Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 29 January 2026Main stream

Osmani tregon detaje për takimin me Trump: Roli i SHBA-së në paqen dhe sigurinë e Kosovës është i pazëvendësueshëm

29 January 2026 at 10:21


Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur për takimet dhe diskutimet që ka pasur me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, duke theksuar rëndësinë e rolit amerikan në ruajtjen e paqes, sigurisë dhe sovranitetit të Kosovës.

Në një intervistë për “Përballje Podcast”, Osmani tha se ka pasur disa diskutime me Trump që nga zgjedhja e tij, të fokusuara kryesisht në çështjet e sigurisë dhe stabilitetit rajonal.

“Kam pasur disa diskutime me Presidentin Trump nga momenti i zgjedhjes së tij. Një nga takimet kryesore është zhvilluar në Paris, në Pallatin Elize. Diskutimet kanë qenë të fokusuara në situatën e sigurisë dhe në nevojën që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të vazhdojnë të kenë rol lidershipi në mirëmbajtjen e paqes dhe sigurisë në rajonin tonë si dhe biseda në kuadër të takimeve në Kombet e Bashkuara ku kemi pasur një diskutim përmbajtjesor rreth rolit të Presidentit Trump për paqen, në vendin tonë, por edhe më gjerë, sepse rajoni ynë është i rëndësishëm për administratën amerikane”, tha Presidentja.

Osmani theksoi se roli i Shteteve të Bashkuara në Kosovë mbetet thelbësor dhe i pazëvendësueshëm, si në aspektin e sigurisë, ashtu edhe në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit.

“Roli i Amerikës në mirëmbajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë, në mbrojtjen e kufijve tanë së bashku me institucionet tona të sigurisë dhe në shtyrjen përpara të Kosovës me sovranitet të plotë dhe integritet territorial të plotë, është rol i pazëvendësueshëm,” theksoi ajo.


Presidentja sqaroi se diskutimet me Trump kanë qenë edhe të natyrës diskrete dhe se detajet do të bëhen publike në një periudhë tjetër.

“Këto janë diskutime diskrete dhe është mirë që, për hir të ecjes përpara të shtetit tonë dhe të relacionit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, detajet t'i themi në një moment tjetër”, tha Osmani.

Ajo theksoi se takimet me Presidentin amerikan janë zhvilluar në frymën e falënderimit për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së ndaj Kosovës.

“Ka qenë një diskutim falënderimi për rolin që Shtetet e Bashkuara po e luajnë për Kosovën dhe për përkrahjen e vazhdueshme që Amerika i jep shtetit tonë”, përfundoi Osmani. /Telegrafi/

Ekskluzive, Osmani: Rreshtimi me Amerikën në Bordin e Paqes forcon subjektivitetin dhe zërin ndërkombëtar të Kosovës

29 January 2026 at 09:57


Në një intervistë ekskluzive për “Përballje Podcast” në Telegrafi.com, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tregon çfarë do të thotë për Kosovën përfshirja në Bordin e Paqes të themeluar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe cilat janë obligimet, përgjegjësitë dhe përfitimet që mund t'i ketë.

Në këtë podcast, Osmani ka folur për takimin e saj me Presidentin Donald Trump, raportet strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe mundësitë për një diplomaci të re, përfshirë edhe angazhimin me shtetet që ende nuk e kanë njohur Kosovën.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vlerësuar përfshirjen e Kosovës në Bordin e Paqes si një nga zhvillimet më të rëndësishme të politikës së jashtme të vendit në vitet e fundit, duke theksuar se ky hap e fuqizon drejtpërdrejt subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.


“Anëtarësimi i Kosovës në secilën organizatë ndërkombëtare është lajm i mirë për vendin tonë, e në veçanti kur po flasim për një organizatë ndërkombëtarë që udhëhiqet nga aleati ynë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shteti kryesor që nëpërmjet ndihmës, bashkërendimit dhe udhëheqjes, lidershipit të vet ia ka bërë Kosovës të mundur lirinë, pavarësinë, demokracinë dhe paqen që e gëzojmë”, tha Osmani me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu.

Ajo tha se është krejtësisht i natyrshëm rreshtimi politik i Kosovës me aleatin e saj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës sa herë që ka nisma të tilla të rëndësishme ndërkombëtare.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në Përballje Podcast Foto: Ridvan Slivova

Osmani ka treguar detaje lidhur me ftesën për Kosovën si shtet themelues i kësaj organizate ndërkombëtare të themeluar nga SHBA me Presidentin Trump, çka sipas saj përbën një vlerësim të jashtëzakonshëm për shtetin dhe qytetarët e Kosovës.

