Senati i Nju-Jorkut ka miratuar një Rezolutë të posaçme që shënon 18-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Dokumenti, i sponsorizuar nga senatorja Jessica Scarcella-Spanton dhe i mbështetur nga dhjetëra bashkë-sponsorë nga të dy partitë kryesore, përbën një nderim zyrtar për datën historike të 17 shkurtit 2008.
Rezoluta vlerëson progresin e Kosovës si një nga shtetet më të reja në Evropë, si dhe thekson rëndësinë e partneritetit të fortë mes Shteteve të Bashkuara dhe Republikës së Kosovës.
Në të njëjtën kohë, theksohet roli i komunitetit kosovar në shtetin e Nju-Jorkut, i cili ka kontribuar ndjeshëm në kulturën, ekonominë dhe jetën sociale të qytetit.
Gjatë votimit, shumica e senatorëve u bashkuan për të njohur rrugëtimin historik të Kosovës, rolin e saj në promovimin e vlerave demokratike dhe zhvillimit të qëndrueshëm në rajon.
Në Rezolutë kujtohet historia e pavarësisë së Kosovës, duke përfshirë luftën e viteve 1998–1999, ndërhyrjen e NATO-s dhe zhvillimin e mëtejshëm të institucioneve shtetërore. Po ashtu, dokumenti thekson rrënjët historike të vendit që nga Dardania e lashtë.
Senati i Nju-Jorkut nënvizon se qytetarët e Kosovës kanë arsye të jenë krenarë për arritjet e deritanishme në ndërtimin e institucioneve demokratike, sundimin e ligjit dhe krijimin e mundësive ekonomike.
Në përmbyllje, organi legjislativ shpreh urimet e tij për popullin e Kosovës, duke e cilësuar vendin si mik, partner dhe aleat të ngushtë të Shteteve të Bashkuara.
Rezoluta mbyllet me një mesazh të qartë: Senati i Nju-Jorkut ndalon punimet për të përkujtuar 18-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, duke nderuar të kaluarën, duke njohur të tashmen dhe duke pritur me optimizëm të ardhmen./Telegrafi/
Një ndjekje e gjatë policore, që filloi në zonën e Obiliqit dhe përfundoi në Mitrovicë, ka rezultuar me arrestimin e një shoferi dhe tre pasagjerëve të tij, të cilët tentuan t’i shmangeshin Policisë gjatë natës së 7 shkurtit.
Sipas Policisë, një njësi patrulluese kishte tentuar ta ndalonte automjetin e dyshuar, por shoferi nuk iu ishte bindur sinjalizimeve, duke rrezikuar zyrtarin policor dhe duke vazhduar arratinë drejt Vushtrrisë e më pas Mitrovicës.
Ndjekja u koordinua mes Njësisë së Trafikut të Stacionit Policor të Obiliqit dhe Njësive të Trafikut të Mitrovicës së Jugut, të cilat vazhdimisht përdorën sinjalizimet zyrtare për ndalim. Gjatë arratisë, shoferi rrezikoi edhe pjesëmarrësit e tjerë në trafik, ndërsa në zonën e Mitrovicës goditi tri herë veturën policore që ishte në ndjekje.
Falë shkathtësisë dhe profesionalizmit të zyrtarëve policorë, të cilët vepruan me maturi për të mos rrezikuar qytetarët, automjeti u ndal në një lokacion të përshtatshëm në rrugën nacionale Mitrovicë–Zubin Potok, në fshatin Zupç. Aty u arrestua shoferi, ndërsa u shoqëruan edhe tre pasagjerët.
Dy zyrtarë policorë të lënduar gjatë ndjekjes morën trajtim mjekësor.
Me vendim të prokurorit kompetent, shoferit i është caktuar masa e ndalimit policor. Rasti po hetohet për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare”./Telegrafi/
Për herë të parë në komunën e Fushë Kosovës, punën e infermieres do ta kryejë një vajzë e re e cilin vjen nga komuniteti ashkali. Infermierja Lumturije Jashari, i është gëzuar fort këtij lajmi, duke shprehur falënderim për pritjen nga stafi i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, dhe në të njëjtën kohë duke bërë thirrje që rasti i saj të shërbejë si shembull motivimi e frymëzimi për të rinjtë e të gjitha komuniteteve pakicë në këtë komunë.
Për herë të parë në Fushë-Kosovë, mantelin e infermieres e ka veshur një vajzë e re e cila i takon komuniteti ashkali.
Madje në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare.
“Për momentin jam në shërbim të sportelit me regjistrimin e pacientëve, unë normal i bëj edhe punët e tjera, injeksionet, infuzionet, çka është e nevojshme për krejt pacientët po mendoj”, ka thënë Lumturije Jashari, infermiere.
Lumturije Jasharin lajmi se është pranuar si infermiere e ka lumturuar pa masë.
“Përderisa jam e vetmja e komunitetit, më kanë prit shumë super, gjithçka u kanë në rregull, nuk e kam prit që kam me qenë ashtu e mirëseardhur në mesin e tyre krejtve…e kam pasur pak vështirë sepse prej 2017 jam e licencuar e diplomuar, por nuk kam mundur me e gjetë veten dhe tash pas shumë kohës unë jam punësuar edhe normal gjithçka ka qenë në rregull”, ka thënë Lumturije Jashari, infermiere.
Jashari thotë se shërbimi si infermiere është puna për të cilën ka ëndërruar, dhe duke marr për bazë shembullin e saj, iu bënë thirrje edhe vajzave e djemve të rinj nga komunitetet të e vazhdojnë shkollimin dhe t’i kthejnë në realitet ëndrrat e tyre.
