Pretendimi: Ky imazh tregon një person të maskuar që endet natën rrugëve të Prishtinës, duke i përndjekur qytetarët
Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI
——————————————–
Një imazh që qarkulloi gjerësisht në mediat dhe rrjete socialeshqipfolëse javën e dytë të janarit 2026 pretendohet se tregon “Fantazmën e Prishtinës,” një person i maskuar që endet natën rrugëve të kryeqytetit kosovar. Imazhi shoqërohet edhe me pretendimin se qytetarët ankohen se ky person i maskuar po “i tmerron” me pamjen e tij duke i përndjekur ata gjatë natës.
Megjithatë, lexuesit shqiptarë në të dyja anët e kufirit nuk duhet të frikësohen. Fantazma e Prishtinës nuk është reale. Imazhi i mësipërm është gjeneruar me anë të programeve kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI).
Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) ka përgënjeshtruar vërtetësinë e imazhit më 12 janar në Facebook, duke e etiketuar imazhin si të gjeneruar me AI dhe duke këshilluar mediat “të kenë kujdes që përmbajtjet e ngjashme t’i verifikojnë dhe të mos i shpërndajnë, sepse mund të shkaktojnë panik.”
Ndërkaq, edhe Policia e Kosovës ka mohuar se ka marrë ndonjë ankesë apo informacion nga qytetarët lidhur me një person të tillë që po terrorizon qytetin. “Policia e Kosovës drejtoria e kryeqytetit deri më tani nuk ka pranuar ndonjë ankesë apo informatë nga qytetarët lidhur me këtë çështje,” deklaroi zëdhënësi Enis Pllana për emisionin Rreth e Rrotull.
Përdoruesit e rrjeteve sociale kanë postuar imazhe të ngjashme që dëshmojnë origjinën artificiale të imazhit, dhe sa e thjeshtë është tashmë të gjenerosh imazhe të tilla.
Të shumtë janë dhe bizneset vendase që përfituan nga interesi që ngjalli ky personazh për ta kthyer atë në një promovim në format humori për produktet e tyre. Deri më tani, nuk është raportuar ndonjë kërkesë e “fantazmës së Prishtinës” për ndonjë shpërblim nga përdorimi i imazhit për qëllime marketingu.
Një nga postimet e marketingut që shfrytëzuan famën e “fantazmës”
Pretendimi: Moti i keq në Shqipëri, Greqi dhe Itali është efekt i sistemit HAARP që prek sistemin nervor të popullatës
Verdikti: E paprovuar
————————————————————————
Në javën e parë të vitit 2026, Shqipëria u përfshi nga moti i ftohtë e me reshje, që çoi në përmbytjen e qyteteve dhe bllokimin e disa rrugëve. Opozita fajësoi keqmenaxhimin e qeverisë, kryeministri Edi Rama fajësoi hedhjen e shisheve plastike, ndërsa konspiracionistët fajësojnë famëkeqin “sistem HAARP.”
Një postim që ka marrë mbi 1000 pëlqime në Instagram pretendon se moti i paqëndrueshëm në Shqipëri, Itali dhe Greqi është efekt i “sistemit HAARP” dhe se “problemet në masë në popullatë mund të prekin sistemin nervor.”
Si zakonisht, pretendimi i jashtëzakonshëm nuk shoqërohet me ndonjë referencë, burim apo provë mbështetëse.
Nuk ka asnjë provë se moti i keq në janar 2026 u shkaktua apo ndikua nga teknologjia e HAARP.
Projekti studimor shkencor amerikan i quajtur HAARP është një projekt i përbashkët i Forcave Ajrore Amerikane dhe Marinës Amerikane i krijuar në vitin 1993, i cili i ka kaluar më vonë Universitetit të Alaskës Fairbanks (UAF) në vitin 2015.
HAARP shfaqet shpesh në narrativat konspiracioniste si një veprimtari djallëzore që përfshin shkaktimin e tërmeteve, uraganëve, përmbytjeve, thatësirave, stuhive, ndërprerjeve të energjisë, rrëzimit të avionëve apo sëmundjeve.
Karakteristika e tij kryesore është një transmetues me frekuencë të lartë që përdoret për të studiuar jonosferën, pjesë e atmosferës së sipërme të tokës. Duke analizuar se si valët e radios ndërveprojnë me elektronet në jonosferë, studiuesit në HAARP janë në gjendje të studiojnë fenomene, të tilla si efektet e aurora borealis, ose dritat veriore, në sistemet radio dhe komunikimet e avionëve në lartësi të mëdha.
HAARP ka si objekt studimi dhe eksperimentimi jonosferën, pjesë e atmosferës së sipërme të tokës. Gati të gjithë fenomenet e motit ndodhin më poshtë jonosferës, në troposferë. Kështu, HAARP nuk ka si të ndikojë në fenomenet e motit.
Që në krijimin e tij, HAARP ka qenë në shënjestrën e teorive konspirative. Fakti që puna studimore që kryen HAARP nuk është lehtësisht e kuptueshme nga publiku i gjerë, bën që këtij projekti t’i vishen fuqi mbinatyrore duke e etiketuar si shkaktar i përmbytjeve, uraganeve, thatësirave, tërmeteve, stuhive, ndërprerjeve të energjisë, rrëzimit të avionëve apo sëmundjeve. Në 2016, dy burra nga Georgia, ShBA, u arrestuan me një arsenal masiv armësh. Ata kishin në plan të shkatërronin HAARP sepse besonin se instituti kërkimor manipulonte motin, kontrollonte mendjet e njerëzve, madje edhe rrëmbente shpirtra.
Sipas shkrimtarit të shkencës, Mick West, “mënyra për të përgënjeshtruar teoritë konspirative rreth HAARP është të përpiqesh t’i shpjegosh njerëzve ekzaktësisht çfarë HAARP bën. Shpjegoi se është thjesht një radiotransmetues që është në një vend në Alaska dhe mund të ndikojë vetëm në një sasi të vogël ajri mbi të. Shpjegoji se fuqia e përdorur nga ky radiotransmetues është shumë shumë e vogël krahasuar me çfarë do të duhesh për të bërë disa nga gjërat që po pretendohen.”
“Faktoje” ka verifikuar dhe më parë pretendime të ngjashme mbi sistemin HAARP. Shqipëria është ndër vendet evropiane më të rrezikuara nga fatkeqësitë klimatike, sipas një raporti të Bankës Botërore të vitit 2024.
