Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 22 January 2026Main stream

08:40 Groenlanda ndal kutinë e Pandorës, Putin në pritje

By: Klara
22 January 2026 at 08:40

Nga Monada Mehmetaj, Strasbourg

Një samit për Groenlandën që mbahet shumë shpejt dhe kërkon punë intensive. Një Europë dhe një BE që do të jetë bashkë, por që po “përçahet”, me interesa gjeopolitike në plan të parë; një arenë shumë e vështirë për Trump. Kjo është ajo që pritet të shfaqet në këtë samit të Groenlandës.

Shtetet e BE-së që do të jenë bashkarisht dhe pozicionimi i Francës do të bëjnë diferencën. Trump tentoi të prishte rregullat e lojës, por u gjend në një ring boksi, i rrethuar nga mundësia e prishjes së marrëdhënieve Washington–Londër, nga një Itali që mban një ekuilibër të vështirë, me Melonin e cilësuar edhe si ndërmjetëse; Merz i Gjermanisë, me një ekonomi të varur ekstremisht nga marrëdhëniet tregtare me SHBA-në; dhe një Rusi e “gëzuar” nga kërcënimet e Trump për Groenlandën, e cila e sheh këtë lëvizje të Trump si hapje të Kutisë së Pandorës.

Mark Rutte, personaliteti që ka ndikim te Presidenti i SHBA-së, është i vetmi që mund t’i flasë Trump-it. Ai ka një marrëdhënie shoqërore që ka pasur rezultatet e veta pozitive në këto bisedime.

Mundet që Franca të mbetet “vetme” në këtë samit, pasi pozicionimi i saj politik dhe ushtarak është i ndryshëm nga shtetet e tjera. Republika e Pestë i jep përparësi Presidentit Macron të reagojë shpejt, pa mbledhur instancat e rastit. Megjithatë, presim vazhdimin.

Rusia është në pritje të “gëzuar”, pasi mund të imitojë Trump-in në lidhje me vendet Baltike dhe me kufirin detar të Groenlandës nga krahu i Rusisë, dhe e favorizon totalisht këtë situatë për Ukrainën; pra janë bashkë si në një ndeshje futbolli ku ndajnë gjysmëfushat.

Tarifat doganore me një aleat si Europa dëmtojnë më shumë konsumatorin amerikan sesa prodhuesin europian, dhe këtë llogari tashmë Amerika e ka bërë mirë.

Nga ana tjetër, Von der Leyen dhe ekipi i saj reaguan shpejt ndaj tarifave amerikane, duke iu përgjigjur flakë për flakë, në unitet dhe me vendosmëri, dhe kjo solli avantazhin e vet. Pa dashje, Trump e bëri Europën edhe më të bashkuar. Nga një sondazh, 40% e amerikanëve janë kundër kërcënimeve për Groenlandën.

Ai që po del i fituar në këtë moment është Putin, i cili po fiton kohë pas kohe, ndërkohë që dosja e Ukrainës në këtë moment është në vend të dytë.

Por kriza nuk mbaron sot. Lufta tregtare vazhdon, garanci nuk ka.

Danezët presin pozicionin e tyre; Europa po i mbështet; Franca nuk dëgjoi, por reagoi. Mesazhe, influenca dhe mësime ka boll në këto ditë dinamike, në marrëdhëniet e tensionuara mes aleatëve.

A i trembet Trump një afrimi të Europës me Kinën apo një bashkëbisedimi diplomatik të saj me Rusinë? Sigurisht që i paramendon dhe jo rastësisht “sulmoi” Macron-in. Shprehja e Macron për një mundësi takimi diplomatik me Putin-in nuk e ka entuziasmuar Trump-in, pasi deri më tani ka pasur ekskluzivitetin e bisedimeve për Ukrainën, por pa asgjë konkrete.

Në Davos “vlon” puna dhe Europa po punon fort në unanimitet. Europa po ndryshon politikën e saj, por pa qenë asnjëherë kërcënuese.

Tashmë Trump e ka kuptuar që durimi i Europës është sosur dhe nuk dëshiron ta humbasë një aleat si ajo.

08:30 Zvicër/ Bordi i Paqes për Gazën, sot hidhen firmat për themelimin në Davos

By: Klara
22 January 2026 at 08:30

Sot në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, pritet të zhvillohet ceremonia e nënshkrimit të “Bordit të Paqes”, struktura ndërkombëtare e propozuar nga presidenti amerikan Donald Trump e cila synon t’i japë zgjidhje konflikteve në botë.

Ceremonia do shënojë një nga momentet më të rëndësishme të këtij procesi diplomatiko‑politik, i cili ka ngjallur debate të mes aleatëve perëndimorë dhe aktorëve të tjerë globalë.

Disa prej udhëheqësve botërorë kanë konfirmuar se do të marrin pjesë, ndërsa të tjerë kanë shfaqur skepticizëm. Kombet e Bashkuara kanë shprehur shqetësime se krijimi i një organi të tillë mund të minojë rolin dhe mandatin e saj në procesin e paqes dhe rindërtimit./K.M

08:20 NYT: Danimarka mund t’ia dorëzojë SHBA-së një pjesë të Groenlandës për baza ushtarake

By: Klara
22 January 2026 at 08:20

Një marrëveshje e SHBA-së për Groenlandën mund të përfshijë marrjen e kontrollit nga Uashingtoni të zonave të vogla të ishullit.

Gazeta The New York Times (NYT) e raportoi këtë, duke cituar burime.

U vu re se, përpara njoftimit të udhëheqësit të Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump, më 21 janar se një marrëveshje e ardhshme ishte finalizuar, zyrtarët ushtarakë të NATO-s diskutuan mundësinë e një kompromisi në të cilin Danimarka do t’u jepte Shteteve të Bashkuara sovranitetin mbi territorin e vogël të Groenlandës.

Kompromisi, i cili mund të përfshijë ndërtimin e bazave ushtarake amerikane në ishull, po diskutohet nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, i cili ka shprehur mbështetje për një marrëveshje të tillë, thanë tre zyrtarë.

 

 

Burimet e gazetës e krahasuan këtë me bazat britanike në Qipro, e cila konsiderohet territor britanik jashtë shtetit. Megjithatë, nuk është e qartë nëse kjo ide është pjesë e konceptit të shpallur nga Trump./K.M

08:10 500 mln euro për e-qeverisjen në 4 vjet, rekord punonjësish në administratë, por sistemi nuk punon!

By: Klara
22 January 2026 at 08:10

Numri i punonjësve dhe fondet për administratën publike janë rritur në rekorde historike në 2025. Paralelisht, qeveria po rrit me shpejtësi financimet për qeverisjen digjitale, por nga ana tjetër qytetarët dhe bizneset muajt e fundit po përballen me më vështirësi për të aksesuar shërbimet publike.

Në vitin 2014, fondet për paga dhe kontribute për punonjësit e shtetit ishin rreth 71.4 miliardë lekë, ndërsa numri i të punësuarve në sektorin publik ishte rreth 163 mijë persona.

Njëmbëdhjetë vite më vonë, në vitin 2025, administrata publike numëron rreth 184 mijë punonjës dhe shpenzimet buxhetore për personelin janë rritur në rreth 129 miliardë lekë. Që nga 2024 në 2025, numri i punonjësve në sektorin shtetëror është zgjeruar me 12.7 për qind, ndërsa shpenzimet ndaj tyre janë rritur me 80 për qind.

