Në prag të nisjes së sezonit turisik qeveria ka miratuar kriteret e reja për përcaktimin sipas llojeve të strukturave akomoduese.
Në fletore zyrtare është publikuar rregullorja e cila përcakton kushtet që duhet të plotësohen që një objekt të cilësohet hotel, bujtinë apo hostel.
Kjo procedurë e detajuar për standardizimin dhe certifikimin synon rritjen e formalizimit dhe transparencës në sektorin e turizmit.
Strukturat grupohen në tri klasa kryesore: klasa e parë përfshin hotele dhe struktura të ngjashme si hotele, resorte, qendra kurative, motele, bujtina ; klasa e dytë përfshin akomodime për pushime dhe akomodime kolektive, si hostele, apartamente, blloqe apartamentesh dhe vila dhe grupimi i tretë përfshin hapësira për kamping dhe parqe për çadra ose rulota argëtimi.
Çdo subjekt që do të ushtrojë veprimtarinë si strukturë akomoduese, përpara fillimit të aktivitetit është i detyruar të regjistrohet pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit për ushtrimin e veprimtarisë si strukturë akomoduese.
Brenda 30 ditëve nga regjistrimi pranë QKB-së për ushtrimin e veprimtarisë si strukturë akomoduese, subjekti është i detyruar të aplikojë në portalin unik qeveritar “e-Albania”për t’u pajisur me certifikatën e kategorizimit si strukturë akomoduese.
Për individët qiradhënës, të cilët do të ushtrojnë vepërimtarinë e akomodimit në kategoritë “dhomë”, “apartament” dhe “vilë”, ky aplikim kryhet përpara fillimit të veprimtarisë
Komisioni i Standardizimit shqyrton aplikimin brenda 10 ditëve nga data e aplikimit në “e-Albania”. Në rast mangësish, aplikuesi njoftohet brenda 2 ditëve dhe i jepet një afat 10-ditor për plotësimin e tyre.
Në rregullore janë përcaktuar me detaje kriteret që duhet të zbatohen për çdo kategori akomodimi, kushtet minimale dhe hapësirat e nevojshme për ushtrimin e aktivitetit, duke filluar nga orenditë te mjediset e relaxit dhe argëtimit, kushtet higjieno-sanitare, pajisjet e domosdoshme apo kutia e ndihmës së shpejtë.
Me pas certifikata e kategorizimit, përmban emrin e subjektit, NIPT-in, emërtimin dhe adresën e strukturës akomoduese, kategorinë, datën e lëshimit dhe nënshkrimin e ministrit ose personit të autorizuar/ abcnews.al