Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 5 February 2026Main stream

Tërmeti i 12-të në Korçë/ Regjistrohen lëkundje sizmike me magnitudë 3.9

By: M C
5 February 2026 at 21:53

Vetëm para pak minutash një tjetër tërmet ka rënë, me epiqendër në Desmirë të Maliqit, me magnitudë 3.9 të shkallës Rihter. Rajoni juglindor i Shqipërisë duket se po përjeton lëkundje sizmike të shumta dy ditët e fundit. Ky është tërmeti 12-të brenda 48 orëve në juglindje.

Sipas të dhënave sizmologjike, tërmeti i fundit është regjistruar mesditën e me magnitudë 3.2. Epiqendra ka qenë në fshatin Hoçisht, në bashkinë Devoll. Tërmeti është ndjerë lehtë nga banorët e zonës, por nuk raportohet për dëme materiale apo lëndime në njerëz.

The post Tërmeti i 12-të në Korçë/ Regjistrohen lëkundje sizmike me magnitudë 3.9 appeared first on Albeu.com.

Mbetjet e rrezikshme të Kurum/ Klodiana Lala: Grup i strukturuar kriminal, të hetohen ministrat nga SPAK

By: M C
5 February 2026 at 21:33

Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ka folur për aferën me mbetjet e rrezikshme të Kurum, e cila rezultoi në 33 masa arresti, 26 prej të cilave arrest me burg.

Lala shpjegoi kronologjikisht hetimet për atë që e konsideroi si krimin më të rëndë mjedisor dhe deklaroi se mungojnë hetimet për zyrtarë të lartë. Gazetarja shtoi se jemi përballë një grupi të strukturuar kriminal, dhe se çështja duhet të hetohet nga SPAK.

“Janë 33 masa arresti, 26 janë arrest me burg. Nga këto janë ekzekutuar 20 masa sigurie.

Në kërkim janë Erdal Demir, administratori i Kurum, edhe Yusuf Sezai Kurum, edhe ky administrator me prokurë. Gjovana Sokolaj, bashkëshorti i saj, Doni Sokolaj, ka edhe zyrtarë të tjerë që nuk janë arrestuar.

Masat e sigurisë që u firmosën nga Prokuroria e Durrësit dhe mbi bazën e përgjigjeve u konfirmua se mbetjet ishin të rrezikshme, Prokuroria iu drejtua gjykatës me kërkesë për caktimin e masës së sigurisë. Ka konfirmuar se është kryer kontrabandim i mbetjeve të rrezikshme dhe një sërë veprash penale.

Në 2024, rrjeti i Bazel ngriti një pretendim në atë kohë, që në drejtim të Tajlandës ishin nisur mbetje të rrezikshme, u konfirmua se ishin të Kurum, e cila kishte kontratë me Sokolaj shpk, këto kishin kontratë për të dërguar mbetjet për eksportim në sasinë 50 mijë ton. 2800 ton ishin nisur në 102 kontejner. Pas alarmit ngarkesa u kthye pas një kohe të gjatë, drejt Shqipërisë.

Prokuroria ka konfirmuar se Doni Sokolaj, duke e ditur se çfarë mbetjesh kishte brenda, ka shkuar deri në tone kërcënuese drejt kompanisë së transportit, që mbetjet të mos ktheheshin në Shqipëri, pasi kishte gjetur blerës të rinj në Turqi. Mbetjet u kthyen dhe mbetën në Porto Romano, nën ruajtje policore.

Fakti që u konfirmua se mbetjet janë të rrezikshme, e bën çështjen edhe më shqetësuese. Autoritetet shqiptare janë në pamundësi për të bërë asgjësimin e këtyre mbetjeve. Kurum dhe Sokolaj sipas Prokurorisë, kanë ditur që nuk kishte oksid zinku, por hiri i oxhaqeve të Kurum, në shkelje të ligjeve kombëtare dhe ndërkomëbtare.

Ka masa edhe ndaj zyrtarëtë të doganave. Ka edhe ndaj Arta Dollani, ish drejtoreshë e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, që nuk ka monitoruar sasitë e mëdha të mbetjeve të Kurum dhe shoqërive të tjera, por i ka licensuar në mënyrë të paligjshme, kjo ka sjellë pasoja.

Çfarë kam parë që nuk shkon? A mundet ky skandal të mbyllet vetëm me këta persona? Nuk mendoj se mund të mbyllet këtu.

Një nga punonjësit e Portit ka vënë në dijeni drejtorin e Portit të Durrësit, ministri aktual i mbrojtjes. Kanë patur dijeni ministra të tjerë. Gjendemi para një grupi të strukturuar kriminal.

Kompania Sokolaj nuk është rastësore, por është e dyshuar që ka kaluar edhe mbetje të tjera të rrezikshme. Janë edhe tre eksporte të tjera para kësaj. Ngrihen dyshime që edhe këto mund të kenë qenë të rerzikshme.

Gjovana Sokolaj, e motra dhe bashkëshorti, janë të përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm dhe kriminal. Mendoj se jemi para grupi të strukturuar kriminal. Duhet hetuar Kurum dhe Sokolaj. Duhet të shkojë edhe te niveli i titullarëve të institucioneve. Shkojmë në niveli drejtori doganash, tatimesh, ministri mjedisi, e me rradhë. Nuk besoj se kjo histori, grupime të strukturuar kriminale…

Pjesa e pahetuar, mbetjete e tjera të prodhuara nga Kurum, ku kanë përfunduar? Si administrohen?

Askush nuk na jep përjgigje sot. Nuk është vetëm çështje e një prokurori. Kam qenë skeptike, e kam konsideruar si çështje që mund të mbyllej. Por nuk është çështje e dy prokurorëve. Instanca shtetërore duhet të na thonë se çfarë ka ndodhur me mbetjet e Kurum. A do të ketë sekuestrim të kompanive të përfshira në këtë aktivitet? Është krimi më i rëndë mjedisor i konfirmuar deri tani.

Tonelata mbetjesh të rrezikshme që shkaktojnë kancer, dhe që pasojat ndihen edhe pas shumë vitesh.

