Makineria shqiptare e nokautit: Arjan Iseni, ylli i ri i boksit shqiptar po shkatërron çdo kundërshtar
Arjan Iseni po shfaqet si një nga emrat më premtues në boksin shqiptar, duke ndërtuar hap pas hapi një profil që po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendje në arenën e sporteve luftarake.
Boksieri në zhvillim ka zhvilluar deri më tani pesë meçe në karrierën e tij profesionale dhe bilanci është perfekt: pesë fitore në pesë dalje në ring. Ajo që e bën edhe më mbresëlënës këtë fillim është fakti se të gjitha kanë ardhur me nokaut, një tregues i qartë i fuqisë dhe agresivitetit që Iseni posedon.
Që në paraqitjet e para, ai ka demonstruar një stil të drejtpërdrejtë, me presion konstant ndaj kundërshtarëve dhe goditje të forta që shpesh kanë mbyllur meçet para kohe. Për një boksier në fazat e hershme të karrierës, një përqindje kaq e lartë nokautesh është sinjal i qartë se kemi të bëjmë me një talent që kombinon forcën fizike me instinktin për ta përfunduar luftën shpejt.
Iseni po punon intensivisht për të përmirësuar edhe aspektet teknike të boksit të tij, duke treguar disiplinë dhe seriozitet në çdo fazë të përgatitjeve. Ekipi që e rrethon e konsideron si një projekt afatgjatë, me synime të mëdha për ta çuar drejt niveleve më të larta ndërkombëtare.
Me një nisje të tillë të karrierës dhe me mentalitetin që ka treguar deri tani, Arjan Iseni po ndërton themele të forta për një të ardhme të ndritur në ring. Nëse vazhdon me këtë ritëm dhe zhvillim, emri i tij pritet të dëgjohet gjithnjë e më shumë në skenën e boksit profesionist.
Kujtojmë, Iseni fitoren e fundit e shënoi javën e kaluar ndërsa po ëndërron titullin e kampionit të botës./Telegrafi
