Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 19 January 2026Main stream

Pastrim parash dhe falsifikim dokumentesh/ A do të arrestojë SPAK Klodian Allajbeun?

By: Fax Web
19 January 2026 at 14:22

Hackerimi i emaile-ve të SPAK nga Arnold Rrokaj ka nxjerrë disa nga emrat më të bujshëm të skemës politike e parave publike që kanë dosje në SPAK.

LEXO EDHE“Së shpejti edhe Klod Brahon”/Hakerimi i SPAK! U morën dosjet e Ahmetajn, Veliajt, Gjiknurit, Allajbeut dhe…

Një material hetimor tjetër në format Word është gjetur për Klodian Allajbeun, për të cilin më duhet të sqaroj se ishte pa stemë ose shenjë të strukturës suaj, por nga përmbajtja dukej si informacion i lidhur me hetimin“, ka sqaruar në dëshminë e tij Zambak Gjoni pasi i ranë në dorë materialet që ia kaloi shoku i tij Rrokaj.

Oligarku i Shëndetësisë Klodian Allajbeu duket se ka dosje në SPAK dhe është vënë nën hetim edhe në Shqipëri.

Një skemë e dyshuar e pastrimit të parave dhe falsifikimit të dokumenteve e ka vënë në qendër të hetimeve edhe në Kosovë.

Prokuroria Speciale dhe Administrata Tatimore e Kosovës ka ngritur akuza Klodian Allajbeut, pronar i “American Hospital Kosova” dhe Spitalit Amerikan në Shqipëri.

Sipas aktakuzës, i pandehuri dyshohet se ka pastruar para përmes një skeme të mirëorganizuar që përfshinte falsifikimin e dokumenteve dhe paraqitjen e tyre si të rregullta pranë Administratës Tatimore të Kosovës.

Hetimet tregojnë se veprimet janë kryer në momentin kur të përfshirët kishin dijeni se po hetoheshin nga autoritetet tatimore dhe Prokuroria Speciale.

Sipas aktakuzës, Klodian Allajbeu, në cilësinë e aksionarit të “American Hospital Kosova”, dhe drejtori Igli Larashi, kanë përdorur dokumente të falsifikuara për këtë transaksion dhe i kanë paraqitur ato pranë Administratës Tatimore të Kosovës si dokumentacion zyrtar.

Autoritetet dyshojnë se skema është përdorur për të justifikuar qarkullimin e shumave të mëdha financiare dhe për të fshehur burimin real të parave, në një kohë kur strukturat shtetërore kishin nisur verifikimet ndaj aktivitetit të tyre ekonomik./joq

Sigurimi shihet si luks, jo si domosdoshmëri/ Rreth 92% e primeve vetëm për makinë, jetë dhe pronë

By: Fax Web
19 January 2026 at 14:15

Sigurimi i makinës, jetës dhe më pas pronës, zë 92% të portofolit të sigurimeve në Shqipëri.

Këto janë produktet e sigurimit më të zgjedhura nga shqiptarët.

Po për sa i përket produkteve të tjera që ofrojnë kompanitë?

Shqipëria është një nga 3 vendet ku qytetarët nuk preferojnë të zgjedhin produkte të tjera të sigurimit përveç makinës, jetës dhe pronës.

Sipas një raporti të platformës ndërkombëtare për të dhënat e industrisë së sigurimeve, Xprimm, në Shqipëri, Hungari dhe Rumani, produktet e tjera të sigurimit të jo-jetës zënë vetëm 8% të primeve të shkruara bruto në portofolin total të sigurimeve në krahasim me 15% që është mesatarja e vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore.

Çfarë do të thonë këto dy fakte për kulturën e sigurimit në Shqipëri?

Shqiptarët nuk kanë një kulturë të kultivuar mirë sigurimi me këtë të fundit që shihet më tepër si luks sesa domosdoshmëri, shihet më tepër si detyrim sesa zgjedhje.

Makina, jeta dhe prona preferohen më shumë se produktet e tjera të sigurimit për arsye se sigurimi i makinës është i detyrueshëm, ndërsa sigurimi i jetës dhe i pronës është po ashtu detyrim të paguhet në momentin që një qytetar merr kredi në bankë.

Nëse nuk do të ekzistonte sigurimi i detyrueshëm i makinës dhe kushti që vendosin bankat për sigurimin e jetës dhe pronës së një kredimarrësi, shkalla e penetrimit të ketyre produkteve do të ishte shumë më e vogël.

Pra, ne renditemi të fundit në rajonin e Evropës Qendrore dhe Lindore për sa i përket preferencës së ulët për produkte të tjera të sigurimit të jo-jetës.

Për një individ që ka makinë, si dhe ka marrë kredi në bankë e për rrjedhojë duhet të paguajë sigurim edhe për jetën e pronën, kjo rëndon shumë në xhepin e tyre krahas shpenzimeve të tjera të jetesës. Ndaj, për shumë shqiptarë, sigurimi shihet si një kosto e tepërt.

LEXO EDHE“SEE NEWS”: SIGAL në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut në “Top 100” e Evropës Juglindore

“Më ka vrarë djalin”/ Nëna e ish-policit në GJKKO: Leonard Duka të dënohet me vdekje

By: Fax Web
19 January 2026 at 14:02

Është zhvilluar procesi i rradhës gjyqësor ndaj Leonard Dukës, Fatmir Hyseni (Musai), Aleksander Maxhaku, Dritan Agaj, Erlis Duka dhe Oltjon Loga, të akuzuar për vrasjen e ish policit Santiago Malko, ngjarje e ndodhur në gusht 2019 në Tiranë.

Në Gjykatën e Posaçme ka folur Melina Gjeta, avokatja e 6 të pandehurve si dhe i akuzuari Leonard Duka.

Në proces ishin edhe familjarët e të pandehurve dhe familjarë të viktimës Santiago Malko .

