Berisha: Protestat e vazhdueshme, rruga e vetme për largimin e qeverisë
TIRANË, 10 janar /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi se fronti opozitar nuk ka si qëllim dominimin e një force politike mbi të tjerat, por krijimin e një fryme të gjerë bashkimi për largimin e qeverisë aktuale nga pushteti.
Në mbledhjen e sotme të kryesisë së PD-së, Berisha u ndal te takimi i zhvilluar një ditë më parë me përfaqësues të shoqërisë civile dhe forca të ndryshme politike, të cilin e cilësoi si jashtëzakonisht të rëndësishëm.
“U bashkuam kundër një të keqeje të përbashkët dhe aty erdhën të gjithë ata që besojnë se Edi Rama është e keqja më e madhe e këtij vendi. Ishte një akt i guximshëm dhe i përgjegjshëm qytetar”, u shpreh Berisha, duke shtuar se opozita do të vijojë dialogun me këto grupe për të dëgjuar zërin dhe këshillat e tyre.
Ai ftoi individë, organizata dhe forca të tjera politike që nuk ishin të pranishme në takim t’i bashkohen frontit opozitar, të cilin e përshkroi si një forum të përbashkët për largimin e qeverisë aktuale. Sipas Berishës, ky front synon institucionalizimin dhe shtrirjen e tij edhe në rrethe e qarqe, në funksion të një përpjekjeje mbarëkombëtare.
Gjatë fjalës së tij, Berisha njoftoi gjithashtu se kryesia e PD-së do të përcaktojë datën e protestës së ardhshme, duke theksuar se protestat e vazhdueshme janë e vetmja rrugë për largimin e qeverisë.
“Koha për protestë ka kaluar. Rruga e vetme për largimin e kësaj qeverie është kalimi në protestë të vazhdueshme. Variantet e tjera janë iluzive”, deklaroi ai.
Berisha shtoi se përgjegjësinë për ndryshimin e situatës politike duhet ta marrin qytetarët shqiptarë, ndërsa u shpreh se zhvillimet e fundit në krahun e opozitës janë pozitive.
/e.xh/r.e/
The post Berisha: Protestat e vazhdueshme, rruga e vetme për largimin e qeverisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.