Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 27 December 2025Main stream

FOKUS – Zelensky dhe Merz rikonfirmojnë unitetin përpara bisedimeve me Trump

26 December 2025 at 23:00

BERLIN, 26 dhjetor /ATSH-DPA/- Përpara takimit të planifikuar me presidentin e SHBA-së Donald Trump, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky diskutoi hapat e ardhshëm të planit të paqes me kancelarin gjerman Friedrich Merz.

“Ne po koordinojmë qëndrimet tona dhe të gjithë në Evropë duhet të jenë në të njëjtën linjë për të mbrojtur mënyrën tonë evropiane të jetesës, pavarësisë së shteteve tona dhe paqes në Evropë”, tha sot Zelensky në platformën X. “Duhet të ketë paqe”, shtoi ai.

“Ne qëndrojmë të palëkundur në anën tuaj. Një qasje e fortë dhe e koordinuar evropiane mbetet thelbësore për paqen, lirinë dhe sigurinë. Grupi i Berlinit është gati të ndihmojë – i koordinuar ngushtë me partnerët tanë amerikanë”, u përgjigj Merz në X.

Zelensky tha se dëshiron të takohet me presidentin amerikan, Donald Trump këtë fundjavë për të finalizuar një plan të mundshëm paqeje për Ukrainën.

Takimi ende nuk është konfirmuar zyrtarisht nga Uashingtoni.

Për më tepër, Moska ka treguar se ky plan, i cili është rishikuar nga SHBA-ja, Kievi dhe Evropa, nuk i përmbush pritshmëritë e Kremlinit.

“Kam informuar kancelarin gjerman, Merz – për punën tonë me të dërguarit e SHBA-së – të gjithë e kujtojmë formatin e takimit të Berlinit dhe produktivitetin që u arrit atje”, tha Zelensky.

“Kjo është pikërisht mënyra se si vazhdojmë të punojmë. Ne ramë dakord të vazhdojmë të veprojmë së bashku me evropianët”, shtoi ai.

Samiti i mbajtur në Berlin, në mesin e dhjetorit, ishte takimi i parë i madh i Ukrainës që përfshinte SHBA-në, Ukrainën dhe evropianët kryesorë në një vend të BE-së që nga përpjekja e re e Trump për një zgjidhje paqeje në nëntor.

“Jam mirënjohës ndaj Gjermanisë për mbështetjen e saj të palëkundur dhe të prekshme për Ukrainën dhe mbrojtjen tonë”, shtoi Zelensky në X.

“Falë bashkëpunimit tonë me Gjermaninë, mijëra jetë në Ukrainë tashmë janë shpëtuar nga sulmet ruse dhe ne po ruajmë pozicionet tona mbrojtëse për të siguruar forcën e pozicioneve tona diplomatike. Friedrich, shumë faleminderit!” shkroi presidenti ukrainas duke iu drejtuar kancelarit gjerman, Merz. //a.i/

The post FOKUS – Zelensky dhe Merz rikonfirmojnë unitetin përpara bisedimeve me Trump appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vdes Perry Bamonte, kitaristi i grupit britanik “The Cure”

26 December 2025 at 22:35

LONDËR, 26 dhjetor /ATSH/-  Perry Bamonte, kitaristi i “The Cure”, ka vdekur në moshën 65-vjeçare, sipas “Billboard”.

Grupi njoftoi vdekjen e tij në një deklaratë të ndarë nëpërmjet faqes së tyre zyrtare të internetit, duke zbuluar se ai “vdiq pas një sëmundjeje të shkurtër në shtëpi gjatë Krishtlindjeve”.

“The Cure”, grupi anglez i Rock-ut i formuar në Crawley në vitin 1976 – njoftoi vdekjen e Bamonte në një deklaratë në faqen zyrtare, duke zbuluar se ai kishte vdekur nga një sëmundje në shtëpinë e tij gjatë Krishtlindjeve.

“Me trishtim të madh konfirmojmë vdekjen e mikut dhe shokut tonë të ngushtë të grupit Perry Bamonte”, shkroi grupi.

Perry Archangelo Bamonte lindi në Londër më 3 shtator 1960. Karrierën si muzikant e filloi si anëtar i grupit “The Cure” në vitin 1984, pasi vëllai i tij Daryl u punësua si menaxher i turneut të grupit.

Më pas ai vazhdoi të bëhej teknik kitare dhe asistent personal i vokalistit, Robert Smith.

Bamote u bë anëtar me kohë të plotë i “The Cure” në vitin 1990 kur tastieristi Roger O’Donnell u largua nga grupi.

Ai luante kitarë dhe tastierë, si dhe bas me gjashtë tela dhe perkusion herë pas here.

Siç përshkruhet në deklaratën e grupit, Bamonte luajti në albumet, “The Wish”, “Wild Mood Swings”, “Bloodflowers”, “Acoustic Hits” dhe “The Cure”.

Ai gjithashtu performoi në më shumë se 400 shfaqje gjatë 14 viteve.

“Bamote u ribashkua me “The Cure” në vitin 2022, duke performuar edhe në 90 shfaqje të tjera, disa nga më të mirat në historinë e grupit, duke kulmuar me koncertin “The Show of a Lost World” në Londër më 1 nëntor 2024. //a.i/

 

The post Vdes Perry Bamonte, kitaristi i grupit britanik “The Cure” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 26 December 2025Main stream

RUSI – Moska: Nuk kemi qenë kurrë kaq afër një marrëveshjeje, por Kievi dhe Evropa duan ta prishin atë

26 December 2025 at 21:11

MOSKË, 26 dhjetor /ATSH/- Zëvendësministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Ryabkov tha se asnjë afat nuk do të ndihmonte në “punën e vërtetë” të përfundimit të luftës në Ukrainë, ndërsa e përshkroi 25 dhjetorin si një “moment historik” në të cilin palët ishin afruar më shumë drejt përfundimit të luftës, sipas “Ukrainska Pravda”.

“25 dhjetori shënoi një pikë në të cilën palët u afruan më shumë drejt zgjidhjes së çështjes ukrainase, por nevojitet një “përpjekje” e mëtejshme”, tha Ryabkov.

“Nëse do të jemi në gjendje të bëjmë përpjekjen përfundimtare dhe të arrijmë një marrëveshje varet nga ne, puna jonë dhe vullneti politik i palës tjetër”, tha ai.

“Por, Kievi dhe Evropa duket se po forcojnë përpjekjet e tyre për të minuar marrëveshjen”, tha ministri rus.

