Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 26 December 2025Main stream

18:00 Cirku Kombëtar me çadër të re, miratohet buxheti shtetëror

By: Klara
26 December 2025 at 18:00

Shfaqja “Piter Pan” është premiera e re e Cirkut Kombëtar, që po vihet në skenë te ArTurbina, ku ushtrimet akrobatike, realizohen në të njëjtën hapësirë ku interpretohen edhe shfaqje teatrore. Për fat, këtu, sidomos lartësia, ofrojnë më shumë mundësi për ta.

“Kjo shfaqje bazohet në fabulën e Piter Panit dhe është plot surpriza, që nga skenografia e kostumografia, deri te numrat e lartësive. Falë hapësirës së ArTurbinës, do të realizohen numra shumë të vështirë dhe shumë të bukur. Shfaqjet do të jenë çdo ditë në orën 11:00.”, thotë Brunilda Demollari, mjeshtre pranë Cirkut Kombëtar.

Cirku Kombëtar ka mbetur pa çadrën e tij që prej vitit 2021. Hapësira ku dikur ajo ishte vendosur në qendër të Tiranës, sot shfrytëzohet privatisht për parkim. Artistët japin të detyruar të përshtasin shfaqjet e tyre në hapësirat e kufizuara të teatrove.

Por më në fund ka një lajm të mirë! Edhe pse ende nuk dihet ku do të jetë vendndodhja, brenda vitit 2026, cirku pritet të ketë sërish çadrën e vet.

“Është miratuar buxheti për çadrën e Cirkut, për arenën e Cirkut. Jemi në hapat e parë duke në bisedime me bashkinë për të gjetur një vend të përshtatshëm, një vend adekuat për vënien e çadrës dhe besoj që shumë shpejt brenda vitit që vjen, fëmijët, familjet do të kenë një çadër të re cirku.”, thotë për “Report TV” Jehona Varfi, drejtore e Cirkut Kombëtar.

Buxheti për çadrën e re të Cirkut është 40 milionë lekë të reja dhe përfshin arenën, skenën, pajisjet teknike dhe elementët e sigurisë.

Aktualisht, me gjithë vështirësitë infrastrukturore, Cirku Kombëtar vazhdon të japë shfaqje dhe të tërheqë interes të lartë nga publiku.

“Ne kemi rritur në fakt numrin e premierave dhe jemi fokusuar kryesisht tek tema sociale artistike për fëmijë. Në muajin tetor – nëntor dhamë premierën ‘Inteligjenca artificiale’, një tematikë e cila po na shqetëson shumë kohët e fundit. Ishte një premierë e cila tërhoqi shumë publik. Pas asaj premiere ka pasur një bum të kërkesave për të ardhur në cirk, aq sa nuk arrijmë dot ndonjëherë dhe të përmbushim me vendet që janë në dispozicion. Kishim dhe ‘Circus Show’ në fillim të dhjetorit dhe ajo ishte e bazuar komplet në cloën. Pati gjithashtu dhe ajo një sukses. Ndërkohë sot kemi premierën e Piter Panit që ne themi edhe në cirk pavarësisht që është shfaqje për fëmijë por ndoshta edhe për ne të rriturit sepse të gjithë në vetvete nga pak jemi Piter Pan.”

Sipas Varfit, ky interes për shfaqjet justifikon edhe rritjen e çmimit të biletave, që sipas saj do të ndihmojë në përmirësimin e cilësisë artistike.

“Ne kemi bërë një studim që kjo rritje të vijë në shërbim të publikut, në rritje të cilësisë artistike, duke ruajtur, të themi, deri diku buxhetin e familjes që të jetë i aksesueshëm dhe i përballueshëm që ata të vijnë dhe të shohin shfaqjet e cirkut. Do të thotë rritje e cilësisë artistike. rritje e numrit të premierave, përmirësim në skenografi, në materiale për cirkun dhe të tjera.”

Bileta nga 100 lekë të reja, është rritur në disa kategori çmimesh. Çmimet fillojnë nga 300 lekë për fëmijë dhe 400 lekë për të rritur deri në 500 lekë në rastet e premierave dhe në 1000 lekë për netët gala./K.M

17:50 Edison Ypi: Ju vidhni

By: Klara
26 December 2025 at 17:50

Nga Edison Ypi

Ju duruat pushtimet, vuajtjet, nënshtrimet, turpërimet, etjen, urinë, shijuat pavarësinë, mirëpritët Mbretërinë, i thatë peqe-lepe Diktaturës, kalitët me duart tuaja prangat, duartrokitët demokracinë, pluralizmin, provuat kurbetin, arratinë, trafiqet, piramidat, zbrazët tunelet e armëve, mbushët shtëpitë me kalashnikova, bomba, granata, mortaja, eksploziva, tritola, dinamita. S’latë të bardhë pa nxirë, s’latë të zezë pa bërë. Por kurrë, kurrkund, për asnjë çast, për asnjë arësye apo rrethanë, nuk hoqët dorë nga qefi i kahershëm, orgazma e preferuar, zanati shekullor, vjedhja, grabitja, xhvatja, hajnia.

Jo flisni e bërtisni për Besën që nuk e mbani, për Moralin që nuk e keni, për Traditën që nuk e respektoni, për Kulturën dhe Artin që s’ja keni haberin. Por e vetmja gjë që dini të bëni, është vjedhja.

Juve perfeksionistat e hajdutllëkut që vjedhjen e keni si ajrin që thithni, si ujin që pini, si bukën që hani, si mishi që kafshoni, të gjithëve ju një nga një; Kolera ju hëngërt, zgjebja ju përpiftë, sytë ju dalçin, veshët ju shurdhofshin, gjuha ju thaftë, dheri ju mbuloftë, zjarri i Xhehenemit ju djegtë.

Sharjet dhe mallkimet si; Jeta ju sterroftë, nata ju shkretoftë, mëngjezi mos ju gjet’ë, dielli ju djegtë, acari ju ngriftë, janë komplimenta për ju që vidhni.

Juve që vidhni, sytë ju nxjerrshin me gozhdë, gishtat ju prefshin me gërshërë, krahët ju thefshin me sqepar, këmbët u mpifshin me gjilpërë, sepse ju hajdutëve që vidhni këto nuk ju duhen për asgjë tjetër, veçse për të vjedhur.

Juve që vidhni, e mira është, shtigjet ua zënshin ferrat dhe gurët, rrugët jua shembtë shiu, Benzi ju përplastë ju bëftë copa pas shkëmbit, rënshi bashkë me furgon në humnerë, ju martë lumi me gjithë autobuz ju çoftë në det, kali, mushka, gomari ju ngordhtë, trenat ju dalçin nga shinat, biçikletat ju çpofshin, aeroplanat u rrëxofshin, tragetat u mbytshin, se ju kudo ku shkoni, shkoni për të vjedhur.

Ju që vidhni, se keni problem të vidhni, jo vetëm sendet, paret, punën, djersën, pronat. Ju që vidhni, vidhni edhe  jetët, fatin, fatkeqësinë, vuajtjet, peripecitë, dhe gjithçka që s’është e juaja, por e tjetrit.