Avokatja: Konkluzionet e SPAK nuk janë të bazuara në provë dhe ligj. S’ka asnjë provë, por vetëm deduksione të krijuara nga një proces hetimor jo i plotë dhe i paragjykuar, më shumë të bazuara në histori të raportuara në media. Dëshmitari Blendi Teta, ka deklaruar para gjykatës që është kërcënuar dhe vënë në presion nga Polici e Shtetit dhe Ervis Martini dhe këto janë shkelje të rënda të ligjit. Dëshmia nuk i shërben me të vërtetës, por fabrikim të provës. Dëshmia e Tetës i cili pretendon në Gjykatë se e ka dhënë në presion nga Ervis Martini, nuk mund të përdoret nga Prokurori në konkluzione përfundimtare. Dëshmia e Blendi Tetës konfirmohet edhe nga ajo e Ilir Selmanit, të bashkëpandehurit tjetër. Duke i bërë ato të besueshme. Edhe Selmani ka thënë para kësaj gjykate se janë dhënë 500 mijë euro për të fundosur vëllezërit Duka. Prokuroria thotë se shkak për vrasjen është bërë hakmarrja për dy plagosje që dyshohet se ka kryer viktima Santiago Malko, por ato ngjarje janë ende pa autor dhe hetuesit i kanë pezulluar procedimet pasi nuk kanë gjetur autorët. Si mundet prokurori të përcaktoj autorin e atyre ngjarjeve, ndërkohë që personat kompetent qe i kanë hetuar nuk i kanë identifikuar. Transkripetet e Sky nuk janë prova të ligjshme dhe rezultatet e nxjerra nga to janë të paligjshme sipas legjislacionit shqiptar. Ato hyjnë më cenimin e lirisë dhe fshehtësisë së korrespondencës. Përgjimi i autoriteteve franceze përbën përgjim masiv, ska qenë i orientuar. Identifikimi i bërë nga OPGJ të kodeve, ka qenë amator dhe jo i besueshëm, pasi nuk është ndjekur procedura standarde. Vetë Leonard Duka ka deklaruar para gjykatës se ai nuk ka pasur në përdorim aplikacionin Sky.

Leonard Duka: Deklaroj që jam i pafajshëm dhe Prokurori nuk ka asnjë fakt kundër meje. Kjo është e montuar nga policia që t’më dëmtojnë mua. Kam besim te drejtësia.

Nëna e Santiago Malkos: Leonard Duka më ka vrarë djalin. Me solli Erlis Dukën dhe Ilir Selmanin dhe me tha që skam gjë me Santin, por doli e me vrau djalin në mes të rrugës. Unë nuk dua dënim të përjetshëm, dua dënim me vdekje për këtë.

AKUZAT DHE NGJARJA

Sipas pretencës së paraqitur në gjykatë, SPAK kërkon nga 32 vite burg për Leonard Dukën dhe Fatmir Hysenin, të cilët konsiderohen si figurat kryesore të atentatit.

Për Erlis Dukën është kërkuar një dënim prej 25 vitesh, ndërsa për Oltian Logën dhe Dritan Agajn nga 23 vite burg secili. Ndërkohë, për Aleksandër Manxhakun, prokuroria ka kërkuar 22 vite burg.

Në total, SPAK kërkon 157 vite burg për të gjithë të akuzuarit në këtë çështje.

Të pandehurit përballen me akuza serioze, duke përfshirë “Vrasje me paramendim”, “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve” dhe “Trafikim të lëndëve narkotike”, të cilat, sipas prokurorisë, janë kryer si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, me hierarki të qartë dhe ndarje detyrash mes anëtarëve.

Më herët, për vrasjen e Malkos, i njohur si krahu i djathtë i Erivs Martinajt, janë dënuar në një proces të ndarë edhe Blendi Teta dhe Ilir Selmani.

Santiago Malko, mik i Ervis Martinajt i zhdukur që nga gushti i vitit 2022, u ekzekutua më 2019 në zonën e Xhamllikut, ndërsa po udhëtonte me një BMW X5.

Sipas hetimeve të SPAK, atentatorët e prisnin në një furgon të bardhë dhe hapën zjarr me breshëri kallashnikovi nga një automjet “Mercedes Benz”.

Malko, përveç lidhjeve me Martinajn, kishte një të kaluar problematike dhe kishte qenë i përfshirë në ngjarje të mëparshme kriminale, përfshirë edhe incidentin e 4 tetorit 2018 në zonën e ish-Bllokut, ku gjatë një përplasjeje të armatosur mbeti i vrarë Fabian Gaxha, ngjarje që lidhej me përplasje midis bandave rivale.

Nga hetimet rezulton se Fatmir Hyseni, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, ishte ekzekutori kryesor i vrasjes, ndërsa akuzohen si organizatorë vëllezërit Leonard dhe Erlis Duka.

Leonard Duka u arrestua më 14 shkurt 2023 në Bruksel nga autoritetet belge, pasi në banesën e tij u gjetën armë zjarri dhe një sasi e konsiderueshme parash, që dyshohet se janë fituar nga aktiviteti kriminal. Pas arrestimit, ai u ekstradua në Shqipëri në gusht 2024, ku vazhdon procesi gjyqësor ndaj tij dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Më 21 janar, ora 11:45, pritet të jepet vendimi nga GJKKO.

VIDEO/ Supergol! Një tjetër shqiptar shënon në Turqi

By: Fax Web
19 January 2026 at 12:50

Florent Hadërgjonaj lë gjurmën e tij për Alanyaspor në ndeshjen me Fenerbahçen, por nuk i mjaftoi skuadrës së tij për të marrë pikë në këtë përballje.

Skuadra mike arriti të fitojë këtë përballje me rezultatin 3-2 dhe një prej autorëve të golave për Alanyaspor ishte pikërisht mbrojtësi i përfaqësueses së Kosovës.

Hadërgjonaj që në minutën e tretë shënoi një gol fantastik me një gjuajtje të fortë nga distanca për t’i dhënë avantazhin Alanyaspor.

Po kështu Hadërgjonaj dha një asist edhe te Makuota që shënoi golin e dytë për Alanyaspor që mori përkohësisht kryesimin 2-1 në rezultat pas barazimit të Fenerbahçes me anë të Taliscas.

Gjithsesi në fund Fenerbahçe arriti të përmbysë gjithçka duke shënuar me Musaba dhe Talisca për të marrë 3 pikët e ndeshjes.