Ky lajm e ka gëzuar edhe nënkryetarin e Fushë-Kosovës i cili vjen nga ky komunitet, duke i dhënë shpresë se është vetëm fillimi i një epoke që do të sjellë punësim e do të përmirësojë pozitën e dhe kushtet e komuniteteve që jetojnë aty.
“Tek komuniteti ka pasur vullnet por pushtet nuk ka pasur, kjo është ajo që tash jemi më në gatishmëri edhe afër komunitetit… u mirëprit edhe nuk e kanë besu edhe komuniteti, sepse vetëm fillimi i mandatit të kryetarit që është në përkrahje të komuniteteve”, ka thënë Gëzim Gara – nënkryetar i Fushë-Kosovës.
Ndonëse në Fushë-Kosovë jetojnë mijëra qytetarë nga komuniteti ashkali, sipas Garës, në punësim dhe sfera tjera të jetës publike as për së afërmi këto shifra nuk reflektojnë me përfaqësim dhe punësim./Tv Dukagjini/
Pjesa më e madhe e buxhetit të Prishtinës për sivjet do të jetë e orientuar kah investimet kapitale. Dokumenti që nxiti diskutime të ndryshme gjatë seancës së djeshme të jashtëzakonshme, megjithatë nuk përmban projektin kryesor të cilin e ka premtuar kryetari Përparim Rama. Sivjet është planifikuar rritje e buxhetit për drejtorinë e Administratës, veprim që sipas monitoruesve, është taktikë e shpeshtë e komunave. Kurse buxheti i është zvogëluar drejtorisë për mirëqenie sociale.
Buxheti i Kryeqytetit për vitin 2026, i miratuar një ditë më parë në Kuvendin Komunal, nxiti debat mbi formën e shpërndarjes së mjeteve financiare.
Pjesa më e madhe e buxhetit që peshon mbi 151 milionë euro, është ndarë për investime kapitale.
Për këtë kategori do të jenë në dispozicion 53 milionë eurove, 23 milionë prej të cilave janë grant i përgjithshëm.
Në total në këtë kategori janë paraparë 41 projekte.
7 milionë euro janë të ndara për sheshin “Xhorxh Bush”, ndërsa 1.6 milionë euro janë ndarë për nënkalimin në rrugën “Agim Ramadani”, dhe mbi 2.1 milionë janë ndarë edhe për ishullin e Arbërisë.
Unaza e jashtme e kryeqytetit, projekti kryesor me të cilin Përparim Rama bëri fushatë para dy mandateve të tij, nuk është përfshirë fare në buxhet.
Arsyet e mos përfshirjes së këtij projekti nuk i ka sqaruar komuna.
2 milionë euro janë ndarë për rrugën “A” dhe kolektorin atje, mbi 700 mijë euro më pak sesa në buxhetin e vitit të kaluar.
Premtim tjetër i Ramës ishte edhe digjitalizimi nëpër shkolla, e për një qendër të tillë, për punë, inovacion dhe qasje digjitale komuna ka ndarë nga burimet vetanake 100 mijë euro.
Krahasuar me vitin e kaluar, ngritje të ndjeshme ka shënuar Drejtoria e Administratës, e cila sivjet do të ketë buxhet prej 4 milionë e 483 mijë, nga 3.8 milionë euro sa kishte vitin e kaluar.
E, kjo rritje e buxhetit për administratën, sipas monitoruesve të punës së komunave, është një taktikë që komunat e përdorin shpesh.
“Po ndodhë për t’i ikur matjeve të shpenzimeve që i bën Zyra e Kryetarit. Në të kaluarën kemi parë që janë publikuar vazhdimisht shpenzimet e kryetarit, sa ka shpenzuar në dreka zyrtare, udhëtime, reprezentacion dhe tash për t’i ikur fokusit shpenzimeve direkte të kryetarit, kanë vendosur që, praktikë edhe një pjesë e komunave tjera që buxheti të fokusohet në një kod buxhetor që shpenzohet nga Drejtoria e Administratës”, ka thënë Shemsi Jashari – monitorues i komunave.
Zvogëlim i buxhetit është vërejtur tek Drejtoria e Mirëqenies Sociale.
Këtë vit, për të janë ndarë 430 mijë e 500 euro, nga mbi 480 mijë sa ishin vitin e kaluar.
Sa i përket objekteve të reja arsimore, Komuna ka paraparë ndërtimin e vetëm një shkolle dhe një çerdheje.
Kjo e fundit parashihet të ndërtohet mes Hajvalisë dhe Barilevës në vlerë të 150 mijë euro, ndërsa shkolla në në lagjen “Kalabria”, e cila planifikohet të kushtojë. 100 mijë euro.
E, sipas Jasharit, kjo tregon se Rama nuk i ka prioritet premtimet e tij gjatë mandateve.
“Mungesa e investimit në çerdhe shkakton problematikë te familjet e enkas te familjet e reja që e kanë të domosdoshme dërgimin e fëmijëve në çerdhe. Të flitet për mësimin tërëditor në Prishtinë e në anën tjetër të mos sigurohet infrastrukturë shtesë është në shpërputhje njëra me tjetrën dhe mendoj që nuk do ketë mësim-tërëditor sukses nëse nuk ka investime. Duket se shumica e premtime të bukura gjatë fushatës nuk po reflektohen në këtë buxhet”, ka thënë Shemsi Jashari – monitorues i komunave.
Buxheti u miratua të premten me 33 vota për, 8 kundër dhe asnjë abstenim, me VV që kundërshtoi atë me arsyetimin se ndarja e mjeteve lë vend për dyshime për keqpërdorim.
