Pretendimi: Kjo video tregon protesta të vazhdueshme në Tel Aviv për ndalimin e luftës me Iranin
Verdikti: Mungon konteksti
———————————————————
Një video që ka marrë mbi 800 pëlqime në Facebook pretendohet se tregon “protesta të vazhdueshme në Tel Aviv për ndalimin e luftës me Iranin.”
Megjithatë, me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se një version më i gjatë i videos së mësipërme është postuar fillimisht në Instagram më 27 janar 2026, gati një muaj përpara nisjes së luftës mes Izraelit dhe Iranit, më 28 shkurt.
Postimi shoqërohet me përshkrimin: “18 dhjetor, IRIB, Mashhad”, duke iu referuar degës së transmetuesit shtetëror të Iranit (IRIB) në Mashhad, qyteti i dytë më i madh i vendit.
“Të shtëna kundër civilëve përpara ndërtesës së transmetimit shtetëror në Mashhad, Iran. Forcat e sigurisë së Republikës Islamike hapën zjarr me municion të vërtetë ndaj njerëzve të paarmatosur, duke vrarë dhe plagosur disa civilë”, thuhet në përshkrimin e videos.
Megjithëse nuk mundëm të gjejmë vendin e saktë ku është regjistruar video, pasi funksioni i Google Street View nuk funksionon në afërsi të Qendrës së Transmetimit Khorasan Razav, selisë së IRIB në Mashhad, mund të konfirmojmë se regjistrimi është bërë në Iran, pasi një tabelë e madhe me shkrim persisht është e dukshme në fillim të videos. Dhe në fund, mund të shihen detajet e një targe iraniane, me formatin dhe karakteret specifike për targat e vendit, te ndryshme nga ato në Izrael.
Ka patur vërtet protesta kundër luftës në Izrael. Ditët e fundit, mediat ndërkombëtare kanë raportuardemonstrata të pakicave në Tel Aviv kundër luftës në Iran. Megjithatë, agresioni kundër vendit persian në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara është mbështetur nga të gjitha partitë hebraike në Parlamentin izraelit, përfshirë kundërshtarët politikë të Netanyahut, dhe sondazhet e opinionit publik tregojnë se shumica e qytetarëve e mbështesin atë.
Pretendimi: Shqiptari spërkat me benzinë një autobus në Zvicër dhe i vë flakën, duke lënë 6 të vdekur.
Verdikti: E pavërtetë
—————————————————————
Një tragjedi e ndodhur në Zvicër më 10 mars 2026, po keqinterpretohet në rrjete sociale shqipfolëse ku pretendohet se një shqiptar ka spërkatur me benzinë një autobus dhe i ka vënë flakën, duke vrarë 6 persona.
Sipas raportimeve të mediave vendase, gjashtë persona vdiqën dhe pesë u plagosën në zjarrin që ra në një autobus në Kerzers, Freiburg. Autori i dyshuar i krimit ishte gjithashtu midis të vdekurve.
Megjithatë, në asnjë raportim nuk pretendohet se autori i dyshuar i zjarrit ishte shqiptar.
Pasagjeri, i identifikuar si një burrë rreth të 60-ave nga Berna, hodhi benzinë mbi vete dhe i vuri flakën vetes. Ai ishte raportuar më parë i zhdukur nga familja e tij dhe nuk dukej se kishte ndonjë motiv të lidhur me terrorizmin, thanë autoritetet zvicerane.
“Një deklaratë dëshmitari tregoi se një burrë … me origjinë zvicerane hipi në autobus duke mbajtur çanta. Në një moment, ai u lye me një substancë të ndezshme dhe i vuri flakën vetes”, tha prokurori publik i kantonit Fribourg, Raphael Bourquin, në një konferencë për shtyp të mërkurën.
Philippe Allain, një komandant rajonal i policisë, u tha gazetarëve se hetuesit kanë marrë informacion se burri kishte probleme psikologjike.
Një shqiptar ishte në fakt mes të plagosurve të tragjedisë. Sipas medias zvicerane Blick, 32-vjeçari Faton Morina ishte në autobus kur ndodhi zjarrvënia dhe i tregoi menjëherë kushëririt të tij Arbi Berisha.
Një video që qarkulloi në rrjete sociale tregonte sekondat e para të zjarrit në autobus. Në video duket gjithashtu Morina duke thënë, në shqip, “O vëlla, një burrë ia vuri flakën vetes brenda. Ai derdhi benzinë dhe ia vuri flakën vetes.”
Video nga momenti kur Faton Morina ka dalë nga autobusi
Morina pësoi lëndime në disa vende, “kryesisht në duar, hundë dhe këmbë”, tha Arbi Berisha. Fizikisht, kushëriri i tij është mirë. Megjithatë, “ai është aktualisht shumë i traumatizuar”.
Pretendimi: Vdekja e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu është konfirmuar dhe kjo foto tregon trupin e tij
Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI
————————————————————————–
Në media dhe rrjete sociale, përfshi atoshqipfolëse, po qarkullon një imazh që duket se tregon kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu me një plagë në fytyrë duke u nxjerrë nga rrënojat e një ndërtese, shoqëruar me pretendimin se vdekja e tij ishte konfirmuar.
Mospërputhjet pamore tregojnë se imazhi i mësipërm është gjeneruar me programe kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI). Për shembull, lëndimet dhe mavijosjet në fytyrën e Netanyahut duken të panatyrshme. Imazhi është shumë i ‘lëmuar’ dhe pluhuri pranë fytyrës së Netanyahut duket artificial.
Për më tepër, në një version të plotë të imazhit të Netanyahut të veshur me xhaketë, pjesa e xhaketës që po mbajnë shpëtimtarët ndryshon nga pjesa e xhaketës ku janë të ngjitura kopsat.
Deri në momentin e botimit të këtij shkrimi nuk ka asnjë raportim zyrtar apo mediatik të besueshëm se Netanyahu ka vdekur apo është plagosur.
Pas pretendimeve që qarkulluan në rrjet se Benjamin Netanyahu mund të jetë i vdekur ose i plagosur, kryeministri izraelit publikoi një video më 15 mars, ku shihet duke pirë kafe në një kafene dhe duke folur me një ndihmës.
Pretendimi: Zëvendëskryeministri izraelit Yariv Levin është emëruar kryeministër i përkohshëm i Izraelit. Kjo vërteton se kryeministri izraelit benjamin Netanyahu është plagosur ose është vrarë.