Është lajm i mirë që u bë goditje, por Prokuroria e Durrëist duhet ta çojë në SPAK dhe institucionet e tjera shtetërore duhet të lëvizin me urgjencë”, tha Lala.

The post Mbetjet e rrezikshme të Kurum/ Klodiana Lala: Grup i strukturuar kriminal, të hetohen ministrat nga SPAK appeared first on Albeu.com.

Përfshihet nga flakët një automjet në zonën e Ujit të Ftohtë, bllokohet qarkullimi

By: M C
5 February 2026 at 21:15

Një automjet është përfshirë nga flakët mbrëmjen e sotme në zonën e Ujit të Ftohtë. Kjo ka bërë që të bllokohet qarkullimit rrugor. Sipas informacioneve paraprake, automjeti ka marrë flakë gjatë lëvizjes. Ai është përfshirë totalisht nga zjarri dhe është shkrumbëruar.

Shërbimet zjarrfikëse dhe policia kanë shkuar menjhëherë në vendngjarje. Nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa shkaqet e rënies së zjarrit mbeten ende të paqarta. Policia po heton më shumë mbi rastin.

The post Përfshihet nga flakët një automjet në zonën e Ujit të Ftohtë, bllokohet qarkullimi appeared first on Albeu.com.

Takimet e Ramës në Izrael dhe Vatikan, Berisha: Edhe po të shkojë në hënë, shkon si hajdut, narko-diktator! Është zhveshur nga çdo moralitet

By: M C
5 February 2026 at 20:52

Kreu i PD-së Sali Berisha foli me demokratët foltoren e radhës në degën 7 në Tiranë. Berisha u shpreh mbi takimet e fundit të kryeministrit Rama në Izrael dhe Vatikan.

Kryedemokrati u shpreh se edhe po të shkojë në hënë, Rama mbetet sërish hajdut, narko-diktator.

Ai shton se zhvillimet e fundit me dosjet Balluku dhe AKSHI, e kanë zhveshur nga çdo moralitet.

Berisha: Zhvillimet e fundit e kanë zhveshur nga çdo moralitet. Edhe në hënë po shkoi, shkon si hajdut narko diktator dhe nuk ka më shpresë. Ne përpiqemi, bëjmë punën tonë, por kjo punë nuk ka qenë pa rezultate. Kemi folur me vite për narko shtetin. Dhe lobistët e tij, lëshonin rrufe kundër nesh. Tani po del më shumë në skenë. Ky njeriu i hapave të mëdhenj. Del një hajdut që nuk e ka shokun në Europë. Kemi bërë që e kemi denoncuar. Do i japim duart edhe më shpejt.

The post Takimet e Ramës në Izrael dhe Vatikan, Berisha: Edhe po të shkojë në hënë, shkon si hajdut, narko-diktator! Është zhveshur nga çdo moralitet appeared first on Albeu.com.

Rogerti rrëfehet në Dhomën e Rrëfimit: Nuk më keni njohur nëse mendoni

By: M C
5 February 2026 at 20:40

Rogerti ka folur te Dhoma e Rrëfimit për izolimin e tij te dhoma e reflektimit. Banori shprehet se do mbyllë gojën dhe do rri si në burg.

Ai shton se nëse mendoni se kjo dhomë e bën të reflektojë, atëherë nuk e kemi njohur fare. Sipas tij, ai thotë gjëra që janë tabu dhe që shqiptarët i mbajnë në tru.

“Më dhemb trupi, po nuk ka problem. Do mbyll gojën dhe do rri si në burg. Hajt me e bërë burgun me 2-3 veta të paktën, por jo vetëm. Vetëm këtu shkallon, luan mendsh. Je me veten o Vëllai i Madh, o Big Brother. Je total me veten. Në qoftë se mendoni se kjo dhomë mua më bën të reflektoj, ju atëherë nuk më keni njohur mua në total fare, kaq. Reflektoj për mirë as nuk bëhet llaf, se normale duhet të ndalohesh pak, po në fund të fundit unë them gjëra që janë tabu, që shqiptarët nuk i thonë por vetëm i filtrojnë dhe i mbajnë në tru.

Unë e di që kam me vdekur pa e kuptuar ça është jeta, në qoftë se ju keni me bërë për ta kuptuar, është arritje e madhe”, ka thënë Rogerti te Dhoma e Rrëfimit.

The post Rogerti rrëfehet në Dhomën e Rrëfimit: Nuk më keni njohur nëse mendoni appeared first on Albeu.com.

“Kemi mbështetje në mbarë botën”, Berisha thirrje demokratëve: Protestat tona janë më të mirëpritura se kurrë

By: M C
5 February 2026 at 20:23

Gjatë një takimi me banorët e njësisë 7 në Tiranë, kreu i PD përsëriti sa me rëndësi janë protestat, duke i cilësuar si mision për çdo demokrat.

“Sot sigurisht është kohë tjetër. Sot është një kohë tjetër, veçse shumë punë kemi bërë për ta nxjerrë ashtu siç është. Po. Mos e harroni këtë. Nuk mund të sulmohet një qeveri pa e faturuar që ajo zhvilloi farsë dhe jo zgjedhje. Nuk ishte e lehtë kjo.

Po pse nuk ishte e lehtë? Sepse ai është një proces votim, thotë zgjedhje. Nuk janë zgjedhje ato. Ashtu zgjedhje kemi bërë ne në diktaturë çdo 4 vjet, edhe me daulle i bënim ne ato zgjedhjet në diktaturë. Fillonte daullja atje te qendra e votimit, edhe atëherë bile, se këta shkrujtën aty u administruan, administrimin më të bukur e bënte diktatura, po ta marrësh si ai. E kishte çdo gjë me, me kuadrat. Bravo po. Ndaj dhe ne filluam kryengritjen tonë. Kjo është kryengritje paqësore. Ta dinë mirë, kushdo, shqiptarë dhe miqtë e Shqipërisë. Ne nuk ndahemi. Nuk ndahemi dhe nuk mund të ndahemi. Pse? Shqiptarët mund të mos na besonin më”, tha Berisha.

