Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 14 January 2026Main stream

Skema e mashtrimeve që përdor emra të njohur në Shqipëri

13 January 2026 at 23:55


Imagjinoni sikur në telefonin tuaj vjen një mesazh nga një prej njerëzve më të fuqishëm të politikës. Fotografia e profilit? E tij. Emri? I tij. Të përshëndet miqësisht dhe të bën një kërkesë urgjente.

"Më ndihmo me disa mijëra euro. Po dërgoj një njeriun tim t'i marrë paratë".

Duket si skenar filmi. Nuk është i tillë. Është realitet i ftohtë i dosjeve hetimore.

Një skemë mirëfilli mashtrimi, që vitet e fundit ka goditur disa nga biznesmenët më të njohur në vend.

Sipas hetimeve, truri i kësaj makinerie kriminal shpesh fshihet jashtë Shqipërisë. Emra si Florian Gjergji kanë “vjedhur” identitetet e ministrave, deputetëve a kryebashkiakëve për të zhvatur shuma që kapin shifra që shkojnë deri në 100 mijë euro.

“Newsroom” ekspozon disa episode të këtij krimi nga distanca.

E gjitha e bazuar në dokumente hetimore dhe gjyqësore të harkut kohor 2023-2025, në dëshmitë e vetë viktimave, apo personave të përfshirë. Do të zbërthejmë këtë “Modus Operandi” të një rrjeti që nuk njeh kufij. Ku besimi tradhtohet nga teknologjia dhe etja e njerëzve të biznesit për të qenë mik me pushtetin.

“Më ndihmo me disa mijëra euro”, biznesi në kurth

Shkurt 2023. Mesditë. Behar Çukajt, një biznesmeni të hidrokarbureve në Tiranë i mbërrin një mesazh në aplikacionin “Signal”. Numri i personit që i shkruan i shfaqet me emrin Erion Veliaj. Kërkesa, një sasi vlerash monetare. Biznesmeni nuhat pavërtetësi. Nën dyshimet për një mashtrim lajmëron policinë.

I udhëzuar prej tyre, vijon bisedën. I thotë tjetrit se nuk ishte në Tiranë dhe se mund të takoheshin të nesërmen. I kishin shkruar ngjashëm edhe më herët, madje dy persona kishin shkuar tek një nga karburantet në pronësi të tij, ku i kishin shfaqur të njëjtin pretendim administratorit të kompanisë.

Nga dosjet gjyqësore

“Na erdhi një sms te aplikacioni ‘Signal’ me emrin ErionVeliaj. Pavarësisht se na

kishin ardhur dhe herë të tjera, nuk i kam vënë re herën e parë dhe i thashë pronarit.

Me 27 shkurt kemi njoftuar policinë dhe kemi pritur të vinte personi dhe nuk ka ardhur”.

Edhe pse nuk janë kthyer të marrin paratë e kërkuara, hetimi i rastit ka identifikuar dy personat që kishin takuar administratorin. Ata ishin babë e bir, Bedri e Albert Vodha. Në takimin për të kërkuar para, në një ambient të mbuluar nga kamerat e sigurisë, kishin shkuar me automjetet e regjistruara në emër të tyre, një “Range Rove” e një “Volsvagen”. Të njëjtin “Range Rover” Bedri Vodha e mbante edhe në foton e profilit të kontaktit me të cilin kërkonte paratë.

Por skema nuk ishte krijuar prej tyre.

Ata ishin marioneta të Florian Gjergjit, një 39 vjeçari, që koordinonte gjithcka nga jashtë vendit. Ishte Gjergji që kronometronte lëvizjet e tyre, instruktonte veprimet dhe premtuar edhe shpërblimin që do merrnin për punën.

Teksa ishin vënë nën lupën e policisë, babë e bir, bëjnë “golin” e radhës. Këtë herë, në shënjestër të tyre u vu një biznesmen shumë i njohur në fushën e ndërtimit dhe të hotelerisë në Tiranë, Ram Geci.

Biznesmeni kallëzoi tentativën e zhvatjes së tij në maj 2023. Ai i tha oficerëve të policisë gjyqësore se një numër i prezantuar si Erion Veliaj i kishte kërkuar 100 mijë euro. Në këtë rast skema ishte zhvendosur në aplikacionin “Viber”.

Nga dosjet gjyqësore

“Sms e parë është dërguar në 09:30 me përmbajtje ‘Mirëmëngjes! Si je?’. Kallëzuesi i përgjigjet me sms me përmbajtje ‘Mgjes. Ngelëm pa pirë kafe? Kur të kesh pak hapësirë ndalo për kafe’. Përdoruesi i numrit të huaj telefonik i thotë ‘Jam shumë i ngarkuar këtë periudhë’. Komunikimi vazhdon dhe në orën 10:19 minuta. Përdoruesi i numrit telefonik i huaj i shkruan dhe i thotë ‘Faleminderit shumë, po ashtu do të dërgoj dikë tjetër që ta takosh". Në orën 11:16 përdoruesii numrit të huaj i ka dërguar një numër telefoni ‘068xxxx336 me emrin Nazmi".

Të nesërmen, personi i prezantuar me emrin Nazmi i thotë biznesmenit se ishte nisur drejt tij për të marrë paratë. Geci e pret në zyrë në hotelin pranë qendrës së Tiranës. Shkëmben disa sms me të dhe madje e orienton se nga ishte parkimi i hotelit. Teksa shkonte drejt tij, i prezantuari me emrin Nazmi, që në të vërtetë ishte Bedri Vodha, nuk e dinte se e priste një veprim i simuluar, i autorizuar nga prokuroria.

Ndodhet edhe ekonomisti i biznesmenit dhe mes të treve ndodh kjo bisedë:

Përgjimi ambiental

Biznesmeni: Hajde!

Nazmiu: A jeni mirë?

Ekonomisti: Çfarë bëre?

Biznesmeni: A more ti në telefon, se po na vjen ndonjë tjetër...

Nazmiu: Po po po, unë.

Biznesmeni: A foli veriori, këto gjëra...

Nazmiu: Krejt ai.

Biznesmeni: Shtatëdhjetë (70 mijë euro), skena bërë më.

Nazmiu: Mirë.

Biznesmeni: Si fytyrë e parë.

Nazmiu: Rri këtu në Tiranë.

Biznesmeni: Edhe unë rri në Tiranë. Punon tek Erioni apo...

Nazmiu: Po.

Biznesmeni: Mirë, ky është ekonomist. E çova i mori në bankë shtatëdhjetë. Do me i numuru?

Nazmiu: Jo.

Ekonomisti: O shef, lene se merem unë.

Biznesmeni: Shtatëdhjetë dhe ndihmoje pak deri aty tek makina.

Nazmiu: Po po.

Biznesmeni: Më tutje nuk të ndihmoj, të fala kryetarit.

Nazmiu: Ok, gjith të mirat.

I prezantuari me emrin Nazmi nuk mundi të çojë të fala askund. Jashtë zyrës qëndronin agjentët e policisë, që e shoqëruan. Në gjykatë biznesmeni ka dëshmuar se e kishte zbuluar mashtrimin, pasi kishte kontaktuar direkt me kryebashkiakun Veliaj, para së te sinjalizonte policinë.

Nga dëshmia e Gecit

“Mora në telefon Erjonin dhe i thashë eja për kafe, se s’kam kohë, por po çoj H.... I shkruaj Erjonit, pse po fshihesh. Ai me tha, nuk jam unë duhet të jenë mashtruese.

Shtatorin e viti 2023 shënjestër e një mashtrimi u në një tjetër biznesmen i ndërtimit. Në telefonin e tij, në aplikacionin telegram mbërriti një tekst nga një numër i panjohur, por që i prezantohej si kryebashkiaku Erion Veliaj. Teksi ishte “një mikut tim i nevojiten 70 mijë euro. Rregullohemi bashkë diku tjetër”.

Duke mos i shfaqur dyshime, biznesmeni me iniciale A. G. ka treguar gatishmëri t’ia dërgonte paratë te zyra në bashki. Por bashkëbiseduesi ka refuzuar duke sugjeruar fillimisht që paratë të dorëzoheshin në një restorant pranë Lushnjes e më pas në një vend në Tiranë.

Referuar dosjes gjyqësore, ky ishte një film i parë për biznesmenin, pasi të tjerë më herët kishin provuar me të njëjtën metodë. Kësisoj, ai ka vënë në dijeni policinë, para se të priste në parkimin e një qendre tregtare pranë Kthesës së Kamzës personin, që do t’i merrte paratë.

Nga dosjet gjyqësore

“Shtetasi A. G. ka qenë aty duke pritur për personin që e mori në celular, në shoqërinë e mikut të tij K. Ç. Në një moment afrohet një person. Ky i fundit i ka folur, duke i thënë se kishte ardhur për të marrë porosinë, ndërsa ai i ka thënë se porosia ndodhej në makinë. Në pjesën e pasme të makinës kishte një çantë, të cilën e kishte mbushur me letra. Në këtë moment ka zgjatur dorën për ta marrë dhe miku i tij e ka kapur për dore duke e ndalur dhe thënë të futej brenda të numëronte lekët. Në këtë moment, personi në fjalë ka zgjatur edhe njëherë dorën për të marrë çantën dhe të largohej, por A. G. dhe K. Ç. e kanë mbajtur që të mos largohej”.

Rezultoi se i riu ishte Leonard Xhixha. Edhe pas ndalimit nga policia, që po vëzhgonte nga distanca dorëzimin e parave, ai u instruktuar të vijojë komunikimin me porositësin, duke pretenduar se paratë u morën. Kjo çoi më pas në identifikimin e katër personave të tjerë të përfshirë.

Sipas vendimit gjyqësor të çështjes, “truri” i përpjekjes së mashtrimit ishte i pandehuri Xhensil Qefa-Hida, një 28 vjeçar që jetonte jashtë vendit.

Rasti tjetër, që do të sjellin në këtë Newsroom, i katërti në radhë, ka në thelb sërish përdorimin e emrit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Viktimë ka qenë një ndërtues dhe përpjekja mashtruese edhe këtë radhë, e guximshme. Shuma e kërkuar ka qenë 50 mijë euro.

Nga dosjet gjyqësore

“Nga këqyrja e telefonit të shtetasit Sh. B. rezulton se në aplikacionin ‘Signal’, më datën 24.09.2024, ora 12:14 PM i ka shkuar një mesazh nga numër i regjistruar me emrin ‘Erion Veliaj’, me përmbajtje ‘Nga ndodhesh’. Shtetasi Sh. B. i ka kthyer përgjigje ‘Flet dot? Jam në Vlorë një vaki’. Ndërsa personi i ka shkruar ‘Ma mbaro një porsi kur të kthehesh!’. Shtetasi Sh. B. i është përgjigjur ‘Po patjetër’. Personi tjetër i i ka shkruar ‘Jepi 50! 068...404 Tani. Po të marr nga darka, hajde tek Padam".