Verdikti: E paprovuar
—————————————————————
Në 16 mars 2026, në rrjete sociale, përfshi atoshqipfolëse, nisi të qarkullonte lajmi se zv. kryeministri izraelit Yariv Levin ishte emëruar kryeministër i përkohshëm i Izraelit duke zëvendësuar Benjamin Netanyahun. Postimet gjithashtu pretendojnë se kjo do të thotë se Netanyahu ka vdekur apo është plagosur sa është i paaftë të kryejë detyrat e tij si kryeministër.
Megjithatë, për të mbështetur këtë pretendim nuk sillet asnjë provë, burim apo referencë. Megjithëse postimi i mësipërm i referohet “raporteve të medias,” këto raporte nuk disponohen dhe nuk tregohet se cilat media e kanë raportuar.
Kjo sepse, siç tregon një kërkim i thjeshtë në rrjet, asnjë media nuk ka raportuar se Yariv Levin, Zëvendëskryeministër, Ministër i Drejtësisë, Ministër i Brendshëm dhe Ministër i Shërbimeve Fetare të Izraelit është emëruar si Kryeministër i përkohshëm. Pretendimi duket se e ka origjinën në një postim në platformën X, jo në ndonjë media.
Levin e mori per një kohë të shkurtër rolin e Kryeministrit të përkohshëm në maj 2025, siç raporton media izraelite Ynetnews, kur Benjamin Netanyahu do t’i nënshtrohej një ekzaminimi mjekësor në mëngjesin e 30 majit. Levin e zëvendësoi atë në rolin e tij nga ora 6:00 e mëngjesit deri në përfundimin e procedurës mjekësore.
Pretendimi: Kjo video tregon përleshjet që po shpërthejnë në aeroportin izraelit Ben Gurion teksa qytetarët izraelitë kërkojnë të largohen nga vendi për t’u ikur raketave iraniane
Verdikti: Mungon konteksti
————————————————————————————
Një video që po qarkullon në rrjete sociale në mars 2026, pretendohet se tregon përleshje në aeroportin izraelit Ben Gurion teksa qytetarët izraelitë kërkojnë të largohen nga vendi për t’u ikur raketave iraniane.
Megjithatë, me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se pamje nga video ishin botuar nga media izraelite Ynetnews në Facebook më 20 korrik 2025, muaj përpara se raketat iraniane të nisnin sulmet hakmarrëse ndaj Izraelit.
Sipas përshkrimit të postimit, pamjet tregonin një përleshje masive që kishte shpërthyer mbrëmjen e 20 korrikut 2025 “në Cinema City në Jerusalem midis dhjetëra adoleshentëve hebrenj dhe punonjësve arabë të bufeteve të rrjetit të kinemave. Në dokumentacionin nga vendi i ngjarjes, djemtë mund të shihen duke bërë rrëmujë, duke hedhur sende drejt punonjësve të banakut të ushqimit jashtë kinemave, dhe duke bërtitur “vdekje arabëve.” Punëtorët gjithashtu u kthyen duke hedhur objekte, tre prej tyre u plagosën lehtë dhe nuk kishin nevojë për trajtim mjekësor.”
Shumë aktivistë e dënuan incidentin e dhunshëm në rrjete sociale, duke e konsideruar atë një akt racizmi dhe dhune ndaj një grupi të caktuar njerëzish. Incidenti u raportua në atë kohë edhe nga media të tjera, në arabisht dhe në anglisht.
Pretendimi: Video e fjalimit të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu është gjeneruar me programe të inteligjencës artificiale (AI) sepse Netanyahu shfaqet me gjashtë gishta. Kjo tregon se në të vërtetë ai ka vdekur.
Verdikti: E pavërtetë
———————————————————-
Në mars 2026, në rrjete sociale, përfshi atoshqipfolëse, qarkulloigjerësishtpretendimi se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ishte vrarë. Si dëshmi e këtij pretendimi ofrohet video e një fjalimi të ditëve të fundit, ku ai shfaqet me gjashtë gishta, gjë që tregon se video ishte gjeneruar me programe kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI).
Pamjet e mësipërme janë marrë nga video e konferencës për shtyp të 12 marsit, e botuar nga qeveria izraelite dhe vetë Netanyahu në media sociale. Në fjalimin e tij drejtuar kombit, Netanyahu diskutoi luftën në Lindjen e Mesme dhe sulmet ndaj Iranit dhe Libanit. Kjo ishte konferenca e tij e parë publike që nga sulmi i përbashkët ndaj Teheranit i nisur me Shtetet e Bashkuara më 28 shkurt 2026.
Nuk ka prova që sugjerojnë se video në fjalë është gjeneruar nga inteligjenca artificiale. Shqyrtimi i të gjithë konferencës nuk zbulon asnjë gjurmë të gjashtë gishtërinjve të pretenduar ose mospërputhje të tjera logjike që tregojnë origjinë të gjeneruar.
Në pamjen e mësipërme (minuta 1:49), të përdorur si provë e supozuar, Netanyahu ka pesë gishta. ‘Gishti i gjashtë’ që mund të duket është në të vërtetë pëllëmba e dorës së Netanyahut, siç mund të shihet duke analizuar imazhin statik në detaje. Ajo që duket se është një gisht shtesë është në fakt një pjesë mishtore e dorës së tij që del në pah pranë hijes së gishtit të tij të vogël.
Duke vëzhguar klipin e plotë dhe pamje të tjera nga e njëjta video, është e qartë se Netanyhau ka pesë gishta, siç dallohet nga thonjtë, dhe se anomalia vizuale zhduket kur këndi i dorës dhe ndriçimi ndryshojnë.
Postimet në rrjete sociale e ngatërrojnë vizualisht eminencën hipotenare, emri për fryrjen në bazën e gishtit të vogël të njeriut, të dorës së tij me një gisht të gjashtë. Pas këtyre akuzave, Netanyhau publikoi në rrjetet sociale në 14 mars një video ky shfaqej duke blerë kafe në një lokal të thjeshtë në Jeruzalem të quajtur The Sataf. “Po vdes për kafe”, ishte përgjigja e tij ironike, duke treguar gishtat e dorës para kamerës.
Përshkallëzimi i konfliktit mes Iranit dhe Izraelit, i shkaktuar nga vrasja e udhëheqësit iranian Ali Khamenei në një sulm izraelito-amerikan ndaj Teheranit më 28 shkurt, u shoqërua me një vërshim dezinformimi në media dhe rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse.
Faktoje ka verifikuar dhe përgënjeshtruar disa prej tyre në dy javët e fundit.
Gjeni më poshtë një përmbledhje.
