Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 8 January 2026Main stream

Përmbytjet në vend, Ministria e Mbrojtjes me reagim zyrtar: Ja qarqet ku pritet të ketë problematika

By: Fax Web
8 January 2026 at 10:43

Ministria e Mbrojtjes njofton se situata më problematike si pasojë e reshjeve të dendura paraqitet në qarqet Shkodër, Lezhë, Durrës, Fier, Berat dhe Gjirokastër, ndërsa në qarqet e tjera situata është nën monitorim ose pa rrezik të menjëhershëm.

Strukturat e Mbrojtjes Civile dhe Forcat e Armatosura, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Ministrisë së Mbrojtjes, janë angazhuar në terren për përballimin e emergjencës, evakuimin e banorëve kur është e nevojshme dhe minimizimin e dëmeve, thotë Ministria e Mbrojtjes.

Shkoder;

Në fshatin Obot niveli i ujit ka arritur rreth 60 cm mbi rrugën kryesore, duke lejuar qarkullimin vetëm për mjete të tonazhit të lartë. Ka rritje të sipërfaqeve të tokave bujqësore nën ujë dhe 15 banesa të rrethuara nga uji në Vaun e Dejës. Në disa zona të Malësisë së Madhe janë evidentuar rrugë të bllokuara, ndërsa në bashkinë Fushë-Arrëz janë shënuar shkarje dherash dhe rënie gurësh.

Lezhë:

Rreth 3,000 hektarë tokë bujqësore janë përmbytur. Janë evakuuar dy familje dhe rreth 100 banesa janë të rrethuara nga uji, kryesisht në njësitë administrative Dajç, Babullojë, Balldren dhe Shënkoll. Janë raportuar rrëshqitje dherash në Torovicë dhe Tresh, ndërsa po punohet për mbylljen e çarjes së argjinaturës së lumit Droje në fshatin Dukagjin.

Vlorë:

Niveli i lumit Vjosë në Novoselë ka kaluar mbi 8 metra. Janë evakuuar 13 familje pranë Urës së Mifolit dhe në Novoselë, pa prezencë uji në banesa.

Durrës:

Situata po shkon drejt përmirësimit, por vijon puna për largimin e ujit nga rreth 800 banesa dhe objekte, kryesisht në zonat e burgut, ish-Kënetës, Shkozetit dhe Nishtullës. 250 persona janë strehuar në Shtëpinë e Pushimit të Forcave të Armatosura në Durrës dhe 55 persona në Kovalishencën e Ministrisë së Brendshme. Lumenjtë Erzen dhe Ishëm, si dhe kanali i Tones, janë në kuota maksimale, ndërsa disa rrugë mbeten të bllokuara.

Bashkia Krujë:

Si pasojë e çarjes së argjinaturës së lumit Droje, ka vërshime uji në fshatrat Dukagjin i Ri dhe Miliska. Në Miliskë uji ka hyrë në banesa, duke prekur rreth 50 familje.

Bashkia Shijak:

Janë raportuar përmbytje në 15 banesa, kryesisht në njësitë administrative Xhafzotaj, Maminas dhe Gjepalaj.

Gjirokastër:

Reshjet kanë shkaktuar rrëshqitje dherash në aksin Tepelenë–Gjirokastër, ku qarkullimi është i kufizuar. Po punohet për rikthimin e energjisë elektrike në disa zona malore, ndërsa niveli i lumit Vjosë mbetet i lartë në Memaliaj dhe Përmet.

Kukës:

Lumenjtë janë në kuota të larta, por pa problematika aktuale.

Tiranë:

Ka rritje të niveleve të lumenjve në zonat e Rrogozhinës dhe Kavajës, pa rrezik të menjëhershëm për zonat e banuara.

Korçë:

Disa rrugë janë të pakalueshme në Devoll. Janë evidentuar rrëshqitje dherash dhe bllokime rrugore në Pogradec dhe Prrenjas, si dhe përmbytje të tokave bujqësore në Maliq.

Berat:

Rreth 95 hektarë tokë bujqësore janë nën ujë. Është shënuar rritje e nivelit të lumit Osum, ndërsa në lagjet “22 Tetori” dhe “Goricë” po merren masa për mbrojtjen e bizneseve dhe largimin e ujit me pompa thithëse.

Fier:

Janë përmbytur rreth 200 hektarë tokë bujqësore dhe ka prezencë uji në 27 banesa në disa fshatra.

Në terren janë angazhuar rreth 150 efektivë të Forcave të Armatosura, mbi 20 mjete të rënda, 10 gomone shpëtimi dhe 15 pompa thithëse. Forcat janë shpërndarë kryesisht në qarqet Shkodër, Lezhë, Vlorë, Durrës, Gjirokastër dhe Fier.

Ministria e Mbrojtjes u bën thirrje banorëve në zonat e prekura të:

ndjekin udhëzimet e autoriteteve vendore dhe të Mbrojtjes Civile;

shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat e rrezikuara;

raportojnë çdo situatë emergjente pranë strukturave përgjegjëse;

bashkëpunojnë gjatë proceseve të evakuimit.

Situata vijon të monitorohet në mënyrë të pandërprerë dhe strukturat përgjegjëse mbeten në gatishmëri të plotë.

SPAK, transparenca e munguar dhe kufiri i rrezikshëm i gjyqit popullor

By: Fax Web
8 January 2026 at 10:41

Nga Fatos Çoçoli

Rasti i pezullimit të aktivitetit të ZvKryeministres Balluku nga Prokuroria e Posaçme e vendit(SPAK) dhe më tej i kërkesës së saj për lejen e Kuvendit për arrestimin e ZvKryeministres, ka ndezur një debat të gjerë publik që ka javë që vijon dhe ka trazuar çdo qytetar, përtej shkumëzimeve partiake të rradhës.

Në një vend me demokraci të konsoliduar, drejtësia flet me prova, akte, dokumente dhe vendime, jo me fragmente të përzgjedhura nga komunikime elektronike, të shpërndara në media në mënyrë të kontrolluar dhe të fshehtë. Asnjë prokurori e posaçme e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian nuk do t’ia lejontë vetes një sjellje të tillë.

Kjo është arsyeja pse marrja nën hetim e ZvKryeministres dhe kërkesa për ta arrestuar nuk po kuptohet nga shumë prej nesh si një proces hetimor i pastër, por si një gjyq popullor, i ndërtuar mbi copëza komunikimesh, nënkuptimesh dhe insinuatash.

Dhe ky është një problem shumë më i madh sesa vetë hetimi. Kur drejtësia dërgon mesazhe përmes rrjedhjeve të informacionit, që ajo vetë çon në media, atëhere drejtësia nuk po heton, por po vepron politikisht. Gjyqi popullor është arma më e vjetër e sistemeve të dobëta. Në të nuk ka fakte të plota, nuk ka prova të plota, nuk ka transparencë të plotë. Ka vetëm copëza të kontrolluara, të cilat krijojnë një atmosferë të paracaktuar faji.

