Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 7 January 2026Main stream

Paraqitjet me Sassuolon vënë Aro Muriç në radarët e Juventusit

7 January 2026 at 14:54

TIRANË, 7 janar /ATSH/ Juventusi po shqyrton seriozisht mundësinë e transferimit të portierit të Ipswich Town, Aro Muriç, sipas raportimeve të fundit nga mediet italiane.

Portieri i Kosovës ka rikthyer vëmendjen e klubeve të mëdha evropiane pas paraqitjeve bindëse në Serie A, me fanellën e Sassuolos.

Ipswich Town e bleu Muriçin nga Burnley për 8 milionë paund në verën e vitit 2024, pas rikthimit të klubit në Premier League.

Megjithatë, sezoni i parë i 27-vjeçarit në elitën angleze u shoqërua me disa gabime, çka bëri që ai të humbte vendin e titullarit dhe të huazohej te Sassuolo gjatë verës së kaluar.

Huazimi në Itali ka rezultuar pozitiv për Muriçin. Ish-portieri i akademisë së Manchester City-t ka qenë një nga lojtarët më të qëndrueshëm të Sassuolo-s, që aktualisht mban vendin e 10-të në tabelën e Serie A. Klubi italian ka në dispozicion një opsion blerjeje prej 10 milionë eurosh në fund të sezonit.

Sipas gazetës “Tuttosport”, Juventusi po ndjek nga afër jo vetëm progresin e Muricit, por edhe të bashkëlojtarit të tij te Sassuolo, mbrojtësit qendror Tarik Muharemovic, përfaqësues i Bosnjë-Hercegovinës.

Kontrata e Muriçit me Ipswich Town është e vlefshme deri në vitin 2028, ndërsa klubi anglez aktualisht ka në përbërje portierët Christian Walton, Alex Palmer dhe David Button.

Megjithatë, interesimi i Juventusit mund të ndikojë në të ardhmen e portierit, i cili po shihet gjithnjë e më shumë si një alternativë serioze për një klub të madh të Serie A.

Paraqitjet e vazhdueshme në nivel të lartë në Itali mund ta vendosin Aro Muriçin përballë një hapi të rëndësishëm në karrierën e tij gjatë afatit të ardhshëm kalimtar.

/gj.m/r.e/a.f/

The post Paraqitjet me Sassuolon vënë Aro Muriç në radarët e Juventusit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Policia e Shtetit apel për kujdes të shtuar nga drejtuesit e automjeteve

7 January 2026 at 14:39

TIRANË, 7 janar /ATSH/ Shërbimet e Policisë Rrugore dhe ato të Rendit në Policinë e Shtetit janë në gatishmëri të përforcuar që prej ditës së djeshme për shkak të situatës së vështirë të krijuar nga reshjet e dendura.

Në mesditën e sotme, situata në akset rrugore nacionale ka shënuar një përmirësim të ndjeshëm.

Megjithatë, zonat e prekura nga rrëshqitjet e dheut, ose ku ka prani uji, monitorohen vazhdimisht nga shërbimet policore.

Policia e Shtetit apelon për drejtuesit e mjeteve që të tregojnë kujdes të shtuar, të reduktojnë shpejtësinë për shkak të lagështisë në rrugë dhe të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë kur udhëtojnë drejt zonave malore ku ka prezencë dëbore.

Drejtuesit e mjeteve duhet të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e policisë për të garantuar sigurinë e tyre dhe të qytetarëve të tjerë.

1 nga 2

/gj.m/r.e/a.f/

The post Policia e Shtetit apel për kujdes të shtuar nga drejtuesit e automjeteve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

IGJEO: Rrezik i lartë për përmbytje dhe rrëshqitje dherash në disa qarqe të Shqipërisë

7 January 2026 at 12:21

TIRANË, 7 janar /ATSH/ Instituti i Gjeoshkencave (IGJEO) bëri me dije se sot pasdite dhe gjatë ditës së nesërme priten reshje intensive në të gjithë vendin, duke rritur rrezikun për përmbytje dhe rrëshqitje dherash në disa zona.

Sipas parashikimeve, sot pasdite dhe nesër priten reshje intensive në të gjithë vendin.

Në qarqet Shkodër, Dibër, Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshkitje të dherave.

Në zonat urbane, në këto qarqe mund të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjëndjes së kanalizimeve.

Sipas llogaritjeve hidrologjike të IGJEO-s, si rezultat i reshjeve me intensitet të lartë të rëna gjatë ditëve të kaluara, të cilat do të vazhdojnë deri ditën e enjte do të ketë rritje të prurjeve dhe niveleve në lumenjtë Mat, Ishëm, Erzen, Shkumbin.

Rrezik të shtuar për përmbytje në vazhdim të ditës së sotme dhe të nesërme do të ketë lumi Vjosë, lumi Drin-Buna dhe liqeni i Shkodrës.

Sa i përket reshjeve sot pasdite dhe nesër në qarqet Shkodër, Dibër, Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër priten reshje intensive, ndërsa në qarkun Kukës priten reshje mesatare deri lokalisht intensive.

