Në këtë kohë të vitit, unë gjithmonë përpiqem ta bëj një parashikim të guximshëm për vitin e ri. Për vitin 2025, parashikova se Transnistria dhe Moldavia mund të ribashkoheshin, e kjo as që u bë fjalë bile.
Prandaj, për vitin 2026 do ta bëj një parashikim edhe më të guximshëm. Parashikoj se Bashkimi Evropian do të t’ia dalë mjaft mirë.
Është e drejtë të thuhet se këto ditë në Bruksel mbizotëron shumë pesimizëm. U la kryesisht në hije në bisedimet për një zgjidhje të mundshme të luftës së Rusisë në Ukrainë, u përball me sulme të panumërta hibride si prerja e kabllove nënujore dhe inkursionet me dronë, si dhe e përjetoi përkeqësimin e marrëdhënieve transatlantike pasi Shtëpi e Bardhë po e vë hapur në dyshim bllokun. Të gjitha këto e patën ndikimin e vet ndaj Brukselit.
Rrallëherë është vënë BE-ja kaq shumë në provë nga të gjitha drejtimet. “Një dele në një botë krejtësisht të re grabitqarësh”, siç u shpreh së fundmi një diplomat i BE-së.
Dhe, sinqerisht, as këtë vit nuk pritet të jetë më mirë, sepse Shtetet e Bashkuara mund të tërheqin më shumë trupa nga kontinenti dhe ta rrisin mbështetjen për parti të ndryshme euroskeptike. Ukrainën ose do të detyrohet ta pranojë një marrëveshje poshtëruese me Moskën, ose të shtypet edhe më shumë ushtarakisht nga një Rusi e ringjallur që madje mund ta testojë një vend të BE-së ose të NATO-s — diçka për të cilën zyrtarët evropianë kanë paralajmëruar dhe kanë pranuar se nuk janë realisht të përgatitur ta përballojnë të vetëm.
Por, ekziston edhe një vizion alternativ, më i ndritshëm për BE-në, një vizion shumë pak i mundshëm, që përfshin disa mundësi për t’u shfrytëzuar dhe shumë “nëse”.
Le të fillojmë me një nga zhgënjimet kryesore në fazat përmbyllëse të vitit të kaluar: dështimin për të rënë dakord mbi një kredi reparacionesh për Ukrainën. Kjo ishte, pa dyshim, një goditje e madhe si për presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ashtu edhe për kancelarin gjerman Friedrich Merz, të cilët po bënin trysni për përdorimin e aseteve shtetërore ruse të ngrira në bllok për të gjeneruar një kredi prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën për dy vjetët e ardhshme.
Arsyetimi ishte: pse duhet që taksapaguesit e BE-së të paguajnë faturën për plaçkitjen e Ukrainës nga Moska, kur në vend të kësaj mund të përdoren paratë e Putinit?
Megjithatë, alternativa – mbledhja e fondeve të garantuara nga buxheti i BE-së dhe të mbështetura nga 24 shtete anëtare të BE-së (Republika Çeke, Hungaria dhe Sllovakia zgjodhën të mos marrin pjesë) – nuk është në të vërtetë aq e keqe sa duket.
Por, disa liderë të BE-së humbën prestigj për shkak të kredisë së reparacioneve dhe blloku u duk i pavendosur, por në fund të fundit, Kievi do të marrë mjaftueshëm para për ta vazhduar luftën kundër Rusisë për dy vjetët e ardhshme dhe ukrainasit nuk duhet t’i kthejnë këto para derisa Rusia të paguajë dëmshpërblimin.
Ndërkohë, asetet ruse mbeten të ngrira për aq kohë sa BE-ja dëshiron t’i mbajë të bllokuara, duke ruajtur opsionin që t’i përdorë ato më vonë. Nuk është ideale, por është më shumë sesa po i ofron Kievit çdo vend apo organizatë tjetër për momentin.
Ka gjërat që blloku i ka bërë tashmë të cilat mund të fillojnë të japin fryte së shpejti. Merrni për shembull zgjerimin. Blloku do të vazhdojë të mbyllë kapitujt e anëtarësimit me Malin e Zi dhe Shqipërinë në vitin e ri, me të parin që tani pritet të bëhet shteti i 28-të anëtar i BE-së deri në vitin 2028.