Publikimi i copave të zgjedhura, të shkëputura nga çdo kontekst profesional dhe administrativ, është praktikë e rrezikshme për një demokraci të brishtë si e jona dhe një drejtësi në sprovën e zjarrit për të luftuar efektivisht abuzimin me fondet publike dhe korrupsionin.

Kjo sjellje deformon realitetin, prodhon gjykim emocional, krijon perceptime të rreme dhe përgatit terrenin për “gjykim moral”, jo ligjor. Kjo nuk është drejtësi, është dramaturgji. Gjyqi popullor shërben vetëm për një qëllim: të gjykojë personin, përpara se sa të gjykohet dosja. Dhe është fare e qartë se cili është objektivi i kësaj teknike të vjetër dhe të shëmtuar, të padenjë për një institucion si SPAK, që e ka domosdoshmëri të jetë serioz dhe të justifikojë kontratën morale me qytetarët, si institucioni i shpresës për vendosjen e kulturës së përgjegjësisë në administratën tonë publike.

Objektivi me gjyqin popullor, ku e ka katandisur veten SPAK të futet në gatim, është të ndërtohet perceptimi publik i fajit, përpara se sa të flasë gjykata. Nëse qytetarit i paraqiten disa rrjeshta komunikimesh të njëanshme, të dala në një kohë të përzgjedhur, në një atmosferë të ngarkuar politike, atëherë edhe gjykimi i tij rrezikon të jetë i paracaktuar.

Qytetari ka dëgjuar “provën”, pa patur provë të vërtetë, ka parë “ndërveprimin”, ka ndjerë atmosferën. Dhe për rrjedhojë, në një pjesë të mirë të opinionit publik, pastaj çdo argument ligjor tingëllon i tepërt. Procesi i drejtësisë zhvishet nga vlera themelore e tij: gjykimi profesional dhe i paanshëm. Drejtësia nuk është më e verbër dhe e paanshme, si duhet të jetë në një shtet demokratik, por bëhet krah goditës i një pjese të politikës.

Kjo është taktikë e vjetër dhe e dëmshme për një shtet si i yni, që me reformën 9-vjeçare në drejtësi po provon të hyjë në epokën e drejtësisë europiane. Nëse SPAK ka prova, le t’i publikojë të gjitha, jo copëza të paracaktuara për goditje, për linçim emocional.

Askush nuk thotë që hetimi duhet të mbyllet. Askush nuk kërkon që institucionet e drejtësisë së re të mos bëjnë punën e tyre. Por puna nuk mund të bëhet, duke ndërtuar një atmosferë linçuese, përmes rrjedhjeve selektive në media, që krijojnë përshtypjen e fajit, përpara se ligjërisht dhe gjyqësisht të jetë vërtetuar faji.

Dy standarde nuk ekzistojnë në demokraci: ose je pro transparencës së plotë, ose je pro manipulimit të pjesshëm. SPAK nuk ka asnjë arësye të zgjedhë të dytën. Dhe të dyja njëherësh nuk shkojnë dot. Rreziku më i madh është krijimi i një precedenti, ku drejtësia përdor median si instrument presioni. Po të lejohet ky model, nesër mund t’i ndodhë kujtdo, mund t’i ndodhë çdo politikani, mund t’i ndodhë çdo drejtuesi në administratën publike apo në sektorin privat, mund t’i ndodhë çdo qytetari që ka një konflikt me institucionet.

Një fragment komunikimi i qytetarit nën hetim nuk është as provë e plotë, as fakt, as argument. Është imazh i manipuluar i së vërtetës. I vetmi efekt që ka është ndezja, ngjizja e gjyqeve popullore. Gjyqe që nuk i bën gjykata, por opinioni i nxehtë publik. Gjyqe që nuk bazohen në ligj, por në ndjesi. Dhe drejtësia e ndërtuar mbi ndjesi është drejtësia më e padrejtë!

Shqipëria nuk ka nevojë për drejtësi të padrejtë, emotive, për drejtësi spektakli. Ka nevojë për drejtësi reale. Hetimet serioze nuk bëhen me rrjedhje informacioni të orkestruara. Nuk bëhen me copëza What’s App-i. Nuk bëhen me insinuata.

Hetimet serioze publikojnë dokumentet zyrtare, shpjegojnë procedurat, paraqesin aktet përfundimtare dhe sqarojnë natyrën e shkeljes ligjore. Gjithçka tjetër në teatër politik, i veshur me petkun e drejtësisë. Drejtësia që nis me rrjedhje hetimesh përfundon me linçim, jo me të vërtetën. Nëse SPAK beson vërtet tek forca e provave që ka grumbulluar, nuk ka pse ta transformojë hetimin në gjyq popullor. Nëse dosja është e fortë, ajo duhet të dalë e plote, jo me copëza të servirura në disa media.

Në të kundërt, SPAK rrezikon të duket jo si institucion ligjor, por si arkitekt i një opinioni të kontrolluar, të ndërtuar përpara se drejtësia të flasë. Dhe një drejtësi që prodhon gjyqe popullore, nuk ndërton shtet.

Riorganizim në SPAK/ Klodjan Braho mbledh prokurorët dhe ndan detyrat

By: Fax Web
8 January 2026 at 10:40

Drejtuesi i ri i Prokurorisë së Posaçme, Klodjan Braho, ka zhvilluar këtë të hënë mbledhjen e parë zyrtare me të gjithë prokurorët e SPAK, ku fokusi kryesor ka qenë ecuria e dosjeve hetimore dhe respektimi i afateve ligjore.

Gjatë takimit, Braho u ka kërkuar prokurorëve të angazhohen aktivisht në dhënien e mendimeve dhe propozimeve lidhur me Kodin e ri Penal, si dhe në forcimin e bashkëpunimit institucional me Gjykatën e Lartë, Gjykatën Kushtetuese dhe strukturat e tjera ligjzbatuese.

Në këtë mbledhje janë bërë edhe emërime të reja në strukturat drejtuese të SPAK. Vladimir Mara është caktuar përgjegjës për hetimin e krimit të organizuar, Dorina Bejko do të drejtojë sektorin e hetimit të korrupsionit, ndërsa Altin Dumani është emëruar shef i sektorit për marrëdhëniet juridiksionale me jashtë.

Mbledhja e parë e drejtuar nga Klodjan Braho ka zgjatur rreth 20 minuta dhe është konsideruar si një sinjal për riorganizimin e punës dhe forcimin e eficiencës hetimore në Prokurorinë e Posaçme.

Borë në zonat malore, ARRSH: Përdorni gomat dimërore

By: Fax Web
8 January 2026 at 10:26

Moti i keq me reshje bore që ka përfshirë në zonat veriore dhe juglindore të vendit ka vështirësuar qarkullimin e mjeteve.