Panik për mbledhje klikimesh
Një numër postimesh u mbështetën në tituj dhe tone sensacionaliste për të bërë shumë zhurmë për asgjë. Për shembull, në një metodë tipike të peshkimit për klikime, faqe në Facebook pretendonin se “Irani nis sulme drejt Evropës. Shumë afër Maqedonisë dhe Shqipërisë,” duke i ftuar përdoruesit e alarmuar të zbulojnë detajet e fundit në një artikull të lidhur në komente.
Megjithatë, në brendinë e artikullit, zbulohet se bëhej fjalë për dy raketa që Irani lëshoi drejt Qipros, rreth 1340 km larg Shqipërisë, në vijë ajrore, ku ka dy baza ushtarake Mbretëria e Bashkuar.
Vendosmëria për të mbledhur klikime me anë të ngjalljes së panikut qëndron edhe pas një postimi të shpërndarë në mënyrë identike nga dhjetëra faqe në Facebook, që lajmëronte tensionim të situatës pasi “Rusia futet në lojë,” shoqëruar me ftesën e zakonshme për klikime për të mësuar më shumë. Ndërkaq, pasi lexuesi/ja e klikon, ai/ajo zbulon se artikulli citon një deklaratë të Ministrisë së Jashtme ruse që dënon sulmin amerikano-izraelit kundër Teheranit, por nuk përmban asnjë kërcënim, zotim apo insinuatë se Rusia ka ndërmend të përfshihet në konflikt, apo të “futet në lojë” Përkundrazi, në mënyrë gati ironike, duke marrë parasysh luftën 4-vjeçare në Ukrainë, deklarata përfundon me një thirrje për diplomaci dhe zgjidhje paqësore.
Një tjetër ‘lajm’ që u shpërnda gjerësisht në peizazhin mediatik shqipfolës ishte pretendimi se Irani do të sulmonte bazën e Muxhahedinëve, një grupi opozitar iranian që strehohet në Manëz që në 2018.
Siç Faktoje ka sqaruar në një artikull të mëparshëm, ky pretendim bazohet vetëm në artikullin e një medie azere, i cili citonte një deklarate të fshirë nga një kanal jo-zyrtar.
Lufta e gjeneruar
Pamjet e gjeneruara me anë të programeve të inteligjencës artificiale (AI) kanë lulëzuar në kontekstin e konfliktit.
Një sërë mediash dhe faqesh në rrjete sociale qarkulluan pa verifikuar një imazh të gjeneruar me AI si të ishte vërtet një pamje e kufomës së Ali Khamenei nën rrënoja. Kjo paçka faktit se që në sy të parë në imazh spikasin disa gabime logjike. Asnjë nga shpëtuesit nuk duket se ka interes për trupin, por përkundrazi po shikon me vëmendje pllakën e betonit mbi të. Ndërkaq, burri në të djathtë ka hipur mbi pllakën masive të betonit që po shtyp viktimën, duke i shtuar peshën e plotë trupit të tij.
Një video e gjeneruar me AI u shpërnda nga mediat si video reale e sulmit iranian në Aeroportin Ndërkombëtar të Dubait mbrëmjen e 28 shkurtit, megjithëse ajo, gjithashtu, përmbante mospërputhje logjike të dukshme: sjellja e pakuptimtë e njerëzve që rreshtohen përpara sporteleve bosh apo vrapojnë drejt shpërthimit, në vend që të ikin prej tij; njerëzit që sfidojnë ligjet e materies duke kaluar tejpërtej ndarjeve të hekurta, duke u bashkuar me njëri tjetrin, apo zhduken ndërsa ecin; dhe një shkrim i pakuptimtë, megjithëse në stilin e alfabetit arab, që shfaqet në ekranet e mëdhenj.
Një imazh i gjeneruar që dukej se tregonte tre vizatime avionësh luftarakë, njëri prej të cilëve ishte bombarduar, qarkulloi me pretendimin se Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë sulmuar siluetat e avionëve luftarakë F-4 Phantom II në një bazë ajrore në Iran, duke pretenduar se kjo ishte një taktikë iraniane për t’i bërë amerikanët dhe izraelitët të shpërdorojnë armë të shtrenjta.
Një video e gjeneruar me pamje shpërthimesh kinematografike në horizontin e një qyteti, qarkulloi gjithashtu në rrjete sociale si pamje të raketave iraniane balistike që godasin Tel Avivin në mars 2026.
Shmangia e shpërndarjes së pamjeve të gjeneruara me AI si të vërteta nuk është gjithmonë e vështirë apo e komplikuar. Një kërkim pamor me Google Lens, në skedën “About this image” (“Rreth këtij imazhi”) tregon nëse imazhi është etiketuar si “I bërë me Google AI” duke zbuluar një gjurmë SynthID.Një zëdhënës i Google ka thënë për AFP se kur zbulohet një gjurmë SynthID, kjo do të thotë që “imazhi është gjeneruar ose modifikuar me AI.” SynthID, i lançuar nga laboratori DeepMind AI i Google në 2023, identifikon imazhet e gjeneruara me Google AI.
Përdorimi i pamjeve reale që nuk kanë lidhje me konfliktin
Përveç pamjeve të gjeneruara, edhe ato reale, po përdoren për të dezinformuar online, duke u përshkruar si të lidhura me konfliktin kur nuk janë.
Një video që pretendohet se tregon një godinë të Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA) në Dubai të goditur nga raketat iraniane, në të vërtetë tregon një zjarr që shpërtheu në Sharjah, 30 km larg Dubait, në 2015, mbi 10 vite para sulmit iranian në Dubai.
Një video që pretendohet se tregon ushtarë izraelitë që prishin kamerat e sigurisë nëpër rrugë në mënyrë që mos shihen dëmet nga raketat iraniane, në fakt ishte postuar që në 2025 nga policia e Galilesë Perëndimore si pamje nga një aksion për të hequr kamera të jashtëligjshme të vendosura nga kriminelët.
Ndërsa një video që pretendohej se tregonte qytetarë izraelitë që po arratisen nga mali në Mars 2026 nga frika e luftës, gjithashtu qarkullonte në rrjet që në 2025, dhe tregonte një grup njerëzish një mal në Nepal teksa shkonin për të mbledhur një kërpudhë të rrallë dhe të çmuar.
Vdekje të parakohshme dhe deklarata patriotike të rreme
Në rrjete sociale qarkulluan gjithashtu një numër lajmesh të rreme sa i përket vdekjeve të figurave të rëndësishme ushtarake dhe politike izraelite. Komandanti i Forcave Ajrore izraelite Tomer Bar dhe Ministri Izraelit i Mbrojtjes, Yisrael Katz, u bënë vikima të parakohshme të raketave iraniane, megjithëse imazhe dhe artikuj të botuara në mediat vendase dhe ndërkombëtare i tregojnë të dy të gjallë.
