Rikonstruksioni i linjës 110 kV Ballsh-Memaliaj, shpronësohen pronarët
TIRANË, 24 dhjetor /ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, që preken nga realizimi i projektit “Rikonstruksion i segmentit të parë të linjës 110 kV Ballsh–Memaliaj”.
Sipas vendimit të qeverisë, shpronësimi kryhet në favor të Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a., ndërsa pronarët do të kompensohen në vlerë të plotë për pasuritë e llojit “arë”, “ullishte” dhe “kullotë”. Vlera totale e kompensimit arrin në 39 232.50 lekë, ndërsa shpenzimet procedurale, në masën 70 000 lekë, do të përballohen nga OST.
Shpronësimi nis menjëherë pas botimit të vendimit në Fletoren Zyrtare dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 muajve.
Pronarët e pasurive të paluajtshme kompesohen pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a.
Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a., kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar.
Ndërkohë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Fier, do të nisë brenda 30 ditëve, nga data e miratimit të këtij vendimi, procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit në hartën kadastrale dhe regjistrimin e kalimit të pronësisë në favor të shtetit, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, për Operatorin e Sistemit të Transmetimit, sh.a.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë të pasurive që shpronësohen.
Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a., Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Fier, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Fier për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
/m.q/j.p/
The post Rikonstruksioni i linjës 110 kV Ballsh-Memaliaj, shpronësohen pronarët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.