Ju hajdutat që vidhni, s’ndaleni së vjedhuri as para turpit të turpeve, turpit më të madh që ekziston; të paguheni me pare të vjedhura.

Ju që vidhni, vidhni edhe të vjedhurën e vjedhur shumë herë më parë se ta vidhni ju që vidhni.

Ju vidhni edhe shokun, mikun, kolegun, eprorin, inferiorin. Edhe nonën dhe babën, motrën, vëllain, çunin, gocën, nipin, mbesën. Morpo edhe veten e vidhni ju që vidhni. Askend nuk e lini pa e vjedh ju qelbësirët që hiqeni të pastër, ju gropat e haleve që mbaheni të ndershëm.

Ju mor legena, ju mor burracakë, ju mor rrugaçë të pa Dine e pa Iman, ju që vidhni gjithçka që ju sheh syri, ua nuhat hunda, ua prek dora, ua ka ënda, u vete mendja, ju vidhni edhe atë që villni, ju edhe vjedhjen e vidhni.

Turpi, turpërimi, dënimi, pushkatimi, varja, burgu, rrahja, internimi, vuajtja, tortura, asgjë e tillë s’ju ndal me vjedh ju o faqezinj që vjedhjen s’e keni aspak problem, por veçse zbavitje, veçse dëfrim.

Ju hajduta, ju hajna, ju plehra, me j’u shajt me libër shpie, me ju pështy në surrat, me ju hedh në gropë zifti të nxehtë, në furrë të gëlqeres së pashuar, në kazan të valuar, me j’u kavërdis pa vaj në tigan, kokën te trungu i kasapit me ua vu, mbi turrë drush me j’u shkrumu, me ju myt në det, me ju braktis në një ishull të shkretë, i keni pak.

Çfarë meritoni ju o legena me ju largu, me ju bo përgjithmonë sikter që të mos ktheheni kurrë, është me ju hedh jashtë orbitës së sistemit diellit. Por ju që vidhni jeni aq të pasionuar me vjedh dhe aq të vendosur me xhvat, sa edhe nga Kozmosi vini, ktheheni për me ushtru zanatin e pamoralshëm, të turpshëm dhe të dënueshëm, të hajdutit.

O burra të kalitim durimin mos na mbarojë, të forcojmë nervat mos na këputen, të kursejmë lotët mos na shterrin. S’ka mënyrë tjetër me mbetë gjallë në këtë vend hajdutash të pakurueshëm./K.M

17:40 Bëhu mikja që do të doje të kishe: Gjestet e vogla që vlejnë më shumë këtë fundvit (lifestyle)

By: Klara
26 December 2025 at 17:40

Fundviti ka një mënyrë të çuditshme për të na bërë nostalgjike. Na gjen duke menduar për miqësitë që kemi, ato që kemi humbur dhe ato që do të donim t’i kishim menaxhuar me mirë, ose për ca të tjerë që i humbëm rrugës. Janë ditët kur kuptojmë se lumturia nuk vjen gjithmonë nga gjërat e mëdha, por nga mikro gjestet, ato të voglat, që shpesh kalojnë pa shumë zhurmë, por që lënë gjurmë. Fundja janë këto veprime të vogla e të përditshme që e mbajnë gjallë një miqësi prej vërteti.

Bëhu mikja që do të doje të kishe: Gjestet e vogla që

1. Dërgo një mesazh të ngrohtë pa arsye

Jo “si je?” i zakonshëm, por një mesazh i sinqertë. Janë ato fjalë që e bëjnë dikë të buzëqeshë në makinë, mes trafikut, kur s’e pret. Mos kërkoni të përformoni me shoqet e ngushta, jini të vërtetë, vlen më shumë!

Bëhu mikja që do të doje të kishe: Gjestet e vogla që

2. Dhuro kohën tënde, është gjëja më e shtrenjtë

Nuk ka nevojë të jetë darkë e gjatë. Edhe 15 minuta në një kafe të vogël, me një IQOS në dorë, nëse je përdorues, ose një shëtitje e shkurtër.

Në fund, ato momente kthehen në rituale të vogla që na mbajnë lidhur, sikur ta kemi njëra-tjetrën pak më afër.

Bëhu mikja që do të doje të kishe: Gjestet e vogla që

3. Kujto gjërat që ajo harron

Një datë e rëndësishme. Një projekt që e streson. Një gjë që e ka pasur merak. Kur ia rikthen ti, pa e pyetur, ajo ndjen se dikush po e sheh vërtet.

Bëhu mikja që do të doje të kishe: Gjestet e vogla që

4. Tregoji që tek ti ka gjithmonë një vend për të

Mikja e mirë është ajo te e cila mund të derdhësh lot, nerva, të vërteta që s’mund ti ndash me të tjera. Një mike e mirë, të dëgjon për të të kuptuar.

Bëhu mikja që do të doje të kishe: Gjestet e vogla që

5. Bëje të ndihet e veçantë me një surprizë të vogël

Një kartolinë në çantë. Një shënim i vogël në kuti të dhuratës. Një gjest simbolik që mund të jetë thjesht çokollata e saj e preferuar!

Bëhu mikja që do të doje të kishe: Gjestet e vogla që

6. Ndani ritualet tuaja të vogla të fundvitit

Një foto që e bëni çdo vit. Një dhuratë simbolike që ja jepni njëra tjetrës çdo fundvit.

Këto janë gjërat që për vite me radhë do t’i kujtoni me buzëqeshje,jo dhuratën në vetvete, por ritualet.

Bëhu mikja që do të doje të kishe: Gjestet e vogla që

7. Detaji i vogël që e bën takimin edhe më “ju”

Fundviti është koha perfekte që ta mbyllësh ditën me një çast të vogël vetëm për të dyja.

Një bisedë e lehtë, një ambient i ngrohtë, një moment relaksi. Ato çaste kur pushoni, ndani sekretet e vogla, qeshni, janë ato që mbeten./K.M

17:30 “Rama i shkoi në dasmën e vajzës, Balluku i përdori shtëpinë e pushimit”, Çeno: Ergys Agasi ka aksione dhe gjobit investitorët

By: Klara
26 December 2025 at 17:30

Enri Çeno, Sekretar i Marrëdhënieve me Jashtë në Partinë Demokratike ka zbuluar lidhjen e kompanisë “KAYO” me një nga bashkëpunëtorët më të afërt të kryeministrit Edi Rama, çka sipas tij ka ndikuar edhe në marrëveshjen për prodhimin e armatimeve.

Çeno u shpreh se një shtetas hebre, me të cilin kryeministri Edi Rama dhe zëvendës kryeministrja Belinda Balluku kanë shumë miqësi, ka ndikuar edhe në prishjen fillestare të marrëdhënieve mes Ramës dhe SHBA.