Pretendimi: Gruaja që ndez cigaren duke djegur foton e liderit iranian Ayatollah Khameini ndodhet në Iran, ose është kanadeze
Verdikti: Mungon konteksti
————————————————————-
Një video që po qarkullon gjerësisht në rrjet ndërsa protestat antiqeveritare në Iran vijojnë, duket se tregon një vajzë që sfidon regjimin duke djegur publikisht foton e liderit fetar iranian Ali Khamenei dhe ndezur cigaren në flakën e krijuar.
Disa media shqipfolëse e kanë ndarë videon e vajzës rebele me pretendimin se ajo është xhiruar në Iran, ndërsa profile në rrjete sociale pretendojnë se gruaja në video është kanadeze.
Në të vërtetë, fotografia është bërë në Kanada, por kjo nuk vërteton se vajza nuk është iraniane.
Autorja e pamjes dhe videos është aktive në mediat sociale me llogarinë X @melianouss, ku përdor pseudonimin “Morticia Addams.”
Vajza ndau edhe një pamje të ekranit për të vërtetuar se videoja me cigare është bërë më 7 janar 2026.
Në profilin e saj në Instagram @meliacurls, ajo nënshkruan si Melia. Në biografinë e saj shfaqen dy flamuj: kanadez dhe iranian.
Në profilin e saj ka një video në të cilën ajo flet në persisht (Farsi), duke iu drejtuar drejtpërdrejt atyre që synojnë të marrin pjesë në protestat kundër regjimit. Në video, ajo ofron këshilla praktike se si të zvogëlohet rreziku i arrestimit, duke shpjeguar se çfarë duhet bërë nëse ndaloheni në rrugë ose në shtëpi, duke i nxitur njerëzit të mos dalin vetëm, të mos nënshkruajnë rrëfime, të mos pranojnë asgjë dhe të mbrojnë pajisjet e tyre elektronike. Ajo gjithashtu këshillon njerëzit të deklarojnë veten thjesht si kalimtarë dhe të mos i nënshtrohen presionit psikologjik të forcave të sigurisë.
Në X/Twitter, gruaja tha se regjimi iranian ishte përpjekur ta heshtte për vite me radhë dhe se ajo u detyrua të largohej nga vendi i saj.
“Regjimi islamik dështoi të më heshtë në Iran për vite me radhë, pavarësisht torturave, poshtërimit dhe kërcënimeve. Tani, duke më etiketuar si sioniste dhe duke shfrytëzuar faktin se, pas vitesh lufte, u detyrova të largohesha nga vendi im sepse jeta ime ishte e kërcënuar nga regjimi islamik, a po përpiqeni të përfundoni atë që vetë regjimi dështoi të bënte?
Akuzat tuaja nuk do të më dëmtojnë, sepse jam plotësisht e vetëdijshme se shumë prej jush mbështesin regjimin islamik, pasi interesat tuaja jo-humanitare shërbehen nga mbijetesa e këtij regjimi kriminal,” shkroi ajo më 10 janar 2026. E kontaktuar nga kolegët italianë të verifikimit të fakteve të Open, gruaja në foto konfirmoi se është iraniane dhe u detyrua të largohej nga vendi disa muaj më parë për shkak të kërcënimeve nga regjimi islamik. Lidhur me fenë, ajo e deklaron veten agnostike.
Pretendimi: Kjo video tregon një dre të bardhë me mutacion gjenetik që shfaqet në pyll
Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI
——————————————————————-
Në këto ditë të ftohta dimri ka marrë mbi 15 mijë pëlqime në Instagram një video që pretendohet se tregon një kafshë të rrallë, një dre të bardhë me mutacion gjenetik. Pamjet pretendohet se janë regjistruar në Rusi më 21 dhjetor 2025.
Drerët e bardhë si pasojë e një mutacion gjenetik janë të vërtetë, siç përshkruhen në këtë artikull të revistës National Geographic.
Megjithatë, video që po qarkullon në rrjet nuk është e vërtetë. Ajo nuk shoqërohet me ndonjë referencë apo burim nga i cili është botuar fillimisht. Me gjasa, video është gjeneruar nga programe kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI).
Video po qarkullon gjerësisht në rrjet me pretendimin se është xhiruar në një numër vendesh të ndryshme, nga Kanadaja, te ShBA
Origjina artificiale e videos dëshmohet nga mospërputhje logjike si ndryshimi i formës dhe numrit të brirëve, mungesa e zhvendosjes së borës dhe përsosmëria e panatyrshme e lëvizjes.
Megjithëse ekzistojnë drerë të bardhë të vërtetë, nuk janë kaq përsosmërisht të bardhë. Një kafshë që jeton në natyrë do të ishte bërë me baltë në këmbë dhe trup. Brirët do të ishin të paktën pak të konsumuar dhe të bërë pis nga vitet e kaluara në pyll.
Një postim në Facebook njofton vdekjen e trishtueshme të gazetarit shqiptar, Enkel Demi, ndërsa lexuesit ftohen të klikojnë një lidhje në komente për të mësuar më shumë.
Megjithatë, lexuesit nuk duhet të alarmohen. Ky lajm është i rremë. Nuk ka ndonjë njoftim zyrtar nga familja e Demit për humbje jete.
Vetë Demi ka përgënjeshtruar në mënyrë humoristike lajmin në emisionin e mëngjesit të 12 janarit 2026.
Artikulli keqinformon me qëllim mbledhjen e sa më shumë klikimeve në mënyrë jo etike.
Faktoje ka përgënjeshtruar edhe më parë lajme për vdekjen e rreme të personave të njohur.
Pretendimi: Kjo video tregon sekuestrimin e një anijeje me flamur rus nga ShBA në janar 2026
Verdikti: Mungon konteksti
————————————————————
Një video e marinsave amerikanë që zbresin nga një helikopter në një aeroplanmbajtëse po ndahet në mediat shqipfolëse si momenti kur ShBA sekuestroi një cisternë nafte me flamur rus, të lidhur me Venezuelën, në janar 2026.
Megjithatë, me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens Faktoje gjeti se video e mësipërme është postuar në X/Twitter më 5 tetor 2025 nga Margo Martin, një asistente speciale e presidentit amerikan, Donald Trump.