Në përfundim të sfidës portali i specializuar e vlerësoi Hadëgjonaj me notën 8.5, më e lara për Alanyaspor dhe e dyta duke marrë parasysh të dyja skuadrat, me Talisca që u vlerësua me notën 9.2.

LEXO EDHEVIDEO/ “Njeriu i minutave të fundit”, Muçi në historinë e Trabzonspor: 10 gola në kampionat dhe kupë

Pa telefona dhe pa internet, masa të rrepta për delegatët në kongresin e Partisë Komuniste

By: Fax Web
19 January 2026 at 12:45

Delegatët në kongresin e Partisë Komuniste të Vietnamit, i cili filloi këtë të hënë, u pajisën me tablet Samsung pa lidhje interneti, nuk kishin akses në rrjetin e telefonisë celulare dhe do të duhet të qëndrojnë në akomodime të caktuara.

Kështu raporton Reuters, duke iu referuar dy burimeve të informuar për çështjen.

Këto masa janë pjesë e një sigurie më të rreptë që është caktuar për ngjarjen njëjavore, që zhvillohet një herë në pesë vjet, ku 1 mijë e 600 delegatë do të zgjedhin udhëheqësin kryesor të vendit për pjesën e mbetur të dekadës, me shefin aktual të partisë, To Lam, që kërkon rikonfirmim dhe më shumë pushtet.

Në masa të rrepta edhe sipas standardeve vietnameze, ku shteti njëpartiak monopolizon informacionin, lidhjet celulare u bllokuan në vendin e kongresit në Hanoi dhe në zonat përreth, sipas një gazetari të Reuters në qendrën e konferencave.

Delegatët, të cilët do të votojnë në një ditë të papërcaktuar këtë javë për të zgjedhur komitetin qendror me 200 anëtarë të partisë dhe për të miratuar rezolutën e kongresit, u pajisën me tableta me funksione vetëm intranet për të punuar mbi dokumente të brendshme gjatë ngjarjes, thanë dy persona, duke refuzuar të identifikohen pasi informacioni mbi kongresin konsiderohet i ndjeshëm.

Delegatët u mblodhën të hënën për një sesion përgatitor në një sallë konferencash të shtruar me tapet të kuq, me udhëheqësit në skenë nën një statujë të madhe të themeluesit të partisë Ho Chi Minh dhe imazhet e Karl Marx dhe Vladimir Lenin.

Delegatët gjithashtu do të ndalohen të mbajnë telefonat e tyre celularë në Kongres duke filluar nga e marta, tha një person i tretë, megjithëse bllokimi i rrjetit celular gjithsesi i bën ata të padobishëm për komunikim.

Duke përfaqësuar rreth 5.6 milion anëtarë të partisë në një vend me 100 milion banorë, delegatët u udhëzuan gjithashtu të qëndrojnë në akomodime të caktuara gjatë javës së kongresit, përfshirë edhe ata nga Hanoi.

Udhëzimet e lëshuara për gazetarët që mbulojnë kongresin u ndalojnë atyre mbajtjen e telefonave celularë. Ata mund të përdorin kompjuterët e tyre, por mund të lidhen vetëm me rrjetin e ngjarjes.

Gazetarët “nuk duhet të shkaktojnë asnjë ndikim negativ mbi imazhin ose reputacionin e Vietnamit, udhëheqjes së tij të lartë, ose delegatëve në asnjë formë,” sipas udhëzimeve të dërguara mediave të huaja nga Ministria e Jashtme e Vietnamit.

Kërkoi leje ta takonte në burg dhe kohë për t’u njohur me aktet, GjKKO rrëzon avokaten e kryebashkiakut Erion Veliaj

By: Fax Web
19 January 2026 at 12:41

Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e avokates kryesisht të kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, Valentina Teodoresku, e cila ka kërkuar më shumë kohë për t’u njohur me aktet ndaj tij.

Po ashtu, GjKKO ka rrëzuar edhe kërkesën e Teodoreskut për t’u takuar me Veliajn në burgun e Durrësit, ku ai qëndron në ambientet e paraburgimit që prej shkurtit të vitit të kaluar.

Në seancën e sotme paraprake në GjKKO, ka qenë i pranishëm edhe vetë Veliaj.

Kujtojmë se seanca paraprake ndaj Veliajt ishte planifikuar më 5 janar, por u shty për shkak të mungesës së dy avokatëve mbrojtës, mes tyre edhe avokatja e caktuar kryesisht për mbrojtjen e Veliajt.

Përmes një emaili, avokatja kërsoi shtyrjen e seancës, duke argumentuar se ndodhej jashtë vendit.

Konferenca e Kryetarëve, Tabaku: Integrimi në BE nuk bëhet me ligje “shkel e shko”, por me parlament që funksionon

By: Fax Web
19 January 2026 at 12:33

Sesioni i ri parlamentar u hap me mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, ku deputetja Jorida Tabaku, kryetare e Komisionit për Mediat dhe të Drejtat e Njeriut, ngriti akuza të ndaj mazhorancës, duke pretenduar për shkelje të rregullave parlamentare, përjashtim të opozitës dhe deformim të procesit të integrimit europian.

Në fjalën e saj, Tabaku theksoi se agjenda e integrimit europian nuk mund të trajtohet si një proces formal dhe i njëanshëm, ku opozitës i kërkohet vetëm të votojë ligje të gatshme. Sipas saj, agjenda legjislative e integrimit duhet të ndahet paraprakisht me opozitën dhe të shoqërohet me konsultim real e debat parlamentar.

Këto nuk janë fjalë politike, janë të drejta kushtetuese të opozitës. Është viti i katërt radhazi që përfshihen në kalendar dhe nuk zbatohen”, deklaroi ajo, duke e cilësuar të patolerueshme kufizimin e hapësirës së opozitës dhe paralizimin e mbikëqyrjes parlamentare.

