Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 4 February 2026Main stream

Haradinaj takon zëvendësndihmësin amerikan: Partneriteti dhe miqësia mes Kosovës dhe ShBA-së janë të qëndrueshme dhe strategjike

4 February 2026 at 16:07


Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka takuar Daniel J. Lawton, zëvendës ndihmës Sekretar i Departamentit të Shtetit, pranë Byrosë për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike.

Haradinaj përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se gjatë këtij takimi ka theksuar se partneriteti dhe miqësia ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë të qëndrueshme dhe strategjike.

“Pata nderin në Departamentin Amerikan të Shtetit, të takoj Daniel J. Lawton, Zëvendës Ndihmës Sekretar i Departamentit të Shtetit, pranë Byrosë për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike. E falënderova Lawton për mbështetjen e palëkundur që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Kosovës, nga liria jonë deri te ndërtimi i demokracisë dhe institucioneve shtetërore. Theksova se partneriteti dhe miqësia ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë të qëndrueshme dhe strategjike”, ka shkruar ai.

Tutje Haradinaj ka shkruar se “Anëtarësimi i Kosovës në NATO jo vetëm që do të forcojë sigurinë tonë, por do të kontribuojë gjithashtu në paqe, stabilitet dhe mbrojtje kolektive në të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe komunitetin euro-atlantik”. /Telegrafi/



Mustafi reagon ndaj deklaratave të Demo Berishës: Beogradi nuk është vend ku zgjidhen problemet e shqiptarëve, është fabrika ku ato prodhohen

4 February 2026 at 15:51


Deklarata e Demo Berishës se “çështjet e shqiptarëve duhet të zgjidhen në Beograd e jo në Uashington” nuk është opinion – është rrëfim i frikës së regjimit serb nga ndërkombëtarizimi i krimit shtetëror kundër shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Kështu ka shkruar përmes një postimi në rrjetin social në Facebook, ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi.

Sipas tij, kjo fjali e vetme e Berishës përmbledh gjithë strategjinë e Beogradit.

“Mbaji shqiptarët të mbyllur brenda një sistemi që i fshin, i varfëron dhe i zhduk – dhe mos lejo që e vërteta të dalë jashtë kufijve të Serbisë. Beogradi nuk është vend ku zgjidhen problemet e shqiptarëve. Beogradi është fabrika ku ato prodhohen”, ka thënë ai.

Tutje ai ka shkruar se në Beograd janë projektuar pasivizimi i adresave si fshirje administrative e shqiptarëve nga regjistrat civilë.

“Gjithashtu ka projektuar edhe përjashtimin nga punësimi publik I shqiptareve, mos lejimin e teksteve mësimore në gjuhën shqipe, sabotimi i financimeve nga Kosova e Shqipëria, izolimin ekonomik i Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. Dhe tani na del një ministër madje që pretendon se është shqiptar në letër (apo siç e quan, I dënuari për krime lufte në Hag, Šešel : „druga vrsta šiptara“), por zëdhënës i Vuçiqit në praktikë, që thotë se ‘mos shkoni në Uashington’. Sepse në Uashington këto krime quhen me emër si diskriminim sistemik, spastrim administrativ dhe aparteid burokratik”.

Tutja Mustafi ka shkruar se: “Në Beograd quhen ‘procedura’. Andaj Berisha thotë ‘ne postoji problem sa Bujanovcem, gde je predsednik opštine Arber Pajaziti, koji je, saradljiv’. Sepse Arbër Pajaziti nuk i çon dosjet në Uashington e New York. Nuk i çon në Bruksel, Berlin e Strasburg. Nuk i çon në OSBE, BE, KiE e UN. Ai i mban në sirtar I tregton. Dhe për Beogradin, heshtja quhet ‘bashkëpunim’ ". /Telegrafi/


Hoxha: Fajdeja është një fenomen prezent duhet të gjejmë forma më efikase për ta luftuar

4 February 2026 at 14:08


Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka deklaruar se fenomeni i fajdesë vazhdon të jetë i pranishëm në Kosovë dhe mbetet një nga sfidat serioze për institucionet e rendit dhe sigurisë.

Hoxha bëri të ditur se që rreth dy deri në tre vjet më parë, Policia e Kosovës ka krijuar një task-forcë të posaçme, e cila ka zhvilluar dhjetëra operacione në mbarë vendin kundër veprimtarisë së fajdesë.

