Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 29 January 2026Main stream

Gazetari kroat publikoi dokumentin e ri për pjesëmarrjen e Vuçiqit në vrasjen e civilëve në Sarajevë

29 January 2026 at 21:53


Gazetari kroat, Domagoj Margetiq ka publikuar një dokument të ri që dëshmon pjesëmarrjen e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq në “Sarajevo Safari” – vrasjen e civilëve të pafajshëm në kryeqytetin e Bosnjë e Hercegovinës.

Publikimi i dokumentit vjen pasi Vuçiq, disa ditë më parë, gjatë një paraqitjeje në FTV, në lidhje me “Sarajevo Safari”, deklaroi se “e dini që po gënjeni”.

“Nuk ka mënyrë më të mirë dhe më profesionale gazetareske për t’iu përgjigjur fyerjeve të Vuçiqit sesa publikimi i edhe një dokumenti tjetër që dëshmon pjesëmarrjen e tij në safari njerëzore në Sarajevën e kohës së luftës. Duke qenë se në intervistën për Federal TV më akuzoi edhe një herë se po gënjej, gjë që u transmetua nga të gjitha mediat në rajon, asgjë nuk e dëshmon më mirë se ky dokument se gënjen pikërisht Vuçiqi”, tha Margetiq.

Siç thekson ai, dokumenti i “Njësisë çetnike të Novo Sarajevës” me numër 72-08/92, i datës 23.08.1992, i nënshkruar nga komandanti i njësisë Slavko Aleksiq, dëshmon disa fakte të rëndësishme dhe hap disa pyetje jashtëzakonisht të rëndësishme në rastin e safarive njerëzore në Sarajevën e kohës së luftës.

“Aleksandar Vuçiq edhe në intervistën e fundit propagandistike për Federal TV ka pretenduar se kurrë nuk ka mbajtur pushkë mbi Sarajevë dhe se nuk ka qëlluar. Ky dokument dëshmon se Aleksandar Vuçiq po gënjen. Me urdhrin nr. 72-08/92, komandanti Slavko Aleksiq i ka urdhëruar logjistikës së Njësisë që Vuçiqit t’i vihet në përdorim një pushkë, konkretisht ‘Zastava M59/66’, e njohur gjerësisht si ‘papovka’. Kushdo që ka pasur ndonjë lidhje me ushtrinë ose ka shërbyer në Ushtrinë Popullore Jugosllave (JNA), është plotësisht i vetëdijshëm se në atë incizim video mbi Sarajevë, Vuçiqi mban pikërisht atë model pushke”, deklaroi ai.

Ai shtoi se në atë model “papovke” mund të montohet optikë dhe se pushka është shumë precize, ndaj është përdorur gjerësisht edhe si pushkë snajperi.

“Përveç kësaj, edhe ky dokument, i cili qartazi është hartuar pikërisht në momentin e ardhjes së Aleksandar Vuçiqit në pozicionet për gjueti të snajperit ndaj civilëve, përkatësisht në pozicionet për safari njerëzore, në Varrezat Hebraike në Sarajevë, dëshmon se pikërisht Vuçiqi ishte i ngarkuar si udhërrëfyes dhe shoqërues i mysafirëve të huaj që vinin për safari njerëzore. Krahas gjithë sa u përmend, ky dokument dëshmon edhe një gjë tjetër: lidhjen e Aleksandar Vuçiqit me Sigurimin Shtetëror të Serbisë, i cili në atë kohë drejtohej nga Jovica Stanishiq, i dënuar për krime lufte. Këtë e konfirmojnë edhe informacione të tjera sipas të cilave Vuçiqi, në atë periudhë, gjatë lëvizjes si vullnetar nëpër Bosnjë e Hercegovinë dhe gjatë pjesëmarrjes aktive në rrethimin e Sarajevës, përdorte një letërnjoftim zyrtar të Sigurimit Shtetëror. Kjo, natyrisht, ngre pyetje të mëtejshme se deri në çfarë mase sigurimi ushtarak i Serbisë e ka përdorur Sheshelin, partinë e tij SRS dhe këto njësi si një degë ilegale të DB-së për punë dhe detyra të pista?!”, pyeti Margetiq. /Telegrafi/

"Guinness World Records" i jep dy tituj një talenti dyvjeçar në bilardo

29 January 2026 at 21:31


Në vetëm 2 vjeç e 302 ditë, Jude Owens bëri histori duke u bërë djali më i ri që realizon një “bank shot” në bilardo dhe djali më i ri që fut një “double” në “snooker”.

Babai i tij, Luke Owens, e përshkroi Juden si një “talent natyral” që u përshtat me sportet me shkop pothuajse menjëherë.

Videot e tij që shpërndahen online kanë tërhequr vëmendjen e platformave të mëdha të rrjeteve sociale.

Kryeredaktori i Guinness World Records, Craig Glenday, e quajti arritjen “jashtëzakonisht të veçantë”, duke theksuar se rekordet mund t’i thyejnë të gjithë, pavarësisht moshës.

Ndryshe, “Bank shot” në bilardo (dhe snooker) është një lëvizje ku topi goditet nga shkopi dhe më pas përplaset në muret e bilardos para se të futet në vrimë.

Pra, nuk futet direkt në vrimë, por përdor murin për të ndryshuar drejtimin e topit. /Telegrafi/

- YouTube www.youtube.com

Zuckerberg tregon sa miliardë njerëz përdorin të paktën një herë në ditë Facebook, Instagram ose WhatsApp

29 January 2026 at 21:31


Meta përfundon 2025 me rezultate të forta dhe paralajmëron vit të madh për inteligjencën personale artificiale në 2026.

