Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 22 January 2026Main stream

Bordi i Paqes/ Abazi: Asnjë konsensus për pjesëmarrjen e Kosovës. Mema: Nuk ndikon në anëtarësimin e Shqipërisë në BE

By: Rovena
22 January 2026 at 20:28

Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, Haki Abazi, ka komentuar në emisionin “Real Story” në ABC Neës krijimin e Bordit të Paqes për Gazën, ku përfshihen edhe Shqipëria dhe Kosova.

Abazi e cilësoi këtë nismë si një vendim me “dorë të fortë”, duke theksuar se ndikimi i Kosovës dhe Shqipërisë në këto procese mbetet i kufizuar dhe se mungon konsensusi i brendshëm, veçanërisht në Kosovë. Ai kritikoi gjithashtu përfshirjen e presidentes Vjosa Osmani në nisma të tilla pa debat paraprak, ndërsa vlerësoi veprimin e kryeministrit Edi Rama si një lëvizje strategjike në arenën ndërkombëtare.

“Kemi të bëjmë me një vendim me dorën e fortë. Mund të ketë një impakt të momentit, por përllogaritja e Kosovës dhe Shqipërisë në këto procese janë marxhinale. Më vjen keq që presidentja Vjosa Osmani ka filluar të bëhet pjesë e këtyre nismave të jashtme, pa pasur një konsensus. Rama ka bërë një veprim të duhur, sepse synon që ta nënshkruajë fjalimin në Shtëpinë e Bardhë. Nëse mbetemi tek tentativa për të bërë një politikë të jashtme përmes fotove, i bie që nuk e kemi marrë akoma seriozisht rrezik. Në Kosovë nuk pati asnjë diskutim për bordin”, tha Haki Abazi.

Nga ana tjetër, eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare Medlir Mema ngriti pikëpyetje mbi rolin dhe të ardhmen e Bordit të Paqes, duke paralajmëruar se kjo strukturë mund të sfidojë autoritetin e OKB-së dhe të mos ketë jetëgjatësi, pa ndikuar drejtpërdrejt në procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

“Kemi dy pasoja, ajo e marrëveshjes me BE, nuk mendoj që do të ketë ndikim në anëtarësimin e Shqipërisë, e dyta është e ardhmja në rendin botëror. Bordi i Paqes del paralele dhe sfidon OKB-në. Unë Bordin e Paqes e shikoj si  një iniciativë të ngjashme me atë të Rusisë dhe Kinë, që cenon integritetin e OKB-së. Kemi duke përforcuar një organizatë që sfidon OKB-në dhe në rastin më të keq na bën ne të dalim huq, sepse mendoj që nuk do të ketë një jetëgjatësi. Nuk mendoj se në të ardhmen do të ketë një Bord të Paqes”, tha Mema.

BE diskuton për Groenlandën dhe raportet tregtare me SHBA

By: Rovena
22 January 2026 at 19:33

Udhëheqësit e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) mblidhen mbrëmjen e 22 janarit në Bruksel për një samit urgjent, i thirrur pas kërcënimeve të presidentit amerikan, Donald Trump, për vendosjen e tarifave ndaj disa shteteve të kontinentit evropian.

Mbajtja e samitit u konfirmua edhe pasi presidenti amerikan më 21 janar hoqi dorë nga vendosja e tarifave, pasi në Davos të Zvicrës u arrit një pajtim për kornizën e marrëveshjes për Grenlandën gjatë një takimi me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.

Bashkimi Evropian në samit kishte planifikuar fillimisht të diskutojë për një përgjigje të përbashkët ndaj kërcënimeve amerikane për tarifa. Pritet që udhëheqësit evropianë të bisedojnë edhe për strategjinë e përgjigjes ndaj kërcënimeve të mundshme në të ardhmen nga presidenti Trump.

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, në ftesën drejtuar shefave të shteteve dhe qeverive të BE-së, theksoi se dëshiron një diskutim mbi sfidat në marrëdhëniet transatlantike, pasojat e tyre për Bashkimin Evropian, si dhe koordinimin e hapave të ardhshëm.

Parlamenti Evropian më 21 janar pezulloi procesin e ratifikimit të marrëveshjes tregtare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në dritë të tensioneve lidhur me Grenlandën.

Udhëheqësit e BE-së do të diskutojnë për Grenlandën dhe raportet tregtare me SHBA-në.

BE-ja synon që marrëdhëniet tregtare të jenë të qëndrueshme, të parashikueshme dhe të sigurta, por nëse kjo nuk ndodh, atëherë dëshiron të ketë në dispozicion kundërmasa të shpejta.

Sipas diplomatëve evropianë, blloku evropian dëshiron të përcaktojë qartë sa i fortë, i qëndrueshëm dhe i parashikueshëm është aktualisht partneriteti transatlantik tregtar dhe aleanca ushtarake.

Fokusi i diskutimit pa dyshim do të jetë Grenlanda, dhe pritet që udhëheqësit të marrin më shumë informacione nga Danimarka.

Kryeministrja e vendit pas konfirmimit të arritjes së pajtimit për kornizën e marrëveshjes tha se shteti i saj është i gatshëm të bisedojë për sigurinë në Arktik, por insiston në respektimin e integritetit territorial.

Bordi për Paqe në agjendën e takimit të liderëve evropianë

Bashkimi Evropian aktualisht heziton të marrë pjesë zyrtarisht në Bordin e ri për Paqe, duke pritur sqarime shtesë nga pala amerikane, por edhe duke analizuar nëse pjesëmarrja në këtë trup lejohet nga kushtetutat e disa shteteve anëtare.

Komisioni Evropian fillimisht përshëndeti idenë e këtij Bordi, por BE do të përpiqet të marrë një qëndrim të përbashkët edhe për këtë çështje. Për disa vende evropiane problematike është fakti që Trump ka ftuar në Bord edhe presidentët e Rusisë dhe Bjellorusisë, Vladimir Putin, dhe Aleksandar Lukashenko.

Megjithatë, unanmiteti për këtë çështje nuk është më i mundur, pasi në këtë Bord janë bashkuar Bullgaria dhe Hungaria.

