Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 14 January 2026Main stream

SHBA – Zyrtarët amerikanë dhe ministri i Jashtëm danez do të diskutojnë për Groenlandën

14 January 2026 at 09:35

UASHINGTON, 14 janar /ATSH-DPA/- Ministri i Jashtëm danez, Lars Løkke Rasmussen do të diskutojë sot pretendimet e SHBA-së për Groenlandën me zëvendëspresidentin e SHBA-së JD Vance dhe sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio në Uashington.

Ministrja e Punëve të Jashtme e Groenlandës, Vivian Motzfeldt, pritet gjithashtu të marrë pjesë në takim.

Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen ka lënë të kuptohet se Vance mori një vendim të minutës së fundit për të marrë pjesë.

“Takimi në fakt, ishte rënë dakord në nivel ministrash të Jashtëm”, tha Frederiksen në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin e Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen dje në Kopenhagë.

Si Frederiksen ashtu edhe Nielsen theksuan se Groenlanda nuk ishte në shitje dhe nuk mund të aneksohej nga SHBA-të.

Kryeministrja daneze tha se nuk kishte qenë e lehtë të përballohej presioni krejtësisht i papranueshëm nga aleatët më të ngushtë dhe paralajmëroi se pjesa më e vështirë nuk kishte mbaruar ende.

Në bisedime, Danimarka kërkon t’i ofrojë SHBA-së bashkëpunim më të ngushtë për mbrojtjen e Arktikut brenda kornizës së NATO-s dhe me aleatët evropianë. //a.i/

 

The post SHBA – Zyrtarët amerikanë dhe ministri i Jashtëm danez do të diskutojnë për Groenlandën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump: Nëse Irani ekzekuton protestuesit, do të ndërhyjmë

14 January 2026 at 09:07

UASHINGTON, 14 janar /ATSH/- Presidenti amerikan, Donald Trump ka paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ndërmarrin “masa shumë të forta” nëse autoritetet iraniane fillojnë të ekzekutojnë protestuesit antiqeveritarë – të arrestuar gjatë protestave masive – që kanë përfshirë vendin në javët e fundit, sipas BBC.

Deklarata e Trump vjen në një kohë kur numri i të vdekurve nga përleshjet midis forcave të sigurisë dhe protestuesve ka tejkaluar 2 500.

“Nëse bëjnë diçka të tillë, ne do të ndërmarrim masa shumë të forta”, tha Trump, duke shtuar se ishte në dijeni të numrit shumë të lartë të viktimave në demonstratat që kanë zgjatur më shumë se dy javë në të gjithë Iranin.

Shqetësimi ndërkombëtar është rritur pas raportimeve se një nga protestuesit e arrestuar, 26-vjeçari Erfan Soltani, mund të përballet me ekzekutim të menjëhershëm.

Ai u arrestua në qytetin Karaj, në periferi veriperëndimore të Teheranit, gjatë kulmit të protestave, përpara mbylljes së internetit.

“Amnesty International” ka ngritur alarmin për rastin e tij, duke paralajmëruar se autoritetet iraniane mund të rifillojnë gjyqet e shkurtra dhe ekzekutimet arbitrare për të shtypur çdo formë mospajtimi.

Sipas Agjencisë së Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut (HRANA), deri në orët e para të mëngjesit, numri i të vdekurve kishte arritur në të paktën 2 571 persona, përfshirë 12 fëmijë, ndërsa më shumë se 18 100 protestues janë arrestuar.

Ky është numri më i madh i viktimave në dekadat e fundit dhe kujton trazirat e Revolucionit Islamik të vitit 1979.

Trump, gjatë intervistës, iu referua gjithashtu veprimeve të mëparshme ushtarake amerikane, të tilla si sulmet në Venezuelë dhe vrasjes së ish-liderit të ISIS-it, Abu Bakr al-Baghdadi, duke lënë të kuptohet se Uashingtoni nuk do të qëndronte pasiv.

“Nuk duam të shohim mijëra njerëz duke u vrarë. Nëse ata fillojnë të zbatojnë dënimin me vdekje, do të shohim se si do të shkojë. Nuk do të shkojë mirë”, tha presidenti amerikan, Donald Trump.

Në rrjetin e tij social “Truth Social”, Trump postoi gjithashtu një mesazh të drejtpërdrejtë për protestuesit iranianë, duke i nxitur ata të vazhdonin protestat dhe duke paralajmëruar se “ndihma ishte në rrugë e sipër”.

Në përgjigje, misioni i Iranit në OKB deklaroi se “skenari amerikan do të dështonte sërish”, duke akuzuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës se po përpiqeshin të ndryshonin regjimin përmes sanksioneve dhe presionit politik.

Ndërkohë, Rusia ka kritikuar presionin amerikan mbi Iranin, duke thënë se forcat e jashtme po synojnë të shfrytëzojnë tensionet e brendshme për të destabilizuar shtetin iranian.

Autoritetet iraniane këmbëngulin se situata është nën kontroll, megjithëse prania e forcave të sigurisë mbetet e lartë dhe ka raporte të shumta për konfiskim të pajisjeve satelitore dhe rrëfime të detyruara të transmetuara në mediet shtetërore.

Situata në Iran mbetet e tensionuar, ndërsa bashkësia ndërkombëtare po ndjek me shqetësim zhvillimet dhe rrezikun e përshkallëzimit të mëtejshëm të dhunës. //a.i/

The post SHBA – Trump: Nëse Irani ekzekuton protestuesit, do të ndërhyjmë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 13 January 2026Main stream

REPUBLIKA ÇEKE – Qeveria e Babis do të përballet me votëbesim

13 January 2026 at 15:45

PRAGË, 13 janar /ATSH-DPA/- Një muaj pas marrjes së detyrës, qeveria e re e krahut të djathtë, e miliarderit, Andrej Babis në Republikën Çeke ka paraqitur një votëbesim, në përputhje me kushtetutën çeke.

Kushtetuta kërkon që çdo kabinet i ri të paraqesë një votëbesim brenda 30 ditëve nga emërimi i tij nga presidenti.