“Kosova është vlerësuar nga ShBA. Ky është një vlerësim i jashtëzakonshëm i popullit tonë dhe i shtetit tonë si faktor i rëndësishëm për paqe dhe stabilitet, jo vetëm në rajon, por edhe përtej. Në anën tjetër, kjo fuqizon subjektivitetin e pozicionin ndërkombëtar të shtetit”.., deklaroi Osmani.

E para e shtetit sqaroi se pjesëmarrja në Bord i jep Kosovës mundësi të ketë zë të barabartë në vendimmarrjen ndërkombëtare, si dhe hap dyer të reja diplomatike, përfshirë edhe me shtete që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

“Na jep mundësi që të kemi zërin tonë të barabartë në tavolina të vendimmarrjes dhe në të njëjtën kohë na jep qasje te shumë shtete që ende nuk e kanë njohur Kosovën”, theksoi Presidentja.

Ajo shtoi se gjatë ceremonisë së themelimit të Bordit të Paqes ka pasur takime dhe komunikime të drejtpërdrejta me liderë të shumë shteteve, përfshirë edhe vende mos njohëse, të cilat, sipas saj, e kanë parë përfshirjen e Kosovës si një mesazh të fortë politik.

Presidentja sqaroi gjithashtu se anëtarësimi në këtë Bord nuk sjell obligime financiare të detyrueshme për Kosovën, pasi kontributet janë vullnetare dhe çdo angazhim i mëtejmë do të kalojë përmes Kuvendit.

Vjosa Osmani - Presidente e KosovësFoto: Ridvan Slivova

Osmani konfirmoi se marrëveshja do t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës për ratifikim sapo ky institucion të konstituohet, me qëllim që procesi të ketë legjitimitet të plotë kushtetues dhe politik.

Duke folur për mesazhin që kjo përfshirje dërgon në arenën ndërkombëtare, Osmani tha se anëtarësimi i Kosovës në Bordin e Paqes është një konfirmim i pathyeshmërisë së shtetësisë së Kosovës. /Telegrafi/

Yesterday — 28 January 2026Main stream

Ekskluzive: Vjosa Osmani flet për Bordin e Paqes dhe rëndësinë që ka për Kosovën

28 January 2026 at 16:25


Në një intervistë ekskluzive për “Përballje Podcast” në Telegrafi.com, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tregon çfarë do të thotë për Kosovën përfshirja në Bordin e Paqes dhe nëse kjo përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit dhe forcimit të pozitës së vendit në skenën globale.

Në këtë podcast, Osmani flet për takimin e saj me Presidentin Donald Trump, raportet strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe mundësitë për një diplomaci të re, përfshirë edhe angazhimin me shtetet që ende nuk e kanë njohur Kosovën.

Ajo shpjegon gjithashtu rolin dhe përgjegjësitë e Kosovës në kuadër të këtij bordi, si dhe procesin e miratimit që pritet të zhvillohet në Kuvendin e Kosovës.

Podcasti i plotë, së shpejti në Telegrafi.com

Before yesterdayMain stream

Shahini: Ne mund të mos jemi “gati” për edukim medial, por s’kemi kohë të presim

27 January 2026 at 14:53


Kosova mund të mos jetë “gati” për edukim medial nëse dëgjohen zërat skeptikë, por pritja vetëm do ta përkeqësonte situatën, ka vlerësuar Samir Shahini, drejtor i Drejtorisë së Arsimit në Komuna e Prishtinës.

“Çdo ndryshim në arsim përballet me rezistencë dhe skepticizëm, por kjo nuk duhet të jetë arsye për mosveprim”, tha Shahini në “Përballje Podcast”, duke theksuar se nxënësit sot kanë qasje të pakufizuar dhe shpesh të pakontrolluar në internet dhe rrjete sociale, madje edhe gjatë qëndrimit në shkollë.

Sipas tij, kjo situatë e bën edukimin medial urgjent dhe jo opsional, veçanërisht në kohën e dezinformimit dhe zhvillimeve të shpejta teknologjike.

- YouTube www.youtube.com

“Prishtina ka vendosur të mos presë nivelin qendror, duke pilotuar mësimin gjithëditor dhe përfshirjen e temave si inteligjenca artificiale dhe edukimi medial”, theksoi Shahini, duke shtuar se kryeqyteti duhet të shërbejë si model për komunat e tjera në Kosovë shkruan Telegrafi.

Aliu- Ahmeti: Fëmijët në Kosovë rrinë shumë në internet, të rrezikuar edhe nga dhuna online

27 January 2026 at 13:23


Fëmijët në Kosovë kalojnë mesatarisht mbi tri orë në ditë në media digjitale, kryesisht për argëtim, ndërsa përdorimi i teknologjisë për mësim dhe zhvillim mbetet i kufizuar.