“Ne jemi e vetmja forcë politike bashkë me Fidesin e Hungarisë që jemi në këmbë dhe gjallë dhe të fortë. Asnjë tjetër. Të gjitha forcat antikomuniste që u krijuan në vitet ’90 u larguan nga skena. Ne nuk u larguam. Ne kaluam periudhat më të vështira se çdo njëra prej tyre. Të akrahasueshme. Po pse mbetëm ne? Ne mbetëm absolutisht vetëm sepse mbrojtëm të vërtetat që besojmë, mbrojtëm idealet tona. Përndryshe, edhe ne do shkriheshim si bryma para diellit, siç u shkrinë të tjerat”, shtoi ai.

“Nuk ka asgjë më të vërtetë se rezultantja e mendimit qytetar, se konkluzionet, rezultantja e konkluzioneve. Shqiptarët e panë që ne jemi e vetmja shpresë e tyre. Ndaj dhe ne jemi në mision sot. Çdo demokrat e demokrate duhet të ndjejë veten në mision. Kemi bërë dy protesta.

Jua them unë ju, janë mirëpritur më shumë në memorien time, ndofta se të gjithë protestat tona.
Pse janë mirëpritur? Janë mirëpritur sepse e dinë që ky, mund t’i vesh çdo epitet, jua mori zgjedhjet. Dhe e dinë se ky ka vjedhur, i ka plaçkitur dhe tani, tani bën grusht shteti, bllokon drejtësinë. Kjo është. Mos mendojë kush se mbështetesh për arsye të tjera. Për këtë të mbështet.

Për këtë kemi mbështetjen në mbarë botën. Për këtë, ne do t’u provojmë shqiptarëve dhe botës se nuk rrimë. Ne do, ne do të ngadhënjejmë, do të triumfojmë, dhe shqiptarët do votojnë të lirë”, iu drejtua Berisha mbështetësve të tij.

The post “Kemi mbështetje në mbarë botën”, Berisha thirrje demokratëve: Protestat tona janë më të mirëpritura se kurrë appeared first on Albeu.com.

Qafa e Luadhit në Llogara “përfshihet” sërish nga flakët , dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme

By: M C
5 February 2026 at 19:46

Vetëm pak ditë më pas, një tjetër vatër zjarri është shfaqur sërish në zonën e Qafës së Llogarasë, pranë Qafës së Luadhit, duke rikthyer kështu frikën për një përshkallëzim të mundshëm të situatës.

Dyshotet se zjarrëvënia ka qënë e qëllimshme, teksa era e fortë po favorizon përhapjen e shpejtë të zjarrit drejt sipërfaqeve me bimësi.

The post Qafa e Luadhit në Llogara “përfshihet” sërish nga flakët , dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme appeared first on Albeu.com.

Vuçiç akuzon SHBA-në dhe vendet e rajonit: Kanë mbështetur dhe nxitur protestat në Serbi

By: M C
5 February 2026 at 19:32

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka akuzuar drejtpërdrejt disa vende të rajonit dhe organizata ndërkombëtare, përfshirë USAID dhe National Endowment for Democracy (NED), se kanë mbështetur dhe nxitur protestat kundër qeverisë së tij.

Vuçiç deklaroi se protestat në Serbi nuk janë vetëm shprehje e pakënaqësisë qytetare, por kanë pasur mbështetje të koordinuar nga jashtë, përfshirë shërbime sekrete rajonale dhe aktorë ndërkombëtarë.

Ai përmendi konkretisht Kroacinë, duke e akuzuar për ndikim përmes mediave dhe për mbrojtje të personave të dyshuar për krime të rënda, ndërsa shtoi se aktivitete të ngjashme kanë pasur edhe Prishtina, Tirana dhe qendra të tjera rajonale.

“USAID, NED dhe organizata të tjera ishin gjithashtu të përfshira”, tha Vuçiç, duke pretenduar se disa protestues kanë marrë trajnime dhe mbështetje financiare nga këto struktura për të organizuar protesta kundër qeverisë.

Vuçiç pranoi ekzistencën e problemeve të brendshme dhe pakënaqësive qytetare në Serbi, por theksoi se, sipas tij, këto po shfrytëzohen nga faktorë të jashtëm për të destabilizuar vendin.

The post Vuçiç akuzon SHBA-në dhe vendet e rajonit: Kanë mbështetur dhe nxitur protestat në Serbi appeared first on Albeu.com.

Dasmë mbretërore në horizont! Blerta Celibashi nis përgatitjet për ceremoninë martesore me Princ Lekën

By: M C
5 February 2026 at 19:14

Pas një divorci të bujshëm nga ish-bashkëshortja e tij Elia Zaharia, Princ Leka gjeti sërish dashurinë dhe u fejua më 11 tetor 2025, në një ceremoni private në jug të vendit me fotografen e familjes mbretërore, Blerta Celibashi.

princ leka blerta celibashi.jpg (6)

Por pas fejesës, çifti mesa duket ka nisur përgatitjet për ceremoninë martesore dhe se së shpejti do të kurorëzojnë dashurinë e tyre me një dasmë.

Ka qenë vetë Blerta ajo e cila ka ngritur dyshimet për një dasmë, pas një fotoje të publikuar së fundmi në rrjetet sociale, ku ka lënë të kuptohet se ka nisur kërkimet për fustanin e nusërisë.

Fotoja është shkrepur teksa ajo ndodhej me shpinë, duke mos zbuluar shumë detaje nga pjesa e përparme e fustanit, por vetëm vellon e gjatë.


Vetë dyshja nuk ka bërë asnjë datë zyrtare, por më herët kanë deklaruar se dasma ishte në planet e tyre.

Kujtojmë se fejesa e Princ Lekës me fotografen e familjes mbretërorë, Blerta Celibashi, erdhi pas divorcit të tij të bujshëm me aktoren Elia Zaharia.

Sipas Lekës, ndarja e tij nga Elia erdhi në disa faza. Sipas tij, fillimisht ka qenë faza emocionale, distancimi dhe më pas divorci. Siç tregon ai, ata jetonin në të njëjtën shtëpi, por të distancuar, madje edhe fotot familjare që publikonin, ishin falso.

