Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 18 January 2026Main stream

Të paktën 15 të vdekur nga zjarret në Kili, mijëra të evakuuar

18 January 2026 at 17:31

Numri i të vdekurve nga zjarret që kanë përfshirë dy provinca të Kilit jugor është rritur në të paktën 15. Ndërsa më shumë se 50,000 njerëz janë larguar nga shtëpitë e tyre. Presidenti kilian në largim, Gabriel Boric shpalli gjendje katastrofe natyrore në zonat e prekura.

“Duke pasur parasysh zjarret serioze që po shpërthejnë, kam vendosur të shpall gjendjen e fatkeqësisë natyrore për provincat e Nuble dhe Biobio “, njoftoi kryeministri në largim në rrjetet sociale X.

Sipas agjencisë pyjore të Kilit CONAF, forcat e zjarrfikësve po luftojnë 24 fronte aktive në të gjithë vendin , me shpërthimet më të mëdha që vazhdojnë në Nuble dhe Biobio.

VIDEO/ Aksident në Fushë Milot, 5 të plagosur, 3 prej tyre në gjendje të rëndë shëndetësore

18 January 2026 at 16:39

Një aksident ka ndodhur pranë urës së Milotit. Një autoveturë është përplasur me një furgon.

Të paktën pesë persona kanë mbetur të plagosur, tre prej tyre janë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Dy autoambulanca kanë shoqëruar të plagosurit në spitalin e traumës.

“Pirati” Muriqi pushton Spanjën/ Sulmuesi i Kosovës, i pesti në garën për “Këpucën e Artë” në Europë

18 January 2026 at 16:36

Ndoshta nuk e kap dot majën, por gjithsesi është shumë pranë. Vedat Muriqi as nuk e kishte menduar se do të arrinte një nivel të tillë lavdie dhe suksesi në La Ligën e Spanjës, kur u largua si jo fort i pëlqyer nga Lacio e Serisë A.

Sulmuesi i Kosovës realizoi 3 gola në një ndeshje të vetme, në atë Majorka-Atletik Bilbao, duke i dhënë tri pikët skuadrës së tij, e duke shtuar shpresën dhe mundësinë për mbijetesë në elitë.

I mbiquajturi “Pirati” realizoi një herë nga loja, pastaj pasi humbi penalltinë afër fundit të pjesës së parë për shifrat 2-1, dhe pas pushimit në 69’, këtë herë duke qenë i saktë nga 11 metra.

Ylli “dardan” ka 14 gola këtë sezon në kampionatin spanjoll, i dyti në garën e Këpucës së Artë në vend, 5 rrjeta prapa Kilian Mbapesë së Realit.

Në konkurrimin për Këpucën e Artë të Europës, Muriqi është I pesti me 28 pikë, pas 14 rrjetave, ndërsa Harri Kejn ka 42 pikë, Haland 40 dhe Mbape 38, me përkatësisht 21, 20 e 19 realizime.

“Marka” shkruan se arbitri Guzman Mansija i merr vëmendjen Muriqit, me dy penallti dhe dy kartonë të kuq.

“Muriqi dhe VAR-i lëshohen ndaj Etosë”, – titullon “AS”, – kosovari realizoi një hatrik për të fituar ndaj Atletikut!”

Futbollisti 31-vjeçar mori notë 8.8 për paraqitjen e shkëlqyer, por më I miri në fushë ishte një tjetër.

Pikërisht, portieri i Majorkës, Leo Roman, që mori notën 10 me yll për 7 pritje, nga të cilat pesë në zonën e rreptësisë.

Shqiptari nga Kosova po ashtu pritet të hyjë në historinë e Majorkës.

Tashmë, ai ka 48 gola në La Ligë, duke lënë pas Huan Arangon, e duke qenë vetëm 6 rrjeta prapa rekordmenit të klubit, sulmuesit të shquar kamerunas, Samuel Eto.