“Gjithashtu, nuk do të jetë e mundur të arrihet një marrëveshje përfundimtare nëse “problemet” që Rusia pretendon se janë shkaqet rrënjësore të luftës së saj kundër Ukrainës nuk “zgjidhen saktë”, shtoi Ryabkov.

“Asnjë afat kohor artificial nuk do të ndihmojë këtu, asnjë afat kohor – nëntë ditë, 90 ditë, çfarëdo qoftë – ato nuk ndihmojnë me punën e vërtetë”, tha ai.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky zbuloi të mërkurën përmbajtjen e planit të paqes prej 20 pikësh – të dakordësuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës – për herë të parë.

Moska ka lënë të nënkuptohet se Rusia do të kërkojë ndryshime të rëndësishme në draftin e planit të paqes të dakordësuar nga Ukraina dhe SHBA-ja.

Zelensky tha se sot plani prej 20 pikësh për një zgjidhje paqësore të luftës së Rusisë kundër Ukrainës ishte 90% gati. //a.i/

The post RUSI – Moska: Nuk kemi qenë kurrë kaq afër një marrëveshjeje, por Kievi dhe Evropa duan ta prishin atë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Izraeli bëhet vendi i parë që njeh zyrtarisht Somalilandin si shtet të pavarur

26 December 2025 at 20:45

TEL AVIV, 26 dhjetor /ATSH/- Izraeli është bërë vendi i parë që njeh zyrtarisht republikën e vetëshpallur të Somalilandit si një shtet të pavarur dhe sovran, sipas “Reuters”.

Ky veprim mund të ndryshojë dinamikën rajonale dhe të vërë në provë Somalinë, e cila prej kohësh ka kundërshtuar shkëputjen.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu tha se Izraeli do të kërkonte bashkëpunim të menjëhershëm me Somalilandin në bujqësi, shëndetësi, teknologji dhe ekonomi.

Në një deklaratë, ai përgëzoi presidentin e Somalilandit, Abdirahman Mohamed Abdullahi dhe vlerësoi udhëheqjen e tij dhe e ftoi atë të vizitonte Izraelin.

Marrëveshjet e vitit 2020 u ndërmjetësuan nga administrata e parë Trump dhe përfshinin formalizimin e marrëdhënieve diplomatike të Izraelit me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreinin, me vende të tjera që u bashkuan më vonë.

Kryeministri izraelit Netanyahu, ministri i Jashtëm Gideon Saar dhe presidenti i Somalilandit nënshkruan sot një deklaratë të përbashkët të njohjes së ndërsjellë.

Abdullahi tha në një deklaratë se Somalilandi do t’i bashkohej Marrëveshjeve të Abrahamit, duke e quajtur atë një hap drejt paqes rajonale dhe globale.

Ai tha se Somalilandi ishte i përkushtuar për ndërtimin e partneriteteve, rritjen e prosperitetit të ndërsjellë dhe promovimin e stabilitetit në të gjithë Lindjen e Mesme dhe Afrikën.

Ndërkohë, Egjipti tha se ministri i Jashtëm, Badr Abdelatty kishte zhvilluar sot biseda telefonike me homologët e tij nga Somalia, Turqia dhe Xhibuti për të diskutuar zhvillimet e rrezikshme në Bririn e Afrikës pas njoftimit të Izraelit.

“Ministrat dënojnë njohjen e Somalilandit nga Izraeli, rikonfirmojnë mbështetjen e tyre të plotë për unitetin dhe integritetin territorial të Somalisë dhe paralajmërojnë se njohja e rajoneve separatiste përbën një kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”, tha Ministria e Jashtme e Egjiptit.

Somalilandi ka gëzuar autonomi, si dhe paqe dhe stabilitet relativ, që nga viti 1991, kur Somalia u zhyt në luftë civile, por rajoni i shkëputur nuk ka arritur të sigurojë asnjë njohje.

Gjatë viteve, Somalia ka punuar me aktorë ndërkombëtarë kundër njohjes së Somalilandit.

Ish-protektorati britanik shpreson që njohja e pavaresisë së Somalilandit nga Izraeli do të nxisë shtetet e tjera të ndjekin shembullin, duke rritur ndikimin e tij diplomatik dhe aksesin në tregjet ndërkombëtare. //a.i/

The post FOKUS – Izraeli bëhet vendi i parë që njeh zyrtarisht Somalilandin si shtet të pavarur appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SIRI – Rriten tensionet midis kurdëve dhe Damaskut për marrëveshjen e integrimit

26 December 2025 at 20:29

DAMASKË, 26 dhjetor /ATSH-DPA/-  Qeveria e Sirisë shprehu sot shqetësim për vonesën e integrimit të kurdëve në verilindje të vendit në sistemin shtetëror, duke thënë se bisedimet me udhëheqjen atje nuk kishin dhënë asnjë rezultat të prekshëm.

“Pala kurde nuk po tregon asnjë gatishmëri të vërtetë për të zbatuar marrëveshjen e arritur në mars deri në fund të vitit siç është planifikuar”, thanë burime në Ministrinë e Jashtme për agjencinë shtetërore të lajmeve SANA.

Sipas Damaskut, mungesa e hapave konkretë mund të çojë në rritje të tensioneve në ditët në vijim.

“Ata duhet të mbajnë përgjegjësi nëse nuk përmbushin atë për të cilën janë zotuar”, shkroi një këshilltar i presidentit të përkohshëm, Ahmed al-Sharaa në platformën X.

Megjithatë, Forcat Demokratike Siriane (SDF), krahu ushtarak i vetëadministrimit kurd, kanë përmendur progres në këtë çështje.

Ekziston një marrëveshje se si njësitë ushtarake do të integrohen në strukturat shtetërore, tha dje udhëheqësi i SDF-së, Mazloum Abdi.

“Kjo do të kërkonte ende kohë për të sqaruar çështjet kushtetuese”, shtoi ai.

Në të njëjtën kohë, duke cituar burime qeveritare, stacioni televiziv “Al-Araby” raportoi se të dy palët nuk ishin më në kontakt.

Kurdët janë pakica më e madhe etnike në Siri dhe jetojnë kryesisht në një zonë të vetëqeverisur në verilindje, ku ndodhen shumica e rezervave të naftës dhe gazit të vendit.

Konflikti i tyre me qeverinë në Damask ka të bëjë kryesisht me autonominë dhe të drejtat që do t’u jepen, duke përfshirë edhe përdorimin e burimeve natyrore. Damasku po përpiqet për krijimin e një qeverie qendrore që përfshin edhe verilindjen.