Reshjet priten të shoqërohen me shtrëngata. Në Veri, Lindje dhe Juglindje në lartësitë mbi 500 m nga niveli i detit reshjet do të jenë në formë dëbore.

Sa i përket temperaturave nesër temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë në bregdet: 5 / 10 °C, në vendet e ulëta: 0 / 9 °C, në vendet malore: -5 / 4 °C

Era sot pasdite dhe nesër pritet të fryjë mesatare deri e fortë në bregdet dhe në zonat malore.

Autoritetet bëjnë apel për qytetarët që të jenë të kujdesshëm, të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat e përmbytura dhe të ndjekin udhëzimet e emergjencave lokale.

1 nga 3

/gj.m/a.f/r.e/

The post IGJEO: Rrezik i lartë për përmbytje dhe rrëshqitje dherash në disa qarqe të Shqipërisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Begaj pret ambasadorin e Laosit: Thellim i bashkëpunimit mes dy vendeve

7 January 2026 at 12:12

TIRANË, 7 janar /ATSH/ Presidenti i Republikës Bajram Begaj pranoi sot Letrat Kredenciale të Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës Demokratike Popullore të Laosit, Khamphon Vongsanty.

Kreu i Shtetit vlerësoi marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve, të bazuara në respektin dhe bashkëpunimin e ndërsjellë.

Presidenti Begaj u shpreh se ka mundësi për thellim të këtij bashkëpunimi për të patur rezultate konkrete, veçanërisht në fushat e ekonomisë, turizmit dhe kulturës.

“Shqipëria, – theksoi Presidenti i Republikës, – i kushton një rëndësi të veçantë bashkëpunimit ndërkombëtar në mbështetje të paqes dhe stabilitetit.”

Në këtë kuadër, Kreu i Shtetit vlerëson se njohja e Kosovës, mbështetja e anëtarësimit të saj në organizata ndërkombëtare nga ana e Republikës Demokratike Popullore të Laosit është një kontribut për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

1 nga 2

/gj.m/r.e/

The post Begaj pret ambasadorin e Laosit: Thellim i bashkëpunimit mes dy vendeve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Renaldo Torraj firmos me Vorën

7 January 2026 at 10:33

TIRANË, 7 janar /ATSH/ FK Vora vijon të përforcojë organikën në prag të objektivave të sezonit, duke zyrtarizuar afrimin e Renaldo Torrajt.

Mesfushori i talentuar është lojtar i Vorës pas largimit nga Teuta e Durrësit.

Torraj është produkt i akademisë së Tottenham Hotspur, ndërsa karriera e tij ka vijuar në Angli me Derby County U21 dhe Burnley U21. Së fundmi, ai ka qenë pjesë e KF Teuta, ku është aktivizuar në Abissnet Superiore.

Me eksperiencë në arenën ndërkombëtare, Renaldo Torraj ka veshur fanellën e Kombëtares shqiptare U16, U17, U19 dhe U21, duke u konsideruar si një nga elementët me perspektivë të futbollit shqiptar.

Afrimi i tij pritet t’i japë më shumë cilësi dhe alternativa repartit të mesfushës së Vorës, ndërsa klubi vazhdon të ndërtojë një skuadër konkurruese për objektivat e saj.

/gj.m/a.f/

The post Renaldo Torraj firmos me Vorën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AMP ekzekuton masat e sigurisë për 4 punonjës policie në Berat

7 January 2026 at 10:32

TIRANË, 7 janar /ATSH/ Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Fier–Berat) ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, e cila ka caktuar masën e sigurimit personal “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj katër punonjësve të Policisë së Shtetit.

Masat janë marrë në kuadër të një procedimi penal për veprën “Shpërdorim i detyrës”.

Punonjësit e pezulluar janë: A.S., inspektor, trupë shërbimi në Seksionin e Trafikut Urban dhe Interurban, DVP Berat. M.D., inspektor, trupë shërbimi në Seksionin e Trafikut Urban dhe Interurban, DVP Berat. A.Q., inspektor, trupë shërbimi në Seksionin e Trafikut Urban dhe Interurban, DVP Berat. K.G., inspektor, oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Berat.

Sipas AMP-së, masat e sigurisë u caktuan pas veprimeve hetimore proaktive të zhvilluara në bashkëpunim me Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm Berat.

Nga hetimet ka rezultuar se punonjësit e dyshuar, gjatë ushtrimit të detyrës, me veprime dhe mosveprime në kundërshtim me ligjin, kanë favorizuar ose penalizuar drejtues mjetesh, të konstatuar në shkelje apo jo të Kodit Rrugor.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore thekson se mbetet e angazhuar në luftën kundër abuzimeve dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast shkeljeje apo sjelljeje të paligjshme nga punonjësit e strukturave policore.

/gj.m/a.f/

The post AMP ekzekuton masat e sigurisë për 4 punonjës policie në Berat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Renaldo Torraj largohet nga KF Teuta

7 January 2026 at 10:25

TIRANË, 7 janar /ATSH/ KF Teuta ka njoftuar zyrtarisht përfundimin e bashkëpunimit me futbollistin Renaldo Torraj.

