Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 13 January 2026Main stream

KRU “Hidrodrini” njofton për gjendjen e ujit në zonën e Pejës dhe Istogut

13 January 2026 at 15:52


KRU “Hidrodrini” ka publikuar një njoftim të përditësuar mbi gjendjen e burimeve të ujit në zonën e mbulueshmërisë së saj.

Sipas raportit të rifreskuar nga Laboratori fiziko-kimik i kompanisë, shumica e zonave, përfshirë Pejën dhe Istogun, janë pa turbullira dhe uji është i sigurt për konsum.

Megjithatë, kompanisë i ka konstatuar turbullira në dy burime specifike: burimi i Deçanit, i cili furnizon vetëm fshatin Beleg, dhe burimi i Jarines në Klinë.

Konsumatorët që furnizohen nga këto burime rekomandohen që ujin ta konsumojnë të vluar deri në njoftimin e radhës.

“Kjo masë është parandaluese dhe ka për qëllim sigurimin e shëndetit publik. Do të vazhdojmë monitorimin e vazhdueshëm të cilësisë së ujit dhe do të njoftojmë qytetarët për çdo ndryshim të gjendjes,” bëhet e ditur nga KRU “Hidrodrini”. /Telegrafi/


Before yesterdayMain stream

Bllokohet qarkullimi te rrethi i Stadiumit të Qytetit në Istog për shkak të grumbullimit të ujit

8 January 2026 at 08:32


Komuna e Istogut ka njoftuar se për shkak të reshjeve të shiut dhe grumbullimit të ujit, rrethi te Stadiumi i Qytetit është aktualisht i bllokuar për qarkullim.

“Për shkak të reshjeve të shiut dhe grumbullimit të ujit, rrethi te Stadiumi i Qytetit aktualisht është i bllokuar për qarkullim”, thuhet në njoftimin e komunës.

Autoritetet komunale u kanë bërë thirrje qytetarëve që të shmangin këtë zonë dhe të shfrytëzojnë rrugë alternative deri në normalizimin e situatës.

“Ju lutemi të shmangni këtë zonë dhe të përdorni rrugë alternative deri në normalizimin e gjendjes”, theksohet më tej në njoftim.

Sipas Komunës së Istogut, ekipet përkatëse janë në terren dhe po e monitorojnë situatën nga afër, me qëllim të rikthimit sa më të shpejtë të qarkullimit normal. /Telegrafi/


Turbullira në burimet e ujit, paralajmërohen Peja, Istogu dhe Deçani

6 January 2026 at 10:41


KRU “Hidrodrini” ka njoftuar se pas reshjeve të fundit atmosferike, janë paraqitur turbullira në disa nga burimet kryesore të ujit, duke përfshirë burimin e Drinit të Bardhë në Radavc, Mbivadën në Istog dhe burimin e Deçanit.

Nga kompania bëhet e ditur se konsumatorët që furnizohen nga këto burime duhet të tregojnë kujdes të shtuar gjatë përdorimit të ujit për pije.

“Si pasojë e reshjeve atmosferike, janë paraqitur turbullirat e para në burimet e ujit. Për këtë arsye, konsumatorët që furnizohen nga këto burime rekomandohen që ujin për pije ta konsumojnë të vluar”, thuhet në njoftimin e KRU “Hidrodrini”.

Kompania ka theksuar se ky rekomandim vlen deri në njoftimin e radhës, duke siguruar se do të informojë qytetarët sapo situata të stabilizohet dhe uji të jetë i përshtatshëm për përdorim të sigurt.

“Rekomandimi do të vlejë deri në njoftimin e ardhshëm nga ne, ndërsa ekipet tona teknike po monitorojnë vazhdimisht gjendjen në terren", thuhet më tej në njoftim. /Telegrafi/


Në moshën 71-vjeçare voton për herë të parë qytetari nga Vrella e Istogut

28 December 2025 at 15:05


Në qendrën e votimit në shkollën “Hysni Zajmi” në Vrellë të Istogut, qytetari Hasan Demaj ka ushtruar sot për herë të parë të drejtën e tij të votës, në moshën 71-vjeçare.