Video tregon një demonstrim të kryer në aeroplanmbajtësen USS George H. W. Bush për të shënuar 250-vjetorin e Marinës Amerikane, sipas Shërbimit të Shpërndarjes së Informacionit Vizual të Mbrojtjes, i cili tha se Trump dhe gruaja e tij Melania ishin gjithashtu të pranishëm për ta dëshmuar këtë ngjarje. Një foto e Reuters tregon çiftin Trump duke parë të njëjtën skenë në brigjet e Norfolk, Virginia, si në video.
Ndërkaq, është e vërtetë se Roja Bregdetare dhe forcat ushtarake amerikane bllokuan cisternën Bella 1 më 7 janar pas një ndjekjeje dyjavore në Atlantik, duke rrezikuar më shumë përballje me Rusinë, pasi një nëndetëse ruse dhe anije të tjera ndodheshin afër.
Video që po qarkullon në media si pamje nga kjo kapje, në fakt janë xhiruar 3 muaj më parë dhe tregojnë një shfaqje, jo një operacion real ushtarak.
Pretendimi: Mjeku Arben Hoxha rekomandon këtë medikament për trajtimin dhe parandalimin e variçeve.
Verdikti: E pavërtetë, Skemë mashtrimi
—————————————————————-
Një faqe interneti e dizenjuar për të ngjarë si një portal i mirëfilltë lajmesh mbi shëndetin pretendon se një mjek shqiptar me emrin Arben Hoxha jep këshilla mbi parandalimin e variçeve.
Megjithatë, çfarëdo që të klikosh në këtë faqe, do të të dërgojë tek produkti i reklamuar nga artikulli. Kjo pjesë e dizenjos së faqes tregon se ajo shënjestron sidomos përdoruesit që nuk janë shumë familjarë me teknologjinë.
Me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se foto e pretenduar e Arben Hoxha në fakt tregon një mjek bjellorus të quajtur Oleg Rummo, drejtor i Qendrës së Kërkimit dhe Praktikës në Minsk për Kirurgji, Transplantim dhe Hematologji. Rummo ka shërbyer dhe si deputet i parlamentit bjellorus që nga viti 2016.
Përdorimi i mediave online për të shitur produkte të caktuara për shëndetin është kthyer në një shqetësim serioz. Në një sërë artikujsh, Faktoje ka treguar se si profile online po përpiqen të mashtrojnë qytetarët, duke përdorur mjekë të rremë, me qëllim që ta bëjnë sa më të besueshëm për lexuesit produktin që shesin.
Pretendimi: Kjo video tregon venezuelianët duke festuar rrëzimin e presidentit Nicolas Maduro në Janar 2026
Verdkti: E pavërtetë
———————————————-
Pas rrëmbimit të bujshëm të presidentit venezuelian Nicolas Maduro nga ushtria amerikane më 3 janar 2026, në rrjete sociale po qarkullon një video që pretendohet se tregon venezuelianët duke festuar rrëzimin e tij në rrugë.
Në Venezuelë, ka pasur demonstrata si në favor të kapjes së Maduro, ashtu edhe protesta nga mbështetësit e presidentit.
Megjithatë, video e mësipërme nuk tregon asnjërën prej tyre.
Me anë te motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video e mësipërme është nga 2 vite më parë.
Megjithatë, këshilli zgjedhor i kontrolluar nga qeveria i Venezuelës kishte shpallur fitoren e presidentit në detyrë Nicolas Maduro. Zgjedhja e Maduros ishte kontestuar nga opozita për mashtrim zgjedhor.
Pretendimi: Kjo video tregon zjarrvënien e qëllimshme të një lokali në Zvicër natën e Vitit të Ri 2026
Verdikti: E pavërtetë
——————————————————————-
Një video që ka marrë mbi 200 pëlqime në Facebook pretendohet se tregon momentin e parë nga zjarri që vrau 40 persona në një lokal në Zvicër natën e Vitit të Ri 2026.
Përshkrimi që shoqëron videon pretendon se video tregon zjarrvënie të qëllimshme dhe vijon të sulmojë emigrantët duke iu referuar si “shtazë,” por pa sqaruar çfarë e lidh zjarrin në Zvicër me emigracionin.
Megjithëse video mban mbishkrimin “Crans Montana”, qytetin zviceran ku ndodhi tragjedia, ajo nuk tregon zjarrin në Zvicër.
Me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video e mësipërme është postuar fillimisht në Instagram më 22 dhjetor 2025, 9 ditë para se të ndodhte zjarri në Zvicër.
Profili që ka postuar videon ka taguar profilin @bella.canguu, profili i një restoranti në Canggu, Bali, Indonezi.
Mediatvendaseindonezianeraportuanincidentin në ditët pas postimit të 22 dhjetorit. Sipas raportimeve zjarri në Bella Canggu u fik nga zjarrëfikësit dhe nuk pati të lënduar.
“Fillimisht, kur restoranti po zhvillonte një aktivitet për djegien e sherebelës pranë zonës së skarës, shkëndijat ndezën dekorimet e Krishtlindjeve të bëra me hala pishe të thata”, shpjegoi Komisioneri i Policisë Pasek Sudina, në deklaratën e tij më 25 dhjetor.
Qartazi, video e mësipërme nuk tregon zjarrin në Zvicër më 1 janar 2026, por një zjarr në Indonezi më 22 dhjetor 2025.
Autoritetet zvicerane thanë se lokali që shpërtheu në flakë në një resort luksoz skish, zjarr ku u vranë 40 persona gjatë festimeve të Vitit të Ri, nuk kishte pasur inspektim që nga viti 2019, duke nënvizuar shqetësimet në lidhje me masat e sigurisë që ishin në fuqi. Zyra e kryetarit të bashkisë së qytetit të Crans-Montana tha se ambjenti nuk kishte sistem automatik të shuarjes së zjarrit, sepse nuk ishte i nevojshëm për një biznes të asaj madhësie. Mosha mesatare e viktimave të zjarrit ishte 19 vjeç.
Pretendimi: Kjo video tregon futbollisitin Cristiano Ronaldo duke punuar në një supermarket Kaufland
Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI
———————————————–
Një video që duket se tregon futbollistin portugez Cristiano Ronaldo në “ditën e parë të punës në Kaufland,” një rrjet supermarketesh gjerman.