Rritja nuk ka qenë vetëm në numrin e punonjësve dhe fondet për paga. Paralelisht, investimet për qeverisjen digjitale janë shtuar me ritme të shpejta në 6 vitet e fundit.

Në 2025, financimi për e-qeverisjen u rrit me tre herë brenda vitit, duke arritur në 20.1 miliardë lekë (mbi 200 milionë euro), nga rreth 3.3 miliardë lekë që jepeshin në vitin 2019, në një total prej 48.4 miliardë lekësh në 4 vjet, ose gati 500 mln euro.

Qeveria e ka paraqitur digjitalizimin si një nga shtyllat kryesore të modernizimit të administratës dhe përmirësimit të shërbimeve për qytetarët dhe bizneset.

Megjithë këto investime, shërbimet publike digjitale kanë shfaqur probleme serioze funksionimi gjatë muajve të fundit. Platforma kryesore e-Albania e shërbimeve elektronike për qytetarët dhe bizneset është përballur me ndërprerje të shpeshta, vonesa dhe pamundësi aksesimi, duke krijuar vështirësi reale në marrjen e dokumenteve, kryerjen e procedurave administrative dhe përmbushjen e detyrimeve ligjore.

E-Albania ëshë kthyer në një makth për bizneset. Ekonomistet janë bërë si policët që u zënë pritë makinave. Policët e bëjnë këtë që të dallojnë ata që bëjnë shkelje e tu vënë gjoba, ekonomistet që të dallojnë se kur funksionon sistemi e të bëjnë ndonjë punë.

Bizneset janë ankuar vazhdimisht pranë Monitor që shpesh nuk arrijnë të hyjnë në sistemin e self care përmes të cilit bizneset mund të shohin të gjitha faturat e blerjes që vijnë nga furnitorët, të verifikojnë faturat e blerje e shitjeve në fund të muajit, apo të bëjnë shërbime të tilla si fiskalizimi i importeve, dhe bizneset e vogla pa të punësuar mund ta përdorin për të fiskalizuar faturat e shitjes pa blerë program.

Ekonomistët thonë se ata nuk dinë ku të ankohen kur sistemi nuk punon. “Në këtë moment psh, nuk fiskalizohen faturat dhe punonjësit e një biznesi që shet produkte ushqimore nuk u nisën për në Durrës dhe shoferët po rrinë, pasi nuk mund të lëvizin mallin pa faturë shitje, ose faturë shoqëruese”.

“Të paktën shkruani ju se nuk e pranon njeri që sistemet nuk punojnë”, thotë me ironi përfaqësuesi i një subjekti, i lodhur dhe i acaruar nga kjo situatë dhe nga fakti që ata nuk po dinë ku të ankohen që të gjejnë zgjidhje.

E vetmja alternativë është që ti shkruajnë ministres së shtetit për inteligjencën artificiale, “Diellës”, që u paraqit nga kryeministri Rama si një revolucion dhe risi në botë. Por, as ajo nuk po ua zgjidh hallet, ndërsa administrata publike fundjave është pushim, apo kur ditët e festave bien pranë fundjavës i gëzohet dhe ndonjë dite më shumë pa punë.

Nuk arrijmë ta kuptojmë se për çfarë shërbejnë 20 mijë të punësuar shtesë në administratën publike në 10 vitet e fundit, apo 500 milionë euro investime për e-qeverisjen në 4 vjet, kur bizneset nuk po arrijnë të punojnë, individët shpesh nuk arrijnë të marrin dokumentet që u duhen online, dhe asnjë person fizik nuk u sqaron se çfarë duhet të bëjnë. Nuk mban askush përgjegjësi dhe për orët shtesë të punës, apo të ardhurat e munguara pasi bizneset nuk arrijnë të realizojnë shitjet, jo për faj të tyre.

Kush mban përgjegjësi për kostot

Nuk arrijmë ta kuptojmë se për çfarë shërbejnë 20 mijë të punësuar shtesë në administratën publike në 10 vitet e fundit, apo 500 milionë euro investime për e-qeverisjen në 4 vjet, kur bizneset nuk po arrijnë të punojnë, individët shpesh nuk arrijnë të marrin dokumentet që u duhen online, dhe asnjë person fizik nuk u sqaron se çfarë duhet të bëjnë. Nuk mban askush përgjegjësi dhe për orët shtesë të punës, apo të ardhurat e munguara pasi bizneset nuk arrijnë të realizojnë shitjet, jo për faj të tyre.

Sipas bizneseve, kjo situatë e përsëritur përbën një shqetësim serioz për funksionimin normal të aktivitetit ekonomik dhe marrëdhënien e bizneseve me administratën publike apo të profesionistëve me klientët e tyre.

Ekspertët e teknologjisë pohojnë se rritja e shpejtë e investimeve në teknologji nuk është shoqëruar gjithmonë me forcim proporcional të kapaciteteve teknike dhe njerëzore për mirëmbajtjen dhe sigurinë e sistemeve.

Një pjesë e projekteve digjitale janë ndërtuar me logjikë fragmentare, pa integrim të plotë dhe pa testime të mjaftueshme nën ngarkesë të lartë përdorimi.

Problemet e fundit kanë nxjerrë në pah hendekun mes investimeve financiare dhe funksionimit real të administratës publike.

Vitin e kaluar, administrata dhe e-qeverisja kanë marrë 149 miliardë lekë, rreth 1.5 miliardë euro ose rreth 18 për qind të shpenzimeve buxhetore të vitit 2025. Kjo shumë ishte 108% më e lartë se në vitin 2014./ Monitor/K.M

08:00 SPAK regjistron procedim penal për gjyqtaren Irena Gjoka/ A do të vijojë të jetë në detyrë?

By: Klara
22 January 2026 at 08:00

Prokuroria e Posaçme deklaroi se kishte regjistruar një procedim pas kallëzimit të depozituar nga PD, ndërkohë që Këshilli i Lartë Gjyqësor administroi informacionin e Prokurorisë së Përgjithshme dhe nis procedurën për gjyqtaren e Gjykatës së Posaçme.

Prokuroria e Posaçme, SPAK regjistroi një procedim penal pas një kallëzimi ndaj gjyqtares Irena Gjoka, e cila akuzohet se ka fshehur nga formulari i vetëdeklarimit të pastërtisë së figurës një dënim penal të dhënë nga drejtësia greke për falsifikimin e një pasaporte dhe një vize në mesin e viteve 2000. Kallëzimi ishte depozituar në SPAK nga Adriana Kalaja.

Sipas SPAK, procedimi është regjistruar për veprën penale të parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal, “falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, por ende nuk është regjistruar ndonjë emër si person nën hetim.

Pas një hetimi administrativ që zgjati rreth 20 muaj, Prokuroria e Përgjithshme njoftoi të martën se i kishte dërguar zyrtarisht më datë 19 janar 2026 rezultatet e këtij verifikimi pranë KLGj-së, që është organi kompetent që duhet të interpretojë rezultatet e gjetjeve.

 

Këshilli i Lartë Gjyqësor, KLGJ administroi të mërkurën vendimin e Prokurorisë së Përgjithshme për rezultatet e verifikimit të thelluar të deklarimeve të kryera në formularin e vetëdeklarimit për pastërinë e figurës nga ana e gjyqtares së Gjykatës së Posaçme, Irena Gjoka.

Burime zyrtare të KLGJ-së i bënë me dije BIRN se aktet e mbërritura nga Prokuroria e Përgjithshme, do t’i vendosen në dispozicion Komisionit të Zhvillimit të Karrierës në KLGJ, që do të hartojë raportin. Ky raport do t’i kalohet më pas seancës plenare publike. KLGJ nuk bëri me dije ndonjë afat të përafërt se kur do të përfundojë kjo procedurë.