Mendimi në Bruksel, edhe pse në këtë moment më shumë dëshirë sesa realitet, është se shtimi i Malit të Zi dhe potencialisht edhe i Shqipërisë relativisht shpejt do t’i nxiste Kosovën dhe Serbinë të angazhohen në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, të cilat kanë qenë të ngrira prej vitesh.
Por, duke qenë se Serbia as nuk u paraqit në samitin e fundit BE–Ballkani Perëndimor në Bruksel pak para Krishtlindjeve, kjo mund vështirësi se mund të arrihet.
Duke qenë se BE-ja ka humbur më shumë anëtarë sesa që ka fituar në dekadën e fundit për shkak të Brexit-it, shtimi i njërit apo edhe i disa vendeve do t’i jepte Brukselit një shtysë, duke treguar se BE-ja mbetet ende një klub tërheqës për të tjerët.
Një referendum i mundshëm në Islandë këtë vit për të rifilluar bisedimet e anëtarësimit në BE, të pezulluara mbi një dekadë më parë, do ta përforconte më tej këtë imazh.
Pastaj është edhe heqja graduale e energjisë ruse, e cila do të përfundojë pak a shumë këtë vit dhe do ta shkëpusë bllokun nga një prej varësive të tij më të gjata ndaj Kremlinit.
Vendosur në fund të vitit 2025, ndalimi i importeve të gazit rus për kontratat afatshkurtra do të zbatohet nga 25 prilli 2026 për gazin natyror të lëngshëm (LNG) dhe nga 17 qershori 2026 për gazin përmes tubacioneve. Për kontratat afatgjata, ndërprerja është 1 janari 2027 për LNG-në dhe shtatori i po atij viti për gazin përmes tubacioneve.
Një tjetër faktor që mund ta ndihmojë BE-në është mungesa e zgjedhjeve në vitin 2026. Nëse Franca arrin të shmangë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare – gjë që aktualisht duket e mundshme – ky vit është disi anomali, pasi asnjë nga vendet e mëdha nuk duhet të përballet me votuesit në nivel kombëtar.
Kjo do të thotë se presidenti francez Emmanuel Macron dhe homologët e tij në Gjermani, Itali, Holandë, Poloni, Rumani dhe Spanjë mund ta nisin vitin 2026 të përqendruar te hartimi i politikave.
Sigurisht, ka zgjedhje që do të tërheqin vëmendje. Për shembull, votimet në dy rajone të ish-Gjermanisë Lindore, Mecklenburg-Vorpommern dhe Saksoni-Anhalt, në shtator, ku AfD pritet të dalë e para. Partia e ekstremit të djathtë mund, për herë të parë, të jetë thjesht shumë e madhe për t’u injoruar kur të nisë formimi i koalicioneve (nëse nuk fiton shumicën absolute). Kjo do të shkaktojë reflektim të thellë në Gjermani, veçanërisht pasi pritet që partia të marrë rreth një të pestën e votave edhe në dy palë zgjedhje të tjera rajonale në pjesën perëndimore të vendit më herët gjatë vitit.
Dhe në zgjedhjet parlamentare të Sllovenisë në mars, populisti i vjetër rebel Janez Jansa mund të rikthehet sërish në pushtet – duke iu bashkuar kritikëve të tjerë të Brukselit me mendësi të ngjashme që tashmë janë në pushtet në Çeki, Hungari dhe Sllovaki.
Por ky kuartet mund të jetë jetëshkurtër, pasi hungarezët shkojnë në zgjedhje në fillim të prillit. Dhe ka indikacione të forta se Viktor Orban, i cili e ka drejtuar vendin që nga viti 2010, do të mposhtet nga Peter Magyar.
Ky do të ishte rezultati me më pasoja për BE-në këtë vit, pasi Hungaria e Orbanit është parë si penguese në shumë çështje, veçanërisht ato që lidhen me Ukrainën. Ndërsa Çekia dhe Sllovakia shpesh rreshtohen me Hungarinë, pak kush beson se ato do të jenë aq të ashpra sa të bllokojnë gjërat vetë, ashtu siç ka bërë shpesh Hungaria.