Kështu ka deklaruar Blerta Aliu Ahmeti nga Iniciativa për Fuqizimin e Arsimit.

Sipas saj, fëmijët shpesh ekspozohen ndaj përmbajtjeve të papërshtatshme për moshën e tyre, ndërkohë që rastet e dhunës online, bullizmit digjital dhe sfidave të rrezikshme në internet janë në rritje.

“Shumë pak raste kemi kur fëmijët e përdorin teknologjinë për mësim apo zhvillim, ndërsa dhuna online dhe përmbajtjet e pakontrolluara po bëhen gjithnjë e më shqetësuese”, tha Aliu Ahmeti.

Ajo theksoi se, ndonëse edukimi medial është pjesë e kurrikulës në Kosovë që nga viti 2016, zbatimi praktik në shkolla ka qenë minimal, kryesisht për shkak të mungesës së trajnimeve dhe kapaciteteve te mësimdhënësit.


- YouTube www.youtube.com

“Edukimi medial duhet të nisë herët, jo për t’i ndaluar fëmijët nga teknologjia, por për t’i mësuar se si ta përdorin atë në mënyrë kritike dhe të sigurt”, u shpreh ajo.

Aliu Ahmeti foli edhe për projektin “Edukimi Mediatik – Ekspertiza Nordike në Kosovë”, përmes të cilit përvojat e vendeve nordike po përshtaten në kontekstin lokal, në bashkëpunim me disa komuna, me synim forcimin e edukimit medial në shkollat fillore dhe të mesme./Telegrafi/.

Fëmijët rrinë shumë online dhe rrezikohen nga dhuna, Shahini dhe Aliu-Ahmeti flasin për nevojën urgjente të edukimit medial

27 January 2026 at 08:47


Edukimi medial duhet të jetë pjesë funksionale e sistemit arsimor në Kosovë, për t’u mundësuar fëmijëve dhe të rinjve zhvillimin e mendimit kritik dhe dallimin e informacionit të saktë nga dezinformimi.

Kjo u theksua në episodin e ri të “Përballje Podcast”, ku u diskutua për rolin e shkollave, institucioneve dhe shoqërisë në epokën digjitale.

Blerta Aliu- Ahmeti nga Iniciativa për Fuqizimin e Arsimit bëri të ditur se fëmijët në Kosovë kalojnë mesatarisht rreth tri orë në ditë në media digjitale, kryesisht për argëtim.

- YouTube www.youtube.com

“Shumë pak raste kemi kur teknologjia përdoret për mësim apo zhvillim, ndërsa ekspozimi ndaj përmbajtjeve të papërshtatshme dhe dhunës online po rritet”, tha ajo shkruan Telegrafi.

Aliu- Ahmeti theksoi se, ndonëse edukimi medial është pjesë e kurrikulës që nga viti 2016, “zbatimi praktik në shkolla ka qenë minimal”, kryesisht për shkak të mungesës së trajnimeve për mësimdhënësit.

Blerta Aliu Ahmeti nga EEIFoto: Ridvan Slivova

Ajo shtoi se EEI ka nisur projekt- pilot në bashkëpunim me disa komuna, për të trajnuar mësimdhënësit me mbështetje të ekspertëve nga vendet nordike.

Nga ana tjetër, Samir Shahini, drejtor i Drejtorisë së Arsimit në Komuna e Prishtinës, vlerësoi se shoqëria kosovare shpesh e pranon rëndësinë e edukimit medial vetëm në teori.

“Çdo ndryshim përballet me rezistencë, por kjo nuk duhet të na ndalë. Nxënësit sot kanë qasje të pakontrolluar në internet dhe kjo kërkon veprim urgjent”, tha Shahini transmeton Telegrafi.

Sipas tij, teknologjia ka ndikuar edhe në rritjen e konflikteve, bullizmit dhe dhunës mes të rinjve, por “mund të jetë mjet pozitiv vetëm nëse shoqërohet me edukim të duhur”.

Samir Shahini nga Komuna e PrishtinësFoto: Ridvan Slivova

Ai theksoi se Prishtina ka nisur iniciativa konkrete, duke pilotuar mësimin gjithë- ditor dhe përfshirjen e temave si inteligjenca artificiale dhe edukimi medial, pa pritur vendime nga niveli qendror.

Të dy panelistët u pajtuan se edukimi medial është edhe investim për demokracinë, pasi në kohën e dezinformimit dhe përmbajtjeve të manipuluara, ndërtimi i mendimit kritik që nga mosha e hershme është thelbësor për shoqërinë kosovare.