Sipas tij, luftimi i këtij fenomeni kërkon angazhim të vazhdueshëm dhe bashkëpunim të ngushtë jo vetëm me Prokurorinë, por edhe me institucionet e tjera relevante.

“Fajdeja është një fenomen prezent dhe ne duhet të gjejmë forma më efikase për ta luftuar. Kjo nuk mund të bëhet vetëm nga policia apo prokuroria, por përmes mbledhjes së vazhdueshme të informatave dhe bashkërendimit institucional”, ka theksuar Hoxha.

Ai ka shpjeguar se aktualisht ekzistojnë dy deri në tri forma kryesore përmes të cilave ushtrohet fajdeja në Kosovë.

Sipas tij, njëra nga format është noterizimi i marrëveshjeve mes fajdexhinjve dhe viktimave, ku këta të fundit, për shkak të gjendjes së rëndë financiare, pranojnë të legalizojnë marrëveshje të paligjshme.

Në këtë kontekst, Hoxha ka paralajmëruar ndryshime ligjore në Kodin Penal të Kosovës nga legjislativi i ardhshëm, me qëllim rritjen e efikasitetit në luftën kundër fajdesë dhe ashpërsimin e dënimeve.

Forma tjetër, sipas tij, lidhet me sallonet e shitjes së automjeteve, për të cilat Policia e Kosovës ka informacione se janë të përfshira në skema të tilla të paligjshme.

Në fund, drejtori i Policisë së Kosovës u ka bërë thirrje policëve dhe komandantëve në terren që të intensifikojnë mbledhjen e informatave lidhur me rastet e fajdesë, me qëllim parandalimin dhe goditjen efektive të këtij fenomeni kriminal. /Telegrafi/

Dënohet me 24 vite burg autori i vrasjes së ish-policit të burgjeve Gentjan Bejtjas

4 February 2026 at 12:20


Gjykata ka dënuar me 24 vite burg Ilir Beqaraj, autorin e vrasjes së Gentjan Bejtjas.

Ekzekutimi ndodhi dy vite më parë, 15 mars 2024. Gentjan Bejtja para se të vritej, u shpëtoi disa atentateve.

Nga hetimet ka rezultuar se ditën e atentatit, persona të armatosur pasi kanë kaluar rrethimin e jashtëm të banesës së Gentjan Bejtjas kanë hyrë brenda oborrit dhe kanë qëlluar disa herë me armë zjarri në drejtim të tij, duke e lënë të vdekur.

Pak minuta pas ngjarjes në rrugën dytësore në fshatin Hasan, Fushë Krujë, është konstatuar duke u djegur një automjet tip Land Rover, që është përdoruar nga autorët në vendngjarje. /Tch/

Përurohet pllaka përkujtimore në nderim të viktimave të 3-4 shkurtit të vitit 2000 në Mitrovicë

4 February 2026 at 12:11


Në Mitrovicë është vendosur një pllakë përkujtimore në nderim të viktimave të natës së tmerrit, që ndodhi 26 vjet më parë, në mes të 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, ka deklaruar se vendosja e kësaj pllake ka për qëllim që të mos harrohet sakrifica dhe gjaku i derdhur i qytetarëve edhe pas çlirimit të Kosovës dhe në kohën kur në vend ishte i pranishëm KFOR-i.

Në prani të deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe përfaqësues të ekzekutivit komunal, Peci tha se kanë vendosur ta shënojnë këtë datë të rëndë historike, gjatë së cilës u vranë 10 qytetarë shqiptarë, u plagosën 25 të tjerë dhe rreth 12 mijë shqiptarë të pjesës veriore të Mitrovicës u dëbuan dhunshëm nga regjimi gjenocidal i Sllobodan Millosheviqit dhe pasuesit e tij.

“Ne sot, në pjesën e urës së re për këmbësorë, e cila kontribuon në paqe, stabilitet dhe lëvizje më të lirë në Mitrovicë, duam të përcjellim një mesazh të qartë: se normaliteti dhe liria në veri të Kosovës, fatkeqësisht, janë paguar me jetën e qytetarëve civilë të pafajshëm, përfshirë pleq dhe fëmijë”, ka deklaruar Peci. /Telegrafi/

Nis rishtazi gjykimi në rastin “Gylenistët”, Driton Gashi deklarohet sërish i pafajshëm

4 February 2026 at 11:29


Në Gjykatën Themelore në Prishtinë për shkak të ndryshimit të përbërjes së trupit gjykues, ka nisur rishtazi gjykimi ndaj ish-shefit të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Driton Gashi i cili po akuzohet në rastin e njohur si “Gylenistët”. I akuzuari Gashi u deklarua i pafajshëm.