Sipas klubit durrsak, vendimi është marrë me marrëveshje të ndërsjellë mes palëve dhe hyn në fuqi menjëherë.

Në komunikatën e publikuar, KF Teuta ka shprehur falënderimet për profesionalizmin dhe angazhimin e treguar nga Torraj gjatë periudhës së tij në skuadër, duke i uruar suksese në vazhdim të karrierës sportive.

“Faleminderit Renaldo”, shkruan klubi, duke mbyllur kështu një kapitull të rëndësishëm bashkëpunimi.

Largimi i Torraj vjen në një moment riorganizimi për Teutën, ndërsa klubi pritet të vijojë me lëvizje të tjera në merkato.

/gj.m/a.f/

The post Renaldo Torraj largohet nga KF Teuta appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vengu: Të konstatohen dëmet edhe në banesat e qytetarëve në emigracion

7 January 2026 at 10:16

TIRANË, 7 janar /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu ka ndjekur nga afër situatën e përmbytjeve në qytetin e Durrësit, ku reshjet e dendura të ditëve të fundit kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme.

Vengu ka qenë i pranishëm në zonën e Unazës së Durrësit, një nga pikat më problematike, ku vijon puna intensive e mjeteve dhe efektivëve të Komandës Mbështetëse të Forcave të Armatosura për menaxhimin e situatës.

Gjatë inspektimit, ministri kërkoi që bashkia të angazhojë skuadra për të kryer konstatimin e dëmeve edhe në banesat e qytetarëve që ndodhen në emigracion, ose me pushime dhe nuk janë aktualisht të pranishëm në shtëpitë e tyre.

Një ditë më parë, Vengu theksoi se situata në Durrës mbetet problematike, duke bërë me dije se rreth 800 banesa janë përmbytur si pasojë e reshjeve, ndërsa 180 banorë janë evakuar për arsye sigurie. Ata janë akomoduar pranë dy konvaleshencave në qytet, ku po u ofrohet ushqim dhe shërbim mjekësor.

Autoritetet po vijojnë monitorimin e situatës dhe po bashkëpunojnë për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe rikthimin sa më të shpejtë të normalitetit në zonat e prekura.

/gj.m/a.f/r.e/

The post Vengu: Të konstatohen dëmet edhe në banesat e qytetarëve në emigracion appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 6 January 2026Main stream

Mblidhet Komiteti i Emergjencave Civile, Vengu: Institucionet në gatishmëri të plotë

6 January 2026 at 15:54

TIRANË, 6 janar /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu mblodhi sot në mjediset e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Komitetin Ndërministror të Emergjencave Civile, ku u diskutua situata e krijuar nga reshjet intensive të shiut gjatë 24 orëve të fundit, në vend.

Gjatë takimit u bë një analizë e detajuar e situatës në terren, me fokus zonat më të prekura nga përmbytjet, rrëshqitjet e dherave dhe problematikat në infrastrukturë.

Strukturat përgjegjëse raportuan mbi masat e marra deri tani, ndërhyrjet emergjente dhe nevojat për mbështetje shtesë.

Ministri Vengu kërkoi gatishmëri të plotë të të gjitha institucioneve, koordinim të vazhdueshëm mes strukturave qendrore dhe vendore si dhe monitorim të pandërprerë të situatës, për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe minimizimin e dëmeve.

Gjatë 24 orëve të fundit, pjesa më e madhe e territorit të vendit është përfshirë nga reshje intensive shiu, të cilat në disa qarqe kanë shkaktuar problematika, pa pasoja serioze për jetën e qytetarëve.

Situata po monitorohet me prioritet në qarqet Lezhë dhe Durrës, ku janë evidentuar prani uji në disa akse rrugore dhe rritje të ndjeshme e niveleve të lumenjve.

Sipas IGJEO-s, reshjet intensive pritet të vijojnë deri më 8 janar.

Strukturat e mbrojtjes civile në nivel qendror dhe vendor, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, janë në gatishmëri të plotë.

Qytetarëve u rekomandohet të shmangin zonat me risk dhe të kërkojnë ndihmën e autoriteteve në rast nevoje.

/gj.m/r.e/a.f/

The post Mblidhet Komiteti i Emergjencave Civile, Vengu: Institucionet në gatishmëri të plotë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Begaj dekreton ligjin për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme, për gjuetinë dhe traktatin e Riadit

6 January 2026 at 14:24

TIRANË, 6 janar /ATSH/ Presidenti i Republikës, Bajram Begaj dekretoi sot shpalljen e 3 ligjeve, të rivlerësimit të pasurive të paluajtshme, ligjin për gjuetinë dhe ligjin për  ratifikimin e Traktatit të Riadit për Disenjot dhe të rregulloreve sipas këtij Traktati, bërë në Riad më 22 nëntor 2024.