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) bën të ditur se kontraktorët janë në terren në mënyrë të pandërprerë në të gjitha akset rrugore, teksa rekomandon për drejtuesit e mjeteve, që në akset me prezencë bore të përdoren gomat dimërore.

Sipas njoftimit zyrtar, gjatë natës kanë vijuar reshjet e shiut, ndërsa në shumë zona malore ka nisur dëbora. Reshje dëbore janë evidentuar në disa segmente rrugore të Rajonit Verior, ku përfshihen akset Bajram Curri–Valbonë, Ura e Bujanit–Qafë Morinë, Bujan–Qafë Morinë (doganë), Sopot–Kërrnajë, Qafë Mejdan–Tropojë–Buçaj, Bulqizë, Qafë Bualli–Peshkopi, Peshkopi–Maqellarë, Hani i Hotit–Dogana Vermosh, Kukës–Shishtavec, Kukës–Bushtricë, Pukë–Fushë-Arrëz, Bogë–Theth si dhe Qafë Mali–Fushë Dukagjin.

Në Rajonin Qendror, reshje dëbore janë regjistruar në akset Surrel–Qafë Priskë–Qafë Mollë, Elbasan–Gjinar dhe Ibë–Kërrabë–Elbasan.

Ndërkohë, në Rajonin Jugor, situata me dëborë është konstatuar në Llogora, Qafë Thanë, Korçë–Voskopojë, Boboshticë–Dardhë, Korçë–Ersekë dhe Ersekë–Leskovik.

ARRSH bën me dije se kontraktorët e mirëmbajtjes rrugore janë në terren pa ndërprerje, 24 orë në 7 ditët e javës, me mjete dhe punëtorë, për pastrimin e akseve nga dëbora dhe garantimin e qarkullimit.

Autoriteti Rrugor u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të shmangin lëvizjet jo të domosdoshme dhe të kryejnë udhëtime vetëm për nevoja esenciale, me qëllim rritjen e sigurisë në rrugë dhe lehtësimin e punës së ekipeve të mirëmbajtjes.

Po ashtu, ARRSH thekson se përdorimi i gomave dimërore është i detyrueshëm për automjetet që qarkullojnë në zonat malore ose aty ku është njoftuar për prani dëbore dhe ngricash, pasi ato sigurojnë drejtim më të sigurt, frenim dhe kontroll më të mirë të mjetit.

Autoriteti Rrugor Shqiptar apelon që drejtuesit e mjeteve të ndjekin paralajmërimet e strukturave përgjegjëse, të mos nënvlerësojnë rrezikun nga ndryshimet e motit dhe të informohen vazhdimisht për gjendjen e rrugëve, përmes komunikatave zyrtare.

Trafik droge dhe armë/ Shteti kërkon konfiskimin e pronave të Ilber Domit

By: Fax Web
8 January 2026 at 10:18

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kërkon konfiskimin e pasurive të shtetasit Ilber Domi, i arrestuar nga autoritetet gjermane për veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”, të parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal.

Nga hetimet mbi procedimin pasuror nr.01 të vitit 2025, rezultoi se ky shtetas ishte i shpallur më parënë kërkim ndërkombëtar nga Interpol Wiesbaden/Gjermani për veprat penale ‘Trafik i lëndëve narkotike’ dhe ‘Mbajtje dhe shitje e armëve luftarake dhe municioneve’ parashikuar nga Kodi Penal Gjerman.

Nga të dhënat rezultoi se kjo veprimtari kriminale është ushtruar gjatë viteve 2019–2020, periudhë e mëparshme në kohëkrahasuar me kryerjen e investimeve për blerje pasurie të paluajtshme. Referuar urdhrit të kërkimit ndërkombëtar, evidentohet përfshirja e subjektit në disa episode të shitblerjes së lëndëve narkotike, veprimtari kjo që ka gjeneruar të ardhura të konsiderueshme financiare.

Në analizën financiare të detajuar vërehet se vlera totale e të ardhurave të faktuara të shtetasit I.D. dhe familjarëve të tij është më e vogël se vlera totale e investimeve dhe shpenzimeve vetjake të kryera nga ky shtetas dhe familjarët e tij dhe dyshohet se vjen nga veprimtaria kriminale.

Sa më sipër, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, arriti në përfundimin se shtetasi I.D. dhe familjarët e tij janë në pamundësi financiare për kryerjen e investimeve në blerjen e pasurive të paluajtshme dhe të luajtshme për të cilatkërkon konfiskimin si më poshtë:

– Pasuria e paluajtshme lloji “arë”, me sip 850 m2 ndodhur në Zall Herr Tiranë;

– Pasuria “njësi”, me sipërfaqe bruto 98.8m2; si dhe

– 2 “posteparkimi”, ndërtuar sipas lejes së ndërtimit për objektin 1-2-9 kate+1kat nën tokë, në rrugën ‘Bulevardi Blu-Kamëz’.

Unaza paralizohet: Autobusët nuk ndalojnë në stacione shkaktohen vonesa për qytetarët

By: Fax Web
8 January 2026 at 10:10

Prej dy ditësh, qarkullimi në Unazën e Tiranës po shoqërohet me probleme serioze, duke krijuar vonesa të konsiderueshme dhe stres për qytetarët që përdorin transportin urban për të shkuar në punë.

Sipas ankesave të qytetarëve, autobusët që operojnë në këtë aks nuk po ndalojnë rregullisht në stacionet e përcaktuara, çka ka lënë dhjetëra pasagjerë në pritje për periudha të gjata. Në shumë raste, udhëtarët janë detyruar të presin disa mjete radhazi, pa arritur të hipin, ndërsa të tjerë kanë zgjedhur alternativa të tjera transporti për të shmangur vonesat.

Situata ka krijuar konfuzion dhe pakënaqësi, veçanërisht në oraret e pikut të mëngjesit dhe pasdites, kur fluksi i udhëtarëve është më i lartë. Qytetarët shprehen se mungesa e ndalesave po u shkakton humbje kohe, penalizime në punë dhe lodhje të panevojshme.

Deri më tani nuk ka një reagim zyrtar nga autoritetet përgjegjëse apo nga operatorët e transportit urban lidhur me këtë problem. Qytetarët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për normalizimin e shërbimit dhe respektimin e ndalesave në stacionet e Unazës.

Balluku: Shërbime të pandërprera nga skuadrat e MIE në të gjithë vendin

By: Fax Web
8 January 2026 at 10:00

Në kushtet e motit me reshje intensive që kanë përfshirë vendin dhe që kanë shkaktuar vështirësi në disa zona, ekipet e të gjitha institucioneve në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë vijojnë të jenë në terren për menaxhimin e situatës dhe garantimin e shërbimeve të pandërprera për qytetarët.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku u shpreh se nata e kaluar ka qenë sfiduese për të gjitha njësitë operative, të cilat kanë qenë në gatishmëri të plotë në të katër anët e vendit.

