KIEV – Zelensky: Ukraina kontakte me SHBA-në për përparimin e marrëveshjes së paqes
KIEV, 24 dhjetor /ATSH-ANSA/ – Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky deklaroi sot se Ukraina nuk ka qenë kurrë dhe nuk do të jetë kurrë pengesë për paqen duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të negociatave me Shtetet e Bashkuara për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare.
Zelensky tha se sot pritet një përgjigje nga Moska për versionin më të fundit të projektpropozimit të rënë dakord mes Uashingtonit dhe Kievit, pas bisedimeve të zhvilluara fundjavën e kaluar në Miami, ku u hartua një plan me 20 pika.
”Do të marrim përgjigjen ruse pasi pala amerikane të ketë biseduar me ta”, tha presidenti ukrainas për gazetarët.
Sipas versionit të fundit të planit SHBA-Ukrainë, vendi do të organizojë zgjedhjet presidenciale menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes që do t’i japë fund pushtimit rus.
Një pikë e dokumentit drejtuar Moskës parashikon qartë se Ukraina duhet të mbajë zgjedhjet sa më parë pas nënshkrimit të marrëveshjes.
Megjithatë, mbeten mosmarrëveshje me Uashingtonin mbi disa çështje kyçe, përfshirë territoret e pushtuara dhe centralin bërthamor të Zaporizhias.
Plani amerikan parashikon një menaxhim të përbashkët të centralit nga Ukraina, SHBA-ja dhe Rusia, propozim që Ukraina e ka konsideruar të papërshtatshëm dhe jorealist.
Presidenti Zelensky gjithashtu ka shprehur gatishmërinë për një takim në nivel liderësh me SHBA-në për të diskutuar çështjet më delikate.
Plani gjithashtu parashikon ngrirjen e vijës së frontit sipas gjendjes aktuale dhe fillimin e diskutimeve për krijimin e zonave të demilitarizuara.
Nga ana tjetër, zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, deklaroi se Moska dhe SHBA-ja kanë opinione shumë të ngjashme mbi kuadrin e mundshëm për zgjidhjen e krizës ukrainase.
“Kjo nuk duhet të kuptohet si pritshmëri për nënshkrimin e menjëhershëm të dokumenteve. Por, krahasuar me situatën para ardhjes së administratës Trump në Shtëpinë e Bardhë, ky është një hap i rëndësishëm përpara”, përfundoi Ryabkov./ /Ad.Ab./ a.jor.
The post KIEV – Zelensky: Ukraina kontakte me SHBA-në për përparimin e marrëveshjes së paqes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.