TIRANË, 27 dhjetor/ATSH/ Dritat shumëngjyrëshe, zbukurimet e fundvitit dhe pema e madhe e Vitit të Ri kanë veshur Durrësin me atmosferë festive, duke e kthyer qytetin bregdetar në një hapësirë të ngrohtë dhe plot gjallëri në ditët e fundit të dhjetorit.
Në sheshet dhe rrugët kryesore të qytetit, ndriçimet dekorative dhe elementët festivë krijojnë një pamje të veçantë, ndërsa qytetarë dhe vizitorë shijojnë mbrëmjet në një ambient që përcjell gëzim dhe frymën e festave.
Pamjet nga kjo atmosferë festive janë ndarë mbrëmjen e sotme edhe nga Kryeministri Edi Rama, duke sjellë në vëmendje gjallërinë që mbizotëron në Durrës gjatë këtij sezoni festash.
Ndërkohë Bashkia e Durrësit ka përpiluar një program të ngjeshur aktivitetesh, si koncerte në sheshin qendror apo zona të tjera të qytetit, aktivitete argëtuese për fëmijë e të rritur në sheshin qendror dhe tek shëtitorja..etj.
Kulla e Turanit në Korçë po përballet me rrezikun e shembjes totale. Kulla, monument i kulturës i kategorisë së parë dhe një nga ndërtimet më të rralla të këtij lloji në juglindje të vendit, e cila përfaqëson vlera historike dhe arkitektonike, sot ndodhet në një gjendje alarmante degradimi.
E ndërtuar në shekullin XVIII si një objekt mbrojtjeje, Kulla e Turanit, rreth 15 metra e lartë, me formë katrore, pa dritare dhe me vetëm një dhomë në çdo kat, është një shembull i rrallë i arkitekturës së fortifikuar.
Prej vitit 2014, kulla ka nisur të degradojë me çarjet në mure, rënia e pjesshme e çatisë ,por dëmtimet strukturore kanë përkeqësuar situatën, duke e kthyer monumentin në një rrezik edhe për banorët e zonës.
Kryeplaku i fshatit Turan, Ilir Skënderasi, shprehet se shqetësimi është ngritur prej vitesh pranë institucioneve përgjegjëse, por pa rezultat konkret.
“Prej vitesh ka nisur degradimi. Fillimisht u hapën muret, më pas ra çatia. Kemi njoftuar njësinë administrative, institucionet e kulturës dhe ministrinë. Sot gjendja është shumë e rëndë. Është monument kulture i shekullit XVIII dhe po shembet dita-ditës. Nëse nuk ndërhyhet, rrezikon të bjerë plotësisht. Ndodhet brenda oborrit të një familjeje dhe përbën rrezik për jetën e banorëve. Është për të ardhur keq, sepse është një monument unik. Turistët vijnë ta shohin, por çfarë do të shohin nesër, rrënoja?”
Ndërsa Drejtoria Rajonale e Monumenteve të Kulturës konfirmon se ekziston një projekt për restaurimin e kullës, por sipas saj mungesa e fondeve ka bërë të pamundur ndërhyrjen duke e lënë në harrë këtë monument të trashëgimisë kulturore.
Gazetari Hamdi Jupe, një nga themeluesit e PS, ka ndarë një rrëfim të trishtë gjatë viteve kur ka shërbyer shef kabineti i kryetarit të kuvendit, Servet Pëllumbi, për momentet e fundit të jetës së aktorit të madh Kadri Roshi.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai tregon se në momentet e fundit të jetës, aktori ishte shtruar në Spitalin Ushtarak dhe kryetari Servet Pëllumbi me të marrë vesh lajmin, urdhëroi stafin që të përgatiteshin sepse do të shkonin menjëherë.
Gjatë takimit, aktori kërkoi që të gjithë të dilnin nga dhoma, duke dashur të fliste vetëm me Kryetarin e Kuvendit. Pasi mbetën vetëm, Kadri Roshi i bëri Servet Pëllumbit një lutje që ta ndihmonte t’i gjente disa para, pasi gruaja e tij kishte mbetur pa bukë në shtëpi.
Sipas rrëfimit të Jupes, aktori shprehu se nuk kishte frikë për veten, pasi e dinte që po i afrohej fundit, por ishte i shqetësuar për fatin e bashkëshortes së tij pas vdekjes.
Postimi i gazetarit Hamdi Jupe:
“Në mëngjes më thirri Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Servet Pëllumbi në zyrë. Punoja si shef i kabinetit të tij.
– Do të shkojmë për vizitë në Spitalin Ushtarak. Atje është shtruar i sëmurë Artisti i Popullit Kadri Roshi. Ka qenë aktor i madh prandaj meriton respekt – tha ai.
U nisa para tij për të takuar drejtorin e spitalit me qëllim që të ishte aty kur do të vinte Kryetari. Eskorta me Pëllumbin mbërriti në orën e caktuar.
Hymë në dhomën ku ishte artisti. Me ne, edhe oficeri i eskortës. Aktori ishte sistemuar i vetëm në dhomë për të qenë i qetë nga pacientët e tjerë. Pak fjalë përshëndetëse me të dhe papritur ai na u drejtua neve:
– Ju lutem, dilni pak nga dhoma ju, se kam një muhabet vetëm me Servetin. – Ai po fliste sikur Kryetarin e Kuvendit ta kishte vëlla. U habitëm nga fjalët e aktorit dhe vështruam nga Kryetari. Mirë ne të tjerët, po edhe drejtori – mjek i spitalit, duhet të dilte jashtë nga dhoma e pacientit!?
– Dilni, dilni – tha Kryetari. – Ne jemi burra të vjetër dhe kemi edhe ne sekretet tona. – Edhe për të ishte e papritur kjo kërkesë e aktorit, por nuk mund ta kundërshtonte.