95 vjet pas! Pse “City Lights” i Charlie Chaplinit mbetet një nga filmat më të mëdhenj të historisë

By: Rovena
22 January 2026 at 19:14

Edhe pas 95 vitesh nga premiera e tij, City Lights (1931) i Charlie Chaplinit vazhdon të konsiderohet si një nga filmat më të mëdhenj të realizuar ndonjëherë. Komedia romantike pa dialog jo vetëm që i ka rezistuar kohës, por ka ndikuar thellë breza të tërë kineastësh, falë thjeshtësisë, humanizmit dhe një fundi që mbetet ndër më emocionuesit në historinë e filmit.

Në vitin 1966, Charlie Chaplin deklaroi për revistën Life se City Lights ishte filmi i tij i preferuar. “Mendoj se është i qëndrueshëm dhe i realizuar mirë”, u shpreh ai me modesti, një vlerësim shumë më i përmbajtur sesa ai i kritikës ndërkombëtare.

Që nga premiera më 30 janar 1931 në Los Angeles, filmi është renditur vazhdimisht në listat e filmave më të mëdhenj të të gjitha kohërave nga Instituti Britanik i Filmit (BFI). Regjisorë si Stanley Kubrick, Orson Welles dhe Andrei Tarkovsky e kanë përmendur si një nga veprat e tyre të preferuara.

City Lights rrëfen historinë e Vagabondit, personazhit ikonë të Chaplinit, i cili dashurohet me një vajzë të verbër që shet lule (Virginia Cherrill). Ajo e ngatërron me një milioner, ndërsa ai bën gjithçka për ta ndihmuar, duke sakrifikuar lirinë dhe dinjitetin e tij që ajo të shërohet dhe të shpëtojë nga varfëria.

Skena e fundit, ku vajza tashmë e shëruar e njeh më në fund Vagabondin, konsiderohet nga shumë kritikë si përfundimi më i bukur në historinë e kinemasë. Pa fjalë, vetëm me vështrime dhe mimikë, Chaplin arrin një intensitet emocional të rrallë.

Forca e kësaj skene qëndron edhe te fundi i hapur: filmi nuk na tregon nëse ata përfundojnë bashkë. Ky ambiguitet e ka mbajtur City Lights gjithmonë aktual dhe të hapur për interpretime të ndryshme.

Momenti final i City Lights është ripërdorur dhe nderuar në shumë filma të mëvonshëm, nga The 400 Blows te Moonlight dhe Gone Girl. Edhe pse u realizua në një kohë kur filmat me zë po dominonin Hollywood-in, Chaplin këmbënguli në një film pa dialog, duke besuar se Vagabondi i përkiste kinemasë së heshtur.

Me një buxhet rekord për kohën dhe vite pune të mundimshme, City Lights u shndërrua në një sukses të madh kritik dhe financiar. Sot, pothuajse një shekull më vonë, ai vazhdon të shihet si filmi më i dashur dhe më jetëgjatë i Charlie Chaplinit.

Në një epokë të mbingopur me fjalë dhe zhurmë, City Lights dëshmon se emocionet më të forta mund të shprehen edhe në heshtje.

Trump thotë se bisedimet me Zelensky ishin ‘shumë të mira’

By: Rovena
22 January 2026 at 18:45

Presidenti amerikan Donald Trump është shfaqur para kamerave pasi ka lënë takimin e tij me homologun ukrainas Volodymyr Zelensky.

Ai tha se bisedimet me presidentin ukrainas ishin “të mira”, transmeton Telegraif.

Trump është pyetur nëse ka mundësi për të arritur një marrëveshje sot dhe theksoi “do të shohim se çfarë ndodh”.

“Do të takohemi me Rusinë, kjo do të zhvillohet nesër dhe do të takohemi me presidentin Putin”, shtoi ai.

“Pata një takim shumë të mirë me presidentin Zelensky, të gjithë duan që lufta të mbarojë”, theksoi ndër tjera.

Trump u tha gjithashtu gazetarëve se dyshja nuk diskutoi për anëtarësimin e Zelensky në Bordin e Paqes.

Kushner zbulon projektin e ri/ Gaza, deri në 2035 qendër rajonale zhvillimi

By: Rovena
22 January 2026 at 18:14

Dhëndri i presidentit amerikan Jared Kushner, një nga figurat me te rëndësishme për paqen në Gaza, dha detaje në Davos se si do të duket enklava në të ardhmen.

Ai prezantoi një “masterplan” për të ardhmen e enklavës, duke e demonstruar idenë edhe me harta dhe foto.

“Ekziston një masterplan. Ne do ta zbatojmë atë me faza në Lindjen e mesme. Qytete si këto, për dy-tre milionë njerëz, ndërtohen për tre vjet”, tha Kushner.

Synimi i planit është që enklava të shndërrohet në një qendër ekonomike rajonale deri në vitin 2035.

Iniciativa përcakton objektiva ambicioze për dekadën e ardhshme. Ajo synon të rrisë prodhimin e brendshëm bruto te Gazës në më shumë se 10 miliardë dollarë dhe të rrisë të ardhurat mesatare vjetore të familjeve në mbi 13,000 dollarë.

Plani është strukturuar rreth një afati kohor zhvillimi me gjashtë faza që fillon në jug dhe përparon drejt veriut. Faza i përqendrohet në Rafah dhe Khan Yunis. Faza II përfshin zgjerimin e Khan Younis dhe zhvillimin rreth rajonit. Faza III synon zhvillimin në kampet qendrore të refugjatëve, ndërsa Faza finale përqendrohet në qytetin e Gazës. Kjo parashikon rindërtimin e qytetit dhe infrastrukturës urbane. përqendrohet në rindërtimin e Qytetit të Gazës. Më pas plani synon rindërtimin ekonomik dhe më vonë atë social të territorit të shkatërruar nga lufta.

Propozimi për infrastrukturën përfshin një port dhe aeroport të ri, një kalim trepalësh në Rafah, një linjë hekurudhore mallrash me një korridor logjistik prapavijë dhe një rrjet unazore dhe rrugësh kryesore për të lidhur qendrat urbane të Gazës.

Bordi i Paqes vlerëson se do të nevojiten më shumë se 25 miliardë dollarë për të zhvilluar shërbime moderne publike dhe shërbime publike.

Ky Bord do të mbikëqyrë gjithë procesin, ndërsa qeverisjen e përditshme të enklavës do e drejtojë Komiteti Kombëtar për Administrimin e Gazës.