Edhe pse Prokuroria e Përgjithshme e mbajti të fshehtë rezultatin e verifikimit, një burim pranë saj i tha BIRN në kushtet e anonimatit se vendimi i gjykatës greke ndaj Gjokës ishte autentik.

Tashmë, KLGj do të duhet të shqyrtojë nëse gjetjet e prokurorisë përbëjnë kusht ndalimi për ushtrimin e funksionit publik, bazuar në ligjin nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.

Akuzat ndaj Gjokës u bënë publike pasi ajo firmosi masat e sigurisë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha në lidhje me dosjen “Partizani”. Berisha dhe mbështetësit e tij e kanë akuzuar vazhdimisht Gjokën, duke pretenduar se ajo është në konflikt interesi dhe se ka fshehur të kaluarën e saj, përfshi dënimin penal në Greqi. KLGJ e cila shqyrton ankesat, kërkoi verifikim të rastit nga Prokuroria e Përgjithshme.

Akuzat publike sugjeronin se ajo ishte dëbuar nga Greqia për përdorim të dokumenteve të falsifikuara ose shkelje të rregullave të qëndrimit, një fakt që pretendohet se nuk është pasqyruar në formularin e dekriminalizimit nga gjyqtarja.

Gjyqtarja Gjoka e ka kaluar më herët procesin e vetingut, pasi KPK nuk gjeti probleme që do të çonin në shkarkimin e saj. Komisioneri Publik fillimisht e ankoi vendimin në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, por gjatë procesit ish-komisionerja Publike Irena Nino u tërhoq nga ankimi duke bërë që vendimi i konfirmimit në detyrë të mbetej në fuqi./ BIRN/K.M

07:50 Diplomacia, lajkat dhe F-35: Si e bindi Rutte Trumpin të tërhiqej nga marrëveshja për Groenlandën

By: Klara
22 January 2026 at 07:50

Last Updated on 22/01/2026 by Klara

Mark Rutte filloi të vepronte menjëherë pas takimit të dështuar më 14 janar në Uashington midis Zëvendëspresidentit të SHBA-së J.D. Vance dhe Ministrave të Jashtëm të Danimarkës, Lars Løkke Rasmussen, dhe Grenlandës, Vivian Motzfeldt. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s zhvilloi një raund të gjerë konsultimesh, duke përfshirë jo vetëm danezët dhe aleatët evropianë, por edhe Ambasadorin Matthew Whitaker, përfaqësuesin e SHBA-së në NATO.

Negociatat

Rasmussen dhe Motzfeldt i kishin ofruar Vance Greenland-it mundësinë për të strehuar sa më shumë baza ushtarake që të konsiderohej e nevojshme . Megjithatë, Vance u kundërpërgjigj: “Ne duam ta zotërojmë ishullin”. Kundërpropozimi i tij ishte: “Me ligj, toka e Greenland-ës nuk është në shitje ; ne mund t’ju japim një koncesion shumëvjeçar”. Kjo është ideja që Donald Trump e hodhi poshtë dje nga skena në Davos.

Më 19 janar, Rutte priti Ministrin e Groenlandës Motzfeldt në Bruksel, i shoqëruar këtë herë nga Ministri danez i Mbrojtjes Troels Lund Poulsen. Të tre finalizuan një kornizë më të gjerë, një marrëveshje që do të përfshinte ndërhyrjen e vendeve të gatshme për të forcuar sigurinë ushtarake në dhe përreth Groenlandës. Pasi të dy u larguan, Rutte telefonoi Trumpin. Ai i ofroi atij jo aq shumë një formulë përfundimtare sesa një kornizë: të gjithë aleatët do të pranonin lidershipin amerikan në rajon. Dhe, duke zgjuar interesin e presidentit, ai shtoi se partnerët ishin të gatshëm të shpenzonin më shumë në Arktik, duke blerë pajisje ushtarake nga Shtetet e Bashkuara.

Gjatë bisedës, Rutte citon shembullin e Danimarkës, tashmë një kliente besnike e Lockheed Martin për avionët e saj F-35. Trump kufizohet në një përgjigje të ngurta. Këto nuk janë qartësisht të vetmet kontakte me Shtëpinë e Bardhë. Kancelari gjerman Friedrich Merz dhe kryeministri britanik Keir Starmer po mobilizohen gjithashtu.

Trump: “Kemi një marrëveshje kornizë.” Detajet mbeten.

Më 20 janar, Rutte ua paraqiti arsyetimin për këtë operacion ambasadorëve të 32 vendeve anëtare, të cilët u takuan në Këshillin e Atlantikut të Veriut në Bruksel. Sekretari propozoi vazhdimin e diskutimeve brenda “grupit të punës” të Shteteve të Bashkuara, Danimarkës dhe Groenlandës  i vetmi rezultat i samitit me Vance. Ky sugjerim u mirëprit nga danezët dhe anëtarë të tjerë të shquar të këshillit, përfshirë britanikët. Më e rëndësishmja, qasja e Rutte mori dritën jeshile nga amerikani Whitaker.

Sigurisht, nevojitej vula e miratimit të Trump. Në takimin dypalësh të djeshëm, Rutte shfaqi të gjitha lajkat që ka demonstruar tashmë. “Kemi një marrëveshje kornizë “, tha presidenti amerikan. Tani do të shohim detajet, të paqarta si gjithmonë. Çështja e pronësisë territoriale mbetet qendrore. Disa sugjerojnë modelin e Guantanamos, bazën detare të dhënë Shteteve të Bashkuara nga qeveria kubane me një kredi të përhershme në vitin 1903./K.M

07:40 Pezullimi i Ballukut, Qeveria dhe GJKKO përballen sot në Kushtetuese! Rama: Zgjidhni konfliktin e kompetencave

By: Klara
22 January 2026 at 07:40

Last Updated on 22/01/2026 by Klara

Qeveria dhe SPAK do të përballen sot në Gjykatën Kushtetuese për rastin e zv.kryeministres Belinda Balluku. Seanca në Kushtetuese me relator Sandër Becin do të nisë në orën 10:00, ku do të shqyrtohet ankimi i kryeministrit Edi Rama i cili kërkon shfuqizimin e vendimit të GJKKO-së të marrë në nëntor 2025 për pezullimin e Ballukut nga detyra. Përveç qeverisë, Kushtetuesja ka thirrur në seancë edhe përfaqësues nga Prokuroria dhe Gjykata e Posaçme, si dhe nga parlamenti e Presidenca si subjekte të interesuara.

Numri 2 i qeverisë aktualisht është rikthyer në detyrë pas një vendimi të Kushtetueses, deri në shqyrtimin e plotë të ankimit të kryeministrit Rama dhe shpalljes së vendimit përfundimtar nëse do ta ‘lejojë’ ose jo precedentin e krijuar nga GJKKO me pezullimin e një anëtari qeverie.

Kryeministri Rama iu drejtua Kushtetueses me argumentin se vendimi i GJKKO-së ishte një ndërhyrje brutale të një pushteti si ai gjyqësor, në kompetencat e një pushteti tjetër, si ai ekzekutiv. Ai i kërkon Kushtetueses që të zgjidhë konfliktin e kompetencave GJKKO-Këshilli i Ministrave, pra nëse Gjykata e Posaçme ka ekskluzivitet për të pezulluar nga detyra një anëtar qeverie, duke qenë se propozimin e ministrave Kushtetuta ia njeh si ekskluzivitet Kryeministrit.