Dolëm nga dhoma dhe po prisnim në korridor të habitur, derisa dera u hap dhe Kryetari na ftoi të hynim prapë. Qëndruam ca kohë aty, ndërkohë që Kryetari po bisedonte me aktorin dhe drejtorin për situatën e tij shëndetësore. Pastaj u kthyem në Kuvend.
Sapo kisha hyrë në zyrë, kur Kryetari më thirri të shkoja te zyra e tij. Më habiti kjo, sepse para pak minutash ishim bashkë në spital. Mos vallë kishte ndodhur ndonjë gjë e papëlqyeshme gjatë vizitës sonë atje (çështje protokolli) dhe tani po më thërriste për të më tërhequr vërejten për “pakujdesi në detyrë”? U ulëm të dy në kolltukun e gjatë të zyrës së tij. Kryetari heshti për pak çaste, pastaj hapi gojën.
– E more vesh përse ju nxori artisti nga dhoma juve?
– Jo, nga ta merrja vesh? – u përgjigja. – Ju e patë vetë atë që ndodhi, ne dolëm jashtë.
– Po – tha profesori, gjithnjë me një hije të rëndë trishtimi në fytyrë – Ai ju nxori juve jashtë dhe atëherë, kur ngelëm vetëm, më bëri mua një kërkesë të panatyrshme. – Kryetari mori frymë thellë, sikur të donte të thoshte diçka të rënde. – Më tha: “Të lutem, më ndihmo të gjej ca para, se e kam gruan pa bukë në shtëpi. Nuk po pyes për veten time, se e di që do vdes, po kam hallin e saj”.
Një rrëfim që tregon momentet e trishta të një aktori të madh që i dha aq shumë popullit shqiptar e që dhjetëra role e filma të tij kanë mbetur një trashëgimi e çmuar, por që shteti nuk u kujdes kurrë dhe e la në varfëri, ashtu si shumë artistë të tjerë.
TIRANË, 27 dhjetor /ATSH/ Galeria e Arteve e Shkodrës vijon të jetë një nga institucionet kryesore për ruajtjen dhe dokumentimin e artit pamor shqiptar, me një koleksion që numëron mbi 800 vepra arti nga periudha dhe rryma të ndryshme krijuese.
Koleksioni i galerisë përmban punime të artistëve nga Shkodra dhe rajone të tjera të vendit, si dhe vepra të autorëve të huaj, duke krijuar një panoramë të gjerë të zhvillimit të artit pamor ndër vite.
Sipas drejtorit të institucionit, Fatmir Juka, fondi i galerisë është ndërtuar dhe pasuruar në mënyrë të vazhdueshme, duke u ndarë në tri faza kryesore që pasqyrojnë periudhat e tranzicionit dhe zhvillimit të artit shqiptar pas viteve ’90. Ai bëri të ditur se gjatë vitit 2025 fondit i janë shtuar rreth nëntë vepra të reja, një pjesë e të cilave vijnë nga ekspozime të artistëve bashkëkohorë vendas dhe të huaj.
Galeria e Arteve e Shkodrës mban në arkivin e saj edhe vepra të autorëve të njohur të pikturës dhe skulpturës shqiptare, duke shërbyer si një pikë referimi për studiuesit, artistët dhe publikun.
Gjatë vitit që po mbyllet, institucioni ka zhvilluar një program të pasur aktivitetesh kulturore. Përveç ekspozitave tradicionale, si “Çmimi Idromeno” dhe “Salloni i Vjeshtës”, janë organizuar edhe ekspozita individuale, të cilat kanë sjellë në vëmendje krijimtarinë bashkëkohore dhe kanë nxitur dialogun artistik në qytet. e.xh/j.p/
TIRANË, 27 dhjetor /ATSH/ Kori i të rinjve “Zë +” solli atmosferën festive të fundvitit në Galerinë e Arteve Digjitale në Korçë, gjatë një koncerti të zhvilluar në mbrëmje duke krijuar një hapësirë artistike të veçantë për qytetarët dhe artdashësit.
Aktiviteti u organizua nga Bashkia Korçë në bashkëpunim me Qendrën e Artit dhe Kulturës, si pjesë e kalendarit kulturor të aktiviteteve të fundvitit, që realizohen në qytet gjatë muajit dhjetor.
Gjatë koncertit, kori interpretoi një repertor të përzgjedhur këngësh festive dhe korale, të cilat u pritën me interes nga publiku. Interpretimet sollën një atmosferë të ngrohtë dhe reflektuese të frymës së festave, duke theksuar rolin e muzikës në bashkimin e komunitetit dhe në pasurimin e jetës kulturore lokale.
Pjesëmarrja e të rinjve në këtë aktivitet u vlerësua si një dëshmi e angazhimit të institucioneve vendore për nxitjen e talenteve të reja dhe krijimin e hapësirave të dedikuara për shprehjen artistike. Galeria e Arteve Digjitale shërbeu si një ambient bashkëkohor, që i dha një dimension të veçantë koncertit festiv.
Bashkia Korçë do të vijojë me aktivitete të tilla kulturore edhe në ditët në vijim, me synimin për t’u ofruar qytetarëve dhe vizitorëve një program të pasur artistik gjatë festave të fundvitit, si dhe për të promovuar artin dhe kulturën në Korçë. e.xh/j.p/
Gjuha shqipe, e konsideruar një nga gjuhët më të vjetra të Evropës, ka ruajtur një strukturë unike gjuhësore që e ndan nga grupet e tjera indo-evropiane. Ajo përbën një familje më vete, çka e bën të veçantë për studiuesit e gjuhësisë. Studiues të ndryshëm kanë kërkuar prej kohësh që pasuritë e saj shpirtërore të mund të propozohen për mbrojtje ndërkombëtare.