“Kur siguria kibernetike i lihet në dorë një grupi kriminal, shteti ka rënë. SHBA kam, informacion, sepse flitet deri tani për Agasin që cilësohet si kordinator i krimit të organizuar nga Ahmetaj, por Rama dhe qeveria ka një koordinator tjetër për të cilin nuk flitet askund. Kordinator i Investitorëve strategjik, përfaqësues i komunitetit hebre, Ron Yeffet, I cili ka pasaportë amerikane dhe shqiptare të fundi. Është ky personazh që ka mbajtur marrëdhëniet ndërkombëtare dhe me investimet e huaja. Janë marrëveshjet tij me Ramën që krijuan edhe përplasjet e para me institucionet amerikane. Në bashkëpunim me institucionet e reja në Ministrinë e Mbrojtjes, bëri atë që u bë me prodhimin e armatimeve, që lidhet drejtë për drejtë me ju. Këto kanë aksione në kompaninë KAYO. Zotëria me grupin e interesit të tij, kanë nisur të gjobisin edhe investitorët e tjerë, investitorë të mëdhenj europianë dhe amerikanë. Në fushën e Investimeve strategjike bënte atë që bën Agasi. Afërsia e tij me Ramën është e tejskajshme. Rama rrinte në shtëpinë e tij në New York, i ka shkuar në dasmën e vajzës dhe funeralin e babait. Balluku ka ndenjur në shtëpinë e tij të pushimit. Është përgjuar biseda e tij me Ramën nga shërbimet izraelite dhe amerikane. Në 2026 do jetë një vit shumë problematik, Rama duhet të ndjehet I rrezikuar”, tha ai.

11:00 Një dekadë Winnie-the-Pooh

By: Klara
26 December 2025 at 11:00

Krishtlindjet e këtij viti shënojnë 100-vjetorin e shfaqjes së parë të Winnie-the-Pooh, një prej personazheve më të njohura dhe më të dashura për fëmijë në mbarë botën.

Ariu i famshëm u shfaq për herë të parë më 24 dhjetor 1925, në tregimin e shkurtër The Wrong Sort of Bees, të botuar në gazetën London Evening News. Më pas, Winnie-the-Pooh u kthye në një ikonë të letërsisë për fëmijë, së bashku me personazhe si Tigri, Christopher Robin dhe loja e njohur “Pooh sticks”.

Ngjarjet e librave janë vendosur në pyllin imagjinar “100 Aker Wood”, i cili bazohet në Ashdown Forest, në East Sussex të Anglisë, një zonë natyrore e mbrojtur dhe me rëndësi të veçantë peizazhore. Autori A.A. Milne kishte shtëpinë e tij të pushimit pranë këtij pylli, ku edhe u frymëzua për krijimin e tregimeve.

Libri Winnie-the-Pooh u botua në vitin 1926, ndërsa vazhdimi The House at Pooh Corner në vitin 1928. Po ashtu, Milne botoi edhe dy libra me poezi me personazhet e njohura.

Fama e Pooh vazhdon të ketë ndikim të drejtpërdrejtë ekonomik në zonë. Autoritetet lokale kanë ndarë rreth 450 mijë paund nga fondet publike për organizimin e aktiviteteve përkujtimore me rastin e 100-vjetorit.

Një nga pikat më të vizituara është ura e famshme “Pooh Sticks”, e cila u rindërtua në fund të viteve 1990 për arsye sigurie. Ura origjinale u shit në ankand në vitin 2021 për 131 mijë paund. Ndërkohë, popullariteti i personazhit u rrit edhe më shumë pasi kompania Disney bleu të drejtat e tregimeve në vitin 1961.

Që prej vitit 1978, “Pooh Corner”, një dyqan suveniresh dhe sallon çaji pranë urës, është kthyer në një destinacion të rëndësishëm turistik. Pronari i tij shprehet se vizitorë nga e gjithë bota udhëtojnë drejt zonës për të festuar trashëgiminë e Winnie-the-Pooh.

Po ashtu, që nga viti 2018, organizohen ture të udhëzuara nëpër Ashdown Forest, ku shumica e pjesëmarrësve vijnë nga jashtë Mbretërisë së Bashkuar, kryesisht nga Amerika e Veriut.

Në kuadër të 100-vjetorit, në Ashdown Forest pritet të realizohet një instalacion artistik që do ta shndërrojë qendrën e vizitorëve në një libër të animuar në përmasa reale, si dhe të hapen shtigje të reja ecjeje, të projektuara për të respektuar zonat e mbrojtura natyrore./K.M

10:50 “Akt i paprecedentë!”, BIRN: Si u zhduk koleksioni 1 mln euro me 900 shishe vere i Ergys Agasit

By: Klara
26 December 2025 at 10:50

Në një akt të paprecedentë, një koleksion me 900 shishe verë ekskluzive me vlerë rreth 1 milion euro në pronësi të Ergys Agasit u zhduk pa asnjë gjurmë, ndonëse ishte bllokuar nga hetuesit e BKH-së dhe Drejtoria e Hetimit Doganor.

Foto ilustruese nga Pixabay.

Mes kodrave të gjelbëruara të Mulletit, rreth 13 kilometra larg qendrës së Tiranës, “Equos Resort” reklamon shërbime luksi, mes të cilave një klub hipizmi, xhiro me kuaj apo sporte ujore për stinët e nxehta të vitit.

Por koleksioni më i vlefshëm fshihej në një qilar brenda resortit.

Pas shpalljes në kërkim të Ergys Agasit për akuzat e krijimit të një grupi të strukturuar kriminal me qëllim manipulimin e tenderave të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, AKSHI, oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit bllokuan një koleksion të shtrenjtë me 900 shishe verë të markave ekskluzive në një vilë 2-katëshe brenda resortit, e identifikuar si pronë e Agasit.

Por koleksioni i verërave u zhduk në mënyrë të paprecedentë, pasi ishte bllokuar nga oficerët e BKH-së dhe Drejtoria e Hetimit Doganor.

Një burim në dijeni të kontrollit i tha BIRN se një pjesë e koleksionit të verërave në pronësi të Agasit daton gati një shekull më parë, me tapa të dyllosura në vitet 1922, 1923 dhe 1940, të gjitha të pajisura me certifikatë origjine. Koleksioni kishte si origjinë Francën dhe Italinë dhe ishte futur kontrabandë në Shqipëri.

Sipas SPAK, koleksioni u zbulua gjatë kontrolleve për ekzekutimin e masës së sigurisë “arrest me burg” ndaj Ergys Agasit, e lëshuar nga Gjykata e Posaçme më 15 dhjetor. Hetuesit e BKH-së vlerësuan gjithsesi se koleksioni i verës nuk bënte pjesë në kompetencën lëndore të Strukturës së Posaçme dhe njoftuan Drejtorinë e Hetimit Doganor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave që të kryente procedurat përkatëse për mallrat e futura kontrabandë.

“Kemi ndjekur praktikën e rasteve të ngjashme, pasi kur konstatohet një vepër penale e dyshuar që nuk është kompetencë e Strukturës së Posaçme, njoftohen institucionet kompetente për kryerjen e veprimeve të mëtejshme,” tha një burim i SPAK në kushtet e anonimatit.

