Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor dhe në koordinim me njësitet dhe institucionet relevante, ka realizuar ekstradimin e një shtetasi të Maqedonisë së Veriut drejt vendit të tij.
Personi i ekstraduar ishte arrestuar më herët nga njësitet e Policisë së Kosovës, pasi i njëjti kërkohej me urdhër arresti ndërkombëtar nga institucionet e drejtësisë së Maqedonisë së Veriut. I dyshuari ishte i arratisur nga burgu, ku po vuante dënimin për veprën penale “Grabitje”.
Procesi i ekstradimit është kryer në përputhje me procedurat ligjore në fuqi dhe falë bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe atyre të Maqedonisë së Veriut.
Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor ka bërë të ditur se do të vazhdojë shkëmbimin e informacionit dhe koordinimin me institucionet vendore, shtetet partnere dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të aktiviteteve kriminale, si dhe gjurmimin, kapjen dhe arrestimin e personave dhe grupeve kriminale.
Policia e Kosovës ka ritheksuar përkushtimin e saj në zbatimin e ligjit dhe forcimin e sigurisë, si në nivel vendor ashtu edhe ndërkombëtar./Telegrafi/
Koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokuroja Laura Pula, e shoqëruar nga menaxheri i projektit strategjik “Mbrojtja e votës”, Besim Kusari pritën në takim pune zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, kolonel Fehmi Hoti dhe drejtorin e departamentit të rendit Publik në Policinë e Kosovës nënkolonel Arbnesh Ajvazi.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se temë e diskutimeve të këtij takimi ishte fillimi i hetimeve paraprake lidhur me mospërputhjen e votave gjatë numërimit brenda subjekteve politike për deputet të Republikës së Kosovës.
"Koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokuroja Laura Pula, informoi të pranishmit se pas evidentimit të mospërputhjeve të votave gjatë numërimit brenda subjekteve politike për deputet, në rajone të ndryshme të Republikës së Kosovës, ka kërkuar nga kryeprokurorët e të gjitha prokurorive themelore që në të gjitha komunat, ku ka përfunduar procesi i rinumërimit të votave, të fillojnë grumbullimin e informatave të nevojshme dhe të sigurojnë prova relevante, që vërtetojnë kryerjen e ndonjë vepre penale që ndërlidhet me procesin zgjedhor", thuhet në njoftim.
Ndërkaq, në njoftim thuhet se më tej koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokuroja Laura Pula theksoi se pasi që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi që të ketë rinumërim të plotë në të gjitha komunat, Prokurori i Shtetit do të fillohej grumbullimin e provave të nevojshme në nivel vendi.
Nga ana tjetër zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Fehmi Hoti potencoi se Policia e Kosovës ka kapacitete të mjaftueshme dhe në kuadër të kompetencave që ka do t’i shërbej kërkesave të prokurorëve të shtetit. /Telegrafi/
Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar opinionin publik për një aksion të zhvilluar sot në kuadër të një hetimi penal, me urdhër të Gjykatës kompetente dhe bazuar në kërkesën me shkrim të Prokurorit të Shtetit.
Deri më tani, janë arrestuar katër persona: dy zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” (neni 414 i Kodit Penal të Kosovës), të cilët dyshohet se kanë lëshuar certifikata për pajisje me leje armësh pa iu nënshtruar procedurave ligjore, dhe dy persona të tjerë për veprën penale “Pranimi i ryshfetit në sektorin privat” (neni 309 i KPRK-së).
Prokuroria njofton se gjatë urdhër-kontrollit janë sekuestruar dokumente të rëndësishme, të cilat do të shërbejnë për zhvillimin e mëtejshëm të hetimeve.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim dhe koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, mbetet e përkushtuar në luftimin e kryerjes së veprave penale dhe në sundimin e ligjit,” thuhet në njoftim.
Prokurori i Shtetit do të parashtrojë brenda afatit ligjor kërkesë për caktimin e masës së sigurisë ndaj të pandehurve, ndërkohë që hetimet për këtë çështje vazhdojnë. /Telegrafi/
Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të vjedhjes së rëndë që ka ndodhur sot në një lokal në rrugën "Agim Ramadani" në kryeqytet.
Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, ka konfirmuar për Telegrafin se informatën e kanë pranuar sot rreth orës 10:00.