Interesi për dialektet dhe traditat e të folmes shqipe është shtuar në dekadën e fundit, sidomos pas vëmendjes së huaj drejt folklorit dhe etnosit ballkanik. Festivalet ndërkombëtare ku ka marrë pjesë Shqipëria kanë prezantuar këngë iso-polifonike, e cila është e regjistruar si Trashëgimi Botërore nga UNESCO.
Përpjekjet e institucioneve kulturore janë të fokusuara në zgjerimin e listës për vlerat e tjera të rrezikuara, si elementet e mitologjisë popullore, kujtesa historike dhe artizanatet tradicionale, të cilat konsiderohen pasuri me rrezik zhdukjeje në globalizim./KM
Mes të ftuarve që ndoqën koncertet e Ebru Gündeş gjendeshin të famshëm si Bergüzar Korel, Gökhan Tepe, Şebnem Sungur, Oğulcan Engin dhe Mustafa Aksakallı. Në një deklaratë për mediat, Bergüzar Korel tha se kjo ishte hera e saj e parë që merr pjesë në një koncert të këngëtares. Ndërsa rrëfeu humbjen e 10 kilogramëve për projektin e saj të ri, aktorja tha se procesi ishte i gjatë dhe i lodhshëm.
“Ishte si kamp ushtarak”, tha ajo duke shtuar se e kaluara si ish-sportiste e ka ndihmuar shumë. E pyetur nga gazetarët se me cilin koleg ndihet më rehat kur bashkëpunon, përgjigjja e saj padyshim që ishte bashkëshorti, Halit Ergenç.
“Kanë qenë të gjithë shumë të mirë. Të aktrosh me Halit është kënaqësi e veçantë, por të punuarit me të është më e vështirë. Të jetuarit në të njëjtën shtëpi dhe në sheshxhirim njëkohësisht ishte pak sfiduese. Asokohe ne kishim vetëm një fëmijë, kështu që ishim pak të ndarë, por sigurisht puna është në qendër dhe është e pashmangshme që ta marrësh në shtëpi. Ishte e mrekullueshme, por ka qenë një kohë e gjatë dhe do të donim të ishim sërish në një projekt bashkë me Halit.”
Bergüzar pranoi se xhirimet i ndikuan edhe në jetën private, “por e menaxhuan mirë.”. Aktorja tha se fëmijët vijnë herë pas here në sheshxhirim, por nuk krijojnë probleme./K.M
TIRANË, 27 dhjetor/ATSH/ Në Laboratorin e Restaurimit të Veprave të Artit pranë Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Berat kanë nisur ndërhyrjet konservuese për dy ikona me vlerë të veçantë historike dhe artistike: Shën Kolli dhe Krishti Pantokrator, të gjetura në kishën e Shën Kollit në lagjen Kala.
Kështu bëri të ditur ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, i cili theksoi se “procesi zhvillohet mbi bazën e analizave të specializuara dhe dokumentimit teknik të çdo faze, duke përfshirë pastrimin, konsolidimin dhe stabilizimin e materialeve, me synimin e ruajtjes së autenticitetit, integritetit artistik dhe vlerës historike të veprave, si dhe garantimin e konservimit të tyre afatgjatë”.
Restaurimi i fundit i realizuar nga laboratori i DRTK Berat ishte ai i ikonës së Krishtit, gjetur në Libofshë të Fierit, me autorë vëllezërit Çetiri.
Muzeu i Ikonografisë “Onufri” është organizuar në ambientet e kishës “Fjetja e Shën Marisë”, në Kalanë e Beratit, prej 27 shkurtit të vitit 1986.
Muzeu mban emrin e Onufrit, kryemjeshtrit të pikturës ikonografike shqiptare në shekullin XVI. Katedralja – sipas mbishkrimeve që mbart – rezulton të jetë rindërtuar në vitin 1797 mbi themelet e një kishe më të vjetër të periudhës bizantine.
Ajo përfaqëson një nga arkitekturat më tipike pasbizantine në qytetin e Beratit. Koleksioni i muzeut përbëhet nga 196 ikona dhe objekte liturgjike.
TIRANË, 27 dhjetor/ATSH/ 126 vjet më parë lindte poeti ynë i madh, Llazar Gusho, i njohur me emrin e penës, Lasgush Poradeci.
Lasgush Poradeci lindi në familjen Gusho, më 27 dhjetor 1899 në Pogradec. U quajt Llazar, ndonëse do të arrinte përjetësinë në sajë të emrit të tij të penës. Në moshën 10-vjeçare ndoqi mësimet në Manastir dhe më pas u zhvendos në Athinë, ku mbaroi liceun. Në vitin 1921 iu drejtua Rumanisë për të vijuar me studimet e larta. Në Bukuresht, u përfshi në radhët e lëvizjes atdhetare të kolonisë shqiptare dhe iu besua detyra e sekretarit të përgjithshëm.
Në vitin 1933 u botua vëllimi i parë i poetit “Vallja e yjeve” dhe më 1937-n, u publikua vëllimi pasues “Ylli i zemrës”. Ndër të tjera, Poradeci shkroi poemat “Ekskursioni teologjik i Sokratit”, “Mbi ta” dhe “Kamadeva”.
Vepra e Poradecit, e cila është një triptik që i këndon dashurisë, lirisë dhe liqenit të Ohrit, zë një vend të privilegjuar në letërsinë shqiptare. Tiparet e përveçme të penës së Lasgushit ishin vargëzimi dhe melodia e hollë, ndërsa tema e dashurisë ishte tema më e rrahur në mesin e mbi 100 poezive të tij që dallojnë për dikotomi mes fjalëve arkaike dhe eksperimenteve leksikore.
Lasgush Poradeci përktheu disa nga kryeveprat e letërsisë botërore, sikurse: “Eugjen Onjegini” të Pushkinit, lirikat e Lermontovit, të Bllokut, poemat dhe lirikat e Hajnes, të Majakovskit e Miçkieviçit, lirikat e Gëtes, poezi të Lanaut, Brehtit, Hygoit etj.