Drejtoria e Hetimit Doganor ka kryer inventarin dhe ka arritur në përfundimin se koleksioni i verërave të Agasit kishte një vlerë prej rreth 1 milion eurosh, ndërkohë që shmangia e detyrimeve doganore kapte vlerën e rreth 300 mijë eurove. Nga vlerësimi sipas çmimeve të referencës dhe atyre të tregut, është konkluduar se ka pasur shishe vere që e kalonin vlerën e 30 mijë eurove, ndërsa më e lira është vlerësuar rreth 350 euro.

Pasi ka kryer inventarin, drejtoria e Hetimit Doganor nuk e ka transportuar koleksionin në magazinat doganore me pretendimin se nuk kishin hapësirë për produkte ushqimore. Në pritje të gjetjes së hapësirës, ata kanë mbajtur një procesverbal për bllokimin e mallit, i cili është nënshkruar nga djalit të xhaxhait të Agasit, Eno Agasi, dhe janë larguar.

Kur janë rikthyer të nesërmen për të rimarrë verën, punonjësit e Hetimit Doganor e kanë gjetur qilarin bosh. Doganat e referuan çështjen në Prokurorinë e Tiranës, kur 900 shishet e verës ishin zhdukur pa asnjë gjurmë.

I pyetur nga BIRN, drejtori i Hetimit Doganor, Dorian Doka i shmangu komentet për përgjegjësitë, duke thënë se çështja është në hetim.

Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedimin penal për katër vepra penale ndaj Eno Agasit, ndërkohë që gjykata ka caktuar ndaj tij masën e “arrestit me burg” në mungesë. Ai po hetohet për “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”; “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës”; “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë”; “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Sipas Prokurorisë së Tiranës, zhdukja e verës ka qenë e mirëorganizuar, pasi nga hetimet ka rezultuar që autorët të jenë kujdesur të zhdukin edhe gjurmët. Autorët kanë zhdukur gjithashtu të gjitha kamerat e sigurisë që gjendeshin në “Equos Resort” si dhe ato që e lidhnin resortin me autostradën Tiranë-Elbasan.

Koleksioni prej 1 milion eurosh i verërave të Ergys Agasit konsiderohet prej hetuesve një investim.

“Nuk është zotëruar për konsum, por ka qenë një koleksion i krijuar për investim, pasi i rritet vlera. Po ashtu, mund të jetë përdorur në vend të shkëmbimeve valutore,” tha një burim në afërsi të hetimit.

Sipas Prokurorisë së Tiranës, në vijim të hetimeve dhe provave të reja që do të gjenden, do të vlerësohet nëse çështja do të përmbyllet aty, apo do të kalohet për kompetencë pranë Prokurorisë së Posaçme./BIRN/K.M

10:00 Getat e bardha, tendenca surprizë që po pushton dimrin (lifestyle)

By: Klara
26 December 2025 at 10:00

Nëse u habitët kur getat e bardha u shfaqën në listën e tendencave të sezonit, përgatituni të mahniteni, sepse ato po rikthehen fuqishëm dhe për to po flitet më shumë gjatë këtij sezoni festiv. Arsyeja është e thjeshtë: getat e bardha me dantellë krijojnë një atmosferë krejtësisht të re; të butë, unike dhe paksa të papritur në mes të dimrit.

Në një sezon të dominuar nga ngjyrat e errëta dhe teksturat e rënda, getat e bardha sjellin freski dhe elegancë. Ato kanë fuqinë të transformojnë menjëherë një veshje, duke i dhënë një këndvështrim të ri, që funksionon po aq bukur si me fustane sateni apo slip dress, ashtu edhe me pulovra oversize dhe pallto voluminoze.

Getat e bardha, tendenca surprizë që po pushton dimrin

Si t’i stiloni getat e bardha këtë dimër?

 

 

Getat e bardha, tendenca surprizë që po pushton dimrin

Me fustane të thjeshta

Kombinojini me fustane slip, mini apo me prerje të pastra për të krijuar kontrast mes minimalizmit dhe romantizmit. Getat e bardha i japin menjëherë një prekje delikate dhe fashion pamjes suaj.

Getat e bardha, tendenca surprizë që po pushton dimrin

Me triko dhe pulovra oversize

Një pulovër e gjatë, një fund i shkurtër ose pantallona të shkurtra dimërore dhe geta të bardha krijojnë një look modern, komod dhe shumë aktual.

Getat e bardha, tendenca surprizë që po pushton dimrin

Me këpucë klasike ose bazike

Mary Jane, loafers, balerina apo çizme të shkurtra janë zgjedhje perfekte. Nëse dëshironi një pamje më të guximshme, zgjidhni këpucë të zeza për kontrast maksimal.

Getat e bardha, tendenca surprizë që po pushton dimrin

Me shtresa dhe pallto voluminoze

Palltot e gjata, trench-et ose xhaketat e gjata e balancojnë butësinë e getave të bardha dhe e bëjnë veshjen më urbane.

Getat e bardha, tendenca surprizë që po pushton dimrin

Një nuancë neutrale

Getat e bardha duken më elegante kur shoqërohen me ngjyra si bezhë, gri, krem apo e zezë. Kjo i lejon këtij detaji të spikatë pa e mbingarkuar pamjen.

Getat e bardha, tendenca surprizë që po pushton dimrin

Getat e bardha, tendenca surprizë që po pushton dimrin

Getat e bardha me dantellë nuk janë thjesht një aksesor romantik. Ato janë një deklaratë stili që sfidon pritshmëritë e modës së dimrit. Të guximshme, elegante dhe të papritura, ato tregojnë se edhe detajet më delikate mund të bëhen pika kyçe e një veshjeje unike./K.M

Getat e bardha, tendenca surprizë që po pushton dimrin

09:50 Dalina Buzi tërhiqet nga “The Dalina Show”: Si do të jetë vazhdimësia e programit?

By: Klara
26 December 2025 at 09:50

Episodi i fundit i “The Dalina Show” në Andale Media për vitin 2025, ishte dhe episodi i fundit i programit siç e kemi ndjekur deri më tani, lajmëroi Dalina Buzi, autorja e programit. Në hyrje të programit, Dalina shpjegoi me një monolog arsyet për këtë vendimmarrje dhe zbuloi se cila do të jetë vazhdimësia e tij:

“Të dashur miq dhe ndjekës besnikë të “The Dalina Show”, sonte teksa nisim episodin e fundit për vitin 2025, dua të ndaj me ju një vendim të rëndësishëm. Një vendim që nuk ka qenë i lehtë sepse ky program ka qenë një pjesë shumë personale e jetës time.

Për ata që nuk e dinë, unë jam bashkëthemeluese dhe CEO e Ándale Media. Kjo do të thotë që unë kam përgjegjësinë dhe fjalën e fundit për gjithçka që shihni dhe do të shihni në këtë platformë. Kjo përgjegjësi kërkon vizion, punë të përditshme, gabime, korrigjime dhe fokus të plotë.

Është e rrallë që një drejtues i një medie me kaq shumë prodhime të jetë njëkohësisht edhe krijues, edhe moderator. Gjatë këtij viti unë kam drejtuar mbi 50 episode të “The Dalina Show”, kam dëgjuar qindra histori dhe bashkë me kryeredaktoren e programit, Elona Jaçellarin, dhe Jonën kemi kaluar orë të tëra duke krijuar një hapësirë ku njerëzit të ndihen realisht të dëgjuar.