 

Trump për trupat evropiane të NATO-s: Ato ‘qëndruan larg vijave të frontit’ në Afganistan

By: Rovena
22 January 2026 at 17:52

Donald Trump ka drejtuar një tjetër akuzë ndaj aleatëve të NATO-s, duke pretenduar se personeli evropian qëndroi “jashtë vijave të frontit” në Afganistan.

Kjo vjen pasi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, u ndje i detyruar t’i bënte një “sqarim” presidentit të SHBA-së, i cili u përpoq të argumentonte në Forumin Ekonomik Botëror (WEF) në Davos se aleanca perëndimore nuk do të “ishte aty për ne” nëse Amerika do ta thërriste.

Në një intervistë me Fox News të enjten, Trump tha: “Gjithmonë kam thënë, a do të jenë ata aty nëse do të na nevojiteshin ndonjëherë? Ky është vërtet testi përfundimtar dhe nuk jam i sigurt për këtë”.

“Nuk kemi pasur kurrë nevojë për ta”, tha ai. “Ata do të thonë se dërguan disa trupa në Afganistan… dhe e bënë, qëndruan pak më larg, pak larg vijave të frontit”.

Në të kundërt, “ne kemi qenë shumë të mirë me Evropën dhe me shumë vende të tjera”, tha Trump, duke iu referuar SHBA-së, por shtoi: “Duhet të jetë një rrugë me dy drejtime”.

Dhe duke folur të mërkurën në Davos, presidenti i SHBA-së bëri një sulm të ngjashëm kundër aleancës ushtarake prej 32 anëtarësh, duke thënë: “I njoh të gjithë shumë mirë. Nuk jam i sigurt nëse do të ishin atje. E di që ne do të ishim atje për ta. Nuk e di nëse ata do të ishin atje për ne”.

Megjithatë, shkruan Daily Mail, pretendimet anashkalojnë faktin se vendet anëtare të NATO-s pësuan qindra vdekje gjatë luftës në Afganistan, e cila u shkaktua pas sulmit të 11 shtatorit në Qendrën Botërore të Tregtisë në Nju Jork.

Sipas mediumit në fjalë, petëm Britania humbi 457 trupa, ndërsa 2,000 të tjerë personel ushtarak dhe civil u plagosën në aksion. Franca, Gjermania, Italia dhe Danimarka gjithashtu vdiqën atje.

Pas fjalimit, shefi i NATO-s Rutte ia korrigjoi të dhënat presidentit të SHBA-së, duke i thënë: “Ka një gjë që të dëgjova të thoje dje dhe sot. Nuk ishe absolutisht i sigurt se evropianët do të vinin në ndihmë të SHBA-së nëse do të sulmoheshe. Më lejoni t’ju them, ata do të vijnë dhe e bënë në Afganistan”.

Kundërshtimi i Rutte erdhi pasi Trump e quajti Danimarkën – e cila kishte numrin më të lartë të vdekjeve për frymë midis forcave të koalicionit në Afganistan – “mosmirënjohëse” për mbrojtjen e SHBA-së gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Për çdo dy amerikanë që paguan çmimin përfundimtar, kishte një ushtar nga një vend tjetër i NATO-s që nuk u kthye në familjen e tij – nga Holanda, nga Danimarka dhe veçanërisht nga vende të tjera”, tha shefi i NATO-s.

“Pra, mund të jeni të sigurt, absolutisht, nëse ndonjëherë Shtetet e Bashkuara do të ishin nën sulm, aleatët tuaj do të jenë me ju. Ekziston një garanci absolute. Dua t’ju them vërtet këtë sepse më dhemb nëse mendoni se nuk është kështu”, i tha Rutte, Trumpit.

Siç vë në pah Daily Mail, në Afganistan, Danimarka humbi 44 ushtarë, në mënyrë proporcionale më shumë se çdo aleat tjetër përveç SHBA-së.

Ata gjithashtu humbën personel përkrah forcave amerikane në Irak, ku gjithashtu vdiqën 179 personel të Forcave të Armatosura Britanike. Numri i përgjithshëm i vdekjeve midis forcave të koalicionit – SHBA, Britani dhe aleatë – arriti në 3,486 në Afganistan. Mbi 2,300 ishin anëtarë të forcave të armatosura të SHBA-së.

Erdogan: Turqia do të jetë një nga qendrat e reja të fuqisë globale

By: Rovena
22 January 2026 at 17:14

Turqia do të shndërrohet në një nga polet qendrore të fuqisë në rendin e ri botëror të riformësuar, deklaroi presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, duke theksuar se bota po e kupton gjithnjë e më shumë drejtësinë e politikave që Ankaraja ka mbrojtur prej vitesh.

Duke folur në Asamblenë e 7-të të Jashtëzakonshme të Përgjithshme të Konfederatës së Sipërmarrësve Turk, ai përcolli mesazhe optimizmi për të ardhmen e vendit, pavarësisht paqëndrueshmërisë globale.

Duke iu referuar sfidave gjeopolitike, presidenti turk bëri një paralelizëm me situatën në Siri.

“Ashtu si në Siri, po hyjmë në një epokë të re, në të cilën do të korrim frytet e sakrificave dhe përpjekjeve tona, si dhe të faktit se kemi qëndruar në anën e duhur të historisë dhe ndërgjegjes”, u shpreh Erdogan.

Ai shtoi se zhvillimet globale po ecin në drejtimin që Turqia ka paralajmëruar prej kohësh.

“Sot po bëhet e qartë vlefshmëria e kritikave tona ndaj politikës globale, të cilat i kemi shprehur prej vitesh. Ata që na sulmonin pa mëshirë sepse flisnim me guxim të vërtetën, tani përdorin të njëjtën gjuhë, duke folur për padrejtësitë globale dhe mangësitë e sistemit botëror”, theksoi ai, duke iu referuar diskutimeve në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.

Ndërkohë që Erdogan flet për forcën e brendshme të vendit, shumë analistë e shohin Turqinë si një aktor potencial kyç në qetësimin e tensioneve të reja mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Evropës.