“Sot rreth orës 10:00 kemi pranuar informatën për një rast vjedhje e rëndë, që ka ndodhur në një lokal, në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë. Zyrtarët nga Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme-Prishtinë, në koordinim të plotë me prokurorinë janë duke punuar për zbardhjen e rastit si dhe identifikimin e personave të dyshuar”, ka thënë Pllana.
Ai ka shtuar se hetimet lidhur me këtë rast po vazhdojnë./Telegrafi/
Të dielën rreth orës 17:45, pas një mosmarrëveshje mes dy personave në fshatin Randobrave, Prizren njëri prej tyre dyshohet se ka marrë armën dhe ka kanosur personin tjetër, fqinjë i tij.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se policia ka identifikuar të dyshuarit dhe me urdhër të prokurorit përgjegjës është bastisur shtëpia e tij.
“Gjatë bastisjes janë hasur dhe sekuestruar: një revole me dy karikator me 30 fishekë, një pushke gjuetie pa fishekë dhe një pushke luftarake me një karikator pa fishekë”, thuhet në njoftim.
Tutje bëhet e ditur se sektori Rajonal i Hetime nga Drejtoria Rajonale në Prizren është duke e hetuar rastit.
“I dyshuari me aktvendim te prokurorit është ndaluar për në ndalim policor për 48 ore. Kundër tij është filluar procedura penale për veprat penale ‘Posedim i paautorizuar i armës dhe municionit’ dhe ‘ Kanosje’ “.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e veprave penale që lidhen me armëmbajtjen dhe përdorimin e tyre. /Telegrafi/
Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ka dhënë detaje lidhur me aksionin e zhvilluar sot në kryeqytet.
Kontrollet u kryen në katër lokacione të ndryshme, përfshirë dy shtëpi private, një lokal afarist dhe një zyrë, në koordinim me Prokurorinë Themelore Prishtinë dhe me urdhër të Gjykatës Themelore Prishtinë.
“Përmes hetimeve të zhvilluara, ku janë aplikuar masat e veçanta të hetimit, janë siguruar dëshmi të mjaftueshme për të dëshmuar veprat penale si: ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ dhe ‘marrja e ryshfetit në sektorin privat’”, thuhet në njoftim.
Lidhur me rastin, policia njofton se në mesin e të arrestuarve janë tre burra dhe një grua.
“Dyshohet se katër persona të dyshuar (nga ta tre meshkuj kosovarë dhe një femër kosovare) janë përfshirë në veprat penale të lartcekura, duke marrë ryshfet nga persona të ndryshëm të cilët janë pajisur me certifikatë për leje të armës pa prezencën e tyre, siç e parasheh ligji dhe procedurat tjera vijuese”, ka njoftuar policia.
Gjatë kontrollit, Policia sekuestruar 7 telefona celularë, dosje dhe dokumente relevante në lidhje me rastin, ndërsa personat e dyshuar janë intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje deri në 48 orë. /Telegrafi/
Sektori Rajonal i Hetimeve nga Drejtoria Rajonale në Prizren është duke zhvilluar hetime lidhur me veprën “Vrasje në tentative”, konkretisht 05.01.2026, rreth orës 22:50, policia ka pranuar informacion se në rrugën “Ali Hadri”, në Prizren, kishte të shtëna me armë zjarri.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se si pasojë e të shtënave kishte edhe persona të plagosur, të cilët ishin dërguar në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Prizrenit për trajtim mjekësor.
"Sipas ekipit mjekësor, dy personat e plagosur ishin jashtë rrezikut për jetë dhe vazhdojnë trajtimin e mëtejmë mjekësor. Rasti është duke u hetuar dhe nga policia, janë identifikuar dhe arrestuar e personave të përfshirë në rast, por njeri nga të dyshuarit është ende në arrati, ai është: - Egzon Besim Reshani, i lindur më 05/07/1992, me banim në Rr. Shkelzen DRAGAJ, nr. 10 Prizren", thuhet nën njoftim.
Tutje bëhet e ditur se me qëllim të ndriçimit të rastit kërkohet bashkëpunim-ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, që do të na ndihmonin në arrestimin e të dyshuarit.