E krijova “Seancën e Parë” për t’u thënë shqiptarëve që ekziston një vend në media ku historitë nuk përdoren, nuk trajtohen sipërfaqësisht dhe ku e vërteta ka vend edhe kur nuk duartrokitet.

Shpesh kam dalë nga kjo studio më e lodhur, por edhe më e pasur si njeri. Sot po tërhiqem nga ky program jo sepse po largohem nga njerëzit, por sepse po largohem nga një rol që e kam jetuar deri në fund.

Viti i dytë i Ándale kërkon fokusin tim të plotë si CEO, prapa skene, për të ndërtuar struktura, institucione dhe vazhdimësi.

“Seanca e Parë” nuk ka më nevojë për mua, Jona është zëri profesionist që ju duhet dhe Elona do të vazhdojë ta udhëheqë këtë format me të njëjtin integritet.

Ju më keni dhënë besimin tuaj dhe këtë nuk e kam marrë kurrë si të mirëqenë, unë do të jem këtu duke punuar që Ándale të sjellë edhe më shumë prodhime me kuptim.

Udhëtimi ynë i përbashkët nuk mbyllet këtu, ai sa po hyn në një fazë tjetër.

Ju faleminderit nga zemra. Ju dua dhe gëzuar festat!”

Pra, “The Dalina Show” do të transformohet në “Seanca e Parë”, ajo pjesë e programit që gjithmonë ka ekzistuar, thjesht tani do të moderohet prej Elona Jaçellarit, gazetare me mbi 20 vite eksperiencë në media, e cila ka shërbyer dhe si kryeredaktorja e emisionit deri më tani. Si gjithmonë, terapia e njerëzve që vijnë me besim për historitë e tyre në studio do të kryhet dhe me psikologen Jonarda Kërkuti, themeluese e platformës Psikologu Online. Me këto ndryshime tashmë të zbuluara, “Seanca e Parë” nis sezonin e ri në vitin 2026, deri në një lajmërim të dytë.

09:40 Po ktheheshin nga një festë Krishtlindjesh/ Familja shuhet në aksidentin tragjik, mbijeton vetëm një 3-vjeçar

By: Klara
26 December 2025 at 09:40

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Teksas të SHBA-së, ku automjeti me të cilin udhëtonte një familje me katër anëtarë u përplas nga një makinë që drejtohej nga një person i dehur.

Aksidenti tragjik ka ndodhur në një autostradë të Teksasit teksa familja po ktheheshin nga një festë Krishtlindjesh. Nga përplasja e fuqishme humbën jetën, çifti i bashkëshortëve, vajza e tyre 5-vjeçare, ndërsa i vetmi i mbijetuar ishte djali 3-vjeçar.

Sipas policisë, aksidenti u shkaktua nga një 27-vjeçare, e cila ishte nën ndikimin e alkoolit kur përfundoi me automjetin e saj në korsinë e gabuar. Menjëherë pas aksidentit ajo u arrestua nga autoritetet.

Sipas raportimeve, djali i mitur ndodhet në spital dhe pritet t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale për të trajtuar plagët e tij./K.M

09:30 VIDEO/ Skena apokaliptike në Kaliforni nga stuhitë e reja

By: Klara
26 December 2025 at 09:30

Kalifornia është goditur e fuqishme ditën e Krishtlindjeve, ndërsa shteti po përpiqet të rikuperojë dëmet shkaktuar nga shirat shkatërrues dhe rrëshqitjet e dheut në zonat malore.

Moti i keq shkaktoi probleme serioze, duke përfshirë ndërprerje të energjisë elektrike dhe valë të larta përgjatë bregdetit.

Në qytetin malor të Wrightwood, autoritetet lëshuan një paralajmërim për evakuim pasi vetëm një ditë më parë kishin shpëtuar njerëz të bllokuar në makina për shkak të një rrëshqitjeje dheu.

 

Severe flooding in Southern California shut down major highways, including I-15, leaving holiday travelers stuck for miles as floodwaters and mud overtake roads and bridges. . pic.twitter.com/LrTEHF6Pno

— AccuWeather (@accuweather) December 25, 2025

Zona pa rrugë të mbushura me baltë, shkëmbinj dhe mbeturina, me banorët e detyruar të strehoheshin në kafene dhe stacione benzine që punonin me gjeneratorë, ishin imazhet që bënë xhiron e rrjetit.

Wrightwood, California is seeing MASIVE debris flows.

Hwy 2 is completely blocked pic.twitter.com/1aWwxDJfmZ

— Kevin Dalton (@TheKevinDalton) December 24, 2025

Gjatë javës, shumë zona të Kalifornisë do të marrin 10 deri në 20 centimetra shi, mbi mesataren normale. Në të njëjtën kohë, priten reshje të dendura dëbore dhe një rrezik i lartë orteqesh në rajonet malore dhe në Sierra Nevada./K.M

09:20 SHBA/ Më i madhi në historinë e Powerball në Arkansas, fituesi rrëmben çmimin e madh prej 1.8 miliardë dollarësh për Krishtlindje

By: Klara
26 December 2025 at 09:20

Një lojtar në Arkansas ka fituar çmimin e dytë më të madh të Powerball, një total prej 1.817 miliardë dollarësh (1.34 miliardë paund), duke u bërë fituesi i një lotarie të mrekullueshme në ditën e Krishtlindjes.

Ky është vetëm çmimi i dytë më i madh në historinë e Powerball, dhe ai shënon një ngjarje të rëndësishme për këtë shtet, pasi është hera e dytë që një biletë fituese është shitur në Arkansas.

Bileta fituese përputhej me të gjashtë numrat e tërhequr: 4, 25, 31, 52, 59 dhe Powerball-in e kuq 19. Fituesi ka mundësinë të zgjedhë një pagesë të njëhershme prej 834.9 milionë dollarësh, një shumë marramendëse që mund të ndryshojë jetën e çdo individi.

Ky xhekpot i jashtëzakonshëm është vetëm një hap pas çmimit rekord të Powerball të vitit 2022, kur një fitues në Altadena, Kaliforni, mori 2.04 miliardë dollarë. Shanset për të fituar çmimin e madh të Powerball janë 1 në 292.2 milion, duke e bërë këtë një arritje të jashtëzakonshme për çdo fitues.

Për të fituar xhekpotin, një lojtar duhet të përputhë të pesë topat e bardhë dhe Powerball-in e kuq të tërhequr në një short të vetëm. Biletat për këtë lojë kushtojnë 2 dollarë secila dhe janë të disponueshme në 45 shtete të SHBA-së, përfshirë edhe Uashingtonin dhe territoret amerikane si Porto Riko./K.M

09:10 Greqia e ‘paralizuar’ nga protestat, aksi Kakavijë-Janinë i pakalueshëm nga ora 18:00-21:00

By: Klara
26 December 2025 at 09:10

Për shkak të protestës që zhvillojnë fermerët në Greqi, aksi rrugor Kakavijë-Janinë nuk do të jetë funksional për qarkullimin e automjeteve nga ora 18:00 deri në orën 21:00 (me orën shqiptare).