Ky ishte episodi e gjashtë i serisë “Përballje Podcast” (Integriteti Medial dhe Demokracia në Kosovë), ku diskutohen tema kundër dezinformimit, inteligjencën artificiale, edukimin medial, sigurinë kibernetike etj. /Telegrafi/

Vogli: Dezinformimi për shëndetin rrezikon drejtpërdrejt jetën e qytetarëve

23 January 2026 at 14:46



Dezinformimi në fushën e shëndetësisë është një nga format më të rrezikshme të keqinformimit, me pasoja të drejtpërdrejta për jetën dhe mirëqenien e qytetarëve.

Kështu u shpreh Aimona Vogli, menaxhere editoriale në Faktoje.al, në “Përballje Podcast” në Telegrafi.com



“Informacioni i rremë për shëndetin nuk është një problem abstrakt, por një rrezik real që ndikon në vendimmarrjen e njerëzve. Kur flasim për dezinformim nuk është një gjë abstrakte...Raste të tilla mund të çojnë deri te ndërprerja e mjekimeve dhe përkeqësimi i gjendjes shëndetësore të pacientëve”, u shpreh ajo.

Vogli vuri në dukje se mund të krijon pasiguri.

“Shpërndarja e informacioneve të paverifikuara për trajtime, sëmundje apo këshilla mjekësore krijon panik dhe keq orienton publikun, veçanërisht në rrjetet sociale, ku mungon filtri profesional”, thotë ajo.

Foto: Ridvan Slivova

Në këtë kontekst, Vogli theksoi rëndësinë e verifikimit të burimeve dhe përgjegjësinë e mediave për të mos publikuar informacione shëndetësore pa u bazuar në burime të besueshme dhe ekspertizë profesionale, duke nënvizuar se dezinformimi në këtë fushë mund të ketë pasoja të pakthyeshme./Telegrafi/.


Kosova në Bordin e Paqes, pse kjo është më shumë se simbolikë?

23 January 2026 at 08:54


Kosova është një shtet i ri dhe i vogël, e jo fuqi ndërkombëtare. Pikërisht për këtë arsye, ajo ka nevojë të jetë e pranishme, e dukshme dhe aktive në sa më shumë ngjarje dhe forume ndërkombëtare.

Vëmendja ndërkombëtare nuk vjen vetvetiu; ajo ndërtohet përmes pranisë së vazhdueshme e pozicionimit të duhur diplomatik dhe angazhimit në temat globale.

Ngjarje si Forumi Ekonomik Botëror në Davos, ku marrin pjesë liderët më të fuqishëm të botës, përfshirë presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, janë hapësira ku shtetet e vogla mund të përfitojnë dhe të ndërtojnë lidhje strategjike.

Në këtë kontekst duhet parë edhe pjesëmarrja si themeluese e Kosovës në Bordin e Paqes për Gazën të nënshkruar nga presidentja Vjosa Osmani.

Ky nuk është thjesht një akt formal apo simbolik, por një mundësi konkrete për ndërkombëtarizim, avancim diplomatik dhe rritje të peshës së saj në skenën globale. Sidomos kur ky forum zhvillohet nën një ndikim të qartë të Shteteve të Bashkuara, aleatit më të rëndësishëm strategjik të Kosovës.

Në këtë bord janë të përfaqësuara edhe një sërë shtetesh që ende nuk e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur, përfshirë Argjentinën, Kazakistanin, Armeninë, Azerbajxhanin, Marokun, Indonezinë, Uzbekistanin, Paraguajin dhe të tjera. Kjo e bën këtë platformë veçanërisht të rëndësishme, sepse krijon hapësirë për kontakte direkte, dialog politik dhe ndërtim besimi, elemente që shpesh mungojnë në diplomacinë klasike bilaterale.

Njohjet ndërkombëtare nuk vijnë si rezultat i një vendimi të vetëm apo i një fushate të shpejtë.

Ato ndërtohen gradualisht, përmes ekspozimit, bashkëpunimit dhe krijimit të perceptimit se një shtet është faktor stabiliteti dhe partner i besueshëm. Prania e Kosovës në forume të tilla kontribuon drejtpërdrejt në këtë proces.

Kosova ka interes strategjik të jetë pjesë e çdo forumi rajonal, evropian dhe global ku diskutohen çështje të paqes, sigurisë dhe stabilitetit ndërkombëtar. Një angazhim aktiv dhe konstruktiv në këto platforma e pozicionon atë si palë kontribuuese dhe jo thjesht si përfituese të rendit ndërkombëtar.