Kujtojmë se ish-presidenti amerikan, Donald Trump ka kërcënuar së fundmi me vendosjen e tarifave doganore nga 10 deri në 25 për qind ndaj mallrave nga Danimarka, Franca, Gjermania dhe vende të tjera evropiane, nëse nuk arrihet një marrëveshje për “blerjen e Grenlandës”. Megjithatë, kjo masë është pezulluar përkohësisht pas një takimi me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s.

Aksidenti i tretë hekurudhor në Spanjë brenda javës, treni përplaset me një vinç

By: Rovena
22 January 2026 at 16:38

Tre persona mbetën të lënduar në një aksident hekurudhor në Cartagena, sot me 22 janar, duke shënuar aksidentin e tretë në Spanjë në më pak se një javë.

Treni i pasagjerëve në linjën Cartagena, Los Nietos u përplas me një vinç në Alumbres, Murcia, raportojnë mediat e huaja. Të paktën tre pasagjerë mbetën të lënduar lehtë, por bilanci zyrtar ende nuk është konfirmuar. Aksidenti ndodhi rreth orës 12:00, mes Alumbres dhe La Union.

Të dielën mbrëma, një tren doli nga shinat duke u përplasur me një tjetër, ku humbën jetën 43 pasagjerë. Dy ditë më vonë, një mur mbajtës u shemb mbi një tren rajonal, duke shkaktuar daljen nga shinat dhe vdekjen e makinistit.

Sipas mediave lokale, banorët e zonës kishin paralajmëruar më parë rrezikun në këtë pjesë të linjës, në të cilën ndodhi aksdenti sot, ku njoftimi për mbërritjen e trenave shpesh mungon.

“Lufta do të përfundojë”/ Zelensky jep lajmin: Ukraina do të zhvillojë takim trepalësh me Rusinë dhe SHBA

By: Rovena
22 January 2026 at 16:17

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka bërë të ditur se një delegacion amerikan do të udhëtojë sot drejt Moskës, pas përfundimit të takimit të tij me presidentin amerikan Donald Trump.

Sipas Zelenskyt, ekipi ukrainas do të takohet fillimisht me përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara, ndërsa më pas, duke nisur nga dita e nesërme, do të zhvillohet një takim trepalësh dyditor mes Ukrainës, Rusisë dhe SHBA-së në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Presidenti ukrainas theksoi se Rusia duhet të jetë e gatshme për kompromise, duke shtuar se kjo nuk është një përgjegjësi vetëm e Ukrainës. “Të gjithë duhet të jenë të gatshëm, jo vetëm Ukraina,” deklaroi ai, duke nënvizuar se dialogu është më i dobishëm sesa mungesa e tij.

“Zoti e bekoftë, lufta do të përfundojë, shpresoj që po,” përfundoi Zelensky.

“Takimi me Trump, produktiv”/ Zelensky: Dokumentet për përfundimin e luftës janë pothuajse gati

By: Rovena
22 January 2026 at 16:04

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi se dokumentet që synojnë përfundimin e luftës janë “pothuajse gati”, pas takimit të zhvilluar sot me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Zelensky theksoi se Ukraina po punon me “ndershmëri dhe vendosmëri”, duke shtuar se Rusia duhet të jetë e gatshme të “i japë fund këtij agresioni”.

Ai kujtoi se takimet e mëparshme me përfaqësuesit amerikanë kanë sjellë mbështetje konkrete për Ukrainën, përfshirë furnizimin me raketa mbrojtëse, ndërsa janë zhvilluar edhe diskutime për “mbrojtjen e hapësirës ajrore”.

Zelensky shprehu shpresën se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të qëndrojnë në krah të Ukrainës dhe bëri thirrje për një Evropë të fortë. Ai theksoi se kontinenti ka nevojë për një Ukrainë të pavarur, e cila një ditë mund të jetë në gjendje të mbrojë edhe vendet e tjera.

“Ne jemi të gatshëm të jemi pjesë e një Evrope që ka vërtet peshë”, deklaroi presidenti ukrainas.

Pas takimit me Trump në Davos, Zelensky i kthehet Evropës: Nuk po bën asnjë veprim ndaj Ukrainës

By: Rovena
22 January 2026 at 15:53

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky gjatë fjalimit të tij në Davos ka falenderuar nga njëra anë Evropën për ngrirjen e aseteve ruse, por nga ana tjetër e ka kritikuar, pasi sipas tij këto asete nuk janë përdorur për të ndihmuar Ukrainën dhe për të ndalur luftën.

Sipas Zelenskyt pasur asnjë përparim të vërtetë në krijimin e një gjykate për agresionin rus kundër Ukrainës pavarësisht “shumë takimeve”.

Sa i takon armëpushimit në Ukrainë, e cila është jo pak në fokus edhe të presidentit Donald Trump, Zelensky shton se ende jemi larg në armëpushimi të mundësi pasi nuk është arrikur akoma një marrëveshje me SHBA-të.

Sipas tij, Rusia dhe Putin ndalet nëse nuk ka para dhe financim, por së pari sipas tij Evropa ka nevojë për forcat e veta të armatosur dhe jo të mbështetet tërësisht tek NATO.

Duke folur për mbrojtjen e Evropës, Zelensky thotë se disa vende kanë filluar të veprojnë duke investuar më shumë në siguri.

“Evropa duhet të mbrojë veten”, thotë ai, përpara se të shtojë se shumë vende nuk i përmbushën premtimet e tyre për mbrojtje prej 2.5% derisa Trump i shtyu ato.

“Çfarë mesazhi i dërgon kjo Putinit, Kinës?”, pyet ai. Pastaj ai vazhdon duke thënë se dërgimi i 40 ushtarëve për të mbrojtur Groenlandën nuk do të bëjë ndonjë ndryshim.

Ai thotë se Ukraina ka mjetet për të mbrojtur Groenlandën.

“Ne dimë si të luftojmë atje”, thotë ai. “Do ta zgjidhnim problemin nëse do të ishim në NATO, por nuk jemi”.

Gjatë fjalës së tij Zelensky vazhdon të kritikojë dështimin e Evropës dhe SHBA-së për të ndaluar kompanitë që shesin pjesë raketash në Rusi.

“Evropa nuk thotë asgjë, Amerika nuk thotë pothuajse asgjë dhe Putini prodhon raketa”, thotë ai.

Duke kërkuar më shumë mbështetje, Zelensky flet për ndjekjen e linjës diplomatike.