Sipas qeverisë, marrëveshja duhet të zbatohet deri në mesnatën e së mërkurës.

Nga ana tjetër, vetëqeverisja kurde dëshiron më shumë fleksibilitet. Abdi tha se nuk kishte një afat kohor të caktuar dhe asnjë afat pas të cilit “zgjidhje ushtarake” do të bëheshin të mundura.

Turqia, një mbështetëse kryesore e qeverisë në Damask, po rrit gjithashtu presionin mbi fqinjin e saj për të zbatuar marrëveshjen.

“Ne nuk jemi të kënaqur me ritmin e procesit”, tha ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan. “SDF duhet të kuptojë se durimi i aktorëve kryesorë po mbaron”, shtoi ai.

Në ditët e fundit, përleshjet midis trupave qeveritare dhe SDF-së në zonën e Alepos kanë rezultuar në vdekje dhe plagosje.

Sipas raportimeve të mediave kurde, furnizimi me energji elektrike dhe ujë është ndërprerë dhe furnizimi me karburant është ndaluar. //a.i/

The post SIRI – Rriten tensionet midis kurdëve dhe Damaskut për marrëveshjen e integrimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ITALI – 1000 euro shpërblim që foka të mos shqetësohet në plazhin e Numanës

26 December 2025 at 19:57

ROMË, 26 dhjetor /ATSH-DPA/- Një fokë deti e rrallë mesdhetare po shkakton trazira në qytetin italian të Numanës në Adriatik, duke fjetur në plazh dhe duke tërhequr vëmendjen e padëshiruar nga shikuesit kuriozë.

Në Numana të Italisë është ofruar një shpërblim prej 1,000 eurosh për mbrojtjen e një foke mesdhetare të rrallë dhe të rrezikuar që pushon në plazh, duke theksuar përpjekjet e ekspertëve dhe vendasve për t’i mbajtur njerëzit në një distancë prej rreth 50 metra – për t’i lejuar kafshës së cenueshme të pushojë dhe të rikuperohet, pasi shqetësimi që mund t’i shkaktohet asaj është i paligjshëm dhe i dëmshëm.

“Për fat të keq, ne ende nuk arrijmë të sillemi siç duhet”, tha eksperti i fokave të detit dhe ambientalisti Emanuele Coppola, në “Facebook”.

“Foka kishte qenë duke fjetur pranë një hoteli kur dikush iu afrua me një telefon celular për të bërë foton e tij “të padobishme”, tha Coppola.

Foka u zgjua dhe u largua sërish në det pranë provincës së Ankonës.

Ambientalisti tani shpreson që shpërblimi prej 1,000 eurosh për 24 orë paqe dhe qetësi të pandërprerë do të lejojë që pamjet e fokave të dokumentohen për qëllime shkencore.

Fokat mesdhetare mund të shihen herë pas here në plazhet italiane.

Sipas Fondit Botëror për Jetën e Egër (WWF), foka – e vetmja që gjendet në Mesdhe – është një specie është në zhdukje.

Gjuetia, ndotja detare dhe humbja e habitatit e kanë zvogëluar popullatën në vetëm disa qindra kafshë. Popullatat më të mëdha gjenden ende në brigjet greke dhe turke. //a.i/

The post ITALI – 1000 euro shpërblim që foka të mos shqetësohet në plazhin e Numanës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

IZRAEL – Dy të vrarë dhe disa të plagosur pas një sulmi terrorist 

26 December 2025 at 19:41

TEL AVIV, 26 dhjetor /ATSH-DPA/- Dy persona janë vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur në një sulm terrorist në Izraelin verior, raportoi sot media izraelite, duke cituar burime policore.

“Një sulmues palestinez e përplasi makinën e tij me një grup këmbësorësh pranë Beit She’an, duke vrarë një burrë 68-vjeçar dhe duke plagosur të paktën dy persona të tjerë, përfshirë një djalë 16-vjeçar”, thanë zyrtarët.

Sulmuesi më pas vrau një grua 18-vjeçare me thikë në hyrje të Ein Harod pranë qytetit Afula. Një roje sigurie që ndodhej rastësisht i pranishëm qëlloi dhe plagosi sulmuesin.

Policia më vonë shkoi në një spital për të arrestuar të dyshuarin 37-vjeçar, i cili tha se ishte një palestinez nga Bregu Perëndimor.

Sipas ushtrisë, i dyshuari kishte qenë ilegalisht në Izrael për disa ditë.

Pavarësisht një rritjeje të përgjithshme të dhunës që nga fillimi i luftës në Gaza në tetor 2023, incidente të tilla fatale janë më pak të zakonshme në Izraelin verior sesa në Bregun Perëndimor, ku rreth 700 000 kolonë izraelitë jetojnë midis 3 milionë palestinezëve në vendbanime të konsideruara të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar. //a.i/

The post IZRAEL – Dy të vrarë dhe disa të plagosur pas një sulmi terrorist  appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – BE në kontakt me Kievin, asnjë shenjë paqeje nga Moska

26 December 2025 at 19:09

BRUKSEL, 26 dhjetor /ATSH-ANSA/- Mbështetja e Evropës është thelbësore për suksesin e çdo plani paqeje, tha sot zëdhënësja e Komisionit të BE-së, Arianna Podestà.

“Ndërsa bisedimet në Miami po avancojnë, nuk ka indikacione se Rusia është e interesuar për paqe ose për një armëpushim”, shtoi ajo.

Qasja e Evropës mbetet: vazhdimi i mbështetjes për Ukrainën dhe rritja e presionit mbi Rusinë për t’u angazhuar seriozisht në negociata”, theksoi Podestà.

Gjithashtu, zëdhënësja e Komisionit të BE-së, Arianna Podestà, tha se BE-ja ruan kontakt të vazhdueshëm me partnerët ukrainas për të arritur një fund të drejtë, të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës të luftës ruse.

Ajo kujtoi telefonatën e 23 dhjetorit midis presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, duke theksuar se Brukseli ka mirëpritur iniciativën e paqes të presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

“Megjithatë, që çdo plan paqeje të jetë i suksesshëm, mbështetja e Evropës duhet të jetë thelbësore”, tha Podestà. //a.i/

The post BRUKSEL – BE në kontakt me Kievin, asnjë shenjë paqeje nga Moska appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KALIFORNI – Të paktën tre të vdekur pas stuhive të rrëmbyeshme të shiut

26 December 2025 at 18:17

LOS ANXHELES, 26 dhjetor /ATSH/- Pjesa më e madhe e Kalifornisë është përfshirë nga stuhitë e fuqishme dhe reshjet e mëdha të shiut, të cilat kanë shkaktuar përmbytje masive dhe rrëshqitje dheu, sipas “CBS News”.