“Nata e mbrëmshme ishte sfiduese për të gjitha njësitë operative të terrenit, që janë në krye të detyrës pa reshtur, për të mbajtur shërbimet e pandërprera, në të katër anët e vendit”, deklaroi Balluku.

Ekipet e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) po punojnë intensivisht në terren për riparimin e dëmtimeve në rrjetin energjetik, të shkaktuara nga kushtet e vështira atmosferike, me qëllim rikthimin sa më të shpejtë të furnizimit me energji elektrike në zonat e prekura.

Paralelisht, strukturat përgjegjëse për infrastrukturën rrugore janë angazhuar në pastrimin e akseve rrugore nga inertët dhe materialet e sjella nga reshjet, për të garantuar qarkullimin normal dhe sigurinë e përdoruesve të rrugës.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë bën me dije se situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme dhe se të gjitha strukturat përkatëse mbeten në gatishmëri për t’iu përgjigjur çdo problematike që mund të paraqitet si pasojë e kushteve të motit.

Jerusalem Post: Çfarë po i ngadalëson lidhjet ekonomike Izrael–Shqipëri?

By: Fax Web
8 January 2026 at 09:57

Për shumicën e izraelitëve, Shqipëria mbetet thuajse e fshehur mes Greqisë dhe Italisë – dy destinacione të njohura për pushime dhe biznes. Por pak izraelitë e kuptojnë se Shqipëria ka më shumë për të ofruar sesa statusi i saj i perceptuar si një vend “i prapambetur”.

Shqipëria dhe Izraeli ndajnë një lidhje të farkëtuar gjatë Holokaustit, pasi ky vend i Europës Juglindore ishte ndër të paktat vende të pushtuara nga nazistët ku popullsia hebreje jo vetëm mbijetoi, por edhe u shtua – falë guximit të jashtëzakonshëm të qytetarëve të saj, në shumicë myslimanë, që strehuan hebrenj duke rrezikuar veten. Shumë shqiptarë shpëtuan dhe u dhanë strehë mijëra hebrenjve që iknin nga përndjekja naziste. Kjo trashëgimi morale ka kultivuar një mirëkuptim të thellë në Izrael, ku Shqipëria kujtohet si një fener njerëzie në mes të errësirës.

Që prej hapjes së Ambasadës së Shqipërisë në Tel-Aviv në vitin 1988 dhe çeljes së Ambasadës së Izraelit në Tiranë në gusht 2012, marrëdhëniet dypalëshe janë rritur dhe bashkëpunimi është thelluar, veçanërisht në fushat e ekonomisë, kulturës, bujqësisë dhe sigurisë kibernetike.

Sot, Shqipëria është aleate strategjike dhe e ka dënuar publikisht Hamasin, teksa forcon lidhje të qëndrueshme sigurie me Izraelin, përfshirë bashkëpunimin mes forcave shqiptare dhe gjigantit izraelit të mbrojtjes, Elbit Systems.

Potenciali ekonomik i Shqipërisë

Në letër, potenciali ekonomik është i jashtëzakonshëm. Fluturimet direkte lidhin Tel-Avivin me Tiranën, Shqipëria krenohet me një vijë bregdetare mahnitëse mesdhetare, dhe qeveria e saj nën Kryeministrin Edi Rama projekton një imazh pro-biznesi dhe miqësor ndaj inovacionit.

Investitorët izraelitë, të njohur për oreksin ndaj tregjeve në zhvillim, do të duhej të vërshonin drejt Shqipërisë. Megjithatë, realiteti është krejt tjetër: flukset e investimeve mbeten modeste, të bllokuara jo nga barriera kulturore, por nga probleme të thella strukturore. Kapitali izraelit heziton, i shqetësuar nga brishtësia institucionale e Shqipërisë dhe mangësitë në sundimin e ligjit.

Nga këndvështrimi i investitorit izraelit, kjo është “Paradoksi i Sigurisë”. Izraelitët nuk tremben nga rreziku – ata dinë të operojnë në mjedise të vështira nga Afrika në Azi – por kërkojnë parashikueshmëri ligjore. Shqipëria ofron siguri fizike për hebrenjtë që vijnë për biznes ose kënaqësi, me pothuajse zero antisemitizëm, një kontrast i këndshëm me kërcënimet në rritje në Europën Perëndimore.

Por terreni i biznesit ndihet ligjërisht i pasigurt. Rrjete kriminale të qëndrueshme dhe institucione të dobëta të drejtësisë i bëjnë asetet të cenueshme, duke e kthyer ngrohtësinë diplomatike në kujdes ekonomik. Projektet madhore ngecin, mes frikës se kontratat mund të shpërbëhen në një sistem të përshkuar nga paparashikueshmëria.

Ky hezitim përforcohet edhe nga konteksti më i gjerë gjeopolitik në Ballkan. Procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në BE ecën ngadalë, por politika e brendshme shton shtresa pasigurie. Marrëdhënia e Kryeministrit Rama me administratën amerikane nën Presidentin Donald Trump është përshkruar si e ndërlikuar, ndërsa retorika anti-BE e Trump-it hedh hije mbi klimën zgjedhore në Shqipëri dhe përpjekjet për integrim. Për investitorët institucionalë izraelitë, që i japin përparësi stabilitetit afatgjatë, një luhatje e tillë ngre flamuj të kuq.

Në zemër të kësaj krize qëndrojnë problemet e Shqipërisë me sundimin e ligjit, të mishëruara nga normat alarmante të paraburgimit. Një shifër tronditëse: 62% e të burgosurve atje janë në paraburgim, më e larta në Europë, çka nxjerr në pah një sistem që mbështetet te privimi i zgjatur i lirisë pa vendim gjyqësor. Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), e menduar për të çrrënjosur korrupsionin, përballet me akuza për tejkalim kompetencash, duke u shndërruar, sipas kritikëve, në mjet manovrimi politik. Për investitorët e huaj, kjo gërryen besimin: një kuadër ligjor që shkel rregullat e procesit të rregullt minon vetë themelet e marrëdhënieve të sigurta të biznesit.

Pasiguria e prek edhe Izraelin

Kjo nuk është abstrakte; ajo prek nga afër aleatët e Izraelit në Shqipëri. Merrni shembull Ilir Metën, ish-presidentin që vizitoi Izraelin në janar 2020. Ai përqafoi ngrohtësisht ekipet e shpëtimit të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF) që ndihmuan vendin e tij pas tërmetit shkatërrues të vitit 2019, duke u dhënë medaljen prestigjioze “Medalja e Artë e Shqiponjës” në shenjë mirënjohjeje. Kredencialet e Metës si pro-Izrael janë të pakontestueshme, të rrënjosura në lidhje historike të përforcuara edhe nga deklaratat e miqësisë mes Ramës dhe Kryeministrit Benjamin Netanyahu në vitin 2015.