“Na këshillohet të mos i përmendim raketat Tomahawk”, shpjegon ai, duke përshkruar se si është këshilluar që kjo mund të «prishë humorin» në negociatat me SHBA-në.

Ndërkohë, në Evropë, ai thotë se ka “debate të brendshme pa fund” që pengojnë gjetjen e zgjidhjeve duke folur hapur.

“Në vend që të bëhet një fuqi vërtet globale, Evropa mbetet një kaleidoskop i bukur, por i fragmentuar, i fuqive të vogla dhe të mesme”, shton ai.

Lista e plotë, vendet që firmosën Kartën e Bordit të Paqes të Trump

By: Rovena
22 January 2026 at 15:26

Presidentit amerikan Donald Trump iu bashkuan udhëheqësit dhe përfaqësuesit e 19 vendeve për ceremoninë e nënshkrimit të Bordit të Paqes.

Anëtarët:

Argjentinë – Presidenti Javier Milei

Armenia — Kryeministri Nikol Pashinyan

Azerbajxhani – Presidenti Ilham Aliyev

Bahrein – Sheikh Isa bin Salman Al Khalifa

Bullgaria — Kryeministri Rosen Zhelyazkov

Hungaria — Kryeministri Viktor Orban

Indonezi – Presidenti Prabowo Subianto

Jordania — Zëvendëskryeministër Ayman Safadi

Kazakistan – Presidenti Kassym-Jomart Tokayev

Kosova — Presidentja Vjosa Osmani

Mongoli – Kryeministri Gombojavyn Zandanshatar

Marok – Ministri i Jashtëm Nasser Bourita

Pakistan — Kryeministri Shehbaz Sharif

Paraguai — Presidenti Santiago Pena

Katar – Kryeministri Sheikh Mohammed bin Abdul Rahman Al Thani

Arabia Saudite — Ministri i Jashtëm Faisal bin Farhan Al-Saud

Turqi – Ministri i Jashtëm Hakan Fidan

Emiratet e Bashkuara Arabe — Kryetari i Autoritetit të Çështjeve Ekzekutive Khaldoon Al Mubarak

Uzbekistan – Presidenti Shavkat Miromonovich Mirziyoyev.

Ata vunë penën mbi letër mbi statutin, duke ratifikuar Bordin e Paqes.

Trump theksoi se “çdo vend, pothuajse çdo vend, dëshiron të jetë pjesë e tij.” Ndërsa Bordi fillimisht u krijua për të mbikëqyrur armëpushimin në Gaza, ceremonia tregoi se iniciativa po shndërrohet në një projekt shumë më ambicioz ndërkombëtar.

Stuhia godet Greqinë/ Athina përmbytet nga reshje rekord, dy persona humbin jetën

By: Rovena
22 January 2026 at 15:14

Një stuhi goditi Greqinë dhe la dy të vdekur, me ekipet e katastrofave që kaluan të enjten duke pastruar mbeturinat.

Kostas Lagouvardos, drejtor kërkimesh në Observatorin Kombëtar në Athinë, tha se fenomeni “ekstrem” i motit kishte sjellë deri në 170 milimetra shi në kryeqytet.

Kjo përbënte “rreth 40 përqind të shiut që bie çdo vit në Athinë”, tha ai në kuadër të një prezantimi të të dhënave vjetore të motit për Greqinë.

Fronti i stuhisë që lëvizte drejt lindjes nëpër Greqi pa erëra që tejkalonin 100 km/h, duke bërë që autoritetet të mbyllnin shkollat. Departamenti i zjarrfikësve tha se iu ishte përgjigjur mbi 900 thirrjeve emergjente në lidhje me përmbytjet në të gjithë kryeqytetin.

Kryeministri Kyriakos Mitsotakis anuloi një udhëtim të planifikuar për në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës. Ndryshe, përmbytjet vdekjeprurëse në Greqi gjatë reshjeve të dendura të shiut në vitet e fundit i kanë detyruar autoritetet të përmirësojnë punimet kundër përmbytjeve për të kufizuar dëmet.

Ekspertët kanë bërë thirrje të përsëritura për përmirësime të infrastrukturës, veçanërisht në zonën më të madhe të Athinës.

Japonia rifillon punën e centralit bërthamor më të madh në botë

By: Rovena
21 January 2026 at 23:08

Japonia ka rinisur punën në reaktor në centralin bërthamor më të madh në botë, gati 15 vjet pas një katastrofe në centralin e Fukushimës që e detyroi vendin të mbyllte të gjithë reaktorët e tij bërthamorë.

Reaktori numër 6 në centralin Kashiwazaki-Kariwa, i vendosur në veriperëndim të Tokios, rinisi punën të mërkurën. Ai u vonua me një ditë për shkak të një mosfunksionimi të alarmit dhe pritet të fillojë të funksionojë komercialisht muajin tjetër.

Ky është instalimi i fundit në rinisjen e energjisë bërthamore të Japonisë, e cila ka ende shumë punë për të bërë. Reaktori i shtatë nuk pritet të rikthehet në punë deri në vitin 2030, dhe pesë të tjerët mund të çmontohen.

Kjo e lë centralin me shumë më pak kapacitet sesa kishte dikur kur të shtatë reaktorët ishin në funksion: 8.2 gigavat.

Japonia, e cila gjithmonë ishte mbështetur shumë në importet e energjisë, ishte një nga adaptuesit e hershëm të energjisë bërthamore. Por këto ambicie u prishën në vitin 2011, nga ajo që tani mbahet mend si një nga katastrofat më të këqija bërthamore në histori.

I shkaktuar nga tërmeti më i fuqishëm i regjistruar ndonjëherë në Japoni, shkrirja e reaktorëve në Fukushima Daiichi çoi në rrjedhje radioaktive.

Kjo traumatizoi komunitetet lokale që u evakuuan dhe shumë prej tyre nuk janë kthyer pavarësisht garancive zyrtare se ishte e sigurt për ta bërë këtë.

Kritikët thonë se pronari i centralit, Tokyo Electric Power Company, ose Tepco, nuk ishte i përgatitur dhe përgjigja e tyre dhe e qeverisë nuk ishte e koordinuar mirë.

Një raport i pavarur qeveritar e quajti atë një “katastrofë të shkaktuar nga njeriu” dhe fajësoi Tepco-n, megjithëse një gjykatë më vonë liroi tre nga drejtuesit e tyre nga neglizhenca.