Policia e kufitare e Kakavijës bën me dije se do të lejohet vetëm qarkullimi i mjeteve për emergjenca shëndetësore.

“Policia Kufitare Kakavijë, nëpërmjet qendrës së përbashkët të shkëmbimit të informacionit Kakavijë, është njoftuar nga Policia Kufitare Greke se ditën e sotme, nga ora 19:00 deri në orën 22:00 (me orën greke), aksi rrugor Kakavijë-Janinë, në kryqëzimin e fshatit Kallpaq, do të jetë i bllokuar për shkak të protestës që do të zhvillojnë fermerët. Do të lejohen të qarkullojnë vetëm automjetet që do të kenë emergjenca shëndetësore”, njoftoi sot policia.

Policia Kufitare Kakavijë kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe sugjeron planifikimin e udhëtimeve me automjete, në orare të tjera të ditës.

Greqia është “paralizuar” prej katër javësh nga protestat e fermerëve, të cilët kanë bllokuar akset kombëtare për vonesat me dhënien e subvencioneve të BE-së pas një skandali korrupsioni.

Ata janë të vendosur të vazhdojnë dhe të intensifikojnë protestat e tyre nëse kërkesat nuk u plotësohen nga qeveria./K.M

09:00 Birra mbeti stok gjatë sezonit turistik, në shtator-nëntor prodhimi ra me 11%

By: Klara
26 December 2025 at 09:00

Last Updated on 26/12/2025 by Klara

Prodhuesit vendas ende nuk po arrijnë të ulin stokun e birrës të grumbulluar gjatë stinës së verës, për shkak të pritshmërive për rritje konsumi nga turizmi.

Stoqet e grumbulluar ndikuan në rënien e prodhimit për muajt shtator -nëntor 2025. Sipas të dhënave të Doganave për këtë periudhë prodhimi ra 11% krahasuar me muajt shtator-nëntor 2024.

Ndërsa për 11 mujorin 2025 sipas të dhënave të Doganave u prodhua një sasi prej  37,7 mln litra birrë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, prodhimi është rritur 8%,  duke qëndruar në nivelet më të larta pas periudhës së pandemisë së Covid-19.

Për shkak të pritshmërive për shtim të kërkesës gjatë sezonit turistik gjatë muajve të verës operatorët kryesorë pohuan se rritën gati 10% prodhimin, për shkak të parashikimeve optimiste për shtim konsumi nga turizmi.

Rritja më e lartë e prodhimit rezulton se ka qenë në muajin korrik 2025. Sipas të dhënave të Doganave për muajin korrik u prodhuan 6,1 mln litra birra apo 35% më shumë se muaji korrik 2024.

Megjithëse disa nga fabrikat më të mëdha rritën prodhimin në muajt e verës, pas përfundimit të sezonit turistik operatorët raportuan se pjesa më e madhe e birrës u magazinua, pasi rritja e pritshme e konsumit nga turizmi nuk është realizuar. Operatorët pohuan se për sezonin turistik dominuan turistët low cost , që më tepër konsumonin në ambientet me qira sesa në bare dhe restorante.

Sipas prodhuesve janë edhe disa faktorë të tjerë ndikojnë në pengimin e rritjes së konsumit të birrës vendase, që nga Akciza e aplikuar për prodhimin vendas që prej 2023 është e barabartë me akcizën e shoqërive importuese; Çmime konkurruese nga birrat e importit, si pasojë presion konkurrues mbi çmimet; Ulja e konsumit të pijeve alkoolike në tërësi në ambientet familjare dhe konsumi i tyre kryesisht në bare dhe restorante, ku çmimet e ofruara janë të larta (çmimi mesatar për shishe 0.33 l ose kanaçe 0.5 l në dyqan është 80–120 lekë, ndërsa në bare dhe restorante 200–350 lekë).

Ndërsa importet e birrës vijojnë të jenë me rënie, e cila nisi që në muajin korrik 2025 sipas të dhënave të Doganave.

Për periudhën janar-nëntor është importuar një sasi prej 51,6 mln litra birrë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të 2024-s importet kanë rënë 4.3%.

Drejtues të një prej kompanive importuese të birrës në vend pohuan më herët se gjatë muajve të verës hasën rënie të konsumit, e ndikuar nga disa faktorë përfshirë numrin më të ulët të turistëve për sezonin 2025 në raport me sezonin e kaluar, abuzimi me çmimet e shitjes së birrës së importit në zonat bregdetare përgjatë stinës së verës, si dhe me aksionet e nisura nga qeveria në muajt e verës për lirimin e hapësirave publike.

Aksioni për lirimin e hapësirave që nisi në muajt e verës u shoqërua me heqjen e tendave të shumë bare dhe restoranteve në vend.

Por pavarësisht rënies së tyre dhe shtimit të prodhimit të ndikuara nga tendencat e konsumit, importet vijuan të zënë peshën kryesore të tregut në vend. Për janar -nëntor 2025 pesha e tyre arriti 58% kundrejt peshës prej 42% që zuri prodhimi vendas./K.M

08:00 SHBA-të sulme vdekjeprurëse kundër Shtetit Islamik në Nigeri,Trump: Ata kanë vrarë krishterë të pafajshëm

By: Klara
26 December 2025 at 08:00

Presidenti Donald Trump njoftoi se SHBA-të nisën një “sulm të fuqishëm dhe vdekjeprurës” kundër grupit Shteti Islamik (ISIS) në Nigerinë veriperëndimore.

Udhëheqësi amerikan e përshkroi ISIS-in si “llum terroristësh”, duke e akuzuar grupin për “shënjestërimin dhe vrasjen mizore, kryesisht, të të krishterëve të pafajshëm”.

Trump tha se ushtria amerikane “ekzekutoi sulme të shumta perfekte”, ndërsa Komanda Amerikane e Afrikës (Africom) raportoi më vonë se sulmi i së enjtes u krye në koordinim me Nigerinë në shtetin Sokoto.

Në postimin e tij në Truth Social, Trump theksoi se “nën udhëheqjen time, vendi ynë nuk do të lejojë që terrorizmi radikal islamik të lulëzojë”.

Në nëntor, Trump urdhëroi ushtrinë amerikane të përgatitej për veprime në Nigeri për të luftuar grupet militante islamike. Ai nuk tha në atë kohë se për cilat vrasje po i referohej – por pretendimet për një gjenocid kundër të krishterëve të Nigerisë kanë qarkulluar muajt e fundit në disa qarqe të krahut të djathtë në SHBA.

Ndërkohë, Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, tha të enjten se ishte “mirënjohës për mbështetjen dhe bashkëpunimin e qeverisë nigeriane”.

Ministria e jashtme nigeriane tha në një deklaratë se autoritetet e vendit “mbeten të angazhuara në bashkëpunim të strukturuar të sigurisë me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në adresimin e kërcënimit të vazhdueshëm të ekstremizmit terrorist dhe të dhunshëm”.

