Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 26 December 2025Main stream

Skulptorët shqiptarë që bënë kryevepra e histori në Venecia. E vërteta që pak e dinë…

26 December 2025 at 11:35

Skulptorët shqiptarë që bënë kryevepra e histori në Venecia. E vërteta që pak e dinë…
Historia e artit europian fsheh brenda saj emra të mëdhenj shqiptarë, të cilët për shekuj me radhë kanë mbetur në hije. Në një lidhje direkte për ABC e Mëngjesit, studiuesi Alban Kraja solli në vëmendje një kapitull mahnitës të historisë sonë kulturore: historinë e dy skulptorëve virtuozë shqiptarë që magjepsën Italinë e shekujve XVI–XVII.
Giovanni Battista Albanese dhe vëllai i tij Girolamo Albanese ishin skulptorë, arkitektë dhe piktorë me origjinë shqiptare, të cilët u bënë emra të njohur në Italinë e kohës. Ata kishin qendrën e tyre artistike në Vicenza, ndërsa në Venecia realizuan disa nga kryeveprat që sot admirohen nga mijëra vizitorë nga e gjithë bota.
Sipas studiuesit Alban Kraja, gjyshi i tyre vinte nga Shkodra, ndërsa origjina shqiptare e familjes është e dokumentuar. Pas pushtimit osman të Shkodrës, një pjesë e madhe e popullsisë u detyrua të emigrojë drejt territoreve të Republikës së Venecias.
“Rreth 40% e qytetarëve të Shkodrës u zhvendosën në Venecia, sepse ishte vendi më mikpritës për ta në atë periudhë historike,” shpjegon Kraja.
Një nga dëshmitë më të forta të kontributit shqiptar në artin italian ndodhet në Kishën San Giorgio Maggiore në Venecia. Pikërisht aty gjenden pesë statuja të realizuara nga Giovanni Battista Albanese, vepra që edhe sot konsiderohen si shembuj të shkëlqyer të artit skulpturor të kohës.
“Gjurmët e Giovanni Battista Albanese janë qartësisht të dukshme në këtë kishë ikonike,” thekson studiuesi, duke shtuar se arti i tij përfaqëson nivelin më të lartë të mjeshtërisë së epokës.
Veprimtaria e Giovanni Battista Albanese nuk u kufizua vetëm në Venecia. Në sheshin kryesor të Vicenza-s, ai ka realizuar një statujë monumentale që vazhdon të qëndrojë aty edhe sot, si një dëshmi e pavdekshme e talentit të tij.
Qendra e tyre krijuese ishte pikërisht Vicenza, nga ku vëllezërit Albanese udhëtonin drejt Venecias për të realizuar porositë më të rëndësishme artistike të kohës.

Beograd, gjendet një bombë ajrore nga Lufta e Dytë Botërore

26 December 2025 at 11:16

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë ka bërë të ditur se një bombë ajrore e Luftës së Dytë Botërore, e gjetur në kantierin e ndërtimit “Beogradi në ujë”, do ta largojnë, transportojnë dhe asgjësojnë të dielën herët në mëngjes.

Ministria serbe tha se bëhet fjalë për një bombë ajrore amerikane e tipit AN-M44, me peshë totale afër 470 kilogramësh dhe me mbushje shpërthyese 250 kilogramësh, e cila daton që nga bombardimet aleate të pozicioneve gjermane gjatë çlirimit të Beogradit në vitin 1944.

Mjeti shpërthyes është gjetur në rrugën “Nikolaja Kravcova”. Ekipi specialist i sektorit për situata emergjente më herët ka kryer zbulimin, identifikimin dhe vlerësimin e gjendjes së bombës, në mënyrë që të garantojë kushte të sigurta për largimin dhe asgjësimin e saj.

Ministria u ka bërë thirrje qytetarëve që jetojnë aty pranë, përfshirë zonën përreth Qendrës tregtare “Galerija” dhe pjesë të disa rrugëve, që të dielën nga ora 06:00 deri në orën 09:00 të largohen përkohësisht nga banesat e tyre.