Mark Zuckerberg, CEO i Meta, ka ndarë raportin e fitimeve tremujore të kompanisë, duke theksuar performancën e fuqishme të biznesit në vitin 2025 dhe planet ambicioze për vitin 2026.

“Ne mbyllëm 2025-n fuqishëm, me më shumë se 3.5 miliardë njerëz që përdorin të paktën një nga aplikacionet tona çdo ditë. Kjo përfshin më shumë se 2 miliardë përdorues aktivë ditorë në Facebook dhe WhatsApp, dhe pothuajse aq në Instagram”, tha Zuckerberg. Ai shtoi se rritja e biznesit u ndihmua nga kërkesa rekord gjatë pushimeve dhe përfitimet nga performanca e përmirësuar nga inteligjenca artificiale (AI).

Zuckerberg paralajmëroi një “shfrytëzim të madh të AI-së” në vitin 2026, duke premtuar produkte të reja dhe transformim të mënyrës se si punojmë. Ai theksoi zhvillimet në inteligjencën personale, që do të kuptojë kontekstin unik të përdoruesve — historinë, interesat, përmbajtjen dhe marrëdhëniet e tyre — duke krijuar përvoja shumë më personale dhe të personalizuara.

Meta po punon gjithashtu për integrimin e modeleve të mëdha gjuhësore me sistemet e rekomandimeve në Facebook, Instagram, Threads dhe reklamat, duke synuar të tregojë përmbajtje që ndihmon njerëzit të arrijnë qëllimet e tyre personale. Në fushën e tregtisë, Zuckerberg tha se “mjetet e reja të blerjeve me ndihmën e AI-së do të lejojnë përdoruesit të gjejnë produktet perfekte në katalogun e bizneseve”.

Zhvillimet e reja përfshijnë formate të reja përmbajtjeje më të pasura dhe më interaktive, si dhe “syze inteligjente” që mund të shohin, dëgjojnë, flasin dhe ndihmojnë përdoruesit në jetën e përditshme. Shitjet e syzeve të Meta-s u trefishuan vitin e kaluar, duke i bërë ato një nga pajisjet elektronike më të shpejta në rritje në histori.

Për Reality Labs, fokusi kryesor do të jetë tek syzet dhe pajisjet e veshshme, ndërsa Horizon synon të bëhet një sukses masiv në mobile dhe VR të jetë një ekosistem fitimprurës në vitet në vijim.

Zuckerberg gjithashtu njoftoi Meta Compute, një iniciativë për të përmirësuar infrastrukturën e kompanisë dhe për të siguruar inteligjencë personale për miliarda njerëz dhe biznese në mbarë botën.

Ai përfundoi se “2026 do të jetë viti kur AI do të ndryshojë rrënjësisht mënyrën se si punojmë. Ne po investojmë në mjetet AI për individët në Meta, duke i ndihmuar ata të arrijnë më shumë dhe të japin ndikim të madh për miliarda njerëz në botë. Ky vit do të jetë i madh për inteligjencën personale artificiale dhe zhvillimin e ardhshëm të kompanisë sonë”. /Telegrafi/

Shpërthim i fuqishëm në një rafineri në Turqi

29 January 2026 at 21:15


Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur në një rafineri në Turqi.

Sipas mediave, deri më tani nuk ka raportime për të lënduar, ndërsa personeli është evakuuar në mënyrë të sigurt.

Ende nuk është sqaruar se në cilën pjesë të rafinerisë ndodhi shpërthimi. Të gjithë punonjësit brenda ambienteve u evakuuan menjëherë sipas procedurave të sigurisë, ndërsa banorët e zonave përreth u njoftuan për rrezikun e mundshëm dhe u këshilluan të qëndrojnë larg.

Forcat e sigurisë kanë izoluar zonën, duke ndaluar qarkullimin e qytetarëve dhe automjeteve, ndërsa ambulancat qëndrojnë në gatishmëri. Operacionet e shuarjes po vazhdojnë, dhe ekipet pritet të qëndrojnë në vendngjarje gjatë gjithë natës.

Shkaqet e zjarrit mbeten të panjohura, ndërsa një hetim teknik i detajuar pritet të nisë së shpejti. Nuk ka njoftime zyrtare mbi viktimat, dhe vlerësimet fillestare tregojnë se nuk ka persona të lënduar.

Drejtuesit e kompanisë dhe autoritetet lokale pritet të japin përditësime gjatë orëve në vijim.

Banorët e zonës shprehin shqetësim për mundësinë e rrjedhjeve të gazit dhe shpërthimeve të tjera, por autoritetet sigurojnë se janë marrë të gjitha masat për sigurinë publike dhe se situata po monitorohet nga afër. /Telegrafi/

Policia në Serbi konfiskon pesë tonë marihuanë

29 January 2026 at 20:46


Në konfiskimin më të madh të drogës në historinë e Serbisë, policiasot në fshatin Konjuh, në afërsi të Krushevcit, gjeti afërsisht pesë ton marihuanë dhe katër armë automatike.

Në fotografitë nga vendi i ngjarjes shihet një numër i madh kutish ku ishte ruajtur marihuana, si dhe armatimi.

Ndër armët e konfiskuara ndodhet një pushkë automatike e modifikuar mbi platformën AK, si dhe dy pushkë automatike “Kalashnikov”, varianti Zastava AB2 me shufër të palosshme, të gjitha në kategorinë e armëve me fole të gjatë.

Në vendngjarje kanë shkuar ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, si dhe Marko Kriçak, shefi i Drejtorisë së Policisë Kriminale, të cilët po ndjekin rrjedhën e aksionit dhe inspektimin.

Aksionin e kanë kryer së bashku pjesëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Drejtorisë së Policisë Kriminale.