Tabaku u ndal edhe te raporti i Kuvendit me drejtësinë, duke e cilësuar mbylljen e sesionit të kaluar si një shembull shumë të keq institucional. Ajo përmendi rastet kur mazhoranca, ku sipas saj, ‘është bërë mburojë politike për të penguar zbatimin e vendimeve të institucioneve të drejtësisë, përfshirë vendime të Gjykatës Kushtetuese’. Sipas Tabakut, ‘fakti që sesioni i kaluar u mbyll pa u diskutuar mandati i zëvendëskryeministrit tregon qartë mënyrën se si shumica socialiste po e trajton drejtësinë’. Ajo kërkoi që sesioni i ri parlamentar të nisë me rikthimin e rregullit përmes mbledhjes së Këshillit për Rregulloren dhe Mandatet.

Në vijim, deputetja theksoi se nuk është rastësi që edhe vetë qeveria po zbulon se sa vite larg jemi nga një proces real integrimi europian. Sipas saj, kërkesa e opozitës për kohë të ndërmjetme, analizë dhe debat për ligjet e integrimit nuk është pengesë, por kusht për cilësi. “Nxitimi i shumicës për të votuar çdo ligj të qeverisë ‘shkel e shko’ ka kosto për buxhetin dhe për qytetarët shqiptarë”, u shpreh ajo.

Tabaku nënvizoi se kjo qasje tregon sa keq funksionon Kuvendi kur drejtohet nga shumica socialiste. Sipas saj, një parlament normal do të diskutonte ligjet në mënyrë të rregullt, transparente dhe gjithëpërfshirëse, ndërsa një Kuvend që sillet si noter i çdo ligji të qeverisë dëmton interesin publik. “Integrimi europian nuk është numër ligjesh të votuara me shpejtësi, por cilësi ligjesh, respekt i procedurave dhe funksionim real i demokracisë parlamentare”, përfundoi Tabaku.

Shiste kanabis në doza në Fier e Patos, pranga 49-vjeçarit

By: Fax Web
19 January 2026 at 12:09

Një 49-vjeçar nga Patosi ka rënë në prangat e policisë pasi shiste kanabis në doza në qytetin e tij dhe në atë të Fierit.

49-vjeçari u kap me lëndë narkotike teksa ishte në një lokal.

Kanabisi dhe celulari i të arrestuarit u sekuestruan si provë materiale.

“Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Fier, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Fier, në vijim të kontrolleve të njëpasnjëshme të kryera në kuadër të operacionit të koduar “Neë Start 3”, për goditjen e rasteve të shitjes së lëndëve narkotike, kanë goditur një tjetër rast të kësaj veprimtarie kriminale.

Për këtë rast, u vu në pranga shtetasi H. M., 49 vjeç, banues në Patos, i cili u kap në flagrancë me doza kanabisi, në një lokal në Patos.

Në vijim, gjatë kontrollit në banesën e 49-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën një sasi lënde narkotike kanabis që ai e posedonte me qëllim shitjen në doza. Lënda narkotike që posedonte ky shtetas dhe celulari i tij u sekuestruan në cilësinë e provës materiale”, njoftoi sot policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.

Begaj vizitë zyrtare në Moldavi, pritet me ceremoni shtetërore

By: Fax Web
19 January 2026 at 11:36

Presidenti Bajram Begaj po zhvillon një vizitë zyrtare në Moldavi, ku është pritur me ceremoni shtetërore nga homologia Maia Sandu.

Presidenti Begaj shkruan në një postim në rrjetet sociale, se “Shqipëria mbështet Moldavinë si mike dhe partnere në vlerat e lirisë, demokracisë dhe përgjegjësisë së përbashkët për të ardhmen evropiane”.

Presidenti Bajram Begaj, ka nisur këtë vizitë zyrtare treditore në Moldavi, me ftesë të presidentes Maia Sandu. Vizita, që do të zgjasë deri më 20 janar, synon të forcojë marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve.

E rëndë në Shkodër, e mitura ndërron jetë pas një arrestit kardiorespirator! Policia nis hetimet

By: Fax Web
19 January 2026 at 11:35

Një ngjarje e rëndë është shënuar në qytetin e Shkodrës ku një 16-vjeçare ka ndërruar jetë një ditë më parë në Spitalin Rajonal (18 janar).

Sipas njoftimit të policisë, dyshohet se shkak i vdekjes të së miturës është si pasojë e një arresti kardiorespirator.

Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve.

“Dje, në Spitalin Rajonal Shkodër, një 16-vjeçare, ka humbur jetën. Paraprakisht dyshohet për shkak të arrestit kardiorespirator. Grupi hetimor po kryen veprimet në drejtimin e Prokurorisë, për të përcaktuar shkakun e humbjes së jetës”, njoftoi policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Mesazhet për luftën kundër krimit dhe drogës, Spiropali: Partneriteti SHBA-Shqipëri, i qartë si drita e diellit

By: Fax Web
19 January 2026 at 11:32

Ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali u pyet edhe për mesazhet e vazhdueshme që ka përcjellë ambasada e SHBA për luftën kundër krimit të organizuar dhe lëndëve narkotike.

Sipas saj, partneriteti mes SHBA dhe Shqipërisë është i palëkundur dhe i qartë si “drita e diellit”.

“Në asnjë moment sekretari Rubio apo të tjerë nuk i janë referuar Shqipërisë, që sigurisht nuk përjashtohet nga fenomene të tilla, por për të cilin nuk mbajnë përgjegjësi as shqiptarët, as autoritetet në vende të tjera ku ato shfaqen, ashtu si të gjithë shtetet e tjera kanë sfidat e tyre për luftën kundër krimit, trafikut të drogës. Etj. Ajo që është e qartë dhe besoj si drita e diellit është që SHBA dhe Shqipëria kanë partneritet të fortë strategjik, që nuk është lëkundur, dhe sic po e shihni edhe nga kjo ftesë, sigurisht që ky partneritet është i palëkundur dhe prioritetet së SHBA sa i takon pjesës që duhet të bëjmë janë edhe prioritetet tona. Të tjerat janë spekulime politike që mund të rrohet përkohësisht por nuk mund të krijohet alternativë e besueshme dhe e qëndrueshme. “, tha ajo.