Dhe, megjithëse Peter Magyar dhe partia e tij Tisza janë mjaft të vakëta ndaj Kievit gjithashtu, Brukseli do të priste që disa veto nga Budapesti thjesht të hiqeshin nëse ata do të vinin në pushtet. Lista është e gjatë dhe përfshin ndihmën ushtarake të BE-së për Ukrainën, e cila është bllokuar për tri vjet, negociatat e anëtarësimit në BE me Ukrainën (dhe Moldavinë), të ngrira që nga viti 2024, sanksione potencialisht më të ashpra ndaj Moskës (dhe Minskut), si dhe një gatishmëri më të madhe për të kanalizuar lloje të tjera fondesh për vendin e shkatërruar nga lufta.
Një humbje për Orbanin mund ta bëjë gjithashtu disi më të lehtë arritjen e një marrëveshjeje për një buxhet të ri shumëvjeçar të BE-së, pasi kushtëzimi i sundimit të ligjit – që do të thotë se fondet e BE-së mund të ngrihen në rastet e shkeljeve të sundimit të ligjit – mund të mbetet pjesë e kornizës.
Hungarisë i janë pezulluar miliona euro vitet e fundit për shkak të këtij kushtëzimi, dhe Orban ka të ngjarë të përpiqet të sabotojë çdo vazhdim të mekanizmit.
Buxheti, që mbulon vitet 2028–2034, idealisht duhet të miratohet në fund të vitit 2026. Komisioni Evropian paraqiti propozimin e tij më herët gjatë vitit 2025, një plan ambicioz me vlerë gati 2 trilionë euro, i cili përfshinte 100 miliardë euro për Ukrainën dhe rreth 130 miliardë euro për mbrojtjen.
Marrëveshja përfundimtare sigurisht që nuk do të jetë aq ambicioze, pasi shumë nga shtetet më të pasura të BE-së e urrejnë idenë e buxheteve të Brukselit që rriten pa kontroll, ndërkohë që zakonisht u duhet të shtrëngojnë buxhetet kombëtare në vend.
Prisni që një marrëveshje përfundimtare të arrihet në vitin 2027. Megjithatë, niveli i ambicies do të japë një tregues se sa serioze është BE-ja në vazhdim, veçanërisht në mbrojtjen e vetes dhe në mbështetjen e Ukrainës përtej vitit 2027.
Dhe në fund marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, për të cilat zyrtarët e BE-së shpresojnë se do të përmirësohen pas një viti 2025 të trazuar, në të cilin blloku u detyrua të pranonte një tarifë prej 15% për shumicën e importeve nga BE-ja dhe pa veten të sulmuar ashpër kur vendosi një gjobë prej 120 milionë eurosh ndaj platformës X të Elon Musk për shkelje të rregullave të transparencës.
Raste të tjera kundër gjigantëve të tjerë amerikanë të internetit janë në përgatitje, edhe pse mund të arrihen marrëveshje përpara se të vendosen gjoba. Goditja ndaj gjigantëve kinezë të internetit mund të ndihmojë gjithashtu në zbutjen e marrëdhënieve me Uashingtonin.
Frika do të mbetet në të gjithë bllokun, veçanërisht sa i përket çdo vendimi për të tërhequr një numër të madh trupash amerikane nga kontinenti dhe mundësisë që sulme të tjera verbale, si reflektimet në Strategjinë e Sigurisë Kombëtare mbi “zhdukjen civilizuese” evropiane, të vazhdojnë nga zyrtarë amerikanë.
Por, duke folur me diplomatë evropianë, ekziston gjithashtu shpresa se retorika amerikane do të jetë më e butë, duke pasur parasysh se zgjedhjet e mesmandatit po afrohen në nëntor. Ndërsa viti 2025 ishte një vit përpjekjesh diplomatike të jashtme, mendimi është se politika amerikane do të zhvendoset drejt çështjeve të brendshme teksa afrohet votimi.
Politika e jashtme rrallë renditet lart në prioritetet e votuesve kur amerikanët e zakonshëm u drejtohen qendrave të votimit, duke i lënë hapësirë marrëdhënies transatlantike të rikuperohet disi në vitin 2026./REL