Sipas nova.rs. një pjesë e drogës së konfiskuar ishte e destinuar për tregun e Serbisë, ndërsa një pjesë më e vogël ishte parashikuar të përfundonte në vendet e Bashkimit Evropian. /Telegrafi/

Policia në Serbi konfiskon pesë ton marihuanë telegrafi.com

Ushtria izraelite konfirmoi shifrat për të vrarët në Gaza - mbi 71 mijë palestinezë, numri mund të rritet

29 January 2026 at 20:31


Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) kanë pranuar vlerësimin e Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza se gjatë luftës mes Izraelit dhe Gazës janë vrarë rreth 70 mijë palestinezë, duke theksuar se ky numër nuk përfshin banorët e zhdukur që mund të ndodhen të varrosur nën rrënoja.

IDF ka bërë gjithashtu të ditur se aktualisht po analizon të dhënat mbi viktimat për të përcaktuar se sa prej tyre kanë qenë luftëtarë dhe sa civilë. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, që nga fillimi i luftës më 7 tetor 2023, zjarri ushtarak izraelit ka vrarë 71.667 banorë të Gazës.

Ministria në përmbledhjen e saj përfshin vetëm ata që janë vrarë drejtpërdrejt nga zjarri ushtarak izraelit, ndërsa nuk regjistron ata që kanë vdekur nga uria apo sëmundjet. Të dhënat e publikuara nga Ministria e Shëndetësisë identifikojnë mbi 90 për qind të trupave me emra dhe numra identifikues, por nuk bëjnë dallim mes luftëtarëve dhe civilëve, raporton jp.

Të dhënat mbi të vrarët dhe të plagosurit në Gaza janë studiuar që nga fillimi i luftës nga shumë organizata ndërkombëtare, qeveri, media dhe studiues, dhe ekziston një konsensus i gjerë se ato janë të besueshme.

Megjithatë, Izraeli nuk i ka pranuar kurrë zyrtarisht këto shifra, ndërsa Ministria e Punëve të Jashtme i ka quajtur ato “mashtruese dhe të pabesueshme”.

Sidoqoftë, Izraeli nuk i ka kundërshtuar të dhënat me informacione kontradiktore, dhe disa studime madje kanë treguar mundësinë që numri real i të vrarëve në Gaza të jetë edhe më i lartë se ai që raporton Ministria e Shëndetësisë.

Në qershor të vitit 2025 u publikua një studim që përfundoi se, deri në janar të atij viti, rreth 75.200 palestinezë kishin humbur jetën gjatë luftës, në kundërshtim me shifrën e atëhershme prej rreth 55 mijë të vdekurish sipas Ministrisë së Shëndetësisë.

Gjithnjë e më shumë ekspertë ndërkombëtarë atëherë arritën në përfundimin se të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë janë të besueshme, madje edhe shumë konservatore. /Telegrafi/

Rënie e fortë e çmimit të arit

29 January 2026 at 19:50


Çmimet e arit dhe argjendit sot kanë regjistruar një rënie të fortë, pas një periudhe të gjatë rritjeje të shpejtë që i çoi metalet e çmuara në nivele rekord.

Arit ra nën 5300 dollarë për unce, ndërsa argjendi u ul nga vlera rekord prej gati 120 dollarësh në 110 dollarë. Ky është një sinjal që, si paralajmërojnë analistët, rritja e çmimeve ka hyrë në një “fazë të rrezikshme”.

Aktualisht, çmimi i arit është 5355 dollarë për unce, ndërsa argjendi pak më shumë se 115.90 dollarë.

Kjo kthesë në treg ka shtyrë investitorët të jenë të kujdesshëm pas muajsh rritjeje të nxitur nga kërkesa nga Kina, blerjet e bankave qendrore dhe tensionet gjeopolitike, raporton Yahoo Finance.

Rënia erdhi pasi çmimet arritën kulme historike, duke nxitur një valë shitjesh për të realizuar fitime.

Analistët theksojnë se ky korrigjim ishte i pritshëm, duke pasur parasysh shpejtësinë dhe forcën e rritjes së mëparshme.

“Ka gjithnjë e më pak hapësirë për rritje të mëtejshme të çmimeve të arit dhe argjendit pas rekordeve të fundit”, tha Carsten Fritsch, analist në Commerzbank.

“Është e qartë se investitorët po realizojnë fitime dhe i gjithë rritja mbështetet mbi baza të pasigurta”, shtoi ai, duke vënë në dukje si shenjë paralajmëruese faktin që investitorët në fondet e tregtuara në bursë (ETF) nuk janë bashkuar me këtë trend.

Rënia e çmimeve të metalit të çmuar është ndikuar edhe nga faktorë të jashtëm të tregut. Forcimi i dollarit amerikan dhe rritja e fitimeve të obligacioneve amerikane rritën presionin mbi arin, i cili nuk sjell fitim dhe bëhet më pak rezistues për investitorët në një mjedis me norma më të larta interesi.

Njëkohësisht, ngadalësimi i kërkesës në tregjet kryesore aziatike ka ulur ritmin e rritjes.

Disa analistë e shohin këtë rënie si një korrigjim të shëndetshëm pas rritjes së madhe, ndërsa të tjerë paralajmërojnë për mundësinë e rënieve të mëtejshme nëse ulet blerja spekulative që ka dominuar tregun në muajt e fundit.

Megjithatë, perspektivat afatgjata për arin dhe argjendin mbeten pozitive, të mbështetura nga blerjet e vazhdueshme të bankave qendrore dhe rritja e rrezikut gjeopolitik. Sidoqoftë, në periudhën afatshkurtër pritet një rritje e luhatshmërisë në tregun e metalit të çmuar. /Telegrafi/

Zyrtarë sauditë dhe izraelitë në Uashington për sulme të mundshme ndaj Iranit

29 January 2026 at 19:05


Gjatë kësaj jave, administrata e presidentit amerikan, Donald Trump ka organizuar takime në Uashington, në të cilat marrin pjesë zyrtarë të lartë nga Izraeli dhe Arabia Saudite, për të biseduar rreth Iranit, ndërsa lideri amerikan po shqyrton mundësinë e një veprimi ushtarak, raporton Axios.