Kjo është vetëm një prej pikave të ankimit të Ramës. Pasi të sqarojë mosmarrëveshjen e kompetencave, Qeveria kërkon nga Gjykata shfuqizimin e vendimit të GJKKO për masën ndaj Ballukut, vetëm për pjesën e pezullimit të saj nga detyra e zv. kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, pasi masa tjetër e ndalimit të lëvizjes jashtë vendit nuk është ankimuar. Në ankim, kryeministri i kërkon Gjykatës Kushtetuese të interpretojë dhe nenin 103 të Kushtetutës, i cili i njeh anëtarit të Qeverisë imunitetin e deputetit.

Nga ana tjetër GJKKO argumenton se pezullimi i Ballukut nga detyra është i ligjshëm. Gjyqtari Erion Çela argumenton se përse është e nevojshme masa e sigurisë ndaj saj duke renditur mes të tjerave, mundësinë e ndërhyrjes dhe ndikimit në prishjen apo asgjësimin e provave, rrezikun e largimit, apo dhe të përsëritjes të së njëjtës vepër penale. Masa e pezullimit nga detyra, sipas GJKKO-së, e respekton Kodin e Procedurës Penale, pasi edhe pse “e penguar” për qenë në qeveri, Balluku mund të vijojë pa probleme aktivitetin e saj si deputete në Kuvend.

Vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese do të vijë në një kohë kur SPAK ka dorëzuar në Kuvend edhe kërkesën për autorizim për arrestimin e Ballukut. Kjo lëvizje e SPAK erdhi menjëherë pasi Kushtetuesja e ktheu Ballukun në detyrë, ndërsa mbledhja e radhës e Këshillit të Mandateve është më datë 28 janar.

Belinda Balluku është e pandehur për tenderin me vlerë 190 mln euro të Tunelit të Llogarasë, nën hetim për 7 lotet e Unazës së Madhe dhe po verifikohen edhe tenderë të tjerë./K.M

07:30 Seanca plenare/ Votohet projektligji për “bordin e paqes”

By: Klara
22 January 2026 at 07:30

Last Updated on 22/01/2026 by Klara

Ditën e sotme duke nisur nga ora 10:00 do të zhvillohet seanca plenare në Kuvendin e Shqipërisë.

Për ditën e sotme në rend dite është projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri, Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes”.

Në lidhje me projektligjin do të zhvillohen diskutime dhe pyetje e më pas dhe votimi.

 

Rendi i ditës

 

Në mbështetje të urdhrit nr. 4, datë 21.1.2026 të Kryetarit të Kuvendit, z. Niko Peleshi,

rendi i ditës është si më poshtë:

1. Njoftime.

(Neni 44, pika 3, të Rregullores së Kuvendit)

2. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së

Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të

Paqes”.

(Në mbështetje të neneve 78, 81 pika 1, 83, pika 1 dhe 2, dhe nenit 121, pika 1, të

Kushtetutës, si dhe neneve 55, 73-77 të Rregullores, shumicë absolute votash për

miratim)

Pyetje

Shprehet nismëtari

Shprehet Komisioni përgjegjës për Europën dhe Punët e Jashtme

Diskutime

(Shprehen grupet parlamentare)

Koha e votimit/K.M

07:20 Kursi i këmbimit valutor, 22 janar 2026

By: Klara
22 January 2026 at 07:20

Këtë të enjte, një dollar amerikan do të blihet me 81.8 lekë dhe shitet me 83 lekë.

Euro blihet me 96.1 lekë dhe do të shitet me 96.8 lekë.

Franga zvicerane blihet me 103.1 lekë dhe shitet me 104.2 lekë.

Paundi britanik blihet me 109.8 lekë dhe shitet me 110.8 lekë.

Dollari kanadez këmbehet me 59.1 lekë në blerje dhe me 60.3 lekë në shitje./K.M

Yesterday — 21 January 2026Main stream

13:00 Unë jam neurolog dhe nuk i ha kurrë këto 4 ushqime

By: Klara
21 January 2026 at 13:00

Mjekët shpesh këshillojnë të shmangim ushqimet e përpunuara ose ato që përmbajnë shumë sheqer dhe yndyra të ngopura. Kjo është një këshillë e domosdoshme, pasi konsumimi i shpeshtë i tyre rrit rrezikun për sëmundje kronike, përfshirë edhe çrregullime neurologjike si goditja në tru dhe demenca.

Megjithatë, si neurolog, mund t’ju them se ekzistojnë edhe disa ushqime të tjera, më pak të njohura, që duhen shmangur për të parandaluar probleme serioze neurologjike.

Këto janë katër ushqime që unë nuk i ha kurrë:

1. Ushqime të konservuara me kanaçe të dëmtuara

Nëse një kanaçe është e fryrë, e çarë ose shumë e gërvishtur, kjo duhet të jetë një sinjal alarmi. Mund të jetë shenjë e kontaminimit me botulinum, një bakter që prodhon toksinën e botulizmit.

Toksina botulinike është një nga neurotoksinat më të fuqishme që njeh shkenca. Ajo bllokon çlirimin e një neurotransmetuesi që i mundëson trurit të komunikojë me muskujt. Pasojat mund të përfshijnë paralizë të gjymtyrëve, shikim të turbullt dhe, në raste të rënda, vështirësi të frymëmarrjes. Pa trajtim të menjëhershëm, botulizmi mund të jetë fatal.

Ajo që e bën këtë toksinë veçanërisht të rrezikshme është fakti se nuk mund të zbulohet nga era, shija apo pamja. Për më tepër, ngrohja e ushqimit nuk garanton neutralizimin e saj.

Mbani mend këtë rregull të thjeshtë: “Kur ke dyshime, hidhe.”

2. Disa peshq shkëmborë, veçanërisht në zona tropikale

Unë e dua peshkun dhe i inkurajoj pacientët e mi të konsumojnë lloje si salmoni, sardelet dhe trofta, të cilat janë të pasura me omega-3 dhe të ulëta në merkur.

Por këshilloj kujdes me peshqit e mëdhenj tropikalë si barrakuda, grouper, morena, ngjala detare dhe amberjack. Këta peshq mund të përmbajnë ciguatoksinë, veçanërisht në zona me shkëmbinj koralorë.

Kam parë personalisht raste të helmimit nga ciguatera. Simptomat përfshijnë ndjesi të çuditshme të të ftohtit, djegie, mpirje, marramendje dhe madje edhe ëndrra shumë të gjalla. Për shkak se simptomat janë të paqarta, diagnoza shpesh vonohet.

Problemi kryesor është se ciguatoksina është rezistente ndaj nxehtësisë — pra, gatimi nuk e shkatërron. Ashtu si toksina botulinike, ajo nuk ka shije apo erë.

Rekomandohet të kufizohet konsumimi i peshqve grabitqarë të mëdhenj, të shmangen pjesë si mëlçia, vezët dhe koka, dhe të tregohet kujdes i veçantë në zona endemike.

3. Mish derri i pagatuar ose i pagatuar dobët

Rreziku këtu është neurocisticerkoza. Neurocisticerkoza është një nga shkaqet kryesore të epilepsisë në mbarë botën. Edhe pse më e rrallë në vendet e zhvilluara, raste janë raportuar edhe në SHBA.

Nëse udhëtoni shpesh ose jetoni në zona me kushte të dobëta sanitare, është thelbësore të gatuani mirë mishin e derrit dhe të mbani higjienë të mirë të duarve.