“Dua ta bëj të qartë se Republika Çeke dhe qytetarët çekë janë të parët për qeverinë tonë”, tha 71-vjeçari, Babis.

Votimi pritet të zhvillohet jo më herët se mbrëmja e së mërkurës.

Babis tha se kërkon të zbatojë deportimin e shpejtë të të huajve kriminelë dhe kundërshton futjen e euros, të cilën Bullgaria e miratoi këtë vit.

Ai gjithashtu kritikoi politikën e BE-së për klimën – duke e quajtur atë të dëmshme për industrinë.

Prioritetet e kabinetit përfshijnë çmime më të ulëta të energjisë dhe kursime në administratën shtetërore.

Ai përjashtoi mundësinë që Republika Çeke të ofrojë ushtarë për një forcë të mundshme paqeruajtëse në Ukrainë.

Koalicioni, i përbërë nga partia populiste e krahut të djathtë ANO e Babis, partia e pronarëve të automjeteve “Motorists” dhe partia e ekstremit të djathtë “Liri dhe Demokraci e Drejtpërdrejtë” (SPD), mban 108 nga 200 vendet në Dhomën e Deputetëve. //a.i/

The post REPUBLIKA ÇEKE – Qeveria e Babis do të përballet me votëbesim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PARIS – Fermerët francezë protestojnë kundër marrëveshjes BE-Mercosur

13 January 2026 at 15:34

PARIS, 13 janar /ATSH-DPA/- Qindra fermerë francezë drejtuan sot traktorët e tyre drejt parlamentit për të protestuar kundër marrëveshjes tregtare të BE-së me katër vende të Amerikës së Jugut që pritet të nënshkruhet në fundjavë.

Fermerët thanë se marrëveshja BE-Mercosur do të ndikonte në tregjet evropiane me importe të lira bujqësore, duke kërcënuar jetesën e tyre.

Traktorët u drejtuan drejt qendrës së Parisit përpara se të rreshtoheshin para ndërtesës së Asamblesë Kombëtare.

Shumica e vendeve të Bashkimit Evropian i dhanë dritën jeshile të premten, nënshkrimit të marrëveshjes tregtare të vonuar prej kohësh me Brazilin, Argjentinën, Uruguain dhe Paraguain. Franca votoi kundër paktit.

Marrëveshja është planifikuar të nënshkruhet të shtunën në Paraguai.

Qeveria franceze është përpjekur të lehtësojë tensionet me masa lehtësuese, pasi kjo është hera e dytë brenda një jave që traktorët rreshtohen në Paris.

Ministrja franceze e Bujqësisë, Annie Genevard tha se Kabineti po punonte për mbështetje shtesë për sektorin, pasi njoftoi së fundmi një ndihmë me vlerë 300 milionë euro.

Fermerët gjithashtu kanë shprehur zhgënjimin për atë – që ata e përshkruajnë – si burokraci të tepruar dhe rregullore tepër të rrepta mjedisore. //a.i/

The post PARIS – Fermerët francezë protestojnë kundër marrëveshjes BE-Mercosur appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GJENEVË – OKB i bën thirrje Iranit të ndalojë dhunën dhe të rivendosë aksesin në internet

13 January 2026 at 15:18

GJENEVË, 13 janar /ATSH-DPA/- Kombet e Bashkuara dënuan sot dhunën e përdorur nga forcat iraniane të sigurisë kundër protestuesve paqësorë dhe u bënë thirrje autoriteteve të rivendosnin shërbimet e internetit dhe telefonisë.

“Vrasja e demonstruesve paqësorë duhet të ndalet dhe etiketimi i protestuesve si ‘terroristë’ për të justifikuar dhunën kundër tyre është i papranueshëm”, tha në një deklaratë komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk.

“Njerëzit kanë të drejtën që kërkesat e tyre të dëgjohen”, shtoi ai.

“Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut tha se nuk ka qenë në gjendje të verifikojë në mënyrë të pavarur raportet për qindra vdekje dhe mijëra arrestime pasi nuk ka akses në Iran”, sipas një zëdhënësi.

Zyra është e shqetësuar për atë që do të ndodhë me të arrestuarit.

“Të paktën 12 protestues u ekzekutuan pas protestave në vitin 2022”, tha zëdhënësi. //a.i/

The post GJENEVË – OKB i bën thirrje Iranit të ndalojë dhunën dhe të rivendosë aksesin në internet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Mijëra të vdekur në protestat antiqeveritare në Iran, ndërsa ndërprerja e energjisë elektrike thellohet

13 January 2026 at 14:00

TEHERAN, 13 janar /ATSH/- Irani është nën një ndërprerje të koordinuar që synon jo vetëm kontrollin e sigurisë, por edhe fshehjen e së vërtetës.

Ndërprerjet e internetit, komunikimet e gjymtuara, mbylljet e mediave dhe frikësimi i gazetarëve dhe dëshmitarëve tregojnë një qëllim: parandalimin e shfaqjes së një krimi të madh dhe historik.

Gjatë ditëve të fundit, pas raporteve tronditëse dhe thellësisht shqetësuese, “Iran International”  është përqendruar në verifikimin e informacionit për të ndërtuar një vlerësim më të qartë të shkallës së shtypjes dhe vrasjeve gjatë protestave të fundit.

Në një vend ku autoritetet qëllimisht kufizojnë aksesin në informacion, një vlerësim i tillë është i vështirë dhe kërkon kohë – veçanërisht pasi nxitimi për të publikuar shifra të paplota të viktimave rrezikon gabime në dokumentimin e ngjarjeve dhe mund të shtrembërojë shkallën e vërtetë të kësaj tragjedie.

Që nga e diela, numri i provave dhe konvergjenca e rrëfimeve arritën në një pikë ku një vlerësim relativisht i saktë u bë i mundur.