Megjithatë sot, ky mik i palëkundur vuan në paraburgim, viktimë e po atij sistemi që supozohet të garantojë drejtësinë. Nëse një ish-kryetar shteti mund të mbahet pa afat pa vendim, çfarë mbrojtjeje ekziston për investitorët ose partnerët?

Paraliza shtrihet edhe te kryebashkiaku vizionar i Tiranës, Erion Veliaj, arkitekti i sinergjisë urbane Shqipëri–Izrael. Veliaj e modeloi shprehimisht ringjalljen e Tiranës sipas Tel-Avivit, duke e quajtur “Tel-Avivi i Ballkanit” – një qendër inovacioni, kulture rinore dhe rritjeje të udhëhequr nga teknologjia. Ai kultivoi lidhje me kryebashkiakun e Tel-Avivit, Ron Huldai, të cilin e quan mentor, duke u takuar disa herë për të shkëmbyer ide mbi transformimin urban.

Nisma e Veliajt shkoi më tej: ai ftoi kompani izraelite në Zonën e Zhvillimit Ekonomik të Tiranës (TEDA), Zona e Parë e Lirë Ekonomike e Shqipërisë në Kashar. E pozicionuar si një “parajsë” pa taksa për firmat e teknologjisë, automobilistike dhe digjitale, TEDA ofron përjashtime nga TVSH-ja dhe procedura doganore të thjeshtuara për të anashkaluar burokracinë. Gjatë “Javës së Teknologjisë Tiranë–Tel-Aviv”, Veliaj u bëri thirrje startup-eve izraelite të vendosin aty selitë rajonale, duke premtuar një portë të lehtë drejt Europës.

Por që prej dhjetorit, ky vizion është i ngrirë. Veliaj ishte në paraburgim për disa muaj, duke nisur nga shkurti 2025, mes akuzash që kritikët i quajnë përndjekje politike. Edhe pse Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë e rrëzoi shkarkimin e tij në nëntor 2025, duke e rikthyer pas një sprove nëntëmujore, ai ende mbetet i penguar të marrë pjesë fizikisht në mbledhjet e bashkisë. Raporte nga studio ligjore ndërkombëtare si Kasowitz dhe Mishcon de Reya e përshkruajnë këtë si një rast hakmarrjeje të synuar politike, që minon proceset demokratike.

Ironia është therëse: kryebashkiaku që u zgjati dorën firmave izraelite sot nuk mund të nënshkruajë lejet e tyre. Për një CEO izraelit që po e shqyrton TEDA-n, ky është frikësimi përfundimtar – qeverisje nga një qeli, që e bllokon ëndrrën e “Tel-Avivit të Ballkanit”.

Shqipëria ka historinë, gjeografinë dhe vullnetin strategjik për t’u bërë partneri kryesor ballkanik i Izraelit. Por vetëm vullneti i mirë nuk mjafton. “Start-Up Nation” nuk mund të lulëzojë në një “Lock-Up Nation”, ku mbizotëron pasiguria ligjore. Për të çliruar hovin ekonomik, Shqipëria duhet urgjentisht të rivendosë sundimin e ligjit: të normalizojë praktikat e paraburgimit, të garantojë procesin e rregullt ligjor dhe të rikthejë plotësisht në funksion liderë si Veliaj. Vetëm atëherë potenciali mund të kthehet në fitim, duke e shndërruar “kurthin e Tiranës” në një urë të gjallë mes dy kombeve të qëndrueshme.
Artikulli origjinal në link: https://www.jpost.com/opinion/article-882589

Aksion në disa rajone të Kosovës, disa të arrestuar! Mes tyre ish-drejtori i Byrosë dhe një tjetër

By: Fax Web
8 January 2026 at 09:40

Në mesin e të arrestuarve, sipas Betimit për Drejtësi, janë Sami Mazreku, ish-drejtor i Byrosë Kosovare të Sigurimeve dhe ish-drejtori i Financave i kësaj byroje, Valon Berisha.

Krimet ekonomike të Policisë së Kosovës, të udhëhequr nga Prokuroria Themelore në Prizren, janë duke realizuar një aksion në disa rajone të Kosovës.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, tha shkurt për Radion Evropa e Lirë se cak i këtij aksioni janë “mbi 40 të dyshuar, në pothuajse të gjitha rajonet e Kosovës”.

Betimi për Drejtësi – ueb-faqe e specializuar për fushën e sundimit të ligjit – duke u thirrur në burime raportoi se gjatë aksionit janë arrestuar disa persona në rajonet e Prizrenit, Prishtinës, Pejës, Gjilanit, Ferizajt, Mitrovicës dhe Gjakovës.

Në mesin e të arrestuarve, sipas Betimit për Drejtësi, janë Sami Mazreku, ish-drejtor i Byrosë Kosovare të Sigurimeve dhe ish-drejtori i Financave i kësaj byroje, Valon Berisha.

Raportohet se aksioni po zhvillohet lidhur me dyshimet për kryerjen e veprave penale: “keqpërdorim i besimit”, “keqpërdorim i autorizimeve në ekonomike”, “ndihmë në keqpërdorim të besimit” dhe “falsifikim të dokumentit”.

Në këtë aksion thuhet se janë përfshirë një numër i madh i prokurorëve dhe policëve.

Po kthehej nga Kosova, aksidentohet familja shqiptare në Gjermani! Mes të lënduarve, edhe tre fëmijë

By: Fax Web
8 January 2026 at 09:33

Familja është nga fshati Ratkoc i Rahovecit dhe të aksidentuarit kanë pësuar lëndime të rënda. Fëmijët që ndodheshin në makinë janë të moshave nga 5 muajsh deri në 3 vjeç. Ata u transportuan me helikopterë shpëtimi, ndërsa shkalla e lëndimeve të tyre ende nuk është e qartë.

Gjashtë persona, përfshirë tre fëmijë të vegjël, anëtarë të një familjeje shqiptare, janë plagosur në një aksident të rëndë që ka ndodhur mëngjesin e 7 janarit në Liedermatte, afër Waldshut-Tingen në Gjermani, pranë kufirit me Zvicrën. Aksidenti ka përfshirë një kamion dhe makinën ku po udhëtonte familja shqiptare, e cila po kthehej nga Kosova, shkruajnë mediat gjermane.

Familja është nga fshati Ratkoc i Rahovecit dhe të aksidentuarit kanë pësuar lëndime të rënda. Fëmijët që ndodheshin në makinë janë të moshave nga 5 muajsh deri në 3 vjeç. Ata u transportuan me helikopterë shpëtimi, ndërsa shkalla e lëndimeve të tyre ende nuk është e qartë.

Sipas informacionit të dhënë nga policia, shkaku i aksidentit ende nuk është i qartë. Përplasja bëri që një nga pasagjerët të mbetej i bllokuar në makinë dhe të nevojitej ndërhyrja e zjarrfikësve. Aksidenti ndodhi pak para se familja të arrinte në vendin ku jeton.

