Laborator i ri për analizën e mbetjeve në bujqësi, bashkëpunim UBT–AKUK
TIRANË, 7 shkurt /ATSH/ Me qëllim menaxhimin e qëndrueshëm të llumit (biosolide) në bujqësi dhe forcimin e kapaciteteve kombëtare të analizës dhe monitorimit, Universiteti Bujqësor i Tiranës (UBT) dhe Agjencia Kombëtare për Ujësjellës-Kanalizime (AKUK) kanë nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi për ngritjen e një laboratori të specializuar për analizat e llumit pranë UBT-së.
Marrëveshja u firmos nga Rektori i UBT-së, Fatbardh Sallaku, dhe Zv/Drejtorja e Përgjithshme e AKUK, Elidjana Çelaj, ndërsa ky bashkëpunim mbështetet nga GIZ, përmes asistencës teknike dhe financiare.
Në kuadër të kësaj marrëveshjeje, do të ngrihet një laborator i specializuar, i cili do të shërbejë për analizimin, monitorimin dhe vlerësimin e llumit, duke mundësuar përdorimin e tij të sigurt dhe të qëndrueshëm në sektorin bujqësor, në përputhje me standardet mjedisore dhe bujqësore kombëtare dhe të Bashkimit Evropian.
Sipas palëve, laboratori do të forcojë kapacitetet shkencore dhe teknike në nivel kombëtar dhe do të shërbejë si një strukturë referuese për institucionet publike, pushtetin vendor dhe operatorët e ujësjellës-kanalizimeve.
Ky bashkëpunim mbështet Strategjinë Kombëtare të Menaxhimit të Llumit 2025–2050, e cila synon menaxhimin e integruar të nënprodukteve të trajtimit të ujërave të ndotura, reduktimin e ndikimit në mjedis dhe promovimin e praktikave të qëndrueshme në bujqësi.
Autoritetet vlerësuan se përfshirja e Universitetit Bujqësor të Tiranës në këtë proces forcon rolin e tij si qendër reference shkencore, në shërbim të politikëbërjes publike, kërkimit shkencor dhe zhvillimit të qëndrueshëm në Shqipëri.
Llumi në bujqësi është një nënprodukt organik që krijohet gjatë trajtimit të ujërave të ndotura (ujërat e zeza) ose të mbetjeve të tjera organike. Ai përmban: lëndë organike (materie bimore dhe kafshore e degraduar); ushqyes për bimët si azot, fosfor dhe kalium, si dhe mikroorganizma që ndihmojnë në dekompozim dhe fertilitet të tokës
Kur trajtohet dhe stabilizohet, llumi mund të përdoret në bujqësi si pleh organik, duke rritur pjellorinë e tokës dhe duke reduktuar nevojën për plehra kimikë. Në dokumente dhe rregullore evropiane, llumi i trajtuar quhet “biosolide”.
/e.xh/a.f/
The post Laborator i ri për analizën e mbetjeve në bujqësi, bashkëpunim UBT–AKUK appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.