Në numrin total të golave, Muriqi ka 49 për Majorkën, i treti në renditjen e të gjitha kohëve në të çdo konkurrim, i lënë pas nga Eto me 70 dhe Prats me 59 rrjeta.

Siri, vritet drejtuesi i lartë i Al Kaedës/ Operacioni nga forcat amerikane, goditen bastionet e ISIS

18 January 2026 at 15:57

Forcat ushtarake Amerikane kanë kryer një sulm ajror në veriperëndim të Sirisë, një operacion ky që solli vrasjen e një drejtuesi të lartë të lidhur me Al Kaedën, i cili ishte përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejt në planifikimin e sulmeve kundër forcave të Shteteve të Bashkuara.

Komanda Qendrore Ushtarake e Shteteve të Bashkuara deklaroi se objektivi i sulmit ishte Bilal Hasan al-Jasim, i përshkruar nga ushtria amerikane si “një drejtues terrorist me përvojë”.

Komanda Ushtarake Amerikane deklaroi se Al Jasim kishte planifikuar sulme terroriste dhe kishte lidhje të drejtpërdrejta me autorin e një sulmi të ISIS-it në Palmyra, Siri, më 13 dhjetor.

Në atë sulm, dy ushtarakë amerikanë dhe një përkthyes amerikan humbën jetën, ndërsa disa pjesëtarë të forcave amerikane dhe siriane u plagosën. Pete Hegseth, Sekretari Amerikan i Mbrojtjes kishte deklaruar në muajin dhjetor se forcat ushtarake partnere të Shteteve të Bashkuara kishin vrarë autorin e atij sulmi.

Komandanti i Komandës Qëndrore ushtarake Amerikane Brad Cooper deklaroi se eliminimi i Bilal Hasan al-Jasim tregoi se eliminimi i këtij terroristi tregon vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara për të ndjekur dhe neutralizuar çdo individ që sulmon forcat Amerikane.

Pas sulmit ndaj forcave Amerikane ne dhjetor presidenti amerikan Donald Trump kishte premtuar hakmarrje, duke e cilësuar incidentin si “një sulm të ISIS-it kundër SHBA-së”. Javën e kaluar, Shtetet e Bashkuara vijuan  sulme të gjera ajrore në Siri në kuadër të operacionit të quajtur “Hawkeye Strike”.

Sipas Komandës Qendrore ushtarake amerikane , gjatë këtij operacioni janë goditur mbi 100 objektiva të infrastrukturës dhe armëve të ISIS-it, duke përdorur më shumë se 200 municione precize. Operacionet nisën në dhjetor, me objektiv bastionet e ISIS-it në territorin sirian.

Gjatë vitit të fundit, forcat amerikane dhe ato partnere kanë arrestuar më shumë se 300 operativë të ISIS-it dhe kanë vrarë mbi 20 të tjerë në Siri, duke eliminuar kërcënime të drejtpërdrejta për Shtetet e Bashkuara dhe sigurinë rajonale, thuhet në deklaratën zyrtare.

/abcnews.al/

Protesta në Iran, mbi 5 mijë viktima/ Shifrat e reja nga një zyrtar anonim konfirmojnë përplasjet e dhunshme në zonat kurde

18 January 2026 at 15:41

Është rritur në të paktën 5 mijë persona bilanci i protestuesve të cilët u vranë në Iran gjatë demonstratave që shpërthyen në 28 dhjetor të vitit të Kaluar dhe vijuan edhe përgjatë këtij viti me qytetarët që u zemëruan me regjimin për shkak të situatës ekonomike dhe kërkuan ndryshim të tij.

Shifra e re u zbulua nga një zyrtar i lartë Iranian i cili ka folur në kushtet e anonimatit për mediat ndërkombëtare duke thënë Garda Revolucionare Islamike kishte vrarë Iranian të pafajshëm.

Sipas tij, përplasjet më të ashpra dhe numri më i madh i viktimave janë shënuar në zonat kurde të veriperëndimit të Iranit, ku veprojnë grupe separatiste kurde dhe ku edhe në periudha të mëparshme trazirash janë regjistruar episodet më të dhunshme.