Lajmërimet e vdekjes në 28 shkurt dhe 1 mars
Tomer Bar, i pari majtas, dhe Israel Katz, i dyti majtas, në një takim të mbajtur nga Katz, më 2 Mars për të vlerësuar situatën në një bunker të Forcave Ajrore.
Ndërkaq, futbollisti iranian Mehdi Taremi u çua parakohe në luftë nga mediat sportive, paçka faktit se ai ka folur vazhdimisht publikisht për të denoncuar represionin e regjimit të Ajatollahëve dhe agjenti i tij i ka mohuar publikisht pretendimet se Taremi do të linte ekipin grek Olympiacos për të shkuar në luftë për Iranin.
Përfundim
Megjithëse informimi në kohëra konfliktesh përballet me një numër sfidash si pasojë e vetë natyrës së konflikteve, dezinformimi i hasur nga Faktoje në rrjetet sociale dhe peizazhin mediatik shqipfolës kryesisht duket se buron nga mungesa e verifikimit të burimeve apo mendimi bazë kritik.
Siç dëshmohet nga mbishkrimi “ARKIVAT E FORCAVE TË ARMATOSURA //PAMJET E RENDERIZUARA”, ajo është një simulim i gjeneruar nga kompjuteri.
“Pamjet e renderizuara” është një term që i referohet procesit të konvertimit të pamjeve video të papërpunuara ose imazheve të gjeneruara nga kompjuteri në një format video përfundimtar.
Pamjetë vërtetanga sulmet, të botuara nga mediat vendase dhe ndërkombëtare, nuk përputhen me renderizimin dramatik që shihet në videon që po qarkullon në rrjete sociale.
Një shpërthim i shkaktuar nga një goditje me predhë pasi Irani lëshoi raketa në Izrael në Tel Aviv, Izrael, më 28 shkurt. REUTERS/Gideon Markowicz
Pretendimi: Kjo video tregon qytetarë izraelitë që po arratisen nga mali nga frika e luftës
Verdikti: Mungon konteksti
———————————————————
Një video që ka marrë mbi 700 pëlqime në Facebook pretendohet se tregon qytetarë izraelitë që po arratisen nga mali në mars 2026 nga frika e luftës me Iranin.
Me anë të motorrit të kërkimit Google Lens, Faktoje gjeti se video e mësipërme është publikuar, ndër të tjera, në 17 qershor 2025 në X/Twitter me mbishkrimin “Refugjatë iranianë po arratisen në Afganistan.”
Megjithatë, video qarkullon në rrjet që nga 1 qershori 2025. Ajo është postuar nga llogariInstagrami të bazuara apo që flasin për Nepalin.
Sipas përshkrimeve të videove, njerëz nga Dolpa dhe rrethet fqinje në Nepal janë duke udhëtuar nëpër livadhet alpine për sezonin e korrjes së Yarsagumba.
Me anë të Google Lens, Faktoje gjeti edhe një artikull mbi Yarsagumba, një kërpudhë shumë e vlerësuar, në Nepal, që përfshinte një foto nga e njëjta vendndodhje.
Si përfundim, video që po qarkullon online nuk tregon izraelitë duke iu arratisur luftës në mars 2026, por një grup njerëzish që po nisen në një mal në Nepal për të mbledhur një kërpudhë të rrallë dhe të çmuar.
Pretendimi: Kjo video tregon ushtarë izraelitë që prishin kamerat e sigurisë nëpër rrugë në mënyrë që mos shihen dëmet nga raketat iraniane në mars 2026
Verdikti: Mungon konteksti
———————————————————-
Në mars 2026, ndërsa Irani dhe Izraeli shkëmbejnë sulme raketash, në rrjetet sociale shqipfolëse po qarkullon një video që pretendohet se tregon ushtarë izraelitë që prishin kamerat e sigurisë nëpër rrugë në mënyrë që mos shihen dëmet nga raketat iraniane.
Me anë të motorit të kërkimit Google Lens, Faktoje gjeti se video e mësipërme është postuar fillimisht në tetor 2025 në Instagram nga policia e Galilesë Perëndimore, rajoni verior i Izraelit i njohur si Galilmaravi.
Sipas përshkrimit që shoqëron postimin, ky ishte një operacion që shënjestronte instalimin e kamerave nga organizatat kriminale. “Policia nga stacioni i Galilesë Perëndimore vazhdon të çmontojë kamerat e instaluara nga organizatat kriminale”, thuhet në postim.
Operacione të ngjashme janë raportuar nga një mediavendaseizraelite. Në vitin 2024 dhe në vitin 2025, ajo raportoi operacione kundër trafikimit të drogës ose aktiviteteve të tjera kriminale në të cilat u çmontuan pajisjet e mbikëqyrjes të vendosura nga kriminelët.
Policia e Galilesë Perëndimore ka ndarë edhe video të tjera të këtyre operacioneve, më e fundit në shkurt 2026, të cilat tregojnë se policia hoqi gjashtëmbëdhjetë kamera të vendosura në mënyrë të paligjshme nga kriminelët që “shkelin hapësirën publike dhe ndikojnë në sigurinë dhe privatësinë e banorëve”.
Kështu, video e mësipërme është postuar në rrjet që në 2025, dhe nuk ka se si të tregojë përpjekjet e ushtrisë izraelite për të fshehur dëmet që mund të kenë shkaktuar raketat iraniane të nisura si hakmarrje ndaj sulmeve amerikano-izraelite në mars 2026.
Shtretërit mjekësorë çudibërës, të quajtur ‘medbeds’, vijojnë të ngërthejnë imagjinatën në rrjetet sociale. Së fundmi, në rrjetet shqipfolëse, po qarkullon pretendimi se “teknologjia medbed” eleminon diabetin duke “rikalibruar pankreasin.”
“Shtretërit mjekësorë”, në anglisht “medbeds”, janë një koncept që e ka origjinën tek ndjekësit e teorisë konspirative QAnon, sipas së cilëve, medbeds janë zhvilluar nga ushtria (në disa versione duke përdorur teknologji aliene) dhe janë duke u përdorur tashmë nga familjet më të pasura dhe të fuqishme në botë. Sipas besimtarëve, shtretërit mjekësorë janë teknologji që mund të shërojnë ADN-në, të rigjenerojnë organet dhe të kthejnë rininë. Sipas disa ndjekësve, kur Donald Trump do të bëhet president do të zbulonte ekzistencën e këtyre pajisjeve dhe do t’i bënte falas për gjithë amerikanët.