Gjatë dy ditëve të fundit, bordi editorial i “Iran International” ka shqyrtuar – përmes një procesi rigoroz, shumëfazor dhe në përputhje me standardet e përcaktuara profesionale – informacionin e marrë nga një burim pranë Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare; dy burime në zyrën presidenciale; rrëfime nga disa burime brenda Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike në qytetet Mashhad, Kermanshah dhe Isfahan; dëshmi nga dëshmitarë okularë dhe familje të të vrarëve; raporte nga terreni; të dhëna të lidhura me qendrat mjekësore; dhe informacione të ofruara nga mjekë dhe infermierë në qytete të ndryshme.

Bazuar në këto rishikime, kemi arritur në përfundimin se:

Në vrasjen më të madhe në historinë bashkëkohore të Iranit – të kryer kryesisht gjatë dy netëve radhazi, të enjten dhe të premten, 8 dhe 9 janar – u vranë të paktën 12 000 njerëz.

Për sa i përket shtrirjes gjeografike, intensitetit të dhunës dhe numrit të vdekjeve në një kohë të shkurtër, kjo vrasje është e pashembullt në historinë e Iranit.

Bazuar në informacionin e marrë, të vrarët u qëlluan kryesisht nga forcat e Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike dhe Basij.

Kjo vrasje ishte plotësisht e organizuar, dhe jo rezultat i përleshjeve “sporadike” dhe “të paplanifikuara”.

Informacioni i marrë nga Këshilli i Lartë i Sigurisë Kombëtare dhe zyra presidenciale tregon se vrasja u krye me urdhër të drejtpërdrejtë të Ali Khamenei, me dtë lëshuar nga Këshilli i Lartë i Sigurisë Kombëtare.

Informacioni i marrë nga Këshilli i Lartë i Sigurisë Kombëtare dhe zyra presidenciale tregon se vrasja u krye me urdhër të drejtpërdrejtë të Ali Khamenei, me dijeninë dhe miratimin e qartë të krerëve të të tre degëve të qeverisë, dhe me një urdhër të lëshuar nga Këshilli i Lartë i Sigurisë Kombëtare.

Shumë prej të vrarëve ishin të rinj nën moshën 30 vjeç.

https://www.iranintl.com/en/202601130145

 

 

 

 

 

The post FOKUS – Mijëra të vdekur në protestat antiqeveritare në Iran, ndërsa ndërprerja e energjisë elektrike thellohet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KINË – Pekini: Do të mbrojmë interesat tona pas njoftimit të tarifave të Trump

13 January 2026 at 11:59

PEKIN, 13 janar /ATSH-DPA/- Kina synon të mbrojë interesat e saj pas njoftimit të presidentit amerikan, Donald Trump, se SHBA-ja do të vendoste tarifa ndaj partnerëve tregtarë të Iranit.

Kina do të mbrojë interesat e saj pas njoftimit të presidentit amerikan, Donald Trump se SHBA-ja do të synojë partnerët tregtarë të Iranit me tarifa.

“Nuk ka fitues në një luftë tregtare”, tha sot zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Mao Ning në Pekin.

Ajo deklaroi se Kina do të mbronte me vendosmëri të drejtat dhe interesat e saj legjitime.

“Që nga tani e tutje, tarifat amerikane prej 25% do të zbatohen për të gjitha vendet që bëjnë biznes me Iranin”, tha dje në mbrëmje presidenti amerikan, Donald Trump.

Irani është një partner i rëndësishëm tregtar i naftës për Pekinin.

Republika Popullore nuk prodhon mjaftueshëm naftë për nevojat e saj dhe mbështetet në importe.

Presidenti amerikan, Donald Trump dhe presidenti kinez, Xi Jinping kishin rënë dakord për një pauzë në mosmarrëveshjen e tarifave midis dy ekonomive më të mëdha në botë gjatë një takimi në Korenë e Jugut, në tetor.

Cui Shoujun, një profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në “Universitetin Renmin” të Pekinit, tha se Kina nuk do ta zbehte bashkëpunimin e saj ekonomik me Iranin për shkak të njoftimit të Trump.

Ai shpjegoi se Kina dhe Irani kishin ruajtur lidhje tregtare për njëfarë kohe dhe se Irani ishte një nga 10 vendet më të rëndësishme nga të cilat Kina importonte naftë. //a.i/

The post KINË – Pekini: Do të mbrojmë interesat tona pas njoftimit të tarifave të Trump appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

METEO – Moti i akullt shkakton mbylljen e aeroporteve në Vjenë, Pragë dhe Bratislavë

13 January 2026 at 11:41

VJENË, 13 janar /ATSH/- Kushtet e ashpra të ngricave kanë shkaktuar mbylljen e aeroporteve në Vjenë, Pragë dhe Bratislavë dhe penguar fluturimet në të gjithë Evropën Qendrore, sipas “Reuters”.

Moti i akullt ka detyruar mbylljen e përkohshme të Aeroportit të Vjenës, me operacionet e pezulluara deri të paktën në orën 11:00 të mëngjesit.

Sipas një zëdhënësi, në pistat e uljes dhe ngritjes në Vjenë u formua një shtresë e trashë akulli, e cila vazhdoi të krijohej edhe pas përpjekjeve për pastrimin e saj. Si rezultat, fluturimet po devijohen në aeroporte alternative.

Moti i ashpër dimëror ka ndërprerë gjithashtu operacionet në Aeroportin e Pragës, ku shiu i ngrirë e ka lënë aeroportin të funksionojë në një “modalitet shumë të kufizuar”.

Autoritetet paralajmëruan se priten vonesa gjatë gjithë ditës, me mbërritje të kufizuara ndërsa ekipet po punojnë për të shkrirë akullin në pistën kryesore.

Në Sllovakinë fqinje, Aeroporti i Bratislavës u mbyll për shkak të kushteve të motit ekstrem deri në orën 11:15 të mëngjesit.

Gjatë valës së të ftohtit, një stuhi e fortë dëbore e quajtur “Stuhia Goretti” shkaktoi deri në 15 centimetra dëborë, duke çuar në anulime të fluturimeve, përfshirë destinacione të tilla si Varshavë, Paris dhe Frankfurt dhe vonesa të mëdha, ndërsa ekipet e pistës luftuan për të mbajtur sipërfaqet të sigurta. //a.i/

The post METEO – Moti i akullt shkakton mbylljen e aeroporteve në Vjenë, Pragë dhe Bratislavë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

INDI – Merz: Udhëheqja e Iranit po i afrohet fundit mes protestave masive

13 January 2026 at 09:20

BENGALURU, 13 janar /ATSH-DPA/- Udhëheqja aktuale e Iranit po i afrohet fundit mes protestave masive në të gjithë vendin, tha kancelari gjerman, Friedrich Merz.

