Nga dështimi në Madrid te një super-projekt anglez – Xabi Alonso gati për kapitullin e ri
Trajneri Xabi Alonso po përgatitet të bëjë një hap pas nga futbolli pas largimit nga Real Madridi, por e ardhmja e tij pritet të lidhet me një aventurë të madhe në Ligën Premier.
Tekniku spanjoll u shkarkua nga stoli i “Los Blancos” pas humbjes në Superkupë ndaj Barcelonës, një disfatë që vulosi fundin e projektit të tij në Madrid. Përveç rezultateve zhgënjyese në fushë, raportet nga Spanja flasin edhe për vështirësi serioze në marrëdhëniet me një pjesë të madhe të dhomës së zhveshjes.
Megjithatë, emri i Alonsos vazhdon të jetë shumë i përfolur në tregun e trajnerëve. Situata në Angli e ka rikthyer atë menjëherë në qendër të vëmendjes, sidomos pas largimit të Ruben Amorim nga Manchester United dhe pasigurisë që rrethon Thomas Frank te Tottenham.
Sipas “The Times”, Alonso është shumë i interesuar të provojë veten në futbollin anglez, por jo menjëherë. Prioriteti i tij është të pushojë për disa muaj dhe të rikthehet vetëm në fund të sezonit për të shqyrtuar ofertat.
Koha duket perfekte për një hyrje të tij në Liga Premier.
Manchester United do të jetë në kërkim të një trajneri të ri për sezonin e ardhshëm dhe Alonso konsiderohet një profil ideal për një projekt rindërtimi. Edhe Tottenham mund të mbetet pa trajner në verë nëse Frank nuk arrin të bindë drejtuesit.
Një tjetër pistë shumë e fortë mbetet Liverpool. Alonso ishte zgjedhja e parë e drejtuesve anglezë në verën e vitit 2024 përpara se klubi të vendoste për Arne Slot.
Me “Reds” që kanë zhgënjyer këtë sezon, një fund negativ i kampionatit mund të çojë në një ndryshim në stol dhe rikthimi te Alonso shihet si një opsion shumë serioz, sidomos për shkak të lidhjes së tij të fortë me klubin nga koha si lojtar.
Manchester City gjithashtu e admiron Alonson dhe mund të hapë derën nëse Pep Guardiola vendos të largohet në fund të sezonit – një skenar që për momentin mbetet vetëm në nivel spekulimesh, por që po qarkullon gjerësisht në Angli./Telegrafi
