“QEVERI TEKNIKE”/ Berisha, dëgjesë publike me aleatët dhe shoqërinë civile: Narkoshteti shqiptar, rrezik për Evropën! Ergys Agasi largoi 3 ministra
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, po zhvillon këtë të premte një Dëgjesë Publike me partitë opozitare, aktorë të shoqërisë civile, përfaqësues të sindikatave, organizatave, medias dhe intelektualë publikë.
Gjatë fjalës së tij, Berisha tha se “Narkoshteti” shqiptar është kthyer sot në rrezik për Europën!
“Së pari, u falënderoj për ndërhyrjen, dhe u falënderoj të gjithë ju që jeni të pranishëm sot në këtë takim, të cilin unë e konsideroj shumë të rëndësishëm, të mbledhur në një moment do të thosha përcaktues për të ardhmen e vendit dhe të shoqërisë tonë.
Falënderoj me mirënjohje të gjithë përfaqësuesit e shoqërisë civile, të pranishëm në këtë takim, përfaqësuesit e forcave politike dhe shpreh bindjen se konkluzioni apo përfundimi i këtij takimi me një front të përbashkët në këto kohë kritike që kalon Shqipëria është përgjigjja më e duhur, është përgjegjësia më e vërtetë që ne marrim në këto momente para vendit dhe kombit tonë.
Të nderuar të pranishëm, sot Shqipëria, vendi ynë i dashur, vlerësohet si një rrezik, si një narkoshtet, rrezik për Europën. Ky narkoshtet u krijua nga qeveria aktuale dhe Edi Rama për qëllimet më ogurzeza ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Ju rikujtoni këtu vitin e zi 2015, kur Shqipëria u mboll nga Pogoni e Kakavija gjer në kufi me Plavë e Guci me mijëra plantacione kanabisi. Se si propaganda qeveritare u servirte shqiptarëve kanabisin si një drejtim i ri zhvillimi, pasurimi.
Politikë kjo që u kundërshtua- e vërteta është- nga njerëz të përgjegjshëm në atë qeveri, konkretisht ish-zëvendëskryeministri. Paralajmëroi Edi Ramën se ky është shkatërrim i ekonomisë, kurse ai insistoi se kjo është para, dhe paraja është e dobishme.
Asnjë vend, asnjë komb tjetër ndoshta në Europë, se në Amerikën Latine e kanë provuar, nuk kanë provuar si shqiptarët se sa toksike është paraja e drogës, paraja e karteleve. Se sa shkatërrimtare është për ligjin, për demokracinë, për jetën, për ekonominë e një vendi kjo para.
Dhe sot ne përfundojmë një vend aleat i NATO-s, rrezik për Europën. Duhet të njohim një meritë historike presidentit Donald Trump që shpalli kartelet e drogës organizata terroriste.
Sepse në fakt për fuqinë e tyre shkatërrimtare, ato krahasohen dhe tejkalojnë organizatat më të fuqishme terroriste. Në këtë kuadër të karteleve organizata terroriste, Shqipëria mund të renditet e dyta pas Venezuelës ose krahas Kolumbisë.
Shqipëria zyrtare është sot koka e karteleve më të fuqishme të drogës në Europë për dy arsye. Së pari, sipas OKB, Shqipëria është eksportuesi kryesor i kanabisit në BE. Së dyti, zhvillimet e këtyre dy viteve të fundit kanë faktuar në mënyrë të pakundërshtueshme se trafikantët shqiptarë, kartelet shqiptare të kokainës përcaktojnë çmimin e këtij helmi në Europë. Dhe çmimin e përcakton ai që sjell më shumë.
Ai që është aksionari më i madh. Dhe aksionari më i madh janë bashkëpunëtorët e Edi Ramës, Franc Çopja dhe grupe të tjera që ne as i dimë. Por unë vetëm një të dhënë do u jap ju. Në Paraguaj, një trafikant i quajtur Diego Benitez, i cili disponon në vit 350 ton kokainë, bashkëpunon me 41 klane shqiptare.
Ju garantoj se po kaq famëzi sa ç’janë në Europë klanet shqiptare të drogës me mbështetje nga qeveria, edhe në SHBA, edhe në Australi, edhe në Azi dhe vende të tjera. Koha do e provojë këtë.
Ata janë bërë sot transportuesit kryesorë të kokainës, miliarderët më të shumtë të kokainës”, tha Berisha.
Kryedemokrati u ndal edhe tek dosja e AKSHI-t, ku theksoi se Ergys Agasi largoi 3 ministra të brendshëm, organizoi marrjen peng të Arben Ahmetajt për llogari të Ramës.
“Kurse shqiptarët përjetojnë një narko-diktaturë. Ato diktojnë rezultatin e zgjedhjeve. Kanë futur në parlamentin aktual 28 deputetë me listë. Ato marrin çdo vendim, emërojnë çdo ministër.
Ju rikujtoj këtu se Ergys Agasi, për llogari të bandave dhe të tij, ka larguar nga detyra 3 ministra të brendshëm. Kush ishte Ergys Agasi? Njeriu më i afërt në çdo aspekt i Edi Ramës.
Njeriu më i afërt. Njeriu që merrte pengje për Edi Ramën dhe që organizon t’i sjellë peng edhe Arben Ahmetajn për shkak të denoncimeve që i bën ai nga Lugano.
Pra, ky regjim ka shkatërruar Shqipërinë në një rrezik për Europën. Imagjinoni ju se çfarë është ky regjim për qytetarët e vet. Ministrat, drejtori i përgjithshëm i policisë, drejtorë agjencish, janë që të gjithë të lidhur këmbë e xhep me klanet e drogës sepse padrinoja i vendit e konsideron drogën si rrugën e zhvillimit.
Ka shndërrruar Shqipërinë në lavatriçen më gjigante të larjes së parave të drogës në Europë. Ky vend ka sot treguesin e ndërtimit 300 përqind më të lartë se mesatarja e BE.
Çmimet janë stratosferike, ndërtimet nuk kanë të ndalur. Imagjinoni ku po shkon vendi ynë. Ky vend, në qoftë se Maduro me politikat e tij ka detyruar 20 përqind të venezuelasve të largohen, Edi Rama me politikat e tij ka detyruar mbi 43 përqind të shqiptarëve të largohen nga Shqipëria në 10 vite.
E tha bukur një pensionist, që jetonte me remitancat që i vinin, ky tha, ma shkatërroi euron, e kisha rreth 1400, tani e kam rreth 960. Imagjinoni se si atij iu përgjysmua ai pension që i dërgonin familjarët.
Pa llogaritur këtu me mijëra ndërmarrje eksporti, që të gjitha punojnë me euro, falimentuan. Dhe ata që falimentojnë ata nisen drejt Europës për një kafshatë, për një punë. Me mijëra punëtorë, intelektualë, 720 mijë të rinj. Sot shqiptarët kanë treguesin e lindshmërisë në botë për shkak të emigracionit, sipas OKB.
Kanë rënien më të madhe të popullatës. Kanë prej vitit 2018 një vdekshmëri, mijëra qytetarë vdesin më shumë se sa lindin. Kombi është në rrugën e zhdukjes”, deklaroi Berisha.
The post “QEVERI TEKNIKE”/ Berisha, dëgjesë publike me aleatët dhe shoqërinë civile: Narkoshteti shqiptar, rrezik për Evropën! Ergys Agasi largoi 3 ministra appeared first on Albeu.com.