4. Qumësht i papasterizuar

Pasterizimi i qumështit përfshin trajtimin me nxehtësi për të eliminuar mikroorganizmat e rrezikshëm. Edhe pse procesi ul lehtësisht disa vitamina, ndikimi është minimal.

Qumështi i papasterizuar, është një burim i njohur i baktereve si Listeria, E. coli dhe Salmonella. Studimet tregojnë se konsumimi i tij shkakton rreth 840 herë më shumë sëmundje dhe 45 herë më shumë shtrime në spital krahasuar me qumështin e pasterizuar, edhe pse konsumohet nga një pjesë shumë e vogël e popullsisë.

Fëmijët, gratë shtatzëna, të moshuarit dhe personat me imunitet të dobët janë më të rrezikuarit për pasoja serioze, përfshirë dëmtime të trurit, meningjit, koma, abort spontan dhe madje vdekje.

Kam parë personalisht raste me dëmtime të pakthyeshme neurologjike të shkaktuara nga produkte të papasterizuara.

Pretendimet se qumështi i papasterizuar ul astmën, kancerin apo intolerancën ndaj laktozës nuk mbështeten nga prova shkencore.

Para se të bëni ndryshime të mëdha në dietën tuaj, këshillohuni gjithmonë me një profesionist shëndetësor. Çelësi është të jemi më të vetëdijshëm për atë që konsumojmë veçanërisht kur bëhet fjalë për ushqime që mund të dëmtojnë trurin./KM

12:50 Theu ‘arrestin shtëpiak’ dhe përndoqi sh-bashkëjetuesen, arrestohet 39-vjeçari në Lezhë. Në makinë iu gjet dhe…

By: Klara
21 January 2026 at 12:50

Një 39-vjeçar u arrestua nga policia e Lezhës, pasi akuzohet se përndiqte ish-bashkëjetuesen e tij. Ndonëse shtetasi me inicialet A. A., banues në Lezhë, ishte në ‘arrest shtëpiak’, ai e ka thyer atë dhe ka vijuar përndjekjen ndaj ish-partneres.

Po ashtu policia sqaroi se gjatë kontrollit, ai mbante në makinë dhe një shufër hekuri.

i cili ishte aktualisht me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Përndjekja”, ndaj së njëjtës shtetase që ishte e pajisur me urdhër mbrojtjeje ndaj tij.
“Si rezultat, u kap në ambientet e një lokali, autori i dyshuar i rastit, shtetasi A. A., 39 vjeç, banues në Lezhë, i cili ishte aktualisht me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Përndjekja”, ndaj së njëjtës shtetase që ishte e pajisur me urdhër mbrojtjeje ndaj tij.”, tha ai./K.M

12:40 Investimet në ishullin e Sazanit, dhëndri dhe vajza e Trump mbërrijnë në Vlorë nën masa të rrepta sigurie

By: Klara
21 January 2026 at 12:40

Nën masa të rrepta sigurie, Jared Kushner, dhëndri i ish-presidentit amerikan Donald Trump, ka mbërritur sot në Vlorë, i shoqëruar nga një delegacion dhe bashkëshortja e tij, Ivanka Trump.

Ai ndodhet në zonën e Ujit të Ftohtë, ku pritet të zhvillojë një takim me një studio arkitekturore për të diskutuar mënyrën e realizimit të projektit dhe investimin në ishullin e Sazanit.

Burimet bëjnë me dije se nuk do të zhvillohet ndonjë takim me përfaqësues të pushtetit lokal./K.M

12:30 Shëndeti mendor i fëmijës suaj është më i rëndësishëm se notat e mira; rezultatet e mira nuk më shërbyen!

By: Klara
21 January 2026 at 12:30

Po t’i kthehem pas viteve të shkollimit, kujtoj që (si shumë të tjerë) më interesonin vetëm rezultatet e mira në shkollë; ato ishin gjithçka! Kujtoj netët kur stërmundohesha vetëm që të arrija rezultatin maksimal në provim, të nesërmen! Atëherë dukej se kjo ishte gjëja e duhur për t’u bërë por sot, unë nuk dua që im bir të sforcohet aq shumë, në moshën e tij. Mund t’iu duket e çuditshme por lermëni ta shpjegoj mendimin tim…

1. Askush, në gjithë vitet që erdhën më pas, nuk më ka pyetur ndonjëherë për rezultatet që kam arritur në shkollë. As punëdhënësit nuk më kanë kërkuar rezultatet e universitetit. Gjithë çfarë vlente për t’u plotësuar ishte kutia e ‘përvojës në punë’.

2. Kam harruar gjithçka që kam mësuar në shkollë.

E vija re që atëherë se harroja gjithçka që kisha mësuar, menjëherë pas provimit. Kur nisa të punoj kuptova që nuk kujtoja asgjë nga ato që kisha mësuar në shkollë dhe, mbi të gjitha, asgjë prej tyre nuk më duhej! Përveç të tjerash pata edhe një dilemë të madhe meveten; nuk po dija ku t’i aplikoja gjithë gjërat që kisha mësuar. Siç u kuptua më vonë, vitet e studimit nuk më dhanë asnjë përparësi; nuk isha as më e mirë e as më e zonja se njerëzit më pak të shkolluar.

3. Përpjekja për rezultate maksimale më dëmtoi shëndetin

Disa njerëz mund t’i kapin gjërat në ajër por unë nuk jam një prej tyre! Që t’i fiksoja leksionet më duhej të studioja shumë. Në kohën e provimeve studioja 12-15 orë në ditë. Ende më kujtohet se si më zinte gjumi gjatë leksioneve apo në mjetet e transportit publik, prej lodhjes. Për shkak të lodhjes produktiviteti im ra. Tani që i mendoj këto gjëra habitem me veten dhe teknikat e mia të studimit! Jam e sigurtë që nëse do të kthehesha pas, nuk do të bëja më të njëjtën gjë!

4. Nuk kisha kohë për njerëzit

Në universitet kisha mjaft mundësi për të krijuar marrëdhënie me njerëzit por isha tepër e zënë për ta bërë këtë gjë. Studimet rrëmbenin të gjithë kohën që kisha dhe nuk më mbetej kohë për jetën private. Humba mundësinë më të mirë për të krijuar miqtë që nuk kam ku I gjej më! Sot, shumë vite më vonë, kam vënë re që të gjithë studentët e shkathët e të socializuar, jo aq të përkushtuar pas studimeve, janë sot njerëz të rëndësishëm e me ndikim në shoqëri.

Këto janë këshillat që kam sot për fëmijët e mi, kur të nisin shkollën:

-Ndryshimi midis vlerësimit me A apo B është kaq I pandjeshëm sa që nuk duhet të ndikojë në cilësinë e jetës!

-Janë aftësitë e tua ato që do të ndihmojnë për të paguar faturat dhe jo rezultatet e shkollës.

-Një diplomë prestigjoze nuk do të të ndihmojë të kesh përparësi në jetë por miqtë me influencë, po!

-Mos bëj gjëra për të cilat mendon se janë të pakuptimta!

-Mos u mundo të përmbushësh pritshmëritë e të tjerëve!/KM

12:20 VIDEO/ Mourinho hedh pas polemikat e të shkuarës: A dua të jem trajneri i Juventusit? Sigurisht që po

By: Klara
21 January 2026 at 12:20

Në konferencën para ndeshjes kundër Juventusit, trajneri i Benficas, Jose Mourinho tha se në një të ardhme nuk e përjashton mundësinë që të ulet në stolin e bardhezinjve, paçka polemikave që ka pasur thuajse 16 vite më parë kur portugezi drejtonte Interin dhe fitonte tripletën e famshme të ngulitur mirë në historinë e zikaltërve.