Nuk ka asnjë literaturë nga komuniteti mjekësor global që thotë se një pajisje e tillë ekziston. As shkenca për të krijuar një pajisje të tillë, e cila tingëllon sikur ka dalë nga ndonjë film fantastiko-shkencor, nuk ekziston. Nuk ka asnjë mënyrë të njohur për të kthyer pas plakjen.
Diabeti mellitus (DM) një sëmundje kronike, e cila shfaqet kur pankreasi nuk prodhon aspak ose prodhon një sasi të pamjaftueshme insuline, karakterizohet nga hiperglicemia (rritja e sheqerit në gjak), si rezultat i sasisë së pamjaftueshme ose absolute të insulinës (një ndër hormoneve kryesore që prodhon pankreasi). Vlerat normale të sheqerit në gjak janë nga 70-110 mg/dl. Për një person me diabet, vlerat e sheqerit 2 orë pas buke, duhet të jetë > 140 mg/dl. Diabeti është një sëmundje që prek një numër të madh personash në të gjithë botën.
Studimet e kryera së fundmi tregojnë se nuk ka një kurë për diabetin deri më tani, por vetëm trajtime për ta mbajtur nën kontroll.
Terapitë dhe stili i jetesës mund të ndikojë në reduktimin e efekteve të diabetit te njeriu. Aktualisht nuk ekziston një kurë për diabetin, por sëmundja mund të shkojë në remision. Kur diabeti kalon në remision, kjo do të thotë se trupi nuk shfaq asnjë shenjë diabeti, megjithëse sëmundja teknikisht është ende e pranishme.
Teoria konspirative e medbeds “shërben për dy qëllime profetike”, tha për The Daily Beast Sara Aniano, nga Universiteti Monmouth, që studion retorikën e së djathtës ekstreme dhe ka dokumentuar përhapjen e mitit të medbeds.
Nga njëra anë ajo premton një të ardhme të afërt në të cilën kompanitë e mëdha farmaceutike janë të panevojshme. “Pastaj sigurisht që është tërheqja më e dukshme e të paturit një makineri magjike, versionet e së cilës mund të të diagnostikojnë menjëherë ose të të shërojnë menjëherë”, tha Aniano. “Disa mund të rrisin përsëri pjesë të humbura të trupit. Pra, padyshim, ka shumë shpresë që i shërben një narrative shumë tërheqëse për ata që e besojnë këtë.”
Kjo teori konspirative është shfrytëzuar nga persona të ndryshëm për të mashtruar besimtarët që shpresojnë në aftësitë çudibërëse të këtyre pajisjeve për të shëruar probleme të rënda shëndetësore.
Tesla BioHealing, është një nga kompanitë e shumta që shet atë që ata e përshkruajnë si “medbed”, ndonjëherë për dhjetëra mijëra dollarë. Kjo kompani ofron medbed për shtëpinë në vlerën e 19,999 dollarëve, megjithëse një orë në një nga dhomat e tyre të motelit me medbed do t’ju kushtojë vetëm 160 dollarë.
Edhe pse kompani të tilla listojnë një sërë sëmundjesh që pretendojnë se mund të ndihmohen nga teknologjitë e tyre dhe ofrojnë dëshmi nga klientët e kënaqur, ato sigurohen gjithashtu të thonë se produktet e tyre nuk kanë për qëllim të zëvendësojnë trajtimet nga një mjek i kualifikuar, një mënyrë për t’u ruajtur nga paditë e mundshme që përdoruesit mund të sjellin kundër tyre kur shtrati çudibërës të rezultojë jo aq i plotfuqishëm sa shitet.
Faktoje ka përgënjeshtruar dhe më parë pretendime lidhur me medbeds dhe një sërë këshillash dhe kurash të rreme që kanë qarkulluar online për të kuruar diabetin.
Pretendimi: Maldivet ndërpresin të gjitha lidhjet me Izraelin dhe ndalojnë të gjitha produktet izraelite.
Verdikti: Mungon konteksti
——————————————————
Në mars 2026, ndërsa Irani dhe Izraeli shkëmbejnë sulme raketash, në rrjetet sociale shqipfolëse nisi të qarkullonte pretendimi se Maldivet ndërprenë të gjitha lidhjet me Izraelin dhe ndaluan të gjitha produktet izraelite.
Ky lajm teknikisht është i vërtetë, por është mbi 50 vite i vjetër.
Ndërsa marrëdhëniet diplomatike midis dy vendeve janë pezulluar që nga viti 1974, Maldivet ndaluan importin e mallrave izraelite pothuajse 12 vjet më parë, në 2014.
Në vitin 2024, vendi me shumicë myslimane iu bashkua një çështjeje gjyqësore ndërkombëtare që akuzonte Izraelin për kryerjen e gjenocidit kundër palestinezëve gjatë luftës në Gaza.
Një zëdhënës i Zyrës së Presidentit të Maldiveve tha për Reuters: “Maldivet vendosën marrëdhënie diplomatike me Izraelin në vitin 1965. Këto marrëdhënie u ndërprenë në vitin 1974 dhe marrëdhëniet diplomatike kanë mbetur të pezulluara që atëherë.”
Ndërkohë, arkipelagu në Oqeanin Indian i njohur zyrtarisht si Republika e Maldiveve, vendosi një ndalim për importin dhe shitjen e të gjitha mallrave të prodhuara në Izrael më 26 korrik 2014, sipas një njoftimi për shtyp të Zyrës së Presidentit. Vendi ndaloi hyrjen për mbajtësit e pasaportave izraelite në vitin 2025.
Pretendimi: Këto imazhe tregojnë tre burra algjerianë që u arrestuan pasi u maskuan si dele për të kaluar kufirin në Spanjë
Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI
——————————————————————–
Në mes të shkurtit 2026, në rrjetetsocialeshqipfolëse nisën të qarkullonin imazhe të tre burrave të veshur si dele, që pretendohet se ishin 3 algjerianë, të cilët u arrestuan teksa përpiqeshin të kalonin kufirin në Spanjë të maskuar si dele.
Një kontroll i lajmeve ndërkombëtare dhe njoftimeve zyrtare nga autoritetet algjeriane, policia spanjolle dhe Europol tregon se nuk ekziston asnjë rast i raportuar për persona të maskuar si dele që tentuan të hynin në Spanjë. Një episod i tillë nuk figuron as në bazat e të dhënave të mediave ndërkombëtare dhe nuk ka asnjë deklaratë të institucioneve ligjzbatuese që e mbështet historinë.