Megjithatë, frika dhe mungesa e besimit nxitën kundërshtimin publik ndaj energjisë bërthamore, dhe Japonia pezulloi të gjithë flotën e saj prej 54 reaktorëve menjëherë pas katastrofës së Fukushimës.

Witkoff: Nuk jemi në bisedime me Iranin

By: Rovena
21 January 2026 at 22:53

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara, Steve Witkoff – duke folur në emër të administratës Trump – tha se SHBA-ja nuk është në bisedime me Iranin tani për tani, megjithëse “kemi pasur kontakt me ta”.

Duke folur në një intervistë për CNBC, në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, Witkoff tha se “Irani është një marrëveshje që duhet të ndodhë”.

I pyetur për hollësi, ai e shmangu përgjigjen, por e përsëriti se ka mundësi për një marrëveshje.

Protestat në Iran nisën më 28 dhjetor 2025, në tregjet e kryeqytetit Teheran, nga tregtarë të zemëruar për kushtet e këqija ekonomike, përfshirë inflacionin e madh dhe rënien e lirë të monedhës.

Trazirat u përshkallëzuan me shpejtësi, duke u shndërruar në demonstrata të gjera kundër autoriteteve për shkak të përkeqësimit të standardeve të jetesës dhe shtypjes të lirive themelore.

Tensionet SHBA–Iran

Tensionet e kahershme mes Uashingtonit dhe Teheranit po thuajse kanë arritur pikën kulmore gjatë kësaj krize.

Presidenti amerikan, Donald Trump, fillimisht paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara ishin “të gatshme dhe të armatosura” dhe të përgatitura për të vepruar nëse forcat iraniane të sigurisë do të vrisnin protestues.

Më vonë, ai u zotua për “veprime shumë të fuqishme”, nëse Irani do të vazhdonte me ekzekutimin e protestuesve.

Trump më pas tha se kishte zgjedhur personalisht të mos urdhëronte sulme ushtarake kundër Iranit, duke ia atribuuar këtë vendim anulimit të raportuar nga Teherani të qindra ekzekutimeve të planifikuara.

Në një tjetër intervistë në Davos, Witkoff i tha Arab News se Irani duhet të vijë dhe të ulet në tryezën diplomatike.

“Kjo duhet të ndodhë [që Irani të negociojë]”, tha ai. “Është e rëndësishme. Nëse shkon Irani, shkon edhe rajoni, ndaj duhet ta sqarojmë këtë”.

Witkoff këmbënguli se Lindja e Mesme po lëviz në drejtimin e duhur.

“Mendoj se është e jashtëzakonshme ajo që po ndodh. Të gjithë, mendoj, po punojnë së bashku drejt paqes”, tha ai. “Të gjithë janë angazhuar me idetë e presidentit Trump për paqen kufitare dhe jam kam shumë shpresa”./REL

Yesterday — 21 January 2026Main stream

Porto Cannone, bashkia që ruan gjallë identitetin arbëresh përmes kulturës dhe traditës

By: Rovena
21 January 2026 at 22:40

Në emisionin “Të gjitha rrugët të çojnë në Romë” në ABC News, këshilltarja për kulturën e Bashkisë së Porto Cannone, Valentina Flocco, ka prezantuar nga afër angazhimin institucional dhe shpirtëror të kësaj bashkie për ruajtjen dhe promovimin e identitetit arbëresh. Përmes një rrëfimi personal dhe institucional, ajo ka folur për aktivitetet kulturore të zhvilluara ndër vite, bashkëpunimet artistike me Shqipërinë, eventet muzikore e letrare, si dhe për vlerat historike e fetare që mbeten shtylla të komunitetit arbëresh. Në fokus të bisedës kanë qenë edhe muralet e reja artistike, traditat shekullore si gara e qerreve në nder të Zojës së Kostandinopojës, si dhe roli i kulturës dhe besimit në ruajtjen e identitetit dhe kujtesës kolektive të arbëreshëve të Porto Cannone.

“Gjuha dhe tradita ruhet”/ Skënderbeu në muralet e Campomarinos, simbol i identitetit arbëresh

By: Rovena
21 January 2026 at 22:30

Një pasqyrë e gjallë e trashëgimisë arbëreshe dhe lidhjes së saj me identitetin shqiptar u soll në emisionin “Të Gjitha Rrugët të Çojnë në Romë” në ABC Neës, përmes një interviste me Marco Altobellon, president i Institucionit të Kulturës të Bashkisë së Campomarinos.

Gjatë bisedës me gazetarin Artur Nura, Altobello foli për misionin e institucionit në promovimin kulturor dhe turistik të qytetit, vlerësimin e rrënjëve arbëreshe, si edhe për pasurinë historiko-kulturore që përfaqësojnë Pallati Norante, Biblioteka “Kodra” dhe Borgo i Pikturuar i Campomarinos, me muralet kushtuar Valljes arbëreshe, Skënderbeut dhe Shën Kristinës, shenjta mbrojtëse e qytetit.

Artur Nura: Me çfarë merret institucioni juaj?

Marco Altobello: Institucioni ynë merret me promovimin kulturor dhe turistik të qytetit dhe, në veçanti, me vlerësimin e rrënjëve tona arbëreshe dhe shqiptare, pasi Campomarino është një nga komunat më të mëdha në Itali me origjinë arbëreshe.

Artur Nura: Ndodhemi në një sallë që ka një emër të veçantë, apo jo?

Marco Altobello: Po, ndodhemi në Pallatin Norante, që është selia e Bibliotekës “Kodra”. Biblioteka i është kushtuar Ibrahim Korrës dhe kjo sallë, e dedikuar atij, quhet Salla Kodra. Ajo është gjithashtu selia e sportelit gjuhësor arbëresh dhe strehon disa vepra origjinale të Korrës, të dhuruara nga vetë artisti në vitin 2002, gjatë vizitës së tij në Campomarino. Vepra të tjera janë dhuruar nga Liliana Corfioti, nxënëse e Korrës. Këto janë vepra që pasurojnë trashëgiminë tonë historiko-kulturore dhe, mbi të gjitha, forcojnë lidhjen e komunitetit tonë me rrënjët arbëreshe.