Dritat e fundvitit kanë ndezur Shkodrën dhe bashkë me to edhe ritmin e qytetit. Në sheshin para bashkisë, ku muzika dëgjohet deri në rrugicat përreth, turistë dhe qytetarë ndalen, fotografojnë dhe bëhen pjesë e festës që këtë fundvit e ka kthyer Shkodrën në një nga destinacionet më të kërkuara në vend.
Sheshi është epiqendra e festimeve, ku çdo mbrëmje ngjiten artistë të njohur, duke e shndërruar qytetin në një skenë të hapur. Kalendari festiv do të kulmojë në natën e ndërrimit të viteve me performanca nga Arilena Ara, Noizy, Elvana Gjata, Sidrit Bejleri dhe spektaklin e fishekzjarreve.
Drejtoresha e Kulturës në Bashkinë Shkodër, Sara Smaja, thotë për ATSH-në se ky fundvit ka ardhur ndryshe, jo vetëm për shkodranët, por edhe për turistët e shumtë që kanë zgjedhur qytetin për të festuar. Risia e këtij viti është shtrirja e atmosferës festive në disa pika kryesore të qytetit.
Për fëmijët është krijuar një hapësirë e posaçme pranë lulishtes së bashkisë, ndërsa përgjatë pedonales “Kolë Idromeno” rinia ka ngritur shtëpizat e saj festive. Të menaxhuara nga të rinjtë e “Act4Shkodra”, këto hapësira nuk janë vetëm festive, por edhe solidarizuese, pasi të ardhurat e mbledhura shkojnë për bamirësi për shtresat në nevojë.
Smaja thekson se ky është viti i tretë që bashkia e ka çuar festën në një tjetër dimension, duke dyfishuar numrin e turistëve. Strukturat akomoduese janë pothuajse të mbushura dhe gjetja e vendeve të lira për ditët e fundvitit është gjithnjë e më e vështirë.
Atmosfera festive shtrihet edhe në institucionet kulturore të qytetit. Teatri “Migjeni” ka sjellë premiera dhe varietetin e humorit dhe këngës “Kartolinën ta dërgova”, ndërsa Orkestra Simfonike ka mbajtur koncert me të ftuar sopranon e njohur ndërkombëtare Marigona Qerkezi. Muzeu Historik dhe Galeria e Arteve ofrojnë ekspozita dhe veprimtari që pasqyrojnë trashëgiminë dhe krijimtarinë bashkëkohore të Shkodrës.
Krahas festës, bashkia ka ndërmarrë masa për garantimin e rendit dhe sigurisë. Policia Bashkiake dhe ajo e Rendit janë të pranishme në sheshe dhe në akset kryesore për menaxhimin e trafikut dhe mbarëvajtjen e aktiviteteve.
Përtej muzikës dhe dritave, turistët po shfrytëzojnë edhe atraksionet historike dhe natyrore të qarkut Shkodër. Kalaja e Rozafës, liqeni i Shkodrës, Buna, Thethi, Valbona dhe malet përreth mbeten pjesë e itinerarit edhe në dimër.
Në këto ditë festash, Shkodra jo vetëm feston, por edhe mirëpret, duke i dhënë kuptim ftesës së saj tradicionale për vizitorët: “Ardhshi të bardhë”.
Nga bota e imobiliareve te kinemaja, Mariglen Çika ka debutuar në filmin shqiptar Bad Drop. I njohur për prezencën e tij në ekranin e telefonave dhe videot kreative, ai tregon si u fut në rolin e Nikut, krahu i djathtë i dy kapove të bandave, dhe si e përjetoi eksperiencën e parë përball kamerës.
Në një intervistë pwr “E Vërteta.al”, Marigleni rrëfen ftesën që e bëri pjesë të filmit, sfidat gjatë xhirimeve dhe bashkëpunimin me aktorët profesionistë Behar Meren dhe Bujar Asqeriun. Ai shpjegon se roli nuk ka lidhje me jetën e tij reale, por eksperienca i dha mundësinë të përjetojë emocionet dhe kompleksitetin e një filmi aksion. Gjithashtu, aktori ndan këshilla për të rinjtë që duan të provojnë veten në fusha të reja dhe shpreh dëshirën për të eksploruar edhe zhanre të tjera në të ardhmen.
Si erdhi ftesa për të qenë pjesë e filmit Bad Drop dhe cili ishte reagimi juaj i parë?
Ftesa erdhi nëpërmjet mikut tim, Eni Gurra, i cili pasi më kishte parë edhe në videot në rrjetet sociale me kolegen time, Viola, i kishin pëlqyer videot dhe mënyrat sesi realizonim videot për reklamimin e pronave me ide kreative dhe me doza të vogla aktrimi.
Çfarë ju bindi të pranoni një rol në kinematografi, duke ardhur nga fusha e imobiliareve?
Pranimi i ftesës ishte i menjëhershëm, pasi doja të shfrytëzoja këtë mundësi që më u dha, e cila do më jepte shansin të eksperimentoja në fushën e aktrimit.
A kishit më parë eksperiencë me aktrimin apo ishte hera e parë para kamerës?
Ndër vite jam marrë me art, muzikë, kërcim, DJ dhe gjithmonë kam prekur skena, ekrane dhe televizione si i ftuar. Kështu që marrëdhënia me kamerën nuk ishte problem, dhe futja në rol ishte diçka që e kisha provuar më parë edhe në formate të tjera televizive.
Na tregoni më shumë për personazhin që interpretoni në Bad Drop.
Kush është Marigleni në Bad Drop?