Deri mbrëmjen e Krishtlindjes, zyrtarët lokalë konfirmuan se tre të vdekur  si pasojë e motit të keq.

Stuhitë, të cilat pritet të vijojnë edhe sot, kanë sjellë rreth 27 centimetra shi në disa zona të Los Anxhelesit.

Kjo situatë ka detyruar autoritetet të mbyllin rrugët kryesore dhe të nisin evakuimet e banorëve.

Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, shpalli të mërkurën gjendjen e emergjencës në disa zona jugore të shtetit.

Ngjarjet tragjike u shënuan në zona të ndryshme. Në San Diego, një 64-vjeçar vdiq pasi u godit nga një pemë.

Në Redding, një 74-vjeçar vdiq brenda automjetit të tij që u përmbyt nga uji, pavarësisht përpjekjeve të policisë për ta shpëtuar.

Në Mendocino, një grua rreth të 70-ave vdiq në oqean pasi u përfshi nga një valë e fuqishme në bregdet.

Rreth 100 mijë njerëz mbetën pa energji elektrike deri mbrëmjen e djeshme.

Shpejtësia e erës në disa zona i kaloi 160 kilometra në orë, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale.

Kryebashkiakja e Los Anxhelesit, Karen Bass, u bëri thirrje qytetarëve të tregonin kujdes maksimal.

Sipas “CBS News”, moti ekstrem u shkaktua nga disa “lumenj atmosferikë” – masa të mëdha lagështie që vijnë nga tropiku.

Situata u rëndua edhe më shumë në zonat që ishin djegur nga zjarret e janarit, pasi toka pa bimësi nuk arriti ta thithte ujin, duke shkaktuar rrëshqitje të tokës. //a.i/

The post KALIFORNI – Të paktën tre të vdekur pas stuhive të rrëmbyeshme të shiut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KORE E JUGUT – 10 vite burg për ish-presidentin Yoon Suk Yeol

26 December 2025 at 17:22

SEUL, 26 dhjetor /ATSH/- Prokurori Special ka kërkuar një dënim me 10 vjet burg për ish-presidentin e Koresë së Jugut, Yoon Suk-yeol pas përpjekjes së tij të dështuar për të shpallur ligjin e luftës në vitin 2024, sipas “Reuters”.

Avokatët e ish-presidentit e kanë quajtur dënimin me 10 vjet burg “të tepruar”.

Yoon Suk-yeol përballet gjithashtu me akuza të tjera të rënda, duke përfshirë korrupsionin, abuzimin me pushtetin dhe rebelimin, një krim i dënueshëm me burgim të përjetshëm ose dënim me vdekje në Korenë e Jugut.

Shpallja e ligjit të luftës nga Yoon nxori trupa të armatosura në rrugët e Seulit, duke shkaktuar krizën më të keqe politike ndër dekada.

Masa zgjati vetëm disa orë, pasi ligjvënësit arritën të hynin në Parlament dhe votuan për ta shfuqizuar atë.

Në dhjetor 2024, Yoon u shkarkua nga Parlamenti, dhe në prill të këtij viti, Gjykata Kushtetuese e shkarkoi zyrtarisht nga detyra.

Sipas prokurorisë, pas shkarkimit të tij, ish-presidenti u mbyll në rezidencën e tij për javë të tëra, duke penguar ekzekutimin e urdhrit të arrestit.

Prokurorët e përshkruan veprimin e tij si një pengesë të paprecedentë të drejtësisë.

Yoon akuzohet gjithashtu për mospjesëmarrje në një mbledhje të plotë të kabinetit, siç kërkohet me ligj, përpara se të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme, si dhe për falsifikim dokumentesh dhe urdhërim për fshirjen e të dhënave nga telefonat e personave të përfshirë.

Ish-presidenti i ka mohuar akuzat, duke deklaruar se veprimet e tij kishin për qëllim mobilizimin e opinionit publik kundër opozitës liberale, të cilën ai e akuzon për bllokimin e qeverisë së tij.

Ndërkohë, hetimet thonë se Yoon kishte planifikuar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për më shumë se një vit, me qëllim eliminimin e rivalëve politikë. //a.i/

The post KORE E JUGUT – 10 vite burg për ish-presidentin Yoon Suk Yeol appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KIEV – Zelensky: Plani i paqes është 90% gati

26 December 2025 at 16:56

KIEV, 26 dhjetor /ATSH/- Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky u tha sot gazetarëve se plani i paqes prej 20 pikësh – i hartuar nga zyrtarët ukrainas dhe amerikanë – ishte 90% gati dhe se ai kishte planifikuar të diskutonte me presidentin e SHBA-së, Donald Trump mënyrat se si aleatët e Ukrainës mund të garantonin sigurinë e saj në të ardhmen, sipas “The Times”.

Njoftimi i Zelensky vjen pasi ai ofroi kompromis për disa nga çështjet më të mprehta që deri më tani kanë bllokuar procesin e paqes të ndërmjetësuar nga SHBA-ja me Rusinë.

Megjithatë, nuk është e qartë nëse lëshimet e Zelensky do ta kënaqin Kremlinin.

Gjithashtu, presidenti Zelensky tha se so të takohej me homologun e tij amerikan, Donald Trump, të dielën në Florida – si pjesë e përpjekjeve për të arritur një marrëveshje paqeje për t’i dhënë fund luftës gati 4-vjeçare të Rusisë në Ukrainë.

Duke folur me gazetarët, Zelensky paralajmëroi se nuk mund të thoshte nëse takimi do të çonte në një marrëveshje, por tha se të dyja palët do të synonin të finalizonin sa më shumë pika që të mundeshin.

Më herët, udhëheqësi ukrainas tha ne platformën X se “shumë çështje mund të zgjidhen para Vitit të Ri” duke sinjalizuar një notë optimiste. //a.i/

The post KIEV – Zelensky: Plani i paqes është 90% gati appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SIRI – Të paktën tetë të vdekur dhe 18 të plagosur pas shpërthimit në xhami

26 December 2025 at 16:39

DAMASKË, 26 dhjetor /ATSH-DPA/- Të paktën tetë persona kanë vdekur pas një shpërthimi që tronditi një xhami në Sirinë qendrore të premten, thanë sot autoritetet shëndetësore siriane.