VIDEO/ “Njeriu i minutave të fundit”, Muçi në historinë e Trabzonspor: 10 gola në kampionat dhe kupë

By: Fax Web
19 January 2026 at 11:08

Në javën e 18-të të Trendyol Süper Lig, Trabzonspor mposhti 1-1 Kocaelisporin në transfertë, ndërsa golin e fitores e realizoi Ernist Muçi, i cili vazhdon serinë e tij mbresëlënëse.

Futbollisti shqiptar ka shënuar 8 gola në 6 ndeshjet e fundit me fanellën e Trabzonspor, duke lënë pas, pas 12 vitesh, serinë prej 5 ndeshjesh radhazi të Paulo Henrique në sezonin 2013-2014.

Rekordi i përket Burak Yılmaz, i cili në sezonin 2011-2012, kur u shpall golashënuesi më i mirë i kampionatit me 32 gola, realizoi gola në 8 ndeshje radhazi, duke shënuar gjithsej 13 herë në këtë periudhë.

Kontribut prej 13 pikësh në kampionat

Në 6 ndeshjet e fundit të Superligës ku Ernest Muçi ka shënuar, Trabzonspor ka regjistruar 4 fitore, 1 barazim dhe 1 humbje, duke grumbulluar gjithsej 13 pikë.

Fillimisht i kritikuar pas transferimit nga Beşiktaş por i mbështetur vazhdimisht nga trajneri Fatih Tekke, futbollisti shqiptar ka përfituar minuta loje dhe në javët e fundit është shndërruar në një nga emrat më të spikatur të ekipit, shkruan Faxweb.

Në javën e 13-të, Muçi hyri në lojë në minutën e 62-të në fitoren 4-3 ndaj Başakşehir në transfertë dhe me 2 gola u bë arkitekti i suksesit.

Në javën e 14-të, në fitoren 3-1 ndaj Konyasporit në shtëpi, realizoi një gol të bukur nga goditja e dënimit.

Në javën e 15-të shënoi 2 gola kundër Göztepes, ndërsa në javën e 16-të, në barazimin 3-3 me Beşiktaşin, si dhe në ndeshjet ndaj Gençlerbirliği dhe Kocaelispor, realizoi nga një gol.

10 gola në kampionat dhe kupë

24-vjeçari ka shënuar 8 gola në 6 ndeshjet e fundit në Trendyol Süper Lig, ndërsa në Kupën e Turqisë realizoi 2 gola në fitoren 6-1 ndaj İstanbulsporit.

Në total, Muçi realizuar 10 gola, në kampionat dhe kupë.

Gola vendimtarë në minutat e fundit

Futbollisti shqiptar shënoi në minutat 77 dhe 90+11 në ndeshjen ndaj Başakşehir, ndërsa kundër Kocaelispor realizoi golin e fitores në minutën 90+1, duke i dhënë Trabzonsporit 3 pikë të arta në sekondat e fundit.

Pas kësaj fitoreje, Trabzonspor qëndron në luftën për titull teksa numëron 38 pikë pas 18 ndeshjesh, 5 më pak se Galatasaray dhe 4 më pak se Fenerbahçe. /Faxweb.al

Aksidenti hekurudhor, Rama: Solidaritet me popullin e Spanjës në këtë moment dhimbjeje

By: Fax Web
19 January 2026 at 10:57

Kryeministri Edi Rama shprehu sot ngushëllimet për familjet e viktimave të aksidentit tragjik hekurudhor në Spanjë.

Në një mesazh drejtuar homologut spanjoll, Pedro Sanchez, kryeministri Rama shprehu  solidaritetin me popullin dhe qeverinë e Spanjës në këtë moment dhimbjeje.

“Me trishtim të thellë kam marrë lajmin për aksidentin tragjik hekurudhor të ndodhur në Adamuz. Në emër të popullit të Shqipërisë dhe në emrin tim personal, dëshiroj të shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjet e viktimave dhe solidaritetin tim me popullin dhe Qeverinë e Spanjës në këtë moment dhimbjeje”, u shpreh Rama.

Në mesazhin e tij, kryeministri theksoi se “mendimet tona janë me ata që kanë humbur të dashurit e tyre dhe me të gjitha ekipet që po punojnë pa u lodhur në përballimin e kësaj tragjedie”.

Përplasje fatale e dy trenave të shpejtësisë së lartë në Spanjë ka shkaktuar, sipas raportimeve, 39 viktima dhe 73 të plagosur, 24 prej tyre janë në gjendje të rëndë, nga të cilët katër janë të mitur.

Trump ngre tonet për Groenlandën: Nuk ndihem më i detyruar të mendoj për paqen

By: Fax Web
19 January 2026 at 10:51

Presidenti i SHBA, Donald Trump tha se nuk ndihet më “i detyruar të mendojë ekskluzivisht për paqen” në një letër drejtuar kryeministrit norvegjez Jonas Gahr Store mes tensioneve në rritje me Evropën për shkak të Groenlandës. Letra, drejtuar Store, iu dërgua disa ambasadorëve evropianë në Uashington nga stafi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

“I dashur Jonas – Meqenëse vendi juaj ka vendosur të mos më japë Çmimin Nobel për Paqen për ndalimin e 8+ luftërave, nuk ndihem më i detyruar të mendoj ekskluzivisht për paqen, megjithëse ajo do të jetë gjithmonë parësore, por tani mund të mendoj për atë që është e mirë dhe e drejtë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”, ka shkruar Trump.

Sipas tij, Danimarka nuk mund ta mbrojë ishullin nga Rusia apo Kina.

“Danimarka nuk mund ta mbrojë këtë tokë nga Rusia apo Kina, dhe pse ka një ‘të drejtë pronësie’ gjithsesi? Nuk ka dokumente të shkruara, vetëm se një anije u ngec atje qindra vjet më parë, por kemi pasur edhe anije të ngecura atje. Unë kam bërë më shumë për NATO-n se kushdo tjetër që nga themelimi i saj, dhe tani NATO duhet të bëjë diçka për Shtetet e Bashkuara. Bota nuk është e sigurt nëse nuk kemi kontroll të plotë dhe total të Groenlandës.”

