Në të gjitha qytetet e Shqipërisë u kremtua krishtlindja. Kishat dhe katedralet janë mbushur me besimtarë, të cilët kanë marrë pjesë në meshat solemne dhe ceremonitë fetare.
Drejtuesit shpirtërorë kanë përcjellë mesazhe paqeje, dashurie dhe shprese për familjet shqiptare.
Festa vijon edhe jashtë institucioneve fetare, ku besimtarët e kalojnë këtë ditë të shënuar pranë familjeve dhe të afërmve.
###
TIRANË- Në Tiranë qindra besimtarë katolikë e pritën lindjen e Krishtit në Katedralen “Shën Pali”.
Në mesnatë mesha u mbajt nga Arqipeshkvi i Metropolit Tiranë – Durrës i cili dha mesazhe paqeje dhe dashurie. Ndërsa besimtarët ortodoksë iu drejtuan katedrales “Ngjallja e Krishtit” mëngjesin e të enjtes.
Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë mbajti mesën e liturgjisë hyjnore.
KORÇË- Në këtë mëngjes të Krishtlindjes Korça ka qenë e mbipopulluar.
Shumë vizitorë dhe emigrantë kanë ndjekur në mëngjes meshën e rastit e mbajtur nga Mitropoliti Imzot Anastasi.
Gjatë meshës Mitropoliti i ka kushtuar fjalës së tij familjes, pasi siç u shpreh ai, Krishti ka lindur në çdo familje.
FIER- Krishtlindjet janë kremtuar edhe në kishat e Fierit ku përqendrimi më i madh i besimtarëve ishte në kishën e Shën Gjergjit në Fier.
Mesha përkatëse për lindjen e Jezu Krishtit nisi rreth orës 10:00 por besimtarët u mblidhen në kishë që në orët e para të paradites së 25 dhjetorit. Përveç besimtarëve praktikantë të fesë ortodokse në këtë Krishtlindje kisha e Shën Gjergjit u frekuentua edhe nga shumë të rinj. Kjo sipas tyre është një festë që i bashkon njerëzit.
VLORË- Besimtarët e krishterë kanë festuar krishtlindjet. Mesha e shenjtë e Krishtlindjes në qytetin e Vlorës, u zhvillua në Kishën e Shën Theodhorit drejtuar nga At Konstandin Prifti ndërsa dhjetëra besimtarë janë mbledhur në kishë për të festuar lindjen e Krishtit.
Atmosfera është e mbushur me lutje, qetësi dhe mesazhe paqeje, ndërsa kjo ditë e shenjtë bashkon familjet dhe komunitetin.
At Konstandin Prifti e cilësoi një ditë të madhe për të gjithë besimtarët duke përcjellë edhe urimin për të gjithë shqiptarët.
Sarandë- Mitropoliti Nathanail kremtoi meshën festive në kishën Shen Harallambi, në Sarandë, në praninë e besimtarëve ortodokse.
Gjate meshës, Mitropoliti përcjell mesazhe dashurie, paqeje dhe shprese, duke theksuar rëndësinë e besimit, te bashkimit dhe të ndihmës ndaj atyre qe kane me shume nevojë, sidomos në këtë periudhe të shenjtë.
Pas përfundimit të meshës, u shpërndanë dhurata për fëmijët e Shtëpia e Fëmijës Vangjel Pulla, duke sjellë gëzim dhe buzëqeshje për me të vegjlit.
HIMARË- Himara zgjedh një mënyrë ndryshe për të surprizuar fëmijët.
Këtë vit, Babagjyshi ka mbërritur në qytet nga ajri, ndërsa u prit nga fëmijët buzë detit, të cilët morën dhuratat e festave.
Një zgjedhje ndryshe këtë vit teksa një vit më parë Babagjyshi mbërrinte nga deti.