“I pafajshëm”, deklaroi Gashi.

Në këtë rast, Driton Gashi në cilësinë e shefit të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI), akuzohet se ishte angazhuar drejtpërdrejt në dëbimin e 6 shtetasve turq nga Kosova duke shkelur procedurat ligjore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në vend të anëtarëve Arben Hoti dhe Ngadhnjim Arrni, tani janë Leon Përlaska dhe Medie Bytyqi. Gjykatësi Hoti është avancuar në Apel, kurse Arrni është zgjedhur kryetar i Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Ndërkaq, kryetare e trupit gjykues është Violeta Namani-Hajra.

Paraprakisht, në këtë seancë u konsiderua e lexuar aktakuza dhe më pas palët ndërgjyqëse deklaruan se mbeten pranë fjalës hyrëse të dhënë në shqyrtimin e mëparshëm.

Më pas, seanca vazhdoi me administrimin e provave, ku prokurorja e rastit Habibe Salihu propozoi që të konsiderohen të lexuara, mirëpo mbrojtësi i të akuzuarit Gashi, avokati Driton Musliu, propozoi që të ftohet si dëshmitar edhe një herë, Shkelzen Sopjani, ish-inspektor i AKI-së, pasi që mbrojtja ka pyetje shtesë sa i përket provave të reja.

Më pas, seanca vazhdoi e mbyllur me propozim të prokurores Salihu për shkak të informatave sekrete që ka rasti.

Më 19 korrik 2023, Themelorja e kishte shpallur fajtor ish-shefin e AKI-së, Driton Gashi, duke e dënuar me 4 vite e 8 muaj burgim, derisa Valon Krasniqi dhe Rrahman Sylemani ishin liruar nga akuza.

Por, në dhjetor 2024, Gjykata e Apelit e ka kthyer këtë rast në rigjykim vetëm sa i përket pikës I të dispozitivit ndaj të akuzuarit Driton Gashi, ndërsa ka vërtetuar lirimin nga akuza për dy të akuzuarit tjerë.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 24 shkurt 2021, Driton Gashi akuzohet se si person zyrtar në kohën e kryerjes së veprës penale drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, tutje AKI, prej 23 mars 2018, e deri më 29 mars 2018, në Prishtinë, me qëllim që shtetasit e Republikës së Turqisë, Cihan Ozkan, Yusuf Karabina, Kahraman Demirez, Hasan Hyseyn Demir dhe Mustafa Erden, që kishin leje qëndrim të ligjshëm dhe të drejtën e punës në Kosovë dhe Osman Karakoya që kishte bërë kërkesë për leje qëndrim në Kosovë, e të cilit procedura nuk i kishte përfunduar, t’i dëbojë me forcë kundërligjshëm nga Kosova dhe t’i dorëzojë tek autoriteteve turke.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Driton Gashi akuzohet se keqpërdori detyrën zyrtare, duke mos i përmbushur detyrat zyrtare sipas kompetencës, në atë mënyrë që Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion, më tutje DSHAM, të MPB i rekomandoi revokimin e lejeve të qëndrimit për shtetasit turq Cihan Ozkan, Yusuf Karabina, Kahraman Demirez, Hasan Hyseyn Demir dhe Mustafa Erden dhe mosdhënien e lejes për Osman Karakoya, për arsye se kinse ata paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare, fakt që nuk është provuar fare në procedurë të zbatuar në bazë të ligjit, ndërsa të akuzuarit Rrahman Sylejmani, drejtor i Drejtorisë për Migrim dhe të Huaj në Ministrin e Punëve të Brendshme, tutje DMH, i kishte rekomanduar nxjerrjen e gjashtë urdhrave për dëbimin e të dëmtuarave me forcë nga Republika e Kosovës.

PSRK-ja pretendon se i akuzuari Driton Gashi, për këtë procedurë dhe për dëbimin e të dëmtuarve me forcë nga Republika e Kosovës, nuk e ka njoftuar Presidentin dhe Kryeministrin e Republikës së Kosovës, siç parashihet me Ligjin për AKI dhe as Kryeprokurorin e Shtetit siç parashihet me nenin 25 të Ligjit për AKI, dhe se ka tejkaluar po ashtu kompetencat duke përfshirë AKI, në aranzhimin e udhëtimit, transportin dhe pjesëmarrjen në operacionin e dëbimit që nuk ishin kompetenca të agjencisë që drejtonte, pastaj u angazhuan drejtpërdrejt në aksionin e dëbimit të tyre ani pse kjo nuk ishte në kompetencën e tij.