Megjithatë, video e mësipërme nuk është e vërtetë. Ajo është gjeneruar me anë të programeve të inteligjencës artificiale (AI).
Një tregues që na bën të dyshojmë vërtetësinë e videos është fakti se, në të, portugezi Ronaldo duket se flet rumanisht.
Më tej, me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video e mësipërme është postuar fillimisht në Instagram nga një llogari rumune, e cila poston shpesh përmbajtje të gjeneruara dukshëm me AI.
Nuk ka ndonjë provë, dëshmi apo raportim se futbollisti i famshëm portugez ka punuar në një supermarket Kaufland. Nëse kjo do të kishte ndodhur vërtet, do të prisnim që të kishte foto dhe video të tjera të kësaj ngjarjeje të habitshme.
Për të parandaluar që përmbajtje të tilla të keqinterpretohen, është e rëndësishme që çdo video, foto ose material tjetër i gjeneruar ose i manipuluar me inteligjencë artificiale të shënohet si i tillë. Kjo do të ndihmojë në informimin e audiencës dhe në mbrojtjen e tyre nga dezinformimi. Facebook i detyron përdoruesit të etiketojnë imazhet dhe videot e gjeneruara me AI si të tilla.
Një postim që ka marrë mbi 400 pëlqime në Facebook njofton vdekjen e papritur të ish-kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ndërsa lexuesit ftohen të klikojnë një lidhje në komente për të mësuar më shumë mbi shkakun e vdekjes.
Megjithatë, lexuesit nuk duhet të alarmohen. Ky lajm është i rremë. Nuk ka ndonjë njoftim zyrtar nga familja e Bashës për humbje jete.
Duke përdorur foton e Lulzim Bashës, titulli dhe brendia e artikullit përdorin një dredhi duke iu referuar atij si “Luizin,” “Luiz,” dhe “Luzi.”
Më tej, ai përshkruhet si “një emër i njohur dhe i dashur në botën e muzikës” dhe një “artist” me “zë unik.” Ky përshkrim nuk ka lidhje me Lulzim Bashën, i cili njihet si politikan, jo si muzikant apo këngëtar.
Ka gjasa që ky artikull, dhe artikuj te ngjashëm të postuar nga e njejta faqe dhe përgënjeshtruar dhe më parë nga Faktoje, janë gjeneruar me anë të programeve kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI). Ngatërrimi qesharak i Lulzim Bashës me ndonjë këngëtar duket si një ‘delirim’ karakteristik i këtyre programeve gjenerative.
Faktoje ka përgënjeshtruar dhe lajme të mëparshme nga i njejti portal, i cili ka botuar artikuj të trilluar mbi gjetjen e Bleona Matës së zhdukur në 2010, vdekjen e këngëtarit Shpat Kasapi dhe të politikanit shqiptar Azem Hajdari.
Faktoje ka përgënjeshtruar edhe lajme të mëparshme mbi vdekjen e Bashës.
Titulli i artikullit keqinformon me qëllim mbledhjen e sa më shumë klikimeve në mënyrë jo etike.
Pretendimi: Presidenti venezuelian Nicolas Maduro u shëtit nëpër rrugët e New York në një tallje publike
Verdikti: Mungon konteksti
——————————————————————-
Më 3 janar 2026, ShBA rrëmbyen presidentin venezuelian Nicolas Maduro dhe gruan e tij Cilia Flores nën akuzën e narko-terrorizmit, duke i dërguar ata në Qendrën Metropolitan të Paraburgimit në Brooklyn për të dalë më pas në gjyq.
Një video e shpërndarë në rrjete sociale pretendon se tregon “talljen publike” me Maduron i cili shëtitet me çfarë duket si një furgon i bardhë, që ecën me dyert e hapura nëpër rrugët e New York.
Me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video u postua fillimisht më 4 janar nga një llogari në Instagram që gjurmon dhe ndan pamje të automjeteve të emergjencave në dhe përreth Brooklyn, New York.
Postimi shoqërohet me përshkrimin: “Pas transferimit të Presidentit të Venezuelës të kapur Nicolás Maduro në Qendrën Metropolitan të Paraburgimit në Brooklyn, personeli ushtarak i armatosur rëndë i përfshirë në transport u pa duke ngarë furgonë me dyer të hapura në Avenue 3rd në New York, duke brohoritur së bashku me një turmë që mbështeste kapjen e tij.” Postimi nuk përmend nëse Maduro ishte në furgonin e bardhë.
Kolegët faktverifikues e Teyit hetuan pretendimin duke verifikuar vendndodhjen ku është xhiruar videoja. Ata gjurmuan vendndodhjet e eskortës që shoqëronte Maduron dhe gruan e tij gjatë gjithë natës së 3 janarit dhe i krahasuan ato me vendndodhjen ku është xhiruar video.
Ndalesat e Maduros dhe gruas së tij pas mbërritjes në New York mund të ndiqen drejtpërdrejt në CBS News.
Nicolas Maduro dhe Cilia Flores shihen duke dalë nga ndërtesa e Agjencisë për Zbatimin e Ligjit kundër Drogës (DEA) në Manhattan në një eskortë dhe duke u çuar në një helipad VIP në West 30th Street pranë 12th Ave në Manhattan. Gjatë këtij udhëtimi, është qartë e dukshme se rrugët në Manhattan ishin të mbyllura për trafikun, dyert e furgonit të bardhë ishin të mbyllura dhe rruga e ndjekur nuk ishte e ngjashme me atë të treguar në videon e mësipërme.
Maduro dhe gruaja e tij shihen duke zbritur nga një automjet i zi i blinduar në këtë vend uljeje helikopterësh në minutën e 17 të transmetimit të drejtpërdrejtë të CBS.
Automjeti i blinduar nga i cili dolën Maduro dhe gruaja e tij.
Ata u ngritën nga pista e uljes së helikopterëve për t’u çuar në Qendrën Metropolitan të Paraburgimit, dhe u shoqëruan fillimisht nga oficerët në një SUV të zi pasi zbarkuan në Brooklyn. Këto momente mund të shihen nga minuta 36:45 e tutje.
SUV ku Maduro dhe gruaja e tij u panë në Brooklyn.
Në dalje të pistës në Brooklyn, Maduro dhe Flores ndërrojnë automjetet dhe kalojnë në një makinë të blinduar. Ky moment shihet në minutën e 43-të të transmetimit.