Marigleni në Bad Drop luan rolin e Nikut, i cili është krahu i djathtë i dy kapove të bandave, konkretisht Behar Meres dhe Bujar Asqeriut. Unë jam i besuari i të dyja grupeve, si ndërmjetës dhe si shërbëtor korrekt në çdo punë të kryer më parë, deri sa shfaqet Lisa, e cila më ekzekuton 4 prej miqve të mi që punonim bashkë dhe mua më kursen, duke pasur të tjera misione në mendje dhe më kërcënon që të bëj gjithçka që ajo thotë, që mos të më heqë qafe.
Sa afër apo larg është ky rol nga vetja juaj reale?
0% nuk kemi lidhje fare me rolin, pasi filmi është fiction dhe nuk është se në realitet gjërat ndodhin kaq artistikisht sa në film. Në jetën reale nuk ka si të jetë gjithçka kaq e skenuar.
Cila ishte skena më sfiduese për ju gjatë xhirimeve?
Koha e nxehtë, xhirimet me kostum dhe kollare deri në fyt, teksti dhe emocionet përball aktorëve të mëdhenj, ku duhej të jepnim maksimumin.
A pati momente ku u ndjetë të pasigurt përpara kamerës?
Disa herë, kur ndodhte që harronim tekstin, ishin shumë syra dhe shumë kamera drejtuar drejt meje, që prisnin rezultatin. Por, dashje pa dashje, me pak improvizim kalonim situatën pa u kuptuar dhe pa krijuar ngërç në xhirime.
Përvoja në xhirime
Si ishte bashkëpunimi me kastin dhe regjisorin e filmit?
Për mua kënaqësia më e madhe ishte që kisha rol dhe skenar me të dy aktorët, si Behar Meren ashtu dhe Bujar Aqeriun. Ishte fat dhe nder që punova me ta. Regjia gjithmonë ishte e hapur dhe e qetë me punën tonë, duke e bërë më të lehtë transformimin nga jo-aktor në aktor.
Çfarë atmosfere mbizotëronte gjatë xhirimeve?
Shumë miqësore, shumë argëtuese, gjë që na la shije të mirë dhe mezi presim xhirimet e rradhës.
A keni ndonjë episod interesant apo të veçantë nga prapaskenat që mund ta ndani me publikun?
Prapaskenat me Behar Meren ishin fantastike, plot humor dhe të qeshura. Një grup i tërë xhirimi dhe kastë duke mbajtur brinjët nga të qeshurat.
Kalimi nga imobiliare në film
Sa e vështirë ishte të balanconi jetën profesionale si agjent imobiliar me angazhimin në film?
Ka pasur sfidat e veta. Disa ditë xhirimesh nga puna shkoja direkt në shesh xhirim ose e kundërta, nga xhirimet direkt te klientët. Më ka krijuar pak vështirësi në menaxhimin e kohës, por ja dola me sukses t’i menaxhoja. Tani shohim në serinë e dytë, uroj të shkojë mirë dhe të mos krijoj përplasje mes datave dhe orareve të punës.
A mendoni se profesioni juaj ju ndihmoi në ndërtimin e personazhit?
Nuk besoj se lidhen karakteret nga personazhi i filmit me atë në punën e përditshme si reklamues. Por prezenca në publik, të qenit person publik tashmë prej vitesh në ekranin e vogël të telefonave të miliona shqiptarëve, na ka dhënë edhe shansin për ftesa të tilla, si të qenit protagonist në një film.
Çfarë kanë të përbashkët, sipas jush, bota e biznesit dhe ajo e filmit?
Janë të dyja biznese fitimprurëse .
Filmi tashmë ka hapur dyert për publikun.
Si kanë qenë reagimet e para të publikut pas shfaqjes së filmit?
Unë personalisht kam marrë shumë nota të larta vlerësuese, si nga publiku, ashtu edhe nga miqtë dhe aktorë profesionistë, të cilët më kanë dhënë kritikat e tyre për pjesën aktoriale në film. Ka shumë elementë pozitivë, që nëse punohen edhe më mirë, nxjerrin rezultate finale shumë të këndshme për shikuesin.
A do ta konsideronit seriozisht aktrimin si një rrugë të dytë profesionale?
Sigurisht, e shijova shumë gjithçka: xhirimet, premierën, duartrokitjet dhe punën me aktor profesionist. Dua të jem pjesë e zhanreve të ndryshme të filmave të tjerë dhe nuk dua të mbyll vetëm me këtë serial aksion.
Nëse do t’ju ofrohej një tjetër rol, çfarë lloj personazhi do të dëshironit të luanit?
Zhanri që dua të eksperimentoj do të ishte komedia-dramë. Normalisht, personazhin e vendos regjizori, dhe çfarëdo roli të kem, do bëj maksimumin për t’u përfshirë dhe për t’u bërë njësh me personazhin.
Çfarë ju ka mësuar kjo eksperiencë për veten?
Që mundësitë në jetë duhet t’i shfrytëzosh në maksimum.
Cili është mesazhi që do të donit të përcillnit për publikun që shkon ta shohë Bad Drop?
Përgatituni për një rrëmujë të madhe, plot intriga që shkaktohen në ujrat e qeta të dy bandave. Gjithçka ndodh nga hakmarrja e një femre dhe intrigat e një personazhi të kërcënuar dhe të dashuruar me pengmarresen, si isha unë (Niku).
Një këshillë për të rinjtë që duan të provojnë veten në fusha të reja, jashtë profesionit të tyre?