“Kemi pasur një raport korrekt. Ndarja ka ardhur me fazë të ndryshme, ka qenë ajo faza emocionale, distancimi, kemi jetuar në një shtëpi, por të distancuar, kam qëndruar vetëm më vajzën, por nuk kishim kontakt, as fizik. Herë pas herë kemi qenë për mediat, foto, një kartolinë e bukur, por krejtësisht falso. Ka qenë faza ligjore”, tha ai i ftuar në “Mirëmbrëma Yje”.

Ndër të tjera ai zbuloi se mes tyre nuk ka pasur tradhti, pasi ai i ka treguar Elias për lidhjen që po niste me fotografen e familjes së tyre, Blerta Celibashi.

“Me të gjithë këto strese, edhe Blerta ka qenë viktime e të gjitha sulmeve, narrativeve që nuk ishin reale. Nuk ka pasur tradhti. Presion i parë që unë kam njoftuar për lidhjen time me Blertën, ka qenë pikërisht Elia. I kam thënë Elias para se të përqafohesha me Blertë, që jam takuar me Blertën”, tha ai.

The post Dasmë mbretërore në horizont! Blerta Celibashi nis përgatitjet për ceremoninë martesore me Princ Lekën appeared first on Albeu.com.

U dërgua me urgjencë në Kardiologji, ja si paraqitet gjendja shëndetësore e Alfred Moisiut

By: M C
5 February 2026 at 19:05

Ish-presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, vijon të jetë i shtruar në spitalin “Nënë Tereza”, në repartin e reanimacionit. Mësohet se gjendja shëndetësore e tij paraqitet e qëndrueshme.

Nga ekipi i mjekëve të aritmologjisë bëhet me dije se atij i është vendosur një pacemaker me dy dhoma. Pacemaker është një pajisje mjekësore që ndihmon në rregullimin e ritmit të zemrës, në rastet kur rrahjet janë shumë të ngadalta ose të çrregullta.

The post U dërgua me urgjencë në Kardiologji, ja si paraqitet gjendja shëndetësore e Alfred Moisiut appeared first on Albeu.com.

Vrasja e Nezir dhe Gentjan Beqirit në 2012-ën, Gjykata e Lartë lë në fuqi dënimin me burg përjetë për Ardjan dhe Florenc Çapjan

By: M C
5 February 2026 at 18:44

Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi vendimin e Apelit të GJKKO për dënimin me burg përjetë të Florenc Çapjas dhe xhaxhait të tij, Ardian Çapja.

Ata janë shpallur fajtor për vrasjen e babë e bir, Nezir dhe Gentian Beqirit në vitin 2012.

Gjyqtarët rrëzuan rekursin e paraqitur nga Ardjan Çapja, Florenc Çapja, Etjen Cani, Klajdi Dokoli, Ervis Bardhi, duke miratuar vendimin e Apelit të Posaçëm të datës 15 nëntor 2023.

Klajdi Dokoli dhe Etjen Cani u dënuan me 25 vite heqje lirie, ndërsa Ervis Bardhi me 15 vjet heqje lirie.

Sipas Apelit të GJKKO, Ardian Çapja dhe Florenc Çapja u dënuan për veprat penale si “vrasje në rrethana të tjera cilësues”, “grup të strukturuar kriminal”, “prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake”, si “mbajtje pa leje e armëve të ftohta”.

Ndërsa anëtarët e tjerë të bandës, duke përfshirë këtu, Ervis Bardhin, Klajdi Dekolli dhe Etjen Canin, do të dënohen me 15 deri në 25 vite burg për veprën penale, “vrasje në rrethana të tjera cilësuese” si dhe “grup i strukturuar kriminal”.

Ervis Bardhi është ai që ka treguar me detaje vrasjen e ndodhur në vitin 2012 në Elbasan.

VRASJA E GENTIAN DHE NEZIR BEQIRIT

Ata u vranë në banesën e tyre, ku Gentian Beqiri allias Ardian Meta ishte në “Arrest shtëpie” dhe ruhej me dy policë në derën e shtëpisë, pasi akuzohej si autor i vrasjes së biznesmenit të njohur Sokol Çapja, ngjarje kjo e ndodhur në dhjetor të vitit 2005, i cili dyshohet se u pagua nga pjesëtarët e një fisi tjetër.

Vrasja e Gentian Beqirit, është kryer në ambientet e brendshme të banesës së tij, që ndodhet në lagjen “Sporti i vjetër” në Elbasan, ku teksa qëndronte i shtrirë në krevat pasi ishte i paralizuar.

Ai është qëlluar për vdekje me 7 plumba të një pistolete me silenciator dhe më pas, në dalje, dy autorët, mbytën edhe të atin e tij, Nezir Beqiri. Kjo ndodhi ndërkohë që jashtë derës së shtëpisë ruanin dy efektivët e policisë, të cilët u akuzuan më pas për “Shpërdorim detyre”.

DINAMIKA E NGJARJES

Polici Neshat Budani 11 vite më parë ishte me 2 kolegët e tij në ruajtje të apartamentit të Gentian Beqirit, ku prindërit e tij kishin vendosur dy karrige. Neshat Budani ka shkuar në makinën e tij për të bërë mjekimin me “Insulinë”, (pasi rezultonte se ky polic vuan nga sëmundja e diabetit) dhe si ka kryer mjekimin ka qëndruar rreth 15 minuta i shtrirë në automjetin e tij, ndërkohë që Sami Derstila vazhdonte të qëndronte brenda në automjetin e tij, duke vazhduar ngrënien e mëngjesit.

Pikërisht në këtë moment, Etien Cani dhe Elvis Bardhi kanë shfrytëzuar neglizhencën e dy policëve që ruanin Gentianin, dhe kanë ngjitur shkallët e pallatit. Në banesë ndodheshin Gentian Beqiri, që flinte gjumë, dhe babai i tij, Neziri. Autorët kanë trokitur në derë dhe ajo është hapur nga Neziri.