"Andaj kërkojmë bashkëpunim nga të gjithë qytetarët, që nëse kane çfarëdo informate apo din diçka për vendndodhjen e të dyshuarit në foto, të raportojnë policinë në Prizren në numrin 192, në rrjetet sociale, apo në cilin do stacion të policisë në Kosovë", thuhet në njoftim. /Telegrafi/
Një aksion po zhvillohet në Prishtinë në koordinim mes Prokurorisë Themelore dhe Policisë së Kosovës.
Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala ka konfirmuar për Telegrafin se është duke u zhvilluar një aksion ndaj katër personave për vepra të ndryshme penale.
Sipas Shalës, dy persona po hetohen për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, në bazë të nenit 414, paragrafi 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Ndërkohë, dy persona të tjerë janë nën hetime për veprën penale “Pranimi i ryshfetit në sektorin privat”, sipas nenit 309 të KPRK-së.
Zëdhënësja Shala ka shtuar se aksioni është duke vazhduar ende dhe se për më shumë detaje do ju njoftojmë me kohë. /Telegrafi/
Një person është arrestuar pasi dyshohet se kishte kanosur dhe sulmuar një tjetër qytetar, duke prezantuar gjatë incidentit një pistoletë.
Rasti ka ndodhur në fshatin Randobravë të Prizrenit.
Njësitë policore reaguan menjëherë ndaj rastit dhe, me urdhër të prokurorit, bastisën shtëpinë e të dyshuarit, ku janë gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me 30 fishekë, një pushkë gjuetie dhe një pushkë automatike.
Pas inicimit të rastit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa hetimet vazhdojnë. /Telegrafi/
Janë publikuar pamjet nga arrestimet dhe bastisjet e realizuara në 47 lokacione të ndryshme, në kuadër të hetimeve për keqpërdorimin e mbi 1 milion eurove në Byronë Kosovare të Sigurimeve (BSK).
;Portali Kallxo ka sjell detaje nga përgatitja e aksionit të madh policor të zhvilluar më 8 janar 2026, i cili është shtrirë në gjashtë regjione të Kosovës, ku u arrestuan dhe u bastisën persona të dyshuar për përfshirje në këtë rast.
Po ashtu jepen informacione të detajuara se si mbi 1 milion euro janë transferuar nga llogaria e BSK-së në llogari të tjera bankare, si dhe shpjegohet mënyra se si janë mundësuar këto transfere dhe si ka funksionuar skema e dyshuar e keqpërdorimit të parave.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, flet për rrjedhën e hetimeve dhe konfirmon se ato janë zgjeruar edhe ndaj personave të tjerë të dyshuar, përveç atyre që tashmë janë arrestuar.
Rasti konsiderohet një nga hetimet më të mëdha financiare në Kosovë në vitet e fundit dhe pritet të ketë zhvillime të tjera në ditët në vijim.
Një gjest shembullor qytetar është shënuar në Ferizaj, ku një qytetar ka gjetur një portofol me para dhe dokumente personale dhe e ka dorëzuar menjëherë në Polici.
Sipas njoftimit, më 18 janar 2026, rreth orës 16:00, qytetari A. Rexhepi, 32 vjeç nga Ferizaj, në rrugën “Dëshmorët e Kombit”, përkatësisht në parkingun e “Viva Fresh Store”, ka gjetur një portofol që përmbante para dhe dokumente personale.
Në portofol ndodheshin 1,133.50 euro, 10 franga zvicerane, 5 dollarë amerikanë, si dhe dokumente personale në emër të B. Ç., 29 vjeçe. Pas identifikimit, pronarja e portofolit është kontaktuar nga Policia dhe është paraqitur në Stacionin Policor në Ferizaj, ku i janë kthyer të gjitha paratë dhe dokumentet.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka falënderuar qytetarin A. Rexhepi për veprimin e tij human dhe shembullor, duke vlerësuar lart ndershmërinë dhe përgjegjësinë e tij qytetare.
Vitin e kaluar në Kosovë janë regjistruar 18 vrasje. Ekspertë të sigurisë kanë ngritur shqetësimin për motivet e këtyre rasteve që ndërlidhen me krimin e organizuar dhe aktivitetet e kundërligjshme.
Katër persona ishin vrarë brenda një dite në gusht të vitit të kaluar. Vrasje e trefishtë në Gjilan, e një tjetër në Prizren, kanë qenë rastet që tronditën tërë vendin.