Besohet, se ky është sulmi i parë që synon një xhami në Siri – që nga përmbysja e sundimtarit të gjatë Bashar al-Assad vitin e kaluar.

“Tetëmbëdhjetë persona të tjerë u plagosën gjatë shpërthimit në Xhaminë Imam Ali në qytetin qendror të Homsit”, tha një zyrtar i Ministrisë së Shëndetësisë, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve siriane SANA.

Ministria e Brendshme e përshkroi sulmin si një “bombardim terrorist” dhe tha se kishte filluar një hetim për të gjetur autorët.

“Shpërthimi ndodhi gjatë lutjeve javore myslimane”, shtoi ministria. Shpërthimi u shkaktua nga pajisje shpërthyese të vendosura brenda xhamisë, tha një burim sigurie.

Imazhet e transmetuara treguan kaos brenda xhamisë si rezultat i shpërthimit. “Xhamia frekuentohet nga komuniteti pakicë alavit”, sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut, një grup monitorimi.

Qeveria siriane kohët e fundit ka rritur operacionet e sigurisë kundër organizatës terroriste Shteti Islamik dhe besnikëve të al-Asaad. //a.i/

The post SIRI – Të paktën tetë të vdekur dhe 18 të plagosur pas shpërthimit në xhami appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vdes Ruth Bourne, gruaja që deshifroi kodet naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore

26 December 2025 at 16:29

LONDËR, 26 dhjetor /ATSH/- Ruth Bourne, një nga gratë që luajti një rol kyç në deshifrimin e komunikimeve sekrete të Gjermanisë naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore, ka vdekur në moshën 99-vjeçare në Londër, sipas “Telegraph”.

Bourne punoi në qendrën sekrete “Bletchley Park” dhe kontribuoi në fitoren e Aleatëve duke thyer kodin famëkeq “Enigma”.

Ajo ishte pjesë e ekipit sekret në Bletchley Park, rreth 50 milje në veriperëndim të Londrës, ku u thyen kodet e koduara nga makina “Enigma”.

Ky operacion i klasifikuar, i njohur si programi “Ultra”, ndihmoi forcat aleate të parashikonin lëvizjet e ushtrisë gjermane dhe të fitonin beteja vendimtare gjatë luftës.

Italia fashiste u prek gjithashtu drejtpërdrejt nga ky aktivitet: shumë konvoje detare që shkonin në Libi me trupa dhe furnizime u kapën falë informacionit të marrë në “Bletchley Park”.

E lindur më 23 maj 1926 në Salford, pranë Mançesterit, dhe e rritur në Birmingham, Ruth Bourne vinte nga një familje hebreje.

Ajo u bë vullnetare për Marinën Mbretërore Britanike dhe, në një moshë shumë të re u zgjodh për të marrë pjesë në një mision tepër sekret.

Në vitin 1944, para se të mbushte 18 vjeç, ajo punoi me makinat gjigante “Bombe Turing”, një pajisje kompjuterike e projektuar nga matematikani i famshëm Alan Turing, e aftë të deshifronte mesazhet gjermane.

Pas luftës, pjesëmarrësit në programin “Ultra” u detyruan të heshtnin për dekada të tëra. Vetëm në vitet 1970 roli i tyre u bë publik. Në vitin 2009, qeveria britanike i nderoi ata me një medalje përkujtimore për kontributin e tyre në fitoren ndaj nazizmit. //a.i/

The post Vdes Ruth Bourne, gruaja që deshifroi kodet naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

FOKUS – Vendet evropiane thirrje Izraelit të anulojë planet për vendbanime të reja në Bregun Perëndimor

24 December 2025 at 22:49

BERLIN, 24 dhjetor /ATSH-DPA/- Më shumë se një duzinë vendesh, kryesisht nga Evropa, kritikuan ashpër miratimin e kabinetit izraelit për ndërtimin e 19 vendbanimeve të reja në Bregun Perëndimor – duke i bërë thirrje Izraelit të anulonte vendimin.

Grupi i vendeve përfshin Gjermaninë, Belgjikën, Kanadanë, Danimarkën, Francën, Italinë, Islandën, Irlandën, Japoninë, Maltën, Holandën, Norvegjinë, Spanjën dhe Britaninë e Madhe.

“Ata dënuan veprimet e Izraelit, duke thënë se ato jo vetëm që shkelnin të drejtën ndërkombëtare, por edhe rrezikonin të nxisnin paqëndrueshmëri”, thuhet në një deklaratë të përbashkët të postuar në faqen e internetit të Ministrisë së Jashtme Gjermane.

“Miratimi i vendbanimeve të reja rrezikon gjithashtu të minojë planin e paqes në Gaza dhe dëmton perspektivat për paqe dhe siguri afatgjatë në të gjithë rajonin”, sipas deklaratës.

Bregu Perëndimor i pushtuar nga Izraeli në vitin 1967

Izraeli miratoi këtë javë, krijimin e 19 vendbanimeve të reja në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Në vitin 1967, Izraeli mori kontrollin e Bregut Perëndimor dhe Jerusalemit Lindor, ku sot jetojnë më shumë se 700 000 kolonë midis rreth 3 milionë palestinezëve. //a.i/

 

The post FOKUS – Vendet evropiane thirrje Izraelit të anulojë planet për vendbanime të reja në Bregun Perëndimor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ITALI – Policia sekuestron 435 kilogramë kokainë të fshehur në qese me kikirikë

24 December 2025 at 21:56

ROMË, 24 dhjetor /ATSH/- Në portin e Gioia Tauro në jug të Italisë është sekuestruar më shumë se 435 kilogramë kokainë e pastër, sipas “La Stampa”.

Një “pako” e bukur Krishtlindjesh u kap nga Guardia di Finanza (Policia Financiare Italiane), e cila sekuestroi një tjetër ngarkesë të konsiderueshme me kokainë që kalonte në portin e Gioia Tauro në prag të Krishtlindjeve.

Pakoja me 435 kilogramë kokainë të pastër, një nga ngarkesat më të mëdha të viteve të fundit, e fshehur në një ngarkesë prej afërsisht 1,000 qesesh me kikirikë të dërguara nga Amerika Latine dhe të destinuara, të paktën sipas dokumenteve tregtare që shoqëronin produktin, për në Evropën Lindore.

