kanë pritur për dekada dhe disa nuk marrin kurrë një organ, thotë Dushko Gjorgiev, kryetar i "Nefron", një shoqatë e pacientëve me veshka të sëmurë.
Vendi ka ekipe mjekësore ekspertësh, njohuri dhe histori suksesi, por ndërgjegjësimi për dhurimin e organeve është ende i pamjaftueshëm dhe dhurimi nga një kufomë (dhurues i vdekur) mbetet një sfidë, thonë pacientët dhe shoqatat e tyre në dëshmitë për Radion Evropa e Lirë (REL).
Në vitin 2025, familjet e tre donatorëve ranë dakord të dhuronin organet e tyre.
Në vitin 2024 dhe 2023, pati nga dy donatorë.
Po përgatiten gjithashtu ndryshime në ligjin e transplanteve që do të lejonin që dhuruesit e organeve të gjallë të jenë kushërinj të parë. Deri më tani, kjo ishte e kufizuar në nënën, babanë, vëllain, motrën, gjyshen, gjyshin, xhaxhain, hallën, fëmijët dhe nipërit e mbesat./Telegrafi/
Gripi sezonal po arrin pikun. Shumë qytetarë po i kalojnë festat në spitale. Klinika e Sëmundjeve Pulmonare të Fëmijëve në Kozle të Shkupit po punon me kapacitet të plotë.
Korridoret janë plot me prindër dhe fëmijë që ankohen për pritjen e gjatë, përcjell "TV21".
Gjatë fundjavës, rreth 800 pacientë u ekzaminuan vetëm në këtë spital, një numër jashtëzakonisht i lartë në 48 orë. Pediatrja specialiste Elena Gjinovska-Tasevska tha se dje u trajtuan rreth 150 fëmijë. Numri po rritet edhe sot, me rreth 100 fëmijë të shtruar në spital, 6 prej të cilëve janë në aparatura oksigjeni.
"Gripi, ose influenca, ka arritur pikun, kështu që simptomat më të zakonshme janë rritja e temperaturës së trupit, ulja e oreksit dhe kolla. Kapaciteti aktualisht është vërtet i plotë, kanë mbetur vetëm disa shtretër të lirë. Rreth njëqind fëmijë janë shtruar në spital, gjashtë prej të cilëve me një gjendje klinike më të rëndë janë në mbështetje me oksigjen.
Pjesa tjetër është në gjendje të qëndrueshme dhe për momentin kemi vetëm disa vende që po i mbajmë për raste më urgjente që mund të kërkojnë trajtim spitalor", tha Gjinovska-Tasevska./Telegrafi/
Nata e ndërrimit të moteve ishte e furishme në Klinikën Kirurgjisë pranë Qendrës Klinike në Shkup. Dy pacientë janë në rrezik për jetë, një fëmijë 2 vjeç që është goditur nga plumbi i armës së zjarrit dhe një 30-vjeçar që ka rënë nga lartësia.
“Kemi tre pacientë të politraumatizuar që kanë ardhur, kanë rënë nga lartësia. Pacient 30 vjeç, për arsye të panjohura, është lajmëruar për këtë pacient se ka rënë. Është në gjendje me rrezik për jetë. Është kryer operacion në shtyllën kurrizore dhe momentalisht ndodhet në Klinikën Intensive.
Në Neurokirurgji është pranuar një pacient 16 vjeç nga Shtipi, gjithashtu ka rënë nga lartësia. Fëmijë me të dhëna të panjohura, 2 vjeç, gjithashtu është pranuar në Kujdes Intensiv me projektil kokë nga arma e zjarrit. Nuk kemi të dhëna për ngjarjen, gjithashtu është në rrezik për jetë”, tha mes tjerash Igor Merxhanoski, drejtor i Klinikës së Traumatologjisë, përcjell "TV21".
Mes tjerash Merxhanoski njoftoi se janë regjistruar edhe 8 sulme fizike, një lëndim me thikë dhe një lëndim tjetër me armë në Prilep, te një pacient nga Shkupi, ndërsa janë kryer intervenime te 8 pacientë që janë lënduar nga mjetet piroteknike.