I dyshuari kryesor për vrasjen e trefishtë në Gjilan, Mefail Shkodra është person me të kaluar penale, përfshirë edhe në fajde. Rasti ndodhi në një kafene afër Komunës së Gjilanit, ku si pasojë e të shtënave me armë u vranë babë e bir dhe pak më vonë edhe një person tjetër, i cili u plagos rëndë.
Rasti tjetër i vrasjes që ndodhi brenda 24 orëve në gusht të vitit 2025, ishte vrasja me thikë në fshatin Zhur të Prizrenit.
Gjatë gushtit u shënua edhe një vrasje tjetër në Hajvali të Prishtinës. Në po të njëjtin muaj, në fshatin Baicë të Lipjanit, një person u gjet i vdekur dhe i varrosur në një arë të këtij fshati.
Një tjetër vrasje që tronditi Kosovën gjatë vitit të kaluar, ishte vrasja e rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamed Lika, i cili u vra në hyrje të banesës së tij në Kaçanik.
Pak ditë më parë është ngritur edhe aktakuzë për vrasjen e Likës kundër gjashtë të pandehurve.
Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha i ka thënë KosovaPress-it, në një intervistë se Mefail Shkodra me djemtë kanë qenë me të kaluar të dyshimtë kriminale.
“Te rasti i vrasjes së fundit e kemi serioze, për shembull, atë që po flasim për rastin e Gjilanit, ku u vranë tre persona. Persona me të kaluar kriminale të dyshimtë, të cilët ne i kemi pasur në procedim, i kemi pasur arrestuar për raste të fajdesë, edhe pastaj në ndërkohë janë liruar për shkak të procedurave të limituara që aktualisht Kosova e ka këtë ligj.
Po kemi qenë duke hetuar, duke trajtuar rastin dhe kemi pasur të arrestuar personin e dyshimtë kryesor, ka qenë i arrestuar nga Policia e Kosovës gjashtë muaj më herët. Ndodh nganjëherë që krijohet përshtypja që për një javë po ndodhin nja tre katër raste të vrasjes. Mirëpo kur e shikon totalin e vrasjeve, domethënë ka një rënie të vrasjeve edhe vepra të dënueshme kriminale që kanë ndodhur në Kosovë gjatë viteve të fundit”, shprehet Hoxha.
Ai më tej kishte thënë se është e pamundur që të parandalohen tërë këto raste të vrasjeve.
“Kosova e ka nisur jetën e saj të pasluftës në vitin 2000 me 260 vrasje. Pastaj ka lëvizur 170, 158, 130, 150. Vitin që shkoi [2024] ne i kemi pasur vetëm 17 vrasje të raportuara. Në këtë vit [2025] i kemi 18. Do të thotë, rënia është shumë rapide në krahasim me ku kemi qenë dhe ku jemi, por është e pamundur të gjitha rastet e vrasjes apo rastet e rënda të parandalohen për shkak që nuk mund të jetë policia në çdo kund, në çdo vend, në çdo banesë, në çdo lokal, në çdo rrugë, në çdo skutë, ose nuk mundemi asnjë polici e botës, sado e organizuar që është, sado profesionale që është, që të futet në mendjen kriminale të dikujt.
Ajo çfarë e mira e rasteve tona është që shumë prej rasteve që janë raportuar gjatë viteve të fundit, janë probleme që kanë qenë qoftë në familje, qoftë probleme pronësore, qoftë probleme që kanë pasur në fakt ngatërresa të mëhershme dhe pastaj janë ndeshur dhe ka ndodhur vrasja”, deklaron ai.
Shqetësuese i konsideron motivet e vrasjeve në Kosovë, drejtori i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), Mentor Vrajolli.
“Kryesisht, ka pasur motive të ndryshme të vrasjeve. Ato që kanë qenë ndoshta më shqetësuese se një numër i caktuar i vrasjeve kanë qenë të ndërlidhura me krimin e organizuar dhe aktivitetet e kundërligjshme e që fatkeqësisht edhe më tutje po ballafaqohemi me probleme të tilla, sidomos këto fajdet, janë një ndër problemet e theksuara që janë raportuar dhe një vrasje që ka pasur më së tepërmi bujë gjatë këtij viti [2025]. Kështu që, mendoj që institucionet e rendit dhe ligjit duhet të fokusohen në uljen e sidomos këtyre aktiviteteve kriminale, me qëllim që të sigurohemi që nuk kemi situata të tilla siç ishte ajo në Gjilan”, shprehet ai.