I moshuari është rrahur barbarisht nga Etien Cani dhe Elvis Bardhi, duke pësuar infarkt në zemër dhe ka vdekur në korridor. Ndërsa Gentiani është qëlluar me plumba në kokë dhe trup, teksa flinte në krevat! Dy vrasësit kanë përdorur pistoletë me silenciator ndërkohë që janë larguar me shpejtësi, pa u vënë re nga dy policët që ndodheshin jashtë pallatit. Pas rreth 30 minutash, punonjësi i policisë, Sami Derstila, si ka përfunduar mëngjesin është ngjitur në katin e pestë të pallatit, pikërisht në banesën e Gentian Beqirit, për të kryer kontrollin e të arrestuarit.

Si është afruar në derën e jashtme të banesës, fillimisht ka trokitur e më pas është futur në ambientet e brendshme të banesës. Sapo është futur brenda, Sami Derstila ka gjetur në korridor të shtrirë në dysheme Nezir Beqirin babai i të arrestuarit Gentian Beqiri), i cili kishte shenja dhune. Sami Derstila, është munduar t’i japë ndihmën e parë pasi Nezir Beqiri, kishte shenja jete, por nuk ka mundur dot të flasë.

Sami Derstila, menjëherë ka thirrur Neshat Budanin, ndërkohë që ka hyrë në dhomën e gjumit ku ndodhej i arrestuari Gentian Beqiri. Në këtë moment ka mbërritur dhe Neshat Budani dhe si kanë hyrë brenda në dhomë, kanë gjetur të vdekur në krevatin e tij Gentianin. Dy punonjësit e Policisë kanë dalë menjëherë nga banesa për të konstatuar ndonjë person të dyshuar dhe disa metra larg kanë parë të largohen persona të panjohur.

The post Vrasja e Nezir dhe Gentjan Beqirit në 2012-ën, Gjykata e Lartë lë në fuqi dënimin me burg përjetë për Ardjan dhe Florenc Çapjan appeared first on Albeu.com.

Aksident rrugor në Tiranë/ Automjeti përplas këmbësoren, ndërron jetë në spital 65-vjeçarja

By: M C
5 February 2026 at 18:19

Një aksident i rëndë ka ndodhur në Bathore. Automjeti me drejtues një 40-vjeçar, ka humbur kontrollin dhe ka përplasur një këmbësore. Si pasojë e kësaj, ka humbur jetën në spital 65-vjeçarja.

Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në Komisariat, për veprime të metejshme procedurale. Grupi hetiomor po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit fatal.

Tiranë/Informacion paraprak

Më datë 05.02.2026, rreth orës 16:30, në Bathore, automjeti me drejtues shtetasin E. B., rreth 40 vjeç, ka përplasur këmbësoren shtetasen Sh. Sh., rreth 65 vjeçe, e cila për pasojë ka humbur jetën në spital.

Drejtuesi i automjetit u shoqërua në Komisariat për veprime të metejshme procedurale. Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e rrethanave të aksidentit.

The post Aksident rrugor në Tiranë/ Automjeti përplas këmbësoren, ndërron jetë në spital 65-vjeçarja appeared first on Albeu.com.

Dj Gimbo “hap zemrën” me Selinin: Babi e divorcoi mamin vetëm se ajo iku vizitë te prindërit e saj pa e pyetur

By: M C
5 February 2026 at 17:58

Dj Gimbo i ka hapur zemrën Selinit në lidhje me ndarjen e prindërve të tij.

Banori u shpreh se se si për “motive kot” siç i quan ai, pridnërit e tij sot edhe pse kanë shtatë fëmijë bashkë, janë të divorcuar.

Divorci erdhi për shkak të moskontrollimit të nervave të babait të Gimbos, i cili kur një ditë mori vesh se gruaja e tij nuk ndodhej në shtëpi sepse kishte shkuar vizitë të nëna e saj, ky i fundit u revoltua.

Dj Gimbo u shpreh se pavarësisht këmbënguljes së tij, babai pa u menduar dy herë, kishte vendosur të divorcohej nga mamaja.

Rrëfimi i Gimbos: Ka shku mami te gjyshja, shkoi te nëna e saj se nuk e kishte parë që një muaj edhe ka dashur të rrijë një natë, se shyqyr që e ka hala. Edhe babai e kishte marrë vesh që mami ka shkuar te nëna e vetë. Edhe vjen mami në shtëpi, hyn brenda….mami edhe babi edhe që kanë jetu me një shtëpi nuk është edhe që kanë pas shumë kontakt njëri me tjetrin, njëri në sallon tjetri në kuzhinë… për shkaqe të kota. Edhe kur babi e sheh që mami hyri brenda i thotë që duhesh me dalë, edhe mami çka bën, del edhe shkon te banesa e motrës që e kam në Gjermani edhe e ka një banesë në Istog. Aty afër jo larg edhe mami shkon në banesë aty. U thashë pse cfarë ndodhi, më trego. Gëzim më tha, babi e nxjerrë mamin prej shtëpisë. Thashë: qysh?? Tha po, thashë okay. As nuk e di se si kam arritur Prishtinë, as nuk e di si kam shku në Istog se nuk mbaj mend asgjë. Shkova mirë boll, u mundova me babin, doja të flisja me të, për t’i mbushur mendjenpër të mos nxituar me veprimin se jemi shtatë fëmijë, i thashë mos u ngut. Më tha jo! Atëherë mami iku duke jetuar me motrën time në Gjermani.

The post Dj Gimbo “hap zemrën” me Selinin: Babi e divorcoi mamin vetëm se ajo iku vizitë te prindërit e saj pa e pyetur appeared first on Albeu.com.

Kontratat e energjisë, FSHU në terren për verifikim të bizneseve që “kamuflohen” si familjarë

By: M C
5 February 2026 at 17:44

Subjekte të veçanta private që ushtrojnë aktivitet në kate të sipërme të ndërtesave shumëkatëshe po verifikohen nga grupe të Furnizuesit e Mundësisë së Fundit që kanë dalë në terren në mënyrë që kontrata e tyre të përputhen me tarifat respektive. Në disa raste këto biznese nuk kanë rifreskuar të dhënat e kontratës duke e mbajtur atë si klient familjar e për rrjedhojë duke paguar tarifa 8.5-9.5 lekë kWh dhe jo 14 lekë kWh sikurse u takon.

