Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një shtetas i Shqipërisë është vet-plagosur në Prishtinë.
Rasti ka ndodhur të premten në ora 23:00 në rrugën “Bekim Fehmiu” në Prishtinë.
“Raportohet se është vet-plagosur me armë zjarri i dyshuari mashkull shqiptar shtetas i Shqipërisë. I njëjti është dërguar për tretman mjekësor në QKUK, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore, ku kanë konfiskuar një arme zjarri pistoletë me një karikator pa fishek”, thuhet në raport.
Lidhur me rastin janë intervistuar edhe dy të dyshuar meshkuj kosovarë dhe me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt. /Telegrafi/
Sot, më 24 janar pritet të mbahet seanca dëgjimore për caktimin e masës së sigurisë ndaj 109 të arrestuarve, të cilët dyshohen për manipulim me vota në Komunën e Prizrenit në zgjedhjet parlamentare, të mbajtura më 28 dhjetor.
Në njoftimin e Gjykatës bëhet e ditur se seanca nis në ora 14:00.
“Gjykata Themelore në Prizren, njofton mediat se me datë sot me datë 24.01.2026, në Gjykatën Themelore në Prizren, nga ora 14:00, janë caktuar seancat dëgjimore për caktimin e masës së sigurisë, për rastin në të cilin me datë 23.01.2026, janë ndaluar 109 persona lidhur me dyshimet për kryerjen e veprave penale kundër të drejtës së votimit”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, kryeprokurori i Prokurorisë Themelorë në Prizren, Petrit Kryeziu ka njoftuar të premten se janë ndaluar 109 të dyshuar nën dyshimin për manipulim të votave në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2025.
Kryeziu gjatë konferencës për media ka thënë se të gjithë ata që kanë manipuluar me votat do të dalin para drejtësisë, ndërsa u tha se bëhet fjalë për mijëra vota të manipuluara dhe të falsifikuara. /Telegrafi/
Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca e Kryeqytetit thotë se ka intervenuar për largimin e rrezikut në ndërtesat e banimit, si pasojë e rënies së pjesëve të fasadave dhe kulmeve, fillimisht në lagjen Dardania, por edhe në zona të tjera të qytetit.
Në njoftim thuhet se ekipet e tyre në bashkëpunim me shërbimet përkatëse, janë duke realizuar intervenime teknike të specializuara, me qëllim parandalimin e rrezikut për kalimtarët dhe banorët.
“Angazhimi ynë është i vazhdueshëm dhe i përqendruar në identifikimin e rreziqeve, largimin e elementeve të pasigurta nga objektet, dhe rritjen e sigurisë në hapësirat publike.
Siguria e qytetarëve mbetet prioritet absolut i Kryeqytetit. Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca do të vazhdojë me monitorim aktiv dhe reagim të shpejtë në çdo rast ku paraqitet rrezik potencial”, thuhet në njoftim.
Tutje ftohen qytetarët që çdo shqetësim apo rrezik të mundshëm ta raportojnë përmes numrave emergjentë: 0800 122 44 ose 0800 122 33.
Ndryshe, komuna ka paralajmëruar se gjatë të dielës priten erëra të forta dhe u ka bërë apel qytetarëve që të kenë kujdes. /Telegrafi/
Policia e Shtetit ka bërë të ditur se ka finalizuar operacioni policor të koduar “Organizatori”, ndërkaq është vënë në pranga pronari i një lokali që organizonte lojëra fati dhe shpërndante lëndë narkotike të llojit kokainë, në lokal.
Policia njofton se janë proceduar penalisht 14 shtetas për moskallëzim krimi, 3 të tjerë për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
Po ashtu penalisht është proceduar edhe një punonjës policie dhe ndaj tij Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur hetimin disiplinor.
“Si rezultat i kontrolleve dhe punës operative, të kryera në zbatim të planit të posaçëm të masave ‘Për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e organizimit të lotarive sportive online’, shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, me mbështetjen e Forcave Operacionale ‘Shqiponjat’, Seksionit për Hetimin e Narkotikëve pranë DVP Korçë dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Rajoni Korçë–Elbasan, finalizuan operacionin e koduar ‘Organizatori’.
Si rezultat, u arrestua në flagrancë shtetasi A. R., 57 vjeç, banues në Korçë, për veprat penale ‘Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin’, ‘Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara’ dhe ‘Prodhimi dhe shitja e narkotikëve’”, thuhet në njoftim.