Po aq e rëndësishme është edhe rrethana politike në të cilën po ndodh kjo prani. Angazhimi i Kosovës në një forum të mbështetur dhe të ndikuar nga Shtetet e Bashkuara, përkon me një periudhë kur administrata amerikane, nën udhëheqjen e presidentit Donald Trump, pritet të mbetet në krye të politikës ekzekutive edhe për së paku tre vjet të tjerë. Kjo krijon një kanal afrimi politik dhe diplomatik me administratën aktuale amerikane, në një moment kur rreshtimi strategjik dhe besueshmëria kanë peshë konkrete në vendimmarrjen globale.

Ky është një pozicionim i drejtë i politikës së jashtme dhe një investim afatgjatë në interesin shtetëror të Kosovës dhe kështu duhet të veprohet edhe në hapat për integrim euro-atlantik edhe vendet tjera nga Bashkimi Evropian./Telegrafi/

AKB: Vendimi për pagën minimale u bë pa dialog dhe rrezikon shtyrjen e bizneseve drejt informalitetit

20 January 2026 at 09:28



Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka reaguar lidhur me vendimin për rritjen e pagës minimale, duke vlerësuar se përmirësimi i mirëqenies së punëtorëve dhe rritja e pagës minimale janë qëllime të drejta dhe të nevojshme për zhvillimin social dhe ekonomik të vendit.

Megjithatë, AKB shpreh shqetësim për mënyrën se si është marrë ky vendim, duke theksuar se ai është miratuar pa dialog me sektorin privat, pa konsultime paraprake dhe pa një analizë të plotë të ndikimit financiar, veçanërisht për mikro-ndërmarrjet dhe ndërmarrjet e vogla, të cilat përbëjnë shumicën e ekonomisë së Kosovës.

Sipas AKB-së, mungesa e një analize gjithëpërfshirëse rrit rrezikun që një pjesë e bizneseve, të paafta për të përballuar kostot shtesë, të shtyhen drejt informalitetit, duke cenuar vetë qëllimin e deklaruar të këtij vendimi.

“Ne nuk jemi kundër rritjes së pagës minimale, por kërkojmë që vendime të tilla të rëndësishme të merren përmes dialogut social, në bashkëpunim me përfaqësuesit e biznesit dhe sindikatat, dhe të shoqërohen me masa lehtësuese fiskale apo mbështetëse, sidomos për bizneset e vogla”, thuhet në reagimin e AKB-së.

Në të njëjtën kohë, Aleanca shpreh indinjatë që edhe në këtë rast veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk janë përfshirë apo trajtuar me politika të veçanta mbështetëse, pavarësisht rolit dhe sakrificës së tyre për lirinë e vendit, duke theksuar se çdo reformë sociale dhe ekonomike duhet të reflektojë drejtësi dhe ndjeshmëri ndaj kësaj kategorie.

AKB i bën thirrje Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve që të rihapë dialogun me sektorin privat dhe të ndërmarrë hapa konkretë për të siguruar që rritja e pagës minimale të jetë e qëndrueshme, e zbatueshme dhe pa pasoja negative për ekonominë formale./Telegrafi/.

KOSTT: Nominimet e pamjaftueshme të KESCO rrezikojnë stabilitetin e sistemit

20 January 2026 at 09:07



KOSTT po përballet me vështirësi të jashtëzakonshme në balancimin e sistemit në kohë reale, si pasojë e devijimeve të mëdha ndërmjet energjisë së nominuar dhe kërkesës reale.

Kështu thuhet në një komunikatë nga ky institucion.

“Sot, më 20.01.2025, KESCO ka nominuar rreth 26.17% më pak energji sesa kërkesa reale, duke e çuar Zonën e Kontrollit KOSTT në jo balanca mesatare prej rreth 211 MW orë, ndërsa në disa orë këto jo balanca tejkalojnë 260 MW orë. Kjo situatë është e papranueshme dhe cenon stabilitetin e sistemit elektroenergjetik”, shkruan KOSTT transmeton Telegrafi.

KOSTT bën thirrje që nominimet të reflektojnë saktë kërkesën reale dhe të korrigjohen menjëherë, për të shmangur devijimet dhe për të ruajtur sigurinë e sistemit. Në këtë situatë, KOSTT është detyruar që të kërkojë aplikimin e kufizimit të ngarkesës, si masë e fundit për garantimin e operimit të sigurt, deri në përmirësimin e gjendjes./Telegrafi/.

Si dilet nga kriza e energjetike? Ymeri tregon hapat që duhet të ndiqen

19 January 2026 at 08:24



Janina Ymeri nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka deklaruar se zgjidhja për krizën energjetike në Kosovë nuk qëndron te importi urgjent, por te planifikimi afatgjatë dhe përgjegjësia institucionale.

“Përballje Podcast” në Telegrafi.com, Ymeri tha se sektori i energjisë po funksionon pa strategji të qartë dhe pa planifikim vjetor, çka sipas saj është arsyeja kryesore pse krizat po përsëriten.