“Furnizuesi i Shërbimit Universal, FSHU pjesë e OSHEE Group, vijon procesin për përditësimin e kontratave të energjisë elektrike për të gjithë kategoritë e klientëve me qëllim ndryshimin e tarifimit sipas sistemit të ri të pagesës së energjisë.

FSHU ka ngritur grupe kontrolli në terren të cilët kanë konstatuar subjekte private që ushtronin aktivitetin e biznesit, kryesisht shërbime dhe që tarifoheshin me 8.5-9.5 lek/kWh si klientë familjarë, jo 14 lek/kWh, tarifa e miratuar për klientët biznes. FSHU, pjesë e OSHEE Group, fton të gjithë bizneset, organizatat jofitimprurëse (OJF-të), si dhe personat fizikë që veprojnë si biznese, të verifikojnë dhe përditësojnë kontratën e tyre të energjisë, nëse rezultojnë ende të regjistruar si klientë familjarë” thuhet në një njoftim të FSHU.

Pse është i nevojshëm ky proces?

FSHU vlerëson se procesi i verifikimit të kontratave të energjisë për subjektet private është i nevojshëm për një tarifim të drejtë bazuar në sistemin e ri të pagesave sipas aktivitetit të biznesit. Kompania shprehet se klasifikimi i pasaktë në sistem, ka ardhur si pasojë e regjistrimeve të vjetra, mungesës së përditësimeve apo ndryshimeve në përdorimin real të objektit.

“Përmes këtij procesi, FSHU u bën thirrje subjekteve të ndërgjegjësohen dhe të bashkëpunojnë me grupet e kontrollit në terren, me qëllim ndryshimin e tarifimit nga familjar në jofamiljar, duke shmangur penalitetet” nënvizon FSHU.

Kush përfshihen në këtë proces përditësimi?

Kompania ka bërë një përmbledhje të atyre që përshihen në procesin e përditësimit dhe mënyrën sesi ai po kryhet.

“Në procesin e përditësimit përfshihen të gjithë subjektet që kryejnë veprimtari ekonomike në emër të një personi fizik apo juridik, të cilët e përdorin energjinë për qëllime biznesi (zyra, dyqane, punishte, qendra shërbimi etj.), apo që janë të regjistruar si OJF, por në praktikë konsumojnë energji për funksione të ngjashme me ato të subjekteve ekonomike.

Ky proces nuk prek klientët që janë realisht konsumatorë familjarë dhe e përdorin energjinë vetëm për qëllime banimi. Procesi është i thjeshtë dhe përfshin verifikimin e kontratës aktuale të energjisë elektrike (nëse është familjare apo biznes), plotësimin e një kërkese për ndryshim të kategorisë, bashkëngjitjen e dokumentacionit përkatës, që vërteton natyrën ekonomike të aktivitetit (NIPT, ekstrakt QKB etj.).

Përditësimi i kontratave mund të bëhet lehtësisht në sportelet e Qendrave të Kujdesit të Klientit të FSHU-së, pjesë e OSHEE Group, ose online, përmes platformës online, web-it zyrtar të kompanisë dhe aplikacionit të OSHEE-së.

FSHU dhe OSHEE Group u bëjnë thirrje të gjitha subjekteve të mos e shtyjnë këtë proces dhe të përfitojnë nga mundësia për përditësim të dhënash dhe ndryshim tarifimi, duke garantuar një sistem më të rregullt dhe funksional për të gjithë,” thuhet në njoftimin e operatorit./Monitor.al

The post Kontratat e energjisë, FSHU në terren për verifikim të bizneseve që “kamuflohen” si familjarë appeared first on Albeu.com.

I vëllai përmendet në dosjet e çështjes ‘Epstein’, Mbreti Charles injoron pyetjet e gazetarëve për Dukën Andrew

By: M C
5 February 2026 at 17:20

Mbreti Charles III ka injoruar pyetjet lidhur me publikimin e dokumenteve të reja të çështjes Jeffrey Epstein, ku përmendet vëllai i tij, ish-Princi Andrew, gjatë një vizite publike në Dedham, në Essex.

Një gazetar i drejtoi Mbretit një pyetje për dosjet Epstein, teksa ai përshëndeste qytetarët, por Mbreti nuk reagoi.

Më herët, Mbreti dhe Mbretëresha zhvilluan disa angazhime në fshat, përfshirë takime me vendasit në një pub dhe një shëtitje përgjatë rrugës kryesore.

Vëllai i Mbretit, Princi Andrew, përmendet sërish në publikimin e fundit të dosjeve Epstein. Megjithatë, përfshirja në këto dokumente nuk përbën provë për shkelje. Princi Andrew ka mohuar vazhdimisht çdo akuzë që lidhet me krimet e Epstein.

The post I vëllai përmendet në dosjet e çështjes ‘Epstein’, Mbreti Charles injoron pyetjet e gazetarëve për Dukën Andrew appeared first on Albeu.com.

EMRAT/ GJKKO dënon tre persona për ndikim mbi zyrtarët e drejtësisë! Mes tyre dhe ish-shefi i Komisariatit, Erion Dani

By: M C
5 February 2026 at 16:58

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dorëzuar pranë Gjykatës kërkesën për gjykimin e çështjes penale nr. 177/1, ndaj tre të pandehurve: Musa Gjikola, Erjon Dani dhe Vilson Roçi.

Gjykimi u zhvillua me procedurë të shkurtuar dhe, më datë 5 shkurt 2026, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Rudina Palloj, Atalanta Zeqiraj dhe Flojera Davidhi, vendosi:

Musa Gjikola u shpall fajtor për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” (episodi 1) dhe u dënua fillimisht me 1 vit e 6 muaj burgim.

Në bazë të uljes 1/3 të dënimit, ai do të vuajë 1 vit burgim nga data e arrestimit më 11 korrik 2025.