Me këto veprime, PSRK-ja e ngarkon të akuzuarin Driton Gashi se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1 të KPK-së.

Sipas kësaj aktakuze, Valon Krasniqi akuzohej se si person zyrtar, drejtor në DSHAM në MPB, në periudhën kohore prej 23 mars 2018 deri më 29 mars 2018, keqpërdori detyrën zyrtare duke mos i përmbushur detyrat zyrtare sipas kompetencës, në atë mënyrë që në kundërshtim me 91 të Ligjit për të Huaj, mori vendim për revokimin e lejeve të ligjshme të qëndrimit të të dëmtuarave shtetasve Cihan Ozkan, Yusuf Karabina, Kahraman Demirez, Hasan Husein Demir dhe Mustafa Erden dhe në kundërshtim me nenin 44 të të njëjtit ligj për Osman Karakoya, që ishte në procedurë për marrjen e lejes së qëndrimit, pa u përfunduar ajo me vendim të formës së prerë, mirëpo veproi vetëm duke u bazuar në rekomandimin e të akuzuarit Driton Gashi për revokimin e lejeve të qëndrimit për shtetasit turq dhe pa vërtetuar fare nëse informacionet e AKI plotësojnë kriteret ligjore të përcaktuara me ligj për të vërtetuar se të dëmtuarit paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, po ashtu i akuzuari Valon Krasniqi, përgjegjësitë e tij ligjore për identifikimin e të dëbuarve, sigurimin e fletë-udhëtimeve, sigurimin e kujdesit mjekësor dhe autoritetin për zbatimin e operacionit të dëbimit me forcë të tyre ia kishte kaluar AKI-së dhe Policisë së Kosovës, në këtë mënyrë duke u shkelur të drejtat e të dëmtuarve, të drejtën e qëndrimit dhe punës së ligjshme në Kosovë të dëmtuarve iu ka shkaktuar dëm moral dhe material.

Me këto veprime, PSRK-ja e ngarkonte të akuzuarin Valon Krasniqi se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të KPK-së të KPK-së.

PSRK-ja e ngarkonte të akuzuarin Rrahman Sylejmani se si person zyrtar, drejtor i DMH, pranë MPB, më 29 mars 2018, në Prishtinë, tejkaloi kompetencat zyrtare në atë mënyrë që nxori gjashtë urdhra për dëbim me forcë të 6 shtetasve të Republikës së Turqisë, të dëmtuarave Cihan Ozkan, Yusuf Karabina, Kahraman Demirez, Hasan Husein Demir dhe Mustafa Erden, që kishin leje qëndrim të ligjshëm qëndrimi dhe pune në Kosovë, dhe Osman Karakoya që ishte në procedurë për marrjen e lejes së qëndrimit dhe punës edhe pse në bazë të nenit 99, par.1 të Ligjit për të Huaj, nuk ishte fare në kompetencë të DMH që drejtonte ai, por në kompetencë të DSHAM.

Ndërsa, thuhet se urdhrat për dëbim me forcë i nxori edhe pse ishin përmbushur asnjë nga kushtet për lëshimin e urdhrit për dëbim me forcë nga neni 97, par. 1 të të njëjtit ligj dhe po ashtu pa e zbatuar procedurën e paraparë në nenin 97, paragrafi 8 i të njëjtit ligj, ndërsa, dëboi me forcë dhe deportojë të dëmtuarin Hasan Husein Gunakan në mënyrë të kundërligjshme edhe pse atij nuk i ishte revokuar fare leja e qëndrimit dhe punës në Kosovë dhe nuk kishte as urdhër për dëbimin e tij, në këtë mënyrë shkeli rënd të drejtat e të dëmtuarve për qëndrim dhe punësim në Kosovë, me ç’rast iu shkaktoi dëm moral dhe material të dëmtuarve.

Me këto veprime, Prokuroria e ngarkonte të akuzuarin Rrahman Sylejmani se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të KPK-së.