Qytetarëve që nuk mund të largohen nga banesat u është rekomanduar të hapin dritaret, të ulin grilat dhe të qëndrojnë larg dritareve. Vendndodhja ku është gjetur bomba po sigurohet nga pjesëtarët e Drejtorisë së Policisë së Beogradit.

Ministria u ka bërë thirrje qytetarëve të ndjekin udhëzimet e shërbimeve kompetente dhe të monitorojnë informacionet në media në mënyrë që aksioni të realizohet në mënyrë të sigurt dhe në kohën sa më të shkurtër të mundshme.

Japonia miraton buxhet rekord prej 58 miliardë dollarësh për mbrojtjen

26 December 2025 at 09:40

Japonia ka miratuar një projektbuxhet rekord për mbrojtjen prej 9.04 trilionë jenësh (58 miliardë dollarë) për vitin fiskal 2026, mes tensioneve me Kinën. Sipas agjencisë së lajmeve Kyodo, projektbuxheti për vitin fiskal 2026, që nis në muajin prill dhe që përfshin shpenzimet për strehimin e bazave ushtarake amerikane, tejkalon rekordin e mëparshëm prej 8.7 trilionë jenësh (55.7 miliardë dollarë) të ndara për vitin aktual fiskal që përfundon në mars 2026.

Viti fiskal 2026 shënon vitin e katërt të planit pesëvjeçar të Japonisë për forcimin e mbrojtjes në vlerë prej 43 trilionë jenësh (275 miliardë dollarë). Sipas planit, 100.1 miliardë jenë (641 milionë dollarë) janë parashikuar për zhvillimin e sistemit të mbrojtjes bregdetare me shtresa “Shield”, i cili përfshin mjete ajrore, sipërfaqësore dhe nënujore.

Vendi po rrit gjithashtu investimet në teknologjinë e dronëve, përfshirë 1.1 miliardë jenë (7 milionë dollarë) për të vlerësuar dronë me qëndrueshmëri të gjatë fluturimit për të kundërshtuar shkeljet e hapësirës ajrore.

Për të forcuar kapacitetet e tij hapësinore, Japonia planifikon të riemërtojë Forcën Ajrore të Vetëmbrojtjes në Forcën Ajrore dhe Hapësinore të Vetëmbrojtjes, duke ndarë edhe 1.1 miliardë jenë për blerjen e pajisjeve për monitorimin e ndërhyrjeve satelitore.

Buxheti përfshin gjithashtu 30.1 miliardë jenë (193 milionë dollarë) për blerjen e raketave të drejtuara hipersonike si aftësi kundërsulmi. Më herët, kabineti i kryeministres Sanae Takaichi miratoi projektbuxhet fillestar shtetëror në total prej 122.3 trilionë jenësh (783 miliardë dollarë) për vitin fiskal që nis prillin e ardhshëm, më i madhi në historinë e vendit.

Forcimi i mbrojtjes së Japonisë vjen teksa tensionet me Kinën janë përshkallëzuar që nga 7 nëntori, kur kryeministrja japoneze deklaroi se një sulm kinez ndaj Tajvanit mund të përbënte ligjërisht një “situatë kërcënuese për mbijetesën”, duke i lejuar potencialisht Japonisë të ushtrojë të drejtën e vetëmbrojtjes kolektive.

Deklaratat e saj shkaktuan reagim të ashpër në Pekin, me Kinën që këshilloi kundër udhëtimeve drejt Japonisë dhe rivendosi ndalimin e importeve të produkteve të detit, ndër masa të tjera kufizuese.

Analizë/ Përse mbushja e tregut me automjete kineze alarmon Evropën?

26 December 2025 at 09:13

Pasi i kaloi dy dekada karrierë të suksesshme duke prodhuar interiore për markat kryesore botërore të automobilave, Tomasi, ish-menaxher i lartë në një kompani shumëkombëshe italiane, u largua nga industria e makinave në vjeshtën e vitit 2025.

“Mendoj se është e mbaruar”, theksoi ai duke shpjeguar arsyen kryesore pse u largua nga biznesi.

“Industria ka marrë fund”, shtoi Tomasi, i cili kërkoi që mbiemri i tij të mos përdoret në këtë tekst.