Propozimin e mbështetën edhe PDK-ja, Lidhja Për Prishtinën dhe Nisma Socialdemokrate./Tv Dukagjini/
Pasditen e sotme, një përleshje fizike ka ndodhur në rrugën “Mon Balaj” në Prishtinë, ku pesë persona u rrahën mes vete pas një aksidenti trafiku.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, tha për Telegrafin se të përfshirët kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë marrë tretman mjekësor.
“Sot rreth orës 18:00, në rrugën “Mon Balaj”, në Prishtinë, pas një aksidenti trafiku, pesë persona janë përfshirë në një përleshje fizike. Personat e përfshirë në rast kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë pranuar tretman mjekësor", deklaroi ai.
“Lidhur me aksidentin, veprimet dhe procedurat e mëtejme janë duke u zhvilluar nga Njësia e Trafikut", shtoi Pllana./Telegrafi/
Pika turistike e Brezovicës josh shumë adhurues të skijimit dhe turistë që pëlqejnë natyrën dimërore. Megjithatë, mungesa e investimeve e bën disi të vështirë shkuarjen dhe qëndrimin në këtë vend turistik. Investimi i fundit infrastrukturor në Brezovicë është bërë pesë vjet më parë, në rrugën Shtërpcë–Brezovicë. Problem më vete paraqesin edhe vendparkimet.
Noa Beth, turiste nga Amerika, është për herë të parë në Brezovicë. Ajo thotë se i pëlqen shumë natyra, ajri i pastër dhe skijimi në këtë zonë.
“Vij nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Është hera e parë që jam në Brezovicë dhe gjithçka më pëlqen këtu. Kafja është e shijshme, njerëzit janë të mrekullueshëm, ajri është shumë i pastër, ndërsa skijimi në këto vise malore është i jashtëzakonshëm. Ngjan pak me Nju Meksikon, por atje ka vështirësi, pasi sasia e borës është më e madhe. Megjithatë, do të doja që infrastruktura të rregullohej edhe më mirë në Brezovicë. Sërish do të dëshiroja të vija, sepse më pëlqen skijimi dhe dua të blej këtu disa pajisje skijimi para se të kthehem në shtëpi”, tha Noa Beth, turiste nga Amerika.
Skiatorë profesionistë dhe amatorë, nga Kosova dhe diaspora, vizitojnë Brezovicën, ndonëse kanë ankesa për mirëmbajtjen e qendrës së skijimit.
“Në Brezovicë më pëlqen skijimi, por teleferiku është shpesh i mbyllur. Rruga është e mirë, por duhet më shumë pastrim i mbeturinave dhe më shumë hapësira për parkim”, thekson Egzon Kuka, skijator.
“Është mirë, por stazat nuk i kanë rregulluar. Janë dy anësore, ndërsa kjo tjetra, e vogla, nuk është rregulluar fare, vetëm ajo e madhja që quhet ‘Qafa e Luanit’. Deri në orën 9:00 nuk e kanë lëshuar liftin dhe edhe kur e kanë lëshuar, nuk e kanë drejtuar si duhet. Ne me skija jemi detyruar të ecim”, Adem Kushaj, turist.
“Në Brezovicë mungon mirëmbajtja. Si skijator amator do të kisha nevojë për më shumë trajnime. Ato ekzistojnë, por në përgjithësi pistat duhet të jenë më të mira dhe më të mirëmbajtura. Çmimet janë të volitshme dhe për to nuk kam ankesa”, Agron Mazreku, skijator amator.
Alban Tahiri, afarist nga komuna e Shtërpcës, thotë se Brezovicës i mungojnë investimet që do të mund të tërhiqnin turistë nga e gjithë bota.
“Investimi i vetëm është bërë para pesë vitesh, kur u rregullua rruga që më parë ishte në gjendje të keqe. Që atëherë nuk është bërë asnjë investim tjetër. Në momentin që bëhet privatizimi apo rriten investimet, normalisht do të tërhiqen turistë nga e gjithë bota”, tha Alban Tahiri, afarist
Parkingjet e automjeteve në Brezovicë shtrihen me kilometra, ndërsa vizitorët duhet të ecin gati një orë për të arritur në qendrën e skijimit.
Vënia në funksion e teleferikëve në çdo kohë, sigurimi i parkingjeve të mjaftueshme për të gjithë vizitorët dhe përmirësimi i mirëmbajtjes mbesin sfidat kryesore me të cilat përballet kjo zonë turistike e Kosovës. Afaristët dhe vizitorët thonë se këto probleme mund të zgjidhen vetëm përmes privatizimit./RTK
Për shtetasit e Kosovës, kalimi transit nga Serbia edhe më tej po vazhdon të jetë i pasigurt. Ditë më parë, autoritetet serbe arrestuan Mit'hat Llozhanin. Rasti nxiti reagimin e institucioneve vendore. Duke e parë këtë praktikë të Serbisë, nga Organizata e Veteranëve të Luftës bëjnë thirrje që mos të udhëtohet nëpërmjet shtetit serb. Ndërkaq, bashkësisë ndërkombëtare iu kërkua të jetë më e ashpër me Serbinë.
Udhëtimi transit përmes Serbisë vazhdon të mbetet i pasigurt për shumë shqiptarë të Kosovës, veçanërisht ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Një pasaportë e Republikës së Kosovës, një emër në listat serbe, apo ndonjë simbol kombëtar, kanë mjaftuar që shqiptarët e Kosovës, të bien në prangat e autoriteteve serbe.