Sipas tij, duhet të krijohen mekanizma të cilët u garantojnë qytetarëve që mund të raportojnë pa u identifikuar nga kryerësit e veprave.
“Mendoj që duhet të shikohet ku është problemi që rastet e këtyre fajdeve nuk raportohen në masën që duhet të raportohen. A ekziston problemi që mbase brenda strukturave të institucioneve të sigurisë ka elemente të përfshira në këto aktivitete apo të afërta me persona që merren me këto veprimtari e që i bën që këta persona të cilët janë viktima të këtyre krimeve të mos guxojnë t'i raportojnë në institucionet e rendit dhe të ligjit.
Kjo do të thotë është pjesa e parë që duhet të sigurohet. Po ashtu duhet të krijohen mekanizma të cilët i lehtësojnë këtyre qytetarëve që t'i raportojnë këto raste pa u vu në pah nga kryesit e këtyre rasteve, për shkak se zakonisht bëhet fjalë për persona që kërcënojnë përmes dhunës edhe shpeshherë mund të bëhen viktima të tilla”, shton ndër tjera Vrajolli.
Eksperti i sigurisë, Avni Islami ngrit shqetësimin edhe për posedimin e një numri të madh të armëve ilegale nga ana e qytetarëve.
“Numri i armëve është jashtëzakonisht i madh tek duart e qytetarëve, pra, qoftë armëve të cilat mund të licencohen dhe të jepet leja për to, qoftë edhe armë luftarake siç janë kallashnikov e të tjera, pra armë të cilat vrasin, mund të vrasin në masë njerëz. Prandaj, sikurse vitet e kaluara, është mirë, do të ishte e rrugës që institucionet e shtetit të fillojnë edhe njëherë dhe unë besoj çdo vit ishte dashur që të ketë një amnisti.
Dhe të gjitha ato armë të cilat mund të evidentohen, mund të licencohen dhe të kryhen trajnimet e caktuara për kryefamiljarin dhe kush do qoftë, të magazionohen dhe të mos keqpërdoren armët. Ndërsa armët të cilat nuk licencohen, pra nuk jepet leja për to, të gjendet një formë të subvencionohen ata të cilët posedojnë ende armë nga lufta, të gjendet një formë e subvencionimit dhe t'i inkurajojnë ata që të dorëzojnë ato armë”, përfundon ai.
Kujtojmë se, gjatë vitit 2024 në Kosovë janë regjistruar 17 vrasje në Kosovë./KP/
Policia e Kosovës ka arrestuar një të dyshuar, mashkull kosovar, nën dyshimin se ka kryer veprën penale ndaj një viktime, femër kosovare.
Sipas hetimeve fillestare, i dyshuari dyshohet se në mënyrë sistematike, në lokacione dhe kohë të ndryshme, e ka detyruar viktimën të shikojë materiale audio-vizuale me përmbajtje pornografike në telefonin e tij.
Po ashtu, i dyshuari dyshohet se ka sulmuar edhe bashkëshorten e tij, femër kosovare. Gjatë intervistimit, i dyshuari ka mohuar pretendimet e viktimës.
Me vendim të prokurorit kompetent, pas intervistimit, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa rasti po trajtohet nga organet e hetuesisë. /Telegrafi/
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar një person për sulm fizik ndaj dy zyrtarëve policorë në vendin e punës.
Rasti ka ndodhur në Stacionin policor në Kaçanik, të premten e 16 janarit në ora 20:30, ndërkaq pas tretmanit mjekësor në QKMF, njëri nga zyrtarët është dërguar në emergjencën e Ferizajt për tretman të mëtutjeshëm.
“Stacion policor Kaçanik 16.01.2026 – 20:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që kishte sulmuar fizikisht dy zyrtarë policorë në vendin e punës”, thuhet në raport.
Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje. /Telegrafi/
Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të ryshfetit.
Në raportin policor bëhet e ditur se rasti ka ndodhur në pikën kufitare në Vërmicë, të premten në ora 16:15.
“SPK Vërmicë 16.01.2026 – 16:15. Është arrestuar i dyshuari për shkak se zyrtarit policor në pikë kufitar i kishte ofruar 5 euro ryshfet”, thuhet në raport.
Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje. /Telegrafi/