Trump ka urdhëruar forcimin e pranisë ushtarake amerikane në Gjirin Persik për t’u përgatitur për një veprim të mundshëm ushtarak. Izraeli, Arabia Saudite dhe vende të tjera të rajonit kanë qenë prej ditësh në gjendje gatishmërie të lartë, duke pritur një goditje të mundshme amerikane.

Izraelitët kanë ardhur në Uashington për të ndarë informacione të inteligjencës mbi objektiva të mundshëm brenda Iranit. Sauditët, nga ana tjetër, janë jashtëzakonisht të shqetësuar për një përshkallëzim të mundshëm të luftës rajonale dhe po përpiqen të ndërmjetësojnë një zgjidhje diplomatike.

Zyrtarë nga Shtëpia e Bardhë thonë se Trump ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar. Edhe pse të mërkurën ai kërcënoi sërish Iranin me goditje që do të jenë “shumë më të rënda” se herën e kaluar, ndihmësit e tij pohojnë se ai mbetet i hapur ndaj diplomacisë.

Shefi i inteligjencës ushtarake izraelite, gjenerali Shlomi Binder, ka zhvilluar takime me zyrtarë të lartë të Pentagonit, CIA-s dhe Shtëpisë së Bardhë, thanë dy zyrtarë amerikanë. Një burim i njohur me çështjen tha se Binder kishte ardhur për të informuar administratën Trump mbi të dhëna specifike që ata kishin kërkuar.

Pritet që ministri saudit i Mbrojtjes, princi Khalid bin Salman, të zhvillojë takime të përqendruara te Irani në kompleksin e Pentagonit, në Departamentin e Shtetit dhe në Shtëpinë e Bardhë, përfshirë bisedime me sekretarin e shtetit dhe të dërguarin special. Princi Khalid, vëllai më i vogël dhe bashkëpunëtori më i afërt i princit të kurorës saudite, do të jetë në Uashington të enjten dhe të premten.

Sauditët, në ditët e fundit, kanë përcjellë mesazhe mes SHBA-së dhe Iranit në përpjekje për të ulur tensionet. Princi i kurorës saudite Mohammed bin Salman i ka thënë presidentit iranian Masoud Pezeshkian se Arabia Saudite nuk do të lejojë që SHBA-ja të përdorë hapësirën e saj ajrore për një sulm.

Aktualisht nuk ka negociata serioze mes SHBA-së dhe Iranit. Zyrtarët amerikanë thonë se Teherani duket se nuk është i interesuar për një marrëveshje sipas kushteve maksimale që vendos SHBA-ja.

“‘Goditja e kufizuar’ është një iluzion. Çdo veprim ushtarak i SHBA-së, nga cilido drejtim dhe në çfarëdo niveli, do të konsiderohet akt lufte dhe përgjigjja do të jetë e menjëhershme, gjithëpërfshirëse dhe e paprecedentë, duke synuar zemrën e Tel Avivit dhe të gjithë ata që mbështesin agresorin”, shkroi Ali Shamkhani, këshilltar i lartë i udhëheqësit suprem iranian, në platformën X. Irani gjithashtu ka kërcënuar se do të godasë bazat amerikane në rajon.

Forcimi ushtarak amerikan në Gjirin Persik do të përfundojë në ditët në vijim, thonë zyrtarët amerikanë. Aeroplanmbajtësja USS Abraham Lincoln ka mbërritur në rajon. /Telegrafi/

BE miraton strategjinë e parë për vizat

29 January 2026 at 18:07


Komisioni Evropian ka miratuar sot strategjinë e tij të parë për vizat në Bashkimin Evropian, duke vendosur një kuadër më të qartë dhe strategjik për politikat e vizave.

Qëllimi i saj është të forcojë sigurinë, të rrisë prosperitetin dhe të forcojë ndikimin global të BE-së.

Strategjia bazohet në tre shtylla kryesore - siguria, konkurrueshmëria dhe mjetet moderne të vizave

Siguria - të forcojë sigurinë, përmes përmirësimit të sistemeve të kontrollit të vizave dhe dokumenteve të udhëtimit, si dhe duke mundësuar masa të drejtuara ndaj vendeve që kërcënojnë sigurinë e BE-së.

Konkurrenca - rrisë prosperitetin dhe konkurrueshmërinë, duke thjeshtuar udhëtimet dhe procedurat për turistët, biznesmenët, studentët dhe punonjësit e kualifikuar, si dhe duke mbështetur talente dhe sipërmarrje inovative.

Modernizimi - të modernizojë mjetet e vizave, përmes sistemeve digjitale të avancuara që do të mundësojnë një menaxhim më të shpejtë dhe efikas të aplikimeve dhe kontrolleve kufitare.

Përveç strategjisë, Komisioni ka miratuar edhe një rekomandim për tërheqjen e talenteve për inovacion, që synon ta bëjë BE-në më tërheqëse për profesionistët e kualifikuar, studiuesit, studentët dhe sipërmarrësit inovativë.

Ky rekomandim synon të përmirësojë procedurat për vizat dhe lejet e qëndrimit afatgjata dhe të lehtësojë kalimin drejt punës dhe sipërmarrjes.