Artur Nura: A ka vepra origjinale këtu në sallë?

Marco Altobello: Po, kemi dy vepra origjinale: një skulpturë të Korrës dhe një pikturë, gjithashtu të Korrës. Të dyja veprat i referohen totemit. Korra zakonisht pikturonte ose skaliste këtë simbol, i cili sipas tij përfaqëson paqen dhe vëllazërimin mes popujve. Për ne kjo ka një domethënie të veçantë, sepse komuniteti ynë ka pritur shqiptarët dhe arbëreshët, dhe vlera si mikpritja, paqja dhe vëllazërimi janë thelbësore për Campomarino-n.

Artur Nura: E ndaj plotësisht këtë mendim. Faleminderit shumë.

Marco Altobello: Faleminderit juve. Punë të mbarë.

Artur Nura: Muralët e Borgos së Pikturuar të Campomarinos paraqesin traditën arbëreshe, ndër to Vallja, Skënderbeu dhe Shën Kristina.

Zëvendëskryetar bashkie, çfarë përfaqëson kjo shesh?

Marco Altobello: Ky është Sheshi Largo Santa Maria, nga ku fillojnë lagjet tona të pikturuara dhe afresket murale. Pas meje ndodhet Kisha Nënë, për të cilën folëm edhe më parë, dhe nën të gjendet kripta, të cilën do t’ju çojmë ta vizitoni. Prej këtu nisin të gjitha muralet që shoqërojnë hyrjen në borgun e vjetër të Campomarinos.

Artur Nura: Tani i japim fjalën presidentit të Institucionit të Kulturës.

Zoti Altobello, a mund t’u shpjegoni shikuesve të ABC Neës simbolikën e këtyre muraleve?

Marco Altobello: Po, ndodhemi në Borgon e Pikturuar të Campomarinos, ku janë realizuar rreth tridhjetë murale të kushtuara traditës arbëreshe. Ky mural në veçanti paraqet Valljen, një valle tipike arbëreshe, e njohur në italisht si “ballo tondo”. Është një valle me veshje tradicionale, ku gratë arbëreshe formojnë një lloj rrethi dhe ndërrohen gjatë kërcimit. Është një traditë që ne e ruajmë ende sot.

Artur Nura: Ndër muralet është edhe ai kushtuar Skënderbeut, apo jo?

Marco Altobello: Po, Skënderbeu është një figurë shumë e rëndësishme si për shqiptarët ashtu edhe për arbëreshët. Ai udhëhoqi arbëreshët në ikjen nga osmanët, të cilët më pas mbërritën në brigjet tona, veçanërisht në shekullin XV. Në atë periudhë, Campomarino u godit nga një tërmet i fortë që e shpopulloi vendbanimin dhe më pas u ripopullua nga shqiptarët e udhëhequr nga Skënderbeu.

Artur Nura: Po murali që shohim në fund, çfarë paraqet?

Marco Altobello: Murali në fund paraqet Shën Kristinën, shenjtën mbrojtëse të Campomarinos. Të gjitha muralet e tjera të Borgos së Pikturuar kanë tematikë arbëreshe dhe rikujtojnë rrënjët dhe traditat tona.

 

“Pesë shekuj shqip, pa shtet dhe pa zë”/ Në Campomarino atje ku ruhet bashkëjetesa arbëreshe

By: Rovena
21 January 2026 at 22:19

Në Campomarino të Molises, një qytet me rrënjë të thella arbëreshe dhe identitet të fortë kulturor, gjuha, tradita dhe kujtesa historike shqiptare vijojnë të mbahen gjallë prej më shumë se pesë shekujsh.

I ftuar në emisionin “Të gjitha Rrugët të Çojnë në Romë”, nënkryetari i bashkisë Michele De Giglio rrëfen për bashkëjetesën harmonike mes komunitetit italian dhe atij arbëresh, rolin e institucioneve lokale në ruajtjen e trashëgimisë kulturore, si dhe përpjekjet për ta kthyer Campomarinon në një qendër turistike dhe kulturore të rëndësishme.

Nga biblioteka “Ibrahim Kodra” dhe enoteka e parë komunale e Molises, deri te Pallati Norante dhe “borgu i pikturuar”, Campomarino shfaqet si një shembull i gjallë i një identiteti që ka mbijetuar pa shtet, por jo pa zë.

Artur Nura: Pse keni zgjedhur ta bëni këtë intervistë pikërisht në këtë vend?
Michele De Giglio: Sepse ky është qendra e kulturës së Campomarinos.

Artur Nura: Ndodhemi në bibliotekën e Campomarinos, e cila mban edhe emrin e Ibrahim Kodrës?
Michele De Giglio: Po, biblioteka e Campomarinos i është kushtuar edhe Ibrahim Kodrës dhe kemi një sallë të dedikuar posaçërisht për të.

Artur Nura: Pra, nuk është një vend i zgjedhur rastësisht.
Michele De Giglio: Jo, aspak. Është një vend i lidhur me kulturën, veçanërisht atë verë-bujqësore.

Artur Nura: Campomarino është një qytet i lidhur me verën?
Michele De Giglio: Po, Campomarino është një qytet me rreth 8.000 banorë, me një thirrje të fortë turistike dhe tradita të rëndësishme në verë dhe vaj ulliri.

Artur Nura: Ideja për këtë laborator vere është e juaja?
Michele De Giglio: Po, kjo është enoteka e parë komunale në rajonin e Molises.

Artur Nura: Kur ka lindur ky projekt?
Michele De Giglio: Projekti ka lindur në vitin 2019.

Artur Nura: Si lindi ideja e enotekës?
Michele De Giglio: Patëm idenë e krijimit të një enoteke brenda bibliotekës komunale, duke shfrytëzuar ambientet ngjitur.

Artur Nura: A mund të na tregoni historinë e projektit?
Michele De Giglio: Projekti lindi disa vite më parë, me synimin për të krijuar një vitrinë të vogël të produkteve tipike të Campomarinos.

Artur Nura: Çfarë produktesh ekspozohen këtu?
Michele De Giglio: Vera e kantinave ekskluzivisht campomarinese dhe gjithashtu vaji i ullirit, sepse ne jemi qyteti i verës dhe i vajit.