Letra e Trump vjen vetëm disa ditë pasi kryeministri norvegjez tha se “kërcënimet nuk kanë vend” midis aleatëve, në përgjigje të njoftimit të tarifave të presidentit amerikan.

“Qëndrimi i Norvegjisë është i vendosur: Groenlanda është pjesë e Mbretërisë së Danimarkës. Norvegjia mbështet plotësisht sovranitetin e Mbretërisë së Danimarkës. Ekziston një marrëveshje e gjerë në NATO mbi nevojën për të forcuar sigurinë në Arktik, përfshirë Groenlandën.”, shkroi Store të shtunën. 

Norvegjia është një nga tetë vendet e prekura nga tarifat prej 10% të presidentit amerikan, krahas Danimarkës, Suedisë, Francës, Gjermanisë, Finlandës, Holandës dhe Mbretërisë e Bashkuar. Masat hyjnë në fuqi nga 1 shkurti. Taksa do të rritet në 25% më 1 qershor nëse nuk arrihet një marrëveshje për Groenlandën.

Berisha: Kushtetuesja mori vendim partiak ndaj meje për arrestin shtëpiak, pasojat ndihen akoma

By: Fax Web
19 January 2026 at 10:49

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u pyet edhe për qëndrimin e Gjykata Kushtetuese ndaj arrestit shtëpiak ndaj tij.

Ai theksoi se vendimi i GJK kundrejt tij ishte partiak dhe se pasojat ndihen akoma për sa kohë shkon dhe paraqitet në SPAK. Sipas tij, ky vendim favorizon Belinda Ballukun dhe persona të tjerë si ajo që do përfundojnë në Kushtetuese.

“Gjykata Kushtetuese është një seksion i një organizate partie të PS-së. Komenti i parë. Atë çështje Gjykata Kushtetuese e trajtoi pas 8 muajve paraqitje. Në një kohë kur çdo çështje që ka të bëjë me qeveritarët e trajton brenda 2-3 javëve. Këto janë standardet partiake të Gjykatës Kushtetuese.
\Së dyti, Gjykata Kushtetuese me një vendim të koduar, partia, shpalli jo kushtetues vendimin ndaj meje por nuk e shfuqizoi atë. Ndërkohë që ai vendim ka pasoja edhe sot. Pra, nuk e shfuqizoi duke pretenduar se nuk është më në fuqi, por në fuqi janë pasojat e tij. Dhe vendimi në çdo doktrinë, përveç në atë të partisë së krimit, vendimi duhej shfuqizuar. Çfarë bëri me vendimin që mori.

Mori një vendim në favor të Lubisë dhe Lubive të tjera që do të shkojnë aty. Sepse hapi rrugën të shfuqizojë vendimet e tjera. Vendimin tim nuk e shfuqizoi duke pretenduar se nuk është në fuqi, duke pretenduar se ajo merret vetëm më vendimet që janë në fuqi, çka nuk është ashtu. Ajo merret me vendimet që janë në fuqi dhe që kanë pasoja. Nuk është zhdukur. Pasoja e atij vendimi është fakti që unë jam sot këtu para jush. Kjo është një nga pasojat. Plus pasojat e tjera. Ja pra, besoj se e morët vesh se ç’përfaqësojnë, njerëz të kapur peng me dhjetëra e dhjetëra mëkate dhe gjëra të padenja.”, tha Berisha.

Operacioni i SPAK për mashtrimet në Call Center-a, Berisha: Agjentët e Le Iene dhanë informatat, por u dekonspiruan nga policia

By: Fax Web
19 January 2026 at 10:29

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha akuzoi se policia ka dekonspiruar operacionin e ndërmarrë nga SPAK dhe autoritetet italiane për mashtrimet me Call Centera.

“Armant Josifit, që ditë e natë vjedhin qytetarët e huaj me mashtrimin, mashtrojnë qytetarët dhe call centeri i cili u kontrollua sipas hetimit që kanë bërë me agjentët e vet, vidhte në muaj të paktën 30 milionë euro me mashtrime. Kjo veprimtari kriminale është e tëra në mbikëqyrjen e narkopolicisë. Njëlloj si dikur për çdo rrënjë kanabis paguanin tarifa, për cdo PC, paguan tarifa zyrtarëve të policisë që mbyllin sytë para një veprimtarie të tillë ndaj qytetarëve dhe vendeve të tjera kur vjedhin dhe mashtrojnë. Në këoqendra ushtrohet një mashtrim masiv i qytetarëve fatkeqë që mashtrojnë.

Agjentët e le Iene kanë punuar aty dhe kanë dhënë cdo informatë, por e gjetën të boshatisur dhomën se kishin hequr të gjithë PC. Çka vërteton edhe njëherë deklaratën e prokurorit të Antimafias së Napolit, i cili thotë se Shqipëria është më keq s narkoshteti se të dekonspirojnë cdo gjë e pamundur të sosësh një hetim. Kjo është fakti se kur autoritetet gjermane sollën pë Armand Josifin dokumentet dhe doli Osli Rama padron i tij.”, tha ai.

Fshatrat më të shtrenjtë/ Sa do jenë çmimet fiskale nga Gjiri i Lalëzit në Dhërmi, Ksamil, Velipojë…?

By: Fax Web
19 January 2026 at 10:21

Për herë të parë për shitblerjen e ndërtesave/apartamenteve në vend do të aplikohen çmime fiskale edhe për fshatrat.

Revista Monitor zbardh çmimet më të larta të referencës që do të aplikohen në zonat rurale, që përkojnë si vijë e parë e ndërtimit e zonave bregdetare.

Sipas tabelave dhe hartave digjitale, çmimet më të larta të referencës për fshatin, kryesohen nga vija e parë e ndërtimit në Gjirin të Lalzit dhe Hamallaj në vlerën e 190 mijë lekë për metër katror.

Më pas çmimet më të larta të referencave janë propozuar për vijën e parë të ndërtimit në fshatrat e Himarës, si Dhërmi dhe Palasë, me vlerë reference 140 mijë lekë/m2.