Pasi ka vënë në dijeni policinë, për vazhdimin e veprimit simulues, dorëzimit të parave, biznesmeni ka lejuar shoqëruesin e tij të vijonte kontaktin telefonik me personat që do të merrnin paratë. Dorëzimi i kontrolluar i parave është bërë në një lokal në bulevardin “Zogu I”. Në momentin e takimit, personi i prezantuar me emrin Tani ishte i shoqëruar nga një tjetër person. Pritësi, shoqëruesi i biznesmenit, ju ka dorëzuar brenda në një qese shumën e parave, që u mor nga “Tani”. Ai rezultoi më pas të ishte Shkëlqim Saraçi. Në largim e sipër, pak metra më tutje, të dy janë mbërthyer nga agjentët e policisë.

Biznesmeni i futur në kurth në rastin e radhës ndodhej jashtë Tiranës, por skema është e njëjta. Dëmi i madh, pasi me bindjen se po ndihmonte deputetin Taulant Balla, me të cilin pretendonte se kishte miqësi familjare, dorëzoi 100 mijë euro tek persona të panjohur.

Edhe këtë herë, në prapaskenë qëndronte Florian Gjergji.

Referuar dosjes hetimore, biznesmeni nga Përrenjasi në maj 2024 është kontaktuar në aplikacionin “Viber” nga një numër që mbante emrin e deputetit socialist. “Jam në një drekë", "ma mbaron një porosi", "do kaloj një miku andej jepja 100 mije euro dhe rregullohemi". Kaq ka mjaftuar që biznesmeni të aktivizohej.

“Më ndihmo me disa mijëra euro”, biznesi në kurth

Sipas dosjes hetimore, kontakti që mbante emrin Taulant Balla i ka thënë biznesmenit se dikush do të telefononte pas pak. Një tjetër numër është vënë në kontakt më vonë me biznesmenin. Pasi dështojnë të lënë një takim, biznesmeni vetofrohet të shkonte në Tiranë për të dorëzuar shumën. Në të njëjtën kohë, ai ka qëndruar në lidhje me kontaktin, që mendonte se i përkiste deputetit, ku ky i fundit i jepte instruksione se ku duhet të dorëzonte shumën e parave. Për këtë “nder” nga numri i prezantuar si deputeti socialist mori përgëzimin “Faleminderit, nga e diela të bëjë telefon, hamë ndonjë drekë".

Të nesërmen, pasi mbërrin në Tiranë biznesmeni e pyet se ku mund ta takojë njeriun e tij.

Bashkëbiseduesi e orienton drejt një spitali privat.

Sipas direktivave, biznesmeni shquan një automjet “Mercedez Benz”, që kishte mbishkrimin “Taxi”. Ai afrohet tek mjeti ku ndodhej vetëm drejtuesi i cili nuk zbriti, dorëzon shumën e 100 mijë eurove të cilat i kishte futur në një kuti kartoni dhe kutin e kartonit në një qese të bardhë.

Disa ditë më vonë, kupton se kishte rënë pre e një mashtrimi.

Emri i Florian Gjergjit qëndron edhe pas një tentative mashtrimi, që ka pasur në shënjestër kryebashkiakun e kohës në Vlorë, Ermal Dredha. Ideatori i mashtrimi ishte kujdesur që kërkesa për para e kryebashkiakut të qytetit bregdetar të shkonte tek një mik i tij i fëmijërisë, një biznesmen i njohur i hidro-sanitarëve në kryeqytetet.

Personi që hiqej si kryebashkiak e ka kontaktuar “mikun” e tij të vjetër mes aplikacionit “Signal”. Ashtu si ndodh mes miqve që kishin kohë pa u dëgjuar, fillimisht ka bërë një bisedë të përzemërt me të. I ka thënë se të nesërmen do të ishte në Tiranë dhe i ka bërë ftesë të takohen për një kafe.

Nga dosja gjyqësore

“Në datën 02.08.2023, në telefonin e tij celular i ka shkruar sërish ky person dhe i ka kërkuar që t'i jap një njeriut të tij shumën prej 35.000 Euro dhe më pas do të rregulloheshin bashkë kur ai të vinte në Tiranë duke i thënë se do të vinte në Tiranë ditën e hënë. Kallëzuesit i është dukur e dyshimtë kjo bisedë, pasi me Ermalin nuk kanë pasur ndonjëherë kaq konfidencë dhe marrëdhënie lekësh me njëri-tjetrin, Në këto kushte sërish ka kontrolluar numrin telefonik që e mori dhe ka konstatuar se numri që e mori nuk ishte i shtetasit Ermal Dredha. Më datë 03.08.2023, kallëzuesi ka kontaktuar dhe me fëmijët e tij, të cilët e kanë këshilluar që të tregohet i kujdesshëm, pasi mund të bëhej fjalë për ndonjë skemë mashtrimi”.

Arrestimi i dy personave që do të takonin biznesmenin për të marrë paratë është bërë në kushtet e flagrancës, pranë një qendre tregtare në periferi të Tiranës. Që në momentin e parë të ndalimit, Gëzim Çelani ka pohuara para agjentëve se porosia ishte për Florian Gjergjin. Më tej, me ndalimin e të dytit Afrim Radiqit, policia i ka orientuar të vijonin komunikimin telefonik, duke pretenduar se i morën paratë. Përmes mesazheve, Gjergji i ka drejtuar për tek një person i tretë, që i priste tek “Zogu i Zi” në kryeqytet, që po ashtu është prangosur.

Tepër interesante në këtë rast ka qenë edhe një komunikim i “trurit” të mashtrimit, Florian Gjergjit, me efektivët e policisë së Tiranës. Pasi ka kuptuar se “ushtarët” e tij ishin arrestuar, Gjergji nuk i ka kursyer sms-te edhe në drejtim të policisë. Ai ka deklaruar se ishte ai “bossi” dhe ka sfiduar hapuar autoritetet.

Nga dosjet gjyqësore

“Nga ana e policisë gjyqësore janë bërë këqyrjet e telefonatave, nga ku karezultuar se në telefonin e të pandehurit Gëzim Çelanji ka patur një bisedë me emrin “Ermali Vlorë". Nga deklarimi i të pandehurit Gëzim Celanji ky numër është i shtetasit Florian Gjergji. Në këtë bisedë Floriani i tregon Gëzimit se si duhet të veprojë dhe në fund i thotë se do të rregullohen bashkë në lidhje me pagesat. Në momentin që shtetasi Florian Gjergji mëson se nuk është bërë dorëzimi i lekëve dhe se plani i tij ka dështuar, nëpërmjet sms ai ofendon Policinë dhe shprehet se policia nuk është e aftë ta kapë, pasi ai është koka e grupit. Nga kqyrja e telefonit të të pandehurit Afrim Radiçi rezulton një bisedë mes tij dhe Florianit ku ky i fundit i thotë të rrijë larg dhe mos afrohet ndërsa bisedat e tjera rezultojnë të fshira”.

Rastet që ndoqët deri tani nuk janë të izoluara. Ato janë disa ndër dhjetra raste të ngjashme, ku biznesmenët bëhen pre e personave që shiten si politikanë apo njerëz me pushtet për të zhvatur miliona.

Por këto hetime dhe gjykime, kanë zbërthyer mekanizmin e ndërmarrjeve të tilla kriminale, që edhe kur kanë aktorë të ndryshëm, zbatojnë me përpikëri të njëjtin skenar.

Referuar dosjeve gjyqësore, gjithçka niste nga platforma komunikimi digjitale të konsideruara të sigurta, si “Signal”, “Telegram” ose “Viber”. Filozofia e mashtrimit ka qenë thuajse identike: një mesazh përshëndetës, një bisedë miqësore dhe më pas kërkesa për një "favor" monetar, me premtimin se shuma do të kthehej shpejt ose do të "rregullohej" në një takim tjetër.

Të përfshirët në mashtrim përdornin numra të huaj ose numra shqiptarë, por me karta sim të blera në tregun e zi. Shumë prej tyre të blera në tregun famoz të Dollarit, toponimi popullor i pas viteve 90 i një rrugice në Tiranë, hallkë në zinxhirin e qindra ngjarjeve kriminale, që ndodhet paradoksalisht 30 hapa larg Bankës së Shqipërisë dhe 300 metra larg Drejtorisë Vendore të Policisë së Tiranës.

“Mesa mbaj mend personit që i mora porosinë më ka marrë në telegram dhe pasi e kam marrë porosinë e kam dërguar tek një person tjetër i cili dhe ky më mori në telegram në afërsi të Rrugës së Elbasanit. Rreth dy ditë më parë babi im i cili quhet Bedri më tha për të blerë një numër telefoni në treg të zi, kam shkuar bashkë me të dhe e kemi blerë në vëndin e quajtur ‘kryqëzimii dollarit’, tek një person i cili qëndronte në rrugë në vlerë 2000 lekë. Telefonin e kam pasur në shpi. Babai më ka thënë që këtë numër do ta përdorim për një porosi”.

Albert Vodha, i pandehur

“Me qëllim realizimin e kësaj porosie dhe sipas udhëzimeve të shtetasit Lulzim Delishi, i pandehuri Shkëlqim Saraçi ka blerë një telefon të markës ‘Nokia’, si dhe numrin e telefonit 068 xxxx404, i cili është i paregjistruar. Pasi ka siguruar numrin e telefonit të paragjistruar, ai ka komunikuar me numrin 069 xxxx861 dhe kanë rënë dakord që të takoheshin me qëllim marrjen e parave”.

Shkëlqim Saraçi, i pandehur

Është e qartë se këto ndërmarrje kriminale nuk ishin punë e një njeriu të vetëm. Në krye të piramidës, në pjesën më të madhe të rasteve që prezantuam prokuroria identifikon Florian Gjergjin. Ai ia ka dalë në vijimësi t’i drejtojë fijet nga distanca, me shumë gjasë nga një vend i Bashkimit Europian. Në rastet që ka dirigjuar, prokuroria thotë se Gjergji ka krijuar profilet e rreme dhe se bisedat fillestare me biznesmenët mbajnë firmën e tij.

Nga ana tjetër, Florian Gjergji, ka mbajtur vetëm kontakte telefonike me “ushtarët” e tij, që në disa raste, as nuk njiheshin dhe as nuk ishin takuar ndonjëherë.

“Unë e dija se porosia ishte për të pandehurin Florian Gjergji. Unë dua të ju sqaroj se Florian Gjergjin nuk e kam takuar asnjëherë, por ju them se i kam dërguar disa herë para nëpërmjet Wester Union, në shtetin e Gjermanisë unë dhe vëllai im, i cili quhet Ervin”.

Albert Vodha, i pandehur

“Disa ditë përpara kam kontaktuar me shtetasin Florian Gjergji, me të cilin jam njohur në Burgun e Drenovës gjatë kohës së pandemisë. Me këtë shtetas kam mbajtur komunikime të vazhdueshme dhe pas daljes nga burgu. Tre ditë përpara ngjarjes Floriani më ka kontaktuar dhe më ka kërkuar nëse kisha ndonjë shok, që të shkonte deri në Tiranë, për të marrë disa lekë për të.