Gjatë kontrollit që shërbimet e Policisë ushtruan në lokalin e tij, në fshatin Bulgarec, Korçë, ku u konstatua se 57-vjeçari kishte përshtatur ambientin për kryerjen e veprimtarisë së lojërave të fatit dhe për shitje e përdorim droge.
Ndërkohë, në banak u gjetën dhe u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 14 doza me lëndë të dyshuar kokainë dhe, gjatë këqyrjes së celularit të tij, u gjetën faqe aktive për baste sportive.
Gjatë ndërhyrjes së Policisë në këtë ambient, disa shtetas tentuan të fshihnin provat dhe, në vijim të veprimeve procedurale, u referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, për shtetasit: R. K., banues në Korçë; F. A., banues në fshatin Vinçan, Korçë; H. M., banues në fshatin Vloçisht, Maliq.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për veprën penale “Moskallëzimi i krimit” për 14 shtetas të tjerë, të cilët, edhe pse kishin dijeni për ushtrimin e kësaj veprimtarie të paligjshme, nuk e kallëzuan tek organet policore.
Për shkak se ishte prezent në këtë ambient dhe nuk ka kryer detyrimet që rrjedhin nga ushtrimi i detyrës, u referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” për shtetasin D. L., me detyrë punonjës policie pranë PKK Kapshticë.
Njëkohësisht, ndaj tij filloi edhe hetimi disiplinor.
Në përfundim të operacionit, në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan 14 doza me lëndë të dyshuar kokainë, një sasi monetare në lekë, euro, paund dhe lira turke, një automjet, 8 celularë, letra bixhozi dhe çipsa që shërbejnë për ushtrimin e lojërave të fatit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme. /Telegrafi/
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, dhe ministrat e jashtëm të vendeve të Ballkanit diskutuan të premten marrëdhëniet dypalëshe dhe çështjet rajonale në një takim të mbajtur në Stamboll.
Në njoftimin e publikuar nga Presidenca turke në platformën X bëhet e ditur se në takim morën pjesë ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Ervin Ibrahimoviq, ministri i Jashtëm i Bosnjë e Hercegovinës, Elmedin Konakoviq, si dhe zëvendësministrja e Jashtme e Serbisë, Nevena Jovanoviq, njoftoi Drejtoria e Komunikimeve e Turqisë.
Duke shprehur kënaqësinë për mbajtjen e takimit të dytë të Platformës së Paqes në Ballkan në Stamboll, Erdogan falënderoi përfaqësuesit e vendeve për kontributet e tyre.
Erdogan theksoi rëndësinë e trajtimit të çështjeve si siguria kufitare, energjia, teknologjia dhe transporti.
Ndryshe, në ditë më parë ministrja Donika Gërvalla bëri të ditur se me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Turqisë, Hakan Fidan po qëndron në Stamboll në kuadër të takimit të dytë të Platformës së Paqes për Ballkanin. /Telegrafi/
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve për të cilat KQZ ka marrë vendim që të rinumërohen.
Nga fillimi i këtij procesi (e martë, 13 janar 2026, ora 18:00) dhe deri më tani (e shtunë, 24 janar 2026, ora 10:00) janë rinumëruar mbi 55% apo 1,423 nga 2,557 vendvotime.
“Në platformën e KQZ-së për rezultate https://resultsparliamentary2025.kqz-ks.org/, në hapësirën QNR > Rinumërim, do të paraqiten rezultatet pas numërimit të çdo vendvotimi”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, kryeprokurori i Prokurorisë Themelorë në Prizren, Petrit Kryeziu të premten ka thënë se janë ndaluar 109 të dyshuar nën dyshimin për manipulim të votave nga zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2025.
Sipas tij, gjithsej 121 persona janë ftuar për intervistim, prej të cilëve disa nuk janë paraqitur, ndërsa një pjesë janë konstatuar si të pafajshëm.
Ai shtoi se veprimet janë ndërmarrë ndaj personave të identifikuar, ku shumica prej tyre janë komisionerë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka paralajmëruar se procesi i rinumërimit të plotë të të gjitha vendvotimeve, 2,557 sosh, planifikohet të përmbyllet gjatë javës së ardhshme.
Përfundimi i këtij procesi, të nisur më 13 janar, sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, do t’i hapte rrugën KQZ-së për të shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat u mbajtën më 28 dhjetor 2025.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke u përpjekur maksimalisht që të përmbyllë në një kohë sa më të shpejtë rinumërimin e të gjitha vendvotimeve të mbetura, në mënyrë që të procedojë me shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës. KQZ planifikon që procesi i rinumërimit të të gjitha vendvotimeve të përmbyllet gjatë javës në vazhdim”, tha Elezi.