Me të hyrë në Serbi, në kufi me Kroacinë ditë më parë u arrestua edhe shtetasi Mit'hat Llozhani, veprim ky që vulos faktin se Serbia po vazhdon me praktikën e keqtrajtimit dhe arrestimit.
Ministria e Punëve të Jashtme ka thënë se Serbia po cenon normat dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, për çka ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që të ushtroj presion ndaj saj.
Organizatat e dala nga lufta, vazhdojnë të bëjnë thirrje që veteranët e luftës mos të udhëtojnë nga shteti serb.
“Ju kemi bërë thirrje veteranëve që mos të kalojnë nga Serbia sepse Serbia ka lista dhe i ndalon njerëzit. Për ne është e papranueshme për shkak se lëvizja është e lirë në gjithë Evropën. Por ne e dimë mentalitetin e Serbisë. I ftoj veteranët e UÇK-së që mos të kalojnë nga Serbia duke e ditur se Serbia është duke i ndaluar dhe mbajtur nga 2-3 vite në burg”, tha Hysni Gucati, kryetar i OVL-UÇK-së
Ndërkohë njohës të sigurisë kërkojnë nga bashkësia ndërkombëtare të jetë më e ashpër me Serbinë.
“Duhet një herë e përgjithmonë të mendoj dhe të filloj tashmë me sankisone ose me një qasje shumë reale dhe shumë të ashpër që t'ju mundësohet të gjithëve në Ballkan që të udhëtojnë të lirë”, thotë Arben Dashevci, njohës i sigurisë.
Nën arsyetimet për krime të lufte, shtetas të Kosovës vit pas viti ndalen në pikat kufitare nga autoritetet serbe, në disa raste edhe keqtrajtohen e mbahen në paraburgim./RTK
Rrjeti Evropian i Operatorëve të Sistemit të Transmisionit të Energjisë Elektrike, ENTSO-e, nuk përjashtoi mundësinë e ndëshkimeve financiare ndaj KOSTT-it, si pasojë e devijimeve që rezultuan me jo-balanca apo çekuilibrime në zonën e sinkronizuar të Evropës Kontinentale, muajin e kaluar.
Referuar Marrëveshjes së Kyçjes, në një përgjigje për televizionin Dukagjini në pyetjet e dërguara më 15 Janar, këtë e konfirmoi vetë ENSTO-e.
“Aktualisht, OST-të e Evropës Kontinentale kanë një marrëveshje me KOSTT-in (“Marrëveshja e Kyçjes) që synon të sigurojë funksionimin e sigurt të sistemit energjetik të Kosovës*, duke ruajtur sigurinë në Zonën e Sinkronizuar të Evropës Kontinentale. Në këtë frymë, bazuar në Marrëveshje, KOSTT-i ka detyrimin të balancojë në mënyrë efektive sistemin e tij. Në rast të mosrespektimit të këtij detyrimi, Palët në Marrëveshje kanë në dispozicion një sërë masash, përfshirë vendosjen e ndëshkimit financiar, e cila mund të zbatohet në varësi të natyrës dhe nivelit të shkeljes së detyrimeve nga KOSTT. Në këtë pikë, Operatorët e Sistemit të Transmisionit të Grupit Rajonal të Evropës Kontinentale po e monitorojnë nga afër situatën dhe po vlerësojnë vazhdimisht nevojën për miratimin e masave të disponueshme, kur është e nevojshme”, thuhet në reagimin e ENTSO-E.
Në përgjigje, ENTSO-e shpjegoi se rënia e bllokut B1 të Termocentralit “Kosova B” u kishte shkaktuar probleme Operatorëve të Sistemit të Transmisionit apo OST-ve në rrjetin evropian.
“Në dritën e kësaj, më 12 janar 2026, një nga njësitë e gjenerimit të energjisë (e quajtur TC Kosova B1) në perimetrin e KOSTT doli jashtë funksionit, duke rezultuar në mungesë të prodhimit. Si rezultat, të nesërmen, KOSTT-i nuk ishte në gjendje të ruante ekuilibrin brenda rrjetit të tij, duke shkaktuar çekuilibrim të energjisë në sistem, gjë që ndikoi negativisht në interkonjeksionin e OST-ve evropiane, duke i detyruar ato të rikuperonin këto devijime”, vijon reagimi.
Deri në kthimin në prodhim të bllokut B1, më 14 Janar, për të shmangur pasojat eventuale nga devijimet e mëtejme KOSTT-i aplikoi regjim të reduktimeve në furnizimin e qytetarëve me energji elektrike.
Problemi i devijimeve dhe çekuilibrimit u përsërit edhe më 20 Janar për shkak se KESCO-ja kishte nominuar 26% më pak energji sesa kërkesa reale për konsum – duke bërë që KOSTT-i të aplikojë sërish reduktime.
Megjithëkëtë, deri tani nuk ka ndonjë njoftim zyrtar për ndëshkim ndaj KOSTT-it./TV Dukagjini/
Gazetari shqiptar në Athinë, Etmond Guri, ka folur rreth qëndrimit të Greqisë ndaj njohjes së pavarësisë së Kosovës, duke thënë se një hap i tillë është shumë i vështirë dhe pothuajse i pamundur në rrethana aktuale.
Sipas tij, një nga arsyet kryesore mbetet çështja e Qipros.
“Është padyshim Qipro. Fakti që është një shtet i ndarë mes pjesës europiane dhe asaj të pushtuar nga Turqia e vendos Greqinë në një pozitë shumë delikate. Njohja e Kosovës do të krijonte një sfidë të madhe politike, diplomatike dhe historike për Athinën”, tha Guri në emisionin “Balkan Talks” me gazetarin Franko Egro.