Afrim Radiçi, i pandehur

“Ditën e ngjarjes ka shkuar pranë subjektit ‘L... H...’ pasi kishte për të marrë një porosi në emër të shtetasit Florian Gjergji, te një shtetas të cilin nuk e njihte. Ai ka deklaruar se shtetasin Florian Gjergji e ka dëgjuar fillimisht nga shoku i tij Afrim Radiçi, i cili ka thënë se Florianin e ka njohur në burgun e Drenovës dhe se ditën e ngjarjes do merrnin një porosi për llogaritë këtij shtetasi”

Gëzim Çelani, i pandehur

Referuar hetimit, jashtë Shqipërisë rezulton të ketë qenë edhe i akuzuar si “truri” i tentativës së mashtrimit të një prej biznesmenëve të ndërtimit mes emrit të Veliajt, Xhensil Qefa, si edhe “koka” e përpjekjes së futjes në kurth të biznesmenit të hidrosanitarëve mes emrit të Dredhës, ishte Lulëzim D.

Nga dosjet gjyqësore

“Para rreth 2 muajsh, Xhensili në dijeninë e tij ikën në Gjermani, por ata vazhdonin kontaktet në rrjetin social Instagram dhe konkretisht me adresën “donvito”. Para rreth 3-4 ditësh Xhensili i thotë nëse kishte mundësi ti bënte një nder dhe ti marrte një porosi në Tiranë, pasi ai e kishte të pamundur të vinte në Shqipëri, dhe ai i ka thënë në rregull. Një ditë më vonë i ka sjellë një djalë të vogël i cili kishte një celular për ti dhënë nga i cili ka kontaktuar me personin që do merrte porosinë”

Nga dosjet gjyqësore

“Shkëlqim Saraçi ka deklaruar se është telefonuar rreth tre ditë më parë nga shoku i tij Lulzim D., i cili banon në Itali. Ai është telefonuar përmes aplikacionit ËhatsApp nga numri +39 348 178 0424. Gjatë bisedës shtetasi Lulzim D., i ka kërkuar që të shkonte dhe t'i merrte një porosi, konkretisht një shumë prej 50.000 (pesëdhjetëmijë) Euro, tek një person i cili posedonte numrin e telefonit 069xxxx861, me premtimin se do i jepte një pjesë të parave”.

“Më ndihmo me disa mijëra euro”, biznesi në kurthFlorian Gjergji

Këta individë kanë vepruar si "koka" të skemës duke qëndruar shpesh në hije ose jashtë shtetit. Ata kanë përdorur persona të tjerë si korrierë apo ekzekutorë për të marrë fizikisht paratë. Secili merrte pagesa që varionin nga 2-3 mijë euro.

Për ta thjeshtuar, këta organizatorë mund të krahasohen me regjisorët e një shfaqjeje, të cilët qëndrojnë pas skenës dhe u tregojnë "aktorëve" (ekzekutorëve) se çfarë të thonë e ku të shkojnë, me qëllimin e vetëm për të vjelë përfitimet në fund.

Një nga garancitë e paprekshmërisë së tyre është segmentimi i ndërmarrjes kriminale. Referuar akteve gjyqësore, shpesh “aktorët” ose korrierët nuk e dinë identitetin e vërtetë të regjisorit. Kjo është garanci për ta. Nëse kapet korrieri, ai nuk ka informacion për të zbërthyer kokën e grupit.

Nga ana tjetër, ata janë kujdesur që paratë të kalonin në disa duar, derisa të niseshin drejt tyre.

Drejtësia ka dhënë dënime të rënda për këto vepra. Florian Gjergji është dënuar në mungesë me 9 vite burgim për mashtrim me pasoja të rënda, ndërsa është i pandehur në procese të tjera gjyqësore të hapura. Të tjerë bashkëpunëtorë, si korrierët, kanë marrë dënime që variojnë nga 2 deri në 3 vite burg, shpesh duke përfituar nga gjykimi i shkurtuar ose pezullimi i dënimit në provë për shkak të rrezikshmërisë së paktë ose bashkëpunimit me hetimin.

Këto janë vetëm disa nga rastet e biznesmenëve të bërë pre e kësaj lloj skeme mashtrimi. Le të themi ndër më faltumët, për shkak se kanë mundur të nuhasin të vërtetën dhe të sinjalizojnë autoritetet.

Në një botë ku një fotografi profili mund të vidhet me një klikim, mesazhi i këtyre dosjeve gjyqësore është i qartë: Nëse një mik, apo njeri i pushtetshëm ju kërkon një nder financiar përmes aplikacioneve celulare, jini pak dyshues! (A2 Televizion)

Mbyllet përkohësisht ura në rrugën Drenas-Shtrubullovë-Krajkovë, u dëmtua nga vërshimet

13 January 2026 at 23:38


Rruga Drenas–Shtrubullovë–Krajkovë është mbyllur përkohësisht për shkak të dëmeve të shkaktuara nga vërshimet.

Sipas njoftimit nga Komuna e Drenasit, ura në afërsi të varrezave të Drenasit ka pësuar dëmtime serioze dhe paraqet rrezik për qarkullim.

“Për arsye sigurie, qarkullimi mbi urë ndalohet përkohësisht deri në një njoftim të radhës,” thuhet në njoftim.

Tutje në këtë njoftim, thuhet se në ditët në vazhdim do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për sanimin e dëmeve dhe rikthimin sa më të shpejtë të qarkullimit normal.

“Njësitet e Policisë dhe të Zjarrfikësve janë të pranishme në vendin e ngjarjes dhe po monitorojnë situatën”.

Momenti kur Altin Ndoci arratiset me vrap nga spitali i Durrësit

13 January 2026 at 22:25


Pamje nga momenti i arratisjes së Altin Ndocit janë publikuar teksa vrapon me shpejtësi. Siç shihet edhe nga pamjet e siguruara nga Euronews Albania, Ndoci largohet në këmbë mes makinave të parkuara në ambientet e spitalit Infektiv të Durrësit.

Kamerat e sigurisë kanë arritur të kapin për disa çaste momentin e arratisjes. Ai largohet nga fushëpamja e kamerave me shpejtësi pa lënë gjurmë.

I paraburgosuri, Altin Ndocit u arratis këtë të martë nga ambientet nga spitali Infektiv i Durrësit. Ndoci i shoqëruar me dy efektivë të policisë së burgut u paraqitën në spital për të kryer kontrolle dhe ekzaminime ndaj të paraburgosurit.

Ndoci gjatë kryerjes së analizave ka përfituar nga momenti dhe ka goditur efektivët që prisnin jashtë derës së laboratorit. Mësohet se gjithashtu është qëlluar me arme gjate momentit të arratisjes së tij.

Ende nuk është identifikuar nëse të shtënat kanë qenë prej policisë se burgut apo personave te cilët po prisnin te arratisurin. Pas arratisjes, Ndoci ka shkuar pranë një parkimi ku e priste një makinë Audi e bardhë A7 me targa AA700RS, e cila e ka larguar nga vendi i ngjarjes.

Policia ka nisur hetimet ndërsa po zhvillohen kontrolle dhe postoblloqe në akset kryesore që lidhin Durrësin dhe Tiranën si edhe me qytetet e tjera.

Ndoci konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Ai akuzohet nga SPAK për vrasje, grup kriminal etj. Ndoci është në gjykim si pjesë e dosjes “Plumbi i Artë” për masakrën e Bradasheshit, ku mbeti i vrarë vëllai i Endrit Alibejt, xhaxhai i tij, Arben Dylgjeri dhe një shtetasi turk.

Ai u arrestua në vitin 2020 i akuzuar për vrasjen e vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia në Durrës si dhe për vrasjen e Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdisë, po në Durrës.

Dalin pamjet e arratisjes së Altin Ndocit nga spitali i Durrësit pic.twitter.com/H5oxHE4HPc
— Euronews Albania (@EuronewsAlbania) January 13, 2026

Rinumërimi i 914 vendvotimeve, KQZ publikon rezultatet e para

13 January 2026 at 22:16


Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) ka nisur procesi i rinumërimit të 914 vendvotimeve nga zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 28 dhjetor.

Sipas të dhënave të publikuara në platformën zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), rinumërimi po zhvillohet në nivel vendi dhe përfshin të gjitha komunat e Kosovës. Procesi aktualisht është në zhvillim dhe, sipas përditësimit të fundit, një pjesë e vendvotimeve tashmë janë përpunuar.

Të dhënat paraprake nga rinumërimi tregojnë se Lëvizja Vetëvendosje prin me 42.49 për qind të votave të numëruara deri tani, e ndjekur nga AAK – Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 33.64 për qind. Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) renditet e treta me 13.59 për qind, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka marrë 7.53 për qind.

Procesi i rinumërimit është iniciuar pas vendimeve të organeve përkatëse zgjedhore dhe ka për qëllim verifikimin e saktësisë së rezultateve dhe rritjen e transparencës zgjedhore.

Nga KQZ është bërë e ditur se rezultatet përfundimtare do të publikohen pas përmbylljes së plotë të rinumërimit dhe certifikimit zyrtar të tyre.

Yesterday — 13 January 2026Main stream

Sorensen do t’i vizitojë Kosovën dhe Serbinë këtë javë

13 January 2026 at 21:16


Peter Sorensen - i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë - do t’i vizitojë Prishtinën dhe Beogradin të mërkurën dhe enjten, ka konfirmuar Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm (EEAS).

Sipas paralajmërimeve nga Brukseli, emisari evropian pritet të zhvillojë takime me udhëheqësit e të dyja shteteve, ndërsa në Kosovë është planifikuar edhe një takim me përfaqësuesit e partive opozitare.

Sorensen do ta nisë vizitën më 14 janar në Prishtinë, ndërsa një ditë më vonë, më 15 janar, do të qëndrojë në Beograd.

Kjo do të jetë vizita e tij e parë qëkurse iu vazhdua mandati edhe për dy vjet të tjera si i dërguar për dialogun mbi normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve fqinje.

Gjatë mandatit të parë, ai zhvilloi vetëm dy takime në nivel kryenegociatorësh, të cilat nuk dhanë fryt.

Mungesa e përparimit në dialog gjatë kësaj kohe iu atribuua kryesisht zhvillimeve të brendshme politike në Kosovë dhe Serbi, e jo mungesës së angazhimit të ndërmjetësit evropian.

Vizita e tij po ndodh në një kohë kur Kosova pritet ta ketë një qeveri të re pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 28 dhjetorit, të cilat i fitoi bindshëm Lëvizja Vetëvendosje, partia e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Brukseli pret që, pas formimit të qeverisë së re në Prishtinë, procesi i dialogut të ringjallet dhe mbase të mbahet edhe një takim në nivelin më të lartë politik.

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, e cila ende nuk ka ndërmjetësuar ndonjë rund dialogu në nivelin më të lartë politik, do të përpiqet të arrijë diçka në Ballkanin Perëndimor.