Industria e famshme evropiane e automobilave përballet me rrezikun e një vërshimi automjetesh kineze me cilësi të lartë dhe çmime jashtëzakonisht të ulëta – disa deri në 10.290 euro në tregje të caktuara – të cilat nisën të mbërrijnë në kontinent veçanërisht pas pandemisë së Covid-19.

Ekspertët paralajmërojnë se ky fluks rrezikon një industri që për dekada ka shërbyer si shtylla kurrizore e prodhimit evropian.

Pavarësisht tarifave të vendosura nga Brukseli në vitin 2024, deri në 35 për qind për disa automjete elektrike (EV) kineze, përveç një takse importi prej 10 për qind, shitjet e automjeteve kineze në Evropë pothuajse u dyfishuan mes viteve 2024 dhe 2025.

Mbi gjysmë milioni modele kineze janë shitur vetëm në nëntë muajt e parë të këtij viti.

Gjiganti kinez i automjeteve elektrike, BYD, raportoi rritje vjetore të shitjeve prej 225 për qind, duke u bërë prodhuesi kryesor i automjeteve elektrike më i shitur në BE gjatë disa muajve të vitit 2025, pavarësisht tarifave.

Prodhues të tjerë i anashkaluan barrierat tregtare të BE-së për automjetet elektrike duke dërguar automjete me motorë me djegie të brendshme dhe hibride, të cilat nuk i nënshtrohen të njëjtave detyrime.

Industria automobilistike e Kinës daton që nga vitet ‘50, por prodhuesit e saj për një kohë të gjatë kanë vuajtur nga reputacioni i cilësisë së dobët dhe dizajnit të rëndomtë, prandaj edhe industria e saj nuk lulëzonte në botë.

Por, kjo ka ndryshuar së fundmi.

Para se ekonomia botërore të ndalej në vitin 2020 për shkak të pandemisë së koronavirusit, Tomas thotë se profesionistët teknikë në industrinë evropiane të automobilave i shpërfillnin markat kineze, duke thënë: “janë të tmerrshme, nuk dinë të prodhojnë. Do t’u duhen 20, 30, 40 vjet për të arritur nivelin tonë dhe deri atëherë ne do të jemi shumë më përpara”.

“Ajo që ndodhi është se, praktikisht për pesë vjet, ata na tejkaluan”, tha ai.

“Tani makinat e tyre janë vërtet të jashtëzakonshme”.

Një stuhi e përsosur

Prodhuesit kinezë kanë gëzuar kamotshëm përparësi në kosto falë përdorimit të energjisë së lirë, kryesisht me bazë qymyri, si dhe një fuqie punëtore me fuqi minimale negociuese. Por së fundmi, një stuhi e përsosur faktorësh ka bërë të mundur që makinat kineze të kenë çmim shumë më të ulët se konkurrentët perëndimorë.

Si reagim ndaj pushtimit të Ukrainës nga Kremlini në vitin 2022, BE-ja ndaloi importet e çelikut nga Rusia. Kina, ndërkohë, ka rritur ndjeshëm importet e metaleve me cilësi të lartë nga ky vend.

Për më tepër, industria automobilistike kineze ka qenë në gjendje të shfrytëzojë rritjen e paparë të prodhimit gjatë dekadës së fundit. Industria e makinave në Kinë ishte më e madhja në botë qysh në vitin 2009, por prodhuesit ishin kryesisht të përqendruar në tregun e brendshëm të tejngopur.

Kjo ndryshoi kur luftërat e ashpra të çmimeve brenda Kinës i shtynë prodhuesit të shikonin jashtë. Në vitin 2023, Kina e tejkaloi Japoninë duke u bërë eksportuesi më i madh i makinave në botë, duke prodhuar dhjetëra milionë automjete çdo vit.

Dhe pastaj kemi subvencionet e dyshuara në këtë industri.

Kina e ka mohuar se i mbështet prodhuesit e makinave, por një hetim i BE-së në vitin 2024 zbuloi se fondet publike ishin “të pranishme në të gjithë zinxhirin e furnizimit”, nga minierat që nxjerrin lëndët e para deri te anijet që transportojnë automjetet elektrike drejt Evropës.