Ai përmendi gjithashtu edhe zhvillime të fundit ndërkombëtare, duke theksuar se shumë liderë botërorë janë rreshtuar hapur në krah të Shteteve të Bashkuara pas operacionit të fundit kundër Nicolas Maduros.
Guri kujtoi edhe deklaratat e kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis, të cilat kanë shkaktuar reagime të brendshme dhe kanë ndezur debat diplomatik. “Deklarata e tij u interpretua sikur Greqia po legjitimonte veprimet e Turqisë në Qipro në vitet ’70. Kjo krijoi shqetësim të madh, aq sa u deshën sqarime të menjëhershme nga figura të rëndësishme greke”, u shpreh ai.
Në kontekstin e marrëdhënieve me Kosovën, Guri theksoi se presioni ndërkombëtar dhe interesat ekonomike mund të krijojnë një format të ri bashkëpunimi, por jo domosdoshmërisht njohje të plotë.
“Njohja e Kosovës nga Greqia mbetet shumë e vështirë, nëse jo e pamundur. Çdo hap i tillë do të kishte ndikim të madh në gjithë balancat politike të Ballkanit”, përfundoi ai./Euronews Albania
Prindërit e rinj gjithnjë e më shumë po zgjedhin emra shqiptarë për fëmijët e tyre, duke u rikthyer tek rrënjët, teksa për dekada me radhë ishin emrat e huaj ata që mbizotëronin. Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, Edua tek vajzat dhe Kren tek djemtë janë dy emrat shqiptarë më të përhapur.
Janë një sërë emrash të tjerë, kryesisht me kuptime të ndryshme në gjuhën shqipe, që po gjejnë përdorim të gjerë.
“Sidomos emra nga gegnishtja sepse tingëllojnë më bukur. Ndërsa emrat më modernë, por që janë shqiptarë: Edua, Ajër. Më parë e vendosnin Ajra sipas italishtes, tani preferojnë Ajër, emër shqiptar. Bora që simbolizon bardhësinë. Për meshkujt, më shumë janë emrat e lumenjve. Vazhdojnë të vendosin Drin, është shumë i përhapur. Ndërsa pjesa e veriut vendos emra si Flamur, Dren, Kroi. Trendi është edhe bashkimi i dy emrave: Sihana, Sidrita, Siar. Bashkojnë emrin me një lidhëse”, thotë Dolores Rrapollari, Specialiste pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile.
Sociologët e cilësojnë këtë fenomen të ri si rikthim tek identiteti, pas dëshirës për emra të huaj, shpesh pa ia ditur kuptimin, që ka mbizotëruar që pas viteve ’90.
“Ka ardhur koha të vinte dhe si duket ka filluar. Brezi i ri, ndoshta i tejngopur pak vetë nga këto emrat e huaj, po kërkon vetveten. Nëse prindërit e këtyre prindërve të rinj u kanë vendosur emra të huaj, kjo vinte pas një izolimi dhe mbylljeje, nga dëshira për integrim dhe përshtatje. Dëshira për modernitet ka qenë dëshira për Perëndimin. Një rol kanë luajtur edhe filmat në periudha të ndryshme”, thotë sociologia Entela Binjaku.
Pavarësisht ndryshimit të preferencave, në zyrat e gjendjes civile ekziston ende një listë me emrat e ndaluar.
“Varreze, Govate, Groshë, Mbarime… sepse kur lindnin shumë vajza, të mbaronin”, thotë specialistja Rrapollari.
Me ndryshimin e legjislacionit në Shqipëri është i ndaluar ndërrimi i emrit./ Tv Klan
Gjykata ia ka vazhduar paraburgimint 4 të dyshuarve në rastin e keqpërdorimeve në Byronë Kosovare të Sigurimeve.
Për të dyshuarit, Sami Mazreku, Valon Berisha, Florent Sylejmani dhe Ylli Çollaku, gjykata ka vlerësuar se ende ekzistojnë arsyet ligjore për vazhdimin e paraburgimit, duke u bazuar në rrezikun e pengimit të procedurës penale dhe rrethana të tjera të parashikuara me Kodin e Procedurës Penale, ia ka vazhduar paraburgimin edhe për dy muaj tjerë.
Ata po dyshohen se janë të përfshirë në keqpërdorimin e 1 milion euro nga BSK.
Përveç paraburgimit, gjykata ka vendosur edhe masa alternative si obligimin për paraqitje të rregullt në stacion policor dhe ndalimin për t’iu afruar vendit apo personave të caktuar, me qëllim të parandalimit të ndikimit në procesin gjyqësor.
Në aktvendim e publikuar më 06.02.2026, thuhet se këto masa janë të domosdoshme dhe proporcionale për sigurimin e mbarëvajtjes së procedurës penale, derisa çështja të marrë epilog gjyqësor.
“Kundër këtij aktvendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në afat prej 48 orëve, përmes kësaj gjykate, Gjykatës së Apelit të Kosovës, në Prishtinë”- thueht në aktvendimin e gjykatës.
Më 09.1.2026, është mbajtur seanca dëgjimore në rastin e 39 të arrestuarve nën dyshimin për ‘zhvatjen’ e mbi 1 milion eurove të Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BSK) në Gjykatën e Prizrenit.
Për katër të dyshuar u kërkua masa e paraburgimit e për të tjerët masa e paraqitjes në stacion policor si dhe mosafrimi te objekti i BKS-së.