“Bilanci përfundimtar i viktimave nuk pritet të rritet ndjeshëm”, tha zyrtari, duke shtuar se “Izraeli dhe grupe të armatosura jashtë vendit” kanë mbështetur dhe furnizuar protestuesit.

Autoritetet iraniane i atribuojnë shpesh trazirat ndërhyrjes së armiqve të huaj, përfshirë Izraelin, rival kryesor të Republikës Islamike, i cili në qershor kreu sulme ushtarake ndaj Iranit. Një ditë më parë Lideri Suprem i Iranit tha se protestat u organizuan nga Krimineli Donald Trump duke iu referuar Presidentit Amerikan ndërsa ky i fundit ka ripërsëritur se do dëshironte të shihte një ndryshim Regjimi ne Iran. Protestat të cilat kanë lenë të vrarë mbi 5 mije qytetarë në Iran kanë sjellë edhe arrestimet e mbi 24 mijë personave.

Pas dorëheqjes së Savo Miniç, në Republikën Sërpska hapet rruga për formimin e qeverisë së re

18 January 2026 at 15:26

Deputetët e Kuvendit Popullor të Republikës Sërpska miratuan dorëheqjen e Savo Miniqit nga funksioni i kryetarit të Qeverisë së Republikës Sërpska RS), duke u përmbyllur edhe seanca e 29-të e jashtëzakonshme e parlamentit.

Së shpejti pritet të mblidhet Kolegji i Kuvendit Popullor, në të cilin do të përcaktohet data dhe rendi i ditës i seancës së ardhshme të jashtëzakonshme, për zgjedhjen e Qeverisë së re të RS-së.

Miniq më 15 janar e ka kthyer mandatin, ndërsa ushtruesja e detyrës së presidentes së Republikës Sërpska, Ana Tërstiq Babiq, e ka njoftuar se do të propozohet sërish për mandatar.

Miniqi u emërua kryeministër nga Kuvendi Popullor i RS-së më 2 shtator të vitit të kaluar. Mandatin për formimin e Qeverisë ia kishte dhënë dhjetë ditë më herët Millorad Dodik.

Ky veprim ishte i kontestueshëm për një grup deputetësh të Parlamentit të Bosnjë e Hercegovinës (BeH), të cilët më 9 shtator paraqitën një apelim në Gjykatën Kushtetuese të BeH për vlerësimin e asaj vendimmarrjeje.

Konkretisht, Dodikut në fillim të gushtit i ishte hequr mandati i presidentit të RS-së, pasi Gjykata e BeH e kishte dënuar me vendim të formës së prerë me një vit burg (të cilin ai më pas e bleu) dhe me gjashtë vjet ndalim të ushtrimit të funksioneve politike, prandaj ai as nuk mund të propozonte Miniqin për mandatar.

Sipas Kushtetutës së entitetit, presidenti i RS-së i propozon Kuvendit Popullor kandidatin për kryetar të Qeverisë.

Koalicioni qeverisës në RS atëherë pohonte se mandatarin e kishte propozuar Dodik, si president i entitetit, ndonëse ai formalisht-juridikisht nuk ishte më në atë funksion pas aktgjykimit të formës së prerë dhe vendimit të Komisionit Qendror Zgjedhor të BeH, me të cilin atij i ishte hequr mandati.

Dodik atëherë vazhdonte të pretendonte se ishte president i RS-së, por më vonë ndryshoi qëndrim dhe Kuvendi Popullor i RS-së e emëroi Anën Tërstiq Babiqin, këshilltaren e tij shumëvjeçare, si ushtruese detyre të këtij funksioni.

Gjykata Kushtetuese e BeH tashmë në nëntor të vitit të kaluar ka diskutuar për kushtetutshmërinë e Qeverisë së re të RS-së, por ka theksuar se vendimin do ta marrë në seancën e radhës, e cila pritet të mbahet javën e ardhshme.