Kjo është arsyetuar me rrethanat e rënduara politike në të dyja vendet, përfshirë ngërçin politik në Kosovë që karakterizoi vitin 2025 dhe situatën në Serbi si pasojë e protestave të studentëve që po zhvillohen që nga vjeshta e vitit 2024.

Megjithatë, pas rezultatit zgjedhor në Kosovë dhe fitores së qartë të Lëvizjes Vetëvendosje, Bashkimi Evropian vlerëson se janë pjekur kushtet për të synuar organizimin e një rundi të dialogut në nivel liderësh, sapo vendi t’i themelojë institucionet e reja.

Bashkimi Evropian ka apeluar vazhdimisht, përfshirë edhe përmes dokumenteve zyrtare, si ndaj Kosovës ashtu edhe ndaj Serbisë, që të kenë një qasje konstruktive ndaj procesit të dialogut.

Në konkluzionet e dhjetorit 2025, Këshilli i Ministrave të BE-së ka përshëndetur gatishmërinë e Kallasit për të thirrur një takim të nivelit të lartë të dialogut sapo të krijohen kushtet e favorshme.

Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për rrugën drejt normalizimit, e njohur si Marrëveshja e Ohrit, më 2023, por nuk janë duke e zbatuar atë.

Edhe pse marrëveshja nuk është nënshkruar, Bashkimi Evropian këmbëngul se ajo është e detyrueshme për të dyja palët.

Kjo marrëveshje prej 11 nenesh, ndër tjerash, parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut 15-vjeçar.

Abdixhiku: Zgjedhja e presidentit vetëm përmes konsensusit të gjerë politik

13 January 2026 at 21:00


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka rikonfirmuar qëndrimin e partisë së tij se çështja e zgjedhjes së presidentit duhet të trajtohet përmes konsensusit të gjerë politik dhe jo përmes imponimit të një kandidati nga një subjekt i vetëm, raporton KosovaPress.

Ai, pas mbledhjes maratonike të Kryesisë së ngushtë të LDK-së, tha se nëse dikush dëshiron marrëveshje politike me LDK-në, duhet domosdoshmërisht të përfshijë edhe diskutimin për postin e presidentit. Sipas tij, LDK disponon 15 vota në Kuvend dhe këto vota nuk mund të anashkalohen në një proces që kërkon shumicë prej 80 deputetësh.

“Ajo çka ne e themi vazhdimisht është se në qoftë se dikush do marrëveshje politike me LDK-në, me LDK-në duhet të bisedojë edhe për çështjen e presidentit, por nëse dikush mendon të imponojë kandidatin e tij pa votat e LDK-së, le ta kenë fatin e botës dhe ndoshta e zgjedhin presidentin edhe pa votat tona që i kemi. Ne kemi 15 vota; ato që janë, nëse dikush do t’i ketë, duhet të bisedojë me LDK-në. Kur ulet të flasë me LDK-në, do të flasë për një kandidat që i përfaqëson interesat e popullit e jo vetëm interesat e një partie politike”, tha ai.

Duke folur për interesimin e presidentes aktuale, Vjosa Osmani, për një mandat tjetër pesëvjeçar, Abdixhiku tha se LDK nuk do të pranojë asnjë tentativë për imponim të kandidatit për president pa dakordim paraprak, duke nënvizuar se një president duhet të përfaqësojë interesin e qytetarëve dhe stabilitetin institucional të vendit, e jo interesat e një partie politike.

Abdixhiku u shpreh se në Kosovë ekzistojnë mjaft figura që mund të shërbejnë si kandidatë konsensualë për president, por theksoi se ky proces kërkon dialog të hapur mes partive politike. Sipas tij, fokusi nuk duhet të jetë te akomodimi i një individi në një pozitë, por te ndërtimi i një konsensusi që siguron stabilitet afatgjatë institucional.

“Besoj që shumë individë do të shprehin gatishmërinë për një pozitë aq fisnike e të madhe, por kush e merr unitetin dhe kush përfaqëson 80 votëshin në Parlamentin e Kosovës mbetet të shihet brenda diskutimeve të partive politike. Njëherë duhet të ulemi ne partitë politike dhe ta bëjmë këtë adresim jo në bazë të individit, akomodimit të një individi në pozitë, por në bazë të një pozite që kërkon konsensus 80-votësh. Pra, nuk është gajle e Kosovës kush e cili individ. Gajle e Kosovës duhet të jetë kush është stabiliteti i domosdoshëm dhe kush i siguron 80 votat e ardhshme”, tha ai.

Duke përjashtuar mundësinë e zgjedhjeve të reja si zgjidhje për situatën aktuale, kreu i LDK-së tha se përgjegjësia e partive politike është të ulen dhe ta adresojnë çështjen e presidentit në mënyrë serioze dhe institucionale.

“S’besoj që mendon dikush se duhet të shkohet në zgjedhje të reja. Besoj se ka plot kandidatë konsensualë. Do të vijmë edhe aty. Njëherë na lejoni ta mbajmë Kryesinë dhe Kuvendin e LDK-së dhe pastaj do të vijnë çështje tjera. Ndoshta s’ka nevojë dikush për votat e LDK-së fare. Nëse ka, LDK ka adresë, ka dhe do të ketë zot shtëpie. Mund të flasim për çështje me rëndësi, jemi të hapur për stabilitet institucional e jo për ndonjë krizë tjetër politike. Në qoftë se ka nevojë dikush për 15 votat e LDK-së, e në qoftë se s’ka, është krejt çështje legjitime. Ne qëndrimin politik e bëjmë të qartë, por për këtë qëndrim do të flasim fillimisht me deputetët e zgjedhur të LDK-së. Fati i mirë që po e mbajmë Kuvendin e LDK-së dhe Kuvendi mund të vendosë aty”, përfundoi Abdixhiku.

Nga Ballkani në Telegram: Si u shndërrua Serbia në mjedis lehtësues për narrativat ekstremiste globale

13 January 2026 at 20:57


Narrativat e pazgjidhura të luftërave në Ballkan kanë dalë jashtë rajonit.

Ndërsa lëvizin përmes platformave të enkriptuara dhe nënkulturave online, ato ripërdoren brenda ekosistemeve ekstremiste perëndimore, duke e shndërruar paqartësinë historike në një burim me kosto të ulët të rikthimit strategjik të pasojave. Për Uashingtonin dhe Brukselin, kjo nuk ka të bëjë me kujtesën apo ndërmjetësimin, por me përmbajtjen.

Për shumicën e politikëbërësve në Uashington, marrëdhëniet Kosovë- Serbi mbeten një çështje periferike—të rëndësishme për stabilitetin evropian, por rrallëherë vendimtare për prioritetet strategjike të SHBA-së. Ky supozim nuk qëndron më plotësisht. Elemente të luftërave të pazgjidhura ballkanike të viteve ’90 janë zhvendosur në ekosisteme ekstremiste transnacionale, ku tani qarkullojnë brenda platformave dhe komuniteteve që ndërthuren drejtpërdrejt me shqetësimet e sigurisë së brendshme të SHBA-së, transmeton The Kosovo Dispatch.

Ky zhvillim nuk është rezultat i një fushate të centralizuar propagandistike, as nuk kuptohet më së miri përmes gjuhës së urrejtjes online apo luftërave kulturore digjitale. Ai përbën një rast të rikthimit strategjik të pasojave: narrativa historike të lëna të pazgjidhura jashtë vendit që rihyjnë në hapësirën politike perëndimore në forma destabilizuese dhe të armatosura ideologjikisht.

Si u shndërrua një luftë rajonale në simbol global.

Një nga shembujt më të qartë është përhapja e memes “Remove Kebab” ose “Serbia Strong”. Origjina e saj qëndron në propagandën nacionaliste serbe nga luftërat e ish-Jugosllavisë, përfshirë muzikën dhe imazhet e lidhura me udhëheqës të kohës së luftës që më vonë u dënuan për krime të rënda. Me kalimin e kohës, ky material u zhvendos në forume online margjinale dhe u absorbua në një repertor më të gjerë simbolik të ekstremit të djathtë.Gjatë këtij udhëtimi, kuptimi i tij ndryshoi. Konteksti origjinal ballkanik u zbeh, duke u zëvendësuar nga një narrativë e përgjithësuar civilizuese që e paraqet dhunën kundër myslimanëve si mbrojtëse, historike apo madje heroike. Deri në fund të viteve 2010, kjo meme u bë e njohur në hapësirat supremaciste të bardha në Amerikën e Veriut dhe Evropën Perëndimore, duke u shfaqur në manifeste, nënkultura online dhe ekosisteme mediatike ekstremiste.

Në atë pikë, çështja nuk ishte më nacionalizmi serb në vetvete. Ishte transformimi i një konflikti historik specifik në një aset ideologjik të ripërdorshëm brenda rrjeteve globale ekstremiste.

Roli i Serbisë: mjedis, jo drejtim

Ka pak prova që shteti serb i orkestron drejtpërdrejt këto rrjete transnacionale. Por kontrolli i drejtpërdrejtë nuk është i domosdoshëm. Ekosistemet moderne ekstremiste lulëzojnë në mjedise lejuese—vende ku mohimi, glorifikimi dhe rrjetëzimi tolerohen, në vend që të shtypen aktivisht.

Serbia ka funksionuar gjithnjë e më shumë si një mjedis i tillë. Rastet e profilit të lartë të ekstremistëve perëndimorë që krijojnë lidhje atje duhen kuptuar jo si anomali, por si simptoma të një modeli më të gjerë: një juridiksion ku simbolika nacionaliste dhe narrativat revizioniste përballen me kufizime të pakta dhe për këtë arsye tërheqin trafik ideologjik.

Për Uashingtonin, ky dallim ka rëndësi. Rreziku strategjik nuk qëndron te atribuimi formal, por te efekti kumulativ i tolerancës. Paqartësia ul kostot për akterët ekstremistë dhe rrit kostot e përmbajtjes.

Telegrami dhe konvergjenca e pakënaqësive

Infrastruktura kryesore për këtë migrim narrativ sot është Telegrami. Kanalet e fokusuara në Ballkan gjithnjë e më shumë mbivendosen me rrjete të ekstremit të djathtë perëndimor dhe të linjës pro-ruse, duke krijuar një hapësirë të përbashkët informacioni ku pakënaqësitë përforcojnë njëra-tjetrën.

Brenda këtyre kanaleve, Kosova rrallë diskutohet si çështje ligjore apo diplomatike. Në vend të kësaj, ajo riformulohet si dëshmi e tejkalimit të kompetencave nga NATO, hipokrizisë perëndimore ose paligjshmërisë së rendit pas Luftës së Ftohtë. Këto narrativa shpesh bashkohen me teori konspirative për elitat globale, shëndetin publik ose rënien kulturore—duke e lejuar Kosovën të funksionojë si një pikë referimi simbolike, e jo si realitet gjeopolitik.

Ky kornizim është efektiv sepse nuk synon bindjen. Ai synon rezonancën.