“Nëse një regjim mund të qëndrojë në pushtet vetëm përmes përdorimit të dhunës, atëherë ai në fakt ka mbaruar”, tha sot Merz gjatë një vizite në Bengaluru, Indi.

“Unë supozoj se tani mund të jemi dëshmitarë të ditëve dhe javëve të fundit të këtij regjimi”, shtoi ai.

Merz dënoi veprimet e forcave iraniane të sigurisë kundër protestuesve paqësorë, duke i përshkruar ato si “joproporcionale” dhe “brutale”.

Irani është përfshirë që nga 28 dhjetori nga vala më e madhe e protestave ndër vite.

Ajo që filloi si protesta e bizneseve për shkak të rënies së ndjeshme të vlerës së rialit iranian dhe vështirësive ekonomike në rritje, shpejt u shndërrua në demonstrata mbarëkombëtare kundër sundimtarëve islamikë të vijës së ashpër të vendit.

Aktivistët thonë se forcat e sigurisë janë përgjigjur duke përdorur taktika brutale, duke përfshirë përdorimin e gazit lotsjellës dhe plumbave.

Grupi i të drejtave të njeriut “Iran Human Rights” (IHRNGO) me qendër në Oslo tha se të paktën 648 persona ishin vrarë që nga shpërthimi i protestave. //a.i/

The post INDI – Merz: Udhëheqja e Iranit po i afrohet fundit mes protestave masive appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump: Vendet që bëjnë biznes me Iranin do të përballen me tarifë prej 25%

13 January 2026 at 09:20

UASHINGTON, 13 janar /ATSH-DPA/- Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vendosin tarifa prej 25% për të gjitha vendet që bëjnë biznes me Iranin, tha dje në mbrëmje presidenti Donald Trump, duke intensifikuar presionin mbi Teheranin mes protestave mbarëkombëtare.

“Duke hyrë menjëherë në fuqi, çdo vend që bën biznes me Republikën Islamike të Iranit do të paguajë një tarifë prej 25% për çdo biznes që bëhet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shkroi Trump në platformën e tij “Truth Social”, pa sqaruar se cilat aktivitete do të bien nën “të bërit biznes”.

Ndër partnerët kryesorë tregtarë të Iranit janë India, Kina dhe Turqia.

Nuk është hera e parë që Trump ka kërcënuar me të ashtuquajturat tarifa indirekte.

Gjatë luftës në Ukrainë, ai vendosi tarifa deri në 50% për mallrat indiane për blerjet e naftës bruto ruse nga vendi.

Çdo tarifë shtesë për Kinën mund të rifillojë gjithashtu tensionet tregtare midis Pekinit dhe Uashingtonit pas një periudhe qetësie relative.

Njoftimi vjen ndërsa protestat në Iran shtrihen në javën e tretë. Demonstratat, që fillimisht shpërthyen për shkak të një krize ekonomike në thellim, janë përhapur në të gjithë vendin dhe janë shndërruar në një sfidë më të gjerë ndaj sundimtarëve islamikë të vijës së ashpër të vendit.

Përplasje dhe trazira janë raportuar në disa qytete, me trupat e sigurisë që kanë reaguar me forcë të madhe.

Aktivistët thonë se qindra protestues janë vrarë, në ato që duket të jenë protestat më masive në Iran ndër vite.

Trump ka shprehur mbështetje publike për demonstruesit dhe ka paralajmëruar udhëheqjen e Iranit kundër shtypjes. Gjatë fundjavës, ai u tha gazetarëve se qeveria në Teheran kishte shprehur dëshirën për të negociuar. //a.i/

The post SHBA – Trump: Vendet që bëjnë biznes me Iranin do të përballen me tarifë prej 25% appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

VARSHAVË – Hungaria i jep azil ish-ministrit polak mes hetimit për abuzim me pushtetin

12 January 2026 at 15:39

VARSHAVË, 12 janar /ATSH-DPA/- Ish-ministri polak i Drejtësisë Zbigniew Ziobro, nga partia nacionaliste konservatore “Ligj dhe Drejtësi” (PiS) –  i cili përballet me akuza për korrupsion – njoftoi sot në X se autoritetet hungareze i kishin dhënë mbrojtje.

Ziobro pretendoN se ishte bërë shënjestër e një “hakmarrjeje personale” nga kryeministri i qendrës së majtë, Donald Tusk.

“Unë zgjedh të luftoj kundër banditizmit politik dhe paligjshmërisë. Unë i rezistoj diktaturës në progres”, tha Ziobro.

“Shteti i së drejtës është në krizë në Poloni dhe shumë njerëz po përballen me persekutim politik. Në Hungari, personave të persekutuar politikisht u jepet azil në përputhje me ligjin e BE-së”, tha Ministria e Jashtme në Hungari për faqen e lajmeve online “Telex”.

Ish-ministri i Drejtësisë akuzohet gjithashtu për devijim fondesh nga fondi i viktimave të krimit për të blerë programin spiun izraelit “Pegasus”.

Kundërshtarët politikë akuzojnë ish-qeverinë e PiS për përdorimin e “Pegasus” për të spiunuar kundërshtarët politikë.

“Pegasus” shfrytëzon dobësitë e sigurisë në telefonat inteligjentë për të fituar akses të gjerë në të dhëna. Ai gjithashtu mundëson përgjimin e bisedave.

PiS qeverisi Poloninë nga viti 2015 deri në vitin 2023. Gjatë kësaj kohe, ajo ristrukturoi ndjeshëm sistemin e drejtësisë, duke çuar në përballje me Komisionin Evropian.

Në tetor 2023, PiS humbi zgjedhjet parlamentare dhe që atëherë ka qenë partia më e madhe opozitare në vend.