Komisioni nënvizon se këto masa do ta bëjnë BE-në më të sigurt, më përparimtare dhe me ndikim më të madh global, duke e bërë udhëtimin më të shpejtë, më të sigurt dhe më të parashikueshëm për qytetarët dhe vizitorët. /Telegrafi/

Ish-ministri i Jashtëm gjerman bën thirrje për krijimin e një bombe atomike evropiane

29 January 2026 at 16:58


Ish-ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Joschka Fischer, ka deklaruar se Evropa duhet të rishikojë rrënjësisht strategjinë e saj të sigurisë dhe të shqyrtojë seriozisht mundësinë e krijimit të një kapaciteti të përbashkët bërthamor evropian.

Sipas tij, realitetet gjeopolitike të ditëve të sotme kanë treguar se kontinenti nuk mund të mbështetet më në arkitekturën e vjetër të sigurisë.

Fischer theksoi se garancitë e sigurisë nga Shtetet e Bashkuara nuk janë më të sigurta dhe të besueshme si më parë.

“Garancitë amerikane të sigurisë nuk janë më të besueshme që nga ky moment”, u shpreh ai në një intervistë për gazetën gjermane Tagesspiegel. Kjo situatë, sipas tij, e vendos Evropën përballë nevojës për të marrë më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e vet.

Në këtë kontekst, Fischer nënvizoi rolin e Gjermanisë si një aktor kyç në Evropë, duke pranuar se vendi i tij ka një përgjegjësi të veçantë për udhëheqje.

Megjithatë, ai theksoi qartë se kjo udhëheqje nuk duhet të jetë e njëanshme apo dominuese, por të realizohet gjithmonë në bashkëpunim të ngushtë me vendet e tjera evropiane. “Gjermania mban përgjegjësi për udhëheqje në Evropë, por gjithmonë vetëm së bashku me të tjerët”, deklaroi ai.

Fischer nuk mbështet idenë e krijimit të një arme bërthamore kombëtare gjermane, por përkundrazi propozon një qasje kolektive në nivel të Bashkimit Evropian. Ai argumenton se një armatim bërthamor i përbashkët do të forconte autonominë strategjike të Evropës dhe do të shërbente si një faktor parandalues në një mjedis ndërkombëtar gjithnjë e më të paqëndrueshëm.

Sipas Fischerit, një iniciativë e tillë do të kërkonte debat të thellë politik, koordinim mes shteteve anëtare dhe një vizion të qartë për rolin e Evropës në skenën globale. Megjithatë, ai e sheh këtë hap si të pashmangshëm nëse Evropa dëshiron të mbrojë interesat dhe sigurinë e saj në të ardhmen. /Telegrafi/

Pse stabiliteti i Iranit është bërë çështja numër një për Ankaranë?

29 January 2026 at 15:57


Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Turqisë (MGK) mbajti të mërkurën një mbledhje të kryesuar nga presidenti Recep Tayyip Erdogan, në të cilën u shqyrtuan çështje kyçe rajonale dhe globale, me fokus të veçantë te Irani, Siria dhe Gaza.

Në deklaratën e publikuar pas mbledhjes, Këshilli theksoi se stabiliteti dhe paqja në Iran janë me rëndësi jetike për sigurinë më të gjerë rajonale. Gjatë takimit u analizuan zhvillimet politike, ushtarake dhe ekonomike të vitit 2025, si dhe u përcaktuan hapat strategjikë dhe masat që Turqia do të ndërmarrë në vitin 2026 për të ruajtur sigurinë kombëtare.

Këshilli riafirmoi mbështetjen e palëkundur për përpjekjet e Sirisë në ruajtjen e sovranitetit, integritetit territorial dhe unitetit politik. Theks i veçantë iu kushtua krizës humanitare në Palestinë.

Anëtarët e Këshillit u informuan për operacionet e suksesshme kundër organizatave terroriste si PKK/KCK-PYD/YPG, FETÖ dhe ISIS, si brenda vendit ashtu edhe jashtë tij.

Gjithashtu, u theksua mbështetja për sovranitetin dhe integritetin territorial të Somalisë. Ankaraja bëri të ditur se do të vazhdojë të përmbushë “detyrimet vëllazërore” në mbështetje të luftës së popullit somalez kundër terrorizmit.

U diskutua edhe situata aktuale e luftës ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës. Këshilli u bëri thirrje të gjitha palëve për veprim të përgjegjshëm, në mënyrë që pasojat e konfliktit të mos rrezikojnë stabilitetin në rajonin e Detit të Zi.

“Turqia do të vazhdojë të investojë përpjekje për t’i dhënë fund luftës që rrit rreziqet globale dhe do të punojë për përcaktimin e shpejtë të kushteve për një paqe të qëndrueshme”, thuhet në deklaratë.

Në përfundim theksohet se Turqia do të vazhdojë edhe në vitin 2026 diplomacinë multidimensionale, me qëllim ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në zonat e krizës, nga fqinjësia e afërt deri në Azi, Afrikë dhe Evropë.

Ky mesazh i Këshillit turk vjen në kulmin e tensioneve më të mëdha mes Uashingtonit dhe Teheranit në vitet e fundit. Ndërsa presidenti i SHBA-së, Donald Trump, paralajmëron ndërhyrje ushtarake dhe dërgon flotën detare drejt brigjeve iraniane, shefi i diplomacisë turke, Hakan Fidan, paralajmëron se një sulm ndaj Iranit do të ishte “një gabim katastrofal”.

Fidan u ka thënë së fundmi partnerëve amerikanë se Irani nuk duhet të bëhet “Venezuela e re”, duke theksuar se Ankaraja nuk do të qëndrojë duarkryq ndaj përpjekjeve për destabilizimin e fqinjit të saj të drejtpërdrejtë.