Për këtë aksident, u aktivizuan disa helikopterë shpëtimi.

Trump: SHBA do të tërhiqet nga 66 organizata ndërkombëtare

By: Fax Web
8 January 2026 at 08:34

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump urdhëroi tërheqjen e vendit të tij nga 66 organizata ndërkombëtare duke thënë se ato nuk u shërbejnë më interesave kombëtare të SHBA-së.

Një memorandum presidencial i nënshkruar nga Trump u drejtohet departamenteve dhe agjencive federale që të ndërpresin pjesëmarrjen dhe financimin për 31 entitete të Kombeve të Bashkuara dhe 35 organizatave joOKB “sa më shpejt të jetë e mundur”.

Shtëpia e Bardhë tha se organizatat veprojnë në kundërshtim me interesat kombëtare të SHBA-së, sigurinë, prosperitetin ekonomik ose sovranitetin.

Shumë nga organizatat e prekura janë aktive në fusha të tilla si politika e mjedisit dhe klimës ose barazia gjinore.

“Presidenti Trump po i jep fund pjesëmarrjes së SHBA-së në organizata ndërkombëtare që minojnë pavarësinë e Amerikës dhe shpërdorojnë paratë e taksapaguesve në axhenda joefektive ose armiqësore”, tha Shtëpia e Bardhë në një deklaratë.

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, tha në X se Uashingtoni po tërhiqej nga ato që ai i përshkroi si “organizata ndërkombëtare anti-amerikane, të padobishme ose shpërdoruese”.

Ai shtoi se një shqyrtim i organizatave të tjera ndërkombëtare po vazhdonte.

Që kur u rikthye në detyrë, Trump ka ndërmarrë hapa për të nxjerrë SHBA-në nga disa korniza ndërkombëtare, përfshirë Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe agjencinë kulturore të OKB-së, UNESCO.

Stuhia ”Goretti” paralizon Anglinë, Uellsin dhe Irlandën

By: Fax Web
8 January 2026 at 08:33

Mbretëria e Bashkuar është përgatitur për reshje të dendura dëbore dhe erëra të forta, ndërsa stuhia ”Goretti” po lëviz sot në të gjithë vendin, sipas BBC të enjten.

Meteorologët kanë lëshuar një paralajmërim të verdhë për dëborë dhe erëra të forta në pjesë të Anglisë, Uellsit dhe Irlandës, së bashku me një numër alarmesh të verdha për motin që përfshijnë pjesë të mëdha të Mbretërisë së Bashkuar.

Ata u bënë thirrje shoferëve të tregojnë “kujdes të jashtëzakonshëm” për shkak të rrezikut të akullit të zi, pasi nëntë fëmijë u plagosën në një përplasje midis një autobusi shkolle dhe një autobusi në Reading.

”Goretti”, i emëruar nga parashikuesit francezë, ka të ngjarë t’i nënshtrohet “ciklogjenezës shpërthyese” – e njohur edhe si “bombë moti”.

Termi ciklogjenezë shpërthyese përdoret kur presioni qendror bie me 1,0 milibar (mb) në orë gjatë një periudhe 24-orëshe.

Në përgjithësi rezulton në shpërthime veçanërisht të fuqishme të erës gjatë një periudhe prej disa orësh.

Dëbora dhe kushtet e akullta kanë shkaktuar gjithashtu kaos të përhapur në udhëtime në të gjithë Evropën, me mijëra njerëz të bllokuar në aeroportet në Paris dhe Amsterdam pasi fluturimet u anuluan.

Të paktën gjashtë persona kanë vdekur në incidente të lidhura me motin në të gjithë Evropën këtë javë – pesë në Francë dhe një në Bosnjë-Hercegovinë.

Vjosa në nivel kritik, përmbyten rreth 200 hektarë tokë bujqësore në qarkun Fier

By: Fax Web
8 January 2026 at 08:02

Në qarkun e Fierit situata paraqitet shqetësuese si pasojë e rritjes së vazhdueshme të niveleve të lumenjve, veçanërisht lumit Vjosë, i cili ka arritur në pikën kritike.

Sipas informacionit zyrtar, akset rrugore në të gjithë qarkun janë aktualisht të aksesueshme normalisht, ndërsa furnizimi me energji elektrike dhe ujë të pijshëm vijon pa ndërprerje të plota.

Hidrovorët ndodhen në gatishmëri pune për të përballuar situatën.

Nivelet e lumenjve Seman dhe Shkumbin janë në tendencë rritjeje, ndërsa situata më problematike paraqitet në lumin Vjosë. Në Urën e Mifolit, prurjet kanë kaluar mbi pikat e matjes, duke arritur nivelin kritik buzë më buzë përgjatë argjinaturës.

Si pasojë e prurjeve të larta, në fshatrat Kashisht, Adë, Kafaraj, Cerven dhe Ferras janë përmbytur rreth 200 hektarë tokë bujqësore brenda argjinaturave. Gjithashtu, raportohet për prezencë të lartë uji në 27 banesa në zonën Ferras–Cerven, të cilat ndodhen brenda sistemit mbrojtës të argjinaturës.

Probleme janë konstatuar edhe në Stacionin e Pompimit të Kafarajt, Njësia Administrative Frakull, prej nga realizohet furnizimi me ujë i qytetit të Fierit. Si masë paraprake, Ujësjellësi i Fierit ka stakuar disa nga pompat në puset pranë lumit Vjosë dhe po operon me kapacitet të reduktuar nga puse më të largëta, çka ka sjellë furnizim me ujë të kufizuar dhe me grafik për qytetin.

Të dhënat e marra nga pika e matjes në Urën e Memaliajt tregojnë për përkeqësim të mëtejshëm të situatës në orët në vijim, duke rritur rrezikun për përmbytje të tjera.

Situata po monitorohet në terren nga Institucioni i Prefektit dhe strukturat e Bashkisë Fier, të cilat janë në gatishmëri për të ndërhyrë në rast të agravimit të mëtejshëm.

Autoritetet u bëjnë thirrje banorëve të zonave të rrezikuara të tregojnë kujdes maksimal dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve.

GOLAT/ Inter nuk toleron! Mposht Parmën në transfertë dhe ruan kreun e Serie A

By: Fax Web
7 January 2026 at 23:00

Inter nuk fal as në javën e 19 të Serie A duke fituar 2-0 në fushën e Parmës.

Ndeshja u zhvillua nën mjegull të dendur në “Tardini”, por zikaltrit nuk u trembën nga kushte atmosferike.

Golin e parë e realizoi Dimarco në minutën e 42-t, me një të djathtë të saktë pranë shtyllës pas një këndi pothuajse të pamundur.

Para këtij momenti, dy raste të forta për Parmën u ndalën nga shtylla: një goditje e Bisseck dhe më pas nga Ondrejka, duke treguar se vendasit nuk ishin larg golit.