Në fshatin Vuno çmimi i referencës do të jetë 100 mijë lekë dhe në Livadh 81 mijë lekë/m2.

Në Sarandë fshati më i shtrenjtë do jetë Ksamili, çmimet e referencës do të jenë 100 mijë lekë/m2.

Në Vlorë, çmimet e referencës për vijën bregdetare të fshatrave Radhimë dhe Orikum do të jenë 90 mijë lekë/m2 që përbëjnë dhe zonat më të shtrenjta rurale të bashkisë Vlorë.

Në Velipojë çmimi i referencës do të jetë 75 mijë lekë për metër katror dhe në Tale të Lezhës 70 mijë lekë për metër katror.

Mbi çmimet e referencës bashkitë llogarisin detyrimin për taksën e ndërtesës dhe taksës së ndikimit në infrastrukturë.

Nëse aktualisht për llogaritjen e bazës së taksueshme të këtyre taksave që është vlera e pronës përdoren çmimet e referencës, për zonat rurale në mungesë të tyre, përdorej çmimi i qytetit por i reduktuar 35%.

Me ndryshimet e reja të propozuara, bashkitë nuk do të kenë më të drejtë të reduktojnë çmimet e referencës për zonat rurale, por do të detyrohen të zbatojnë çmimet e reja që qeveria propozon.

Më përfshirjen e zonave rurale në hartën e çmimeve të referencës, numri i zonave kadastrale në të gjithë vendin arrin 176. Aktualisht rrethet janë të ndara në 65 zona kadastrale. Edhe këto çmime janë rishikuar me rritje deri në 196%.

Projektvendimi i ndryshuar pritet të miratohet në qeveri.

Kryeson vija bregdetare për fshatrat Gjiri i Lalzit dhe Hamallaj, çmimet e referencës arrijnë 190 mijë lekë/m2

Në zonat turistike, fshatrat me çmimet më të lartë të referencave do të jenë Gjiri i Lalzit dhe Hamallaj. Për vijën e parë bregdetare të këtyre zonave është propozuar çmim reference me vlerë 190 mijë lekë për metër katror, që sipas hartave përkon në zonën kadastrale nr.4 për bashkinë Durrës. Në zonat pas vijës së parë të detit për Gjirin e Lalzit dhe Hamallajn çmimet e referencës do të jenë 90 mijë lekë për metër katror (e propozuar si zona kadastrale nr. 7, menjëherë pas vijës së parë të detit, ka çmim reference 90 mijë lekë për metër katror.

Për zonat rurale është propozuar çmim reference prej 67,500 lekë për metër katror, pra i njëjtë me çmimin aktual të referencës për qytetin e Durrësit. Në këtë çmim reference që qeveria ka propozuar për zonën rurale të Durrësit, përfshin edhe zonën pas vijës bregdetare edhe për zonën e Lalzit apo Hamallajt.

Ndërsa çmimi i referencës për vijën e parë bregdetare në Golem do të jetë 75 mijë lekë.

Sipas Tabelave, konkretisht me këtë çmim do të përfshihen: Qytetet: Sukth, Manëz; Fshatrat: Hamallaj, Kullë, Perlat, Vadardhë, Rushkull, Hidrovori, Likmetaj, Kërtushaj, Kapidanaj, Gjuricaj, Lalëz, Kuraten, Bizë, Draç, Shetaj, Katundi i Ri, Jubë, Qerret, Fllakë, BishtKamëz, Rinia, Erzen, Sukth, Adriatik, Rrashbull, Arapaj, Shënavlash, Shkallnur, Manskuri, Romanat, Bozanxhije, Xhafzotaj, Armath, Borç, Hamallaj, Kameras, Radë, Shkallë, Fshat Manëz.

Në Himarë, për fshatrat Dhërmi dhe Palasë çmimi i referencës do të jetë 140 mijë lekë/m2; Në fshatin Vuno 100 mijë lekë dhe në Livadh 81 mijë lekë/m2

Në zonën 1 kadastrale të Himarës, ku përfshihet vija e parë bregdetare e fshatrave Dhërmi dhe Palasë, një ndër vijat më të kërkuara bregdetare të jugut është propozuar çmim reference 140 mijë lekë për metër katror.

Në zonë 2 kadastarle të Himarës, ku referuar hartës dixhitale, përfshin pjesën në brendësi të fshatit Dhërmi, zonën e banimit të fshatit Palasë, pra pas vijës bregdetare, pjesa e vijës së parë të detit të fshatit Vuno, dhe zona periferike e qytetit të Himarës. Çmimi i referencës për këtë zonë kadastrale do të jetë 100 mijë lekë për metër katror.

Referuar hartave, zona 3 kadastrale që në terren përfshin Himarën qytet, fshatrat Potam dhe Livavadh çmimi i propozuar do të jetë 81 mijë lekë për metër katror.

Në Sarandë fshati më i shtrenjtë do jetë Ksamili, çmimet e referencës do të jenë 100 mijë lekë/m2

Pjesën bregdetare të ishujve Ksamil, duke përfshirë edhe vijën e parë bregdetare të Sarandës (si zona e shëtitores, porti lagjet direkt ,mbi det) janë përfshirë në zonën kadastrale nr.1 me çmim reference 100 mijë lekë për metër katror.

Fshatrat: Gjashtë, Metoq, Çukë, Shelegar, Ksamil (këtu përfshin zonën pas vijës bregdetare) çmimi i referencës do të jetë 56,000 për metër katror, i barabarta sa çmimi aktual për qytetin e Sarandës.

Në Vlorë, çmimet e referencës për vijën bregdetare të fshatrave Radhimë dhe Orikum do të jenë 90 mijë lekë/m2

Për Bashkinë e Vlorës fshatrat me çmimet me të larta do të jenë Radhima dhe Orikumi. Për vijën bregdetare të Radhimës dhe Orikumit çmimet e referencë të shitblerjes së ndërtesave do të jenë 90 mijë lekë për metër katror.