Presidenti i Republikës propozon kandidatin për kryetar të Qeverisë brenda afatit prej 10 ditësh nga dita e miratimit të dorëheqjes, votimit të mosbesimit ose përfundimit të mandatit të Qeverisë së mëparshme për shkak të shpërndarjes ose shkurtimit të mandatit të Kuvendit Popullor.

Qeveria e re duhet të zgjidhet brenda afatit prej 40 ditësh nga dita e propozimit të kandidatit për kryetar të Qeverisë së re./REL/

Yesterday — 17 January 2026Main stream

Kaja Kallas: Lirimi i të burgosurve politikë të BE në Venezuelë, një hap pozitiv

16 January 2026 at 22:37

“Lirimi i qytetarëve evropianë nga burgu në Venezuelë përfaqëson një hap pozitiv dhe një lehtësim për familjet e tyre”, kështu u shpreh në një deklaratë, shefja e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas.

Nëpërmjet një postimi në llogarinë e saj në platformën X se ajo falënderoi edhe ambasadën e BE në Venezuelë dhe shërbimin diplomatik të BE për arritjen e këtij bashkëpunimi dhe realizimi të qytetarëve evropianë nga burgu.

“Lirimet janë rezultat i diplomacisë së vazhdueshme të BE-së në bashkëpunim të ngushtë me vendet anëtare. Falënderoj veçanërisht ambasadën e BE-së në Venezuelë dhe Shërbimin Diplomatik të BE-së”, shkroi ajo.

Before yesterdayMain stream

Bjellorusia miraton rregulloren e “bankës së kriptomonedhave”

16 January 2026 at 22:16

Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko nënshkroi një dekret për të miratuar krijimin dhe funksionimin e bankave të kriptomonedhave në vend.

Vendimi synon të forcojë reputacionin e vendit në fushën e teknologjisë së informacionit.

Në Bjellorusi “bankat e kriptomonedhave” do të duhet të kombinojnë aktivitetet tradicionale bankare me transaksionet kriptomonedha, sipas dekretit.

Bankat e kriptomonedhave do të duhet të regjistrohen në Parkun e Teknologjisë së Lartë të Bjellorusisë (HTP) dhe të përmbushin rregulloren e dyfishtë të Bankës Kombëtare të vendit dhe HTP.

Mes sanksioneve perëndimore kundër Rusisë, ka pasur një kërkesë në rritje për transaksione kriptomonedhash në rajon.

DW: Viti zgjedhor që teston politikën gjermane

16 January 2026 at 21:56

Pesë lande gjermane votojnë këtë vit. AfD fiton terren, CDU synon rikthime të rëndësishme dhe SPD kërkon të mbajë pozicionet. Zgjedhjet pritet të ndikojnë balancat politike, shkruan Auron Dodi.

Një supervit elektoral ka nisur për Gjermaninë: do të ketë zgjedhje rajonale në pesë lande, në shtetet rajonale autonome të Gjermanisë.

Në mars mbahen zgjedhje në jugperëndim të Gjermanisë, në landet Baden-Vyrttemberg dhe Rajnland-Pfalc. Në shtator pasojnë zgjedhjet në lindje, në landet Saksoni-Anhalt dhe Meklenburg-Pomerani Perëndimore si dhe në landin e Berlinit.

Një zhvillim, i cili mund t‘i ndryshojë konstelacionet e zakonshme politike është se partia ultra e djathtë AfD (Alternativa për Gjermaninë) po forcohet, edhe në perëndim të Gjermanisë.

Ndërkohë, partitë e tjera në qeveritë e landeve po humbasin terren. Kjo mund ta vështirësojë formimin e qeverive. Në tërësi, disa ekspertë presin që të forcohen ekstremet, veçanërisht AfD-ja.

