Si kanë ndryshuar rezultatet e partive të mëdha krahasuar me zgjedhjet e kaluara?
Rezultatet preliminare të zgjedhjeve të dhjetorit 2025 tregojnë ndryshime të dukshme në raportin e forcave politike, krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021 dhe ato të shkurtit 2025.
Sipas të dhënave të paraqitura në grafik, Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të mbetet subjekti politik më i votuar në vend, me rreth 50.28 për qind, duke ruajtur epërsinë ndaj partive të tjera, ndonëse me luhatje të lehta krahasuar me zgjedhjet e mëparshme.
Në zgjedhjet e fundit, LVV kishte 42.3 për qind, ndërkaq në zgjedhjet e 28 dhjetorit e ka rikthyer ndjeshëm rezultatin e vitit 2021.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) shënon rritje në zgjedhjet e dhjetorit 2025, duke arritur në rreth 21 për qind, krahasuar me 17.01 për qind në vitin 2021 dhe 20.95 për qind në zgjedhjet e shkurtit 2025, duke u konfirmuar si forca e dytë politike në vend.
Në anën tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) shënon rënie të ndjeshme krahasuar me shkurtin 2025. Nga 18.27 për qind, ajo bie në rreth 13.57 për qind, megjithëse mbetet mbi rezultatin e vitit 2021, kur kishte marrë 12.73 për qind të votave.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) vazhdon trendin rënës, duke zbritur në rreth 5.68 për qind në dhjetor 2025, nga 7.06 për qind në shkurt dhe 7.12 për qind në zgjedhjet e vitit 2021.
Ndërkohë, Lista Serbe shënon një rritje të lehtë, me rreth 4.78 për qind, krahasuar me 4.26 për qind në shkurt 2025, por mbetet nën rezultatin e vitit 2021, kur kishte marrë 5.09 për qind.
Të dhënat pasqyrojnë një skenë politike ende të polarizuar, me Vetëvendosjen që ruan primatin, PDK-në që konsolidon rritjen dhe partitë tjera që përballen me sfida serioze për të rifituar mbështetjen e elektoratit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të publikojë rezultatet përfundimtare pas përfundimit të numërimit të të gjitha votave./Telegrafi.
Shënim: Në zgjedhjet parlamentare të shkurtit të këtij viti, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës garoi në një listë të përbashkët me Nismën Socialdemokrate.*Të dhënat për zgjedhjet e dhjetorit të këtij viti reflektojnë rezultatet me 99.65 për qind të vendvotimeve të procesuara.Grafika: Doruntina Baftiu | Radio Evropa e LirëBurimi: Komisioni Qendror i Zgjedhjeve