Ligji “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme” krijon një kuadër ligjor për rivlerësimin e pasurive të individëve dhe personave juridikë, duke përshtatur vlerën e pronave me çmimet aktuale të tregut.

Norma e rivlerësimit do të jetë 5% dhe do të zbatohet përgjatë gjithë vitit 2026.

Sa i përket ligjit për gjuetinë, ligji vjen pas një dekade moratoriumi, i vendosur për mbrojtjen e biodiversitetit dhe rikuperimin e popullatave të faunës së egër.

Ligji synon të vendosë rregulla të qarta për organizimin dhe ushtrimin e gjuetisë, duke garantuar ruajtjen e diversitetit biologjik dhe ekuilibrin e habitateve të florës dhe faunës së egër.

Eksperienca e vendeve evropiane tregon se gjuetia mund të kthehet në burim të ardhurash për zonat rurale, duke hapur vende të reja pune dhe përmirësuar infrastrukturën. Ndryshimi kryesor është kalimi i kompetencës nga strukturat qendrore te bashkitë, duke i dhënë përgjegjësi njësive të qeverisjes vendore për gjuetinë.

Ligji për ratifikimin e Traktatit të Riadit për Disenjot dhe të rregulloreve sipas këtij Traktati, bërë në Riad më 22 nëntor 2024, synon ratifikimin e traktatit, i cili garanton lirinë e shteteve anëtare për të përcaktuar kërkesat ligjore për disenjot industriale.

Traktati përforcon zhvillimin e inovacionit dhe krijimtarisë, mbrojtjen e pronësisë intelektuale dhe përmirësimin e cilësisë së produkteve, duke ndihmuar në rritjen e konkurrencës në tregjet ndërkombëtare.

/gj.m/r.e/a.f/

The post Begaj dekreton ligjin për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme, për gjuetinë dhe traktatin e Riadit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

IGJEO: Situata problematike nga reshjet deri të enjten

6 January 2026 at 14:01

TIRANË, 6 janar /ATSH/ Instituti i Gjeoshkencave bëri të ditur sot se reshje intensive shiu pritet të përfshijnë vendin gjatë pasdites së sotme dhe ditës së nesërme, duke rritur ndjeshëm rrezikun për përmbytje, kryesisht në veri dhe jug.

Në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Durrës, Elbasan, Vlorë dhe Gjirokastër parashikohen vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë, si dhe rrëshqitje dherash.

Në zonat urbane mund të shfaqen përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjendjes së sistemeve të kanalizimeve.

Sipas llogaritjeve hidrologjike të Institutit të Gjeoshkencave (IGJEO), reshjet me intensitet të lartë të rëna ditët e fundit, të cilat pritet të vazhdojnë deri ditën e enjte, datë 08 janar, do të sjellin rritje të rrezikshme të prurjeve dhe niveleve ujore në lumenjtë Drin-Buna, Mat, Shkumbin dhe Vjosë, si dhe në liqenin e Shkodrës.

Lumenjtë Drin e Buna dhe liqeni i Shkodrës paraqesin rrezik të shtuar për përmbytje gjatë ditës së sotme dhe të nesërme.

Parashikimi meteorologjik tregon se në qarqet Vlorë dhe Gjirokastër priten reshje intensive deri lokalisht shumë intensive, ndërsa në Shkodër dhe Lezhë reshjet do të jenë intensive.

Në qarqet e tjera të vendit reshjet do të jenë mesatare deri lokalisht intensive dhe do të shoqërohen me shtrëngata.

Në zonat veriore, lindore dhe juglindore, në lartësitë mbi 1000 metra mbi nivelin e detit, reshjet do të jenë në formë dëbore.

Për ditën e mërkurë, temperaturat e ajrit pritet të variojnë nga 9 deri në 16 gradë Celsius në bregdet dhe zonat e ulëta, ndërsa në zonat malore nga 3 deri në 12 gradë Celsius. Era do të fryjë mesatare deri e fortë në zonat bregdetare gjatë pasdites së sotme dhe ditës së nesërme.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të ndjekin njoftimet zyrtare, ndërsa strukturat vendore janë në gatishmëri për përballimin e situatës së krijuar nga moti i keq.

1 nga 3

/gj.m/r.e/a.f/

The post IGJEO: Situata problematike nga reshjet deri të enjten appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Pa qeveri teknike nuk ka zgjedhje të lira, front opozitar kundër qeverisë

6 January 2026 at 13:54

TIRANË, 6 janar /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se për opozitën përparësi absolute mbetet përgatitja e një procesi zgjedhor të drejtë dhe garantimi i funksionimit të drejtësisë, duke theksuar se pa një qeveri teknike vendi nuk mund të shkojë në zgjedhje të lira.

Në një konferencë për shtyp nga selia blu, Berisha u shpreh se me kryeministrin Edi Rama në detyrë, zgjedhjet janë të pamundura, duke e cilësuar këtë si një fakt tashmë të provuar jo vetëm nga opozita, por edhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë të proceseve zgjedhore.