Përsa i përket lindjes së Gjermanisë: perspektiva e fitores atje të AfD-së mund të nxisë krijimin e një aleance të të gjitha partive kundër AfD-së. Dhe mund të kemi edhe qeveri pakice, d.m.th. të toleruara nga partitë e tjera. Ka edhe zëra që kërkojnë që të rimendohet “kordoni sanitar”për mosbashkëpunim në qeverisje me AfD-në.

Gjermania mbetet një vend më stabël se të tjerët, megjithë debatet në qeverinë qendrore në Berlin. Por edhe një sondazh i fundit, i gazetës Bild am Sonntag, nxorri se 71% e gjermanëve janë të pakënaqur me qeverinë.

Sondazhet i japin shanse më të mëdha CDU-së, partisë së qendrës së djathtë të kancelarit Merz. Ato shohin gjithashtu thuajse kudo në Gjermani forcimin e ultra të djathtës AfD; socialdemokratët, në tërësi, kanë rezultate jo të forta në sondazhe.

Në fillim të marsit, në landin e Baden-Vyrttembergut (Baden-Württemberg) me mbi 11 milionë banorë, CDU-ja mund të vijë në krye të qeverisë së landit, nga partnere e dytë që është aktualisht. Baden-Vyrttembergu, një nga landet më të pasura në jugperëndim të Gjermanisë, ka peshë të madhe politike. Bashkë me Bavarinë, ai është një nga kontribuesit kryesorë financiarë për federatën.

Një fitore në Baden-Vyrttemberg mund të ketë edhe vlerë simbolike për CDU-në, pasi ky land ka 15 vjet që qeveriset nga një kryeministër i Gjelbër, Winfried Kretschmann.

Në fund të marsit ka zgjedhje po në jugperëndim, në landin Rajnland-Pfalcit (Rheinland-Pfalz) me më shumë se 4 milionë banorë. Si parti, në sondazhe CDU-ja atje është përpara socialdemokratëve (SPD). Kjo në një kohë kur kryeministri aktual socialdemokrat, Alexander Schweizer mbetet shumë popullor.

Kujtoj se landi Rajnland-Pfalc ishte bastioni ku nisi karrierën kancelari i ribashkimit të Gjermanisë, Helmut Kohl. Por ka 35 vjet që atë e qeverisin socialdemokratët. Ndaj rimarrja nga CDU-ja do të ishte sukses historik për partinë e Friedrich Merz-it.

Në fund të shtatorit janë zgjedhjet në landin e Berlinit, me 3,9 milionë banorë. Mbetet e hapur nëse CDU-ja do ta ruajë kryesimin, edhe një aleancë e majtë tripartiake nën partinë E Majta duket e mundur për momentin.

Gjithsesi, vëmendje të madhe tërheqin zgjedhjet e shtatorit në një land lindor: në Saksoni-Anhalt (Sachsen-Anhalt), me mbi 2 milionë banorë, landi më të ardhurat më modeste për frymë në Gjermani.

Saksoni-Anhalt është landi ku AfD-ja ultra e djathtë mund të fitojë, për herë të parë, një shumicë absolute. Në një sondazh disa javë më parë në këtë land, AfD-ja arriti 40%. Në dallim nga vende të tjera evropiane, në Gjermani, që nga Lufta e Dytë Botërore, asnjë parti e ekstremit të djathtë nuk ka qeverisur në nivel rajonal ose federal.

AfD-ja shpreson që jehona e një fitoreje të saj të nxisë një riorganizim të të gjithë politikës në Gjermani. Ajo dëshiron që qeveria qendrore në Berlin të shpërbëhet që këtë vit, nëse fillon bashkëpunimi i partive të tjera me të dhe thellohen debatet mes partnerëve CDU/CSU e SPD. Në krye të qeverisë qendrore pastaj mund të vijë vetë AfD-ja.

Në landin Saksoni-Anhalt, pas 20 vjetësh qeverisjeje të pandërprerë me partnerë të ndryshëm, CDU-ja mund të dalë e dyta. Sërish do t’i duhen parti të tjera për të formuar një qeveri. Por disa parti, sidomos të voglat, janë dobësuar dhe mund të mos futen dot në parlamentet rajonale. Shumë vëzhgues flasin për një “pikë kthese” të mundshme, pasi AfD-ja mund të dalë nga izolimi i deritashëm.