Maduro dhe gruaja e tij zbresin nga SUV dhe futen në një automjet të blinduar.
Karvani më pas shkoi drejt Qendrës së Paraburgimit Metropolitan, ku Maduro dhe gruaja e tij do të mbahen deri në gjyqin e tyre.
Eskorta shihet duke ecur përgjatë rrugëve të mbyllura, njësoj siç bëri në Manhattan. Me të mbërritur në destinacionin e tyre, automjeti i blinduar që mbante Maduron dhe gruan e tij ndahet nga karvani dhe hyn në kampusin e Qendrës së Paraburgimit Metropolitan. Këto momente mund të shihen nga minuta 50:50 e tutje.
Automjeti i blinduar që transportonte Maduron dhe gruan e tij ndahet nga karvani
Kur gjurmojmë këto ndalesa, duket se video në fjalë është regjistruar në 3rd Ave, ku ndodhet Qendra e Paraburgimit Metropolitan. Megjithatë, Maduro dhe gruaja e tij hyjnë në kampusin e Qendrës së Paraburgimit Metropolitan pa u kthyer kurrë në këtë rrugë.
Nicolas Maduro dhe gruaja e tij, Cilia Flores, i bënë të gjitha udhëtimet e tyre rrugore në New Jork përmes rrugëve të mbyllura dhe nuk hipën kurrë në një furgon të bardhë, edhe pse të tillë u panë duke i shoqëruar me trupa të armatosura. Mbajtja e hapur e dyerve apo dritareve të mjeteve të forcave të sigurisë së eskortave të autoriteteve të larta është një procedurë e njohur për t’u kundërpërgjigjur në kohë një sulmi të armatosur.
Përveç kësaj, agjenci të shumta lajmesh ndoqën të gjithë udhëtimin e Maduros nga Venezuela në Qendrën Metropolitan të Paraburgimit.
Agjencitë e lajmeve nuk raportuan në asnjë fazë të këtij udhëtimi se Maduro ishte shëtitur në një furgon të bardhë në publik në rrugët e New York. Nëse ky pretendim do të ishte i vërtetë, do të prisnim që agjencitë e lajmeve ta kishin kapur këtë moment tronditës nga kënde të ndryshme me kamera profesionale.
Pretendimi: Ky imazh tregon një arushë me këlyshët e saj në fshatin Kolesjan të Kukësit
Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI
————————————————–
Në dhjetor 2025, një imazh që pretendohet se tregonte një arushë me katër këlyshët e saj në Kukës u shpërndagjerësisht në rrjete sociale, media dhe portalet shqipfolëse. Ky imazh idilik i maleve shqiptare u shpërnda edhe nga kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla.
Megjithatë, imazhi i mësipërm është i rremë dhe me gjasa i gjeneruar me anë të programeve të inteligjencës artificiale (AI).
Me anë të motorit të kërkimit Google Lens, Faktoje gjeti videon nga është shkëputur imazhi i mësipërm, botuar në Youtube më 23 dhjetor 2025 nga një llogari që poston video të gjeneruara me AI.
Në versionin video, origjina artificiale e pamjeve dallohet në defektet logjike, si mungesa e gjurmëve mbi borë pasi ariu i vogël kalon mbi të.
Ndërkaq, pasi imazhi nisi të qarkullonte në rrjet blogeri Ben Trota botoi një video nga vendi ku pretendohej se ishte xhiruar arusha. Në videon e tij, vërehet qartë se atje nuk ka borë. Sipas Trotës, bora ende nuk kishte filluar të binte në Kukës në ato ditë kur pretendohet të jetë shkrepur foto.
Trota gjithashtu thekson se arinjtë me nisjen e dimrit hyjnë në hibernim për t’u rishfaqur në pranverë, një fakt natyror që u mësohet fëmijëve që në shkollën fillore.
Viraliteti i imazhit frymëzoi krijime spontane të komentuesve që shpotisnin artificialitetin e tij.
Pretendimi: Sulmet amerikane në Venezuelë kanë goditur edhe mauzoleumin e ish-presidentit venezuelian Hugo Chavez
Verdikti: E pavërtetë
——————————————————–
Pasi forcat amerikane sulmuan objektet ushtarake në kryeqytetin e Venezuelës dhe rrëmbyen presidentin Maduro më 3 janar 2026, në rrjete sociale po qarkullon lajmi se një nga vendet e bombarduara ishte edhe varri mauzoleum i ish-presidentit historik të Venezuelës Hugo Chavez.
Eshtrat e Hugo Chavez, i cili kryesoi Venezuelën nga viti 1999 deri në vitin 2013, pushojnë në Kazermat Malore, një kompleks historik dhe ushtarak i vendosur në Karakas, kryeqytetin venezuelian.
Megjithatë, lajmi se mauzoleumi u bombardua më 3 janar nuk është i vërtetë.
Kolegët spanjollë të verifikimit të fakteve të Newtral.es arritën të kontaktojnë të nesërmen e operacionit një punëtor vendas në një biznes pranë Kazermave Malore, i cili konfirmoi se vendi i varrit të Hugo Chavez nuk u sulmua. Si provë, ai dha një video dhe një fotografi (flaka që shihet në video është nga një pishtar që mbahet ndezur përgjithmonë në ndërtesë).
Ronna Rísquez, një gazetare investigative nga Venezuela, gjithashtu konfirmoi për Newtral.es se mauzoleumi nuk u bombardua nga Shtetet e Bashkuara më 3 janar. Sipas saj, ishte një ndërtesë 500 metra larg që strehon një Komandë të Përgjithshme të Milicisë Bolivariane (ish-Observatori Cagigal) që u bombardua.
Për më tepër, kazermat ku ndodhet varri i Hugo Chavez nuk janë përfshirë në listën e vendeve të sulmuara që qarkullon në grupet e zyrtarëve ushtarakë venezuelianë, të dërguara në këtë media nga gazetarët në vend. Zyrtarët e Maduros që mbeten në pushtet nuk kanë lëshuar ende një raport zyrtar mbi dëmet.
Kolegët faktverifikues venezuelianë Cazadores de Fake News gjithashtu pajtohen se varri i Hugo Chavez nuk është sulmuar dhe tregojnë se disa përdorues po përhapin imazhe të Observatorit të vjetër Cagigal në flakë sikur të ishin Kazermat Malore.