Koalicioni i qendrës së majtë i Tusk që atëherë ka punuar për të përmbysur reformat gjyqësore të diskutueshme të qeverisë së PiS. //a.i/

 

The post VARSHAVË – Hungaria i jep azil ish-ministrit polak mes hetimit për abuzim me pushtetin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ROMË – Papa Leone XIV takohet me udhëheqësen e opozitës venezueliane, Machado

12 January 2026 at 15:20

ROMË, 12 janar /ATSH-DPA/- Papa Leone XIV ka pritur sot udhëheqësen e opozitës venezueliane dhe laureaten e çmimit “Nobel për Paqen”, María Corina Machado.

Pas bastisjes së shpejtë të ushtrisë amerikane për të arrestuar udhëheqësin autoritar të Venezuelës, Nicolás Maduro, në Karakas më 3 janar, papa Leone bëri thirrje që sovraniteti i Venezuelës të respektohej.

“E mira e popullit të dashur venezuelian duhet të mbizotërojë ndaj çdo konsiderate tjetër”, tha ai.

Papa i parë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës tha gjithashtu se po ndiqte “shqetësim të thellë” zhvillimet në vendin e Amerikës së Jugut.

Machado, e parë gjerësisht nga mbështetësit, si një shpresë kryesore për ndryshime politike në Venezuelë, ka vlerësuar presidentin e SHBA-së, Donald Trump për ndërhyrjen e tij ushtarake, pavarësisht akuzave se ai ka shkelur ligjin ndërkombëtar.

Pas arrestimit të Maduros, Trump shprehu skepticizëm në lidhje me përshtatshmërinë e Machado si pasardhëse, duke thënë se ajo nuk kishte mbështetjen apo respektin e nevojshëm brenda Venezuelës për ta qeverisur atë.

Megjithatë, kohët e fundit, ai tha se një takim me të mund të ishte në shqyrtim.

Duke folur për “Fox News” në fund të javës së kaluar, Trump tha se Machado mund të vizitonte SHBA-në këtë javë. //a.i/

The post ROMË – Papa Leone XIV takohet me udhëheqësen e opozitës venezueliane, Machado appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Meta” mbyll 540,000 llogari pas ndalimit të medieve sociale në Australi

12 January 2026 at 15:04

SIDNEJ, 12 janar /ATSH-DPA/- “Meta” ka çaktivizuar më shumë se gjysmë milioni llogari në Australi – si rezultat i ndalimit të medieve sociale për personat nën 16 vjeç, njoftoi sot kompania.

“Meta” tha se midis 4 dhe 11 dhjetorit kishte mbyllur 544,052 llogari që besonte se mbaheshin nga përdorues nën moshën 16 vjeç.

Kjo përfshinte 330,639 llogari në “Instagram”, 173,497 në “Facebook” dhe 39,916 në “Threads”.

Sipas ligjit të ri, i cili hyri në fuqi më 10 dhjetor, personave nën 16 vjeç nuk u lejohet më të kenë llogaritë e tyre në 10 platforma kryesore të mediave sociale, duke përfshirë “TikTok”, “Snapchat”, “Reddit” dhe “YouTube”.

Kompanive të prekura iu dha një vit kohë për të futur masa për verifikimin e moshës, dhe shkeljet do të rezultojnë në gjoba të rënda deri në 49,5 milionë dollarë australianë (33 milionë dollarë amerikanë).

“Meta” është e përkushtuar të përmbushë detyrimet e saj të pajtueshmërisë dhe po ndërmerr hapat e nevojshëm për të qënë në përputhje me ligjin”, tha kompania.

“Meta” i kërkoi qeverisë australiane të angazhohej në mënyrë konstruktive me industrinë, për të gjetur një mënyrë më të mirë përpara, siç është nxitja e të industrisë për të rritur standardin në ofrimin e përvojave të sigurta, që ruajnë privatësinë dhe që janë të përshtatshme për moshën në internet, në vend të ndalimeve të përgjithshme.

“Kjo është e vetmja mënyrë për të garantuar mbrojtje të qëndrueshme në të gjithë industrinë për të rinjtë, pavarësisht se cilat aplikacione përdorin, dhe për të shmangur efektin e paparashikueshëm të aplikacioneve të reja në të cilat adoleshentët do të migrojnë për të anashkaluar ligjin e ndalimit të mediave sociale”, tha “Meta”. //a.i/

The post “Meta” mbyll 540,000 llogari pas ndalimit të medieve sociale në Australi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

INDI – Merz: Shpresoj se SHBA-ja do të marrë pjesë në një prani më të fortë të NATO-s në Groenlandë

12 January 2026 at 13:49

AHMEDABAD, 12 janar /ATSH-DPA/- Kancelari gjerman, Friedrich Merz tha se pret që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të marrin pjesë në një prani më të fortë të NATO-s për të përmirësuar sigurinë e Groenlandës, ndërsa një mosmarrëveshje transatlantike po ngrihet mbi kontrollin e territorit të madh të Arktikut.

“Ne ndajmë shqetësimet e SHBA-së se kjo pjesë e Danimarkës ka nevojë për mbrojtje më të mirë”, tha sot Merz gjatë një vizite në Indi.

“Ne duam të përmirësojmë, së bashku situatën e sigurisë së Groenlandës. Dhe supozoj se edhe amerikanët do të marrin pjesë”, shtoi ai.

Deklarata e Merz vjen ndërsa ministri i Jashtëm, Johann Wadephul ndodhet në Uashington për bisedime me homologun e tij amerikan, Marco Rubio.

Kancelari gjerman, Merz tha se shpresonte për një zgjidhje miqësore brenda NATO-s.

“Për sa i përket shkallës së kontributit nga SHBA-ja, kjo do të tregohet nga bisedimet në ditët dhe javët e ardhshme”, tha ai.

Disa shtete të NATO-s, si Britania e Madhe, kohët e fundit kanë folur në favor të zgjerimit të pranisë së aleancës në Arktik.

Propozimi parashikon një mision monitorimi të quajtur “Arctic Sentry”, sipas diplomatëve.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë vazhdimisht se vendi i tij duhet të marrë pronësinë e Groenlandës për arsye të sigurisë së SHBA-së.