“Zgjidhja është planifikimi vjetor i të gjithë sektorit të energjisë elektrike, që nuk është bërë as për vitin 2025 e as për vitin 2026”, deklaroi Ymeri shkruan Telegrafi.

- YouTube www.youtube.com

Ajo theksoi se institucionet duhet të tregojnë qartë se sa energji i nevojitet Kosovës, sa do të importohet dhe nga cilat burime, në mënyrë që të shmangen situatat emergjente me çmime të larta.

“Duhet me ditë sa kemi nevojë për energji, sa kemi me importu dhe prej kujt kemi me importu. Kjo është bazë”, u shpreh ajo.

Sipas Ymerit, mungesa e këtij planifikimi e ka bërë sektorin të pambrojtur dhe ka hapur rrugë për improvizime që po i kushtojnë shtrenjtë qytetarëve.

“Pa planifikim, gjithçka bëhet ad-hoc. Importi bëhet urgjent dhe faturën e paguajnë qytetarët”, tha ajo.

Deputetja e zgjedhur e LDK-së shtoi se transparenca dhe mbikëqyrja institucionale janë po aq të rëndësishme sa vetë prodhimi i energjisë.

“Energjia elektrike është siguri kombëtare dhe nuk mund të menaxhohet pa përgjegjësi dhe pa llogaridhënie”, theksoi Ymeri.

Ymeri dhe Hajrullahu në "Përballje Podcast"Foto: Ridvan Slivova

Ajo paralajmëroi se, në mungesë të një strategjie të qartë vjetore, Kosova do të vazhdojë të përballet me kriza të përsëritura energjetike dhe pasoja të rënda ekonomike për qytetarët dhe bizneset./Telegrafi/.

Mos besoni gjithçka që shihni në internet

15 January 2026 at 10:59


Një fotografi jo vërtet e një “fantazme” duke shëtitur në Prishtinë u shpërnda me shpejtësi në rrjete sociale, përfundoi në disa media online dhe u kthye në temë debati publik.

Imazhi, i krijuar me inteligjencë artificiale, Photoshop apo montazh, nuk ishte real, por ndikimi i tij ishte.

Pa asnjë verifikim, pa burim dhe pa konfirmim zyrtar, një imazh i pavërtetë krijoi hutim, shqetësim dhe madje panik, sidomos te fëmijët dhe prindërit.

Kjo tregoi se sa lehtë mund të manipulohet opinioni publik dhe sa shpejt dështojnë filtrat bazë të informimit në gazetari.



Raste të tilla rikthejnë në vëmendje rrezikun e përmbajtjeve të krijuara nga inteligjenca artificiale dhe nevojën urgjente për edukim medial.

Në një kohë kur imazhet dhe videot po bëhen gjithnjë e më bindëse, verifikimi para shpërndarjes nuk është më zgjedhje, është përgjegjësi.

Kjo ishte një “fantazmë”. Nesër mund të jetë diçka shumë më serioze.

Prandaj, para se të besoni apo të shpërndani një lajm: verifikoni burimin, autorin dhe median.

Thjesht, verifikoni. Për rastin në fjalë ka reaguar edhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës.

Raportimi në disa media për një “fantazmë” që “shëtitet” nëpër rrugët e Kosovës është i pasaktë, pasi që bëhet fjalë për një përmbajtje të gjeneruar nëpërmjet Inteligjencës Artificiale (AI).

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) ka pranuar shqetësime nga qytetarët lidhur me këto përmbajtje.

“Mediat duhet të kenë kujdes që përmbajtjet e ngjashme t’i verifikojnë dhe të mos i shpërndajnë, sepse mund të shkaktojnë panik”, thuhet në reagimin e KMShK-së me datën 12 janar.

KMShK bën thirrje që raportimet të bëhen kujdesshëm, të jenë korrekte dhe të bazuara në Kodin e Etikës./Telegrafi/.

Më 12 shkurt mbahet seanca fillestare ndaj gjashtë të akuzuarve për vrasje të rëndë

14 January 2026 at 09:12



Gjykata Themelore në Ferizaj ka njoftuar se më 12 shkurt 2026, duke filluar nga ora 09:00, do të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar në çështjen penale ndaj disa të akuzuarve për vrasje të rëndë.

Sipas njoftimit zyrtar, të pandehurit H.B., R.M., V.Ç., E.L. dhe Sh.K. akuzohen për veprën penale “vrasje e rëndë”, nga neni 173 paragrafi 1, nënparagrafi 1.9, në lidhje me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Ndërkaq, i pandehuri D.G. akuzohet për veprën penale “dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale”, nga neni 380 paragrafi 3, në lidhje me paragrafin 2 të KPRK-së.