Ndryshe, informacione për keqpërdorime, mijëra euro të cilat qarkullonin nëpër xhirollogari bankare të qytetarëve të Kosovës, si kompensim për aksidente trafiku edhe në raste kur nuk kishte fare aksidente, ishin cak i një hetimi disamujor të cilin e kreu Prokuroria Themelore e Prizrenit gjatë ditës së djeshme, më 08.01.2026.
45 persona të identifikuar si të dyshuar, nga ta 39 janë arrestuar e shtatë të tjerë janë në kërkim – ky është bilanci i aksionit i cili u realizua më 08.01.2026 në disa regjione të Kosovës.
Dosja e BSK tashmë do të vazhdojë edhe tutje të trajtohet, ndërsa Prokuroria e Prizrenit ka ngrirë xhirollogaritë e të dyshuarve të cilët pretendohet se përfituan kundërligjshëm kompensime nga BKS, këtë siç thot Prokuroria e mundësuan Mazreku e Berisha.
Dëmi i përgjithshëm që i është shkaktuar Byrosë së Sigurimeve konsiderohet të jetë mbi 1 milion e 40 mijë euro./Kallxo.com
Një person ka ndërruar jetë këtë pasdite si pasojë e rënies nga një objekt gjatë kohës sa ishte duke punuar.
Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka konfirmuar për Telegrafin se rasti ka ndodhur rreth orës 15:00.
“Sipas informatave të para, viktima mashkull, 43 vjeç, nuk ka arritur t’i përballojë plagët e marra dhe ka ndërruar jetë. Vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje”, deklaroi Ahmeti.
Ajo shtoi se policia, në koordinim me prokurorinë dhe Inspektoratin e Punës, ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e incidentit./Telegrafi/
Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Pejë ka njoftuar se nesër do të hapet zyrtarisht Qendra e Urgjencës në Bogë, e cila do t’u ofrojë shërbime shëndetësore urgjente dhe të mjekësisë familjare banorëve dhe vizitorëve të të gjitha fshatrave të Rugovës.
Kjo qendër e re pritet të përmirësojë ndjeshëm qasjen në shërbime mjekësore, duke mundësuar intervenim më të shpejtë, kujdes profesional dhe siguri më të lartë për komunitetin lokal, veçanërisht gjatë sezonit turistik.
Sipas njoftimit, Qendra e Urgjencës 194 do të jetë funksionale 7 ditë të javës, nga ora 08:00 deri në 18:00, duke siguruar mbulim të vazhdueshëm shëndetësor në zonën malore të Rugovës.
Propaganda e Beogradit s'ka të ndalur. Me motive etnike e propagandë politike regjimi serb pa prova synon të paraqes shqiptarët si autorë të sulmeve ndaj policisë serbe.
Mediumi serb Blic të enjten e 6 shkurtit ka raportuar se dy ditë më parë një grup shqiptarësh ka qëlluar mbi policinë serbe me më shumë se 100 plumba në një fshatë të Kurshumlisë.
Sipas medimit serb, pas sulmit në fshatin Parada, sulmuesit janë larguar në drejtim të Kosovës.
Ngjarja sipas këtij mediumi kishte ndodhur kur forcat policore serbe gjetën drunjë që kishin bllokuar rrugën ku edhe u përballën me zjarr të hapur nga sulmuesit në mënyrë të papritur.
Lidhur me këtë pretendim si sulm ndaj personelit zyrtar serb nuk ka asnjë konfirmim nga autoritetet.
Dukagjini ka dërguar pyetje për këtë pretendim te Policia e Kosovës dhe te forcat e KFOR-it se a kanë ndonjë informacion lidhur me këtë apo edhe kalime ilegale të kufirit, por deri në publikimin e këtij lajmi nuk ka marrë asnjë përgjigje zyrtare.
Nuk është hera e parë që mediat e dirixhuara nga Beogradi, propagandojnë në raport me Republikën e Kosovës dhe shqiptarët./Tv Dukagjini/
Autoritetet franceze kanë çmontuar një rrjet të organizuar trafiku droge të drejtuar nga shtetas shqiptarë në rajonin Pays de Gex, pranë kufirit me Zvicrën.
Siç raportojnë mediat franceze, operacioni u zhvillua në fillim të shkurtit dhe përfshiu më shumë se 80 xhandarë dhe u finalizua me arrestimin e tetë të rinjve, të moshës 22 deri në 32 vjeç, të gjithë shqiptarë, të cilët u vendosën në paraburgim të përkohshëm.
Prokurorja Karine Malara, thotë se grupi i të rinjve përdorin një model transporti të tipit “Uber”, që konsistonte në kryerjen e dërgesave shtatë ditë në javë të drogës (kokainë dhe heroinë) së porositur “përmes rrjeteve sociale”, nga një “rrjet shumë i organizuar” brenda “komunitetit shqiptar”. Për të fshehur lëvizjet e tyre të përditshme, grupi përdorte “shumë automjete të cilat ndërroheshin vazhdimisht”, shkruan Le Parisien.
Hetimet kishin nisur në fund të vitit 2025, pasi xhandarmëria zbuloi një strukturë të organizuar magazinimi dhe transporti droge. Më 4 shkurt, forcat e rendit ndërhynë njëkohësisht në disa lokacione, duke angazhuar njësi speciale ndërhyrjeje, ekipe me qen nuhatës dhe dhjetëra hetues.
Gjatë kontrolleve u sekuestruan rreth 3.8 kilogramë heroinë, mbi 3 kilogramë kokainë, 46 kilogramë substanca për përzierje të drogës, 12 automjete, dy armë zjarri, si dhe shuma të konsiderueshme parash në euro dhe franga zvicerane. Autoritetet vlerësojnë se fitimi i përgjithshëm nga aktiviteti kriminal arrinte në rreth 1 milion euro.
