Ylli i Bayernit kontakton Hansi Flickun për të diskutuar transferimin te Barcelona
Mesfushori i Bayern Munich, Leon Goretzka, duket se do të largohet gjatë kësaj vere, dhe tashmë është bërë e ditur se ai do të ishte i hapur për një transferim në La Liga. Aq më tepër, ai ka qenë në kontakt me trajnerin e Barcelonës, Hansi Flick, lidhur me këtë ide.
Goretzka ka kontratë me Bayernin deri verën e ardhshme dhe, ndonëse klubi bavarez raportohet se po kërkon rinovimin e marrëveshjes së tij, mesfushori me përvojë po shqyrton seriozisht një lëvizje jashtë Gjermanisë.
Tottenham Hotspur, Napoli dhe Atletico Madrid janë lidhur të gjithë me një transferim të mundshëm të Goretzkës, me dy klubet e fundit që thuhet se janë veçanërisht të interesuara për shërbimet e 30-vjeçarit.
Sipas Mundo Deportivo, Goretzka ka qenë në kontakt me Flickun dhe e ka bërë të qartë se do të ishte i lumtur të luante sërish nën drejtimin e tij. Goretzka ishte një nga lojtarët që spikati më shumë te Bayern gjatë periudhës së suksesshme të Flickut në Bavari.
Të dy kanë bashkëpunuar ngushtë edhe më pas, me Flickun që mori drejtimin e kombëtares gjermane, ku kishte nën urdhra edhe Goretzkën.
Edhe pse Barcelona nuk po e konsideron prioritet përforcimin e mesfushës, Flick më herët ka lënë të kuptohet se do të ishte i interesuar për një transferim të Goretzkës.
Në janarin e kaluar, kur blaugranët po kalonin vështirësi, Flick ishte i prirur të sillte një mesfushor dominues dhe kishte shprehur interes të madh për një huazim të Goretzkës në atë periudhë./Telegrafi/