Demaj ka deklaruar se gjatë një periudhe të gjatë ka jetuar jashtë vendit, ndërsa tash e pesë vite është kthyer në Kosovë, ku jeton në Vrellë pas daljes në pension.

“Nuk kam votuar kurrë më parë. Kjo është hera e parë që votoj, në moshën 71-vjeçare. Kam jetuar jashtë, tash jam në pension dhe prej pesë vitesh jam kthyer në Vrellë. Pres fitoren e personit që dua dhe për të cilin kam dalë të votoj,” ka thënë Demaj.

Ai ka theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes në procesin zgjedhor dhe ka shprehur shpresën që vota e tij të kontribuojë në një të ardhme më të mirë. /Telegrafi/

Xhavit Haliti pritet me entuziazëm nga simpatizantët e PDK-së në Istog

24 December 2025 at 21:07


Kandidati i PDK-së për deputet, Xhavit Haliti, po mirëpritet gjerësisht nëpër qytete të ndryshme të Kosovës nga simpatizantët e partisë.

Sonte, ai u prit me entuziazëm në Istog, ku u shpreh i lumtur për mikpritjen.

"Në Istogun e njerëzve të mirë, punëtorë e atdhetarë, u pritëm me zemër të hapur. Me PDK-në, bashkë ecim drejt fitores.“

#PDK130 #BedriHamza1 #XhavitHaliti14.

Ndërmarrja Ambienti rrit pagat për punëtorët dhe ndanë 500 euro shpërblim vjetor

24 December 2025 at 15:54


Bordi i Drejtorëve i Ndërmarrjes Ambienti, me kryesim të ing. Gramoz Xhemajlit, ka nënshkruar vendimin për shpërblim vjetor prej 500 eurosh për çdo punonjës, me rastin e festave të fundvitit, si dhe për ngritje page për vitin 2026.

Ky vendim u miratua në mbledhjen e rregullt të Bordit të Drejtorëve, bazuar në propozimin e Kryeshefit Ekzekutiv, Diedon Berisha, duke vlerësuar sukseset e larta të ndërmarrjes gjatë vitit.

Sipas Bordit, Ambienti Sh.A. për herë të parë pozicionohet si kompani lidere në Kosovë për paga, shujta dhe beneficione për punonjësit e saj.

Bordi i Drejtorëve gjithashtu theksoi se prioritet për vitin 2026 mbetet modernizimi i mëtejshëm, digjitalizimi dhe zhvillimi i vazhdueshëm i ndërmarrjes.

Në përbërje të Bordit janë Gramoz Xhemajli, kryesues, Drita Krasniqi dhe Gazmend Kastrati, të cilët u uruan punonjësve për shëndet dhe suksese të përbashkëta edhe në vitin e ardhshëm.

Bordi falënderoi gjithashtu stafin ekzekutiv dhe operativ për kontributin e dhënë në realizimin e politikave të ndërmarrjes dhe për arritjen e rezultateve të larta. /Telegrafi/


Komuna e Istogut njofton qytetarët për pagesën e Tatimit në Pronë

23 December 2025 at 08:17


Komuna e Istogut, përmes Drejtorisë për Buxhet dhe Financa – Sektori i Tatimit në Pronë, ka bërë të ditur se po afrohet afati për përfundimin e vitit fiskal 2025 dhe njëkohësisht afati ligjor për pagesën e Tatimit në Pronë.

Në njoftimin zyrtar të datës 22.12.2025, Komuna u bën thirrje të gjithë qytetarëve që obligimet e tyre për Tatimin në Pronë t’i përmbushin brenda afatit të përcaktuar me ligj, me qëllim të shmangies së gjobave dhe interesit për vonesë, të cilat llogariten për çdo muaj vonesë në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Për informata më të detajuara lidhur me shumën e saktë të tatimit, si dhe për çdo paqartësi apo informacion shtesë, qytetarët mund t’i drejtohen Sektorit të Tatimit në Pronë, në objektin e Komunës së Istogut, Zyra nr. 109, gjatë orarit zyrtar të punës.