Erjon Dani u shpall fajtor për të dy episodet e akuzës për “Ushtrimin e ndikimit të paligjshëm ndaj personave publikë” dhe u dënua fillimisht me 2 vite për secilin episod.

Pas bashkimit të dënimeve dhe zbritjes 1/3, dënimi përfundimtar është 2 vite burgim, gjithashtu duke filluar nga momenti i arrestimit më 11 korrik 2025. Ai u shpall i pafajshëm për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”.

Vilson Roçi u shpall fajtor për dy episode të veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave publikë” dhe u dënua fillimisht me 1 vit e 6 muaj për secilin rast. Pas bashkimit dhe uljes 1/3, dënimi përfundimtar është 1 vit burgim, i cili do të fillojë nga data e arrestimit më 11 korrik 2025.

Gjykata vendosi gjithashtu që shpenzimet procedurale dhe gjyqësore të ngarkohen solidarisht tek të pandehurit e shpallur fajtorë. Zbatimi i vendimit i ngarkohet SPAK-ut, ndërsa kundër tij mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar brenda 15 ditëve.

The post EMRAT/ GJKKO dënon tre persona për ndikim mbi zyrtarët e drejtësisë! Mes tyre dhe ish-shefi i Komisariatit, Erion Dani appeared first on Albeu.com.

Banorët e Durrësit protestojnë para Bashkisë, kundër TID: Projekt korruptiv, duam dialog dhe zgjidhje

By: M C
5 February 2026 at 16:33

Grupimi Qytetar kundër Projektit TID në Durrës, ka zhvilluar këtë të enjte protestën e radhës para Bashkisë.

Anëtarët e familjeve që preken nga prishjet e banesave dhe bizneseve në zonën historike të qytetit, kanë kërkuar sot nga institucioni i qeverisjes vendore, që të ulet në tryezë bashkëbisedimi me ta, ashtu siç ka rekomanduar edhe AADF gjatë takimit të zhvilluar me banorët më 19 janar.

Banorët janë kundër atyre që ata i konsiderojnë tentativa të bashkisë për t’u gjetur sistemime në banesa sociale.

Protestës së sotme ju bashkuan edhe eksponentë të Partisë Demokratike, si deputeti Igli Cara dhe kreu i degës lokale, Ardian Muka.

Në një prononcim për mediat, deputeti Cara dënoi heshtjen e bashkisë Durrës dhe e cilësoi korruptiv projektin që po zhvillohet nga institucionet shqiptare dhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim.

Përfaqësuesit e familjeve që preken nga projekti kërkojnë me ngulm ngritjen e një Komisioni Hetimor në Këshillin Bashkiak Durrës për verifikimin e procedurave, shkeljeve ligjore dhe mungesës së transparencës siç i konsiderojnë ata hapat e ndjekur nga bashkia dhe Ministria e Kulturës gjatë 5 viteve të fundit.

Ata u shprehën se “duhet të mbahen larg duart nga banesat dhe pronat e qytetarëve”, duke kërkuar dialog dhe zgjidhje.

The post Banorët e Durrësit protestojnë para Bashkisë, kundër TID: Projekt korruptiv, duam dialog dhe zgjidhje appeared first on Albeu.com.

Yesterday — 4 February 2026Main stream

Horoskopi 4 Shkurt 2026, zbuloni parashikimin e yjeve për shenjën tuaj

By: M C
3 February 2026 at 23:48

Dashi

Bëni mirë që ti shtyni për një moment tjetër gjërat më të rëndësishme, pasi nervozizmi do të dominojë gjatë ditës. Venusi do të ndikojë në dashuri pozitivisht dhe do të mund të keni diçka të bukur. Në punë, mos kërkoni të pamundurën, por mundohuni që të kënaqeni me çka keni.

Demi

Lini pas shpine gjithë ata që nuk ju duan dhe që nuk ju marrin në konsideratë siç dëshironi. Marsi do të ketë ndikim negativ, por komunikimi në këtë moment do të jetë më i rëndësishëm se kurrë. Në punë duhet të sqaroni çdo gjë që nuk shkon.

Binjakët

Duhet të qëndroni pozitiv dhe të tregoheni të kujdesshëm me nervozizmin. Duhet ta shfrytëzoni këtë periudhë për të bërë njohje të reja. Në punë, këshillohet që të ruani qetësinë.

Gaforrja

E mërkura do të mbyllet me një lodhje ekstreme. Në dashuri gjërat do të ecin mirë dhe do të ketë rikuperim. Ndërsa në punë duhet të rrini të qetë dhe të mundoheni që të mos acaroheni, gjë e cila do të jetë e vështirë në këto momente.

Luani

Ju pret një ditë pozitive, por mundohuni që të mos lodheni shumë. Në dashuri keni mundësi që të kapërceni një krizë, pasi emocionet e reja do të dominojnë. Në punë keni nevojë për ndryshim.

Virgjëresha

Dashuria do të jetë mjaft e komplikuar, thuajse trysnuese. Duhet durim për të kaluar vështirësitë. Ndikimi i kundërt i Venusit nuk do ua bëjë aspak të lehtë ditën. Përmirësime priten në sferën profesionale.

Peshorja

Gjatë kësaj dite duhet të sforcoheni në mënyrë që të bëni që të funksionojnë gjërat në dashuri. Nëse ka pasur probleme, duhet ti zgjidhni. Me financat duhet të bëni kujdes.

Akrepi

Hëna do të ketë ndikim pozitiv në dashuri. Keni nevojë për organizim, në mënyrë që të shijoni çdo moment. Në punë, nëse keni pasur probleme apo debate, ka ardhur momenti për ti kapërcyer.

Shigjetari

Në dashuri mund të ketë probleme dhe debate, ku zgjidhja e tyre do të varet vetëm nga partneri/ja. Në punë, Saturni do të plotësojë dëshirën për ndryshim.

Bricjapi

Gjatë kësaj dite do të ndiheni në ankth dhe nervoz. Shqetësimet nuk do të mungojnë. Ndikimi i kundërt i Hënës do të krijojë disa shqetësime, shkruan noa.al. Në punë, keni dëshirë për ndryshim.

