“Të gjithë duam që festat e fundvitit të na gjejnë pranë njerëzve që duam më shumë. Por, jo të gjithë e kanë këtë mundësi. Arsyeja është e thjeshtë, se profesioni i tyre është misioni për të na garantuar neve festën.
Abc News ka biseduar me disa prej profesionistëve, të cilët natën e ndërrimit të viteve do të jenë në krye të detyrës, larg familjeve të tyre, duke ruajtur jetën, shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve, si dhurata më e çmuar që na bëjnë të gjithëve”
Nata e ndërrimit të viteve i gjen inspektorët e Policisë së Shtetit, Iris Alikon dhe Isuf Likën, për herë të parë larg tryezës familjare. Ata do të jenë në patrullim në rrugët e kryeqytetit, pranë qytetarëve, aty ku i thërret detyra.
“Kam katër muaj në Policinë e Shtetit. Është festa e parë që nuk e festoj me familjen. Është një ndjesi shumë e bukur të jesh pranë popullit. Familjarët nuk e kanë pritur shumë mirë, por më kanë mbështetur.”
“Këtë vit festat na kanë rënë t’i kalojmë në punë. Shumicën e festave i kemi kaluar me kolegët, edhe ditëlindjet. Edhe Vitin e Ri do ta presim në shërbim, deri në orën 6 të mëngjesit.”
Iris Aliko ka përfunduar studimet e larta për Kimi Industriale dhe Mjedisore, ndërsa Isuf Lika për Ekonomi dhe aktualisht ndjek studimet master. Dëshira për të qenë pranë komunitetit i ka bërë pjesë të uniformës blu, pas përfundimit të Akademisë së Policisë.
As shërbimi shëndetësor nuk njeh festë. Për bluzat e bardha, festat vijnë me më shumë orë pune dhe lodhje.
“Gjithmonë ka një karrige bosh në tavolinën e familjes, por kjo punë do pasion dhe përkushtim.”
Albana Koçiaj është mjeke në Urgjencën e QSUT, spitalit më të madh publik në vend. Prej më shumë se 10 vitesh, festat e fundvitit e gjejnë në shërbim, pranë pacientëve.
“Më shumë festa i kam kaluar pranë pacientëve. Kjo punë kërkon pasion, përkushtim dhe shpesh orë të zgjatura. Pavarësisht nëse është festë apo pushim, telefoni bie dhe ne duhet të jemi gati.”
Edhe shërbimi zjarrfikës është në gatishmëri 24 orë. Edhe këtë 31 dhjetor, zjarrfikësi Ervin Lleshi e pret Vitin e Ri në shërbim, së bashku me kolegët e tij.
“Shumë festa i kemi kaluar këtu me shokët, jo me familjen. Edhe këtë vit jemi në punë. Do të festojmë një ditë tjetër.”
Balanca mes jetës familjare dhe profesionit është e vështirë, por kur puna kthehet në pasion, sakrifica merr tjetër kuptim.
“Kur ke fëmijë të vegjël është e vështirë, por mundohemi ta kompensojmë ditën tjetër.”
“Vajza ime gjithmonë më pyeste: ‘Kur s’do bësh roje që të flej me ty?’ Ende nuk kam një përgjigje. Mendoj se misioni im do t’i tejkalojë këto mërzi.”, tha mjekja.
“Kemi lënë ditëlindje dhe festa. Si në protesta apo stadiume, ndërrohemi dhe dalim në punë.”, the polici Isuf Lika.
Në ditë festash, urgjencat dhe emergjencat nuk ndalen. Numri i rasteve shtohet, ndërsa përjetimet emocionale janë të ndryshme për secilin profesionistë.
“Raste të rrezikshme ka pasur shumë. Zjarri në fabrikën ‘Everest’ apo te ‘Casa Italia’. Humbja e jetës është e rëndë, por shpëtimi i një jete është kënaqësia më e madhe.”
“Jemi pranë të sëmurëve, por edhe pranë familjarëve për t’i ngushëlluar. Është shumë e vështirë.”
“Kur dikush humb një të afërm, ne e përjetojmë shumë, por duhet të qëndrojmë të fortë.”
“Më ka prekur shumë një rast kur një nënë ktheu rrobat e fëmijëve sepse i kishin vjedhur paratë.”
Forca e tyre buron nga familja, kolegët dhe mbështetja e qytetarëve.
“Familja ime është shumë mirëkuptuese. U jam shumë mirënjohëse.”
“Ka vështirësi dhe keqkuptime, por shumica e qytetarëve na mirëkuptojnë.”
Çdo sakrificë ka një emërues të përbashkët: shpëtimin e jetës.
“Nëse shpëton qoftë edhe një jetë të vetme, nuk ka kënaqësi më të madhe.”
Porosia që merr kur del nga shtëpia?
“Ki kujdes për veten. Ruaj veten.”
Teksa shumica prej nesh do të trokasë gotat për të uruar një vit të mbarë, një mjek do të shpëtojë një jetë, një polic do të jetë në patrullë për sigurinë dhe një zjarrfikës në gatishmëri për çdo emergjencë, ashtu si çdo ditë të vitit. Me mirënjohje, u themi faleminderit për fisnikërinë dhe shërbimin e tyre dhe u urojmë një 2026 sa më të gëzuar atyre dhe familjeve të tyre./abcnews.al