Më tej, ai ka shpjeguar se pavarësisht se procesi i rinumërimit i heq dilemat lidhur me rezultatet dhe mund të zvogëlojë nevojën për ankesa, megjithatë, kjo është një e drejtë e subjekteve politike dhe kandidatëve, andaj KQZ do të presë paraqitjen dhe shqyrtimin e tyre para se të përmbyllë të gjithë procesin zgjedhor.
“Pas përfundimit të rinumërimit, KQZ do të shpallë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve. Ashtu siç parashihet në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, subjektet politike dhe kandidatët do të mund të parashtrojnë ankesat e tyre në PZAP dhe, eventualisht, procesi mund të vazhdojë deri në Gjykatën Supreme. Natyrisht, procesi i rinumërimit i heq dilemat sa i përket rezultateve dhe kjo mund të zvogëlojë nevojën për ankesa, por KQZ duhet të presë afatin për paraqitjen dhe shqyrtimin e tyre para se të procedojë me certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve dhe njëkohësisht me përmbylljen e procesit zgjedhor”, ka shtuar ai.
Javën e ardhshme, më 28 janar, bëhen një muaj nga dita e zgjedhjeve kur qytetarët e Republikës së Kosovës votuan në zgjedhje të parakohshme për Kuvendin e Kosovës.
Shpallja e rezultateve ishte planifikuar të bëhej deri më 19 janar, megjithatë, KQZ vendosi për rinumërim pas një verifikimi të kryer në 33 vendvotime, ku rezultoi se votat e kandidatëve të numëruara në Qendrat Komunale të Numërimit nuk pasqyronin saktë votat në fletëvotime.
Sipas KQZ-së, meqenëse kemi të bëjmë me një proces që përfshin të gjitha vendvotimet, rezultati që do të vlejë në shpalljen e rezultateve përfundimtare do të jetë ai që do të dalë nga procesi i rinumërimit dhe jo nga numërimi në Qendrat Komunale të Numërimit. /kp/
Komuna e Prishtinës thotë se bazuar në paralajmërimin e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës nga mëngjesi i ditës së diel, 25 janar 2026, pritet të ketë erëra të intensitetit mesatar deri të fortë, të cilat do të jenë më të theksuara në zonat lindore dhe ato kodrinoro-malore.
Në njoftim thuhet se shpejtësia e erës do të jetë e fortë në zona kodrinoro-malore, ndërsa mesatarisht e fortë në zona të ulëta.
Zona kodrinoro-malore: 11–14 m/s (erë e fortë)
Zona më të ulëta: 8–11 m/s (erë mesatarisht e fortë)
Sipas parashikimeve, erërat pritet të dobësohen nga mëngjesi i së hënës, 26 janar 2026.
Udhëzime dhe këshilla për qytetarët
Komuna e Prishtinës thekson tutje se pa krijuar panik, fton qytetarët të tregojnë kujdes të shtuar dhe përgatitje të thjeshtë, veçanërisht gjatë ditës së diel:
Siguroni ose largoni objektet e lehta në ballkone, oborre apo çati (vazo, reklama, panele të përkohshme).
Tregoni kujdes gjatë qarkullimit në zona me pemë të larta, tabela reklamuese apo objekte ndërtimore.
Shmangni qëndrimin e panevojshëm në hapësira të hapura gjatë intervaleve me erë më të fortë.
Drejtuesit e automjeteve, veçanërisht të mjeteve të larta, të lëvizin me kujdes të shtuar.
Nëse vëreni rrezik potencial (degë të rëna, objekte të lëvizshme, dëmtime), njoftoni shërbimet kompetente.
Në raste emergjente, qytetarët mund të kontaktojnë numrat: 0800 122 44 ose 0800 122 33.
Tutje thuhet se drejtoria për Siguri dhe Emergjenca e Kryeqytetit do të jetë në gatishmëri të vazhdueshme dhe do të informojë qytetarët nëse ka zhvillime të reja.
“Qëndroni të informuar, tregoni kujdes dhe bashkëpunim”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/
Policia e Kosovës ka njoftuar se një person ka raportuar në Polici se i është vjedhur vetura, ndërkaq pas një kohe është informuar se e dyshuara është aksidentuar me veturën e tij që i është vjedhur.
Rasti ka ndodhur në Ferizaj, të premten në ora 19:40.
“Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se nga persona të panjohur i është vjedhur vetura me targa lokale. Pas një kohe është marr informatë se vetura është e përfshirë në një aksident, ku e dyshuara femër kosovare me probleme mendore, e cila e kishte marrë veturën ka pësuar lëndime trupore dhe e njëjta është dërguar për tretman mjekësor në QKUK”, thuhet në raportin policor.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori. /Telegrafi/
Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të shpërdorimit të pasurisë së huaj në Podujevë.
Rasti ka ndodhur në rrugën “19 Qershori” në Podujevë, më 19 janar.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull shtetas i Serbisë, pasi që i njëjti në lokalin e viktimës femër kosovare, kishte arrit të marr para të gatshme rreth 200 euro”, thuhet në raport.
Me vendim të prokurorit pas intervistimit i dyshuari është dërguar në mbajtje. /Telegrafi/
Policia e Shtetit ka bërë të ditur se përfaqësues të subjektit politik Partia Demokratike e Shqipërisë kanë njoftuar Policinë e Tiranës, për zhvillimin e një tubimi të shtunën, në orën 17:00 para Kryeministrisë.
Në njoftim thuhet se Policia e Tiranës ka ndërmarrë të gjitha masat për garantimin e rendit publik, zbatimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve dhe të pjesëmarrësve në tubime, si dhe mbrojtjen e pronës publike dhe private.
Në zbatim të këtyre masave, me qëllim garantimin e mbarëvajtjes së tubimit, ditën e premte dhe të shtune do të kufizohet lëvizja në disa akse/segmente rrugore, konkretisht:
Nga ora 23:45, e premte do të bllokohet lëvizja dhe nuk do të lejohet parkimi i automjeteve deri në përfundim të tubimit në bulevardin ”Dëshmorët e Kombit”, nga vendi i quajtur “Ura e Dajtit” deri në rrugën “Ismail Qemali”,
Nga ora 15:00 e së shtunës deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Policia thekson tutje se në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore.
Në rast bllokimi, për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në këto akse, Policia e Tiranës ka marrë masa për të devijuar qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative.
Policia e Tiranës apelon për qytetarët që të shmangin lëvizjen me automjete në akset rrugore që do të bllokohen dhe të përdorin rrugë alternative, për të mos penguar lëvizjen e lirë të pjesëmarrësve në tubim.
Duke marrë shkas nga disa deklarata publike, i bëjmë thirrje qytetarëve që të distancohen në rast se gjenden përballë veprimeve të kundërligjshme që cenojnë rendin dhe sigurinë publike. /Telegrafi/
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka vizituar Panairin ndërkombëtar të drurit dhe ndërtimit "Swissbau 2026", në të cilën po prezantohen 27 biznese vendore.
Kurti në një postim në Facebook shkruan se pas pandemisë, prezantimin e Kosovës në panaire ndërkombëtare e rifilluan pikërisht në Swissbau në maj të vitit 2022 me 8 biznese pjesëmarrëse.
Kosova ndodhet në mesin e 19 shteteve të botës që përfaqësohen në këtë panair sivjet dhe i vetmi vend në rajon që po merr pjesë me një hapësirë ekspozuese prej afër 700 metra katrorë.
Lexoni të plotë postimin e Kurtit:
Nga Davosi dhe Shtëpia e Kosovës atje, vazhduam drejt Baselit për në panairin ndërkombëtar të drurit dhe ndërtimit "Swissbau 2026".
Pas pandemisë, prezantimin e Kosovës në panaire ndërkombëtare e rifilluam pikërisht në Swissbau në maj të vitit 2022 me 8 biznese pjesëmarrëse, ndërsa sot në të njëjtin panair mbështetëm tashmë 27 biznese vendore.
Kosova ndodhet në mesin e 19 shteteve të botës që përfaqësohen në këtë panair sivjet dhe jemi i vetmi shtet në rajon që po merr pjesë, me një hapësirë ekspozuese prej afër 700 metra katrorë, e mbështetur nga Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Swissbau është një nga panairet më të rëndësishme të sektorit të drurit në Evropë, i cili vizitohet nga më shumë se 52 mijë vizitorë profesionistë dhe ku po marrin pjesë 592 biznese gjithsej nga 19 shtete të ndryshme të botës. /Telegrafi/
Shqipëria të shtunën do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme, ndërkaq, moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura.
Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën të ditur se reshjet e shiut pritet të jenë prezentë që në orët e mëngjesit me intensitet të ulët përgjatë vijës bregdetare, pas orëve të mesditës reshjet e shiut do të shtrihen në pjesën më të madhe të vendit me intensitet kryesisht të ulët, ndërsa në veriperëndim dhe lokalisht në jugperëndim reshje shiu me intensitet deri mesatar në formën e shtrëngatave afatshkurtra.