Fillimisht, ndiqni studimet për aktrim, pasi shumë elementë fitohen nga shkolla. Gjë të cilën unë, si jo-profesionist, e ndjeva në trysni dhe presion. Ju këshilloj të jeni shumë gati kur të dilni përball kamerës, për të fituar të gjithë benefitet dhe për të shkëlqyer. Uroj që sa më shumë të rinj të sjellin filma shqiptarë, sepse kemi nevojë. Janë ushqim për shpirtin dhe argëtim për publikun e gjerë./mxh
Certosa, Osanna dhe Gallo inaugurojnë seksionin e ri të përhershëm
nga Francesca De Lucia
Shekulli i nëntëmbëdhjetë ishte një shekull fermentimi të jashtëzakonshëm për Napolin, kryeqytetin e një mbretërie në transformim dhe një udhëkryq të Grand Tour, atëherë qendra e aktivitetit artistik evropian në kontakt të vazhdueshëm me Parisin, duke tërhequr, ndërsa gërmimet e Vezuvit vazhdonin, udhëtarë, artistë dhe koleksionistë.
Me dymbëdhjetë dhoma të reja me pamje nga panorama ikonike, hapësirat ekspozuese të Certosa di San Martino, pjesë e Muzeve Kombëtare të Vomeros, janë zgjeruar. Ky seksion i ri paraqet një ekspozitë të përhershme kushtuar atij shekulli (shpesh të anashkaluar në kontekste artistike dhe muzeale), të treguar përmes dyqind veprave: piktura, arte dekorative, skulptura, fotografi dhe koleksione të çmuara nga koleksionet e mëdha historike, disa prej të cilave janë ruajtur dhe restauruar.
Zgjerimi u përurua nga Massimo Osanna, Drejtor i Përgjithshëm i Muzeve; Luigi Gallo, Drejtor i Përkohshëm i Muzeve Kombëtare Vomero; Isabella Valente, bashkëkuratore (Universiteti Federico II i Napolit); dhe Teresa Armato, Këshilltare e Qytetit për Turizmin. Seksioni i ri i muzeut u krijua falë financimit nga Plani Kombëtar i Rimëkëmbjes dhe Rezistencës (NRRP) (700,000 €), i dedikuar posaçërisht për përmirësimin e efikasitetit të energjisë, i vënë në dispozicion nga Drejtoria e Përgjithshme për Muzetë.
“Është një ekspozitë mahnitëse; isha e emocionuar,” komentoi Osanna. “Është rezultat i një studimi dhe kërkimi të gjerë dhe të përbashkët që i rikthen në jetë veprat dhe kontekstet kryesore të historisë së Napolit dhe forcon rolin e muzeut si një hapësirë publike: një vend që dëgjon, mirëpret dhe rinovon historinë e tij ditë pas dite. Edhe një herë, NRRP konfirmon veten si një mundësi për t’i dhënë jetë të re muzeve tona, për të përmirësuar aftësitë e tyre narrative për të gjithë audiencën dhe për t’i bërë ato gjithnjë e më të arritshme për komunitetet që i banojnë ato.” Për Gallon, “shekulli i 19-të ishte shekulli në të cilin Napoli ndryshoi fytyrën dhe imazhet e tij. Me këtë itinerar të ri, ne duam ta shoqërojmë vizitorin përmes asaj periudhe transformimi të madh, përmes veprave që flasin për shijen, udhëtimin, koleksionimin dhe jetën e përditshme. Është një mënyrë për t’i rikthyer publikut pasurinë e një trashëgimie që i përket qytetit dhe historisë së tij”.
E projektuar nga arkitekti Fernando Giannella, ekspozita paraqet një udhëtim gjithëpërfshirës dhe të strukturuar përmes veprave nga koleksione të tilla si ato të Bonghi, Savarese, Ruffo, Ricciardi, Rotondo dhe Gamberini. Historia fillon me artet dekorative: porcelan nga Real Fabbrica di Napoli, Castelli majolica, enë prej balte napolitane, qelqi dhe korali, të cilat na flasin për një shije të kulturuar dhe kozmopolite. Piktura peizazhistike e shekullit të nëntëmbëdhjetë gjeti një nga qendrat e saj më të gjalla në Napoli: nga lirizmi romantik i Duclère, Carelli, Smargiassi, Fergola dhe Vervloet te pamjet plein-air të Shkollës Posillipo të themeluar nga Anton Sminck van Pitloo, deri te evolucioni realist i Shkollës Resina. Ajo vazhdon me realizmin dhe verizmin e Risorgimento Naples dhe veprat e Filippo Palizzi, Domenico Morelli dhe Antonio Mancini. Skulptura qendrore është figura e Vincenzo Gemito, një artist simbolik me veprat e tij prej terrakote, të cilat përcjellin jetë dhe të vërtetë.
TIRANË, 26 dhjetor/ATSH/ Teatri i ri Kombëtar do të kthehet jo vetëm në një hapësirë moderne për artin skenik, por edhe në një simbol të identitetit kulturor të kryeqytetit dhe të gjithë vendit.
Punimet në këtë kantier kanë avancuar, ndërkohë që godina e re do të jetë jo vetëm një hapësirë për artistët, por edhe një pikë e rëndësishme e jetës urbane dhe sociale të Tiranës.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga kantieri i Teatrit të ri Kombëtar, vepër e një prej arkitektëve më të shquar bashkëkohorë, Bjarke Ingels dhe studios daneze BIG.
Kryeministri theksoi se pas përfundimit të fazës komplekse të punimeve nëntokësore, projekti ka hyrë në etapën e realizimit ndërtimor, duke marrë formë një hapësirë ikonike për artin dhe kulturën.
Projekti parashikon salla bashkëkohore për shfaqje teatrore, ambiente multifunksionale për aktivitete kulturore, si dhe infrastrukturë teknologjike të standardeve europiane.
Teatri i ri do të ketë disa ambiente të posaçme për shfaqjet dhe aktorët. Më konkretisht, do të ketë një hapësirë prej 750 metrash katrorë auditor dhe me mbi 600 vende, me ballkon. Gjithashtu do të ketë një skenë teatri prej 630 metrash katrorë dhe dy salla Black Box prej 200 metrash katrorë secila.