Shtetet e Bashkuara, në vitin 2024, vendosën një tarifë prej 100 për qind mbi automjetet elektrike kineze, pasi hetimi i tyre arriti në përfundimin se industria amerikane e automobilave po “dëmtohej ndjeshëm” nga disa modele të subvencionuara kineze.

Paul Bennet, partner drejtues në firmën këshilluese automobilistike Madox Square me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, i tha REL-it se hyrja rrufe e automjeteve kineze në tregun evropian mund të jetë me më shumë sesa thjesht biznes.

“Në përgjithësi, edhe pse përfitimet ekonomike janë të qarta, aspektet gjeopolitike të kësaj strategjie nuk duhen anashkaluar”, tha ai.

“Sipas mendimit tim, ka gjasa që kjo të jetë pjesë e përpjekjeve më të gjera të Kinës për të riformësuar dinamikat ekonomike globale dhe për të forcuar pozicionin e saj në skenën botërore”, sipas tij.

Derisa disa aktorë të brendshëm thonë se Evropa ende mund të ketë mundësi për t’u kundërpërgjigjur, koha po soset.

Mbrojtja ndaj tarifave

Sipas rregullave të tanishme të tregut, një automjet kinez i prodhuar brenda BE-së nuk do t’i nënshtrohej të njëjtave tarifa si ato të importuara nga jashtë bllokut. Prodhuesit kinezë po lëvizin shpejt për të shfrytëzuar këtë kusht.

BYD i Kinës është në proces të ndërtimit të një fabrike prej 4.6 miliardë dollarësh në Hungari dhe, në Barcelonë, makinat tashmë po prodhohen nga ndërmarrja e përbashkët mes Ebro-EV Motors të Spanjës dhe markës kineze Chery, shkruan REL.

Yesterday — 25 December 2025Main stream

Festat, ku i kalojnë shqiptarët? Eksperti i turizmit: Korça dominon brenda vendit! Ja tre qytetet më të kërkuara në Evropë

25 December 2025 at 14:31

SHQIPËRI– Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka pritur fluks udhëtarësh gjatë nëntorit. Sipas të dhënave rezulton se janë përpunuar mbi 765 mijë pasagjerë të ardhur nga 67 destinacione.

Rritja e fluksit lidhet drejtpërdrejt si me vijimin e kërkesës turistike pas sezonit veror, por edhe me zgjerimin e destinacioneve te fluturimeve.

Siç ka shumë shqiptarë që zgjedhin të kalojnë pushimet jashtë vendit, ka edhe të huaj që vijnë në Shqipëri për të shijuar ditët e fundvitit.

Eksperti për turizmin, Isa Krasniqi, i ftuar në “Money Report” u shpreh se për festat e fundvitit, qytetet j metë frekuentuara nga Shqiptarët janë Vjena, Praga dhe Roma. Megjithatë ka prej atyre që zgjedhin që pushimet t’i kalojnë në vende të ngrohta, siç është Dubai.

“Shqiptarë kanë zgjedhur këtë vit më shumë, tre qytete si Vjena, Praga, dhe Roma. Të tre këto qytete kanë linja ajrore direkte, por janë dhe qytetet që të ofrojnë atmosferë të madhe sa i përket festave të fundvitit. Ka edhe fluturime për në vende të nxehta, siç është dhe Dubai, por ka dhe prej atyre që duan të kalojnë festat e fundvitit në Shqipëri”, tha ai.

I pyetur se cilat janë qytetet më të kërkuara brenda vendit për të kaluar festat, eksperti u shpreh se Korça është dominuesja absolute, por megjithatë vitet e fundit ka një interes të shtuar për Beratin dhe Shkodrën.

“Korça është vend i parë për shumë arsye, në këtë vit sidomos ka hyrë shumë vizita e Beratit, por edhe e Shkodrës. Jo vetëm vizita, por po preferohet dhe akomodimi në këto dy vende. Gjithashtu edhe Vlora mbetet një destinacioni”, tha ai.

Ai theksoni se Shqipëria duhet të ketë ofertë gjithëvjetore në turizëm, pasi ky sektor shprehet Krasniqi ka shumë potencial dhe të gjithë duhet të punojmë për këtë objektiv.