Po ashtu, prokuroria e akuzonte Rrahman Sylejmanin edhe se si person zyrtar, në cilësinë si në piken III- të këtij dispozitivi, gjatë muajit mars 2018 në shkollat “Mehmet Akif”, në Gjakovë dhe Lipjan dhe në shtëpinë në lagjen “Marigona” në Prishtinë, me ndihmën e Policisë së Kosovës, privoi kundërligjshëm nga liria duke i dëbuar dhe deportuar me forcë të dëmtuarit e cekur në dispozitivin III pa ekzistuar asnjë bazë ligjore të paraparë me dispozitat e nenit 29, par.2 dhe 3 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe neni 13, paragrafi 1 i Kodit të Procedurës Penale.

Me këto veprime, PSRK e ngarkonte të akuzuarin Rrahman Sylejmani se ka kryer veprën penale “Privimi i kundërligjshëm i lirisë” nga neni 196, par. lidhur me par. 3 të Kodit Penal. /Betimi për Drejtësi/

Bastisje në një shtëpi të pabanuar në Leposaviq - gjenden armë, uniforma dhe flamuj të Serbisë

4 February 2026 at 09:57


Njësiti policor ka bërë bastisje në një shtëpi të pa banuar në të cilën kanë gjetur dhe sekuestruar armë, uniforma dhe flamuj.

Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së martës rreth orës 21:15, në Leposaviq.

Tutje bëhet e ditur se janë sekuestruar: dy armë të gjata, 151 fishekë, disa pjesë përcjellëse të armëve, pjesë të uniformave, si dhe 7 flamuj të Serbisë.

"Leposaviq/03.02.2026 – 21:15. Njësiti policor ka bërë bastisje në një shtëpi të pa banuar në të cilën kanë gjetur dhe sekuestruar: dy armë të gjata, 151 fishekë, disa pjesë përcjellëse të armëve, pjesë të uniformave, si dhe 7 flamuj të Serbisë. Rasti është duke u hetuar", thuhet në raport.

Siç bëhet e ditur në raport rasti është duke u hetuar. /Telegrafi/

Haradinaj takon kongresistin republikan: Kërkova mbështetjen e Trumpit dhe të Kongresit Amerikan për anëtarësimin e Kosovës në NATO

4 February 2026 at 09:51


Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj gjatë qëndrimit të tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) ka zhvilluar një takim me kongresistin republikan nga Teksasi, Pete Sessions.

Haradinaj këtë e bëri të ditur përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ku ndër të tjera ka shkruar se gjatë vizitës në Kongresin Amerikan, ka kërkuar mbështetjen e presidentit Donald Trump dhe të Kongresit Amerikan për anëtarësimin e Kosovës në NATO.

“Gjatë vizitës në Kongresin Amerikan, kam kërkuar mbështetjen e Presidentit Trump dhe të Kongresit Amerikan për anëtarësimin e Kosovës në NATO. Këtë çështje e kam adresuar në një takim me kongresistin republikan nga Teksasi, Pete Sessions”, ka shkruar Haradinaj. /Telegrafi/



Arrestohen dy të dyshuar, rrahën një person në Vushtrri

4 February 2026 at 08:57


Dy persona janë arrestuar pasi të njëjtit pas një mosmarrëveshje që kishin me një person tjetër dyshohet se e kanë sulmuar fizikisht atë.

Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se rasti ka ndodhur të martën rreth orës 18:00 në fshatin Druarë të Vushtrisë.

Tutje bëhet e ditur se me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

“Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë pasi të njëjtit pas një mosmarrëveshje që kishin me viktimën mashkull kosovar, të njëjtit dyshohet se e kanë sulmuar fizikisht atë. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raport. /Telegrafi/

Falsifikim i dokumenteve, arrestohen dy persona në Prizren

4 February 2026 at 08:50


Dy persona janë arrestuar (një grua dhe një burrë), pasi që të njëjtit në cilësinë e dëshmitarëve kanë tentuar t’i mundësojnë personit të tretë pajisjen kundërligjshëm me dokumente identifikuese.

Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se rasti ka ndodhur të martën rreth orës 14:00, në Prizren.

Tutje bëhet e ditur se në cilësinë e provave materiale, janë konfiskuar dy letërnjoftima të RKS-së të dyshuar si të falsifikuar, një letërnjoftim i Kroacisë i dyshuar si i falsifikuar, dhe një telefon.