“Për mua është surprizë kur trajnerë që nuk kanë asnjë arritje, pa histori, vendosen në krye të skuadrave të mëdha në botë. Për mua kjo është një surprizë e vërtetë.

Për mua, kur Milani merr Max (Allegrin), kur Juventusi merr Lucianon (Spallettin) apo kur Roma merr Gasperinin, kjo nuk është një surprizë për mua. Surprizë është kur njerëz që nuk kanë treguar asgjë marrin skuadra të përmasave të mëdha.

A doni të trajnoni Juventusin një ditë? Sigurisht”, tha pa dyshime 62-vjeçari Jose Mourinho.

Sot në orën 21:00 në Torino luhet sfida mes Juventusit dhe Benficas,e vlefshme për raundin e shtatë të fazës së ligës në Champions League./K.M

12:10 Fyeu Adriatik Lapajn, GJKKO dënon me 300 mijë lekë gjobë Agron Shehajn

By: Klara
21 January 2026 at 12:10

Gjykata e Posaçme dënoi këtë të mërkurë me 300 mijë lekë (të reja) gjobë Agron Shehajn, kreun e partisë “Mundësia”. Dënimi u vendos për fyerjen e kreut të ‘Shqipëria Bëhet’ Adriatik Lapaj, ndërsa u shpall i pafajshëm për ‘shpifje’.

Adriatik Lapaj e ka paditur Agron Shehajn për shpifje lidhur me një deklaratë që ky i fundit bëri duke pretenduar për lidhje të Lapajt me eksponentë të botës së krimit.

Shehaj e akuzoi Lapajn se kishte marrë 45 milionë lekë nga kompania “Merkaj 3 shpk”, e sekuestruar nga SPAK pasi përdorej për të pastruar paratë e grupit kriminal të  “Çopjave”.

Ai mohoi akuzat duke thënë se paratë nuk i kishte marrë dhe ishin thjesht detyrime ndaj shërbimeve si avokat ndaj kompanisë në fjalë./K.M

12:00 Rregulli 15-minutësh që shpëtoi martesën e Jennifer Lawrence dhe Cooke Maroney

By: Klara
21 January 2026 at 12:00

Në fundjavën e Golden Globe Awards 2026 në Los Angeles, Jennifer Lawrence u shfaq e qeshur dhe plot dritë krah bashkëshortit të saj, Cooke Maroney. Edhe pse ishte vetëm një hap larg çmimit për Aktoren më të Mirë falë filmit Die My Love, ajo e shfrytëzoi këtë periudhë promovimi për të folur jo vetëm për rolin e një nëne që përballet me sindromën pas lindjes, por edhe për një copëz shumë njerëzore nga jeta e saj reale.

E ftuar në episodin e 12 janarit të podcastit SmartLess me Jason Bateman, Sean Hayes dhe Will Arnett, aktorja tregoi hapur se martesa e saj nuk funksionon sepse janë “të njëjtë”, por pikërisht sepse janë të kundërt. Siç e përshkroi vetë, ajo është tipi me kokën “në re”, ndërsa Maroney është njeriu i rregullit, i organizimit dhe i kohës fikse. Ai, sipas saj, di të mbajë gjithçka në vijë, një aftësi që bëhet edhe më e vyer kur në shtëpi ke dy fëmijë të vegjël.

Por aty ku ka rend, ka edhe presion. Lawrence pranoi se shpesh ndihet në ankth nga pikëpamja e përpikmërisë dhe ritmit të tij, gjë që mund të sjellë keqkuptime dhe përplasje të vogla të përditshme. Pikërisht për këtë, ata vendosën një kompromis shumë konkret, që ajo e quan “rregulli i 15 minutave”.

Ideja është e thjeshtë dhe, sipas Jennifer-it, shpëtuese për raportin e tyre. Kur ajo nuk arrin t’i përmbahet një orari të saktë, qoftë për takime apo për menaxhimin e ditës me fëmijët, ka një “margjinë” prej 15 minutash për t’u riorganizuar dhe për t’u kthyer në ritëm pa u kthyer situata në fajësime. Një hapësirë e vogël që, në praktikë, ul tensionin dhe i bën të dy të ndihen në të njëjtën anë, jo kundër njëri-tjetrit.

Në të njëjtin episod, Lawrence bëri edhe një deklaratë që u komentua: tha se e konsideron veten një “nënë shtëpie”, edhe pse “sigurisht që punon”. Ajo shpjegoi se nuk e kishte fjalën për heqje dorë nga karriera, por për faktin që kur nuk është në xhirime, i pëlqen të jetë në shtëpi me familjen. Sipas saj, ritmi i punës shpesh vjen me periudha të ngjeshura xhirimesh, pastaj një rutinë të qetë, e më pas dy javë promovimi që janë të lodhshme dhe të shpejta.

Në fund, ajo e përshkroi marrëdhënien me Maroney-n si një lidhje ku gjërat e thjeshta kanë peshë. Ka treguar edhe më herët, në një intervistë të vitit 2021, se një nga kënaqësitë e saj është të shkojë në supermarket me bashkëshortin, sepse e sheh si një lloj metafore të martesës: ke një listë, ke nevoja reale, bashkëpunon dhe e çon punën deri në fund.

Nga rregulli i 15 minutave te kënaqësia e një liste blerjesh, Jennifer Lawrence e tregon martesën jo si një histori perfekte, por si një marrëveshje e përditshme: me dallime, me adaptim, me humor dhe me zgjedhjen për ta bërë jetën më të lehtë për të dy, sidomos kur familja është në qendër./KM

11:50 Pasuria e Valentinos në duart e një inxhineri dhe avokati, kujt do t’i shkojë trashëgimia e stilistit?

By: Klara
21 January 2026 at 11:50

Çelësat e pasurisë së Valentino Garavanit janë në duart e një avokati holandez dhe një inxhinieri italian, shkruan Corriere della Sera. Udhëtimi në trashëgiminë “materiale” të stilistit të madh, i ndarë nga jeta më 19 janar në moshën 93-vjeçare, përfshin prona të mëdha imobiliare, jahte, shoqëri financiare të regjistruara në një ishull në Manica dhe objekte të panumërta arti. Por mbi të gjitha, përfshin shoqëri ku inxhinieri Piero Villani (77 vjeç) dhe avokati Ronald Feijen (70 vjeç) kanë një rol kyç. I pari zotëron gjithashtu kuota aksionare të vogla, por shumë domethënëse. Çfarë përmban V.G. Image në Guernsey? Sa ka paguar Valentino për kështjellën e Wideville në Francë? Sa vlen sot jahti i tij T.C. Blue One?

Kush janë trashëgimtarët?

Me shumë gjasë do të jetë një testament që do të përcaktojë trashëgiminë, pasi stilisti nuk kishte fëmijë, por një familje që nis me bashkëpunëtorin historik dhe partnerin e jetës Giancarlo Giammetti (83 vjeç), ish-modelin amerikan Bruce Hoeksema (68 vjeç) dhe brazilianin Carlos Souza, të njohur në Rio në vitin 1973, me bashkëshorten Charlene Shorto de Ganay dhe fëmijët Anthony dhe Sean. Dhe pastaj është stërnipi Oscar Garavani (59 vjeç), ish-model dhe sot dizajner.