“Kjo është një goditje e rëndësishme ndaj të ardhurave të organizatave kriminale, pasi porti vazhdon të jetë një pikë “kyçe” për trafikimin ndërkombëtar të drogës në Evropë”, tha policia.

Nëse do të dilte në treg, kokaina e sekuestruar do t’u kishte sjellë organizatave kriminale mbi 70 milionë euro.

Sekuestrimi vjen në kuadër të inspektimeve të intensifikuara të fundvitit në një nga portet më të ngarkuara të Evropës dhe përbën një nga rastet më të bujshme vitet e fundit në Gioia Tauro. //a.i/

 

 

 

The post ITALI – Policia sekuestron 435 kilogramë kokainë të fshehur në qese me kikirikë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

NJU JORK – Venezuela akuzon SHBA-në për “zhvatje” pas sekuestrimit të cisternave të naftës

24 December 2025 at 20:34

NJU JORK, 24 dhjetor /ATSH/- Venezuela ka akuzuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për “zhvatje” në një seancë emergjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në Nju Jork, sipas BBC.

“Kapja e dy cisternave të naftës venezueliane nga Uashingtoni ishte “më e keqe se pirateria”, tha ambasadori venezuelan në OKB.

Mbledhja emergjente e Këshillit të Sigurimit u thirr për të diskutuar sekuestrimin e anijeve cisternë, i cili u zhvillua në brigjet e Venezuelës në fillim të këtij muaji.

SHBA-ja ka thënë gjithashtu se po ndiqte një anije cisternë të tretë venezueliane.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka akuzuar presidentin e Venezuelës, Nicolas Maduro, se drejton një kartel droge dhe se bandat kishin vepruar pa u ndëshkuar për një kohë shumë të gjatë.

Më 16 dhjetor, Trump urdhëroi një bllokadë detare të të gjitha cisternave të naftës të sanksionuara që hyjnë dhe dalin nga Venezuela.

Presidenti amerikan tha se SHBA-ja do ta mbante ose do ta shiste naftën bruto që ishte sekuestruar, si dhe vetë anijet.

SHBA-ja ka rritur praninë ushtarake në Detin Paqësor dhe Karaibe në muajt e fundit, duke dërguar 15 000 trupa dhe një sërë transportuesish aeroplanësh dhe anijesh luftarake në zonë.

Ky është dislokimi më i madh në rajon që kur SHBA-ja pushtoi Panamanë në vitin 1989, dhe qëllimi i deklaruar ishte të ndalonte rrjedhën e fentanilit dhe kokainës në SHBA.

SHBA-ja ka kryer sulme ndaj atyre që i quajnë anije venezueliane për kontrabandën e drogës, duke synuar më shumë se 20 anije dhe duke vrarë të paktën 100 persona.

Disa ekspertë thonë se sulmet mund të shkelin ligjet që rregullojnë konfliktin e armatosur.

I dërguari i Venezuelës në OKB tha se SHBA-ja po e nënshtron vendin e tij ndaj “shantazhit më të madh” në historinë e saj.

“Jemi në prani të një fuqie që vepron jashtë ligjit ndërkombëtar”, tha Samuel Moncada duke folur në takimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Lidhur me sekuestrimin e naftës venezueliane nga SHBA-ja, ai e quajti atë një plaçkitje, grabitje dhe rikolonizim të Venezuelës.

“Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk ka juridiksion në Karaibe”, shtoi ai.

“Çfarë lidhje ka kjo me drogën?”, tha Moncada duke iu referuar industrisë së naftës venezueliane.

Në përgjigje, ambasadori i SHBA-së në OKB, Michael Waltz, i tha Këshillit të Sigurimit se SHBA-ja nuk e njihte Maduro si udhëheqësin legjitim të Venezuelës.

“Aftësia e Maduro për të shitur naftën e Venezuelës i mundëson pretendimet e tij mashtruese për pushtet dhe aktivitetet e tij narko-terroriste”, tha Waltz.

Gjatë një vizite në një panair tregtar në Karakas, presidenti Maduro tha se Këshilli i Sigurimit po i jepte mbështetje të madhe Venezuelës.

Rusia dhe Kina akuzuan SHBA-në për intimidim dhe agresion.

“SHBA-ja po shkatërron në mënyrë të paligjshme anijet civile në Detin e Karaibeve”, tha ambasadori rus në OKB, Vassily Nebenzia, në takimin e OKB-së.

“Veprimet e SHBA-së kundër anijeve venezueliane, janë një model për akte të ardhshme force kundër shteteve të Amerikës Latine”, shtoi ai.

Ndërkohë, i dërguari i Kinës në OKB, Sun Lei, i bëri thirrje SHBA-së që të ndalonte menjëherë veprimet dhe të shmangte përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve. //a.i/

The post NJU JORK – Venezuela akuzon SHBA-në për “zhvatje” pas sekuestrimit të cisternave të naftës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Si festohen Krishtlindjet në Vatikan?

24 December 2025 at 19:19

ROMË, 24 dhjetor /ATSH/- Këtë vit, Papa Leone XIV do të udhëheqë festimet e Krishtlindjeve në Vatikan për herë të parë. Por, traditat popullore të Krishtlindjeve në zemër të Kishës Katolike Romake mbeten të pandryshuara, sipas DW.

Kur fillojnë festimet?

Për katolikët, sezoni i Adventit (sezoni i parë i vitit kishtar, që çon në Krishtlindje dhe përfshin katër të dielat paraprirëse) filloi më 30 nëntor të këtij viti – dhe bashkë me të, edhe emocioni për Krishtlindje.

Në Vatikan, festimet fillojnë me ndezjen zyrtare të pemës së Krishtlindjeve dhe përurimin e skenës së Lindjes në Sheshin e Shën Pjetrit, të cilat të dyja u zhvilluan më 15 dhjetor të këtij viti.

Çfarë lloj peme Krishtlindjesh është vendosur në Vatikan?

Çdo vit një komunitet i kishës katolike i dhuron Vatikanit pemën e Krishtlindjes, gjë që konsiderohet si një nder i veçantë. Këtë herë u zgjodh një bredh nga provinca e Bolzanos në Tirolin e Jugut, i cili është 27 metra e lartë dhe peshon rreth tetë tonë.

“Shpresoj që kjo mrekulli para Krijimit të nxitet edhe nga pema jonë e Krishtlindjeve dhe se të frymëzojë reflektim”, tha peshkopi Ivo Muser i Bolcano-Bressanone tha në një intervistë.