“ Kjo video nuk tregon një sulm ndaj Kazermat Malore 4F, por ndaj Komandës së Përgjithshme të Milicisë Bolivariane, Observatori i vjetër i Cagigal, 500 m. Ne konfirmojmë strukturën e prekur nëpërmjet gjeolokacionit. Ka gjithashtu përdorues të mediave sociale që konfirmojnë se Observatori i vjetër i Cagigal ishte ndërtesa që u godit.”
Pretendimi: Ky imazh tregon presidentin venezuelian Nicolas Maduro të arrestuar
Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI
———————————————-
Pas rrëmbimit të bujshëm të presidentit venezuelian Nicolas Maduro nga ushtria amerikane më 3 janar 2026, një imazh që pretendohet se tregon momente nga ngjarja po qarkullon në rrjet, duke u përdoruredhe nga mediatshqipfolëse.
Megjithatë, imazhi i mësipërm nuk është i vërtetë. Ai është gjeneruar me anë të programeve të inteligjencës artficiale (AI).
Ai është postuar fillimisht në X/Twitter nga një përdorues që vetëquhet “entuziast i video-artit” të krijuar me inteligjencë artificiale dhe që poston rregullisht përmbajtje të gjeneruar nga AI.
Një detaj tjetër që sugjeron se imazhi mund të jetë i rremë është fakti se jeleku i njërit prej ushtarëve mban inicialet e Administratës Kundër Drogës (DEA), ndërsa operacioni për kapjen e Maduros u krye nga Delta Force (një komandë e forcave speciale të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara).
Më tej, imazhi nuk është shpërndarë nga profili i presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, as nga ndonjë organizatë tjetër apo anëtar i qeverisë së ShBA. Trump publikoi një foto të Maduros pas kapjes së tij. Në të, ai ishte veshur krejtësisht ndryshe, me një tutë sportive gri Nike.
Një tjetër video e ndarë nga llogaria e Shtëpisë së Bardhë @RapidResponse47 tregon Maduro duke u shoqëruar për në paraburgim në New York City më 3 janar 2026. Pamjet e tregojnë atë duke u shoqëruar nga tre oficerë. Në këtë pamje të publikuar zyrtarisht, veshja e Maduro është gjithashtu e ndryshme nga rrobat e tij në imazhin e gjeneruar
.
Më tej, një kërkim pamor me Google Lens tregoi se imazhi është etiketuar si “I bërë me Google AI.” Një zëdhënës i Google ka thënë për AFP se kur zbulohet një gjurmë SynthID, kjo do të thotë që “imazhi është gjeneruar ose modifikuar me AI.” SynthID, i lançuar nga laboratori DeepMind AI i Google në 2023, identifikon imazhet e gjeneruara me Google AI.
Trump konfirmoi se Maduro u “kap dhe u largua me avion bashkë me gruan e tij.” Sekretari i Shtetit i ShBA, Marco Rubio, tha se Maduro do të përballet me një gjyq penal në Shtetet e Bashkuara.
Pretendimi: Kryeministri i Australisë ndaloi mediat sociale për fëmijët nën 16 vjeç dhe si rezultat, adoleshentët plaçkitën dhe shkatërruan një supermarket në Melbourne.
Verdikti: Mungon konteksti
————————————————————–
Një video që tregon një turmë të rinjsh duke bastisur një dyqan po qarkullon në rrjete sociale me pretendimin se tregon adoleshentë australianë që shkatërrojnë një supermarket në Melbourne si rezultat i ndalimit të mediave sociale për fëmijët nën 16 vjeç në Australi.
Është e vërtetë se pamjet e mësipërme tregojnë një turmë adoleshentësh australianë që pushtuan një supermarket vendas dhe skelën Mordialloc, duke shkaktuar shqetësim publik në Melbourne më 17 dhe 18 dhjetor.
Mbi 20 oficerë me pajisje speciale dhe 20 automjete policie u dërguan në vendngjarje, ku ishin mbledhur mbi 200 të rinj. Autoritetet u thirrën fillimisht në një dyqan Woolworths pak pas orës 3 pasdite pas raportimeve për një përleshje.
Megjithatë, nuk ka prova se ky incident ka lidhje me ndalimin e mediave sociale për fëmijët nën 16 vjeç, që hyri në fuqi në Australi në fillim të dhjetorit 2025. Raportimet e mediavevendase dhe ndërkombëtare nuk përmendin fare ndalimin e rrjeteve sociale. Madje, policia beson se sherri mund të jetë organizuar në rrjetet sociale.
Në një ditë përvëluese gjatë pushimeve shkollore, të rinj nga periferitë e Melburnit u mblodhën në plazhin Mordialloc, një lloj i zakonshëm tubimi i organizuar nëpërmjet mediave sociale.
Sipas dëshmitarëve okularë që folën për mediat vendase, ajo që pasoi nuk ishte një “trazirë rinore” e planifikuar paraprakisht, por një zinxhir ngjarjesh i ngatërruar i shkaktuar nga një operacion policor i armatosur rëndë. Policia përmbyti zonën, duke u përballur me turma adoleshentësh vetëm 12 dhe 13 vjeç. Oficerët përdorën sprej me piper dhe forcë, duke provokuar panik, frikë dhe zemërim. Disa nga të rinjtë më pas vrapuan nëpër supermarketin Woolworths aty pranë, duke përmbysur mallra, duke hedhur qumësht dhe duke filmuar në telefonat e tyre. Kjo ishte një përgjigje kaotike dhe e zemëruar ndaj policisë dhe jo një plaçkitje e organizuar.
Përsa i përket kufizimeve të reja online, personat nën 16 vjeç në Australi tani e kanë të ndaluar të përdorin faqet kryesore të mediave sociale, duke përfshirë Tiktok, X, Facebook, Instagram, YouTube, Snapchat dhe Threads. Ata nuk mund të krijojnë llogari të reja dhe profilet ekzistuese po çaktivizohen.
Qeveria australiane ka thënë se kjo politikë do të zvogëlojë ndikimin negativ të “karakteristikave të dizajnit që inkurajojnë [të rinjtë] të kalojnë më shumë kohë në ekrane, ndërkohë që ofrojnë gjithashtu përmbajtje që mund të dëmtojë shëndetin dhe mirëqenien e tyre”.