A hapet dera për AfD-në?

AfD-ja klasifikohet si parti “ekstremiste e djathtë” nga shërbimi i fshehtë i brendshëm i Gjermanisë, Zyra për Mbrojtjen e Kushtetutës. Në argumentimin për klasifikimin, ky shërbim citon edhe se kjo parti e përcakton popullin gjerman etnikisht dhe nuk përfshin në të si të barabartë shtetas gjermanë, që kanë migruar në Gjermani nga vende myslimane. AfD-ja tani është në sondazhe po aq e preferuar sa CDU-ja, herë merr njëra parti 25% apo 26%, herë tjetra.

Nëse në shtator, në landin Saksoni- Anhalt AfD-ja del e para, por nuk arrin shumicë absolute, edhe asaj do t’i duhen parti të tjera për qeverisje. Partitë e tjera do të ndodhen para pyetjes së vështirë, a ta ndërpresin „kordonin sanitar” për mosbashkëpunim me të.

Në të kaluarën, situata si kjo zakonisht i kanë mobilizuar fort forcat politike. Kështu ndodhi në landin e Saksonisë, që konsiderohej gati i humbur te AfD-ja dhe në Tyringen. Ndaj edhe në landin Saksoni-Anhalt, një qeveri pakice, e udhëhequr nga CDU-ja, e toleruar nga partia E Majta dhe ndoshta edhe nga Aleanca Sahra Wagenknecht, konsiderohet opsion realist.

Kurse në landin tjetër lindor, Meklenburg-Pommerani Perëndimore (Mecklenburg-Vorpommern), sipas disa vëzhguesve gjasat janë që qeveria të udhëhiqet edhe më tej nga socialdemokratët, nën kryeministren Manuela Schwesig.

Ekonomia dhe reformat: sa e brishtë është atmosfera?

Nëse ky do të jetë vit i vështirë për Gjermaninë, kjo varet nga disa faktorë. Njerëzit e shohin të ardhmen e vendit me optimizëm, kur situata ekonomike e përgjithshme është e mirë. Po aq e rëndësishme është edhe ndjenja se ata vetë mund të ndikojnë në të ardhmen e vendit, me hapa konkretë.

Nëse Gjermania arrin të dalë nga stanjacioni dhe të rikthehet te rritja ekonomike —qoftë edhe me një përqind, që është e mundur, — pritet të ndryshojë edhe klima e përgjithshme në vend.

Këtë vit hyjnë në fuqi disa masa lehtësuese për qytetarët si ngritja e pagës minimale për orë (nga 12.82 € në 13.90 €), ulja e TVSH për ushqimet (nga 19% në 7%) etj. Nga janari, reforma e shërbimit ushtarak u ofron 18-vjeçarëve mundësinë të kryejnë të paktën gjashtë muaj shërbim ushtarak. Kjo masë ka potencialin të ulë edhe frikërat e krijuara nga lufta./DW/

Ursula von der Leyen premton një strategji të re sigurie të BE-së në lidhje me Groenlandën

16 January 2026 at 21:36

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, premtoi një strategji të re sigurie për Evropën, pasi Shtetet e Bashkuara kërcënuan të aneksonin Groenlandën.

Në të njëjtën kohë, Von der Leyen theksoi se BE po dyfishon mbështetjen e saj ekonomike për Groenlandën.

“Është e qartë se Groenlanda mund të mbështetet tek ne në kuptimin politik, ekonomik dhe financiar. Dhe kur bëhet fjalë për sigurinë e saj, diskutimet mbi sigurinë e Arktikut janë para së gjithash një çështje kyçe për NATO-n”, tha ajo.

Sipas saj, Arktiku dhe siguria e asaj zone janë tema kyçe për BE-në.