Në zonën e Alpeve dhe në verilindje-lindje në lartësinë mbi 800-900 metër reshje bore me intensitet të ulët.
Era do të fryjë me drejtim verilindje – juglindje, me shpejtësi mesatare 8 m/s, përgjatë vijës bregdetare dhe zonat luginore era me shpejtësi deri në 16 m/s.
Instituti Hidrometeorologjik bën të ditur se gjatë fundjavës në Kosovë parashihet të mbajë mot i ndryshueshëm i vranët dhe me interval me diell.
IHK njofton se vranësirat do të shoqërohen me riga shiu.
Instituti tutje bën të ditur se të shtunën temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -3 deri 0 C, ndërkaq ato maksimale nga 5 deri në 8 gradë Celsius.
Era do të fryjë nga veriperëndimi, me shpejtësi 1-5m/s.
Ndërkaq, për të dielën parashikohet të mbajë mot kryesisht i vranët dhe me riga shiu.
Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 0 deri 3 gradë Celsius, ndërkaq ato maksimale nga 8-12 gradë Celsius.
Era do të fryjë nga drejtimi i verilindjes, shpejtësia 1-6m/s. /Telegrafi/
Kosova gjatë vitit 2025 ka shënuar nivelin më të lartë të importit ndonjëherë, duke arritur në 7.11 miliardë euro, ndërsa eksporti ka kapur vlerën prej 943 milionë euro, kështu bën të ditur drejtori i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu.
Në një intervistë për emisionin ekskluzivisht ekonomik “Shtylla” në KosovaPress, Llugaliu tha se kjo është hera e parë që importi i Kosovës tejkalon pragun prej 7 miliardë eurosh, duke shënuar rritje krahasuar me vitin paraprak.
“Tek importi janë produktet minerale, e kryesisht në këtë pjesë bëjnë pjesë me një sasi dominuese lëndët djegëse, derivatet që i përdorim për qëllime të ndryshme. Mandej janë mjetet e transportit si produkte të gatshme, makineritë, pajisjet mekanike, giza dhe çeliku, plastika dhe produktet e tyre sa i përket importit. Domethënë këto janë top 5 produktet që importohen në vendin tonë nga vlera. Ndërsa sa i përket eksportit, Kosova në pjesën dërmuese të produkteve që mbizotërojnë janë metalet bazë dhe artikujt me metale bazë, plastika dhe artikujt prej tyre, ushqimet e përgatitura, pijet, alkooli dhe duhani, artikuj të ndryshëm të prodhuar siç janë mobiliet, si dhe produktet minerale, xehet në përgjithësi”, potencon ai.
Kësisoj, sipas drejtorit të i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, u arrit edhe rekordi i importit prej 7.11 miliardë euro, krahas eksportit që ka kapur vlerën prej vetëm 943 milionë euro.
“Dogana dhe vitin që lamë pas ka vazhduar me një performancë të kënaqshme, duke arritur kështu të sigurojmë të hyra për buxhetin e Kosovës në shumën prej 1 miliard e 668 milionë. Kjo përbën afër 8 për qind rritje më shumë sesa viti paraprak, të cilin vit kemi pasur 1 miliard e 832 milionë”.
Por, çka ndikoi në këtë rritje të importit?
Pas fillimit të zbatimit të marrëveshjeve të tregtisë së lirë me BE-në, me Turqinë e së fundmi edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë pasur një ndikim dukshëm të rritshëm në taksat që lirohen, që në fakt kanë efekt negativ sa i përket shumës që mbledhim ne, në shumën prej 48 milionë më shumë sesa viti paraprak, duke arritur në rreth 425 milionë për vitin 2024.
Llugaliu, u shpreh optimist edhe për vitin që nisi javë më parë. Kjo, derisa qartëson formën se si po mblidhen të hyrat.
“Ne presim të kemi një performancë të ngjashme. Besoj që ne do të vijojmë që të kemi një rritje të trendit të hyrave në këto përmasa, nëse aspektet që ndikojnë ekonominë në nivel lokal po edhe në nivel global nuk paraqesin ndonjë të papritur të madhe që mund me ndiku tek aspektet ekonomike. Përndryshe, vlen me e cek se me gjithë atë suksesin që ne kemi arritur, është shumë e rëndësishme që gati 98% e të hyrave që ne i mbledhim vijnë nga deklarimet që i bëjnë vetë bizneset, domethënë deklarime vullnetare. Është vetëm 2.4 për qind pjesa e mbetur e të hyrave që mblidhen nga shumat që dogana në bazë të veprimeve, informatave, rivlerësimeve që i ndërmerr, i siguron si të hyra shtesë në buxhetin vjetor”, nënvizon Llugaliu.