Pak më vonë, shefi i diplomacisë turke përsëriti se një konflikt i ri me Iranin do të ishte një gabim i madh, duke theksuar se Teherani është i gatshëm të rikthehet në negociatat për programin bërthamor. /Telegrafi/

Rënia spektakolare e vlerës së NFT-së së ‘tweet’ të parë - nga 2.9 milionë dollarë në më pak se 10

29 January 2026 at 07:31


NFT-ja e tweet-it të parë në historinë e Twitter, e publikuar nga themeluesi i platformës Jack Dorsey, ka pësuar një rënie drastike në vlerë.

E shitur në vitin 2021 për 2.9 milionë dollarë gjatë kulmit të euforisë së kriptomonedhave, sot ajo vlerësohet në më pak se 10 dollarë.

Sipas të dhënave të tregut, kjo NFT aktualisht nuk po shitet realisht.

— (@)

Çmimi i saj është vetëm një vlerësim teorik i bazuar në ofertat më të mira ekzistuese, ndërsa prej vitesh nuk është regjistruar asnjë transaksion konkret.

Rënia e saj pasqyron kolapsin më të gjerë të tregut të NFT-ve, i cili ka humbur mbi 99 për qind të vlerës që nga kulmi i vitit 2021.

Ajo që dikur u konsiderua si “përjetësi digjitale”, sot shihet si një shembull i qartë i flluskës spekulative në botën e teknologjisë dhe kriptovalutave. /Telegrafi/

Padi kundër inteligjencës artificiale - punëkërkuesit i shpallin “luftë” AI-së

29 January 2026 at 07:20


Një grup punëkërkuesish ka ngritur një padi kolektive kundër përdorimit të inteligjencës artificiale (AI) në proceset e punësimit, duke e cilësuar këtë praktikë si të padrejtë dhe të fshehtë.

Sipas padisë, CV-të e kandidatëve vlerësohen në një shkallë nga 1 deri në 5 pa dijeninë e tyre, dhe kjo notë përcakton nëse një person arrin të kontaktohet nga një punëtor i resurseve njerëzore apo filtrohet automatikisht.

Kandidatët nuk kanë mundësi të shohin vlerësimin e tyre, nuk dinë pse janë refuzuar dhe nuk mund të apelojnë vendimin.

— (@)

Padia, e ngritur në Kaliforni, pretendon se kjo praktikë shkel Ligjin për Raportimin e Drejtë të Kredive (FCRA) dhe ligjet për mbrojtjen e konsumatorit.

Subjekti i padisë është kompania Eightfold AI, e cila ofron shërbime për shqyrtimin automatik të kandidatëve dhe përdoret nga disa kompani të mëdha amerikane.

“Po, një AI mund t’ju ketë marrë punën - thjesht jo në mënyrën që e kishit menduar”, thonë paditësit, duke ngritur shqetësime serioze mbi transparencën dhe drejtësinë e teknologjisë në punësim.

Rasti pritet të tërheqë vëmendje të madhe, duke hapur debat mbi rolin e inteligjencës artificiale në vendimmarrjen që prek jetën e përditshme të njerëzve. /Telegrafi/

Before yesterdayMain stream

Mercedes-AMG zbulon modelin e dytë Mythos, bazuar në CLE Coupe

28 January 2026 at 17:03


Me disa fotografi nga testimet dimërore në Suedi, Mercedes-AMG zbulon PureSpeed, i prezantuar më parë, së shpejti nuk do të jetë modeli i vetëm nga seria ekskluzive dhe me numër të kufizuar Mythos.

Nga Stuttgart dhe Affalterbach për momentin nuk ka shumë informacion mbi modelin e dytë nga seria Mythos, e cila është e dashur për koleksionistët dhe nisi prodhimin me numër të kufizuar (250 copë) PureSpeed, e cila është bazuar në modelin më të fuqishëm të klasës SL.

Megjithatë, disa fotografi nga testimet dimërore në veri të Evropës tregojnë se modeli i dytë Mythos është bazuar në versionin Coupé të klasës aktuale CLE.

Dizajni karakteristik i grill-it me hapësirën qendrore që do të zbukurohet me yllin trekëndësh, parakolpi me hapje të mëdha për rrjedhjen e ajrit, gjurma më e gjerë e rrotave dhe spoiler-i i madh në kapakun e bagazhit pa dyshim tregojnë se prapa këtij projekti special qëndron departamenti AMG, i cili, sipas burimeve jozyrtare, ka vendosur që Coupé do të ketë motorin e përpunuar V8 4-litërsh pa asnjë sistem hibrid, duke u bazuar në zgjidhjen "old school" që përdoret edhe te PureSpeed.

Në këtë rast, shoferi mund të presë të paktën 585 kuaj fuqi dhe 800 Nm moment rrotullues, të cilat do të shpërndahen në të dy boshtet (4Matic) përmes një transmisioni super të shpejtë automatik 9-shkallësh me dy diskun.

Ky konfigurim, në rastin e PureSpeed “open air”, është i mjaftueshëm për të arritur shpejtësinë 0-100 km/h për 3,5 sekonda dhe shpejtësi maksimale 315 km/h.

Ende nuk është zbuluar se kur do të prezantohet modeli i dytë Mythos, por pritet që kjo të ndodhë gjatë përkujtimit të 140-vjetorit të Mercedesit këtë vit. /Telegrafi/

Gerasimov po e gënjen vazhdimisht Putinin

28 January 2026 at 15:59


Ukraina kritikon “realitetin paralel” të Gerasimovit për Putinin, ndërsa Rusia shpall fitore të rreme pranë Kupyansk dhe Zaporizhzhia.

Ukraina ka mohuar me forcë deklaratat e Shtabit të Përgjithshëm të Rusisë, që pretendonin se forcat ruse kishin marrë kontrollin e qytetit Kupyansk‑Vuzlovyi në rajonin e Kharkiv, duke e cilësuar këtë si një përpjekje për të krijuar një imazh të rremë të “sukseseve” ushtarake.