“Ka shumë gjermanë, të cilët po e frekuentojnë në pjesën e fundit të vitit, për të festuar vitin e ri. Ka edhe nga Spanja, që vijnë dhe janë entuziastë për vizitën e tyre në Shqipëri. Janë mahnitur kur kanë parë bukuritë e vendit tonë.

Ne duhet të shkojmë në një turizëm gjithëvjetor. Duhet ta ngremë turizmin dhe të jetë gjithëvjetor. Të investojmë në promovimin e Shqipërisë, por edhe përmirësimin e infrastrukturës. Të kemi çfarë të themi tek të huajt”, tha ai./abcnews.al

“Të duam njëri tjetrin dhe vendin”, apeli i at Nikolla Kodheli për Krishtlindje: Të besojmë më shumë tek Perëndia

25 December 2025 at 13:30

Besimtarët e krishterë kremtojnë sot festen e krishtlindjes, ditën më të shënuar të kalendarit fetar.  Në të gjitha kishat dhe katedralet mbahen mesha dhe thuhen lutje për paqe, mbarësi e dashuri.

Sot në mëngjes u mbajt mesha në Katedralen Ortodokse Ngjallja e Krishtit në Tiranë, ndërsa mbrëmë besimtaret katolike ndoqën meshën e rastit ne Katedralen e Shën Palit.

Festa e krishtlindjes vazhdon ne tryezat familjare.

Në një komunikim me News Line në ABC News, at Nikolla Kodheli tha se katedralja ortodokse ishte e mbushur me besimtarë, të cilët u lutën për më shumë shëndet, paqe dhe dashuri në gjirin e tyre familjar.

“Katedralja ishte plot e përplot. Njerëzit vijnë për t’u lutur dhe për të kërkuar  bekimin e perëndisë. Lutjet janë të shumta, janë private, por shpresa mbetet që të janë më shumë dashuri dhe bekimin e perëndisë dhe dashuri me njëri tjetrin. Besoj se dashuria është kërkesa më e madhe. Nënat vijnë për fëmijët, nënat vijnë për fëmijët, prindërit dhe të dashurit e tyre. Njeriu i rikthehet përsëri perëndisë. Shpresa tek perëndia mbetet e gjallë. Është lindja e shpëtimtarit,  perëndia bëhet njeri. Krishti bëhet njeri dhe i dhuron botës natyrë njerëzore dhe ne për ta imituar atë për t’u bërë vëllezër me të. Të largohen nga lajmet e tepërta, të kenë shpresë tek Zoti, të përqendrohen te vetja e tyre dhe t’i japin mundësi shoqërisë dhe politikës që të reflektojë, sepse një shoqëri nuk përbëhet vetëm nga njerëz fetarë, por edhe pushtetarë. Shumë të rinj vijnë e pagëzohen dhe bëhen pjesë e kishës, Këtë nuk e shikoj vetëm tek komuniteti ortodoks, por edhe tek komunitetet e tjera”, apeloi ai.

Ai u bëri apel besimtarëve të besojnë më shumë tek Perëndia dhe kërkoi prej tyre të përçojnë më shumë dashuri për familjen dhe për shoqërinë në tërësi.

“Urimi im është që të besojmë më shumë tek perëndia. Apeli është të duam njëri tjetrin, të duam vendin dhe të lutemi për të gjithë. Më shumë shpresë dhe dashuri. Të kemi më shumë dashuri në familjet tona dhe ta shprehim këtë dashuri edhe tek të tjerët “,tha ai.

VIDEO/ Babagjyshi “zbret” nga ajri, surprizon fëmijët në Himarë

25 December 2025 at 11:28

Himara zgjedh një mënyrë ndryshe për të surprizuar fëmijët.

Këtë vit, Babagjyshi ka mbërritur në qytet nga ajri, ndërsa u prit nga fëmijët buzë detit, të cilët morën dhuratat e festave.