Nga Komuna e Istogut shprehin mirënjohje për bashkëpunimin e qytetarëve dhe për përmbushjen me kohë të obligimeve ligjore, duke theksuar rëndësinë e këtyre pagesave për funksionimin dhe zhvillimin e shërbimeve komunale. /Telegrafi/


Kurti nga Istogu: Mbështesim rritjen e prodhimit vendor për bukën tonë, nga toka jonë, në sofrën tonë

22 December 2025 at 18:23


Kryeministri Kurti qëndroi dje në Istog, nga ku rikonfirmoi përkrahjen e qytetarëve e mërgimtarëve të Istogut.


Në një takim në një nga kafenetë e qytetit, Kryeministri tha se Istogu ka dëshmuar përherë përmes votës së tyre mbështetjen për Lëvizjen Vetëvendosje, e bashkërisht do të votojnë numrin 116, për t’i garantuar Kosovës siguri e begati.


Kurti theksoi se do të rritet mbështetja për gjyshërit, nënat e fëmijët, e do të vazhdojë ajo për bujqësi, duke mundësuar rritjen e prodhimit vendor e zvoglimin e importit për të siguruar bukën nga toka e Kosovës, në sofrën e secilit qytetar.





Ndaluan një veturë për kontroll në Uqë të Istogut, Policia gjen dy armë zjarri e fishekë

20 December 2025 at 15:00


Policia e Kosovës ka bërë të ditur se pasi kanë ndaluar një automjet për kontroll në fshatin Uqë të Istogut, Policia ka gjetur dy armë zjarri dhe fishekë.

Në raportin policor bëhet e ditur se rasti ka ndodhur të premten, në ora 16:10.

“Njësiti policor ka ndaluar automjetin me targa vendore në të cilin kishin qenë dy të dyshuar meshkuj kosovarë. Gjatë kontrollit në automjet janë gjetur dhe konfiskuar dy armë zjarri pistoleta, njëra me dy karikatorë dhe 40 copë fishekë, kurse tjetra me një karikator dhe 6 copë fishekë”, thuhet në raport.

Të dyshuarit për armët nuk posedonin leje për bartje, por vetëm për shenjëtari.

Të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor, pas intervistimit me urdhër të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt. /Telegrafi/

Dëmtohet nga një predhë dritarja dhe dera e Shtëpisë së Shëndetit në Banjë të Istogut

20 December 2025 at 09:33


Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një dritare dhe një derë e Shtëpisë së Shëndetit në Banjë të Istogut është dëmtuar nga një predhë.

Rasti ka ndodhur të premten në ora 10:10.

“Është raportuar se në shtëpinë e shëndetit është dëmtuar një dritare dhe një derë nga një predhë (plumb). Lidhur me rastin është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar dhe nga i njëjti është sekuestruar një armë pa municion dhe një karikator i zbrazët”, thuhet në njoftim.

Pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt. /Telegrafi/

Aksident mes tri veturave në hyrje të Istogut, dy të lënduar

29 November 2025 at 23:39


Rreth orës 22:00 të së shtunës, një aksident trafiku ka ndodhur në hyrje të Istogut, ku janë përfshirë tri vetura. Si pasojë e përplasjes, dy persona kanë pësuar lëndime trupore.

Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi, ka konfirmuar për Telegrafin se të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor në spitalin rajonal të Pejës.

“Njësitet përkatëse të hetuesve kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe po merren me hetimet për të zbardhur se çfarë ka ndodhur. Deri më tani nuk kemi informacione të tjera shtesë”, tha Gashi./Telegrafi/

Supremja udhëzon PZAP-në që të ketë rinumërim në disa vendvotime në Istog

20 November 2025 at 17:17


Gjykata Supreme e Kosovës ka pranuar si të bazuar ankesën e kandidatit për asamblist në Komunën e Istogut, Avni Gashi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), duke e kthyer çështjen për rivendosje në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Gashi ishte ankuar fillimisht në PZAP, duke kërkuar rinumërimin e votave dhe verifikimin e materialit zgjedhor në disa vendvotime të caktuara, mirëpo ankesa e tij ishte refuzuar si e pabazuar më 14 nëntor. Pas këtij vendimi, ai iu drejtua Gjykatës Supreme.