Ujori

Dashuria do të jetë mjaft e favorizuar, ku edhe zemrat e vetmuara do të kenë mundësi të njohin dikë. Duhet bërë kujdes veçse me luhatjet e humorit. Në punë mundohuni që të ruani qetësinë, por irritimi gjatë kësaj dite është thuajse i pashmangshëm.

Peshqit

Hëna do të ketë ndikim të favorshëm, por kjo gjë nuk mjafton, pasi në dashuri do të ketë sërish probleme. Nëse jeni vetëm do të merrni përgjigje pozitive, por do të ketë shumë gjëra mbi të cilat duhet të reflektoni. Marrja e një vendimi, nuk do të jetë aq e lehtë sa e kishit menduar.

The post Horoskopi 4 Shkurt 2026, zbuloni parashikimin e yjeve për shenjën tuaj appeared first on Albeu.com.

Iu afrua aeroplanmbajtësit amerikan, SHBA-ja rrëzon një dron iranian

By: M C
3 February 2026 at 23:40

Ushtria amerikane e ka rrëzuar një dron iranian që “në mënyrë agresive” po i afrohej aeroplanmbajtësit USS Abraham Lincoln në Detin Arabik, tha ushtria amerikane përmes një njoftimi më 3 shkurt.

Droni iranian Shahed-139 po fluturonte drejt aeroplanmbajtësit “me qëllim të paqartë” dhe u rrëzua nga një avion luftarak amerikan F-35, u tha në njoftim.

“Një avion luftarak F-35C nga aeroplanmbajtësi Abraham Lincoln e rrëzoi dronin iranian në vetëmbrojtje, me qëllim mbrojtjen e aeroplanmbajtësit dhe personelit në bord”, tha kapiteni i Marinës amerikane, Tim Hawkins, zëdhënës në Komandën Qendrore të ushtrisë amerikane.

Ai shtoi se asnjë pjesëtar i ushtrisë amerikane nuk është lënduar gjatë incidentit dhe asnjë pajisje e ushtrisë nuk ka pësuar dëme.

Incidenti ndodhi në kohën kur diplomatët po përpiqen të organizojnë bisedime bërthamore mes Iranit dhe SHBA-së dhe mes paralajmërimeve të presidentit amerikan, Donald Trump, se luftanijet amerikane janë nisur drejt Iranit dhe se “gjëra të këqija” mund të ndodhin nëse nuk arrihet një marrëveshje.

Ushtria amerikane ka dislokuar në afërsi të brigjeve të Iranit një grup sulmues detar, të udhëhequr nga aeroplanmbajtësi USS Abraham Lincoln.

Presidenti Trump nuk e ka përjashtuar mundësinë e një veprimi ushtarak ndaj Iranit, si kundërpërgjigje ndaj shtypjes brutale të protestave antiqeveritare që shpërthyen në fund të dhjetorit në mbarë Iranin./REL

The post Iu afrua aeroplanmbajtësit amerikan, SHBA-ja rrëzon një dron iranian appeared first on Albeu.com.

Merrnin rryshfet e shkelin rregullat e qarkullimit/ Policia e Shtetit pezullon 5 efektivë, mes tyre edhe efektivi që iu përgjigj me armë autorëve gjatë atentatit në Rrilë të Lezhës

By: M C
3 February 2026 at 23:13

Policia e Shtetit ka pezulluar nga detyra 5 punonjës policie. Blutë sqarojnë, se dy prej këtyre efektivëve, të cilët punonin në Fier, janë pezulluar nga detyra pas qarkullimit të një video, ku njëri prej tyre dukej se po merrte ryshfet nga një drejtues automjeti, për të shmangur gjobën.

Gjithashtu edhe ndaj dy efektivëve të sipërpërmendur ka filluar hetimi disiplinor për shkelje të rëndë për këtë rast. Ndërkohë Policia e Shtetit ka pezulluar edhe tre efektivë të tjerë, punonjës në Komisariatet e Lezhës, Matit e Krujës, mes tyre edhe Besart Kovaçi. Ky i fundit është i përfshrië në në atentatin në berberhane të dielën në Lezhë, i cili qëlloi 10 herë me armë zjarri.

Njoftimi i policisë:

Në lidhje me një video të postuar në rrjetet sociale, ku duken dy punonjës të Qarkullimit Rrugor, njëri prej të cilëve dyshohet se ka marrë ryshfet nga drejtuesi i automjetit për të shmangur masën administrative, ju informojmë se:

Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka pezulluar menjëherë nga detyra inspektor Sh. Ç. dhe inspektor I. L., me detyrë trupë shërbimi trafiku urban/interurban në Seksionin e Trafikut Urban/Interurban, në Sektorin e Policisë Rrugore, në DVP Fier, për shkelje disiplinore të parashikuar nga neni 121, pika 1, germa “m”, e Ligjit nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”, “Kryerja e veprimeve që cenojnë rëndë imazhin e punonjësit të policisë, institucionin apo shërbimin policor në tërësi”.

Pezullimi disiplinor u bë pasi, duke qenë në shërbim, kanë kryer veprime në shkelje të procedurave standarde të punës gjatë kontrollit të një drejtuesi mjeti, si dhe dyshohet për kryerje të veprimeve korruptive. Ndaj këtyre punonjësve ka filluar hetimi disiplinor për shkelje të rëndë.

Gjithashtu, nga Drejtoria e Standardeve Profesionale janë pezulluar nga detyra edhe tre punonjës policie, konkretisht:

– Inspektor B. K., i cili më datë 02.02.2026 është ndaluar me urdhër të Prokurorit, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Rrilë të Lezhës më datë 01.02.2026.

– Inspektor E. P., me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Mat, pasi dyshohet për përdorim të lëndëve narkotike.

– Inspektor E. B., me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Krujë, pasi më datë 02.02.2026 është arrestuar nga AMP, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor”.

The post Merrnin rryshfet e shkelin rregullat e qarkullimit/ Policia e Shtetit pezullon 5 efektivë, mes tyre edhe efektivi që iu përgjigj me armë autorëve gjatë atentatit në Rrilë të Lezhës appeared first on Albeu.com.

❌
❌