“Kjo ka çuar në goditje precize ndaj objektivave terroriste në Nigeri nga sulmet ajrore në Veriperëndim”, thuhet në deklaratë.

Sipas organizatave kundër dhunës thuhet se nuk ka prova që sugjerojnë se të krishterët po vriten më shumë sesa myslimanët në Nigeri, e cila është e ndarë përafërsisht në mënyrë të barabartë midis predikuesve të dy feve.

Javën e kaluar, SHBA-të kryen një “sulm masiv” kundër ISIS-it në Siri. Komanda Qendrore e SHBA-së (Centcom) tha se avionët luftarakë, helikopterët sulmues dhe artileria “goditën më shumë se 70 objektiva në vende të shumta në të gjithë Sirinë qendrore”. Në sulm u përfshinë edhe avionë nga Jordania./K.M

07:50 Pesë shtetet ku Krishtlindja është e ndaluar

By: Klara
26 December 2025 at 07:50

Derisa në shumicën e vendeve të botës 25 dhjetori është ditë feste, në disa të tjera është një ditë e zakonshme. Ka disa shtete ku Krishtlindja nuk festohet si festë zyrtare, dhe arsyet për këtë lidhen shpesh me kulturën ose fenë.

Pesë shtetet ku nuk festohet Krishtlindja:

Koreja e Veriut

Nuk ka vend për festa fetare si Krishtlindja në Korenë e Veriut. Ideologjia totalitare e shtetit nuk toleron fenë sepse e sheh si konkurrencë ndaj pushtetit shtetëror dhe kultit të personalitetit që është ndërtuar rreth dinastisë Kim prej vitesh, raportoi Index.

Çdo formë e festimit të Krishtlindjes mund të rezultojë në burgim ose ndëshkime të tjera.

Në vend të festave fetare, kalendari shtetëror është i mbushur me data kur festohet lidershipi dhe historia e regjimit. Ngjarja më e rëndësishme dimërore është përvjetori i lindjes së Kim Jong-il.

Arabia Saudite 

Si vendlindje e islamit, Arabia Saudite ka një qëndrim të qartë për Krishtlindjen: nuk është në pajtueshmëri me doktrinën islame. Për vite, dekorimet publike, bredhat e Krishtlindjes, apo çdo festim i dukshëm është i ndaluar rreptësisht, dhe festimet janë të kufizuara në hapësira private.

Në vitet e fundit, ka pasur disa ndryshime të vogla, më shumë për shkak të përpjekjes për hapje ndaj turizmit. Në disa hotele luksoze dhe qendra tregtare dekorime modeste “sezonale” mund të shihen – por pa simbole fetare.

Brunei

Brunei zbaton një version të rreptë të Sheriatit që vendos për hapësirën publike. Edhe pse ata që nuk janë myslimanë lejohen ta festojnë Krishtlindjen në privatësi, gjithçka që mund të duket si “promovim i një feje tjetër” mes myslimanëve konsiderohet e ndaluar.

Bredhi, dritat apo vetëm një kapele babadimri mund të rezultojë me gjobë. Madje autoritetet kanë paralajmëruar qytetarët që të përmbahen nga urimet për Krishtlindje në publik.

Somalia

Somalia, një shtet me shumicë myslimane dhe situatë komplekse të sigurisë, shkon një hap më tutje: Krishtlindja është komplet e ndaluar.

Arsyet janë për shkak të identitetit fetar dhe për siguri – autoritetet besojnë se festimi në publik mund të nxisë tensione dhe reagime nga grupet ekstremiste.

Shteti ndalon dekorimet në publik, tubimet apo edhe frazat “Urime Krishtlindja”. Fokusi është te festat islame.

Taxhikistani

Taxhikistani nuk e ka ndaluar zyrtarisht Krishtlindjen, por autoritetet vazhdimisht i dekurajojnë njerëzit kundër festimit. Është pjesë e një politike më të gjerë për kufizimin e kulturave të huaja dhe ndikimit fetar, ndërsa synon forcimin e identitetit kombëtar.

Autoritetet këshillojnë shkollat dhe bizneset kundër dekorimeve apo festimeve, dhe shitja e bredhave apo dekorimeve është e ndaluar/K.M

07:40 FMN: Emigrimi i lartë, mungesë besimi te perspektiva ekonomike

By: Klara
26 December 2025 at 07:40

Nëse integrimi në BE do të ndodhë pa rritur cilësinë e ekonomisë dhe të vlerës së punës në Shqipëri, emigrimi do të përforcohet më shumë lajmëroi Fondi Monetar e Ndërkombëtar në rishikimin e fundit të Marrëveshjes me Shqipërinë.

Fondi vuri në dukje se Shqipëria ka përqindjen më të lartë të individëve në Rajon që deklarojnë se kanë gjasa të emigrojnë në dekadën e ardhshme ose që synojnë të largohen brenda 12 muajve.

“Ky nivel i lartë i gatishmërisë për emigrim, krahasuar me vendet e tjera të Europës Qendrore dhe Lindore, sugjeron një mungesë besimi në perspektivat ekonomike dhe sociale në vend, si dhe dobësi të tregut të punës për të ofruar mundësi cilësore dhe të qëndrueshme”, referoi FMN.

Në të kundërt duke rritur vlerën e punës, integrimi i vendit tonë në BE do të sillte rritje të fortë të prodhimit për frymë dhe ulje të papunësisë, e për rrjedhojë do të zbuste valën e emigrimit, sugjeron Fondi.

Të ardhurat për frymë në Shqipëri janë sa 34% e mesatares së BE-së, një hendek shumë i thellë. Sipas Fondit Shqipëria përveç hendekut në të ardhura shfaq një prapambetje strukturore, që nuk lidhet vetëm me nivelin e investimeve, por edhe me efikasitetin e përdorimit të punës dhe kapitalit.  Kjo tregon se rritja ekonomike ka qenë më tepër e bazuar në faktorë sasiorë sesa në përmirësim real të produktivitetit.

Sipas FMN zhvillimet demografike në vend me emigrim të fortë te të rinjve dhe rënien të forcës së punës janë duke ndikuar negativisht perspektiven ekonomike të vendit.

Shqipëria ka përjetuar një rënie të ndjeshme të popullsisë në moshë pune, çka reflekton tkurrjen demografike dhe emigracionin masiv. Në krahasim me disa vende të tjera të rajonit, rënia popullsisë në Shqipëri është më e theksuar, duke sinjalizuar presion të vazhdueshëm mbi ofertën e punës dhe potencialin afatgjatë të rritjes ekonomike.

Shqipëria ka prodhim për orë pune dukshëm më të ulët se mesatarja e BE-së dhe e vendeve të Ballkanit Perëndimor, ndërkohë që informaliteti mbetet i lartë. Edhe pse normat e punësimit dhe pjesëmarrjes në forcën e punës janë përmirësuar në vitet e fundit, ato nuk përkthehen në produktivitet të lartë, ndërsa përqindja e të rinjve as në punë dhe as në shkollë mbetet problematike. Kjo tregon se ekonomia po krijon vende pune, por jo vende pune me vlerë të shtuar të lartë.