Artur Nura: A prodhohen të gjitha këto vera këtu?
Michele De Giglio: Po, janë vetëm produkte të Campomarinos, pra produkte italiane.

Artur Nura: A ndihet prania arbëreshe në këto produkte?
Michele De Giglio: Po, në Campomarino ndihet gjithmonë prania arbëreshe. Jemi me origjinë shqiptare dhe ka shumë sipërmarrës me origjinë shqiptare këtu.

Artur Nura: A jeni arbëresh?
Michele De Giglio: Jo, unë jam italian.

Artur Nura: Si janë marrëdhëniet me komunitetin arbëresh?
Michele De Giglio: Janë shumë të mira, ekzistojnë marrëdhënie të shkëlqyera.

Artur Nura: Sa për qind e punonjësve të bashkisë janë arbëreshë?
Michele De Giglio: Nuk di një përqindje të saktë, por ka ende disa punonjës me origjinë arbëreshe.

Artur Nura: A e keni vizituar ndonjëherë Shqipërinë?
Michele De Giglio: Po, vetëm një herë.

Artur Nura: Dhe pse nuk jeni kthyer më?
Michele De Giglio: Do të kthehemi së shpejti, në varësi të angazhimeve familjare, institucionale dhe të punës.

Artur Nura: A keni më shumë punë gjatë verës?
Michele De Giglio: Po, Campomarino është një qytet turistik. Në dimër jemi rreth 8.000 banorë, ndërsa në verë arrijmë deri në 100.000 turistë.

Artur Nura: Sipas jush, a është e drejtë përvoja e sporteleve dygjuhëshe?
Michele De Giglio: Është shumë e drejtë, sepse ndihmon në ruajtjen e origjinës së qytetit tonë. Është e rëndësishme që të rinjtë të mos humbasin traditën arbëreshe të Campomarinos.

Artur Nura: Doja t’ju pyesja edhe për këtë pallat historik.
Michele De Giglio: Ky është Pallati Norante.

Artur Nura: A mund të bëjmë një xhiro?
Michele De Giglio: Sigurisht, do t’ju shpjegoj shkurtimisht.

Artur Nura: Çfarë gjejmë këtu?
Michele De Giglio: Këtu kemi një institucion turistik-kulturor që na ndihmon në promovimin e turizmit.

Artur Nura: Çfarë përfaqësojnë këto piktura?
Michele De Giglio: Janë piktura të dhuruara nga zonja Corfiati dhe artistë të tjerë, që paraqesin elemente të kulturës arbëreshe dhe të qytetit.

Artur Nura: Tani jemi në Sallën Kodra?
Michele De Giglio: Po, kjo është Salla Kodra, kushtuar Ibrahim Kodrës.

Artur Nura: A e keni njohur personalisht?
Michele De Giglio: Jo, për fat të keq nuk pata këtë nder.

Artur Nura: A janë këto vepra të tijat?
Michele De Giglio: Po, disa piktura janë dhuruar prej tij. Ka edhe flamurin shqiptar, të cilin e respektojmë shumë.

Artur Nura: A përdoret kjo sallë edhe gjatë verës?
Michele De Giglio: Po, falë institucioneve turistiko-kulturore organizojmë vizita të udhëzuara.

Artur Nura: Çfarë u ofroni turistëve?
Michele De Giglio: Përveç plazheve dhe bregdetit të bukur, organizojmë vizita falas në “borgun e pikturuar”, me afreske dhe murale, të shoqëruara nga guidat tona.

Artur Nura: A ka edhe vende të tjera të rëndësishme për t’u vizituar?
Michele De Giglio: Sigurisht. Pak metra më tutje ndodhet kisha amë, e cila ka brenda një kriptë historike që do t’jua tregoj.

Artur Nura: Atëherë, të shkojmë ta shohim.
Michele De Giglio: Po, të shkojmë.

 

Rutte: Trump ka të drejtë, duhet të mbrojmë Arktikun nga Rusia dhe Kina

By: Rovena
21 January 2026 at 22:04

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha të mërkurën në Forumit Ekonomik Botëror se është e nevojshme “diplomaci e menduar mirë” për të zgjidhur tensionet rreth Grenlandës, ndërsa njëkohësisht nënvizon meritat e Donald Trumpit për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes ndër aleatët evropianë.

Ndërsa presidenti amerikan Donald Trump udhëtoi drejt Davosit për të promovuar pretendimet amerikane mbi Grenlandën, Rutte përpoq të zhvendoste fokusin nga mosmarrëveshjet territoriale në një vizion më të gjerë të sigurisë, duke thënë se ky diskutim duhet zhvilluar “prapa skenave”.

Rutte u shpreh se pajtohet me Trumpin për rëndësinë strategjike të veriut.

“Kur bëhet fjalë për Arktikun, mendoj se presidenti Trump është i drejtë. Ne duhet të mbrojmë Arktikun nga ndikimi rus dhe kinez”, tha udhëheqësi i aleancës më të fuqishme ushtarake në botë.

Megjithatë, ai theksoi edhe rëndësinë e buxhetit të mbrojtjes. Rutte tha se pa presionin e Trumpit, shumë ekonomi të mëdha evropiane – përfshirë Spanjën, Italinë dhe Belgjikën – nuk do të arrinin objektivin e shpenzimeve prej dy për qind të GDP-së për mbrojtje në vitin 2025.

Ai përmendi gjithashtu Poloninë si një aleat të ngushtë të SHBA-së dhe vuri në dukje sfidat në prodhimin e pajisjeve ushtarake.

Duke iu referuar dyshimeve të Trumpit për gatishmërinë e Evropës për të ndihmuar nën aktivizimin e Nenit 5 të NATO-s (se sulmi mbi një anëtar është sulm mbi të gjithë), Rutte tha se Europa do ta bënte këtë, duke përmendur ndihmën pas 11 shtatorit si shembull.

Ai shtoi se për sigurinë e SHBA-së është e domosdoshme një Arktik, një Atlantik dhe një Evropë të sigurtë.

Me gjithë tensionet rreth Grenlandës – të cilat çuan Trumpin të kërcënonte me tarifa ndaj aleatëve evropianë dhe BE-në të konsiderojë masa kundër – Rutte theksoi se NATO është thelbësore jo vetëm për Evropën, por edhe për çdo mbrojtje të Amerikës.

❌
❌