“Pa qeveri teknike për të përgatitur zgjedhjet, në zgjedhje nuk shkohet. Me Edi Ramën nuk ka zgjedhje. Ne e kemi deklaruar këtë dhe kjo është një e vërtetë e faktuar tashmë. E faktuar jo vetëm nga ne, por dhe nga komuniteti ndërkombëtar, vëzhguesit e zgjedhjeve. Ndaj dhe PD dhe opozita, kërkon largimin e Edi Ramës, kërkon një qeveri teknike e cila të përgatisë një proces zgjedhor të drejtë. Kjo është kërkesa jonë”, tha Berisha.

Ai theksoi se, në kohën e duhur, opozita do të japë qëndrimet e saj edhe për përbërjen e qeverisë teknike, por nënvizoi se dy janë kushtet themelore: zgjedhje të ndershme dhe mosbllokim i drejtësisë.

Sipas Berishës, çdo qeveri që pengon drejtësinë cenon ndarjen e pushteteve dhe Kushtetutën.

“Drejtësia nuk mund të bllokohet. Është kushti i të gjitha kushteve që të funksionojë ndarja e pushteteve, jo si sot që të gjitha pushtetet janë përqendruar në një dorë”, u shpreh ai.

Kreu i PD-së foli edhe për strategjinë opozitare, duke konfirmuar se protesta mbetet mjeti kryesor i reagimit politik.

Berisha bëri të ditur se data e protestës ende nuk është përcaktuar, por ka gjasa që ajo të zhvillohet përpara datës 20 shkurt, ndërsa konsultimet mes forcave opozitare kanë nisur.

“Sot fillojnë konsultimet. Do ketë patjetër protestë. Ne nuk heqim dorë”, theksoi ai.

Berisha njoftoi se të gjitha partitë opozitare, pa përjashtim, do të ftohen në tryezë për krijimin e një fronti të gjerë opozitar kundër asaj që ai e cilësoi “narko-regjim”.

“Është koha për një front të gjerë opozitar, që me përgjegjësi të lartë të bashkërendojmë të gjitha përpjekjet për t’i dhënë goditjen përfundimtare këtij regjimi”, deklaroi Berisha.

Duke iu përgjigjur pyetjeve mbi organizimin e protestave, Berisha tha se simbolet dhe flamujt e partive nuk janë pengesë për bashkimin, përkundrazi, sipas tij, ato janë frymëzim për mbështetësit.

“E rëndësishme është vërtetësia si opozitë e vërtetë. Të gjitha partitë të vijnë me simbolet e tyre, kjo nuk përbën problem”, u shpreh kreu i PD-së.

/gj.m/r.e/a.f/

The post Berisha: Pa qeveri teknike nuk ka zgjedhje të lira, front opozitar kundër qeverisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PD kërkon mbledhjen e Këshillit të Mandateve për imunitetin e Ballukut

6 January 2026 at 12:07

TIRANË, 6 janar /ATSH/ Partia Demokratike ka kërkuar sot thirrjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Kreu i grupit parlamentar demokrat Gazment Bardhi, u shpreh në një deklaratë për mediet se kërkesa është në përputhje me Rregulloren e Kuvendit dhe ka kërkuar që Këshilli të mblidhet sa më shpejt.

“Bazuar në nenin 13, pika 6 e Rregullores, Këshilli mund të mblidhet me kërkesën e Kryetarit të Kuvendit ose të gjysmës së anëtarëve të tij”, deklaroi Bardhi.

Sipas tij, kjo kërkesë është bërë për të shqyrtuar një çështje urgjente që ka mbetur pa përgjigje për tri javë.

“Sot mbushen tri javë nga kërkesa e Prokurorisë për lejimin e arrestimit të Belinda Ballukut, dhe kjo është një vonesë e paprecedentë”, tha ai.

Bardhi nënvizoi se, sipas rregullores, kërkesa për heqjen e imunitetit duhet të trajtohet si një procedurë urgjente.

“Kërkesa e prokurorisë është një procedurë urgjente dhe duhet të shqyrtohet brenda dy javësh”, tha ai.

Mbledhja e Këshillit, më 19 dhjetor, nuk arriti të vendosë për datën e mbledhjes së ardhshme, pas pesë orësh debate.

Deputetët e mazhorancës kanë kërkuar më shumë kohë për t’u njohur me materialin voluminoz të paraqitur nga SPAK, ndërsa avokati i Ballukut ka kërkuar një afat prej tri javësh për këtë proces.

Bardhi akuzoi gjithashtu shumicën për përdorimin e një strategjie që, sipas tij, dëmton transparencën dhe drejtësinë.

Bardhi njoftoi se do të përgatisë një kallëzim penal për shpërdorim detyre ndaj Kryetarit të Kuvendit, duke e akuzuar atë për bllokim të qëllimshëm të drejtësisë. “Ne do të përgatisim me përgjegjshmëri të plotë edhe një kallëzim penal për shpërdorim detyre ndaj kryetarit të Kuvendit”, tha Bardhi.