Për artistët do të ketë një hapësirë prej 200 metrash katrorë që do të përdoret si sallë ndërrimi, një sallë provash prej 200 metrash katrorë, tualete dhe dushe, si dhe një dhomë të gjelbër.
Në shërbim të shfaqjeve të ndryshme artistike do ketë një dhomë instrumentesh muzikore, një depo materialesh skenike, një depo dekori, sallë teknikësh, etj. Gjithashtu do të ketë sallë kursesh dhe të gjitha lehtësirat për publikun.
TIRANË, 26 dhjetor/ATSH/ Pedonalja e qytetit të Korçës u mbush mbrëmjen e Krishtlindjeve me tingujt e kitarave dhe këngëve korçare.
Një aktivitet ndryshe që solli një skenë të hapur për të gjithë qytetarët dhe artdashësit e shumtë të pranishëm, që e ndoqën nga afër këtë ngjarje artistike.
Koncerti “Kitarat e Korçës”, i drejtuar nga Nuçiel Doko, mësues kitare në shkollën e muzikës “Tefta Tashko Koço” në Korçë, erdhi si një homazh për trashëgiminë muzikore të dikurshme, kur kitarat shoqëronin netët festive dhe këngët e zemrës këndoheshin në çdo cep të qytetit.
Rreth 40 kitara u dëgjuan njëkohësisht, duke krijuar një atmosferë të veçantë dhe emocionale për qytetarët dhe vizitorët që ndoqën koncertin.
Koncerti “Kitarat e Korçës” bashkoi në një aktivitet zërat e të rinjve dhe kujtimet e serenatistëve të vjetër, që rikujtuan identitetin muzikor të Korçës dhe rëndësinë e ruajtjes së kësaj tradite të çmuar kulturore.
TIRANË, 26 dhjetor/ATSH/ Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit ka përcaktuar rregullat e reja dhe kriteret për dhënien e shtetësisë shqiptare për personat që ndihmojnë në evidentimin e kontributit me interes kombëtar në fushën e artit, kulturës dhe sportit.
Në Fletoren Zyrtare është publikuar udhëzimi i firmosur nga ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, i cili detajon se si do të vlerësohen kërkesat e të huajve që duan të pajisen me pasaportën shqiptare përmes meritave të veçanta.
Sipas udhëzimit, përveç kritereve të përgjithshme, aplikuesit në programet e veçanta të shtetësisë me interes në fushën e artit, kulturës dhe sportit, duhet të plotësojnë edhe kriteret specifike shtesë.
“Kandidati duhet të ketë përfaqësuar ose promovuar Shqipërinë në skenën ndërkombëtare përmes artit, filmit, muzikës, letërsisë apo formave të tjera kulturore dhe disiplinave sportive, si dhe të ketë kontribut në krijimin e personave juridikë në fushën e artit, kulturës, sportit dhe mbështetjes së aktiviteteve, programeve, nismave në këto fusha”, thuhet në udhëzim.
Udhëzimi saktëson edhe rrugën që ndjek dosja e një aplikanti.
Drejtoria përgjegjëse pranë MTKS regjistron menjëherë kërkesat e ardhura nga Agjencia e Posaçme për Programet e Shtetësisë (AHVPSH).
Ministri ngre një komision ad-hoc, për vlerësimin e aplikimit në aspekt të kontributit me interes kombëtar në fushën e artit, kulturës dhe sportit.
Pas përfundimit të shqyrtimit, grupi i punës i paraqet ministrit për miratim raportin përfundimtar, i cili përmban përshkrimin e kontributit të aplikuesit në një nga fushat; dokumentacionin mbi të cilin bazohet vlerësimi; qëndrimin lidhur me evidentimin ose jo të kontributit në fushën e artit, kulturës dhe sportit si dhe rekomandimin për miratimin ose mosmiratimin e propozimit për dhënie shtetësie.
Për zbatimin e këtij udhëzimi ngarkohet struktura përgjegjëse për politikat e trashëgimisë kulturore, zhvillimit të arteve dhe politikave të sportit dhe anëtarët e grupit ad-hoc.
Ky udhëzim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
TIRANË, 25 dhjetor/ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka ndarë një mesazh urimi në ditën e Krishtlindjes, duke kujtuar takimin me Shenjtërinë e Tij, papa Leone XIV.
Në mesazhin e tij, ministri Gonxhja thekson se në këtë ditë të shenjtë, kur kremtohet Lindja e Krishtit, rikthehet me reflektim te një moment domethënës nga Audienca Jubilare, e zhvilluar disa javë më parë në sheshin “Shën Pjetri”, në Vatikan. Ai e cilëson takimin si një ditë mbresëlënëse, të mbushur me mesazhe paqeje, dialogu dhe solidariteti, vlera universale që, sipas tij, marrin një kuptim edhe më të thellë në këtë festë.
Ministri Gonxhja uron që kjo ditë të jetë burim drite, shprese dhe harmonie për të gjithë.
Gjatë takimit, ministri Gonxhja, i shoqëruar nga bashkëshortja, përveç falenderimit dhe fjalëve të mirënjohjes, i dhuroi papës Leone edhe një disk vinili me këngët shqiptare të lirisë, një libër mbi vëllezërit Marubi dhe një pllaketë nderi në emër të Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit të Shqipërisë.
TIRANË, 25 dhjetor/ATSH/ Në qytetin e Gjirokastrës në këtë fundvit janë rikthyer pas 34 viteve mungesë shfaqjet e Teatrit të Kukullave për fëmijë.
Rikthimi i traditës së shfaqjeve synon argëtimin dhe edukimin e fëmijëve gjirokastritë.
Aktori Bujar Sulejmani, i cili ka pasur një karrierë të gjatë prej 55 vitesh në Teatrin e Kukullave të Gjirokastrës tha për mediet se prej disa ditësh po japim shfaqje dhe fëmijët gjirokastritë po argëtohen në këto festa të fundvitit.