Ai gjithashtu u bëri thirrje njerëzve të jenë të vëmendshëm, të respektueshëm dhe të gatshëm për të përqafuar stile jetese të qëndrueshme dhe modeste.

Nëse kjo është e mundur, duke marrë parasysh dekorimet luksoze dhe dritat festive që ndizen me ngjyra që ndryshojnë vazhdimisht, mbetet për t’u parë.

Për herë të pestë radhazi, pema e Krishtlindjeve është nga Italia. Deri më tani, janë dhuruar gjithsej katër pemë Krishtlindjesh nga vende në Gjermani, dhe në vitin 2028, Deggendorf në Bavari do të dhurojë pemën e pestë gjermane të Krishtlindjeve.

Festimet pompoze të Krishtlindjeve kanë ndodhur në Vatikan për të paktën 500 vjet, por tradita e vendosjes së një peme Krishtlindjesh në Sheshin e Shën Pjetrit filloi në vitin 1982 gjatë drejtimit të Papa Gjon Palit II.

Skena të Lindjes së Krishtit nga e gjithë bota

Skena e Lindjes së Krishtit u projektua dhe u krijua nga dioqeza e Nocera Inferiore-Sarno, e vendosur në provincën e Salernos në Kampania, Italia jugore.

Skena paraqet figura në madhësi reale dhe përfshin elementë arkitekturorë tipikë të rajonit përreth Nocerës.

Në përurimin e skenës së Lindjes së Krishtit, peshkopi Giuseppe Giudice e quajti atë “një mundësi të shkëlqyer për ungjillëzimin dhe rindërtimin e të gjithë rajonit”.

Ekspozita “100 Skena të Lindjes së Krishtit në Vatikan”, e mbajtur për herë të tetë, është gjithashtu në shfaqje nën kolonadën e majtë të Sheshit të Shën Pjetrit.

Ekspozita paraqet skena të lindjes së Krishtit të dizajnuara nga artistë nga 23 vende.

Edicioni i këtij viti është pjesë e serisë së ngjarjeve kulturore “Jubileu është Kulturë”.

Sipas “Vatican News”, ekspozita shërben si një shprehje mirënjohjeje për Vitin Jubilar të Shpresës 2025. //a.i/

 

The post Si festohen Krishtlindjet në Vatikan? appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rusia planifikon të ndërtojë central bërthamor në Hënë

24 December 2025 at 18:54

MOSKË, 24 dhjetor /ATSH/- Rusia planifikon të ndërtojë një central në Hënë brenda dekadës së ardhshme – për të mbështetur ambiciet e saj dhe një bazë të përbashkët kërkimore me Kinën, ndërsa fuqitë e mëdha botërore intensifikojnë përpjekjet për të krijuar një prani afatgjatë në satelitin e vetëm natyror të Tokës, sipas “Reuters”.

Kompania shtetërore hapësinore e Rusisë, “Roscosmos”, tha këtë javë se synon të përfundojë ndërtimin e objektit të energjisë hënore deri në vitin 2036.

“Roscosmos” ka nënshkruar një kontratë me “Shoqatën Lavochkin”, një kompani e madhe ruse e hapësirës ajrore, për të realizuar projektin.

Ndërsa “Roscosmos” nuk e përshkroi në mënyrë të qartë objektin si bërthamor, tha se përpjekja përfshin “Rosatom”, kompaninë shtetërore bërthamore të Rusisë dhe “Institutin Kurchatov”, qendrën kryesore të kërkimit bërthamor të vendit.

“Roscosmos” tha se centrali do të furnizonte energji për programin hënor të Rusisë, duke përfshirë roverë robotikë, një observator shkencor dhe infrastrukturë për një Stacion të përbashkët Ndërkombëtar Kërkimor Hënor Ruso-Kinez.

Agjencia e përshkroi projektin si një zhvendosje nga misionet afatshkurtra drejt një pranie të përhershme shkencore në Hënë.

“Projekti është një hap i rëndësishëm drejt krijimit të një stacioni shkencor hënor që vepron vazhdimisht dhe kalon nga misionet e njëhershme në një program eksplorimi afatgjatë”, tha “Roscosmos” në një deklaratë.

Njoftimi vjen ndërsa Rusia kërkon të rikonfirmojë veten si një fuqi e madhe hapësinore pas një sërë pengesash.

Dikur një lidere globale në eksplorimin e hapësirës pas fluturimit historik të kozmonautit sovjetik Yuri Gagarin në vitin 1961, Rusia ka mbetur pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe, gjithnjë e më shumë, Kinës në dekadat e fundit.

Ambiciet e saj pësuan një goditje të madhe në gusht 2023 kur anija kozmike “Luna-25” pa pilot u rrëzua ndërsa përpiqej të ulej në Hënë.

Shefi i “Roscosmos”, Dmitry Bakanov, tha në qershor se vendosja e një centrali bërthamor në Hënë ishte një nga qëllimet strategjike të agjencisë, së bashku me eksplorimin e rinovuar të Venusit, i cili shpesh quhet “planeti motër” i Tokës.

Distanca e Hënës nga Toka – rreth 384,400 kilometra – dhe mjedisi i saj i ashpër e bëjnë gjenerimin e besueshëm të energjisë një sfidë qendrore për aktivitetin afatgjatë njerëzor ose robotik.

Energjia bërthamore është parë gjithnjë e më shumë nga agjencitë hapësinore si një zgjidhje praktike, veçanërisht në rajonet ku rrezet e diellit janë të kufizuara ose me ndërprerje.

Rusia nuk është e vetmja në ndjekjen e planeve të tilla. NASA njoftoi në gusht se synon të vendosë një reaktor bërthamor në Hënë deri në tremujorin e parë të vitit 2030.

Zyrtarët amerikanë e kanë cilësuar këtë përpjekje si pjesë të një konkurrence më të gjerë strategjike me Kinën.

“Jemi në një garë për në Hënë,” tha në atë kohë sekretari amerikan i Transportit, Sean Duffy.

“Dhe për të pasur një bazë në Hënë, na duhet energji. Energjia e qëndrueshme do të ishte gjithashtu thelbësore për misionet e ardhshme njerëzore në Mars”, shtoi ai.

Marrëveshjet ndërkombëtare ndalojnë vendosjen e armëve bërthamore në hapësirë, por lejojnë përdorimin e burimeve të energjisë bërthamore, me kusht që ato të përputhen me standardet e përcaktuara të sigurisë dhe rregullatore.

Interesi për Hënën është rritur ndërsa shkencëtarët dhe qeveritë shqyrtojnë burimet e saj të mundshme.