/gj.m/r.e/a.f/

The post PD kërkon mbledhjen e Këshillit të Mandateve për imunitetin e Ballukut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Reshjet e dendura shkaktojnë përmbytje dhe probleme në disa qarqe të vendit

6 January 2026 at 10:44

TIRANË, 6 janar /ATSH/ Reshjet e dendura të orëve të fundit kanë shkaktuar një situatë problematike në disa zona të vendit.

Sipas Agjencisë për Media dhe Informim, më problematike paraqitet situata në Lezhë (105 mm reshje) dhe Shkodër, ku ka banesa të përmbytura.

Në jug, rënia e inerteve ka bllokuar pjesërisht rrugët nacionale. Hidrovorët po punojnë me kapacitet të plotë për të menaxhuar nivelet e ujit.

Në qarkun Shkodër si pasojë e reshjeve intensive të shiut ka përmbytje banesash të mbi 15 familjeve në Malësi të Madhe si dhe dëmtime infrastrukturore në Kamicë.

Nivelet e lumenjve Buna dhe Drin mbeten nën kuotat e rrezikut, teksa rekomandohet qarkullim me kujdes në akset Bogë-Theth dhe Hani i Hotit-Vermosh.

Në qarkun Gjirokastër ka reshje shiu dhe erëra të forta në gjithë qarkun.

Gjithashtu ka probleme në aksin Tepelenë-Gjirokastër për shkak të rënies së inerteve dhe qarkullim me një kalim.

Në qarkun Vlorë ka reshje shiu me intensitet të ulët dhe erëra. Janë shfaqur probleme të përkohshme me energjinë elektrike në bashkinë Finiq dhe disa zona periferike të Vlorës. Furnizimi me ujë të pijshëm dhe situata hidrike janë normale.

Në qarkun Kukës, reshjet e shiut me intensitet të lartë në gjithë territorin.

Akset nacionale janë të qarkullueshme.

Në qarkun Lezhë, si pasojë e reshjeve intensive të shiut (deri në 105 mm në 24 orë) ka pasur përmbytje të banesave, tokave bujqësore dhe oborreve të shkollave në disa bashki.

Lumi Drin është në kuota kritike, pranë nivelit të rrezikut të lartë, teksa hidrovorët janë në punë me kapacitet maksimal. Po kryhet ndërhyrje në terren nga strukturat e emergjencës.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që në rast nevoje apo rreziku të kontaktojnë menjëherë Emergjencat Civile dhe Policinë e Shtetit

1 nga 3

/gj.m/a.f/r.e/

The post Reshjet e dendura shkaktojnë përmbytje dhe probleme në disa qarqe të vendit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Balla takim me aktivistin e diasporës në Itali, Mirel Bratko

5 January 2026 at 17:14

TIRANË, 5 janar /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe drejtues politik për Diasporën, Taulant Balla vlerësoi angazhimin e vazhdueshëm të komunitetit shqiptar në rajonin e Venetto-s, duke theksuar rolin e tyre në ruajtjen e lidhjeve me atdheun dhe në promovimin e vlerave shqiptare jashtë vendit.

Balla e shprehu vlerësimin gjatë takimit me avokatin Mirel Bratko, i cili u ka shërbyer dhe vijon t’u shërbejë çdo ditë bashkatdhetarëve në Itali, duke luajtur një rol të rëndësishëm në forcimin dhe promovimin e komunitetit shqiptar në këtë rajon.

“U takova sot me një aktivist të palodhur të diasporës shqiptare në Padova, Itali. Avokati Mirel Bratko u ka shërbyer dhe u shërben çdo ditë bashkatdhetarëve dhe luan një rol të rëndësishëm një në promovimin e komunitetit shqiptar në rajonin e Veneto”, shkruan Balla.

Takimi u cilësua si një moment bashkëbisedimi dhe reflektimi mbi sfidat dhe nevojat e diasporës, si dhe mbi rëndësinë e përfshirjes së saj aktive në jetën shoqërore dhe kombëtare.

/gj.m/r.e/j.p/

The post Balla takim me aktivistin e diasporës në Itali, Mirel Bratko appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tirana zyrtarizon afrimin e mbrojtësit Johan Enrique Cortes Alfaro

5 January 2026 at 16:42

TIRANË, 5 janar /ATSH/ KF Tirana ka prezantuar një tjetër afrim në merkaton e dimrit, duke zyrtarizuar transferimin e mbrojtësit Johan Enrique Cortes Alfaro.

Futbollisti 25-vjeçar, pas kryerjes së analizave mjekësore, ka hedhur firmën në kontratë dhe është bërë zyrtarisht pjesë e bardhebluve.

Cortes Alfaro i është bashkuar menjëherë ekipit në fushën stërvitore dhe ka nisur përgatitjet nën urdhrat e trajnerit Nuhiu, duke u vënë në dispozicion të stafit teknik për sfidat e radhës.

Afrimi i tij vjen si pjesë e riorganizimit të skuadrës në një moment delikat të sezonit.