Më 27 janar 2026, Spanja miratoi një plan për të legalizuar qëndrimin e rreth 500 mijë migrantëve pa dokumente.
Në vitin 2025, Rruga Perëndimore Mesdhetare u bë pika kryesore e hyrjes së Spanjës, me më shumë se 19,400 mbërritje, sipas Qendrës së Migracionit të Përzier. Nisjet nga Algjeria dominuan rrugën, pavarësisht se ky vend nuk ndan një kufi tokësor me Spanjën. Qindra njerëz vdesin ose zhduken çdo vit në këtë rrugë për shkak të kushteve të vështira dhe anijeve të papërshtatshme për lundrim.
Në gusht 2025, Europol raportoi përpjekjet e autoriteteve spanjolle për të shkatërruar një rrjet kontrabande që sillte migrantë nga Algjeria në Spanjë me anije.
Megjithatë, imazhet që pretendojnë të tregojnë tre algjerianë me kostume delesh janë të gjeneruara nga programe kompjuterike me inteligjencë artificiale (AI).
Në imazhin e gjunjëzuar, maskat e deleve duken jashtëzakonisht të gjalla.
Në imazhin tjetër, vetëm burri i parë ka një bri, i cili është më i gjatë dhe me formë të ndryshme. Dora e burrit të mesëm është gjithashtu e paplotë, duke u bashkuar në mënyrë të panatyrshme me krahun e burrit të tretë.
Vlen të përmendet se dy koka kostumesh që ngjajnë me lodra prej pelushi ndodhen në tokë, megjithatë vetëm një nga treshja e arrestuar është i pamaskuar në imazhin që i tregon ata në këmbë.
Uniformat e policisë gjithashtu ndryshojnë ngjyrë midis imazheve, blu në njërën dhe jeshile të errët në tjetrën. Përveç kësaj, gishtat e oficerëve duken të deformuar në të dyja imazhet, një defekt i zakonshëm në pamjet e gjeneruara nga inteligjenca artificiale.
Fakotje ka përgënjeshtruar dhe më parë një imazh që pretendonte se tregonte tre burra të maskuar si dele që të kalonin kufirin në Spanjë.
Pretendimi: Kjo video tregon pamje të raketave iraniane balistike që godasin Tel Avivin në mars 2026
Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI
———————————————————–
Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon një video që pretendohet se tregon goditjen e qytetit izraelit Tel Aviv nga raketat iraniane. Pamjet shfaqin rënien në formë breshëri të dhjetra raketave në të njëjën zonë të mbushur me kulla të larta të një qyteti.
Ne videon e mësipërme vihen re disa mospërputhje. Elemente të videos, si format e pazakonta të ndërtesave dhe makinave, ngrenë dyshime se videoja është krijuar duke përdorur programe kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI). Përveç kësaj, videoja përmban gabime vizuale që janë tipare të zakonshme të videove të inteligjencës artificiale, duke përfshirë përfaqësime të ekzagjeruara dhe joreale të lëvizjes së raketave, dendësisë së tymit dhe natyrës së shpërthimit. Ndër më të dukshmet janë edhe shtrembërimet në panelet diellore të instaluara nëpër tarraca, automjetet me përmasa dhe detaje të paqëndrueshme, si dhe përsëritja pothuajse identike e ballkoneve dhe dritareve në apartamente të ndryshme.
Disa nga makinat në video duken të paplota, ndërsa të tjerat duken të ngjitura së bashku ose të shtrembëruara.
Për më tepër, dy vinça ndërtimi shfaqen mbi njërën nga ndërtesat vetëm kur videoja fokusohet në zonën e goditjes.
Nga ana tjetër, në plan të parë të videos, një flamur izraelit është i dukshëm në një ballkon, i kthyer nga brenda në vend që të jetë jashtë, siç do të ishte tipike. Flamujt shpesh shfaqen në përmbajtjen e gjeneruar nga inteligjenca artificiale kur kërkesa fillestare përmban emrin e një vendi, pasi kjo është një mënyrë e thjeshtë që inteligjenca artificiale ta përfaqësojë atë.
Në fakt, me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Fakotje gjeti se video ishte postuar fillimisht në Instagram nga një llogari e cila e ka etiketuar videon si të krijuar me AI.
Pretendimi: Kjo është një video e botuar në 2026 nga ushtria izraelite, e cila pretendonte se këta ishin avionë luftarakë iranianë të shkatërruar, por rezultoi të ishte një model letre i një avioni luftarak iranian.
Verdikti: Mungon konteksti
————————————————–
Kohët e fundit, përdoruesit e rrjeteve sociale qarkulluan një video që pretendohet se ishte botuar në 2026 nga ushtria izraelite, e cila pretendonte se këta ishin avionë luftarakë iranianë të shkatërruar, por rezultoi të ishte një model letre i një avioni luftarak iranian.
Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se klipi u publikua më 16 qershor 2025, nga ushtria izraelite, e cila tha se tregonte shënjestrimin e dy avionëve F-14 në Aeroportin e Teheranit gjatë konfrontimit ushtarak midis Izraelit dhe Iranit në atë kohë.
F-14, një lloj avioni i nxjerrë nga qarkullimi prej kohësh në Marinën Amerikane, është në shërbim të kufizuar me Forcat Ajrore të Republikës Islamike të Iranit (IRIAF). IDF njoftoi “një sulm ndaj dy avionëve luftarakë F-14 që ndodheshin në një aeroport në Teheran”, duke shtuar se “këta avionë kishin për qëllim të kapnin avionë izraelitë”. Në atë kohë, Irani e hodhi poshtë pretendimin, duke thënë se avionët e shkatërruar ishin vetëm makete.
Sipas kompanive të armëve nga të cilat furnizohen Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli, avionët luftarakë modernë kanë një rrjet të sofistikuar sensorësh radarësh elektronikë, termikë dhe të lidhur me rrjetin për të zbuluar objektivat e tyre, në vend të vëzhgimit të drejtpërdrejtë pamor, gjë që u lejon atyre të identifikojnë dhe të godasin me saktësi objektivat nga distanca shumë të gjata.
Megjithatë, çfarë është e sigurt është se video e mësipërme nuk është nga bombardimet e vitit 2026 ndaj Iranit, por të gjysmë viti më parë, në qershor 2025.
Pretendimi: Ky imazh tregon disa vizatime avionësh, nje prej të cilëve është bombarduar
Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI
——————————————————-
Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon një imazh që pretendohet se tregon dy vizatime avionësh luftarakë, njëri prej të cilëve duket se është bombarduar.