Ai nuk e ka përjashtuar marrjen e ishullit me forcë.

Zëvendëskancelari dhe ministri gjerman i Financave, Lars Kingbeil, gjithashtu ndodhen në kryeqytetin e SHBA-së për bisedime.

Groenlanda, me një popullsi rreth 57,000 banorë, është pjesë e Mbretërisë së Danimarkës, por gëzon autonomi të konsiderueshme, me përjashtim të fushave të mbrojtjes dhe politikës së jashtme. //a.i/

The post INDI – Merz: Shpresoj se SHBA-ja do të marrë pjesë në një prani më të fortë të NATO-s në Groenlandë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

METEO – Skocia ngre alarmin per përmbytje në mbarë vendin

12 January 2026 at 11:56

EDINBURG, 12 janar /ATSH-DPA/- Përmbytjet kanë sjellë trazira në disa pjesë të Skocisë, me paralajmërime për përmbytje në shumë zona, për shkak të shirave të rrëmbyeshëm dhe shkrirjes së borës.

Që nga mëngjesi i ditës së sotme, ka patur 19 paralajmërime për përmbytje nga Agjencia Skoceze për Mbrojtjen e Mjedisit (SEPA) dhe 12 alarme për përmbytje në të gjithë vendin.

Në Aberdeenshire, rruga kryesore u mbyll në të dy drejtimet për shkak të përmbytjeve.

Një paralajmërim i verdhë i meteorologëve për shira të rrëmbyeshëm në pjesën më të madhe të Skocisë veriperëndimore është në fuqi deri në orën 10:00.

Shiu i rrëmbyeshëm vjen pas një jave moti dimëror në Skocinë veriore, që shkaktoi mbylljen e qindra shkollave gjatë javës së parë të semestrit të ri.

Këshilli i Aberdeenshire, javën e kaluar shpalli situatën e jashtëzakonshme për shkak të motit ekstrem, por dje u njoftua se kjo gjendje kishte përfunduar.

Dhoma e Qëndrueshmërisë Skoceze e Qeverisë së Rëzistencës u mblodh dje për të shtatën ditë radhazi, ku së bashku me agjencitë partnere diskutuan se si t’i përgjigjen kushteve të ashpra të motit që prekin vendin.

Autoritetet u kanë kërkuar banorëve të jenë vigjilentë për shkak të kushteve të motit.

Paralajmërimi i verdhë i Zyrës Meteorologjike parashikon që shirat e rrëmbyeshëm dhe shkrirja e borës do të sjellin përmbytje të mëdha.

“Akumulimet e konsiderueshme të borës në disa pjesë të Skocisë të përziera me reshje të rrëmbyeshme shiu dhe një rritje të temperaturave sjellin rrezik përmbytjesh në disa zona ndërsa bora shkrihet”, tha Zyra Meteorologjike.

Gjatë fundjavës, mbylljet e rrugëve dhe anulimet e transportit publik ishin të shumta si rezultat i kushteve të borës, erës, shiut dhe akullit. //a.i/

 

The post METEO – Skocia ngre alarmin per përmbytje në mbarë vendin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UKRAINË – Rreth 35 000 familje pa energji elektrike pas sulmeve ruse në Odesa

12 January 2026 at 11:27

KIEV, 12 janar /ATSH-DPA/- Pas sulmeve ruse me dron, 35,000 familje në rajonin jugor ukrainas të Odesës kanë mbetur pa energji elektrike, njoftoi sot furnizuesi i energjisë DTEK.

“Rivendosja e furnizimit me energji do të kërkojë kohë,” tha DTEK në një deklaratë.

“Në qytetin portual të Odesës, sulmi goditi një strukturë infrastrukturore dhe një ndërtesë banimi”, raportoi kryebashkiaku Serhiy Lysak në “Telegram”.

“Dy persona u plagosën”, tha ai.

Për shkak të sulmeve të rënda ajrore të ditëve të fundit, praktikisht nuk ka energji elektrike në kryeqytetin Kiev, në Dnipro, Odesa dhe qytete të tjera në Ukrainë.

Si rezultat, ngrohja dhe uji janë ndërprerë, gjithashtu.

Në të njëjtën kohë, ka ngrica të mëdha me temperatura deri në minus 18 gradë Celsius.

Situata është jashtëzakonisht e tensionuar për miliona banorë.

Forcat Ajrore Ukrainase thanë se kishin interceptuar 135 nga 156 dronë rusë që sulmuan gjatë natës, një sulm relativisht i vogël krahasuar me javët e fundit.

“Megjithatë, pati dëme të mëdha në 18 qytete” thanë forcat ajrore. //a.i/

The post UKRAINË – Rreth 35 000 familje pa energji elektrike pas sulmeve ruse në Odesa appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Irani zotohet për hakmarrje pas vrasjes së forcave të sigurisë në protesta

12 January 2026 at 11:18

TEHERAN, 12 janar /ATSH-DPA/-  Kreu i gjyqësorit të Iranit ka bërë thirrje për hakmarrje për forcat e sigurisë dhe oficerët e policisë të vrarë gjatë protestave që kanë tronditur vendin gjatë dy javëve të fundit.

“Duhet të merren masa vendimtare dhe efektive në shenjë hakmarrjeje për martirët dhe viktimat e trazirave të fundit”, tha sot kreu i gjyqësorit Gholam-Hossein Mohseni-Ejei.

“Ata që sulmuan forcat e policisë ose sulmuan objektet e forcave të sigurisë dhe infrastrukturën urbane duhet të sillen përpara drejtësisë”, tha ai.

“Të paktën 544 persona janë vrarë në protestat masive gjatë 15 ditëve të fundit”, tha Agjencia e Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut (HRANA) me qendër në SHBA.

Shteti iranian ndërkohë ka mobilizuar mbështetësit e vet në përgjigje të protestave masive.

Transmetuesi shtetëror publikoi fragmente nga programi televiziv në “Telegram” që tregonin demonstratat në disa qytete iraniane.

