TIRANË, 26 dhjetor/ATSH/ Këshilli i Ministrave ka vendosur miratimin e rregullave të reja për mbrojtjen e viktimave dhe viktimave të mundshme të trafikimit, duke vendosur shtetin përpara përgjegjësisë direkte financiare dhe operacionale.
Në vendimin e publikuar në Fletoren Zyrtare, për “Procedurat standarde të veprimit”, thuhet se një nga pikat më të rëndësishme të udhëzimit të ri është shkëputja e ndihmës humanitare nga procesi gjyqësor.
Sipas vendimit të propozuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, thuhet se “mbrojtja dhe riintegrimi ofrohen pavarësisht gatishmërisë apo aftësisë së viktimës për të dëshmuar në gjykatë”.
Në këtë vendim, sanksionohet fakti që një grua apo vajzë që është viktimë e trafikimit, do të marrë ushqim, strehim dhe rehabilitim nga shteti, pavarësisht faktit nëse çështja do të trajtohet në gjykatë. Shteti e njeh rehabilitimin jo thjesht si detyrim ligjor, por si masë parandaluese që viktima të mos bjerë sërish pre e rrjetit.
“Çdo personi të identifikuar si viktimë apo viktimë të mundshme të trafikimit do t’i ofrohet ndihmë dhe mbrojtje falas, dhe do t’i garantohet në kohë ndihma dhe mbrojtja e zgjedhur prej tij/saj. Të gjitha procedurat që kanë të bëjnë me viktimat e trafikimit apo viktimat e mundshme të trafikimit do të kryhen në çdo moment, duke marrë masa serioze të ruajtjes së sigurisë”, thuhet në vendim.
Në vendim thuhet se procedurat standarde të veprimit për mbrojtjen e viktimave të trafikimit kanë për qëllim të ofrojnë një kuadër të qartë, të harmonizuar dhe funksional për të gjitha hallkat institucionale shtetërore dhe joshtetërore të përfshira në trajtimin e këtij fenomeni kompleks dhe të ndjeshëm.
“Këto procedura janë ndërtuar mbi parimin e respektimit të të drejtave të njeriut dhe vendosin në qendër të veprimit viktimën, duke siguruar një qasje gjithëpërfshirëse, të ndjeshme ndaj gjinisë, aftësisë së kufizuar dhe moshës, si dhe të përshtatur me nevojat individuale të çdo rasti. Ato synojnë jo vetëm parandalimin e trafikimit, por edhe një përgjigje efektive dhe të koordinuar për identifikimin, mbrojtjen, asistencën, kthimin vullnetar të asistuar dhe riintegrimin e viktimave të trafikimit dhe viktimave të mundshme, pavarësisht nëse janë shtetas shqiptarë apo të huaj, dhe pavarësisht nëse janë të identifikuar brenda apo jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë”, cilësohet në njoftim.
Vendimi shfuqizon aktin e mëparshëm të vitit 2018 dhe vendos theks të veçantë te mbrojtja e fëmijëve, duke parashikuar që në çdo rast vendimmarrja të bazohet në parimin e “interesit më të lartë të fëmijës”.
Po ashtu, parashikohet trajtim i specializuar për kategori specifike si gratë shtatzëna, personat me aftësi të kufizuara apo ata që kanë pësuar trauma të rënda psikologjike.
Për viktimat e huaja në Shqipëri ose shqiptarët jashtë, kthimi në shtëpi do të bëhet vetëm nëse është “vullnetar dhe i asistuar”, dhe pasi të jetë vlerësuar se jeta e tyre nuk është në rrezik në vendin e origjinës.
Për zbatimin e këtij vendimi, ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Financave, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Arsimit, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore.
/e.i/a.f/r.e/
The post Viktimat e trafikimit, shteti merr përgjegjësinë e mbrojtjes edhe pa dëshmuar në gjykatë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.