Zyrtarët ukrainas e quajnë këtë propagandë të qartë dhe një shembull të “realitetit paralel” që Rusia po përpiqet të ndërtojë për Presidentin Putin.

Andriy Kovalenko, drejtues i Qendrës për Kundër‑Dezinformim pranë Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe Mbrojtjes të Ukrainës, tha se Gjeneral‑Shtabi rus, nën drejtimin e Valery Gerasimovit, po krijon një narrativ të rreme për Putinin, duke shpërndarë lajme për fitore që nuk ekzistojnë në front.

Ai theksoi se këto deklarata nuk kanë asnjë mbështetje në realitetin ushtarak: forcat ukrainase ende kontrollojnë zonën dhe përpjekjet e Rusisë për të marrë territore të reja janë të dështuara.

Kovalenko paralajmëroi gjithashtu se Rusia nuk po përhap vetëm dezinformimin brenda vendit të saj, por edhe në publikun ndërkombëtar.

Qëllimi është të krijohet një imazh i rremë për sukseset ruse, duke mashtruar opinionin publik dhe duke përhapur propagandë edhe në vendet perëndimore, që mund të ndikojë në perceptimin e luftës dhe në mbështetjen ndërkombëtare për Ukrainën.

Artikulli i Kyiv Post gjithashtu thekson se dezinformimi rus nuk është i izoluar vetëm në Kupyansk. Zyrtarët ukrainas paralajmërojnë se Rusia shpesh shpall “fitore të rreme” në zona të tjera të rëndësishme, si Zaporizhzhia, duke synuar të krijojë një narrativ propagandistike që është larg realitetit në terren.

Kjo përpjekje për të kontrolluar informacionin është pjesë e strategjisë ruse për të manipuluar perceptimet dhe për të mbajtur moralin e brendshëm të lartë, pavarësisht humbjeve të vërteta. /Telegrafi/

Zelensky i gatshëm të takohet me Putinin - këto janë dy temat kryesore që do të diskutonin

28 January 2026 at 15:20


Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky është i gatshëm të takohet me homologun rus, Vladimir Putin, për të diskutuar dy çështjet kyçe që mbeten të pazgjidhura në një marrëveshje paqeje: territorin dhe Centralin Bërthamor të Zaporizhzhias.

Këtë e bëri të ditur Ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha, në një intervistë për Ukrainska Pravda dhe dha disa detaje.

Ai shtoi se gjatë bisedimeve të fundit në Abu Dhabi, ku morën pjesë delegacione nga Rusia, Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara, dy çështje kyçe mbeten pa zgjidhje: statusi territorial dhe e ardhmja e centralit bërthamor.

Rusia kërkon tërheqjen e forcave ukrainase nga i gjithë Donbasi, përfshirë zonat që nuk janë nën kontrollin rus, një kërkesë që Kievi e konsideron të papranueshme.

Ukraina, nga ana tjetër, këmbëngul në largimin e forcave ruse nga centrali, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë sugjeruar vendosjen e tij nën menaxhim të përbashkët.

Sybiha theksoi se Zelensky ka shprehur gatishmëri për një takim me Putinin, ndërsa udhëheqësi i Kremlinit ka shfaqur dyshime për efektivitetin e bisedimeve të drejtpërdrejta.

Ky zhvillim vjen ndërsa konflikti mes dy vendeve vazhdon të mbajë tensione të larta në rajon dhe ndërkombëtarisht. /Telegrafi/

Pse amerikanët ngjitin pasaportat në kokë - trend i çuditshëm që po përhapet

28 January 2026 at 15:01


Amerikanët kanë filluar të ndajnë në rrjetet sociale video ku mbajnë pasaporta të ngjitura në kokë. Ata bëjnë këtë si reagim ndaj shtimit të shqetësimeve rreth veprimeve të Shërbimit të Doganave dhe Imigracionit të SHBA-së (ICE).

Në këto video virale shpjegohet se ata duan të tregojnë paraprakisht provën e shtetësisë së tyre para se dikush të pyesë për të.

Në një video të publikuar nga krijuesi i përmbajtjes @dotish001 në TikTok, ai shfaqet duke ecur në rrugë me pasaportën të ngjitur në kokë. Videoja është parë më shumë se shtatë milionë herë. Në video ai thotë “kështu lëvizim tani. Para se të më pyesni nëse jam qytetar dhe ku është pasaporta ime, tashmë e shihni vetë”.

I njëjti krijues – i cili thotë se është nga Nigeria dhe jeton në Columbus, Ohio – ka postuar edhe një video tjetër ku mban në kokë patentën e vozitjes, me titull “Më falni, zonjë ICE”, për të treguar sesi lëvizin personat me karta të qëndrimit (“green card”).

Edhe krijuesja Yvonne Mugure, e cila thotë se jeton midis Phoenix-it në Arizona dhe Nairobi-t në Kenia, ka ndarë një video ku mban pasaportën në kokë me mbishkrimin: “Kështu lëvizim tani ndërsa jetojmë në Amerikë”.

Ky trend ka nisur që në dhjetor, por ka marrë vëmendje të madhe pas dy incidenteve vdekjeprurëse në Minneapolis, ku punonjës të agjencive federale kanë qëlluar për vdekje dy persona në një periudhë më pak se tre javë. Këto ngjarje kanë nxitur protesta dhe diskutime rreth mënyrës se si ICE vepron.

Në vitin 2025, 32 njerëz vdiqën gjatë mbajtjes nën kujdestarinë e ICE, shifra më e lartë në dy dekadat e fundit. Agjencia është kritikuar edhe për arrestime pa proces ligjor, ndalimin e fëmijëve dhe profilizim racor.