Në pjesën e dytë, Sucic humbi një mundësi të qartë për dyfishimin e rezultatit, por Interi kontrolloi lojën dhe në minutën e 98-të Thuram vulosi fitoren me golin e dytë.

Kjo fitore i jep Interit 42 pikë në tabelë, duke i dhënë avantazh prej katër pikësh mbi Napolin dhe Milanin, me ‘Djallin; që ende nuk e ka luajtur ndeshjen e javës.

Yesterday — 7 January 2026Main stream

VIDEO/ Gjysmëfinalja e Superkupës si stërvitje, Barça “manita” Bilbaos

By: Fax Web
7 January 2026 at 22:06

Barcelona e kthen në një seancë stërvitore ndeshjen gjysmëfinale të Superkupës së Spanjës me Athletic Bilbao.

Në Jeddah të Arabisë Saudite, skuadra e drejtuar nga Hansi Flick e shkatërroi atë baske me rezultatin 5-0 për të kaluar në finalen e kompeticionit me synimin për të fituar trofeun për herë të 16 në historinë e saj.

Ishte një ndeshje e dominuar nga Barcelona, që e vulosi fatin e saj praktikisht që në pjesën e parë të cilën e mbylli me rezultatin 4-0.

Festivali i golave për Barcelonën nisi në minutën e 22 me golin e Ferran Torres. Pas këtij momenti, skuadra katalanase nuk pati më mëshirë për Athletic Bilbaon teksa në minutën e 30 dyfishoi shifrat me Fermin Lopez. La gjurmën e tij në këtë ndeshje edhe Roony Bardghji që e çoi rezultatin në 3-0 në minutën e 34.

Por Barcelona nuk e la me kaq pasi 4 minuta më vonë Raphinha shënoi edhe golin e katërt për blaugranat.

Pjesa e dytë nisi me një tjetër gol për Barcelonën që plotësoi manitën për rezultatin 5-0 pikërisht me Raphinhan që në këtë mënyrë plotësoi dygolëshin e tij personal. Në minutat në vazhdim, Barcelona arriti të menaxhojë me shumë lehtësi ndeshjen të cilën arriti ta mbylle me rezultatin 5-0 duke u bërë skuadra e parë finaliste e Superkupës së Spanjës.

Barcelona pret në finale fituesin e gjysmëfinales tjetër që do të dalë nga derbi i Madridit mes Realit dhe Atleticos.

VIDEO/ Hap fals i Napolit, ndalet në shtëpi nga Verona

By: Fax Web
7 January 2026 at 21:00

Napoli ka hedhur një hap të gabuar në luftën për titullin kampion, teksa është ndalur në shtëpi në një barazim 2-2 nga Verona.

Verona bëri surprizën e madhe në pjesën e parë duke shënuar me një gol me finte të Frese dhe më pas me penalltinë e Orban.

Por Napoli u kthye me vrull në pjesën e dytë dhe pasi shkurtoi diferencën me të zakonshmin MekTominej, sulmoi me ngulm derisa gjeti barazimin me Di Lorencon, për të marrë të paktën një pikë.

Me këtë pikë, Napoli arrin në kuotën e 38 pikëve, aq sa edhe Milan dhe një pikë më pak se Interi, me të dyja skuadrat që kanë një ndeshje më shumë për të luajtur.

Rritet niveli i Lanës, Bashkia në gatishmëri për ndërhyrje në rast emergjence

By: Fax Web
7 January 2026 at 20:41

Reshjet e dendura dhe të pandërprera të shiut kanë sjellë rritje të ndjeshme të nivelit të ujit në lumin Lana në Tiranë, duke krijuar rrezik për dalje nga shtrati, veçanërisht në zonën e Pallatit me Shigjeta.

Lajmin e ka bërë të ditur Taulant Balla, Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, njëherësh dhe drejtues politik i PS në Njësinë 5 në kryeqytet, përmes një postimi në rrjetet sociale, ku thekson se ekipet e Bashkisë së Tiranës ndodhen në terren dhe po ndjekin nga afër situatën.

Reshjet e dendura dhe të pandërprera të shiut kanë rritur nivelin e ujit në lumin Lana,Tiranë. 

Ekipet e Bashkisë nën drejtimin e nënkryetarit Ilir Mëngra ndodhen në terren në afërsi të pallatit me shigjeta për të ndjekur çdo situatë që mund të krijohet nga rritja e mëtejshme e nivelit”, shkruan Balla.

Aktualisht, Lana ka arritur deri në pjesën e lulishtes, ndërsa ekziston rreziku që uji të dalë edhe në rrugë, nëse reshjet vijojnë me të njëjtin intensitet. Autoritetet po mbajnë situatën nën kontroll dhe janë në gatishmëri për ndërhyrje të menjëhershme në rast emergjence.

Kjo zonë është dhe pika më vulnerabël Lanës pasi në këtë segment pranë Pallatit me Shigjeta edhe ka dalë disa herë nga shtrati në vitet e kaluara, gjatë episodeve me reshje intensive shiu.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes dhe të ndjekin vetëm informacionet zyrtare deri në përmirësimin e situatës.

VIDEO/ Operacioni për emigrantët, oficeri i ICE qëllon për vdekje 37-vjeçaren

By: Fax Web
7 January 2026 at 20:14

Një 37-vjeçare u qëllua për vdekje nga një oficer i Emigracionit (ICE) në Minneapolis, SHBA.

Një zëdhënës i Department of Homeland Security tha se “një nga protestueset e dhunshme përdori automjetin e saj si armë” dhe tentoi të përplaste forcat e zbatimit të ligjit.

Protestuesit janë në vendin e ngjarjes, me video që tregojnë pak zemërim ndaj agjentëve federalë.

Zyrtarët në Minneapolis do të mbajnë një konferencë për shtyp së shpejti – qëndroni me ne.

Incidenti vjen në mes të vendosjes në shkallë më të gjerë të agjentëve të zbatimit të ligjit për emigracionin në kryeqytetin e shtetit të Minesotës që nga fillimi i administratës së dytë Trump.

Nga marka, kambio, lënda djegëse dhe deri tek vendi i origjinës së makinës, çfarë preferojnë shqiptarët?

By: Fax Web
7 January 2026 at 20:10

“Scan Intel” ka përpunuar me imtësi të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) sa i përket mjeteteve të reja të regjistruara duke i dhënë përgjigje shumë pyetjeve, si psh: Cilat janë tendencat e fundit? Cila është marka e preferuar e shqiptarëve për autovetura? A parapëlqejë shqiptarët më shumë autovetura me kambio automatike apo manuale? Po ndër lëndët djegëse cilën duan? Kur është peridhudha e preferuar për të blerë një makinë? Le ti marrim me radhë.

Përgjatë vitit 2025 janë regjistruar gjithsej rreth 98 mijë e 900 automjete, ku mbi 80 mijë prej tyre janë autovetura.  Vlerësohen po ashtu rreth 33 lloje mjetesh dhe 721 marka të ndryshme të regjistruara në vitin 2025.