Një zgjedhje ndryshe këtë vit teksa një vit më parë Babagjyshi mbërrinte nga deti./abcnews.al

Konflikti 56-vjeçar ndalon çdo vit për Krishtlindje, një moment i rrallë paqeje

25 December 2025 at 11:04

Në Krishtlindje, bota mund të duket pak më humane se zakonisht – madje edhe në kohë lufte. Një shkëndijë e tillë paqeje shfaqet çdo vit në atë që konsiderohet gjerësisht kryengritja komuniste më e gjatë në botë.

I zhvilluar në Filipine, konflikti guerilas midis Ushtrisë së Re Popullore Maoiste (NPA) dhe qeverisë pritet të hyjë në vitin e 57-të në vitin 2026 dhe ka marrë rreth 60,000 jetë njerëzish.

Por një herë në vit, luftimet kanë tendencë të ndalen ndërsa të dyja palët ulin krahët për Krishtlindje. Tradita është respektuar për shumë vite që nga të paktën viti 1986, një moment i rrallë përmbajtjeje në një botë që tani është më e dhunshme se në çdo moment që nga Lufta e Dytë Botërore.

Sipas Institutit të Kërkimeve për Paqen në Oslo (PRIO), numri i konflikteve që përfshijnë shtete arriti nivelin më të lartë që nga viti 1946 në fund të vitit të kaluar.

Në total, 61 konflikte ishin aktive në vitin 2024 – pothuajse dyfishi i numrit të 20 viteve më parë. Viti i kaluar ishte gjithashtu i katërti i dhunshëm që nga fundi i Luftës së Ftohtë, i tejkaluar vetëm nga tre vitet e mëparshme për sa i përket vdekjeve në betejë.

ISIS, së bashku me numrin e madh të luftërave në Ukrainë dhe Gaza, ishin ndër nxitësit kryesorë të këtyre rritjeve, sipas Siri Aas Rustad, një studiuese në PRIO. Konfliktet tani kanë tendencë të zgjasin më shumë se në të kaluarën, ndërsa operacionet paqeruajtëse dhe proceset e paqes kanë rënë.

Në këtë sfond të zymtë, armëpushimet e Krishtlindjeve në Filipine ofrojnë një pamje të një qasje alternative. Tradita e ndalimit të armiqësive gjatë festave – që pasqyron mesazhin biblik të paqes në tokë – daton shumë kohë më parë.

Shembulli më i famshëm erdhi në vitin 1914, kur trupat britanike dhe gjermane kaluan llogoret gjatë Luftës së Parë Botërore për të festuar së bashku Krishtlindjet. Armëpushime të tilla të shkurtra rrallë i dhanë fund konflikteve, por ato ndihmuan në “ndërtimin e besimit afatgjatë të nevojshëm për të vendosur marrëveshje paqeje afatgjata”. 

Italia, sekuestrohen 435 kilogramë kokainë të fshehur në qese me kikirikë

25 December 2025 at 09:49

Në portin e Gioia Tauro në jug të Italisë është sekuestruar më shumë se 435 kilogramë kokainë e pastër, sipas “La Stampa”.

Një “pako” e bukur Krishtlindjesh u kap nga Guardia di Finanza (Policia Financiare Italiane), e cila sekuestroi një tjetër ngarkesë të konsiderueshme me kokainë që kalonte në portin e Gioia Tauro në prag të Krishtlindjeve.

Pakoja me 435 kilogramë kokainë të pastër, një nga ngarkesat më të mëdha të viteve të fundit, e fshehur në një ngarkesë prej afërsisht 1,000 qesesh me kikirikë të dërguara nga Amerika Latine dhe të destinuara, të paktën sipas dokumenteve tregtare që shoqëronin produktin, për në Evropën Lindore.

“Kjo është një goditje e rëndësishme ndaj të ardhurave të organizatave kriminale, pasi porti vazhdon të jetë një pikë “kyçe” për trafikimin ndërkombëtar të drogës në Evropë”, tha policia.

Nëse do të dilte në treg, kokaina e sekuestruar do t’u kishte sjellë organizatave kriminale mbi 70 milionë euro.

Sekuestrimi vjen në kuadër të inspektimeve të intensifikuara të fundvitit në një nga portet më të ngarkuara të Evropës dhe përbën një nga rastet më të bujshme vitet e fundit në Gioia Tauro.