Ky transferim shënon një hap të radhës në një merkato mjaft aktive për Tiranën, e cila pak ditë më parë zyrtarizoi largimin e nëntë futbollistëve nga organika. Klubi bëri me dije se Dembele, Junior, Valerianos, Soler, Gjumsi, Tola, Kozi, Patsatsia dhe Fernandez nuk janë më pjesë e skuadrës, largime të realizuara me marrëveshje të përbashkët mes palëve.

Masat drastike vijnë pas pozicionit të fundit në renditje dhe rrezikut serioz të rënies nga kategoria.

Gjatë këtij sezoni, KF Tirana ka ndërruar tre trajnerë, ndërsa në merkaton e dimrit priten afrime të tjera në të gjitha repartet, nën drejtimin e drejtorit sportiv Omer Bunjaku, me synimin për të përmbysur situatën dhe për të siguruar mbijetesën.

/gj.m/r.e/a.f/

The post Tirana zyrtarizon afrimin e mbrojtësit Johan Enrique Cortes Alfaro appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja: Lara Colturi konfirmon sezon elitar në Kupën e Botës në Ski

5 January 2026 at 15:10

TIRANË, 5 janar /ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ndau një postim vlerësues për paraqitjet e skiatores kuqezi Lara Colturi në arenën ndërkombëtare, duke theksuar renditjen e saj si e treta në sllallom dhe e teta në renditjen e përgjithshme të Kupës së Botës në Ski për femra.

Sipas ministrit, këto rezultate konfirmojnë një sezon me standarde të larta performance dhe konkurrencë të fortë në arenën ndërkombëtare.

“Këto pozicionime reflektojnë vazhdimësinë, qëndrueshmërinë dhe nivelin e lartë të garimit mes sportisteve më të mira të botës, si edhe praninë e konsoliduar në elitën e garave të skive alpine”, thekson Gonxhja.

Këtë fundjavë u zhvilluan dy garat e radhës të Kupës së Botës për femra, të zhvilluara në Kranjska Gora të Sllovenisë.

Lara Colturi u rendit në vendin e 6-të në sllallomin gjigant të shtunën, ndërsa në garën e sllallomit të së dielës nuk arriti ta përfundojë provën.

Pas përfundimit të etapës së 17-të të Kupës së Botës në Ski (nga 37 etapa gjithsej), skiatorja 19-vjeçare mban vendin e 8-të në renditjen e përgjithshme me 402 pikë.

Ajo ka grumbulluar 280 pikë në sllallom, ku renditet e treta, ndërsa në sllallomin gjigant ka 122 pikë.

Po ashtu, Lara Colturi kryeson renditjen e kategorisë “Yjet e së ardhmes”, e shkëputur ndjeshëm nga rivalet, duke konfirmuar perspektivën e saj si një nga emrat më premtues të skive alpine në nivel botëror.

1 nga 3

/gj.m/r.e/a.f/

The post Gonxhja: Lara Colturi konfirmon sezon elitar në Kupën e Botës në Ski appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Anis Mehmeti mes rinovimit me Bristol City dhe interesimit nga Premier League e Ligue 1

5 January 2026 at 14:38

TIRANË, 5 janar /ATSH/ Bristol City ka konfirmuar se i ka ofruar një kontratë të re Anis Mehmetit, por e ardhmja e sulmuesit të Kombëtares shqiptare mbetet ende e hapur, teksa ai po monitorohet edhe nga klube të Premier League dhe Ligue 1.

CEO i Bristol City, Tom Rawcliffe, bëri të ditur se bisedimet me Mehmetin, ashtu si edhe me Zak Vyner dhe Mark Sykes, janë në zhvillim e sipër dhe “gjërat po ecin përpara”.

Kontrata aktuale e Mehmetit skadon në fund të sezonit të Championship-it, ndërsa klubi i ka bërë tashmë ofertën zyrtare për rinovim.

Megjithatë, sipas raportimeve nga mediet britanike, paraqitjet e mira të 24-vjeçarit këtë sezon kanë tërhequr interes konkret nga disa skuadra të elitës angleze dhe nga kampionati francez, Ligue 1.

Këto oferta e bëjnë më të ndërlikuar mbylljen e marrëveshjes në këtë fazë, pavarësisht dëshirës së Bristol City për ta mbajtur në “Ashton Gate”.

Mehmeti ka qenë një nga lojtarët kyç të skuadrës nën drejtimin e Gerhard Struber, duke fituar një rol të rëndësishëm në formacion dhe duke rritur ndjeshëm vlerën e tij në treg.

Klubi pritet të vijojë negociatat në javët në vijim, ndërsa vendimi final i lojtarit do të varet nga projekti sportiv dhe ofertat konkrete që do të formalizohen.

/gj.m/a.f/r.e/

The post Anis Mehmeti mes rinovimit me Bristol City dhe interesimit nga Premier League e Ligue 1 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Teuta largon sulmuesin Sebastian Zela, peruani zero gola në Durrës

5 January 2026 at 14:35

TIRANË, 5 janar /ATSH/ Klubi i Teutës vijon riorganizimin e skuadrës gjatë merkatos së dimrit, duke zyrtarizuar një tjetër largim.