“Janë arrestuar dy të dyshuar, një mashkull dhe një femër kosovare, pasi që të njëjtit në cilësinë e dëshmitarëve kanë tentuar ti mundësojnë personit të tretë pajisjen kundërligjshëm me dokumente identifikuese. Në cilësinë e provave materiale, janë konfiskuar dy letërnjoftim të RKS-së të dyshuar si të falsifikuar, një letërnjoftim i Kroacisë i dyshuar si i falsifikuar, dhe një telefon. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raport. /Telegrafi/

Nën kërcënimin e armëve iu grabitën 40 euro dy personave në Prizren

4 February 2026 at 08:45


Tre persona nën kërcënimin e armëve u kanë grabitur para në vlerë prej 40 euro dy viktimave (një mashkull dhe një femër).

Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se rasti ka ndodhur të martën rreth orës 01:00 në rrugën “Duran Rada”, në Prizren.

Tutje bëhet e ditur se viktima nuk kanë lëndime, lidhur me rastin është njoftuar prokurori dhe rasti vazhdon të hetohet.

“Është raportuar se tre të dyshuar nën kërcënimin e armëve u kanë grabitur para në vlerë prej 40 euro dy viktimave (një mashkulli dhe një femre kosovare). Viktimat nuk kanë lëndime, lidhur me rastin është njoftuar prokurori dhe rasti vazhdon të hetohet”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

Yesterday — 3 February 2026Main stream

KQZ nuk ia shpalli rezultatin përfundimtar Listës Serbe, PZAP del me vendim

3 February 2026 at 16:25


Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka aprovuar ankesën e Listës Serbe kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që nuk shpalli rezultatet përfundimtare për këtë parti.

PZAP ka vendosur që të shpallet rezultati përfundimtar për këtë parti dhe kandidatët e saj.

Sipas vendimit, PZAP bën të ditur se pas shqyrtimit të shkresave të lëndës si dhe arsyetimit të KQZ-së të përmbajtur në vendimin e ankimuar të datës 31.01.2026, me numër protokolli Nr.01/156/2026, vlerëson se një qëndrim i tillë nuk mund të pranohet si i drejtë dhe i ligjshëm, pasi është në kundërshtim me dispozitat ligjore të Ligjit për Zgjedhjet e përgjithshme LZp.

Vendimin e PZAP-së mund ta shikoni këtu. /Telegrafi/

Dënohet me burgim dhe gjobë E.K. për vjedhje të rëndë në Pejë

3 February 2026 at 16:14


Gjykata Themelore në Pejë, departamenti i Përgjithshëm – Divizioni Penal, me gjyqtaren e vetme gjykuese Blerta Kelmendi, ka shpallur aktgjykimin përmes video-lidhjes/video-incizimit, ndaj të pandehurit E.K., për veprat penale “Vjedhje e rëndë” dhe “Vjedhja”.

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se gjykata e ka shpallur të pandehurin fajtor për pikat III dhe IV të aktakuzës dhe pas unifikimit të dënimeve e ka dënuar me dënim unik me gjobë 800 (tetëqind) euro dhe dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 3 (tri) vite e 4 (katër) muaj, në të cilin i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 02.07.2025.

Për pikat I, II dhe V të aktakuzës, gjykata ka refuzuar akuzën në bazë të dispozitave ligjore përkatëse, meqenëse Prokurori i Shtetit ka hequr dorë nga aktakuza.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 (tridhjetë) ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit me shkrim. /Telegrafi/

Një person theri me thikë kushërirën dhe veten e tij në Gjakovë, rasti po hetohet

3 February 2026 at 14:56


Një person i moshës madhore pas një mosmarrëveshjeje ka lënduar veten dhe kushërirën e tij sot rreth orës 11:00 në fshatin Osek Hilë – Gjakovë.

Lajmi për Telegrafin është konfirmuar nga zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Vlera Krasniqi.

Sipas saj, bëhet e ditur se lëndimet dyshohet se janë shkaktuar me mjet të mprehtë (lëndime të lehta trupore), të dy personat e përfshirë kanë marrë trajtim mjekësorë.

“Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore”, ka thënë Krasniqi. /Telegrafi/

Aksident trafiku në Prishtinë, motoçiklisti godet zyrtarin policor

3 February 2026 at 14:07


Rreth orës 11:30, në rrugën “Garibaldi” në Prishtinë ka ndodhur një aksident trafiku me lëndime, ku janë përfshirë një motoçikletë dhe një zyrtar policor.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Prishtinën, Enis Pllana.