Zelensky: Rusia po përgatit sulme të reja masive ndaj Ukrainës

16 January 2026 at 21:31

“Rusia po përgatit sulme të reja masive ndaj Ukrainës”, kështu deklaroi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.

Ai theksoi se sipas të dhënave të fundit të inteligjencës ukrainase, sulmet nga Moska nuk do të mungojnë.

“Po flasim sinqerisht me partnerët tanë për raketat dhe sistemet e mbrojtjes ajrore që na nevojiten kaq shumë.” Furnizimi nuk është i mjaftueshëm. Po përpiqemi të përshpejtojmë dhe është e rëndësishme që partnerët tanë të na dëgjojnë. Shumë gjëra po bëhen tani në nivelin e Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës”, tha Zelensky.

Zelensky gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve të Ukrainës që të jenë të vëmendshëm dhe të dëgjojnë paralajmërimet për sulme ajrore.

Treni përplas autobusin, të paktën një viktimë dhe dhjetëra të plagosur në Hamburg

16 January 2026 at 21:28

Një person ka humbur jetën pasi një tren ka përplasur një autobus. Ngjarja ka ndodhur në një zonë në Portin e Hamburgut. Si pasojë e aksidentit 10 persona mbetën të plagosur.

Të lënduarit janë transportuar në spital ku edhe po marrin ndihmë mjekësore.

Ekipet e emergjencës janë angazhuar menjëherë për t’u ardhur në ndihmë pasagjerë, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Më shumë se një në pesë vizitorë gjatë muajit nëntor, ishte italian

16 January 2026 at 20:56

Shqipëria tërhoqi në nëntor të vitit që lamë pas një numër të madh vizitorësh nga jashtë, me pjesën më të madhe që vinte nga Italia, Kosova dhe Gjermania.

Më shumë se një në pesë vizitorë ishte italian. Turistët nga Kosova përbënin thuajse një të katërtën e totalit dhe gjermanët rreth 9%. Vizitorët nga Franca dhe Mbretëria e Bashkuar kishin gjithashtu rritje.

Kjo rritje e dukshme pasqyrohet edhe në aktivitetin e strukturave akomoduese, ku numri i vizitorëve gjithsej u rrit me 30% krahasuar me nëntorin e vitit të kaluar.

Vizitorët jorezidentë shënuan një rritje prej 31%, ndërsa vizitorët vendas u rritën me 28%.
Netqëndrimet gjithashtu u rritën me 29,8%, duke reflektuar interes në turizmin shqiptar.

Vizitorët jorezidentë qëndruan më shumë në hotele dhe akomodime të tjera, me një rritje prej 29,8%, ndërsa në zonat jobregdetare rritja ishte 21,6%.

Norma e shfrytëzimit të dhomave në hotele arriti në 22,2%, nga 19,5% në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke treguar se sektori po përfiton nga interesimi i shtuar i vizitorëve të huaj dhe vendas.

Siguria në rrugë/ Eduard Zaloshnja: Përmirësim i ndjeshëm. Policia Rrugore ndikon tek njerëzit që janë të arsyeshëm

16 January 2026 at 18:55

Barometri i sigurisë për vitin 2025 tregon një përmirësim të ndjeshëm të sigurisë publike në vendin tonë, si në rrugë ashtu edhe në luftën kundër krimit.

Në raport, perceptimi për Policinë e Shtetit mbetet kryesisht pozitiv, ku 70.1% e qytetarëve kanë vlerësim pozitiv.

Eduard Zaloshnja në një intervistë në “Tirana Live” në ABC News foli për situatën e aksidenteve në vend, duke u ndalur edhe tek siguria në rrugë.

Gjatë intervistës, Zaloshnja tha se vdekjet rrugore janë ulur dhe se gjithashtu ka patur reduktim të vrasjeve të qëllimshme.

