Kryedemokrati Sali Berisha, ka deklaruar nga Kombinati se opozita është përballur me një përpjekje sistematike për t’u asgjësuar, për shkak të asaj që ai e cilëson si “narkoregjimin e Edi Ramës”.
Berisha e konsideroi kryeministrin Edi Rama si armik të votës dhe se këtë fakt, sipas tij, PD ia ka faktuar shqiptarëve dhe botës.
“Sot jemi në fushë, jemi në betejë, por sot ne dalim në fushë, dalim në betejë, pasi iu kemi faktuar shqiptarëve dhe botës se ky armik, ky nuk na lejon të votojmë, ky përdor paratë tona për të rrëmbyer votat tona, ky përdor krimin për të rrëmbyer votën dhe votën e shndërron në krim”, tha ai, ndërsa shtoi se Rama “qeveris me bandat, qeveris me krimin”.
Ai shtoi se sot PD është partia më e mbështetur, pasi u firmosën në 14 muaj 7 rezoluta, nga të gjitha partitë simotra në Europë dhe në botë, të cilat sanksionojnë, sipas tij, mbështetje të jashtëzakonshme për PD.
“PD Denoncoi narkoregjimin e Edi Ramës, denoncoi farsën e tij elektorale, shtypjen e pluralizmit nga Edi Rama, plaçkitjen që ajo iu bën qytetarëve, narkoshtetin e Edi Rama”, tha ai.
Berisha: Miq, i dini vet, nuk do të bëj historikun e këtyre viteve që shkuan, por një gjë ishte e sigurtë, që u bë gjithçka që të na fusnin 5 pashë nën tokë. Po pse, çfarë po bënim?
Ne, çdo ditë, po denonconim një regjim që vidhte qytetarët, i cili bashkëpunonte me bandat, me vrasësit, serial killerat, kartelet e drogës. I cili përbënte rrezik jo vetëm për shqiptarët. Po denonconim një regjim, i cili pasuritë përrallore të kësaj toke dhe këtij vendi i shndërroi në një mallkim për qytetarët shqiptarë. Një regjim, i cili vendosi taksat më të mëdha ndaj qytetarëve dhe bëri që fëmijët e tyre për të mos menduar të ndërtojnë në Shqipëri të ardhmen, por të marrin rrugët e Europës, masivisht. Këtë po bënim ne.
Pra ne, po mbronim vlera, të cilat janë të përbashkëta për të gjithë njerëzit e lirë. Megjithatë, ne përjetuam një kalvar, por prapë ADN-ja jonë, geni ynë të pamposhtur, nuk u mposhtëm nga asgjë. Jo! Sepse mbronim të vërteta. Nuk ishte problemi të mbronim një person, por mbronim të vërtetat dhe kjo është një meritë e jashtëzakoshme e juaja. Ju mbrojtët opozitën, ju mbrojtët pluralizmin, ju mbrojtët gjërat më të çmuara që ka një komb, vend, familje.
Por, pavarësisht nga këto rrethana, ne ia dolëm. Së pari, nga partia më e izoluar në botë, as Partia Komuniste e Kinës, ose e Koresë së Veriut nuk ka qenë më e izoluar se sa PD, parti e vlerave. Sot jemi partia më e mbështetur. U firmosën në 14 muaj, nga tetori i vitit 2024, në 5 dhjetor të vitit 2025 7 rezoluta, nga të gjitha partitë simotra në Europë dhe në botë, të cilat sanksionojnë pa përjashtim mbështetje të jashtëzakonshme për PD. Vlerësimin maksial për qëndresën e saj epike. Denoncoi narkoregjimin e Edi Ramës, denoncoi farsën e tij elektorale, shtypjen e pluralizmit nga Edi Rama, plaçkitjen që ajo iu bën qytetarëve, narkoshtetin e Edi Rama.
Pra miq, kjo u bë e mundur vetëm në saj të genit të pamposhtur të demokratëve. ADN-ja jonë, është ADN-ja e njerëzve të pamposhtur.
Ndaj dhe unë, kam bindjen më të madhe se, demokratët e pamposhtur, njëlloj siç arkivuan të këqijat më të mëdha të këtij kombi, nga vitet 1990 e gjer sot, do të arkivojnë të keqen më të madhe pas Enver Hoxhës, regjimin e Edi Ramës me të gjithë anekset e tij.
Miq, sot jemi në fushë, jemi në betejë, por sot ne dalim në fushë, dalim në betejë, pasi iu kemi faktuar shqiptarëve dhe botës se ky armik, ky nuk na lejon të votojmë, ky përdor paratë tona për të rrëmbyer votat tona, ky përdor krimin për të rrëmbyer votën dhe votën e shndërron në krim. Se ky armik qeveris me bandat, qeveris me krimin. Se ky është një plaçkitës i pamëshirë i pasurive publike dhe buxhetit të shqiptarëve.
The post Berisha: Të gjithë shqiptarët më 24 janar ngrihen në provën më të fuqishme, përballë regjimit më të urryer që shqiptarët kanë patur pas Enver Hoxhës appeared first on Albeu.com.