Ari për herë të parë tejkalon vlerën prej 4 500 dollarë për ons

25 December 2025 at 09:30

Ari ka arritur nivel rekord prej 4.525, 96 dollarësh për ons, duke shënuar rritje rreth 1 për qind mes shqetësimeve për përshkallëzimin e tensioneve mes SHBA-së dhe Venezuelës si dhe pritjeve për ulje të mëtejshme të normave të interesit në SHBA.

Pas arritjes në nivelin më të lartë historik, çmimi i arit mëngjesin e sotëm ishte rreth 4.495,9 dollarë për ons, duke shënuar rritje vjetore prej rreth 72 për qind. Çmimet e argjendit gjithashtu u rritën me më shumë se 1 për qind, duke arritur në 72,7 dollarë, përkatësisht në nivelin historik të lartë. Norma e rritjes ka qenë rreth 144 për qind gjatë 12 muajve të fundit.

Kërkesa për aktive të sigurta u rrit për shkak të shqetësimeve mbi ngadalësimin e ritmit të rritjes ekonomike globale, si dhe bastet për ulje shtesë të normave të interesit në SHBA në vitin 2026, veçanërisht pas rritjes ekonomike më të fortë se sa që pritej në SHBA gjatë tremujorit të tretë të këtij viti.

Tensionet mes Washingtonit dhe Karakasit janë rritur pasi SHBA-ja ka shtuar mbikëqyrjen dhe masat e zbatimit ndaj dërgesave të naftës të lidhura me Venezuelën, duke ngritur shqetësime të reja për ndërprerje të mundshme të flukseve globale të naftës bruto dhe duke shtuar paparashikueshmërinë gjeopolitike në botë.

Presidenti amerikan, Donald Trump pretendon se vendi përdor të ardhurat nga nafta për të financuar emigracionin e paligjshëm dhe dërgesat e drogës drejt SHBA-së. Një arsye tjetër e rëndësishme për këtë rritje është blerja e arit nga bankat qendrore për të forcuar rezervat e tyre.

Before yesterdayMain stream

Aksion i gjerë në Tiranë/ Goditen rastet e trafikut të drogës, 22 të arrestuar

24 December 2025 at 15:12

TIRANË- Policia e Tiranës ka arrestuar 22 persona, të cilët merreshin me trafikun e lëndëve narkotike.

Sipas policisë, të arrestuarit janë: Renaldo Dalipi, Engelbert Pjetri, Armandi Hajdini, Olsi Mici, Fatjon Cela (Çela), Xhon Boci, Laert Murataj, Artan Pullazi, Erald Sina, Blerim Mali, Gentjan Vercani, Valerjos Bushi, Olkid Hajdari, Dylber Alijaj, Angjelos Mema, Majdi Musa, Jurgen Hekurani, Erdison Gjella, Abdurahman Bollati, Klodian Rrucaj, Indri Nakaj dhe Genti Kraja.

Gjatë aksionit u sekuestruan 500 gramë lëndë e dyshuar narkotike Kokainë; 10 kg lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa dhe 100 doza të kësaj lënde; 5 automjete; 28 celularë; 6 peshore elektronike dhe 3 000 euro.

Më herët janë arrestuar gjatë operacioneve të mëparshme 5 shtetas ndërsa vijon puna për kapjen e 6 shtetasve të tjerë të identifikuar si pjesë e këtij grupi kriminal./abcnews.al

Macron dënon kufizimet e vizave të SHBA: Janë akte frikësimi dhe shtrëngimi

24 December 2025 at 13:09

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka dënuar masat e kufizimit të vizave të vendosura nga SHBA-ja ndaj ish-komisionerit të BE-së, Thierry Breton dhe katër figurave të tjera evropiane, duke i quajtur ato akte “frikësimi dhe shtrëngimi”.

“Franca dënon masat e kufizimit të vizave nga SHBA-ja kundër Thierry Breton dhe katër figurave të tjera evropiane. Këto masa përbëjnë frikësim dhe shtrëngim që synojnë minimin e sovranitetit digjital evropian,” tha Macron në platformën sociale të kompanisë amerikane X.