Një studim i porositur nga qeveria në vitin 2025 zbuloi se 96% e fëmijëve të moshës 10-15 vjeç përdornin mediat sociale dhe se 7 nga 10 prej tyre ishin ekspozuar ndaj përmbajtjes së dëmshme. Kjo përfshinte materiale mizogjine dhe të dhunshme, si dhe përmbajtje që promovonte çrregullime të të ngrënit dhe vetëvrasje.
1 në 7 raportoi gjithashtu se kishte përjetuar sjellje të tipit “grooming” nga të rriturit ose fëmijët më të rritur, dhe më shumë se gjysma thanë se kishin qenë viktimë e bullizmit kibernetik.
Pretendimi: Kjo foto tregon dhjetëra makina policie pranë shtëpisë në Surrel të kryeministrit Edi Rama
Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI
———————————————————-
Një imazh që po qarkullon së fundmi në rrjetet socialeshqipfolëse pretendohet se tregon shtëpinë e kryeministrit Edi Rama në Surrel të rrethuar nga forca të shumta policie.
Imazhi nisi të shpërndahej një ditë pasi një grup nga Partia Demokratike marshuan në fshatin Surrel duke kërkuar dorëheqjen e Ramës. Nga pamjet televizive, duket se në këtë protestë kishte edhe prani policore. Megjithatë, imazhi i mësipërm nuk tregon momente nga kjo protestë, kryesisht për faktin që protesta ndodhi pas perëndimit të diellit, ndërkohë që në imazhin e mësipërm është ditë.
Në fakt, imazhi që po qarkullon në rrjete sociale është gjeneruar me anë të programeve kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI).
Origjina e gjeneruar e videos duket në një pjesë të videos ku mbishkrimi i disa makinave të policisë është i deformuar. Programet AI shpesh hasin vështirësi në gjenerimin e tekstit brenda imazheve.
Facebook i detyron përdoruesit të etiketojnë imazhet dhe videot e gjeneruara me AI si të tilla.
Pretendimi: Kelatimi i metaleve të rënda nga trupi mund të kurojë simptomat e autizmit.
Verdikti: E paprovuar
————————————————————–
Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon pretendimi se “terapia e kelatimit” mund të kurojë ose zvogëlojë ndjeshëm simptomat e autizmit.
Kelatimi është një procedurë që funksionon për të hequr metalet e rënda si zhiva nga trupi nëpërmjet konsumit oral ose injektimit intravenoz të substancave të ndryshme kimike që lidhen me metalet në trup për t’u nxjerrë nëpërmjet urinës. Substancat e përdorura ndonjëherë përbëhen nga acidi etilendiaminetetraacetik dinatriumi (EDTA), acidi dimerkaptosukcinik (DMSA) ose acetati i leuprolidit. Edhe pse kushdo mund të bëjë terapi kelatimi, ajo nuk rekomandohet për fëmijët me probleme të mëlçisë dhe veshkave.
Ekziston një hipotezë se individët me çrregullim të spektrit të autizmit kanë nivele më të larta të metaleve të rënda toksike në sistemet e tyre sesa bashkëmoshatarët e tyre. Megjithatë, kjo hipotezë është e pavërtetuar. Është sugjeruar, por nuk është provuar, që ashpërsia e autizmit lidhet drejtpërdrejt me sasinë e metaleve të rënda toksike në sistemin e individit. Prandaj, teoria që qëndron pas kelatimit është se heqja e metaleve do të zvogëlojë ndjeshëm simptomat e autizmit.
Kelatimi është miratuar për të trajtuar pacientët me helmim nga metalet e rënda, por nuk është miratuar për pacientët me sëmundje dhe çrregullime të tjera. Kelatimi ka dobi në trajtimin e gjendjeve specifike, siç është helmimi nga plumbi. Në këto kontekste, kur toksiciteti dokumentohet, kelatimi mund të ndihmojë në uljen e niveleve toksike të substancave brenda trupit. Megjithatë, nuk ka lidhje të provuar midis toksicitetit të metaleve të rënda dhe autizmit.
Disa kompani përpiqen të shesin ilaçe të ndryshme kelatimi pa recetë si shtesa dietike ose si një ilaç pa recetë për individët me autizëm, por Administrata amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) i ka paralajmëruar kompanitë të mos e bëjnë këtë pasi është e rrezikshme dhe e paligjshme. Rreziku i marrjes së ilaçeve të kelatimit pa recetë për një diagnozë të verifikuar (p.sh., helmim nga plumbi) mund të rezultojë në efekte anësore serioze.
Njësoj, në faqen e Shërbimit Shëndetësor Kombëtar (NHS) britanik terapia e kelatimit listohet si një trajtim që nuk rekomandohet për autizmin, specifikisht si trajtim për autizmin që është i rremë ose mund të jetë i dëmshëm.
Qendra Kombëtare për Mjekësi Plotësuese dhe Alternative (NCCAM) ka deklaruar se përdorimi i kelatimit për sëmundje dhe çrregullime të pamiratuara ka çuar në afërsisht 800 mijë vizita mjekësore çdo vit, duke e shtuar ngarkesën në sistemin mjekësor. Në vitin 2008, një projekt kërkimor në shkallë të gjerë mbi përdorimin e kelatimit për të trajtuar fëmijët autikë u ndalua për shkak të rreziqeve që shoqëroheshin me të.
Një studim i vitit 2015 që përfshiu 77 fëmijë autikë gjeti se “nuk ka prova që sugjerojnë se raunde të shumta të DMSA [terapia e kelatimit] orale kanë pasur efekt në simptomat e [autizmit].” Më tej, “duke pasur parasysh raportet e mëparshme të ngjarjeve të padëshiruara serioze, të tilla si hipokalcemia, dëmtimi i veshkave dhe vdekja e raportuar, rreziqet e përdorimit të kelatimit për Çrregullimin e Spektrit Autik aktualisht i tejkalojnë përfitimet e provuara.”
Në 23 gusht 2005, 5-vjeçari autik Abubakar Tariq Nadama vdiq ndërsa i nënshtrohej terapisë së kelatimit në klinikën e Dr. Roy Kerry, në Pennsylvania, ShBA.
Atij iu dha një injeksion me Disodium EDTA dhe ai pësoi arrest kardiak menjëherë pas kësaj. Një autopsi zbuloi se shkaku i vdekjes ishte mungesa e kalciumit në gjak si rezultat i trajtimit. Hetuesit arritën në përfundimin se Dr. Kerry kishte përdorur lëngun e gabuar. Nëse ai do të kishte përdorur Kalcium Disodium EDTA, ai do të kishte qenë i padëmshëm.
