Tirana, Partizani, Dinamo e Bylisi sigurojnë çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë
TIRANË, 10 janar /ATSH/ Përfunduan katër ndeshjet e luajtura në orën 13:00 të vlefshme për fazën e 1/8-ve të Kupës së Shqipërisë.
Dinamo ka mposhtur Besën me rezultatin 3-0 në stadiumin “Air Albania”. Ekipi i Ilir Dajës siguroi kështu çerekfinalen e Kupës së Shqipërisë.
Golin e parë e realizoi Bernard Berisha në minutën e 12-të, kur përfitoi nga gabimi i prapavijës së Besës. Bregu dyfishoi shifrat në minutën e 80-të, ndërsa Hekuran Berisha vulosi rezultatin në kohën shtesë. Për çerekfinalet do të ketë short, ndërsa Dinamo është pjesë e vazos së parë.
Të kuqtë e Partizanit mposhtën Burrelin me rezultatin 3-0 në “Arenën e Demave” duke siguruar fazën çerekfinale. Golin e parë e realizoi Rouen Hjumen (19’). Mesfushori goditi një top që përshëndeti rrjetën nga distanca 25 metra. Më pas takimi u vulos nga golat e Kontreras (44’) dhe Skukës (85’). Tashmë për çerekfinalet do të ketë short dhe Partizani është pjesë e vazos së parë.
Tirana ka siguruar biletën për çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë pasi ka mundur me vuajtje në kohën shtesë Skënderbeun në “Selman Stërmasi”. Bardheblutë e riformatuar thuajse plotësisht në merkaton e janarit, kanë dominuar pjesën e parë të sfidës dhe gjetën golin me Mysloviç. Por në të dytën, Skënderbeu kishte një ritëm tjetër dhe kërkoi e gjeti golin e barazimit me Janaqin në shtesën e ndeshjes.
Sfida shkoi me kohë shtesë, ku kishte realisht pak emocione të prodhuara nga të dy skuadrat. Por në fund, një shpërthim i Ernest dhe finalizimi i Tares bënë diferencën për golin e rezultatit përfundimtar 2-1 që siguroi biletën e Tiranës për turin tjetër të turneut.
Bylisi skualifikoi 3-2 ekipin e Laçit, me një lojtar më pak dhe me kohë shtesë. Golat u shënuan nga: 15′ Muktar, 61′(p) Mustafa, 107′ Rabiu për Bylisin, ndërsa për Laçin shënuan 45+1′ Umar, 90+4′ Jiakpona.
Dinamo City-Besa 3-0
Partizani-Burreli 3-0
Tirana-Skënderbeu 2-1
Bylis-Laçi 3-2
Po sot, në orën 16:00, luhen katër ndeshjet e tjera:
Egnatia-Apolonia
Vllaznia-Pogradeci
AF Elbasani-Flamurtari
Teuta-Vora
The post Tirana, Partizani, Dinamo e Bylisi sigurojnë çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.