Seanca do të mbahet në objektin e Gjykatës Themelore në Ferizaj, në katin e parë, salla numër I, dhe do të udhëhiqet nga gjyqtari Ilir Bytyqi.

Nga Gjykata bëhet e ditur se seanca është e hapur për publikun, duke ftuar mediat dhe qytetarët e interesuar ta përcjellin atë./Telegrafi/.

A mund të ketë bllokadë për zgjedhjen e Presidentit? Demi shpjegon pse nuk pritet krizë

12 January 2026 at 14:46



Zgjedhja e Presidentes apo Presidentit të ri të Kosovës, sipas analistit të politikave Agron Demi, nuk pritet të shoqërohet me bllokadë institucionale, pavarësisht debateve politike që mund të zhvillohen.

Sipas tij, bazë për këtë është vendimi i Gjykata Kushtetuese e Kosovës në rastin e Behgjet Pacollit, i cili përcakton qartë obligimin e deputetëve për të marrë pjesë në procesin e votimit.

“Deputetët janë të obliguar me marrë pjesë në votim. Edhe nëse nuk arrihet zgjedhja në dy rundet e para, në rundin e tretë Presidenti zgjidhet me 61 vota, por deputetët duhet të jenë të pranishëm”, u shpreh Demi në “Përballje Podcast”, shkruan Telegrafi.

Ai theksoi se partitë politike nuk kanë më hapësirë për manovra apo bllokada të qëllimshme, pasi përvoja e kaluar ka treguar se zvarritjet institucionale nuk u kanë sjellë përfitime politike.


“Bllokada disamujore, edhe pse realisht përgjegjësia ishte kryesisht e partisë në pushtet, në perceptimin publik përfundimisht nuk e dëmtoi Vetëvendosjen”, tha Demi, duke shtuar se kjo parti ka arritur ta menaxhojë narrativën politike në favor të saj.

Sipas analistit, një raund i ri zgjedhjesh parlamentare nuk do t’u konvenonte as partive opozitare.

Ai përmendi se Lidhja Demokratike e Kosovës pritet të hyjë në procese të brendshme zgjedhore, ndërsa një lidership i ri nuk do të rrezikonte përballjen me zgjedhje të reja brenda pak muajsh.

- YouTube www.youtube.com

Një situatë e ngjashme, sipas tij, vlen edhe për Partinë Demokratike të Kosovës dhe AAK-në, të cilat nuk kanë interes të futen sërish në një cikël zgjedhor të shpejtë.

Demi foli edhe për faktorë të jashtëm që mund të ndikojnë në kalkulimet politike, përfshirë vendimet e mundshme nga Haga për ish-krerët e UÇK-së dhe PDK-së.

Në përmbyllje, Demi theksoi se rezultatet e zgjedhjeve të fundit dhe pjesëmarrja e mërgatës kanë treguar se Vetëvendosje, veçanërisht lideri i saj Albin Kurti, ka qenë disa hapa përpara në menaxhimin e skenarëve politikë.

“Edhe zvarritjet institucionale, në fund, janë shndërruar në avantazh elektoral për partinë në pushtet”, tha ai, duke shtuar se dalja më e ulët në votime në disa raste ka ndikuar drejtpërdrejt në rezultatin final.

Bota në zjarr, Kosova në numërim karrigesh

12 January 2026 at 10:34


Grenlanda po shndërrohet në një nga pikat më të ndjeshme gjeostrategjike të dekadës.

Arktiku nuk është më periferi, por qendër e interesave të fuqive të mëdha.

Evropa mund të ballafaqohet në këtë aspekt me Amerikën e NATO mund të ndahet në qëndrime ndërsa lufta në Ukrainë, zhvillimet e fundit në Iran, tensionet rreth Tajvanit dhe zhvillimet në Lindjen e Mesme po e formësojnë globin.

Kina dhe Rusia, çuditërisht, po qëndrojnë në heshtje për Venezuelën. Një heshtje që nuk është neutrale, por mund të jetë strategjike.

Ndërkohë, në Kosovë, dy javë pas përfundimit të zgjedhjeve dhe pas daljes së rezultateve, debati publik vazhdon të sillet rreth një teme kryesore: numri i ulëseve në Kuvend.

A i ka Lëvizja Vetëvendosje 57 apo 58 deputetë? A mund t’i kishte Partia Demokratike e Kosovës 23 ulëse? Pse Lidhja Demokratike i ka vetëm 15 e jo 20 sa kishte?

Ndërkaq, diskutimet për qeverisjen e ardhshme, për prioritetet katërvjeçare, për programin politik, për ministritë dhe për politikat konkrete që do ta prekin jetën e qytetarëve, janë pothuajse të padukshme.