Pretendimi: Bashkimi Europian skualifikon qeverinë shqiptare nga Ministeriali i Energjisë si pasojë e skandaleve dhe aferave të Ministres së Energjisë Belinda Balluku
Verdikti: Mungon konteksti
————————————————————————-
Në 23 dhjetor 2025, mediat shqipfolëse (link, link, link, link) raportuan se Bashkimi Evropian skualifikoi Shqipërinë nga Ministeriali i Komunitetit të Energjisë. Si arsye për këtë masë penalizuese këto lajme përmendin skandalet e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku si dhe projektin për ndërtimin e një TEC në Roskovec apo marrëveshjen për prodhimin e energjisë nga TEC-e lundruese të ankoruara në Vlorë.
Artikujt i referohen një vendimi të datës 18 dhjetor të Këshillit Ministerial të Komunitetit të Energjisë, një organizmi ndërkombëtar që bashkon prej vitit 2005 Bashkimin Evropian dhe 9 vende fqinje kandidate ose kandidate potenciale për në BE, për të krijuar një treg të integruar rajonal të energjisë bazuar në një kuadër ligjërisht të detyrueshëm. Vendet antare, mes tyre dhe Shqipëria janë zotuar që të ndjekin rregulloret e përbashkëta të Bashkimit Evropian në sektorin e energjisë edhe pa qënë vend anëtar i BE-së. Monitorimi i strukturave të Komunitetit të Energjisë shërben si një mundësi për të vlerësuar zbatimin e zotimeve të marra nga vendi ynë në sektorin e energjisë dhe mjedisit në kuadër të integrimit në tregun e përbashkët evropian dhe është i lidhur ngushtësisht me integrimin në Bashkimin Evropian.
Faqja e parë e vendimit
Megjithatë, në dokumentin 2-faqësh nuk deklarohet se Shqipëria është përjashtuar nga ministeriali, mbledhja e ministrave të energjisë së vendeve antare të Komunitetit të Energjisë. Njësoj, aferat për të cilat Balluku akuzohet nga SPAK nuk përmenden në vendim.
Në vendim konstatohet mosrespektimi nga ana e Shqipërisë i detyrimeve të lindura nga 31 dhjetori 2023, si pjesë e Traktatit të Komunitetit të Energjisë, duke mos adoptuar dhe aplikuar një sërë direktivash lidhur me rregullat e përbashkëta për tregun e brendshëm të elektricitetit, përgatitjen për emergjenca në sektorin elektrik, dhe hartimin e një numër udhëzuesish.
Më konkretisht, Rregulloren (BE) 2019/941 — Përgatitja ndaj rrezikut në sektorin e energjisë elektrike, dhe Rregulloren (BE) 2017/2196 – Kodi i Rrjetit për Emergjencën dhe Restaurimin e Energjisë Elektrike (NC ER), të cilat përcaktojnë një paketë masash të detyrueshme për shtetet anëtare me qëllim garantimin e funksionimit të sigurt të sistemit elektronik në gjendjen e emergjence, blackout-i dhe restaurimi.
Vendimi urdhëron Shqipërinë të marrë masat e duhura për të ndrequr shkeljet e identifikuara dhe të raportojë rregullisht në sekretariat në lidhje me masat e marra deri në korrik 2026, si një afat kur mund të ndërmerren masa të mëtejshme ndaj vendit tonë.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë lëshoi një deklaratë për mediat më 24 dhjetor ku hidhte poshtë pretendimet se Shqipëria ishte përjashtuar nga Komuniteti i Energjisë.
“Diskutimet e zhvilluara së fundmi kanë qenë vetëm në nivelin e Sekretariatit të Energjisë, një strukturë teknike e krijuar posaçërisht për të asistuar vendet jo-anëtare dhe nxitur zhvillimin e sektorit energjetik në linjë me standardet e vendeve te BE,” deklaroi MIE. “Gjatë mbledhjes së Sekretariatit të Energjisë të mbajtur javën e kaluar, janë identifikuar masa të përgjithshme që duhet të përmbushen nga të gjitha vendet anëtare (të këtij Traktati) deri në korrik 2026. Në rastin e Shqipërisë, kërkesa konsiston në përafrimin e ligjit për sektorin e energjisë me Rregulloret e BE.”
Pavarësisht panoramës pozitive që transmeton deklarata e MIE, verifikimi i dokumentacionit zyrtar të sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, konfirmon se vendi ynë ka marrë paralajmërimin e fundit për pezullim apo ngrirje të statusit si vend anëtar i këtij organizmi të iniciuar dhe financuar nga Bashkimi Evropian. Pasi ka dështuar prej dy vitesh për të paraqitur një plan kombëtar dhe koordinuar me vendet fqinje në rajon shpalljen e emergjencave të furnizimit me energji elektrike, sipas direktivave të BE-së, lajmet për masa ndëshkuese mund të bëhen realitet në korrikun e ardhshëm.
Vlen të theksohet se vendi ynë shpalli gjendjen e emergjencës prej 23 nëntor 2021, duke thjeshtuar procedurat e detyrueshme në blerjen dhe furnizimin e energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare. Kjo situatë emergjence u shty disa herë deri në 31 dhjetor 2023 edhe pse kriza energjitike botërore kishte frenuar pasojat e saj në bursat e shitjes së energjisë.
Pretendimi: Kjo foto tregon kryeministrin Edi Rama duke u rrahur nga disa persona me shkopa
Verdikti: E pavërtetë, Foto e modifikuar
———————————————————
Një imazh që po qarkullon në rrjetet sociale shqipfolëse duket se tregon ditën e gjykimit popullor të kryeministrit Edi Rama. Në foto duken disa persona me shkopa në duar duke tentuar të godasin dhunshëm kreun e qeverisë, ndërsa ky i fundit është përkulur në një pozicion shfajësimi.
Megjithatë, imazhi i mësipërm dukshëm është një montazh.
Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se imazhi origjinal është nga protestat e fermerëve në Kretë, Greqi në dhjetor 2025, dhe tregon protestuesit duke goditur me shkopin e çobanit një polic.
Imazhi i manipuluar (majtas) dhe imazhi origjinal (djathtas)