Pas ndarjes me Arbër Çyrbjen, durrsakët kanë ndërprerë bashkëpunimin edhe me sulmuesin peruan Sebastian Gonzales Zela.

Përmes një njoftimi zyrtar, klubi blu bëri të ditur përfundimin e marrëveshjes me lojtarin 26-vjeçar.

“KF Teuta njofton përfundimin e bashkëpunimit me lojtarin Sebastián Gonzales Zela. Klubi e falënderon lojtarin për kontributin e dhënë dhe i uron shumë suksese në vazhdim të karrierës”, thuhet në njoftim.

Zela rezultoi një zhgënjim në dy fazat e para të kampionatit. Sulmuesi nuk arriti të shënonte asnjë gol me fanellën e Teutës, pavarësisht 628 minutave të aktivizuara.

Në javët e fundit ai kishte humbur edhe vendin në formacion, duke përfunduar shpesh në stol, një sinjal i qartë se nuk ishte më në planet e stafit teknik të “Djemve të Detit”.

Me këtë largim, Teuta pritet të ketë më shumë hapësira për afrime të reja në repartin ofensiv, me synimin për të përmirësuar rendimentin në gjysmën e dytë të sezonit.

/gj.m/r.e/a.f/

The post Teuta largon sulmuesin Sebastian Zela, peruani zero gola në Durrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Regjimenti i Këmbësorisë së Veriut në stërvitje intensive, së shpejti qendër e re operacionale

5 January 2026 at 11:55

TIRANË, 5 janar /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ndau sot pamje nga stërvitja e Regjimentit të Këmbësorisë së Veriut, i cili ka vijuar përgatitjen intensive edhe në ditët e para të vitit të ri.

“Viti nis siç duhet në Regjimentin e Këmbësorisë së Veriut”, shkruan Vengu në postimin e tij, duke theksuar rëndësinë e gatishmërisë dhe profesionalizmit të Forcave të Armatosura.

Në pamjet e publikuara nga ministri Vengu vërehen Forcat e Armatosura shqiptare, duke u stërvitur në zona malore dhe pyjore, duke krijuar situata të ndryshme rreziku, si pengmarrje etj. Po ashtu, vihet re përdorimi i armëve dhe municioneve në dispozicion të FA, pë realizimin me sukses të misioneve.

Në të njëjtën kohë, Ministria e Mbrojtjes parashikon ngritjen e qendrës së re operacionale të Batalionit III të Regjimentit të Këmbësorisë së Veriut, në ambientet e ish-repartit ushtarak në Mollëz.

Ky repart ka shërbyer më herët si garnizon dhe depo ushtarake, si dhe ka pasur një rol të rëndësishëm gjatë luftës në Kosovë, ku janë zhvilluar stërvitje të forcave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas planit afatmesëm të Ministrisë së Mbrojtjes, objekti do t’i nënshtrohet një rikonstruksioni të plotë për të akomoduar një batalion të plotë këmbësorie, duke zgjeruar kapacitetet e Regjimentit të Veriut. Aktualisht, në Burrel operon një kompani e plotë, ndërsa synimi është rritja me rreth 30% e forcës aktive, shumëfishimi i kapaciteteve dhe krijimi i njësive të para të forcës rezerviste.

Pavarësisht degradimit dhe braktisjes ndër vite, tashmë është miratuar masterplani i zhvillimit, i cili parashikon një ndërhyrje tërësore infrastrukturore. Projekti synon një investim të qëndrueshëm, funksional dhe efikas për përmbushjen e misioneve operacionale.

Struktura e re do të akomodojë rreth 648 personelë, nga të cilët 401 efektivë aktivë dhe 247 rezervistë, të shpërndarë në një sipërfaqe prej rreth 366 hektarësh. Territori ofron kushte të përshtatshme për stërvitje, akomodim, aktivitete sportive e rekreative, si dhe për ndërtimin e poligoneve dhe terreneve ndihmëse.

Zona, e lirë nga banesat civile, garanton standarde të larta sigurie dhe akses të favorshëm në infrastrukturën e energjisë elektrike dhe ujësjellësit.

Misioni kryesor i Batalionit të Burrelit do të jetë përgatitja, trajnimi dhe mbajtja në gatishmëri e kapaciteteve operacionale për mbrojtjen e vendit, si dhe përballimi i emergjencave civile, si pastrimi i rrugëve nga bora, zjarret dhe situata të tjera të jashtëzakonshme, veçanërisht në zonën verilindore të vendit.

Projekti parashikon ndarjen e repartit në tre zona funksionale: administrative, logjistike e mbrojtëse, si dhe zonën e jetesës dhe stërvitjes, duke krijuar një garnizon modern në përputhje me standardet bashkëkohore të Forcave të Armatosura Shqiptare.

/gj.m/a.f/r.e/

The post Regjimenti i Këmbësorisë së Veriut në stërvitje intensive, së shpejti qendër e re operacionale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