Ndërkohë, deri në fund të vitit që lamë pas në Shqipëri janë gjithsej rreth 1 milionë mjete dhe mbi 847 mijë autovetura. Kjo shifër e vendosur përballë numrit të familjeve nxjerr në pah një fakt domethënës, mesatarisht çdo familje shqiptare zotëron të paktën një makinë, me një raport prej 1.07 autovetura çdo për familje.

Korriku, muaji i preferuar për të blerë makinë

Muajt e verës duket se kanë shënuar edhe nivelin më të lartë të regjistrimeve, ku veçojmë Korrikun me 10 mijë mjete të regjistruara, pasuar nga Qershori me afërsisht 9,400.

Duket se Mercedes-i” nuk do të jetë për shumë gjatë më mbreti i rrugës.

Të dhënat për vitin 2025 tregojnë se Volkswagen ka patur numrin më të lartë të regjistrimeve me rreth 18,000 mjete. Mercedezi renditet i dyti pasuar nga Audi, Hyundai, Toyota dhe BYD.

Automat apo manual? Shqiptarët nuk kanë më dyshime

Ndërkohë që në total, autoveturat me kambio manuale janë më shumë se e ato me kambio automatike apo gjysëm automatike, gjatë viteve të fundit, tendenca ka ndryshuar. Të dhënat e 2025-ës, nga drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) tregojnë se numri i mjeteve të regjistruara për herë të parë sipas kambios është në favor të automjeteve me kambio automatike.

Raporti fiksohet në rreth 71%, ndërkohë pesha e mjeteve të regjistruara për herë të parë me kambio manual fiksohet në rreth 29%. Ky hendek duket se jo vetëm po ngushtohet, por do të kalojë në kah të kundërt, duke para ecurinë e viteve të fundit.

Naftë, benzinë, gaz apo elektrike?

Gjatë vitit të kaluar, pjesa dërrmuese e automjeteve të regjistruara, kishin motor me naftë, më saktësisht 60% e totalit. Makinat me benzinë ndërkohë zënë 25 % të totalit të automjeteve të regjistruara në të gjitha drejtoritë rajonale të transportit rrugor gjatë vitit 2025. Rreth 5% ndërkohë janë autoveturat të cilat përdorin kombinimin me gaz dhe benzin, ndërkohë që makinat elektrike zënë rreth 6% të totalit.

Referuar shifrave, rreth 6 mijë automjete elektrike janë regjistruar në vitin që lamë pas. Muaji Dhjetor ka patur volumin më të lartë me 875 regjistrime, pasuar nga Qershori me 658 mjete elektrike.

Çfarë vit prodhimi ishin autoveturat e regjistruara përgjatë vitit 2025?

Numrat thonë se rreth 55.2% e tyre janë prodhuar në 8-15 vitet e fundit, ndërkohë rreth 24.7% janë prodhuar para 15-të viteve. Ndërkohë, automjetet e regjistruara me vit prodhimi nga 0 deri në 4 vite kanë një peshë prej 14.9% ndaj totalit.

Origjina

Të dhënat për mjetet e regjistruara në vitin 2025 sipas shtetit të origjinës tregojnë një dominim të qartë të Koresë së Jugut, e cila zë pjesën më të madhe të totalit me 21.4%, duke u renditur si burimi kryesor i mjeteve. Pas saj vijnë Gjermania dhe Italia me përqindje pothuajse të barabarta, përkatësisht 15.7% dhe 15.2%, çka dëshmon për një prani të fortë të industrisë europiane të automjeteve. Kina përfaqëson 9.2% të regjistrimeve, duke reflektuar rritjen graduale të mjeteve me origjinë aziatike, ndërsa Zvicra dhe Shtetet e Bashkuara kontribuojnë me rreth 8% secila. Kanadaja ka një peshë më të kufizuar me 4.4%.

“I forti i Elbasanit” del para gjyqit/ Media belge: Figurë kyçe e mafies së drogës, dosja e mbushur me vrasje me pagesë

By: Fax Web
7 January 2026 at 20:01

Nga Chris Verhaeghe – NIEWSBLAD

Të enjten, para Gjykatës së Krimeve të Rënda në Bruksel, nis procesi kundër një figure kyçe të mafies shqiptare të drogës.

Franc Gergely Çopja (33 vjeç) del në gjyq së bashku me tetë persona të tjerë për vrasjen me gjakftohtësi të Ardit Spahiut, i cili u qëllua për vdekje në mes të ditës në Sint-Jans-Molenbeek me pistoleta gjysmë-automatike.

Viktima 38-vjeçare u sulmua më 27 nëntor 2020, ndërsa ndodhej si pasagjer në një automjet.

LEXO EDHEMedia belge zbardh skemën e vrasjes së shqiptarit/ U tradhtua nga një shok, Franc Çopja festoi ekzekutimin

Ai arriti të largohej fillimisht, por u ndoq në këmbë nga dy persona të maskuar, të cilët e ekzekutuan. Autorët qëlluan të paktën 17 herë, nga të cilat 11 plumba goditën trupin e Spahiut.

Klanet rivale

Ardit Spahiu nuk ishte i panjohur për botën e krimit. Ai ishte i përfshirë në trafikun e drogës dhe në vitin 2010 u arrestua nën dyshimin për përfshirje në një vrasje në qytetin e tij të lindjes, Elbasan. Spahiu i përkiste klanit Alibej, i cili prej vitesh ishte në konflikt me klanin rival Çopja.

Pas vjedhjes së 49 kilogramëve kokainë nga një apartament i klanit Çopja në Londër, dhuna mes dy grupeve kriminale u përshkallëzua. Dosja është e mbushur me vrasje me pagesë të kryera nga të dyja palët. Vrasja e Ardit Spahiut, i cili në vitin 2019 u arratis në Belgjikë nga frika për jetën e tij, konsiderohet si një vazhdim i konfliktit mes këtyre dy klaneve.

Thyerja e SKY ECC

Hetimi për vrasjen e Spahiut mori hov pas dekriptimit të platformës SKY ECC. Në fund u identifikuan nëntë të dyshuar, përfshirë Franc Gergelyn, figurë kyçe e klanit Çopja. Sipas policisë federale, ai dhe vëllezërit e tij vepronin nga Dubai dhe merreshin me trafik kokaine mes Amerikës së Jugut dhe Evropës.

Gergely është krimineli i parë i drogës që është ekstraduar nga Emiratet e Bashkuara Arabe në Belgjikë. Ai ndodhet në paraburgim në Belgjikë që nga fundi i vitit 2023 dhe dyshohet se ka dhënë urdhrin për vrasjen e Ardit Spahiut.

Juria e procesit u përzgjodh të hënën. Të enjten procesi nis zyrtarisht me leximin e aktakuzës, e cila përbëhet nga plot 204 faqe.

❌
❌