Vlera e pasurisë

Të japësh një vlerësim të besueshëm të trashëgimisë është pothuajse e pamundur, sepse bëhet fjalë kryesisht për pasuri personale dhe private. Pas shitjes së shtëpisë së modës në vitin 1998 për rreth 500 miliardë lira, nuk ekziston më një aset korporativ “i fortë” dhe “i matshëm” përmes bilanceve, siç ka qenë, për shembull, Fininvest për familjen Berlusconi, Delfin për Del Vecchio, Giorgio Armani etj. Në çdo rast, ajo që lë Valentino ka një vlerë shumë të madhe, por, nga sa mund të nxirret nga dokumentet e konsultuara, është shumë larg niveleve miliardëshe.

Luksi dhe filantropia

Në Corso Venezia në Milano ndodhet një nga qendrat e gravitetit të perandorisë ekonomike. Nën holdingun Liter, ku inxhinieri Villani zotëron një grusht aksionesh, janë dy shoqëri. E para, Madat, është ajo në emër të së cilës është regjistruar prona romake në via Erode Attico, në kryqëzim me via Appia Pignatelli. Vila ku Valentino festoi 90-vjetorin e tij është e rrethuar nga një park i madh, ka mbi 30 dhoma dhe në bilanc figuron me 1,6 milionë euro, vetëm një pjesë e vogël e vlerës reale të tregut. FVG, shoqëria tjetër nën “çadrën” e Liter, është krijuar së fundmi me një strukturë imobiliare, por qëllimi kryesor është menaxhimi i “akademisë së frymëzuar nga stilisti Valentino Garavani”; “organizimi i eventeve, ekspozitave, sfilatave… menaxhimi i librarive mbi modën, artin, jetën e Valentinos ose të artistëve e stilistëve të tjerë”; “menaxhimi i arkivave të modës” të Valentinos ose të artistëve të tjerë. Në thelb, ajo është motori i Fondacionit Valentino Garavani dhe Giancarlo Giammetti.

Kostot e luksit

Kostot, veçanërisht për menaxhimin e vilës, janë të konsiderueshme: vitin e kaluar vetëm për mobilje antike u shpenzuan 81 mijë euro dhe në tre vite janë grumbulluar 2 milionë euro humbje që Valentino i ka mbuluar vetë. Por çfarë do të bëjnë trashëgimtarët? Edhe jahti është një luks shumë i kushtueshëm: TM Blue One 46 metra, i ndërtuar në vitin 1988 dhe i shlyer nga leasing-u nga stilisti në vitin 1994, i kushton mbi 1 milion euro në vit llogarive të Seaboats. Sot vlen 12,4 milionë euro. Kush e thotë këtë? Një ekspertizë e studios teknike të komandantit Alberto Bertacca.

Dokumentet e operacionit Wideville

Xhevahiri i kurorës është kështjella e shekullit XVI e Wideville pranë Parisit. E kaluar ndër shekuj nga markezë te kontë dhe nga dukë te baronë, në vitin 1981 u ble nga biznesmeni Jacques Setton, ish-numri një i Pioneer France, dhe bashkëshortja e tij. Më pas, në janar 1995, sipas dokumenteve origjinale të blerjes së fundit, shoqëria holandeze “Lyppens Gift Beheer b.v.” e përfaqësuar nga Ronald Feijen blen nga çifti Setton për 80,7 milionë franga franceze (12,3 milionë euro sipas kursit të vitit 1999) 100% të Sci Wideville, shoqëria që edhe sot zotëron “Chateau de Wideville”. Menjëherë pas kësaj, Lyppens, mjeti i përdorur nga Valentino, i kalon një aksion inxhinierit Villani dhe në vitin 2010 transferon përfundimisht 99,9% drejtpërdrejt te stilisti. Sot edhe kjo pronë ka një vlerë jashtëzakonisht më të lartë se shifrat e asaj kohe.

Nga Manica në Sienë

Interesa të tjera financiare të sipërmarrësit lidhen me një shoqëri në Guernsey, V.G. Image, e cila ka financuar blerjen, përmes Antennae srl, të vilës në Toskanë: 74 ambiente, një strehë e mrekullueshme e sipërmarrësit në zonën e Sienës. Valentino dhe Giammetti kanë mbajtur për një kohë të gjatë rezidencën në Londër, ku ende është aktive shoqëria financiare “Li Ter Ltd”, e menaxhuar nga Feijen, një nga të paktat kompani sot të përbashkëta (me Giammetti në pakicë) mes dy partnerëve historikë të shtëpisë së modës. Plotësisht jashtë radarëve mbeten disa prona imobiliare (Valentino nuk ka asgjë të regjistruar personalisht në Itali) dhe, natyrisht, pasuritë personale, veprat e artit dhe investimet financiare. Por është fakt se kudo ku ka një pjesë të pasurisë së Valentinos, shfaqen dy “mbikëqyrësit”: inxhinieri Villani dhe avokati Feijen./K.M

11:40 Blerina Gjylameti emërohet drejtoreshë e Agjencisë Kombëtare të Ushqimit

By: Klara
21 January 2026 at 11:40

Ish-deputetja e PS-së Blerina Gjylameti është emëruar në krye të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit. Gjylametit i është besuar ky institucion, që shpesh herë ka qenë të skandaleve, sa i takon rasteve të abuzuara të produkteve bujqësore me përmbajtje pesticidesh të ndaluara.

Më herët në krye të AKU-së ishte Manush Kullolli, detyrë që e mori në mars të 2025-ës.

Gjylameti në zgjedhjet e 11 majit nuk arriti që të merrte mandatin e saj, pasi Olta Xhaçka siguroi më shumë vota, duke bërë që socialistja të dalë jashtë Parlamentit./ K.M

10:50 Senegali zbarkon në Dakar, mijëra qytetarë festojnë titullin e dytë si kampionë të Afrikës

By: Klara
21 January 2026 at 10:50

Për herë të dytë në histori, Senegali është kampion i Afrikës. Sukses që është festuar në rrugët e kryeqytetit, Dakar.

Senegali po përjeton ditë të arta dhe emocione të papërshkrueshme pas fitores madhështore në Kupën e Kombeve të Afrikës. Festimet e triumfit të dytë në historinë e këtij kompeticioni u zhvilluan në një atmosferë elektrizuese, pasi “Luanët e Terangës” mposhtën Marokun, duke kurorëzuar një sukses që do të mbetet i gdhendur në historinë e futbollit afrikan.

Kampionët e rinj të Afrikës marshuan krenarë nëpër rrugët e kryeqytetit Dakar, në një paradë mbresëlënëse, ku mijëra tifozë të zjarrtë pushtuan çdo cep të qytetit për t’i parë nga afër heronjtë e tyre.

Në tingujt e vuvuzelave, borive dhe thirrjeve të tifozëve, Dakari u shndërrua në një skenë gjigante feste. Entuziazmi i jashtëzakonshëm përfshiu çdo lagje.

Ky sukses madhor përfaqëson një moment unik për Senegalin, një vend që vitet e fundit ka kaluar sfida të mëdha politike dhe sociale.
Prania e kampionëve ndezi shpresat dhe ëndrrat e tifozëve, të cilët tashmë shohin më larg se kurrë. Hapi tjetër është Kupa e Botës; me Sadio Mané në ekip, asgjë nuk është e pamundur./K.M

10:40 ‘Përçarja mes dy kontinenteve’, si po e hedh në erë Trump aleancën SHBA-Evropë

By: Klara
21 January 2026 at 10:40

Blloku sovjetik mori fund kur ra Muri i Berlinit. Aleanca perëndimore, më pak teatralisht, kur peizazhi njerëzor në pompozitetin neurotik të Davosit filloi të ndryshonte. Volodymyr Zelensky ngurron të vijë, duke ndjerë një tallje me veten dhe vendin e tij, i cili i ka rezistuar agresionit të egër për katër vjet.