Supremja konstatoi se PZAP nuk ka vepruar në përputhje me vërejtjet e mëparshme të gjykatës dhe nuk ka respektuar nenin 117 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili i jep PZAP-së kompetencë për të urdhëruar rinumërimin e votave dhe shqyrtimin e materialit zgjedhor si pjesë e hetimeve.

Sipas Gjykatës Supreme, rinumërimi i votave në vendvotimet e identifikuara në ankesë është i domosdoshëm për të garantuar saktësinë e rezultatit zgjedhor dhe integritetin e procesit, në pajtim me parimin e besueshmërisë së zgjedhjeve të sanksionuar në nenin 45 të Kushtetutës.

PZAP tani obligohet që, në rivendosje, të shqyrtojë përsëri të gjitha pretendimet e ankuesit, provat e dorëzuara dhe udhëzimet e Gjykatës Supreme, duke siguruar që çdo votë të numërohet drejt dhe të mos devijohet vullneti i qytetarëve./Telegrafi/

Qytetari nga Istogu gjen kuletën me mbi 3 mijë euro, e dorëzon në polici

17 November 2025 at 14:15


Policia e Kosovës ka njoftuar se një qytetar nga Istogu ka dorëzuar në polici një kuletë me para në të cilën kishte mbi 3 mijë euro.

“Me datë 15.11.2025, në Stacionin Policor Istog, ёshtё paraqitur qytetari Sheremet Osmanaj i cili kishte gjetur njё kuletё nё qytetin e Istogut. Nё kёtё kuletё kishte tё holla prej: tre mijё e njёqind e nёntёdhjetё e katёr euro, e tridhjetё cent (3194.30) euro”, thuhet në njoftim.

Policia ka identifikuar dhe ka kontaktuar personin të cilit i kishte humbur kuleta, i njëjti është ftuar në Stacionin Policor Istog, dhe nga zyrtarët Policor ju ka kthyer kuleta sё bashku me të holla.

“Policia e Kosovës, falënderon qytetarin për veprimin dhe nivelin e lartë të përgjegjësisë qytetare”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

I dyshuari që tentoi t’i ikë policisë në Istog, dërgohet për 48 orë në mbajtje

14 November 2025 at 11:11


Arrestohet njё person i dyshuar për veprat penale ‘sulm ndaj personit zyrtar gjatё kryerjes sё detyrave zyrtare’ dhe ‘mbajtje nё pronёsi, kontroll, posedim ose shfrytёzim tё paautorizuar tё armёs’

Sipas një njoftimi bëhet e ditur se drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, Stacioni Policor në Istog, me datën 12.11.2025, rreth orës 13:15, derisa patrulla policore nё rroba civile ishin nё rrugën ‘Nёna Terezë’ nё Istog, kanё vërejtur njё veturё e cila ishte e ndaluar, ku nga zyrtarët policorë ёshtё kёrkuar qё tё kontrollohen, por i dyshuari ka ikur, duke mos respektuar urdhrin e policёve qё tё ndalet dhe i njëjti gjatё ikjes ka nxjerrё njё armё nga brezi dhe ua kishte drejtuar zyrtarёve policorë.

Tutje bëhet e ditur se zyrtarët policorë kanё nxjerrё armёt zyrtare, me qёllim tё evitimit tё rrezikut pёr veten e tyre dhe qytetarёt, ku tё njëjtit i ёshtё dhёnё urdhёr verbal pёr lёshimin e armёs, me ç’rast ёshtё arritur neutralizimi dhe arrestimi i personit tё dyshuar, ku gjatё arrestimit ёshtё lënduar njёri nga zyrtarët policorë.