Lojërat dhe normalizimi i revizionizmit

Pretendimet për radikalizim sistematik përmes platformave të lojërave duhet trajtuar me kujdes. Ka pak prova për fushata të koordinuara që synojnë lojtarët e zakonshëm. Megjithatë, disa mjedise meritojnë vëmendje.

Në lojëra simulimi ushtarak dhe në modifikime të krijuara nga përdoruesit, ngjarjet historike nga luftërat e ish-Jugosllavisë ndonjëherë rindërtohen në mënyra që anashkalojnë viktimat civile ose i paraqesin mizoritë e dokumentuara si veprime të ligjshme ushtarake. Këto hapësira nuk e debatojnë historinë; ato e simulojnë atë. Përsëritja, zhytja dhe loja gradualisht normalizojnë narrativat revizioniste—veçanërisht te përdoruesit e rinj me pak njohuri paraprake për këto konflikte. Rreziku nuk është mobilizimi masiv, por mpirja graduale.

Pse Kosova rezonon në Shtetet e Bashkuara?

Kosova shfaqet në diskursin ekstremist amerikan jo për shkak të politikës ballkanike, por për shkak të asaj që ajo përfaqëson: një ndërhyrje e mbështetur nga NATO, një shkëputje e suksesshme dhe përdorimi i forcës për të riformësuar rezultate politike. Për akterët armiqësorë ndaj rendit liberal ndërkombëtar, Kosova funksionon si një rast studimor—i interpretuar në mënyrë selektive dhe i ripërdorur ideologjikisht.

Në këtë kuptim, Kosova është më pak një objektiv dhe më shumë një mjet.

Pasojat për Uashingtonin — dhe për aleatët

Për Shtetet e Bashkuara, rëndësia nuk qëndron te pajtimi historik apo ndërmjetësimi rajonal. Qëndron te përmbajtja. Kur narrativat e pazgjidhura të luftërave evropiane qarkullojnë lirshëm brenda ekosistemeve ekstremiste me bazë në SHBA, ato bëhen pjesë e problemit të sigurisë së brendshme amerikane, me kosto minimale për burimin e tyre.

Për aleatët evropianë, implikimi është paralel. Mjediset lejuese nuk mbeten lokale. Ekosistemet digjitale e fshijnë distancën dhe narrativat migrojnë më shpejt sesa përshtaten kornizat politike.

Mësimi më i gjerë është i qartë: konfliktet e pazgjidhura nuk mbeten të ngrira. Ato udhëtojnë, ndryshojnë formë dhe kthehen—shpesh të ngulitura brenda lëvizjeve që sfidojnë kohezionin e aleancave, legjitimitetin demokratik dhe sigurinë e brendshme.

Adresimi i këtij rreziku nuk kërkon policimin e çdo memeje apo platforme. Kërkon njohjen e faktit se paqartësia historike, kur kombinohet me leje digjitale, krijon ekspozim strategjik. Injorimi i këtij ekspozimi nuk e bën atë të zhduket. Thjesht e zhvendos atë jashtë vëmendjes.

Autori: Mark Gojcaj shkruan nga Nju Jorku, ku analizon ndërthurjen mes konservatorizmit amerikan dhe realiteteve politike e të sigurisë në Evropën Juglindore.

Eksportet e Kosovës arrijnë 898 milionë euro në vitin 2025, Shqipëria partneri kryesor tregtar

13 January 2026 at 20:11


Kosova ka realizuar gjithsej 898 milionë euro eksporte gjatë vitit 2025, duke shënuar një nivel të konsiderueshëm të tregtisë së jashtme, sipas të dhënave të Doganës së Kosovës të përpunuara nga Instituti GAP.

Shqipëria renditet si partneri kryesor i eksportit të Kosovës për vitin 2025, me vlerë prej 159 milionë euro, duke ruajtur pozitën e parë edhe krahasuar me vitet e mëparshme.

Në vendin e dytë është Maqedonia e Veriut me 137 milionë euro, ndërsa Gjermania zë vendin e tretë me 102 milionë euro eksporte.

Në listën e dhjetë partnerëve kryesorë të eksportit përfshihen edhe Zvicra me 95 milionë euro, Serbia me 61 milionë euro, Mali i Zi me 56 milionë euro, Turqia me 33 milionë euro, Italia me 28 milionë euro, Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 23 milionë euro dhe Franca me 20 milionë euro.

Të dhënat krahasuese për periudhën 2022–2024 tregojnë se struktura e partnerëve tregtarë ka mbetur relativisht stabile, me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Gjermaninë që vazhdojnë të dominojnë eksportet kosovare, ndërsa disa shtete si SHBA-ja dhe Franca kanë shënuar lëvizje në renditje ndër vite.

Sipas Institutit GAP, këto shifra dëshmojnë për orientimin rajonal dhe evropian të eksporteve të Kosovës, si dhe nevojën për diversifikim të mëtejmë të tregjeve dhe produkteve eksportuese.

Burimi: Dogana e Kosovës / Instituti GAP

Shqipëria në “top 10” shtetet me çmimin më të lartë të naftës në botë

13 January 2026 at 20:05


Shqipëria është vendi i parë në Rajon, i pesti në Europë dhe i shtati në botë për çmimin më të lartë të naftës.

Në pikat e karburanteve një litër naftë kushton mesatarisht 170 lekë, me kursin aktual të këmbimit 2.09 dollarë.

Në Ballkanin Perëndimor, në vendin e dytë renditet Serbia me një litër naftë që shitet për rreth 1.92 dollarë në pikat e karburanteve. Krahasuar me Bosnje-Hercegovinën, Maqedoninë e Veriut apo Kosovën, lënda djegëse në Shqipëri kushton gati 2-fish më shumë.

“Krahasuar me Kosovën, Maqedoninë apo Malin e Zi ka shumë diferencë. Jemi shumë më të shtrenjtë”, janë shprehur disa drejtues automjetesh.

Në Evropë, çmim më të shtrenjtë të naftës e ka Zvicra, Lihtenshtejni, Danimarka dhe Islanda. Shqipëria, e renditur e pesta ndërkohë le pas shtete si Irlanda apo Monako e njerëzve më të pasur të botës. Në botë është Hong-Kongu shteti me çmimin më të lartë për një litër naftë, mbi 3.56 dollarë.

“Na ka ikur truri. Janë rritur çmimet. Nuk është e këndshme po... Shumë të shtrenjta në krahasim me rrogat që marrim”, thanë disa drejtues automjetesh.

Çdo litër naftë që shitet në pikat e karburanteve është e përbërë nga çmimi me të cilin lënda djegëse blihet në bursa dhe taksat e tarifat që aplikohen nga qeveria. Në bursë, çmimi i naftës së papërpunuar ka rënë në 689 dollarë për ton, nga 750 që ishte një muaj më parë. Po ashtu, dollari vijon të zhvlerësohet. Çmimet e karburanteve rrjedhimisht do duhej të ishin më të lira.

“I bëjmë rritje kryeministrit të hapi rafineritë që të ulet çmimi. Janë çmimet më të larat në vitet e fundit”, u shprehën disa drejtues automjetesh, përcjell A2 CNN.

Shqipëria importoi vitin e shkuar më shumë karburant se kurrë më parë. Të dhënat nga Ministria e Financave tregojnë se në harkun e muajve janar-nëntor u blenë nga jashtë mbi 671 mijë tonë karburant.

Nis rinumërimi i 914 vendvotimeve, pritet të zgjasë rreth dy javë

13 January 2026 at 19:47


Ka nisur rinumërimi i 914 vendvotimeve nga zgjedhjet e 28 dhjetorit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, i cili sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve pritet të zgjasë nga 12 deri në 14 ditë, raporton Ekonomia Online.

Në 10 komuna do të rinumërohen 100% e vendvotimeve, ndërsa në 28 prej tyre vetëm 10%.

Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi në një konferencë për media.

“Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka filluar numërimi i fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve për të cilat KQZ mori vendim që të rinumërohen. Pra, KQZ ka marrë vendim që të rinumërohen 914 vendvotime nga 2,557 në të cilat është zhvilluar procesi i rregullt i votimit në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat janë mbajtur më 28 dhjetor 2025. Në QNR numërimi do të bëhet në 20 tavolina numërimi dhe brenda një dite planifikohet të rinumërohen mesatarisht 80 kuti votimi. Numërimi i 914 vendvotimeve, që përbënë 36% të vendvotimeve, mund të zgjasë nga 12 deri në 14 ditë”, tha ai.

Elezi sqaroi se rinumërimi nuk do të zhvillohet në të njëjtën masë në të gjitha komunat e vendit, pasi vendimi i KQZ-së parasheh qasje të ndryshme në varësi të komunës.

“Sipas vendimit të KQZ-së, në 10 komuna do të rinumërohen 100% të vendvotimeve (Dragash, Kaçanik, Lespoaviq, Prizren, Skënderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillug), ndërkaq në 28 komunat tjera, do të rinumërohen nga 10% e vendvotimeve (Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Istog, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Zubin Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Hani i Elezit, Graçanicë, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut)”, theksoi ai.

Sipas zëdhënësit të KQZ-së, vendimi për rinumërim është marrë pas identifikimit të mospërputhjeve gjatë verifikimit të votave të kandidatëve për deputetë në disa vendvotime.

“Ky vendim i KQZ-së vjen pas gjetjeve nga verifkimi i votave të kandidatëve për deputetë nga 33 vendvotime të ndryshme, ku rezulon se votat e kandidatëve të numëruara në Qendrat Komunale të Numërimit nuk pasqyrojnë numrin e votave të kandidatëve të evidentuara në fletëvotime”, tha ai.

Elezi shtoi se qëllimi kryesor i këtij procesi është ruajtja e besueshmërisë së zgjedhjeve dhe garantimi i vullnetit të qytetarëve.

“Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për rinumërimin e votave ka për qëllim garantimin e saktësisë dhe integritetit të procesit zgjedhor. Ky veprim synon verifikimin e çdo vote dhe sigurimin që rezultati përfundimtar të pasqyrojë në mënyrë të drejtë dhe të besueshme vullnetin e qytetarëve”, shtoi Elezi.

Vendimi i KQZ-së për rinumërimin e 914 vendvotimeve erdhi pas paraqitjes së një raporti nga verifikimi i votave të kandidatëve për 2% të vendvotimeve nga zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat janë mbajtur më 28 dhjetor 2025.

Sipas këtij raporti, më 10 janar 2026, Sekretariati i KQZ-së ka bërë shikimin e videoincizimeve të kamerave në vendosura në tavolinat e numërimit në Qendrat Komunale të Numërimit dhe është evidentuar se ka raste të mospërputhjeve të votave për kandidatë.

Pas këtyre evidentimeve, SKQZ ka bërë verifikimin e brendshëm të fletëvotimeve për kandidatë në 2% të vendvotimeve apo 52 vendvotime nga të gjitha komunat e Republikës së Kosovës. Deri në përfundim të ditës së hënë, 12 janar 2026, janë verifikuar 33 vendvotime, ku rezulton se votat e kandidatëve të numëruara në Qendrat Komunale të Numërimit nuk pasqyrojnë numrin e votave të kandidatëve të evidentuara në fletëvotime.