Megjithëse postimi i mësipërm nuk ofron shumë kontekst, një kërkim me motorin pamor Google Lens zbuloi se imazhi ka qarkulluar në rrjet specifikisht me pretendimin se Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë sulmuar siluetat e avionëve luftarakë F-4 Phantom II në një bazë ajrore në Iran, duke pretenduar se kjo ishte një taktikë iraniane për t’i bërë amerikanët dhe izraelitët të shpërdorojnë armë të shtrenjta.
Megjithatë, një kërkim pamor me Google Lens tregon se imazhi është etiketuar si “I bërë me Google AI.” Një zëdhënës i Google ka thënë për AFP se kur zbulohet një gjurmë SynthID, kjo do të thotë që “imazhi është gjeneruar ose modifikuar me AI.” SynthID, i lançuar nga laboratori DeepMind AI i Google në 2023, identifikon imazhet e gjeneruara me Google AI.
Sipas kompanive të armëve nga të cilat furnizohen Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli, avionët luftarakë modernë kanë një rrjet të sofistikuar sensorësh radarësh elektronikë, termikë dhe të lidhur me rrjetin për të zbuluar objektivat e tyre, në vend të vëzhgimit të drejtpërdrejtë pamor, gjë që u lejon atyre të identifikojnë dhe të godasin me saktësi objektivat nga distanca shumë të gjata.
Teknikat e kamuflimit të objekteve ushtarake janë të njohura gjatë Luftës së Dytë Botërore. kur aleatët krijonin tanke dhe avionë që fryheshin me ajër për të mashtruar pilotët nazistë nga ajri. Suksesi i këtyre metodave ishte i garantuar në teknologjinë e kohës, kur mungonin pajisjet moderne dhe vëzhgimi bazohej në aftësitë e shikimit të pilotëve.
Pretendimi: Kjo video tregon goditjen e një rakete iraniane në një ndërtesë të CIA në Dubai
Verdikti: E pavërtetë
————————————————————-
Që nga sulmi i përbashkët i ShBA dhe Izraelit ndaj Iranit, i cili filloi më 28 shkurt 2026, Irani është përgjigjur me kundërsulme ndaj objektivave në rajonin e Gjirit Persik. Raketat kanë rënë edhe në Dubai. Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon një video që pretendohet se tregon një godinë të Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA) në Dubai të goditur nga këto raketa.
Wshtë e vërtetë se Dubai ka pësuar një sërë sulmesh raketore nga Irani që nga 28 shkurti. Autoritetet thanë se shpërthimet tronditën ishullin artificial Palm Jumeirah të Dubait dhe mbetjet e një droni shkaktuan një zjarr në hotelin luksoz Burj Al Arab.
Megjithatë, video e mësipërme nuk tregon pasojat e sulmeve iraniane në 2026.
Me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video është filmuar mbi 10 vite më parë.
Një video e ngjashme e kësaj ndërtese në flakë u postua më 1 tetor 2015, në YouTube nga media e Emirateve të Bashkuara Arabe, The National. Përshkrimi i videos thotë se një zjarr shpërtheu në Sharjah, në një kullë banimi në Rrugën King Faisal.
Sipas një artikulli të BBC, të botuar më 1 tetor 2025, një ndërtesë shumëkatëshe banimi në Sharjah të Emirateve të Bashkuara Arabe ishte përfshirë nga flakët, duke ngritur në ajër re tymi të zi të dendur. Artikuj të tjerë lajmesh nga Tetori 2025 përmendin zjarrin që ndodhi në Kullën Nasser. Zjarri u vu nën kontroll pa u raportuar për viktima
Ndërtesa në Sharjah mund të shihet edhe në Google Maps dhe Street Vieë. Fotot datojnë nga Maji 2015, disa muaj para zjarrit. Kulla Nasser, e dallueshme nga vija blu në anën e ngushtë të ndërtesës, dhe ndërtesa më e vogël me ngjyrë krem pranë saj janë identike me ndërtesat në videon e mësipërme.
Krahasim i videos së pretenduar në Dubai (majtas) dhe pamje nga Sharjah (djathtas) tregon se kemi të bëjmë me të njejtin vend
Pra, video është e vjetër dhe nuk ka të bëjë me ngjarjet e vitit 2026 në Lindjen e Mesme. Gjithashtu, ende nuk ka raportime të besueshme për një sulm iranian ndaj një ndërtese të CIA në rajon.
Pretendimi: Futbollisti iranian Mehdi Taremi ka deklaruar se do të lërë ekipin grek Olympiacos për të shkuar në luftë për Iranin
Verdikti: E paprovuar
————————————————————–
Ndërsa Irani dhe Izraeli shkëmbejnë sulme raketore pas vrasjes së udhëheqësit iranian Ali Khamenei nga një sulm amerikano-izraelit më 28 shkurt, në rrjetesociale, përfshiatoshqipfolëse, po qarkullonlajmi se futbollisti me origjinë iraniane Mehdi Taremi ka deklaruar se do të largohet nga ekipi i tij Olympiacos për të luftuar për Iranin.
Taremi citohet të ketë deklaruar se “ky është momenti kur vendi im ka më shumë nevojë për mua.”
Megjithatë, ky lajm është i pavërtetë.
Mehdi Taremi nuk ka deklaruar kurrë publikisht se dëshiron të kthehet në Iran për të luftuar në mbrojtje të tij, as nuk e ka thënë citimin që i atribuohet.
Për më tepër, Taremi njihet për kritikat e tij të forta ndaj regjimit të Ajatollahëve për vite me radhë dhe ka folur vazhdimishtpublikisht për të denoncuar represionin e tij.
Zyra e shtypit e ekipit të tanishëm të Taremit, Olympiacos, konfirmoi për kolegët italianë të verifikimit të fakteve Facta se lajmi është plotësisht i pabazë. Presidenti i ekipit, Kostas Karapapas, si dhe agjenti i Taremit, Federico Pastorello, gjithashtu e mohuan këtë lajm në Instagram.
“Në orët e fundit, kanë qarkulluar deklarata që i atribuohen Mehdi Taremit, të cilat nuk pasqyrojnë realitetin e situatës. Lojtari është plotësisht i përqendruar në punën e tij, në Athinë, dhe në rrugën e tij profesionale, me përkushtim dhe vendosmëri. Në një periudhë delikate si kjo, është e rëndësishme të shmangen interpretimet jashtë kontekstit ose rindërtimet e pasakta. Ne kemi besim në ndjenjën e përgjegjësisë dhe respektit të të gjithëve,” lexonte deklarata e plotë nga Pastorello.