Në vend të pyetjes çfarë do të bëjmë?, vazhdojmë të pyesim sa i kanë?

Kjo do të ishte thjesht një anomali politike, po të mos ishte problem serioz strategjik.

Sepse, Kosova, ndonëse shtet i vogël, është jashtëzakonisht e ekspozuar ndaj zhvillimeve globale.

Çdo lëvizje në NATO, çdo tension mes fuqive të mëdha, çdo ndryshim në raportet ShBA–BE, çdo situatë në Lindje e në Ukrainë mund të këtë ndikim edhe në sigurinë e politikën e jashtme të vendit.

Qeveria e ardhshme e Kosovës do të përballet me një botë më të pasigurt, më të polarizuar dhe më pak të durueshme ndaj improvizimit.

Ajo do të duhet të ketë qasje të qartë ndaj sigurisë, diplomacisë, energjisë, ekonomisë dhe marrëdhënieve me aleatët. Këto nuk janë çështje teknike, por ekzistenciale.

Megjithatë, diskursi publik mbetet i ngujuar në rreth parlamentar dhe ironia është e pashmangshme: teksa bota po digjet, ne numërojmë karriget.

Natyrisht, rezultati zgjedhor ka rëndësinë e vet dhe respektimi i procedurave është thelbësor për demokracinë. Por, nuk mbaron gjithçka te numërimi i mandateve. Demokracia vazhdon pikërisht aty, te vizioni, te përgjegjësia dhe te përgatitja për sfidat që vijnë.

Pyetja reale nuk është kush ka një ulëse më shumë në Kuvend. Pyetja është: a jemi gati për botën që po vjen?

Demi: Investimet kapitale janë motori i zhvillimit, 2026 vit vendimtar

12 January 2026 at 08:14



Qeveria e re e Kosovës, sipas analistit të politikave Agron Demi, duhet ta shfrytëzojë vitin 2026 për të vendosur themele të qarta zhvillimore dhe për të shmangur politikat afatshkurtra që nuk prodhojnë rezultate të qëndrueshme.

“Përballje Podcast”, me kryeredaktorin e Telegrafit Muhamet Hajrullahu, Demi theksoi se fokusi i institucioneve të reja duhet të jetë funksionalizimi i shtetit dhe orientimi drejt reformave që ndikojnë drejtpërdrejt në ekonomi dhe shoqëri.

- YouTube www.youtube.com

Sipas tij, prioriteti i parë duhet të jetë stabiliteti institucional dhe miratimi në kohë i buxhetit.

“Miratimi i buxhetit është pika e parë dhe më e rëndësishme, sepse pa të bllokohen pagesat dhe funksionimi normal i shtetit”, tha Demi, duke nënvizuar se vonesat politike krijojnë kosto të drejtpërdrejta ekonomike.

Në aspektin e zhvillimit ekonomik, Demi vlerësoi se Qeveria e re duhet të rikthejë vëmendjen te investimet kapitale dhe projektet zhvillimore.

“Investimet kapitale kanë qenë për vite motor i zhvillimit ekonomik, krijimit të vendeve të punës dhe rritjes afatgjatë”, u shpreh ai, duke shtuar se pa projekte konkrete infrastrukturore është e vështirë të flitet për zhvillim real.

Një tjetër fokus i domosdoshëm, sipas Demit, është digjitalizimi i administratës publike dhe modernizimi i shërbimeve shtetërore.

“Digjitalizimi duhet të ndikojë mënyrën se si funksionon shteti – nga arsimi dhe shëndetësia, te projektet kapitale dhe raporti i qytetarëve me institucionet”, tha ai shkruan Telegrafi.

Foto:Ridvan Slivova

Demi theksoi gjithashtu se arsimi dhe inovacioni duhet të trajtohen si shtylla të zhvillimit afatgjatë. Sipas tij, ndryshimet teknologjike dhe zhvillimi i inteligjencës artificiale po e transformojnë tregun global të punës, ndaj Kosova duhet të përgatisë kapitalin njerëzor për këto sfida.

“Nuk kemi luksin të vazhdojmë me politika të vjetra në një botë që po ndryshon kaq shpejt”, u shpreh ai.

Në përmbyllje, Demi tha se suksesi i Qeverisë së re do të matet me aftësinë për të kaluar nga menaxhimi i përditshëm drejt një vizioni zhvillimor.

“Këto janë vitet kur duhet të vendosen themelet për dekadat e ardhshme, sepse vendimet e sotme do ta përcaktojnë zhvillimin e Kosovës në të ardhmen”, përfundoi ai. /Telegrafi/.

❌
❌