Zona rurale e Vlorës, pra pas vijës bregdetare përfshirë fshatrat: Dukat, Dukat Fshat, Tragjas, Radhimë, Bestrovë, Babicë e Madhe, Babicë e Vogël, Hoshtimë, Kaninë, Kërkovë, Nartë, Sherishtë, Panaja, Xhyherinë, Zvërnec, Sazan, Novoselë, Aliban, Bishan, Mifol, Poro, Dëllenjë, Delisuf, Trevllazër, Cerkovinë, Skrofotinë, Fitore, Akërni, Shushicë, Bunavi, Beshisht, Grabian, Drithas, Mekat, Llakatund, Çeprat, Risili do të kenë çmim reference 61,800 lekë për metër katror. Ky është çmimi aktual i referencës për qytetin e Vlorës.

Në Veri të vendit kryeson Velipoja, çmimi i referencës për vijën bregdetare arrin 75 mijë lekë/m2

Pas jugut, për zonat bregdetare të Veriut të Shqipërisë çmimi më i lartë i referencës është propozuar për Velipojën. Vija bregdetare e fshatit Velipojë do të ketë çmimi reference 75 mijë lekë/m2. Për zonat pas vijës bregdetare të Velipojës, çmimi i zonave rurale do të jetë 58 mijë për metër katror sa është aktualisht çmimi i referencës për qytetin e Shkodrës.

Ndërsa në fshatrat Tale të Lezhës dhe Shëngjin çmimi i referencës do të jetë 70 mijë lekë për metër katror.

Dardha magjike e mbuluar nga dëbora

By: Fax Web
19 January 2026 at 10:08

Dardha është “veshur” me petkun e bardhë të dëborës, duke u kthyer këtë janar në një atraksion dimëror të preferuar për vendasit dhe turistët e huaj.

Zona e Dardhës në Korçë, vjen si një kartolinë dimërore, ndërsa rruga në fshat është e hapur dhe qarkullimi i mjeteve kryhet normalisht.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale, pamje nga ky fshat turistik në Korçë, duke e etikuar si “Dardha magjike”.

Ky fshat turistik ndodhet 18 km në juglindje të Korçës dhe është një nga destinacionet më të vizituara gjatë dimrit.

Në Dardhë ndodhet edhe pista e skive që është shumë e përshtatshme për zhvillimin e sporteve dimërore, veçanërisht atë të skive.

Me sportet dimërore, bujtinat që ofrojnë shërbim cilësor dhe ushqim tradicional, ajrin e pastër dhe natyrën e qetë, Dardha është një prej destinacioneve më të veçanta, me turizëm gjithëvjetor.

Aksident hekurudhor në Spanjë, dy trenat përplasen me njëri-tjetrin! 39 viktima dhe 152 të plagosur

By: Fax Web
19 January 2026 at 10:07

Të paktën 39 persona humbën jetën dhe 152 të tjerë u plagosën në mbrëmjen e së dielës në një aksident hekurudhor që përfshiu dy trena në Spanjën jugore. Nga të plagosurit, 24 janë në gjendje të rëndë, njoftoi Presidenti i rajonit të Andaluzisë, Juanma Moreno. Autoritetet paralajmëruan se numri i të vdekurve mund të rritet në përplasjen më të keqe hekurudhore në Spanjë në më shumë se një dekadë.

Aksidenti ndodhi rreth orës 19:40 sipas orës lokale kur vagonët e fundit të trenit Iryo që shkonte për në Madrid dolën nga shinat, duke kapërcyer në binarët e tjerë, ku në kah të kundërt po udhëtonte një tren Renfe për në Huelva. Goditja ishte e tmerrshme dhe shkaktoi përmbysjen e dy vagonëve të parë të trenit Renfe. “Gjëja më e rëndësishme tani është të ndihmojmë viktimat”, shkroi në platformën X, Ministri Spanjoll i Transportit Oscar Puente.

Për shkak të katastrofës, shërbimi hekurudhor me shpejtësi të lartë për në rajonin jugor të Andaluzisë dhe Madridit do të mbetet i pezulluar për të gjithë ditën e hënë. “Lidhja hekurudhore me shpejtësi të lartë midis Madridit dhe Kordobës, Seviljes, Malagës dhe Huelvës do të mbetet e pezulluar për të gjithë ditën e hënë”, bëri të ditur në një deklaratë shoqëria që administron hekurudhat në vend ADIF, duke shtuar se “do të nevojiten të paktën 48 deri në 72 orë për të rivendosur infrastrukturën hekurudhore”.

Iryo, kompania që operon një nga trenat me shpejtësi të lartë të dalë nga shinat, tha në një deklaratë se “të gjitha protokollet e emergjencës” ishin aktivizuar. Pasagjerët në trenat e përfshirë në dalje nga shinat u evakuuan, raportoi Adif, ndërsa vijon kërkimi për viktima ose të mbijetuar mes llamarinave të vagonave që dolën nga shinat.

Arsyet e devijimit të trenit të operuar nga kompania private Iryo, i cili transportonte të paktën treqind pasagjerë dhe po udhëtonte nga Malaga në Porta de Atocha në Madrid, janë aktualisht të panjohura.

Ministri spanjoll i Transportit, Oscar Puente, deklaroi në një konferencë për shtyp se “aksidenti ishte jashtëzakonisht i çuditshëm”, pasi ndodhi “në një vijë të drejtë, në një linjë të rinovuar së fundmi” dhe përfshinte një tren Iryo “praktikisht të ri”.

Pas arratisjes së Altin Ndocit u emërua si drejtor i komanduar i burgut të Durrësit, Edmond Llabani pëson hemoragji cerebrale

By: Fax Web
19 January 2026 at 09:54

Llabani mori detyrën vetëm një javë më parë, pas arrestimit të drejtorit të mëparshëm, Indrit Cërloj, lidhur me arratisjen e të dënuarit Altin Ndoci.

Drejtori i komanduar i burgut të Durrësit Edmond Llabani ka pësuar hemoragji cerebrale.

Sipas informacioneve paraprake, ai është shtruar në QSUT.

Edmond Llabani u komandua më 15 janar në krye të burgut të Durrësit, pas shkarkimit dhe arrestimit të drejtorit Indrit Cërrloj për shkak të arratisjes të Altin Ndocit.

❌
❌