Shënim:Data 10 mars 2026 faqja TV21 e ka korigjuar lajmin, pas verfikimit të Faktoje. Lajmit të raportuar i është ndryshuar vlerësimi fillestar në Facebook.
Shënim:Data 10 mars 2026 faqja Katër Anët e ka korigjuar lajmin, pas verfikimit të Faktoje. Lajmit të raportuar i është ndryshuar vlerësimi fillestar në Facebook.
Pretendimi: Të dhënat e fundit të sinjalit të gjurmimit të Netanyahut nga një bazë të dhënash e Mossad, e hakuar nga grupet kibernetike pakistaneze, konfirmojnë se ai është diku në një bunker në Berlin, në Gjermani.
Verdikti: E paprovuar
————————————————-
Ndërsa Irani dhe Izraeli shkëmbejnë sulme raketore pas vrasjes së udhëheqësit iranian Ali Khamenei, në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, qarkulloi pretendimi se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu po fshihet këto ditë diku në Berlin.
Postimi i mësipërm pretendon gjithashtu se “të dhënat e fundit të sinjalit të gjurmimit të Netanyahut nga një bazë të dhënash e Mossad, e hakuar nga grupet kibernetike pakistaneze, konfirmojnë se ai është diku në një bunker në Gjermani.”
Megjithatë postimi nuk shoqërohet me ndonjë burim apo referencë se nga vjen ky informacion.
Zanafilla e pretendimit mund të jetë lajmi që qarkulloi në media, bazuar mbi të dhënat e shërbimit të gjurmimit të fluturimeve Flightradar24, se avioni i qeverisë izraelite u nis nga Izraeli herët pasditen e 28 shkurtit dhe bëri një rrotullim mbi Mesdhe përpara se të fluturonte për në Gjermani në mbrëmje.
Sipas Reuters, burime nga qeveria gjermane thanë se Izraeli e ka dërguar avionin e tij qeveritar në Gjermani dhe e ka parkuar atë në aeroportin e Berlinit për siguri. Fluturimi ishte regjistruar paraprakisht nga qeveria izraelite, thanë burimet qeveritare, duke shtuar se në bord ishin vetëm anëtarët e ekuipazhit.
Megjithatë, nuk ka prova që Netanyahu ishte në avion.
Një fotografi e postuar nga zyra e tij e tregon atë duke marrë pjesë në një takim sigurie në Kirya, në Tel Aviv, me shefin e shtabit të ushtrisë izraelite dhe drejtorin e Mossad një ditë pasi aeroplani u ul në Berlin.
Kryeministri Netanyahu në një takim sigurie në Kirya
Një video e postuar më 2 mars e tregon atë në vendin e një sulmi me raketa iraniane në Beit Shemesh. Prania e tij atje u konfirmua nga njësërëmediash.
Në ditët në vijim, gjithashtu, Netanyahu ka postuar pamje në rrjetet e tij sociale nga vizita në disabaza ajrore, dhe nëspitalin Hadassah.
Një zëdhënës i ministrisë së jashtme gjermane, pyetur në lidhje me uljen e aeroplanit në Berlin, tha për Euronews se qeveria izraelite “na pyeti nëse mund ta parkonin aeroplanin këtu.”
Sipas zëdhënësit, vetëm ekuipazhi i fluturimit dhe piloti ishin në bordin e fluturimit.
Në fakt, Gjermania, e cila është anëtare e Gjykatës Ndërkombëtare Penale (ICC), do të ishte e detyruar ligjërisht të arrestonte Netanyahun nëse ai shkel në tokën gjermane. Kjo, sepse Netanyahu është subjekt i një urdhër-arresti të lëshuar nga ICC për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte të kryera në Rripin e Gazës.
Pretendimi: Kjo video tregon momentin e sulmit iranian në Aeroportin Ndërkombëtar të Dubait mbrëmjen e 28 shkurtit 2026
Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI
————————————————
Pas Irani goditi një hotel luksoz në Dubai si pjesë e një serie goditjesh hakmarrëse si pasojë e vrasjes së udhëheqësit iranian Ali Khamenei, në rrjete sociale dhe mediashqipfolëse qarkulloi një video që pretendohet se tregon momentin e sulmit iranian në Aeroportin Ndërkombëtar të Dubait mbrëmjen e 28 shkurtit
Një shqyrtim i imtësishëm i videos zbulon disa mospërputhje logjike.
Nuk ka punonjës në sportelet e pasaportave pavarësisht se udhëtarët presin në radhë para tyre. Në një pjesë, një burrë duket se kalon shufrat e hekurta sikur të ishin të padukshme ose joekzistente. Ndërkohë, burri direkt pas tij duket se është i bllokuar nga të njëjtat shufra. Për më tepër, në disa pjesë, njerëzit duket se bashkohen me njëri-tjetrin ose zhduken ndërsa ecin.
Format dhe ndriçimi në sfond gjithashtu duken të panatyrshme. Xhami nuk thyet pavarësisht forcës së dukshme të shpërthimit në vendngjarje. Shkrimi në ekranet e mëdhenj nuk është arabisht dhe nuk duket se është asnjë gjuhë e njohur, por përkundrazi duken më shumë si simbole të rastësishme. Shpërthimi reflektohet panatyrshëm në tre drita në tavanin e aeroportit, në një mënyrë që nuk përputhet me realitetin. Një numër njerëzish kanë reagime jonormale, me disa që duket se vrapojnë drejt shpërthimit në vend që të largohen prej tij.
Këto mospërputhje janë tregues karakteristikë të videove të krijuara nga inteligjenca artificiale.
Për më tepër, video e mësipërme nuk përputhet me pamjet e dokumentuara të Aeroportit të Dubait.
Autoritetet e Dubait thanë se mbeturinat nga një dron i kapur shkaktuan një zjarr në hotelin e famshëm luksoz të qytetit, Burj Al Arab, dhe në aeroportin ndërkombëtar të Dubait. Aeroportet e Abu Dhabit thanë në një postim në X/Twitter se një incident në aeroportin ndërkombëtar Zayed në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe rezultoi në një të vdekur dhe shtatë të plagosur. Më vonë e fshinë postimin. “Ekipet e Mbrojtjes Civile reaguan menjëherë dhe e vunë incidentin nën kontroll. Nuk janë raportuar të lënduar”, shkroi zyra e medias e Dubait në llogarinë e saj. Zyra e medias tha gjithashtu se një pjesë e aeroportit ndërkombëtar të Dubait “pësoi dëme të vogla në një incident”, pa dhënë detaje të mëtejshme.