Pjesëmarrësit valëvitnin flamuj dhe tregonin fotografi të disa anëtarëve të forcave të sigurisë që ishin vrarë gjatë trazirave.

Protestat, të cilat fillimisht u shkaktuan nga një krizë ekonomike, tani janë zhvilluar në një kryengritje mbarëkombëtare kundër sistemit islamik të qeverisjes së vendit.

Organi i sigurisë ka reaguar me një shtypje të ashpër.

“Në një moment të caktuar, ne po merreshim me operacione terroriste”, tha ministri i Jashtëm, Abbas Araghchi duke dënuar demonstratat antiqeveritare.

“Kjo është arsyeja pse ka ende disa “kufizime” që do të mbeten në fuqi derisa udhëheqja të jetë e sigurt se nuk ka më asnjë kërcënim”, tha ai.

Interneti është bllokuar plotësisht që nga e enjtja. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Esmail Baghaei tha se shpresonte që qasja në internet të mund të rikthehej në kuadër të situatës në përmirësim. //a.i/

The post FOKUS – Irani zotohet për hakmarrje pas vrasjes së forcave të sigurisë në protesta appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump: Irani kërkon negociata mes shtypjes vdekjeprurëse ndaj protestuesve

12 January 2026 at 09:26

UASHINGTON, 12 janar /ATSH-DPA/- Mes protestave masive të vazhdueshme në të gjithë Iranin, në të cilat janë vrarë qindra njerëz, vendi i ka kërkuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës të hapin negociata të reja, tha presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

Duke folur në bordin e “Air Force One”, Trump u tha gazetarëve se udhëheqja iraniane e kishte thirrur atë për të negociuar një ditë më parë.

Ai shtoi se një takim me përfaqësuesit iranianë mund të organizohej, ndersa shtoi se SHBA-ja mund të duhet të veprojë paraprakisht duke pasur parasysh protestat e vazhdueshme në vend.

“Mendoj se ata janë të lodhur duke u rrahur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shtoi ai, me sa duket duke iu referuar sulmeve izraelite ndaj programit bërthamor të Iranit vitin e kaluar, të cilat përfshinin mbështetjen ushtarake amerikane.

Trump nuk specifikoi se cilat tema do të mbulonin bisedimet. Vitin e kaluar, Teherani kishte zhvilluar diskutime indirekte me të dërguarin special të SHBA-së, Steve Witkoff, mbi programin e tij bërthamor të diskutueshëm.

Në kontekstin e një bllokade pothuajse totale të internetit nga qeveria në Iran, Trump gjithashtu sugjeroi që SHBA-ja mund të ndihmonte protestuesit të kishin akses në internetin satelitor.

I pyetur nëse do ta bënte të disponueshëm në Iran “Starlink”, shërbimin e internetit satelitor të operuar nga “SpaceX” në pronësi të miliarderit të teknologjisë Elon Musk, Trump tha se çështja ishte duke u shqyrtuar dhe SHBA-ja do të përpiqej të rivendoste aksesin në internet nëse ishte e mundur.

Ai shtoi se po planifikonte ta telefononte Musk.

“Do t’i godasim shumë rëndë, nëse ata fillojnë të vrasin njerëz siç kanë bërë në të kaluarën”, tha Trump më herët në një podcast.

Sipas Agjencisë së Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut me qendër në SHBA, të paktën 544 persona janë vrarë gjatë protestave masive në Iran gjatë 15 ditëve të fundit.

The post SHBA – Trump: Irani kërkon negociata mes shtypjes vdekjeprurëse ndaj protestuesve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Golden Globes 2026”, yjet e kinemasë garojnë për trofe

11 January 2026 at 18:26

LOS ANXHELES, 11 janar /ATSH/- “Sinners”, “Marty Supreme” dhe “One Battle After Another” janë ndër filmat që do të garojnë sot në mbrëmje, në “Golden Globe Awards”, sipas BBC.

“Frankenstein”, “Sentimental Value”, “Hamnet” dhe “Wicked: For Good” janë disa nga filmat e tjerë që synojnë çmimin në ceremoninë e mbajtur në Los Anxheles.

Këtë vit është prezantuar një kategori e re, “Best podcast”. “Adolescence”, “The Pitt” dhe “The Studio” janë nominuar në kategoritë televizive.

“Golden Globes” përbën një moment të rëndësishëm të sezonit të ndarjes së çmimeve të filmit, që zhvillohen më pak se dy javë para shpalljes së nominimeve për “Oscar”, më 22 janar.

Gjatë çmimeve “Golden Globes” ofrohen më shumë trofe sesa në ceremonitë e tjera, pasi kategoritë e tyre të filmave ndahen sipas dramës dhe muzikalit ose komedisë.

Timothée Chalamet, Emma Stone, Leonardo DiCaprio, Jessie Buckley dhe Michael B Jordan janë të gjithë, të nominuar në kategorinë e aktrimit këtë vit.

Gjithçka që duhet të dini përpara edicionit së këtij viti:

Filmat kryesorë të nominuar:

  • One Battle After Another
  • Sentimental Value
  • Sinners
  • Hamnet
  • Frankenstein
  •  Wicked: For Good
  •  It Was Just an Accident

Çmimet “Golden Globe” do të transmetohen në rrjetin CBS në SHBA dhe gjithashtu do të transmetohen në Paramount+.

Ceremonia fillon në orën 01:00 GMT (të hënën në mëngjes) dhe zakonisht zgjat midis tre dhe katër orësh. Ngjarja transmetohet drejtpërdrejt nga “Hotel Beverly Hilton”, në Beverly Hills, Kaliforni.

Cilët filma janë të nominuar?

“One Battle After Another”, që flet për një ish-revolucionar, vajza e të cilit rrëmbehet, kryeson këtë vit pasi u bë një nga filmat e 2025, më të vlerësuar nga kritika.

Në garë përfshihen edhe “Sentimental Value”, një dramë norvegjeze, që flet për dy motra që rilidhen me babanë e tyre të larguar, një regjisor filmi që planifikon rikthimin e tij, pas vdekjes së nënës së tyre.