NASA vlerëson se sipërfaqja hënore mund të përmbajë deri në një milion ton metrikë helium-3, një izotop i rrallë në Tokë që mund të përdoret në teknologjitë e ardhshme të energjisë.

Studimet kanë identifikuar gjithashtu elementë të rrallë të tokës në Hënë, duke përfshirë skandiumin, itriumin dhe lantanidet, të cilat janë të rëndësishme për elektronikën moderne dhe prodhimin e avancuar.

Ndërsa konkurrenca përshpejtohet, analistët thonë se nxitja drejt infrastrukturës hënore mund të shënojë fillimin e një epoke të re rivaliteti gjeopolitik dhe ekonomik përtej Tokës. //a.i/

 

The post Rusia planifikon të ndërtojë central bërthamor në Hënë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KIEV – Zelensky: SHBA do të heqë gradualisht sanksionet ndaj Moskës, pas përfundimit të luftës

24 December 2025 at 18:28

KIEV, 24 dhjetor /ATSH/- Draft-marrëveshja për t’i dhënë fund luftës ruso-ukrainase nuk parashikon heqjen e sanksioneve kundër Moskës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por Uashingtoni synon t’i heqë ato gradualisht pasi të mbarojë lufta, u tha sot gazetarëve, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, sipas “Interfax Ukraine”.

“Ne nuk e shohim heqjen e sanksioneve në marrëveshjen midis Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës – por e kuptojmë se SHBA-ja do të lëvizi drejt heqjes sistematike të sanksioneve pasi të mbarojë lufta”, tha Zelensky.

“Dhe këtu pyetja është se sa të fortë mund të jenë evropianët”, shtoi ai.

“Sanksionet amerikane janë sanksione amerikane. Ka edhe sanksione evropiane. Ka sanksione nga vende të tjera në botë. Kjo është një histori shumëpalëshe për sanksionet dhe do të ishte mjaft e çuditshme nëse dikush premtonte diçka për të tjerët. Për më tepër, ne ende nuk e kuptojmë sa seriozisht rusët e marrin këtë apo atë dokument, deri në fund të luftës”, theksoi Zelensky.

Ai tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duan të kenë një barazi të caktuar me Rusinë nëse i ofrojnë tregti të lirë Ukrainës, domethënë, po flasin për një marrëveshje të tregtisë së lirë me Ukrainën dhe Rusisë”, shtoi ai.

“Qëndrimi i Amerikës – meqenëse ky është një dokument katërpalësh – mbi tregtinë e lirë, nëse i ofrojnë tregti të lirë Ukrainës, ata duan të kenë një barazi të caktuar me rusët. Domethënë, ata po flasin për një marrëveshje të tregtisë së lirë me Ukrainën dhe një marrëveshje të tregtisë së lirë me Rusinë”, tha ai.

“Por, kjo është ajo që po thonë ata. Ne po flasim për veten tonë – për këtë mundësi të tregtisë së lirë midis Ukrainës dhe SHBA-së”, tha Zelensky, duke komentuar pikën e dhjetë të planit të paqes, e cila parashikon që pas përfundimit të marrëveshjes, Ukraina do të duhet të përshpejtojë procesin e përfundimit të marrëveshjes së tregtisë së lirë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. //a.i/

 

The post KIEV – Zelensky: SHBA do të heqë gradualisht sanksionet ndaj Moskës, pas përfundimit të luftës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

RUSI – Putini lëshon dekret, tani mijëra ukrainas përballen me humbjen e shtëpive të tyre

24 December 2025 at 18:03

MOSKË, 24 dhjetor /ATSH/- Presidenti rus Vladimir Putin legalizoi me një dekret, këtë muaj – në mënyrë efektive – marrjen e pronave në territoret e pushtuara të Ukrainës, sipas “Kyiv Independent”.

Ligji i ri u lejon autoriteteve pushtuese të sekuestrojnë ambientet e banimit që tregojnë shenja të mungesës së pronarëve.

Në realitet, pronarët zakonisht janë larguar ose janë vrarë nga pushtimi rus në shkallë të plotë.

Në një veprim të mëtejshëm të projektuar për të forcuar kontrollin e Moskës mbi territoret ukrainase që i ka aneksuar në mënyrë të paligjshme dhe për të “rusifikuar” popullsinë që mbetet, dekreti i ri thotë gjithashtu, se prona që u përket ukrainasve pa dokumentacion “të vlefshëm” mund të konfiskohet.

Por, vërtetimi i pronësisë duhet të bëhet personalisht dhe dokumentet pranohen vetëm së bashku me një pasaportë ruse.

Petro Andriushchenko, kreu i Qendrës për Studimin e Pushtimit tha se ligji i ri legalizon zyrtarisht procesin, duke thënë se u jep autoriteteve të pushtimit fuqinë për të sekuestruar pronën e kujtdo sipas gjykimit të tyre, thjesht duke refuzuar të pranojnë dokumentet e pronësisë.

Ai shtoi se 5 000 apartamente janë marrë tashmë nga rusët në qytet, me numrin që rritet me 100-200 në javë.

Kush e merr pronën e sekuestruar?

Sipas ligjit, banesat e sekuestruara mund t’u rishpërndahen banorëve vendas që kanë humbur shtëpitë ose qiramarrësit e tyre.

Ai gjithashtu lejon përdorimin e këtyre pronave për të akomoduar zyrtarë të emëruar nga Rusia dhe stafin e administratës së pushtimit.

Andriushchenko deklaroi se pronat “pa pronar” fillimisht u ndahen forcave të sigurisë, të ndjekura nga punonjësit e sektorit publik. Të sapoardhurit nga Rusia gjithashtu po përfitojnë nga prona të tilla.

Disa raporte nga lëvizja e rezistencës “Yellow Ribbon”, një rrjet rezistence civile ukrainase aktive në zonat e pushtuara, thonë se ushtrisë ruse po i jepen gjithashtu prona të sekuestruara.

Yuliia Boklah, bashkë-drejtoreshë ekzekutive e “Helping to Leave”, një organizatë vullnetare që ndihmon personat që duan të largohen nga pushtimi rus, tha se ka raporte famëkeqe nga Mariupol, ku agjentët e pasurive të paluajtshme ruse shitën apartamente të banorëve vendas te rusët ‘me çmime të volitshme'”. //a.i/

 

The post RUSI – Putini lëshon dekret, tani mijëra ukrainas përballen me humbjen e shtëpive të tyre appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