Sipas tij, gjatë përpjekjeve të zyrtarit policor për ta ndaluar motoçiklistin, ky i fundit e ka goditur zyrtarin dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Si pasojë e incidentit, zyrtari policor ka pësuar lëndime trupore dhe ka pranuar tretman mjekësor.

"Rreth orës 11:30 ka ndodhur një aksident trafiku me lëndime në rrugën Garibaldi në Prishtinë. Në aksident janë të përfshirë një motoçikletë dhe një zyrtarë policor. Gjatë përpjekjeve për ta ndaluar, motoçiklisti ka goditur zyrtarin policor dhe është larguar nga vendi i ngjarjes. Zyrtari policor ka pranuar tretman mjekësor dhe rasti është duke u trajtuar nga njësitet relevante", ka thënë Pllana. /Telegrafi/


Policia në veri gjen sërish armë, antiplumb ushtarak, municion dhe mjete të tjera ilegale

3 February 2026 at 13:41


Në vazhdën e pranimit të informacioneve nga ana e qytetarëve, sot më datë 03.02.2026, Policia e Kosovës ka pranuar informacion se në një bodrum të një ndërtese në rrugën “Vasilije Ostroshki”, në Mitrovicë Veri, mund të ketë mjete te dyshimta ilegale.

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se pas pranimit të informacionit, policia ka ndërmarrë veprime të menjëhershme, ku gjatë kontrollit, përkatësisht në një bodrum kolektiv të ndërtesës, ka gjetur dhe sekuestruar armë.

Armët e sekuestruara janë: 3 armë të gjata, 1 tytë vazhduese, 1 Kondak për armë të gjatë, 764 fishekë të kalibrave të ndryshëm, 14 karikatorë, 10 krehër për fishek, 1 granat dore tymuese, 2 antiplumb ushtarak, 2 jakne ushtarake, bluzë e uniformes ushtarake, 1 palë pantallona ushtarak, Mbështjellës me material tekstili, shirita ngjitës.

Ndërkaq, lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e rastit për veprën penale: “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Tutje bëhet e ditur se në lidhje me këtë rast nuk ka persona të arrestuar, ndërsa rasti mbetet nën hetime.

Policia e Kosovës falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe ndihmën e vazhdueshme, si dhe i inkurajon që çdo rast të dyshimtë apo veprim të kundërligjshëm ta raportojnë në numrin emergjent 192 ose në stacionin më të afërt policor. Vetëm përmes bashkëpunimit të ndërsjellë mund të sigurojmë një ambient më të sigurt për të gjithë qytetarët, pa dallim. /Telegrafi/


Përvjetori i masakrës së 3–4 shkurtit 2000, Osmani: Mitrovica qëndroi dhe nuk u thye, ndaj ky krim nuk do të harrohet kurrë

3 February 2026 at 11:40


Presidentja e vendit, Vjosa Osmani në përvjetorin e masakrës së 3–4 shkurtit 2000 në Mitrovicë, ka kujtuar me dhimbje dhe respekt një nga plagët më të rënda të pasluftës.

Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook, Osmani ka shkruar se: “Në ato ditë të errëta, bandat kriminale serbe vranë 10 civilë të pafajshëm, plagosën 25 të tjerë dhe dëbuan me dhunë 1 mijë e 564 familje me gjithsej 11 mijë e 364 anëtarë nga shtëpitë e tyre”.

Ajo tha se ky ishte një krim i hapur kundër njerëzimit, një përpjekje brutale për ta thyer shpirtin e një qyteti dhe për ta zhdukur praninë e shqiptarëve në pjesën veriore të këtij qyteti.

“Mitrovica qëndroi dhe nuk u thye, ndaj ky krim nuk do të harrohet kurrë dhe drejtësia do të mbetet kërkesë e pandalshme. Përulemi para viktimave dhe qëndrojmë pranë familjeve të tyre, ngase e vërteta, kujtesa dhe drejtësia janë themeli mbi të cilin ndërtohet paqja e qëndrueshme”, ka shkruar Osmani. /Telegrafi/


U raportua i zhdukur, gjendet personi në Zveçan

3 February 2026 at 09:53


Një person është raportuar se është larguar nga shtëpia dhe se nuk dihej për vendndodhjen e tij, por rreth orës 13:40 viktima është gjetur dhe është dërguar për tretman mjekësor pasi kishte lëndime të lehta.

Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se rasti ka ndodhur më 01.02.2026, ndërsa viktima është gjetur më 02.02.2026 në Zveçan.