Në vend të kësaj, pas katër vjetësh, agresori, Rusia, është rishfaqur: Kirill Dmitriev, një produkt i Harvardit, Goldman Sachs dhe McKinsey, por tani një negociator për Vladimir Putin, u shfaq dje në mëngjes në fshatin zviceran me dëborë, duke tallur “rënien e globalizmit”. Sigurisht, Davosi i sotëm, i lënë në hije nga personaliteti jonormal i Donald Trump, e bën atë të ndihet më rehat sesa udhëheqësi ukrainas. Konkretisht, problemi lindi kur Volodymyr Zelensky i telefonoi Donald Trump para se të vinte në Forumin Ekonomik Botëror.

Ai donte të shihte nëse mund të diskutonte me të çështjet e rëndësishme atje, ato të negociatave të vazhdueshme të paqes: garancitë e sigurisë për Ukrainën dhe një angazhim amerikan prej 800 miliardë dollarësh për rindërtim, në këmbim të kërkesës së Putinit për Donbasin.

Kievi është në errësirë, në të ftohtë dhe pa ujë në këtë dimër nën zero, pas shkatërrimit sistematik të termocentraleve nga rusët. Në vend të kësaj, presidenti amerikan u kufizua duke ftuar Zelenskyn të merrte pjesë në të ashtuquajturin “Bordi i Paqes”, të cilin, nga Gaza, Shtëpia e Bardhë do të donte gjithnjë e më shumë ta transformonte në një lloj zëvendësimi për Kombet e Bashkuara.

Një ndryshim midis shumë të tjerëve është se, si “presidenti inaugurues” i këtij “Këshilli të Paqes” – sipas statutit të organizatës që qarkullon aktualisht – Trump do të kishte fuqinë të ftonte ose përjashtonte këdo që dëshiron , të caktonte pasardhësin e tij dhe të mbetej përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara edhe pasi mandati i tij në Shtëpinë e Bardhë të mbaronte.

Në thelb, Trump e sheh veten si një lloj perandori të përjetshëm të “Bordit të Paqes” të tij, i cili supozohet të trajtojë një gamë gjithnjë e më të gjerë çështjesh. Ai ftoi Vladimir Putinin dhe diktatorin bjellorus Aleksandër Lukashenko t’i bashkoheshin, dhe tani donte Zelenskyn. Sipas tij, udhëheqësi ukrainas duhet të braktisë kryeqytetin e tij të shkatërruar dhe të vijë midis të pasurve dhe të famshëmve në Davos pikërisht për këtë arsye: të pranojë të ulet dhe të diskutojë çështje të tjera me Putinin dhe Lukashenkon, dy burrat që punojnë për rrëzimin e tij fizik dhe rrëzimin e Ukrainës si një komb i pavarur.

Zelensky ka lënë gjithçka në pritje. Plani i tij ishte të diskutonte me njerëzit e tij dhe të vendoste gjatë natës midis të martës dhe të mërkurës nëse do ta anulonte apo do ta konfirmonte praninë e tij në Davos, e cila ishte njoftuar zyrtarisht disa ditë më parë. Udhëheqësit e Francës dhe Gjermanisë, Emmanuel Macron dhe Friedrich Merz, gjithashtu refuzuan ftesën për t’u bashkuar me “Bordin e Paqes”, ashtu si edhe Keir Starmer i Britanisë.

Mbërritja e Giorgia Melonit, teorikisht e pritur sot, mbetet për t’u konfirmuar, me të gjitha implikimet politike që do të lidheshin me bashkimin ose refuzimin e organit të ri të shpikur nga Trump.

Sigurisht, diçka nuk mund ta qetësojë Zelenskyn në lidhje me garancitë e sigurisë dhe premtimet e investimeve që Trump po i ofron atij për ta bindur të heqë dorë nga territoret e pretenduara nga Putin. Kjo diçka është spektakli që ishte aty për të gjithë për ta parë dje në Davos: pandershmëria me të cilën Trump po kthehet kundër vendeve evropiane , fajtore për kundërshtimin e pretendimeve amerikane në territorin e njërit prej tyre. Nëse kjo është besueshmëria e Shtëpisë së Bardhë me aleatët e saj të zakonshëm, po bëhet gjithnjë e më e vështirë për ukrainasit të besojnë premtimet e udhëheqësit amerikan.

Sepse Trump, i cili do të flasë në Forum sot, duket se po ndjek një qëllim gjithnjë e më të madh: shkatërrimin e aleancës së krijuar 80 vjet më parë, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, për të vendosur veten si udhëheqës suprem i një fuqie të re që gjithashtu po kriset dukshëm. Kanadaja e Mark Carney-t tashmë është hapur ndaj Pekinit dhe po shqetëson elitat amerikane sepse tani do të mirëpresë makinat kineze, pavarësisht se industria e saj e automobilave ka një lidhje siameze me atë të Shteteve të Bashkuara.

Ndërkohë, një sondazh i kohëve të fundit i RealClearPolitics tregon se vlerësimi i miratimit të Trump – tashmë i ulët – ka rënë edhe dy pikë që nga përshpejtimi i fushatës së Grenlandës (55% tani nuk i miratojnë veprimet e tij). Por besimi i investitorëve në Shtëpinë e Bardhë po ashtu po kriset. Shifrat e rritjes që vetë manjati ose Sekretari i tij i Thesarit vazhduan të recitonin si një lutje dje nga Davosi nuk ndryshojnë asgjë në këtë drejtim.

Sepse kërcënimet e reja tarifore kanë ringjallur një fantazmë që e kishte frikësuar Shtëpinë e Bardhë prillin e kaluar: rënia e papritur dhe e njëkohshme e dollarit kundrejt të gjitha monedhave kryesore dhe obligacioneve qeveritare amerikane. Kjo shënon fundin e borxhit amerikan si një strehë e sigurt dhe strehë përfundimtare në kriza, një humbje potencialisht dramatike e statusit. Kjo kishte ndodhur vetëm, historikisht, pas “Ditës së Çlirimit” të tarifave, duke e detyruar Trumpin të tërhiqej pjesërisht.

Tani rënia e dyfishtë e dollarit dhe obligacioneve qeveritare amerikane po ndodh përsëri, duke hedhur një dritë të ndryshme edhe mbi udhëheqësit evropianë që po tregojnë dinjitet dhe vendosmëri, si Ursula von der Leyen dhe Macron dje në Davos: ato nuk erdhën në malet zvicerane për t’u tallur dhe fyer. Nesër do të jetë radha e Merz-it dhe është e paqartë nëse ai do të gjejë një moment për të folur me Trump-in. Më 6 shkurt, BE-ja pritet të aplikojë hakmarrje për 93 miliardë eurot e para në produktet amerikane , nëse asgjë nuk ndryshon.

Sigurisht, qeveritë e saj mbeten të ndara: Gjermania dhe Italia janë më të kujdesshme në lidhje me Trump-in, ndërsa Franca, Belgjika dhe Spanja janë më vendimtare. Megjithatë, në një pikë, ata (pothuajse) të gjithë bien dakord: të lejosh veten të shantazhohesh pa reaguar mund të dëmtojë më tej atë që ka mbetur nga aleanca./K.M

❌
❌