Tetë persona, të moshës 22 deri në 32 vjeç, të gjithë shtetas shqiptarë, u arrestuan dhe u vendosën në paraburgim. Ata janë vënë nën akuzë për transport, posedim dhe shitje të lëndëve narkotike, si edhe për mbajtje të paligjshme të armëve. Sipas autoriteteve franceze, të dyshuarit nuk kishin precedentë penalë të njohur më parë në Francë.
Hetimet vijojnë për të zbuluar lidhje të mundshme të rrjetit përtej kufirit francez, veçanërisht drejt Zvicrës./Tv Klan
Shqipëria renditet mbi mesataren europiane për përdorimin e energjisë së rinovueshme. Sipas të dhënave të Eurostat, 43.1% e energjisë totale të konsumuar në vend vjen nga burime të pastra, ndërsa mesatarja e Bashkimit Europian është 25.2%.
Në krye të renditjes në Bashkimin Europian qëndrojnë vendet nordike. Suedia kryeson me 66%, e ndjekur nga Finlanda me 47%, Letonia me 45%, Danimarka me 44% dhe Estonia me 43% energji nga burime të rinovueshme në total.
Në fund të listës janë disa shtete të Europës Perëndimore. Irlanda renditet e fundit me 13%, e ndjekur nga Malta me 14%, Belgjika me 14.5%, Luksemburgu me 15% dhe Holanda me 16%.
Kur flasim vetëm për energjinë elektrike, panorama ndryshon. Në Bashkimin Europian, 47.5% e energjisë elektrike prodhohet nga burime të rinovueshme, ndërsa vende si Austria dhe Suedia afrohen ose kalojnë 90%, duke u mbështetur te uji dhe era.
Objektivi i Bashkimit Europian është ambicioz. Deri në vitin 2030, BE synon që 42.5% e energjisë totale të vijë nga burime të rinovueshme, një sfidë që kërkon investime të mëdha, sidomos në transport dhe ngrohje.
Të dhënat tregojnë se ndërsa Europa po ecën drejt energjisë së pastër, ritmet mbeten të ndryshme. Shqipëria përfiton nga burimet natyrore, por sfida e radhës është diversifikimi dhe ulja e varësisë nga karburantet fosile./Tv Klan
Shenjat e plumbave dhe mure të çara nga artileria e deri te mjetet e punës e transportit, kanë mbetur të ngrira në kohë në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz të Skenderajt.
Ky kompleks përkujton ngjarjet e 5, 6 dhe 7 marsit të vitit 1998, kur forcat serbe vranë 59 persona, ndër ta anëtarë të familjes së ngushtë të Adem Jasharit, përfshirë gra dhe fëmijë.
Tash e afër 30 vjet në vazhdimësi janë bërë premtime dhe plane për restaurimin dhe konservimin e këtij kompleksi.
I fundit dhe më konkreti u prezantua në fund të vitit 2024, si një masterplan për renovimin e tërësishëm të kompleksit, për të cilin nuk dihet se kur do të përfundojë tërësisht.
Një traktor i familjes Jashari ka mbetur në mes të njërës nga shtëpive ku ata u vranë dhe skelave mbrojtëse që i janë vendosur shtëpisë pak kohë pas ngjarjes të vitit 1998.Skelat dhe streha mbrojtëse të metalta ishin paraparë të jenë zgjidhje e përkohshme për ruajtjen e shtëpive deri në restaurimin e plotë, por ato kanë mbetur të vendosura edhe sot e kësaj dite.Nëpër kompleks shihen ende rrënoja të strukturave të shkatërruara në atë kohë.Adem Jashari ishte një ndër themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që i rezistoi regjimit serb në Kosovë.Familja Jashari u përball me disa ofensiva para marsit të vitit 1998. Ndërsa, në sulmin e fundit, familja ishte e rrethuar për tre ditë rresht. Mbijetoi vetëm Besarta Jashari.Brenda kompleksit janë rregulluar varrezat e 59 të vrarëve. Aty qëndrojnë vazhdimisht ushtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).Shenjat e djegies po ashtu janë të dukshme nëpër trarët e njërës nga shtëpitë.Aktualisht në kompleks gjendet edhe një mini-muze që ka ekspozuar gjësendet e familjes si dhe një ciceron.Gjurmët e plumbave dhe artilerive shihen kudo nëpër muret e shtëpive.Sot, Adem Jashari dhe familja e tij janë nderuar me titullin “Hero i Kosovës”. Çdo vit, më 5, 6 dhe 7 mars, Kosova përkujton Epopenë e Jasharëve.Statuja e Adem Jasharit, e cila po ashtu ka filluar të dëmtohet nga koha, është e vendosur përpara shtëpisë ku ai u vra.
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka sqaruar se paraqitja e logove të komunave në platformën digjitale E-Komunat është çështje teknike dhe administrative, që nuk lidhet me ndryshime politike apo institucionale.
Reagimi i MAPL-së vjen pasi komunat veriore ndryshuan logot e tyre në të tilla me motive serbe.
Sipas MAPL-së, gjatë fazës së parë të funksionalizimit të platformës në vitin 2023, të gjitha komunat e Republikës së Kosovës janë paraqitur me logot zyrtare që kanë qenë në fuqi në atë kohë, përfshirë edhe komunat Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.
Ministria bën të ditur se këto katër komuna kanë miratuar logo të reja gjatë vitit 2025, dhe për këtë arsye është duke u zhvilluar procesi i përditësimit të tyre në platformë, në koordinim me Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit (ASHI).