“Fëmijët duhet të heqin dorë nga telefoni të vijnë në teatër se ka shumë gjëra të bukura, shfaqjet janë argëtuese dhe edukative dhe ju bën shumë mirë”, tha aktori Niko Ura.
Ndërsa aktori Fredi Beqo shprehet se “shfaqjet na kishin munguar shumë edhe ne aktorëve, por edhe fëmijëve të vegjël, pasi këtu vijnë dhe argëtohen. Po t’i shikosh sa të kënaqur dalin kur përfundon shfaqja është një emocion i madh për ne”.
Kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi thekson se “përgjatë fundjavave me bashkëpunimin e aktorëve të vjetër të qytetit, në skenën e ngritur rishtazi do të shfaqen pjesë për fëmijë”.
Shfaqjet po jepen me rastin e festave të fundvitit, ndërsa në vijim fëmijët e çerdheve, kopshteve dhe shkollave do të kenë mundësi të ndjekin shfaqje çdo fundjavë.
TIRANË, 25 dhjetor/ATSH/ Mijëra besimtarë të krishterë në të gjithë vendin festuan sot Krishtlindjen, ku morën pjesë në meshat e organizuara ku u lutën për më shumë paqe dhe begati.
Në qytetin e Shkodrës mesha e shenjtë e Krishtlindjes u kremtua në katedralen “Shën Shtjefni”, ku Arqipeshkëvi Giovani Peragine udhëhoqi meshën e parë të Krishtlindjes që pas emërimit të tij në këtë detyrë.
Besimtarët uruan njëri-tjetrin, ndërsa një urim përcolli edhe Imzot Angelo Masafra.
Në qytetin e Korçës qindra besimtarë ortodoksë që në mëngjes herët iu drejtuan Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Korçë ku ndoqën meshën e drejtuar nga Mitropoliti i Korçës Hirësia e tij Imzot Anastasi.
Qindra besimtarë të krishterë në Lezhë iu bashkuan ritualit fetar të lindjes së Krishtit në Katedralen e Shën Nikollit në Lezhë, ndërsa mesha e shenjtë u drejtua nga ipeshkvi i Dioqezës së Lezhës, Otavio Vitale, i cili vuri theksin tek mungesa e paqes në botë.
Në Durrës besimtarët e krishterë morën pjesë në meshën e zhvilluar në Kishën Dioqezane Tiranë–Durrës, si edhe në Katedralen e Shën Astit dhe Apostullit Pal. Momente lutjeje, reflektimi dhe paqeje u bashkuan në këtë festë të shenjtë.
Krishtlindja u kremtua edhe në qytetin e Gjirokastrës, ku besimtarët uruan njëri-tjetrin për më shumë shëndet dhe mbarësi.
Besimtarët u bënë pjesë e meshës edhe në qytetin e Fierit dhe Lushnjës, ndërsa Krishtlindja u kremtua edhe në qytete të tjera të vendit.
TIRANË, 25 dhjetor/ATSH/ Mbrëmjen e djeshme, bashkia e Tiranës organizoi koncertin festiv “Tinguj & Fjalë, Koncert Simfonik i Natës së Krishtlindjes”, duke kthyer Sheshin Skënderbej në një skenë të hapur të muzikës klasike, elegancës dhe emocioneve të festës së shenjtë.
Nën drejtimin e dirigjentit Armand Broshka, Orkestra Sinfonike solli për publikun një program të pasur artistik, me vepra nga kompozitorë të mëdhenj si Bizet, Johann Strauss, Brahms, Dvořák, Mascagni, Verdi dhe Gruber, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë e festive në zemër të kryeqytetit.
Publiku shijoi interpretimet brilante të sopranos Eva Golemi, baritonit Armando Likaj, si dhe solistëve Edmea Krasniqi (violinë), Albana Kola (violinë) dhe Igert Zeqiri (violonçel), ndërsa drejtimi artistik u mbajt nga Ronald Gjura.
Mbrëmja festive u ndoq nga qytetarë e vizitorë te huaj, të cilët përjetuan një Krishtlindje me muzikë të përzgjedhur në zemër të Tiranës.
Pas fitores në Festivalin e Këngës me këngën “Nân”, këngëtari Alis Kallaci është përballur me akuza në rrjetet sociale se materiali muzikor është i kopjuar. I ftuar në emisionin “Dita Jonë”, Alis i ka hedhur poshtë kategorikisht këto pretendime, duke i cilësuar si të pavërteta dhe të pabazuara.
Këngëtari u shpreh se nuk ka pasur asnjë arsye për të reaguar zyrtarisht apo për të hyrë në replika, pasi sipas tij, këngët janë “nata me ditën” dhe nuk ekziston asnjë lloj shkëmbimi apo frymëzimi mes tyre. “Nuk ka pasur asnjë replikë, sepse nuk ka diçka të tillë. Ishte e panevojshme”, tha Alis.
Ai theksoi se përqafimi masiv i publikut dhe reagimi pozitiv ndaj këngës kanë qenë përgjigjja më e fortë ndaj çdo akuze. Sipas Alisit, zërat për kopjim mund të kenë qenë pjesë e një sulmi të organizuar apo një lloj “antifushate” nga kundërshtarë, por ai ka zgjedhur të mos ndalet te kjo pjesë.
“Nuk jam ulur të mendoj kush e nisi dhe pse. Vendosa të fokusohem te gjërat e rëndësishme: performanca, përgatitja vokale dhe rrugëtimi i këngës”, u shpreh këngëtari, duke shtuar se energjinë e tij e kanalizon vetëm aty ku i shërben.
Alis falënderoi publikun për mbështetjen dhe ritheksoi se “Nân” meriton të mbështetet edhe në garën e Eurovizionit, duke e konsideruar këtë një moment krenarie dhe përgjegjësie të madhe artistike.