“Nga i dyshuari janё sekuestruar: njё armё zoraki kal 9mm dhe njё karikator i sё njёjtёs armёs. I dyshuari pas intervistimit nga hetuesit, me urdhёr tё prokurorit tё Shtetit, ёshtё dёrguar nё mbajtje për 48 orё”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/


Arrestohet një person në Istog, pasi kërcënoi me armë zyrtarët policorë

13 November 2025 at 10:04


Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Istog, i dyshuar për veprat penale “sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll, posedim ose shfrytëzim të paautorizuar të armës”.

Sipas njoftimit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, ngjarja ka ndodhur më 12 nëntor 2025, rreth orës 13:15, në rrugën “Nëna Terezë” në Istog, ku patrulla policore në rroba civile ka vërejtur një veturë të ndaluar.

Gjatë tentativës për ta kontrolluar, i dyshuari ka refuzuar urdhrin e policisë dhe është përpjekur të ikë, përcjell Telegrafi.

Në momentin e arratisjes, ai ka nxjerrë një armë nga brezi dhe ua ka drejtuar zyrtarëve policorë.

Për të shmangur rrezikun, policët kanë përdorur armët zyrtare dhe me urdhër verbal kanë arritur ta neutralizojnë dhe arrestojnë të dyshuarin. Gjatë ndërhyrjes, njëri nga zyrtarët policorë ka pësuar lëndime.

Nga i dyshuari janë sekuestruar një armë e tipit Zoraki kalibër 9 mm dhe një karikator.

Pas intervistimit nga hetuesit, me urdhër të prokurorit të Shtetit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë. /Telegrafi/

I dyshuari tenton t’i ikë policisë në Istog, një zyrtar policor lëndohet gjatë arrestimit

12 November 2025 at 14:50


Një incident ka ndodhur sot rreth orës 13:15 ku një person ka tentuar t’i ikë policisë në rrugën “Nënë Tereza”, afër “Tregut të gjelbër”, në Istog ku gjatë arrestimit një zyrtar policor ka pësuar lëndime të lehta.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, i cili ka dhënë detaje mbi rastin.

“Rreth orës 13:15 patrulla policore e cila ishte e angazhuar në implementim të planit operativ në rrugën ‘Nënë Tereza’, saktësisht ‘Te tregu i gjelbër’, ka vërejtur në një veturë dy persona brenda saj. Janë afruar dhe me të arritur kanë kërkuar që të dyshuarit të dalin nga vetura. Në atë moment i dyshuari i ulur në ulësen e pasagjerit ka dal nga vetura dhe është nisur me vrap për tu arratisur", ka thë Gashi.

sipas tij, gjatë ikjes i dyshuari ka nxjerr armën në drejtim të policisë dhe policia ka përdorur komandën verbale ‘Ndalo’.

"Pasi zyrtarët policorë kanë arritur ta kapin të dyshuarin gjatë arrestimit një zyrtarë ka pësuar lëndime të lehta dhe aktualisht është duke marrë trajtim mjekësor”, ka thënë Gashi.

Ndërkaq, siç tha Gashi dy të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor për procedura të mëtejme. /Telegrafi/


Pranohet si e bazuar ankesa e kandidatit për asamblist nga AAK, Avni Gashi

12 November 2025 at 13:47


Kolegji i Gjykatës Supreme e ka pranuar si të bazuar ankesën e kandidatit për asamblist të Kuvendit Komunal në Komunën e Istogut nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Avni Gashi, të paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ZL.Anr.389/2025, të datës 05.11.2025.

Çështja i është kthyer PZAP-së në rivendosje.

“Gjykata Supreme vlerëson se në rastin konkret, PZAP ka vendosur refuzimin e ankesës së parashtruar nga kandidati për kuvend komunal, por nuk ka dhënë arsye të qëndrueshme dhe bindëse në raport me pretendimet ankimore. Për pasojë, Gjykata Supreme vlerëson se rinumërimi i votave në vendvotimet e identifikuara në ankesë është i domosdoshëm për të vërtetuar rezultatin e saktë të zgjedhjeve dhe për të garantuar integritetin e procesit zgjedhor, në përputhje me parimin e besueshmërisë së zgjedhjeve të sanksionuar në nenin 45 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Në rivendosje, PZAP, udhëzohet që të shqyrtojë edhe njëherë pretendimet ankimore të ankuesit, provat e deponuara dhe të procedojë tutje në hetimin e këtyre pretendimeve përkatëse duke siguruar mos cenimin e integriteti të procesit zgjedhor dhe duke pamundësuar devijimin e vullnetit të qytetarëve. /Telegrafi/