“Për qëllim sqarimi, njoftojmë publikun se të gjitha logot zyrtare të komunave do të përditësohen dhe pasqyrohen në profilet përkatëse të secilës komunë, në përputhje me vendimet zyrtare dhe standardet institucionale” deklaron MAPL-ja.
Oda e Inxhinierëve të Kosovës nuk ka mundur ta mbaj kuvendin e rregullt të saj për shkak të mungesës së kuorumit.
Kryetari i Odës së Inxhinierëve të Republikës së Kosovës, Arsim Rapuca, njoftoi se forumi nuk mund të vazhdojë për shkak të mosplotësimit të numrit të nevojshëm të anëtarëve sipas kërkesave ligjore.
“Kuvendi ka kuorum kur në mbledhje marrin pjesë më shumë se gjysma e anëtarëve, kjo do të thotë që sipas ligjit të urdhrave neni 12 paragrafi 1 Për me pas kuorum me vazhdu punimin duhet ti kemi në sallë 427 anëtarë, në bazë të numrit të identifikimit nga administrata del që ne kemi 348 anëtarë, nuk kemi kuorum për vazhdim, ne nuk mundemi me vazhdu, në bazë të ligjit do të shohim mënyrën e organizimit herën tjetër, ose pas një kohe do ju thërrasim edhe një herë. Këtu kush e ka marrë ligjin që të gjithë anëtarët e licensum me qenë pjesë e kuvendit, do të shohim të punojmë me një mënyrë që ta ndryshojmë ligjin”, theksoi Rapuca.
Përndryshe, në këtë kuvendi ishte paraparë të prezantohet raporti vjetor, si dhe të diskutohet për zbatimin e planit vjetor të punës, ngritjen e kapaciteteve institucionale të odës, licencimin dhe rregullimin e profesionit në fushën e ndërtimit, digjitalizimin e shërbimeve dhe bashkëpunimet ndërinstitucionale dhe përgatitjen e akteve të brendshme.
Mbi 1 vit kohë do kenë në dispozicion deputetët e legjislaturës së dhjetë, për përzgjedhen e 5 gjyqtarëve të Kushtetueses, meqë u skadon mandati vitin e ardhshëm. Por, fillimisht duhet zgjedhur dy anëtarët që nuk i zgjodhën ndër vite. Procedurat duhet nisur më së paku 3 muaj para se tu skadojë mandati, për të mos e bllokuar vendimmarrjen në Kushtetuese.
Vendimet e saj ishin përcaktuese në daljen nga kriza e pafundme politike të vitit të kaluar.
Gjykata Kushtetuese, si autoriteti më i lartë për interpretimin e Kushtetutës dhe përputhshmerisë së ligjeve me të, aktualisht ka 7 gjyqtarë që marrin vendime.
Por 5 prej kanë mandat vetëm deri në muajin gusht të vitit të ardhshëm.
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Nexhmi Rexhepi, zëvendësi i tij Safet Hoxha dhe gjyqtarët Bajram Ljatifi, Radomir Laban e Remzije Istrefi Peci, janë dekretuar më 9 gusht 2018 dhe mandati i tyre është 9 vjecar.
Ndërkohë që Enver Peci si gjyqtar i kësaj gjykate kishte ardhur në dhjetor të 2022 e Jeton Bytyqi gjatë 2024.
Në një përgjigje të Gjykatës Kushtetuese, ku edhe janë ofruar këto të dhëna thuhet se nëse Kuvendi dështon të zgjedhë gjyqtarët e rinj, Gjykata nuk do të ketë mundësi të marrë vendime.
“Në rast të dështimit të zgjedhjes së gjyqtarëve kushtetues nga Kuvendi i Kosovës sipas afateve të parashikuara, Gjykata mund të humb kuorumin për vendimmarrje në gusht të vitit 2027, kur edhe skadon mandati i (5) pesë gjyqtarëve aktualisht në detyrë”, thuhet nga Gjykata Kushtetuese.
Sipas ligjit për Gjykatën Kushtetuese, procedura për emërimin e gjyqtarit të ri, fillon të paktën tre (3) muaj para përfundimit të mandatit të rregullt të gjyqtarit paraprak, por kryetari i Kushtetueses duhet të e njoftoj Kuvendin gjashtë muaj para përfundimit të mandatit të gjyqtarit.
Por, në Institutin e Kosovës për Drejtësi thonë se Kuvendi fillimisht duhet të zgjedhë 2 gjyqtarët që nuk arritën të zgjidhen vite më parë e pastaj të nisin procedurat për të tjerët.
“Gjykata Kushtetuese aktualisht është në mungesë të dy gjytqarëve të zgjedhur dhe për këtë arsye ndër veprimet e para të Kuvendit të Kosovës është zgjedhja e dy gjyqtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese dhe që procesi në rastin konkret bazuar në Kushtetutën dhe ligjin për gjykatën Kushtetuese duhet të jetë një proces i drejtë dhe të mos vijnë persona që janë politikisht të përfshirë dhe që janë profesionist”, u shpreh hulumtues i IKD-së, Gëzim Shala.
Gjyqtarët e Kushtetueses, shpesh kanë qenë cak i kritikave nga ana e partisë në pushtet, për shkak të rrëzimit të ligjeve, duke i shpallur të kundërligjshme.
Kushtetuesja, përbëhet nga 9 anëtarë, por 2 nga ta ende nuk kanë arritur të zgjidhen, meqë nuk morën votat e mjaftueshme të deputetëve kur u hodhën në votim në Kuvend./Tv Dukagjini