Autori @dotish001 ka shpjeguar në komentet e tij se videoja ishte një reagim ndaj situatave ku njerëzit ndalohen dhe pyesin për shtetësinë, dhe ideja ishte të “jepnin përgjigje para se të vinte pyetja.”

Nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) thanë se dokumentet e lëshuara sipas standardit REAL ID vërtetojnë identitetin, por nuk tregojnë statusin e imigracionit. Sipas rregullave amerikane, personat që nuk janë qytetarë duhet të mbajnë dokumentet e tyre të imigracionit me vete. /Telegrafi/

@yvonne.mugure We’re working smarter not harder in America these days🙌🏾 #fyp #americans #americatoday ♬ original sound - yvonne mugure

Edhe iPhone 12-vjeçar merr përditësim - dhe nuk është i vetmi

28 January 2026 at 15:01


Apple vazhdon të befasojë me mbështetjen e gjatë të pajisjeve të tij.

Kompania sapo ka lëshuar përditësime të rëndësishme për modele që janë edhe 12 vjet të vjetra, duke treguar se edhe telefonët më të vjetër mund të mbeten funksionalë.

Përditësimi iOS 12.5.8 është tashmë i disponueshëm për iPhone 5s dhe iPhone 6, pajisje të cilat u lançuan respektivisht në vitin 2013 dhe 2014.

Ky azhurnim siguron funksionimin e shërbimeve kyçe si FaceTime, iMessage dhe aktivizimin e pajisjes, edhe pas janarit 2027.

Kjo është hera e parë që Apple ofron një përditësim për këto modele që nga “patch” i sigurisë i janarit 2023. Përveç kësaj, kompania ka lëshuar edhe versionet më të reja të:

iOS 18.7.4 dhe iPadOS 18.7.4

iOS 16.7.13 dhe iPadOS 16.7.13

iOS 15.8.6 dhe iPadOS 15.8.6

Edhe pse shumë përdorues mund të mendojnë se pajisjet e vjetra nuk kanë më vlerë, Apple po demonstron se madje edhe telefonët 12-vjeçarë mund të jenë të sigurta dhe funksionale për një kohë të gjatë. /Telegrafi/

Alarmon Kallas: Evropa nuk është më në fokusin e SHBA-së

28 January 2026 at 14:41


Shefja për Politikë të Jashtme e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka lëshuar një paralajmërim të fuqishëm për Evropën dhe botën gjatë një fjalimi të fundit.

Ajo theksoi se kontinenti nuk është më qendra kryesore e gravitetit për Shtetet e Bashkuara dhe se ky ndryshim është i thellë dhe i qëndrueshëm, jo i përkohshëm.

“Asnjë fuqi e madhe në histori nuk ka deleguar mbijetesën e saj dhe ka mbijetuar”, u shpreh Kallas, duke paralajmëruar për rrezikun real të rikthimit të politikës së forcës dhe një bote ku fuqia vendos drejtësinë.

— (@)

Ajo përmendi gjithashtu fjalimin e kryeministrit kanadez, Mark Carney, në Davos, i cili nënvizoi se është koha që Europa të marrë përgjegjësi.

“Kemi arritur në një moment kritik. Jemi tani rrezikshëm afër kambanës së tretë”, tha Kallas, duke bërë një paralajmërim të qartë për pasojat e mosveprimit.

Ky fjalim vjen në një kohë kur tensionet ndërkombëtare dhe sfidat strategjike për Europën po rriten, duke nxitur debat mbi rolin e saj global dhe marrëdhëniet me SHBA-në. /Telegrafi/

Dollari amerikan bie në nivelin më të ulët në katër vjet

28 January 2026 at 14:34


Dollari amerikan ka rënë në nivelin më të ulët që nga viti 2022, duke shënuar një dobësim të ndjeshëm në tregjet ndërkombëtare valutore. Rënia vjen mes shqetësimeve të investitorëve për paqëndrueshmërinë politike dhe ekonomike në Shtetet e Bashkuara.

Gjatë ditës së djeshme, dollari humbi rreth 1.3 për qind kundrejt një shporte monedhash kryesore, ndërsa në baza vjetore rënia e tij ka arritur afërsisht 10 për qind. Kjo përbën humbjen më të madhe ditore të monedhës amerikane që nga prilli i vitit të kaluar, raporton theguardian.

Presidenti amerikan, Donald Trump reagoi ndaj zhvillimeve duke deklaruar se dollari “po ecën shumë mirë”, deklaratë që u interpretua nga tregjet si mungesë shqetësimi për dobësimin e monedhës dhe që kontribuoi më tej në presionin negativ mbi dollarin.

Analistët e lidhin rënien me pasigurinë rreth politikave tregtare, kërcënimet për vendosjen e tarifave të reja dhe tensionet gjeopolitike, si dhe me dyshimet për ndërhyrje politike në politikat e Rezervës Federale.

Ndërkohë, euroja dhe franga zvicerane janë forcuar ndjeshëm, duke arritur nivele më të larta shumëvjeçare. Edhe ari ka shënuar rritje rekord, duke kaluar nivelin 5200 dollarë për “unce”, pasi investitorët kërkojnë asete të sigurta në kohë pasigurie.

Ekspertët paralajmërojnë se dobësimi i dollarit mund të vazhdojë edhe në muajt në vijim, nëse pasiguria politike dhe ekonomike në SHBA nuk zbutet.

Rënia e monedhës amerikane pritet të sjellë përfitime për kompanitë eksportuese, por edhe rritje të çmimeve për mallrat e importuara për konsumatorët amerikanë. /Telegrafi/

❌
❌