Përleshje mes dy personave në Istog - një i lënduar, tri vetura të dëmtura dhe një lokal

12 November 2025 at 08:42


Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë ka njoftuar se më datën 11 nëntor 2025, rreth orës 16:00, Stacioni Policor në Istog është informuar për një rrahje që ka ndodhur në rrugët “Mullinjtë e Istogut” dhe “Fadil Ferati” në këtë qytet.

Në njoftim thuhet se njësitë policore kanë reaguar me shpejtësi dhe janë përgjigjur menjëherë në vendin e ngjarjes ,aty ёshtё kuptuar se fillimisht dy persona janё duke u rrahur nё mes veti dhe tё njëjtit kanë përdorur edhe mjete te ftohta.

"Si pasojё e kёtij rasti, njёri nga tё dyshuarit ka tentuar ta godas tё dyshuarin tjetёr me me veturё,me ç’rast ka dёmtuar tri vetura tё cilat ishin tё parkuara dhe xhamat e njё lokali. Deri sa njёri ngatё dyshuarit ёshtё sulmuar me mjet të fortë dhe gjatё sulmit ёshtё lënduar", thuhet në njoftim.

Si rezultat i veprimeve të shpejta, ёshtё arrestuar njёri nga tё dyshuarit dhe tё njëjtit i ёshtё ofruar ndihmë mjekёsore pasi qё ishte i lënduar, ndёrsa i dyshuari tjetёr i njohur pёr Policinёgjendet nё arrati.

I dyshuari pas intervistimit nga hetuesit me urdhёr tё prokurorit tё shtetit ёshtё dёrguar nёmbajtje për 48 orё. /Telegrafi/

Ngjarje e rëndë në Istog, viktima sulmohet me sëpatë - i dyshuari arratiset

11 November 2025 at 18:35


Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në Istog, ku një person ka pësuar lëndime të rënda trupore, dyshohet nga një sëpatë.

Sipas informacioneve, incidenti ka ndodhur pas një përleshjeje fizike mes viktimës dhe një personi tjetër të dyshuar.

Rastin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

Ai bëri të ditur se i lënduari është transportuar menjëherë në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Pejës për trajtim mjekësor.

“Njëri nga të përfshirët ka pësuar lëndime të rënda dhe është dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin e Pejës. Personi i dyshuar, i cili është i njohur për organet e rendit, ka arritur të largohet nga vendi i ngjarjes dhe aktualisht është në kërkim”, tha Gashi.

Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe kërkon bashkëpunimin e qytetarëve për çdo informacion që mund të ndihmojë në kapjen e të dyshuarit. /Telegrafi/

I mituri kapet duke vozitur pa leje në Istog – ofendon e kërcënon policët, në ndihmë i del edhe nëna

10 November 2025 at 09:05


Një person është arrestuar (i mitur) i cili fillimisht me veturë nuk i është ndalur zyrtarëve policor dhe pas ndaljes i ka ofenduar dhe kanosur zyrtarët.

Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se rasti ka ndodhur të dielën rreth orës 22:22 në rrugën “20 qershori”, në Istog.

Tutje bëhet e ditur se gjatë arrestimit një zyrtarë ka pësuar lëndime, ndërsa nëna e të dyshuarit i kishte penguar zyrtarët policorë.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar (i mitur), pasi që më veturën nuk i është ndalur zyrtareve policor dhe pasi është ndaluar i njëjti ka ofenduar dhe kanosur zyrtarët. Gjatë arrestimit një zyrtarë ka pësuar lëndime, ndërsa nëna e të dyshuarit, i kishte penguar zyrtarët policorë”, thuhet në raport.

Po ashtu bëhet e ditur se zyrtari policor ka pranuar tretman mjekësor.

“Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa e dyshuar është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raport. /Telegrafi/

❌
❌