Llugaliu nuk e sheh keq as nivelin e eksportit, ani se është larg nga ai i importit.
“Gjatë vitit 2025 kemi pasur eksport prej rreth 943 milionë euro, ndërsa sa i përket importit, importi ka qenë në shumën prej 7.11 miliardë euro… Po, në vitin paraprak ka qenë diku 6.35 miliardë euro. Pra është një dinamikë e rritjes pothuajse normale vit për vit që është pak a shumë krahas edhe rritjes ekonomike që bën vendi… Në fakt janë rritur të dyjat( sasia dhe vlera), për shkak se edhe tek pjesa e produkteve që në treguesin tonë është pesha si masë matëse, kemi edhe aty një rritje të theksuar”, thotë Llugaliu.
Por, e pranon se ka ende shumë punë për t’u bërë në mënyrë që të rritet eksporti në vend.
“Është vetë fakti i gjendjes së industrisë sonë në përgjithësi. Ne vërejmë që ka një rritje të theksuar nëse e krahasojmë me 5-6 vite më herët, kemi dyfishim të eksportit. Tani i jemi ofruar 1 miliard euro në vitin që lamë pas. Kemi politika që janë jashtëzakonisht përkrahëse për biznesin, mirëpo nuk është që industria mundet me e zënë hapin brenda natës. Kështu që janë disa faktorë historikë duke filluar që prej kohës së ish-Jugosllavisë, mandej edhe procesi i privatizimit te ne besoj që nuk e ka arritur efektet e dëshirueshme për me mundësu që me pas një tranzicion prej ekonomisë shoqërore në ekonomi të hapur të tregut, në mënyrë që kapacitetet prodhuese që kanë qenë në atë kohë të jenë mirëfilli të përdorura.
Ka pasur edhe vonesa edhe në aspektin e politikave përkrahëse, sidomos për prodhuesit. Shtoja kësaj edhe pasigurinë që kemi pasur në statusin juridik si shtet deri në vitin 2008, që ka qenë pasiguri e madhe dhe për investitorët e huaj me ardhë dhe me investu në Kosovë. Janë disa, besoj, aspekte që kanë ndikuar në përgjithësi në trendin e eksportit që ne kemi aktualisht”, thotë ai.
Gjatë intervistës, Llugaliu foli edhe për procedurat doganore.
“Ne në vitin 2024, në maj, e kemi në fuqi kodin e ri doganor, i cili është plotësisht në harmoni me kodin doganor të Bashkimit Evropian dhe ofron lehtësirat e fundit që zbatohen në vendet e BE-së. Po përtej kësaj, Kosova që nga viti 2017 është edhe vend anëtar i Organizatës Botërore të Doganave dhe ne jemi bërë edhe pjesë e disa konventave, përfshirë Konventën e Kyotos, që na mundëson që të kemi sistemin më të avancuar sa i përket lehtësirave tregtare. Një matës që është shumë objektiv dhe i besueshëm është koha e zhdoganimit që e bën sekretariati i CEFTA-s në Bruksel, i cili në kohë reale mat muaj për muaj sa është koha e zhdoganimit në vendet anëtare të CEFTA-s. Kosova e zë vendin e parë tani e disa vite me radhë. Domethënë, e kemi kohën më të mirë sa i përket procesit të zhdoganimit. Besoj që ky është mjeti më adekuat i matjes së performancës sonë”, thotë ai.
Ai tutje tha se deri më 2025, Dogana pati staf sa në vitin 2008.
“Ne kemi normalisht kapacitete të konsoliduara në përgjithësi. Gjatë vitit të kaluar, krahas reformave të tjera, kemi bërë edhe rekrutimin e 107 zyrtarëve të rinj. Megjithatë është e nevojshme që të kemi numër më të madh për shkak të gjitha kërkesave që kanë lindur gjatë viteve, qoftë me hapjen e zyrave të reja, qoftë me rritjen e ekonomisë. Nëse e krahasojmë me vitin 2008, ne kemi pasur dyfish më shumë dërgesa në eksport dhe në import, ndërsa që staf që nga viti 2008 deri në vitin e kaluar ne nuk kemi rekrutuar.