Abdixhiku paralajmëron ofrimin e dorëheqjes në Kuvendin e LDK-së

13 January 2026 at 19:39


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se do ta ofrojë dorëheqjen e tij në Kuvendin e partisë, i cili pritet të mbahet së shpejti, ndërsa vendimi për pranimin ose jo të saj do të merret përmes votës së delegatëve.

Këto deklarata Abdixhiku i bëri pas një mbledhjeje disaorëshe të mbajtur të martën me bashkëpunëtorët e tij në selinë qendrore të LDK-së.

Ai theksoi se ofrimi i dorëheqjes është pjesë e një procesi demokratik dhe se Kuvendi i LDK-së është organi i vetëm që ka kompetencë të vendosë për këtë çështje.

Abdixhiku tha se çdo anëtar i LDK-së ka të drejtë të kandidojë individualisht për postin e kryetarit, duke nënvizuar se partia mbetet e bashkuar dhe se të gjitha vendimet do të formalizohen përmes organeve partiake.

Ai sqaroi se takimi i së martës ka qenë joformal, ndërsa mbledhja e parë formale do të jetë ajo e Kryesisë së LDK-së, e cila pritet të mbahet javën e ardhshme. Pas saj, do të thirret edhe Kuvendi i partisë.

“LDK-ja është unike dhe e bashkuar. Çështjet shtrohen në konsultime të tilla dhe më pas formalizohen në organet partiake. Takimi i vetëm formal është ai i Kryesisë që pritet të mbahet javën e ardhshme, ndërsa pas saj do të mbahet Kuvendi i LDK-së”, ka deklaruar Abdixhiku.

Ai shtoi se nëse Kuvendi i LDK-së nuk e pranon dorëheqjen e tij, do të jetë i obliguar të vazhdojë detyrën e kryetarit, duke theksuar se shmangia nga vendimi i anëtarësisë do të ishte e papërgjegjshme.

“Çdo vendim që do të merret do të jetë vendim i përbashkët dhe në përputhje me vullnetin e Kuvendit të LDK-së”, u shpreh ai.

LDK-ja në zgjedhjet e 28 dhjetorit regjistroi një nga rezultatet më të dobëta në historinë e saj, duke u renditur e treta me 13.23 për qind të votave./Telegrafi.

Gjatë 2025-ës, Kosova importoi mbi 650 milionë euro vetura

13 January 2026 at 19:36


Kosova ka vazhduar edhe gjatë vitit 2025 të mbetet dukshëm më e varur nga importi sesa nga eksporti, tregojnë të dhënat e publikuara nga Instituti GAP, bazuar në statistikat e Doganës së Kosovës.

Sipas infografikës “Top 10 produktet më të eksportuara dhe importuara nga Kosova, 2025”, produkti më i importuar në vend kanë qenë veturat, me vlerë rreth 651 milionë euro, të pasuara nga derivatet e naftës me 560 milionë euro dhe energjia elektrike me 259 milionë euro.

Në listën e importeve më të mëdha përfshihen gjithashtu cigaret (158 milionë euro), shufrat prej çeliku (154 milionë euro), medikamentet (149 milionë euro), pijet joalkoolike (102 milionë euro), çimentoja (66 milionë euro), ëmbëlsirat dhe gjedhët, secila me rreth 95 milionë euro.

Në anën tjetër, eksportet e Kosovës dominohen nga plastika, me vlerë prej 56 milionë euro, energjia elektrike me 55 milionë euro dhe pijet joalkoolike me 54 milionë euro. Pas tyre renditen mobiliet (48 milionë euro), konstruksionet e çelikut (36 milionë euro), tubat e çelikut (26 milionë euro), kostumet për gra (24 milionë euro), dyshekët (24 milionë euro), mbetjet e skrapit (23 milionë euro) dhe veshjet për gra (20 milionë euro).

Instituti GAP sqaron se të dhënat për energjinë elektrike të raportuara nga Dogana mund të përfshijnë edhe energjinë që kalon përmes Kosovës si transit.

Të dhënat konfirmojnë hendekun e madh tregtar mes importeve dhe eksporteve, duke reflektuar sfidat strukturore të ekonomisë së Kosovës dhe nevojën për rritjen e prodhimit vendor dhe kapaciteteve eksportuese.

Hapet për qarkullim rruga Prishtinë–Ferizaj pas përmbytjeve

13 January 2026 at 18:36


Policia e Kosovës ka njoftuar se rruga nacionale Prishtinë–Ferizaj, në të dy drejtimet, përfshirë aksin rrugor në afërsi të “Prishtina Mall”, është hapur për qarkullim normal të automjeteve.

Sipas njoftimit, rruga kishte mbetur e bllokuar për disa ditë si pasojë e përmbytjeve të shkaktuara nga reshjet e shumta të shiut.

Pas përfundimit të punimeve dhe largimit të pengesave të përkohshme, lëvizja e automjeteve tashmë zhvillohet pa kufizime dhe në kushte të rregullta trafiku.

Policia ka bërë të ditur se institucionet përgjegjëse mbeten të angazhuara në monitorimin e vazhdueshëm të situatës në terren, me qëllim garantimin e sigurisë dhe rrjedhshmërisë së komunikacionit.

Njëkohësisht, Policia e Kosovës ka apeluar te të gjithë vozitësit që të respektojnë sinjalizimin rrugor dhe rregullat e trafikut, si dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit.

Mbi tri orë në takim, çfarë po ndodh në LDK?

13 January 2026 at 18:18


Takimi i kryesisë së ngushtë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), i cili ka nisur para më shumë se tri orë e gjysmë, ende nuk ka përfunduar.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, është duke zhvilluar diskutime me nënkryetarët e partisë dhe disa nga figurat kyçe të saj lidhur me rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit, si dhe hapat që pritet të ndërmerren në vijim.

Zyrtarë të LDK-së kanë deklaruar para nisjes së takimit se bëhet fjalë për një takim konsultues, në të cilin do të bëhet një analizë dhe balancë e rezultatit zgjedhor të partisë.

Ata janë shprehur të rezervuar për të komentuar mundësinë e dorëheqjes së kryetarit aktual, Lumir Abdixhiku, duke theksuar se diskutimet janë ende në zhvillim.

Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), Lidhja Demokratike e Kosovës ka siguruar 13.11 për qind të votave, që përkthehen në 15 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Specialja reagon pas letrës së Avokatit të Popullit për dokumentet serbe në rastin e ish-krerëve të UÇK-së

13 January 2026 at 18:11


Gjykata Speciale ka reaguar pas pranimit të letrës së Avokatit të Popullit, Naim Qelajt, lidhur me pranimin e dokumenteve që burojnë nga autoritetet serbe në rastet ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Në reagimin e saj, Gjykata Speciale thekson se vendimi për pranimin e provave nuk nënkupton automatikisht peshën apo besueshmërinë që do t’u jepet atyre gjatë vendimmarrjes finale, raporton Insajderi.

Sipas Gjykatës, gjatë hartimit të aktgjykimit, Trupi Gjykues vlerëson secilën provë individualisht, duke e shqyrtuar atë në kontekst të tërësisë së provave të administruara gjatë gjykimit.

“Gjatë shqyrtimit nëse janë vërtetuar pretendimet faktike, trupi gjykues bën një vlerësim dhe peshim tërësor duke i marrë provat në tërësi. Rregullorja nuk lejon që verdikti i fajësisë të bazohet vetëm në provat e një dëshmitari që Mbrojtja nuk ka pasur mundësinë ta marrë në pyetje”, thuhet në reagim.

Po ashtu, Gjykata Speciale thekson se pranimi i një prove nuk do të thotë domosdoshmërisht se ajo do të përdoret si bazë për aktgjykimin përfundimtar.

“Në fund të gjykimit, gjykatësit vlerësojnë secilën provë në kontekst të provave të pranuara dhe përcaktojnë peshën dhe besueshmërinë që do t’u jepet atyre”, thuhet më tej.

Ky reagim vjen pasi Avokati i Popullit ka shprehur shqetësime serioze lidhur me pranimin e dokumenteve zyrtare që, sipas tij, pretendohet se burojnë nga autoritetet serbe, të cilat kanë ushtruar juridiksion mbi territorin e Kosovës pas qershorit të vitit 1999.

Në letrën e tij, Qelaj ka theksuar se kjo periudhë përkon me vendosjen e administratës së përkohshme ndërkombëtare të autorizuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, gjatë së cilës funksionimi i institucioneve gjyqësore serbe në Kosovë ka qenë i paligjshëm sipas së drejtës ndërkombëtare.

“Rrjedhimisht, pranimi i këtyre dokumenteve ngre shqetësime serioze si për ligjshmërinë e tyre, përfshirë sipas së drejtës ndërkombëtare publike, ashtu edhe për besueshmërinë e tyre provuese”, thuhet në letrën e Avokatit të Popullit.

Një vendim i gjykatësve për të pranuar prova, nuk do të thotë se gjykatësit duhet të mbështeten në to për aktgjykim. Në fund të gjykimit, gjykatësit vlerësojnë secilën provë në kontekst të provave të pranuara, dhe përcaktojnë peshën dhe besueshmërinë që do t’u jepet atyre. pic.twitter.com/0TbiUVAUYL
— Dhomat e Specializuara të Kosovës (@Dhomat_e_Spec) January 13, 2026

Rafuna: Kemi inflacionin më të lartë në Evropë, qytetarët po varfërohen

13 January 2026 at 17:47


Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, ka ngritur alarmin për rritjen e vazhdueshme të inflacionit në vend.

Duke komentuar të dhënat e publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) për Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK) për muajin dhjetor 2025, Rafuna tha në TV Dukagjini se rritja mesatare vjetore (për 2025-tën) e inflacionit prej 3,9 për qind është shqetësuese dhe shumë më e lartë krahasuar me vendet e Evropës.

“Shpresojmë që qeveria e re që do të themelohet ta ketë një paketë që do ta ndihmojë qytetarët që ta vërejnë sa më pak të inflacionit., kemi rritje të inflacionit 3.9, besoj shumë që në rishikim nga ana e ASK-së do të kalojë edhe 4 për qind. Që kemi inflacion më të larët jo vetëm në Ballkan por edhe në Evropë.

Në Evropë tani norma e inflacionit sillet rreth 1.2 deri në 1.3, ndërsa tek ne ka arritur 3.9 dhe do të kaloj edhe 4 përqindëshin. Kjo ka qenë e pritur, nëse iu kujtohet shumë herë e kemi shprehur shqetësimin për marrjen e vendimit për nxjerrjen e bizneseve në tregun e hapur (të energjisë).

Çmimi i energjisë elektrike siç po shihet edhe nga të dhënat e ASK-së është një prej rritjeve më të larta. Kjo ka ndikuar që të kemi një inflacion të tillë. Dhe kjo nënkupton që kemi një varfërim të qytetarëve, ulje të standardit jetësor. Për këtë arsye është urgjente që të ndërmerret një paketë që të zbutet inflacioni dhe të mos ta lejojmë që të shkoj edhe më lartë”, ka thënë Rafuna.