“Është rritur përdorimi i rripit të sigurisë. Rripi i sigurisë përgjysmon probabilitetin e vdekjes. Këtu kam bërë një përmbledhje të vdekjeve rrugore dhe nga krimi për 15 vitet e fundit, dhe shifrat flasin vetë. Këtë vit që mbyllëm kemi patur 153 vdekje rrugore më pak se sa në vitin 2010. Në vitin ’90 këtu kanë ndodhur gjithsej katër vdekje rrugore sepse nuk kishte automobila”, tha ai.

Më tej Zaloshnja ndërsa analizoi të dhënat e sondazhit, duke nënvizuar se Policia Rrugore ndikon tek njerëzit që janë të arsyeshëm.

Sipas Barometrit të Sigurisë së Jetës dhe Punës së Policisë për vitin 2025, të hartuar nga Eduard Zaloshnja, vdekjet rrugore janë ulur me 43.5%, si dhe ka patur reduktim të vrasjeve të qëllimshme.

“Ministria e Jashtme, institucion i dështuar”/ Rama: Reforma zgjedhore, me apo pa ata (PD)

16 January 2026 at 18:27

Kryeministri Edi Rama u shpreh kritik sa i përket Ministrisë së Jashtme duke thënë se është një dështim, sipas tij dhe se është shumë e rëndësishme që të ketë një ndryshim rrënjësor.

“Ministria e Jashtme është i Televizioni Shqiptar një tjetër dështim i madh i yni. Nuk është reformuar asnjëherë edhe një ligj që u bë si reformë ishte tualet. Ligji duhet të jetë i tillë për të futur njerëz të rinj. Mos harroni se Shqipëria ka edhe njerëz jashtë në Diasporë”, tha ai.

Më tej Rama nënvizoi se në aspektin e diplomacisë duhet të angazhohen dhe përfshihen në takime me shqiptarët të gjithë deputetët që shkojnë jashtë.

“Samitin e Diasporës do ta kemi në pranverë por na duhet një kontakt i vazhdueshëm me Diasporën”, tha Rama.

Gjithashtu kryeministri nënvizoi se reformën zgjedhore dhe atë territoriale nuk asnjë forcë që e ndal.

“Nuk jemi kurrkund me mbikëqyrjen parlamentare dhe është me rëndësi që në këtë pikë të ketë koordinim. Për reformën zgjedhore dhe territoriale fjala ime është ajo që thashë, rëndësi ka të bëhet puna. Asnjë forcë nuk ka imponon dot ne që me vetëdije të bëjmë pengun”, tha kryeministri.

I burgosur prej më shumë se një viti në Venezuelë/ Ministria e Jashtme: Shtetasi Jozef Ndoci, në gjendje të sigurt

16 January 2026 at 18:10

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme informon opinionin publik se shtetasi shqiptar z. Jozef Ndoci, i cili mbahej i burgosur në Venezuelë për më shumë se një vit (tetor 2024 – janar 2026), është liruar dhe ndodhet tashmë në gjendje të sigurt.

Z. Ndoci mbahej në burgun e sigurisë së lartë El Rodeo, në shtetin Miranda dhe lirimi i tij u realizua pas një procesi të zhvilluar gjatë ditëve të fundit, në kuadër të lirimit të një numri të të burgosurve të huaj në Venezuelë. Pas transferimit të përkohshëm në ambientet e DGCIM, ai u lirua dhe aktualisht ndodhet nën kujdesin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC) në Karakas.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, përmes Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Brazil, ka ndjekur çështjen në mënyrë të vazhdueshme dhe në disa rrafshe, në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë dhe përfaqësi diplomatike mike, duke patur në fokus mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të shtetasit shqiptar.

Autoritetet shqiptare kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me familjarët e z. Ndoci dhe do të vijojnë të ofrojnë mbështetjen e nevojshme deri në kthimin e tij të sigurt në Shqipëri.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme shpreh mirënjohjen për kontributin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe për bashkëpunimin e përfaqësive diplomatike partnere në Karakas.

MEPJ rikonfirmon angazhimin e saj për mbrojtjen e shtetasve shqiptarë kudo që ata ndodhen.

❌
❌