Kështu që është normalisht e domosdoshme dhe ne jemi në komunikim edhe me Ministrinë e Financave për me e rrit numrin e lejuar të stafit që rekrutojmë. Tani është me rëndësi që kemi një sistem të ndërtuar për pjesën e rekrutimit bazuar në meritë edhe me përkrahjen që kemi pas nga zyra e BE-së, me një ekspert që ka punuar për rreth 9 muaj me ekspertët tanë, me kriju një bazë të mirëfilltë që mundëson rekrutim bazuar në meritë”, deklaron Llugaliu.
Sa i përket luftës kundër kontrabandës, drejtori i Doganës bëri të ditur se gjatë vitit të kaluar janë zbuluar mallra në vlerë miliona eurove, ani se mohon të jetë rritur kjo veprimtari ilegale.
“Për faktin që kemi pasur rritje të theksuar të hyrave në njërën anë, dhe në anën tjetër rritje të theksuar të zbulimeve, besoj që kemi pasur efikasitet të konsiderueshëm sa i përket luftimit të kontrabandës dhe informalitetit në përgjithësi. Gjatë vitit që kemi lënë pas, kemi pasur diku 18.4 milionë euro mallra të zbuluara, qoftë kontrabandë...Nuk besoj që ka shtim. Unë besoj që ka pasur efikasitet në zbulim, për shkak se dinamika e kontrabandës nuk është që ka pas ndonjë faktor të ri që kish me ndiku në këtë dinamikë.
Mirëpo, vetë aspekti i rritjes së efikasitetit që e përmenda edhe me risitë që i kemi bërë në legjislacion, me reformën në legjislacion, edhe me reformën me gradimet, promovimet që i kemi bërë brenda për brenda organizatës, edhe numri prej 107 zyrtarëve të rinj, ne veç kemi fillu me i pa menjëherë frytet e para të efikasitetit”, thotë ai.
Edhe në këtë fushë, Llugaliu thotë se Dogana e Kosovës të jetë lartë e ranguar.
“Qëndrojmë mjaft mirë, përjashto pjesën e Serbisë që është impakti më shumë politik. Në pjesën tjetër kemi bashkëpunim efikas me të gjitha vendet. Në Shqipëri siç e dini që nga viti 2022 jemi edhe me zhdoganim në Portin e Durrësit, që ka ndihmuar që të krijojmë vlera edhe për tregun tonë, po edhe për pjesën e Shqipërisë me rritje mbi 25% vit për vit në dërgesat që shkojnë në Portin e Durrësit, ndërsa portet e tjera kanë shënuar një rënie të lehtë. Po ashtu jemi përherë të angazhuar me operacionet e përbashkëta që iniciohen, mirëmbahen nga Organizata Botërore e Doganave në fusha të ndryshme, duke filluar nga kontrabanda e barnave të falsifikuara, mashtrimet e ndryshme, armë, shkatërrimit në masë. Janë disa fusha që ne vit për vit jemi pjesë e operacioneve dhe madje në shumë raste edhe kemi treguar rezultate duke u renditur, për nga numri i zbulimeve, në top dhjetëshin e mbi 150 vendeve që marrin pjesë si rëndom”, shprehet Llugaliu. /KP/
Shërbimi Korrektues i Kosovës ka bërë të ditur se në institucionet korrektuese të Shërbimit Korrektues të Kosovës aktualisht janë në mbajtje gjithsej 1.758 të burgosur, ndërkaq ka kapacitete të lira rreth 800 shtretër.
Një njoftim tutje thuhet se raportimet në disa media se Shërimi Korrektues i Kosovës ka mungesë kapacitetesh nuk qëndrojnë.
Lexoni të plotë njoftimin:
Pas informacioneve që po qarkullojnë në disa media lidhur me mungesën e kapaciteteve në institucionet korrektuese, njoftojmë opinionin publik se në institucionet korrektuese të Shërbimit Korrektues të Kosovës aktualisht janë në mbajtje gjithsej 1 758 të burgosur.
Shërbimi Korrektues i Kosovës ka kapacitete të lira rreth 800 shtretër, prandaj pretendimet për mungesë kapacitetesh nuk qëndrojnë. Institucionet korrektuese kanë hapësira të mjaftueshme për pranimin e rasteve të reja.
Ky njoftim bëhet me qëllim të informimit të saktë të opinionit publik dhe parandalimit të keqinformimit.
Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Policia e Republikës së Kosovës kanë marrëveshje mirëkuptimi për bashkëveprim institucional, në kuadër të së cilës, varësisht nga situatat e krijuara, mund të shfrytëzohen përkohësisht objektet e njëra-tjetrës. /Telegrafi/
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në takim zyrtar Carol Whitmore, Shefe e Përgjithshme të Organizatës së Veteranëve Luftëtarë të SHBA-ve dhe Ryan Galluci, Drejtor Ekzekutiv i Zyrës në Washington.
Në njoftim thuhet se u diskutua për bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet FSK-së dhe Ushtrisë Amerikane, në veçanti me Gardën Kombëtare të Ajova-s, ku u vlerësua marrëdhëniet me aleatët dhe partnerët, si dhe mbështetja amerikane në ngritjen e aftësive dhe kapaciteteve të FSK-së, përfshirë ndërveprueshmërinë me partnerët e saj.
Gjithashtu, Gjeneral Jashari vlerësoi lartë rolin e kësaj organizate në mbështetje të pjesëtarëve forcave të armatosura amerikane, si dhe shprehu mirënjohjen për përkushtimin e shtëpisë së veteranëve në trajtimin, kujdesin dhe respektin që ky institucion ofron për veteranët luftëtarë të SHBA-ve, që kanë shërbyer nëpër konflikte të ndryshme nëpër botë, posaçërisht ata në Kosovë.
Të dy palët u pajtuan për thellimin e bashkëpunimit, njëherit u vlerësua gatishmëria e kësaj organizate në mbështetjen e FSK-së për këtë fushë. /Telegrafi/
Komuna e Prishtinës organizoi aktivitetin “Arsimi në 10 vitet e ardhshme në Kryeqytet” me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Edukimit.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka theksuar se arsimi mbetet një nga prioritetet kryesore të kryeqytetit për vitet e ardhshme.
“Ne e shohim arsimin si një investim strategjik, pasi lidhet me shumë sfera të tjera të shoqërisë sonë: ekonominë, aspektin social dhe kulturor. Arsimi është investim për të ardhmen e Kosovës. Kemi investuar në mësimin tërëditor, në digjitalizimin e shkollave dhe në përmirësimin e infrastrukturës shkollore. Këto janë investime serioze që dëshmojnë përkushtimin tonë”, tha Rama.
Ai shtoi se prioritetet janë të qarta, duke nënvizuar se mësimi tërëditor do të vazhdojë të shtrihet në të gjitha shkollat e kryeqytetit, si dhe do të ketë avancim të mëtejmë të digjitalizimit në arsim.
“Synimi ynë është krijimi i një ekosistemi arsimor për të ardhmen e fëmijëve tanë, duke i përgatitur ata sa më mirë për tregun e punës”, theksoi Rama.
Ndërkaq, Drejtori i Arsimit në Prishtinë, Samir Shahini, foli për gjendjen aktuale të arsimit në kryeqytet, duke theksuar se arsimimi cilësor mbetet një nga prioritetet kryesore.
“Një nga sfidat me të cilat përballemi është ngarkesa në disa shkolla të zonave urbane, gjë që ndikon edhe në zgjerimin e mësimit tërëditor. Megjithatë, sistemi arsimor është në përmirësim të vazhdueshëm, gjë që po dëshmohet edhe përmes vlerësimeve ndërkombëtare dhe bashkëpunimit të shkëlqyer institucional”, tha Shahini.
Ai shtoi se mësimi tërëditor është një indikator i rëndësishëm i progresit, duke u shndërruar në model edhe për komunat e tjera të vendit, ndërsa shtoi se po punohet intensivisht që ky model të përfshihet edhe në shkolla të tjera.
Po ashtu, Shahini theksoi rëndësinë e investimit të vazhdueshëm në zhvillimin profesional të mësimdhënësve, si dhe sigurinë në shkolla, duke e cilësuar atë si një nga arritjet për të cilën Kryeqyteti ndjehet krenar.
Nga ana tjetër, kryetari i Këshillit të Prindërve, Nexhmi Hoxha, vuri në pah rëndësinë e bashkëpunimit mes prindërve dhe drejtuesve të shkollave.
“Kemi vërejtur se në Prishtinë bashkëpunimi mes prindërve dhe shkollave është në rritje, ashtu si edhe roli i prindërve në proceset vendimmarrëse”, tha Hoxha.
Ndërkohë, edhe përfaqësuesit e nxënësve theksuan rëndësinë e përfshirjes dhe përfaqësimit të tyre në vendimmarrje, duke e konsideruar këtë si një faktor kyç për përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe mirëqenies në shkolla.