Përparim Rama mbështet Marshin “Drejtësi, jo politikë” që mbahet më 17 shkurt
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka pritur në takim përfaqësuesit e platformës “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, të cilëve u ka shprehur mbështetje për organizimin e Marshit “Drejtësi, jo politikë”, që do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë, në mbrojtje të vlerave të luftës çlirimtare.
Gjatë takimit, Hoxha dhe Tasholli e kanë njoftuar kryetarin Rama për aktivitetet që po zhvillohen në kuadër të fushatës së mobilizimit qytetar për këtë marsh.
Përfaqësuesja e platformës “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha, ka vlerësuar lart mbështetjen institucionale që po merr marshi nëpër Kosovë, duke theksuar se ajo dëshmon karakterin qytetar të kësaj nisme.
“Mbështetja nga kryeqyteti është dëshmi se kjo kauzë i përket ndërgjegjes qytetare. Marshi ‘Drejtësi, jo politikë’ është një thirrje paqësore për drejtësi të paanshme dhe për respektimin e së vërtetës sonë historike”, ka deklaruar Hoxha.
Ndërkaq, përfaqësuesi tjetër i platformës, Ismail Tasholli, ka theksuar rëndësinë e mobilizimit gjithëpërfshirës qytetar.
“Ky marsh nuk është kundër drejtësisë, por kundër politizimit të saj. Më 17 shkurt marshojmë si qytetarë, për dinjitetin e luftës çlirimtare dhe për drejtësi jo selektive”, ka thënë Tasholli.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte një luftë e drejtë, e lindur nga populli, duke u bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në marsh.
“U bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Prishtinës që t’i bashkohen masivisht Marshit për drejtësi, në shenjë solidarizimi me çlirimtarët që po mbahen padrejtësisht në Hagë”, ka theksuar Rama.
Platforma “Liria ka Emër” ka njoftuar se do të vazhdojë takimet dhe aktivitetet në të gjitha komunat e Kosovës, me synim një mobilizim sa më të gjerë qytetar për Marshin e 17 shkurtit në Prishtinë, nën moton “Drejtësi, jo politikë”.