“Me 02.02.2026 është raportuar se viktima mashkull serb është larguar nga shtëpia dhe se nuk dihej për vendndodhjen e tij, ndërsa rreth orës 13:40 viktima është gjetur dhe është dërguar për tretman mjekësor pasi kishte disa lëndime të lehta”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

Arrestohet një person në kërkim, kanosi verbalisht zyrtarët policorë në Pejë - dërgohet në mbajtje

3 February 2026 at 09:27


Një person i cili ishte në kërkim policor është arrestuar dhe i njëjti gjatë shoqërimit duke u transportuar me veturë zyrtare për në stacion i ka kanosur verbalisht zyrtarët policorë.

Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur të hënën rreth orës 08:50 në rrugën “Qerim Muriqi”, në Pejë.

Tutje bëhet e ditur se pas intervistimit me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

“Rr. Qerim Muriqi, Pejë/ 02.02.2026 – 08:50. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar i cili ishte në kërkim policor dhe i njëjti gjatë shoqërimit, duke u transportuar me veturë zyrtare për në stacion, i ka kanosur verbalisht zyrtarët policor. Pas intervistimit me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje, rasti nën hetime”, thuhet në raport. /Telegrafi/

Before yesterdayMain stream

Ish-të burgosurat e keqtrajtuara ballafaqohen në gjykatë me serben, ish-gardiane

2 February 2026 at 16:13


Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca fillestare ndaj Nadica Cepkenoviq, e akuzuar për krime lufte kundër popullatës civile, lidhur me keqtrajtimin sistematik të të burgosurave shqiptare gjatë luftës në Kosovë, në vitet 1998–1999.

Ish-e burgosura Jehona Krasniqi-Morina tha se ballafaqimi me të akuzuarën pas gati tri dekadash nuk i ka sjellë emocione pozitive, por ka rikthyer kujtimet e dhunës së vazhdueshme fizike dhe psikike që, sipas saj, ushtrohej ndaj të burgosurave që nga momenti i arrestimit e deri në lirimin e tyre.

Ajo theksoi se procesi gjyqësor përbën një pikë kthese për viktimat, duke vlerësuar se pas më shumë se dy dekadash po dërgohet një mesazh se drejtësia po përpiqet të trajtojë krimet e kryera. Krasniqi-Morina shtoi se dhuna në burgjet serbe mund të krahasohet me kampet e nazizmit dhe se përgjegjësia, sipas saj, nuk duhet të kufizohet vetëm te një person, por edhe te gardianet e tjera të përfshira.

Ndërkohë, ish-e burgosura tjetër, Mevlyde Saraçi, deklaroi se dhuna e përjetuar i ka lënë pasoja të rënda shëndetësore, përfshirë dëmtim të dëgjimit, duke e bërë të vështirë edhe ndjekjen e seancës gjyqësore. Ajo kërkoi dënim meritor për të akuzuarën dhe për gardianet e tjera që, sipas saj, kanë marrë pjesë në keqtrajtim.

“Sot për mua është një ditë fitoreje, sepse ajo ndodhet në pozitën ku kemi qenë ne dikur. Megjithatë, drejtësia duhet të jetë e plotë dhe e merituar”, tha Saraçi, duke përshkruar fyerjet, dhunën dhe poshtërimin që, sipas saj, janë ushtruar ndaj grave shqiptare të burgosura për shkak të përkatësisë kombëtare dhe mbështetjes për lirinë e Kosovës.

Nadica Cepkenoviq është deklaruar e pafajshme për aktakuzën e ngritur ndaj saj. Sipas Prokurorisë, ajo dyshohet se, në cilësinë e ish-gardianes në Burgun e Prishtinës – paralelja për femra në Lipjan, në bashkëkryerje me Ljiljana Seliq, Danica Lukiq, Sladjana Arsiq dhe Biljana Stoliq, ka shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare duke keqtrajtuar në mënyrë sistematike të burgosurat shqiptare.

Në aktakuzë thuhet se viktimat janë torturuar në mënyrë çnjerëzore, përfshirë rrahje me mjete të forta, kërcënime serioze për jetë dhe ushtrim të vazhdueshëm të dhunës psikike, duke u shkaktuar pasoja të rënda fizike dhe emocionale, të cilat, sipas Prokurorisë, vazhdojnë t’i bartin edhe sot.KP/Telegrafi.

❌
❌