DnV: Mangësi serioze në numërimin e votave, kërkohet rinumërim i plotë në gjithë vendin

13 January 2026 at 16:41


Misioni vendor për vëzhgimin e zgjedhjeve, Demokracia në Veprim (DnV), ka vlerësuar se gjetjet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nga verifikimi i vetëm 2 për qind të vendvotimeve për votat preferenciale të kandidatëve dëshmojnë për mangësi serioze në procesin e numërimit, të cilat, sipas tyre, cenojnë besueshmërinë dhe integritetin e rezultateve zgjedhore.

DnV thekson se, ndonëse rezultati për subjektet politike nuk vihet në dyshim, saktësia e numërimit të votave për kandidatët është element thelbësor i vullnetit të votuesve dhe pjesë përbërëse e rezultatit zgjedhor.

Sipas këtij misioni vëzhgues, konstatimi i dallimeve të konsiderueshme në votat e kandidatëve të numëruara në Qendrat Komunale të Numërimit, bazuar vetëm në një mostër prej 2 për qind të vendvotimeve, është indikator i problemeve serioze strukturore, duke përjashtuar mundësinë që këto mospërputhje të jenë pasojë e gabimeve të izoluara njerëzore.

Përkundër vendimit të sotëm të KQZ-së për rinumërimin e 10 për qind të vendvotimeve në nivel vendi dhe rinumërimin e 100 për qind të vendvotimeve në 10 komuna – Prizren, Ferizaj, Skenderaj, Shtime, Vushtrri, Dragash, Mamushë, Kaçanik, Leposaviq dhe Ranillug – të cilat përbëjnë rreth 36 për qind të vendvotimeve në Kosovë, DnV vlerëson se kjo masë është e pamjaftueshme.

Sipas DnV-së, rinumërimi i vetëm një të tretës së vendvotimeve mund të prodhojë ankesa dhe kërkesa të reja për rinumërim të vendvotimeve të tjera, duke e zvarritur edhe më tej procesin zgjedhor.

Në këtë kontekst, DnV rekomandon rinumërim të plotë të votave të kandidatëve në të gjithë vendin, me qëllim të sigurimit të kredibilitetit të procesit dhe rikthimit të besimit të publikut në rezultatet zgjedhore.

Po ashtu, organizata kërkon nga organet e drejtësisë që të nisin hetimet për të gjitha rastet ku ekzistojnë dyshime për keqpërdorim të procesit të numërimit.

“Qëllimi kryesor nuk duhet të jetë përshpejtimi i shpalljes së rezultateve, por sigurimi që çdo votë e qytetarit të numërohet saktë dhe të reflektohet drejt në përbërjen e institucioneve të ardhshme”, thekson DnV./Telegrafi.

Këto janë 10 komunat që do të bëhet rinumërimi i plotë i votave

13 January 2026 at 16:32


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë vendim që të bëhet rinumërimi i plotë i votave në 10 komuna të Kosovës, pas gjetjeve për mospërputhje mes votave të numëruara dhe atyre të evidentuara në fletëvotime gjatë zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

Sipas KQZ-së, rinumërimi 100 për qind do të realizohet në komunat: Dragash, Kaçanik, Leposaviq, Prizren, Skenderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillug.

Vendimi është marrë pas raportit të Sekretariatit të KQZ-së, i cili gjatë kontrollit të videoincizimeve në Qendrat Komunale të Numërimit kishte evidentuar parregullsi dhe mospërputhje të dukshme në numërimin e votave të kandidatëve.

KQZ ka bërë të ditur se verifikimi fillestar është kryer në 2 për qind të vendvotimeve në nivel vendi, ku nga 52 vendvotime të kontrolluara, në 33 prej tyre janë konstatuar mospërputhje mes rezultateve të numëruara dhe fletëvotimeve.

Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka paralajmëruar se në rast se pas rinumërimit vërtetohen manipulime me votat e kandidatëve, rastet do t’i dërgohen organeve kompetente, duke përfshirë edhe anëtarët e ekipeve të numërimit.

Procesi i rinumërimit do të zhvillohet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve dhe nis sot, më 13 janar, në orën 18:00./Telegrafi.

Arratisja e Altin Ndocit, pezullohet nga detyra zinxhiri komandues i burgut të Durrësit

13 January 2026 at 16:14


Pas arratisjes së Altin Ndocit nga spitali i Durrësit, ku ishte shtruar në repartin infektiv, raportohet se është pezulluar nga detyra i gjithë zinxhiri komandues i burgut të Durrësit.

Ndoci, pjesë e dosjes “Plumbi i Artë”, konsiderohet si person i rrezikshëm, pasi akuzohet ndër të tjera edhe për vrasje. Sipas Drejtorisë së Burgjeve, "pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme nga forcat e Policisë së Burgjeve për ndalimin e tij, Altin Ndoci ka arritur të largohet nga spitali".

A2 CNN mëson se Ndoci ka gënjyer policin qe po e ruante, duke i thënë se donte të shkonte në tualet dhe ka arritur t’ia mbathë. Kur e ka parë që po largohej, efektivi ka qëlluar në ajër po pa arritur ta ndalojë.

Ndoci konsiderohet pjesë e klanit Çopja nga Elbasani dhe është pjesë e dosjes së SPAK me 33 të pandehur për këtë organizatë kriminale. Ai akuzohet për disa vepra penale, mes të cilave edhe “vrasje”.

I akuzuar për katër vrasje, kush është 39-vjeçari i arratisur nga spitali i Durrësit

13 January 2026 at 16:09


Altin Ndoci është arratisur këtë mesditë nga reparti infektiv i Durrësit, ku ishte i shoqëruar nga policia e burgut për të kryer kontrolle mjekësore.

Drejtoria e Burgjeve në një deklaratë pas ngjarjes tha se efektivët kanë tentuar ta ndalojnë, por nuk kanë mundur dot, ndërsa vijojnë kërkimet.

39-vjeçari ndodhej në paraburgimin e Durrësit, ndërsa emri i tij është i njohur në botën e krimit dhe hetohet nga SPAK me disa akuza.

Ndoci njihet si person i ‘rekrutuar’ nga Talo Çela, dhe në dosjen e SPAK akuzohet për përkrahja e autorit të krimit, konkretisht këtij të fundit, gjatë viteve 2020 – 2021 në qytetet Tiranë, Durrës dhe Elbasan, në lidhje me vrasjen e Dorian Shkoza, Anxhelo Avdia, Besmir Haxhia e Viktor Haxhia.

Po ashtu ai akuzohet për “Vrasja në rrethana te tjera cilësuese”, ndaj dy ose më shumë personave, e kryer më shumë se një herë, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të kryera në bashkëpunim të veçantë atë të grupit të strukturuar kriminal, dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, (në rolin e pjesëmarrësit) dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”.

Njoftimi i SPAK në lidhje me dosjen hetimore ku përfshihet edhe Ndoci:

SPAK dërgon për gjykim procedimin penal ndaj vëllezerve Çopja dhe 31 të pandehurve të tjerë

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet dhe dërgoi në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë, kërkesën për gjykimin e procedimit penal nr. 75/9, në ngarkim të 33 të pandehurve:

Franc Gergely alias Franc Çopja
Hajdar Bako alias Hajdar Çopja:
Mikael Qosja (Kamami) alias (Stefo), (Stefa)
Talo Çela,
Altin Ndoci,
Arzen Mama,
Eljo (Ervis) Bitri,
Maksim Koçi,
Dashnor Dumani,
Ado Xhika,
Arzen Hysa Çopja
Xhimi Hoxha,
Guri Biba,
Leonardo Ramani,
Ervis Daka,
Flobenc Meçja alias Flobenc (Drini, Gega)
Altin Kamami,
Martin Musaj,
Agustin Çinari,
Arben Lamçja,
Arjan Ormenaj,
Dorian Dyli,
Maklen Mici,
Bashkim Lika,
Klajdi Merkaj,
Armis Stafa
Renato Musaku,
Rexhino Doçi,
Matilda Hoxholli,
Pajtime Fetah,
Denada Toda,
Klodian Sinameta,
Leon Ramani

Veprimtaria e organizatës “Çopja”

Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera nga Prokuroria e Posaçme, në bashkëpunim edhe me autoritetet e huaja (përmes dërgimit të letërporosive për paketën e kodeve PIN SKYECC), është evidentuar dhe dokumentuar ekzistenca e një organizate kriminale, e njohur si “Çopja”. Ajo drejtohej nga vëllezërit Franc Gargely alias Franc Çopja Bako alias Hajdar Çopja dhe është përfshirë në:

Vrasje me pagesë dhe tentativa për eleminimin e kundërshtarëve. Pagesat për ekzekutimet siguroheshin nga të ardhurat e trafikut të kokainës.
Korrupsion të funksionarëve të sistemit të drejtësisë dhe punonjësve të policisë.
Rekrutimin e punonjësve të policisë të Drejtorive Vendore, Durrës dhe Elbasan me qëllimin marrjen e informacionit dhe mbështetje operative.
Pastrimin e produkteve të veprës penale përmes investimeve në sektorin imobiliar dhe bizneseve të tjera në Tiranë, Durrës dhe Elbasan.
Veprimtaria kriminale e vëllezërve “Çopja”, shtetasve Hajdar Bako (Çopja), dhe Franc Gergely (Çopja), daton rreth viteve 2006 – 2007. Ata fillimisht e kanë ushtruar aktivitetin kriminal në Itali duke shpërdarë sasi të vogla të lëndës narkotike të llojit kokainë. Ndërsa me kalimin e viteve, vëllezërit Çopja u fuqizuan shumë nga shitja dhe trafikimi i drogës, duke e zgjeruar aktivitetin edhe në vende të tjera të Europës, kryesisht në Holandë, Belgjikë dhe Mbretërinë e Bashkuar. Hetimet treguan se pas vitit 2018, vëllezërit Çopja janë shndërruar në një organizatë kriminale të mirëfilltë, e cila në bashkëpunim edhe me grupe të tjera të krimit të organizuar transnacional, zgjeroi veprimtarinë e saj kriminale në trafikimin e drogave të forta, kryesisht të kokainës. Në vitin 2018 filloi vrasjen e kundërshtarëve (përmes ekzekutimeve me pagesë), të cilët kishin një rol të rëndësishëm në trafikun e drogës në Europë dhe më gjerë.

Përbërja dhe lidhjet e organizatës kriminale

Hajdar Bako (Çopja) dhe Franc Gargely (Çopja) – Drejtuesit e Organizatës

Mikael Qosja alias Kamami, (Stefa), (Stefo), i njohur ndryshe edhe si Kel Kamami – Organizator i vrasjesve.