Pagat më të larta në vendet e BE-së përbëjnë një faktor të fortë tërheqës, duke qenë se Shqipëria renditet  me nivelin më të ulët të pagave ndër vendet Europiane. Hendeku më i madh i pagave vërehet te punonjësit me arsim të lartë, ku pagat janë mbi trefish më të larta në ekonomitë e avancuara të BE-së dhe bëhen shkak për rritje të emigrimit. Anketat tregojnë se mangësitë në qeverisje dhe në sundimin e ligjit janë gjithashtu ndër nxitësit kryesorë të emigrimit, veçanërisht te punonjësit e kualifikuar.

Analizat e stafit e stafit të FMN tregojnë se një paketë gjithëpërfshirëse reformash që rrit produktivitetin është kyçe për përshpejtimin e rritjes ekonomike dhe zbutjen e efekteve negative të migracionit. Ndërsa përpjekjet e qeverisë për rritjen e pagave përmes rritjeve të përsëritura të pagës minimale mund të ofrojnë lehtësim afatshkurtër, ato nuk janë të qëndrueshme pa rritje përkatëse të produktivitetit. /K.M

07:30 Rusia, pro një pakti për sulmim të vendeve të NATO-s dhe të BE-së

By: Klara
26 December 2025 at 07:30

Rusia është e gatshme të nënshkruajë një dokument të përbashkët, ku angazhohet për mossulmim reciprok mes vendeve të NATO-s dhe të Bashkimit Evropian.

Kështu deklaroi zëdhënësja e ministrisë se Jashtme, Maria Zakharova, duke shtuar se forma specifike e këtij dokumenti mund të përcaktohet gjatë negociatave, por duhet të jetë një akt i plotë ligjor ndërkombëtar.

Sa i përket negociatave mbi planin e Trump, Zakharova tha se kanë përparim të ngadaltë, por të qëndrueshëm.

Ndërkohë, Volodymyr Zelensky bëri të ditur se ka zhvilluar bisedë telefonike me të dërguarin e SHBA-së Steve Witkoff dhe Jared Kushner për rreth një orë, për mënyrën e dhënies fund të luftës.

Sipas tij, ka disa ide të mira që mund të kontribuojnë në arritjen e një paqeje të qëndrueshme./K.M

07:21 “Në Shqipëri kalohet shumë bukur, ka shumë alternativa”/ Gazetari për festën e Krishtlindjes

By: Klara
26 December 2025 at 07:21

Last Updated on 26/12/2025 by Klara

Gazetari Artion Vreto në një dalje televizive, ka folur për festat e fundvitit dhe se si festojnë shqiptarët. Vreto tha se në Shqipëri kalohet shumë mirë për festa, duke qenë se ka ushqime shumë të mira. Gazetari u shpreh se në Shqipëri nëse zgjedh vendin e duhur dhe njerëzit e duhur kalohet bukur.

Në Shqipëri mendoj që kalohet shumë bukur. Festat e fundvitit kalohen shumë mirë, ka restorante shumë të mira, ushqime shumë të mira…Edhe çmimet mund të themi që ka mundësi shumë të mira dhe alternative. Kemi pije të mira. Sot ke mundësi dhe e përzgjedhje. Mendoj që edhe në Shqipëri, nëse zgjedh vendin e duhur njerëzit e duhur, kalohet shumë bukur. Unë Krishtlindjen e kam tradicionale dhe e bëj në shtëpi. Mblidhemi bashkë bëjmë një drekë të madhe, një verë e mirë një bisedë e mirë dhe një festë e mirë”, tha ai./K.M

07:10 Kursi i këmbimit, 26 dhjetor 2025

By: Klara
26 December 2025 at 07:10

Last Updated on 26/12/2025 by Klara

Këtë të premte, një dollar amerikan do të blihet me 81 lekë dhe shitet me 82.2 lekë.

Euro blihet me 95.7 lekë dhe do të shitet me 96.6 lekë.

Franga zvicerane blihet me 102.7 lekë dhe shitet me 103.7 lekë.

Paundi britanik blihet me 109.3 lekë dhe shitet me 110.4 lekë.

Dollari kanadez këmbehet me 59 lekë në blerje dhe me 60.3 lekë në shitje.

Për kursin e monedhave të tjera shihni tabelën e mëposhtme./K.M

Kursi i këmbimit, 26 dhjetor 2025

07:00 Teatri i Mariupolit do të rihapet me vënien në skenë të një përralle ruse

By: Klara
26 December 2025 at 07:00

Teatri i Dramës Mariupol, i shkatërruar nga një sulm ajror rus në vitin 2022, ndërsa qindra civilë po strehoheshin në bodrumin e tij, do të hapë dyert përsëri, me autoritetet ruse të pushtimit që e cilësuan rindërtimin si një shenjë ripërtëritjeje, ndërsa ish-aktorët në teatër e denoncuan rihapjen si “vallëzim mbi kocka”.

Kremlini e ka bërë rindërtimin e Mariupolit një kartëvizitë të sundimit të tij në Ukrainën e pushtuar , por mbikëqyrja e Moskës shoqërohet me arrestime ose dëbim të kritikëve, së bashku me sekuestrime pronash që u kanë zhveshur mijëra ukrainasve apartamentet që zotëronin ligjërisht.

Teatri i Dramës Mariupol do të rihapet deri në fund të muajit me një shfaqje të Lules së Kuqe, një përrallë ruse, pasi u rindërtua pothuajse nga e para gjatë dy viteve të fundit. “Teatri po rilind së bashku me Mariupolin. Klasikët rusë dhe sovjetikë janë rikthyer në skenë”, tha teatri në një deklaratë në lidhje me planet e tij për të ardhmen.

Evgeny Sosnovsky, një fotograf nga Mariupol i cili punoi gjerësisht me teatrin, por u zhvendos në Kiev pas pushtimit rus, tha: “Nuk mund të mendoj për ndonjë fjalë tjetër për këtë përveç cinizmit. Duhet të ketë një memorial në vend në kujtim të banorëve të Mariupolit që vdiqën gjatë pushtimit të qytetit nga Rusia, jo një vend argëtimi.”

Sulmi ndaj teatrit mbetet një nga incidentet më famëkeqe të luftës së Rusisë në Ukrainë, me ndërtesën që u shënjestrua pavarësisht faktit se në sheshin përpara saj ishte shkruar me shkronja të mëdha mbishkrimi “FËMIJË”. Të paktën një duzinë njerëzish është konfirmuar se kanë vdekur, por numri i vërtetë ka të ngjarë të jetë shumë më i lartë.

Rusia ka mohuar se ka goditur teatrin dhe ka pretenduar se dëmi është shkaktuar nga një shpërthim i shpërthyer brenda ndërtesës, por disa hetime të pavarura kanë sugjeruar se bombat ajrore ruse ishin përgjegjëse. Amnesty International arriti në përfundimin se shkatërrimi “ka të ngjarë të jetë shkaktuar nga forcat ruse që synojnë qëllimisht civilët ukrainas” dhe tha se sulmi duhet të hetohet si një krim lufte./K.M

❌
❌