Macron theksoi se rregullat digjitale të BE-së u miratuan përmes një “procesi demokratik dhe sovran” nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli Evropian dhe ato zbatohen brenda Evropës për të siguruar konkurrencë të drejtë midis platformave digjitale.

Ai tha se rregulloret nuk shënjestrojnë asnjë vend të tretë dhe janë hartuar për të garantuar që ajo që është e paligjshme jashtë internetit është e paligjshme edhe në internet.

“Rregullat që qeverisin hapësirën digjitale të BE-së nuk kanë për qëllim të përcaktohen jashtë Evropës”, tha Macron.

Presidenti francez tha se vendi i tij do të vazhdojë të qëndrojë përkrah Komisionit Evropian dhe partnerëve evropianë për të mbrojtur sovranitetin digjital dhe autonominë rregullatore të bllokut.

Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, tha se SHBA-ja vendosi kufizime vizash për pesë individë të akuzuar për udhëheqjen e përpjekjeve të organizuara për të detyruar platformat të censurojnë “pikëpamjet amerikane”.

San Antonio mund kampionët/ Oklahoma u mposht thellë në NBA, me shifrat 130-110

24 December 2025 at 12:59

Nuk përfaqësohen vetëm nga një emër. Viktor Uembanijama vërtet është një nga zbulimet më të mëdha në historinë e basketbollit amerikan, por San Antonio ofron shumë më tepër se kaq.

Skuadra që ka dalë pesë herë kampione e NBA-së me ish-trajnerin Greg Popoviç, dhe një seri legjendash, mundi thellë kampionen në fuqi, Oklahomën.

Disfata e katërt këtë sezon e Thandërsve ishte më e thella, me shifrat 130-110, dhe Uembanijama luajti vetëm 23 minuta, duke e nisur nga stoli, e duke shënuar 12 pikë, kapur 5 topa në tabela e shërbyer 3 asiste.

Nuk është pak, pasi mungoi për 12 ndeshje dhe në 6 sfidat e fundit e nisi si rezervë.

Xhonson me 25 pikë, Kastëll me 24, Barns me 20 dhe Vasëll me 17 ishin protagonistët kryesorë për Spërsat që arritën fitoren e shtatë radhazi, dhe tani u ngjitën në vendin e dytë në Konferencën Perëndimore.

Nuk është pak që e kanë mundur dy herë radhazi Oklahomën.

Kampionëve nuk u mjaftoi më I miri I NBA-së sezonin e kaluar, Shej Gilgës Aleksandër, ndonëse shënoi 33 pikë, dhe e vazhdoi serinë prej mbi 100 ndeshjesh me të paktën 20 pikë të realizuara.

Senegal konfirmohet si favorit/ “Luanët e Terrangës” e nisën me triumf Kupën e Afrikës

24 December 2025 at 12:56

Pas Egjiptit, cilësohet si kandidati kryesor për titullin. Senegali e ka fituar vetëm një herë Kupën e Kombeve të Afrikës, por forca e këtij ekipi, përbërja e tij, e bëjnë të rrezikshëm.

Të mbiquajturit “Luanët e Terrangës” e nisën edicionin me sukses duke mundur Botsvanën 3-0. Në fushë ishin portieri Mendi, kapiteni Kulibali, vëllezërit Geje, Sadio Mane dhe sulmuesi I Çelsit, Nikolas Xhekson.

Pikërisht ky I fundit, Xhekson, ishte heroi duke shënuar dy nga golat. Kjo ndodhi në 40’ dhe 58’, pra mund të thuhet se vendosi fatin e përballjes.

Golin e tretë e realizoi Sherif Ndiaje në minutën e fundit. Senegali nuk diskutoi asgjë dhe pati epërsi tepër të thellë.

E gjithë ndeshja u luajt me një portë, me 22 gjuajtje nga fituesit, nga të cilat 13 në kuadrat, ndërsa Botsvana provoi të gjuante vetëm dy herë, por nuk e gjeti asnjëherë portën.

Edhe disa nga skuadrat e tjera të njohura të kontinentit e nisën Kupën e Afrikës me fitore. Nigeria, Tunizia dhe Republika Demokratike e Kongos ia dolën që të treja.

❌
❌