Talo Çela, Eljo (Ervis) Bitri dhe Flobenc Meçja alias Flobenc (Drini, Gega) – Krahu i armatosur i organizatës. Ai kishte grupin e tij të ekzekutorëve me pagesë. Fillimisht janë rekrutuar të hetuarit; Altin Ndoci, Besmir Haxhia (i ndjerë, vrarë nga grupi Alibej në datën 27.4.2020), Dashnor Dumani dhe Dorian Shkoza (i ndjerë, vrarë nga grupi Alibej në datën 3.3.2020).

Guri Biba, Emiljano Ramazani (i ndjerë), Ervis Daka, Dorian Shkoza (i ndjerë), Abedin Mama, Arzen Mama, Fatos Gosa, Ado Xhika, Renato Musaku, Leonardo Ramani, Martin Musaj, Ervis Hysa Çopja (viçja), Ervis Daka (Dragoviçi), Xhimi Hoxha, Agustin Çinari, si dhe persona të tjerë ende të paidentifikuar – Anëtarë të organizatës, të cilët kanë siguruar mjete logjistike si automjete, armë, municion, lëndë plasëse eksplozive ose kanë luajtur rolin e vëzhguesve dhe informatorëve.

Organizata kriminale “Çopja”, përmes lidhjeve të saj arriti të korruptojë gjyqtarë për të krijuar aksese, me qëllim mbylljen e çështjeve në ngarkim të tyre ose rëndimin e pozitës së kundërshtarëve.

Lidhjet në organet e Drejtësisë:

Pajtime Fetah, e cila në vitin 2020 ka qenë me detyrë Gjyqtare në Gjykatën e Shkallës së Parë Elbasan;
Denada Tode, me detyrë sekretare gjyqësore, pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan;
Si dhe persona të tjerë për të cilët vijojnë hetimet.
Lidhjet në organet e zbatimit të ligjit (Policinë e Shtetit):

Agustin Çinari, me detyrë punonjës policie, pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës.
Martin Musaj, me detyrë punonjës pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan;
Si dhe persona të tjerë për të cilët vijojnë hetimet.
Lidhjet në biznes dhe pastruesit e produkteve të veprës penale:

Nga të dhënat e siguruara nga organi i akuzës rezulton se organizata kriminale “Çopja”, një pjesë të të ardhurave të gjeneruara nga aktiviteti kriminal i trafikut ndërkombëtar të drogës e ka investuar në Shqipëri, kryesisht në sektorin imobiliar (përmes blerjes së pasurive të paluajtshme si apartamente, vila, bare e restorante dhe sipërfaqe toke), në qytetet Tiranë, Elbasan dhe Durrës.

Evidentohet përdorimi i sektorit të ndërtimit, ku përmes personave të tretë ka injektuar dhe investuar shuma monetare të konsiderueshme, “cash”. Gjithashtu ka investuar në çeljen e operatorëve ekonomik si dhe përdorimin e operatorëve ekonomik ekzistues me aktivitet në Shqipëri, të cilët “de jure” janë regjistruar në emër të lidhjeve të tyre shoqërore, miqësore dhe bashkëpunuese, duke mosekspozuar poseduesit “de facto” dhe përdorimin e tyre si kamuflim/koperturë, me qëllim pastrimin e parave të gjeneruara nga aktiviteti kriminal;

Shtetasi Franc Gergely (Çopja), në raste të përsëritura ka realizuar transferimin e vlerave monetare të konsiderueshme “cash”, përmes përdorimit të zyrave të këmbimit valutor exchange, brenda dhe jashtë vendit, duke ia dërguar personave të tij të besuar. Kjo bëhej me qëllimin për të kryer pagesën për ngarkesat e lëndës narkotike të llojit kokainë (në vendet e origjinës, Ekuador, Brazil, Kolumbi, Paraguaj dhe Bolivi), të vrasjeve apo investimeve për llogari të tyre, në Shqipëri dhe jashtë saj.

Në interes të hetimeve, është bërë e mundur evidentimi i zyrës së këmbimit valutor me emër tregtar “B.LIKA CIMI & KENI” EXCHANGE, me aktivitet zyrë këmbimi valutor.

Faktet penale

“Vrasja në rrethana cilësuese në dëm të viktimave Endrit Alibej, Arben Dylgjeri dhe shtetasit turk Erdal Duranay”, ngjarje e ndodhur më datë 29.12.2018, në orën 21:00, në vendin e quajtur Bradashesh, aksi rrugor Tiranë – Elbasan, në afërsi të restorant Dervishaj;
“Vrasja në rrethana cilësuese e shtetasit Klevin Baho dhe plagosja e vëllait të tij shtetasit Aldo (Aleksandër) Baho”, ngjarje e ndodhur më datë 1.7.2019, ora 00:30, në fshtin Broshkë, Elbasan;
“Vrasja në rrethana cilësuese në dëm të viktimave Andi Zylyfi dhe plagosja e shtetasit Ardit Uruçi”, ngjarje e ndodhur më datë 13.12.2019, në fshatin Përparim, Peqin;
“Vrasja e shtetasit Klevis Kapllani”, ngjarje e ndodhur më datë 15.9.2020, në fshatin Sinaballaj, Rrogozhinë;
“Vrasje me paramendim e mbetur në tentativë”, në dëm të shtetasit Kei Piku, ngjarje e ndodhur më datë 16.1.2020, në lagjen “Kongresi i Elbasanit”, në Elbasan;
“Vrasje me paramendim e mbetur në tentativë”, në dëm të shtetasit Irfan Azizi, ngjarje e ndodhur më datë 29.11.2020, në vendin e quajtur rrethrrotullimi i Poshnjes në Urën Vajgurore, Berat.
“Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit Erion Alibej, ngjarje e planifikuar të kryhej në përiudhën kohore nëntor 2019 –janar 2020;
“Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit Erion Alibej, ngjarje e planifikuar të kryhej pas periudhës së karantinës në vitin 2020;
“Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit Erion Alibej, ngjarje e planifikuar të kryhej në muajin shtator 2020;
“Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit Erion Alibej, ngjarje e planifikuar të kryhej në përiudhën kohore korrik – nëntor 2020;
“Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje, në dëm të shtetasit Nuredin Dumani, ngjarje e planifikuar të kryhej në përiudhën kohore korrik – tetor 2020;
“Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje, në dëm të shtetasit Nuredin Dumani, ngjarje e planifikuar të kryhej në përiudhën kohore tetor – nëntor 2020;
“Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje, në dëm të shtetasit Qani Alibej, ngjarje e planifikuar të kryhej në shtator të vitit 2020;
“Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje, në dëm të shtetasit Arjan Spahiu, ngjarje e planifikuar të kryej në periudhën kohore dhjetor 2019 – janar 2020;
“Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje, në dëm të shtetasit Arben Spahiu, ngjarje e planifikuar të kryhej në periudhën kohore nëntor 2020 – janar 2021;
“Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje, në dëm të shtetasit Rigers Spahiu, ngjarje e planifikuar të kryhej në periudhën kohore janar 2020 – janar 2021;
“Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje, në dëm të shtetasit Everest (Ibrahim) Caka, ngjarje e planifikuar të kryej në periudhën kohore janar 2020 – nëntor 2020;
“Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje, në dëm të shtetasit Ardian Çollaku (Subashi), ngjarje e planifikuar të kryhej në muajt korrik – nëntor të vitit 2020;
“Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje, në dëm të shtetasit Aldo Baho, ngjarje e planifikuar të kryhej në muajt maj – gusht të vitit 2020;
“Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje, në dëm të shtetasit Aldo Baho, ngjarje e planifikuar të kryhej në muajt korrik – gusht të vitit 2020.
“Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë, ” nga ish-gjyqtarja Pajtime Fetah, ngjarje e ndodhur gjatë vitit 2020 në Elbasan dhe ‘’Korrupison aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë, nga Mikael Kamami dhe Arzen Mama.
“Shpërdorimi i detyrës” dhe “Pjesëmarrës në Organizatë” nga punonjësi i Policisë së Shtetit Agustin Çinari;
“Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” në dëm të shtetasit Arben Spahiu, “ dhe“Shpërdorimi i detyrës” nga punonjësi i policisë shtetasi Martin Musaj;
“Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete” nga shtetasja Denada Toda, kryer gjatë periudhës kohore shtator – tetor të vitit 2020, në Elbasan.
“Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, nga shtetasit Franc Gergely (Çopja), Arben Lamçja, Arjan Ormenaj, Dorian Dyli si dhe persona të tjerë të paidentifikuar në kuadër të organizatës kriminale;
“Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, nga shtetasit Franc Gergely (Çopja), Arben Lamçja, Dorian Dyli, Maklen Mici, Bashkim Lika si dhe persona të tjerë të paidentifikuar në kuadër të organizatës kriminale;
“Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, nga shtetasit Franc Gergely (Çopja) dhe Klajdi Merkaj në kuadër të bashkëpunimit të thjeshtë.
“Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, nga shtetasit Franc Gergely (Çopja) dhe Rexhino Doçi në kuadër të në kuadër të bashkëpunimit të thjeshtë.
“Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, nga shtetasit Franc Gergely (Çopja) dhe Armis Stafa në kuadër të bashkëpunimit të thjeshtë.
“Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, nga shtetasi Talo Çela dhe nëna e vajzës së tij shtetasja Matilda Hoxholli) si dhe persona të tjerë të paidentifikuar në kuadër të bashkëpunimit të thjeshtë.
Përkrahja e autorit të krimit (shtetasit Talo Çela), kryer nga shtetasit Franc Gergely (Çopja), Mikael Qosja, Altin Ndoci, Ado Xhika, Maksim Koçi, Arben Lamçja, Renato Musaku, Arzen Hysa Çopja dhe Xhimi Hoxha gjatë viteve 2020 – 2021 në qytetet Tiranë, Durrës dhe Elbasan.
• Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës, kryer nga shtetasi Klodian Sinameta.
• Moskallëzim krimi, kryer nga shtetasit Leon Ramani.
“Vjedhja me armë e mbetur në tentativë, në dëm të shtetasit Minella Muçi dhe Vrasja e Punonjësit të Policisë së Shtetit, e mbetur në tentativë, ngjarje e ndodhur më datë 23.03.2018, në lagjen 28 nëntori, në Fier;
“Vjedhja me armë e vlerave monetare” që do transportoheshin me linjën e avionit Tiranë – Vjenë, ngjarje e ndodhur më datë 09.04.2019, në pistën e aeroportit “Nënë Tereza”, Rinas, Tiranë.
Sekuestrimet

Sekuestrimet numërojnë më shumë se 40 prona të paluajtshme, vila apartamente, pasuri shërbimi dhe toka në Tiranë, Durrës dhe Elbasan. Janë sekuestruar gjithashtu llogari bankare në monedha të ndryshme në disa banka të nivelit të dytë. Në kuadër të këtij procedimi, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka dhënë disa vendime për sekuestro preventive, përfshirë atë të datës 29.7.2024, ndaj disa pasurive të paluajtshme, si edhe atë të datës 10.9.2024 për llogaritë bankare të shtetasit Bashkim Lika dhe shtetasit Maklen Mici.

❌
❌