“Sinners”, një dramë horror me vampirë e vendosur në Misisipin e viteve 1930, një nga pretendentët e parë për çmim “Oscar”, u shfaq me sukses në kinema menjëherë pas ndarjes së çmimeve “Oscar” të vitit të kaluar.

Adaptimi në film i romanit “Hamnet” të Maggie O’Farrell, eksploron tragjedinë familjare që shumë besojnë se e nxiti William Shakespeare të shkruante një nga dramat e tij më të famshme.

Një adaptim i ri i filmit “Frankenstein” ofron një interpretim më emocional të romanit të Mary Shelley rreth një shkencëtari të çmendur dhe krijesës që ai krijon, ndërsa filmi i suksesshëm “Wicked: For Good” pasqyron historinë e origjinës së Elphabas, shtrigës së ligë të perëndimit.

Drama e rrëmbimit “It Was Just An Accident”, një nga filmat më të mirë të sezonit të çmimeve të këtij viti dhe fituesi i çmimit kryesor në Festivalin e Filmit në Kanë, ka në fokus një personazh që kërkon hakmarrje ndaj ish-oficerit që e torturoi më parë në burg.

“Marty Supreme” tregon jetën e një lojtari pingpongu në Nju Jorkun e viteve 1950, ndërsa përpiqet të mbijetojë financiarisht, ndërkohë që bën emër si atlet.

Filma të tjerë të nominuar përfshijnë dramën e teorisë së konspiracionit “Bugonia”, komedinë e zezë koreane “No Other Choice”, trilleri-n politik brazilian “The Secret Agent” dhe hitin muzikor të animuar “K-pop Demon Hunters”.

Cilët aktorë janë favoritë?

Titanët e kinemave, Timothée Chalamet (Marty Supreme) dhe Leonardo DiCaprio (One Battle After Another) do të përballen në një garë veçanërisht të vështirë për aktorin më të mirë të muzikalit ose komedisë. Ethan Hawke (Blue Moon) është gjithashtu një kandidat i mundshëm.

Në kategorinë e aktorit më të mirë të dramës, Michael B Jordan (Sinners) ka një shans të fortë, megjithëse nuk duhet ta përjashtojmë fituesin e Festivalit të Filmit në Kanë, Wagner Moura (The Secret Agent).

Nominimet për aktoren më të mirë të muzikalit ose komedisë udhëhiqen nga profesioniste me përvojë si Rose Byrne (If I Had Legs I’d Kick You), Kate Hudson (Song Sung Blue), dhe aktorja relativisht e re Chase Infiniti (One Battle After Another).

Aktorja më e mirë e dramës është shumë më e lehtë për t’u parashikuar – me Jessie Buckley (Hamnet) që konsiderohet shumë përpara edhe konkurrentëve të saj më të fortë si Renate Reinsve (Sentimental Value).

Kandidatët për aktorin dhe aktoren më të mirë mbështetëse përfshijnë Amy Madigan (Weapons), Jacob Elordi (Frankenstein), Benicio Del Toro, Sean Penn dhe Teyana Taylor (“One Battle Pas Another”).

Kush do të prezantojë “Golden Globes”?

Komediania amerikane, Nikki Glaser kthehet si prezantuese pas një performance të shkëlqyer në ceremoninë e vitit të kaluar.

Pse janë të rëndësishme Çmimet “Golden Globes”?

Një aktor ose film që fiton në “Golden Globes” nuk do të fitojë automatikisht në çmimet “Oscar”, por mund të ndihmojë në forcimin e shanseve për një nominim.

Si një nga ceremonitë më të hershme në sezonin e çmimeve, “Golden Globes” mund të ofrojnë një nxitje të konsiderueshme të momentit, pasi një fitore ose një fjalim i pritur mirë mund të inkurajojë më shumë votues të Akademisë të shohin një film të caktuar.

Yje të tillë si Sebastian Stan, Demi Moore dhe Fernanda Torres të gjithë siguruan nominime për çmim “Oscar”, pas fitoreve të tyre në “Golden Globes”, janarin e kaluar. //a.i/

 

The post “Golden Globes 2026”, yjet e kinemasë garojnë për trofe appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

DANIMARKË – Frederiksen konfirmon bisedimet me Rubio, ndërsa SHBA-ja rrit presionin ndaj Groenlandës

11 January 2026 at 17:21

KOPENHAGË, 11 janar /ATSH-DPA/- Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen konfirmoi sot se ministri i saj i Jashtëm, Lars Løkke Rasmussen, do të takohet me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio për bisedime mbi Grenlandën javën e ardhshme, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës rrisin përpjekjet për ta vënë ishullin e madh Arktik nën kontrollin e tyre.

“Jemi në një udhëkryq”, tha Frederiksen gjatë një konference partiake. Ajo nuk specifikoi një vendndodhje ose kohë të saktë për takimin.

Rubio tha më herët se po planifikonte të takohej me përfaqësuesit danezë javën e ardhshme pasi Danimarka dhe Groenlanda kërkuan bisedime me diplomatin më të lartë të SHBA-së.

Groenlanda, shtëpia e më pak se 57 000 njerëzve dhe rreth katër të pestat e mbuluara nga akulli, është kryesisht autonome, por zyrtarisht pjesë e Mbretërisë së Danimarkës, një anëtare e NATO-s.

“Nëse SHBA-ja vendos të sulmojë ushtarakisht një vend tjetër të NATO-s, atëherë gjithçka do të ndalet – kjo përfshin NATO-n dhe për këtë arsye sigurinë pas Luftës së Dytë Botërore”, tha më herët Frederiksen.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka përsëritur dëshirën e tij të kahershme për të “zotëruar” Groenlandën ditët e fundit dhe administrata e tij nuk e ka përjashtuar përdorimin e forcës ushtarake për të fituar kontrollin, duke përmendur interesat e sigurisë dhe një kërcënim të perceptuar nga Kina dhe Rusia në rajon. //a.i/

The post DANIMARKË – Frederiksen konfirmon bisedimet me Rubio, ndërsa SHBA-ja rrit presionin ndaj Groenlandës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