Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 28 December 2025Main stream

Kështu pritet të ndahen ulëset në legjislaturën e 10-të të Kuvendit të Kosovës

28 December 2025 at 22:49


Lëvizja Vetëvendosje ka dalë partia e parë në zgjedhjet e sotme parlamentare, sipas rezultateve preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Bazuar në këto rezultate, LVV ka marrë 49.80 për qind të votave dhe, sipas projeksioneve fillestare të shpërndarjes së ulëseve në Kuvend, pritet t’i ketë 56 deputetë.

Këto projeksione janë bërë pa përfshirë votat e diasporës dhe janë të kushtëzuara deri në përmbylljen e procesit zgjedhor.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) renditet e dyta me 21.21 për qind të votave dhe pritet të sigurojë 23 ulëse në Kuvend.

Si forca e tretë politike, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka marrë 13.76 për qind të votave, çka sipas projeksioneve i siguron 15 deputetë.

Ndërkaq, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me 5.73 për qind të votave pritet t’i ketë 6 deputetë.

Shpërndarja e ulëseve bëhet sipas metodës D’Hondt, e cila është metodologjia standarde e përdorur në Kosovë.

Kuvendi i Kosovës ka gjithsej 120 ulëse, prej të cilave 100 janë ulëse të përgjithshme që ndahen mes subjekteve politike, ndërsa 20 janë ulëse të rezervuara për komunitetet jo-shumicë.

Rezultatet përfundimtare dhe përbërja e saktë e Kuvendit priten të konfirmohen pas numërimit të plotë të votave, përfshirë ato nga diaspora.

KQZ shpall rezultatet preliminare, LVV-ja fiton zgjedhjet

28 December 2025 at 22:31


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatin preliminar të zgjedhjeve dhe Lëvizja Vetëvendosje është fituesja e zgjedhjeve me 49.80 për qind të votave të fituara.

Rezultatet preliminare u shpallën pas numërimit të 96.13 për qind të votave.

Radoniqi tha se pjesa tjetër e votave do të procesohen dhe publikohen në platformën online të KQZ-së.

Sipas rezultatit preliminar, PDK-ja është e dyta me 21.18 për qind të votave, LDK-ja me 13.77 për qind, AAK-ja me 5.74 për qind dhe Lista Serbe me 3.86 për qind.

Rezultatet e partive të tjera i gjeni KËTU.

Ndërkaq, shpallja e rezultateve përfundimtare do të bëhet pas numërimit të votave të diasporës, të personave me nevoja të veçanta dhe votave me kusht.

“Numërimi i votave të kandidatëve [për deputetë] dhe konfirmimi i votave për subjektet politike do të nisë nesër nga ora 12:00, pasi i gjithë materiali gjatë gjithë natës do të pranohet në qendrat komunale të numërimit, dhe numërimi do të nisë nesër dhe do të vazhdojë në ditët në vijim”, tha Radoniqi.

"Si të na thirr Albin Kurti, këtu jemi”, qytetarët ndezin festën në sheshin e kryeqytetit

28 December 2025 at 22:10


Me fishekzjarre, tupanë, e këngë ka nisur festa e simpatizantëve të Lëvizjes Vetëvendosje në sheshet e kryeqytetit.

Numër i madh i qytetarëve të cilët po festojnë në Prishtinë, të cilët flasin për KosovaPress janë nga diaspora.

Një qytetar i cili ka mbështjellë veturën me flamur kombëtar, ka thënë se rezultati i sotëm ka qenë i pritur.

“Me fotografinë e Albin babës... vijmë nga diaspora, nga Gjermani dhe e kemi pritur që mbi 50 për qind kemi për të kaluar”, ka thënë ai.

Nga festa në Prishtinë ka folur edhe Safet Haxheri, i cili ka udhëtuar nga Zvicra për në Kosovë.

“Ne presim që mërgata jonë ta ketë mundësinë të investojë dhe sigurinë, sepse investitorët kërkojnë siguri dhe strategjia globale po ndryshon, më nuk po duhet historia por gjendja aktuale në terrene, andaj ne edhe e kemi prioritetin e Kosovës edhe integritetin”, ka thënë ai.

Një qytetar tjetër, i cili ka ardhur nga Gjermania për të votuar në Kosovë, tha se ka pritur fitore edhe më të bindshme të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Kemi pritur edhe më bindshëm por jemi të kënaqur me këtë rezultat, sepse kësaj radhe po shkojmë, siç ka thonë princi jonë Albin, princ unë e quaj i kombit, që herën e parë po shkojmë cep më cep, por kësaj radhe po shkojmë krejt ku ka shqiptarë, ku ka gjak shqiptari po shkojmë. Unë kam ardhur nga Gjermania, e falënderojë familjen që ma plotësuan dëshirën me ardh se pata vdek, edhe që jam sëmurë”, tha ai.

Në festën në kryeqytet po marrin pjesë edhe qytetarë tjerë nga diaspora.

“Si të na thirr Albini këtu jemi. Normal... Presim vetëm stabilitet, vetëm të vazhdojë kështu, jemi të kënaqur shumë me këtë qeveri”, tha një tjetër qytetar”, theksoi ai.

“E kemi pritur [këtë rezultat] sepse populli është vetëdijesuar tash e dinë për kë për të votuar, shumica... Forcim të shtetit ushtarakisht edhe ekonomikisht, të dyjat s’ka nevojë më shumë. të tjerat i bënë arsimi, rinia”, përfundoi ai.

Nga të dhënat e fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 49.92 për qind, PDK 21.15 për qind, LDK 13.81 për qind, ndërkaq AAK 5.80 për qind.

Sadiku me këngë të Medës pas rezultatit të LDK-së: Ma mirë mos t’isha gjallë...

28 December 2025 at 21:59


Ermal Sadiku, kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për deputet, ka reaguar me ironi ndaj rezultateve të zgjedhjeve të së dielës.

Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), pas numërimit të mbi 94.09 për qind të votave, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) renditet e para me 49.92 për qind, e ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 21.15 për qind, ndërsa LDK-ja zë vendin e tretë me 13.81 për qind.

Në këtë kontekst, Sadiku ka publikuar në profilin e tij në Facebook një video të shoqëruar me një këngë të këngëtarit Meda.

Në sfond dëgjohet fraza “Ma mirë mos t’isha gjallë të dielën mbrëma”, e cila është interpretuar si një reagim ironik ndaj rezultatit zgjedhor të subjektit të tij politik.

Nga Thaçi te Kurti, sa vota i siguruan qeveritë e Kosovës në Kuvend që nga viti 2008

28 December 2025 at 20:15


Për formimin e një qeverie në Kosovë nevojiten të paktën 61 vota të deputetëve nga gjithsej 120 sa ka Kuvendi.

Të dhënat tregojnë se, që nga shpallja e pavarësisë, shumica e qeverive janë formuar me mbështetje më të madhe se minimumi i kërkuar, ndërsa në disa raste shumica ka qenë e ngushtë.

Qeveria e parë e pasluftës, e udhëhequr nga Hashim Thaçi në janar të vitit 2008, u votua me 85 vota pro, duke qenë një nga qeveritë me mbështetjen më të gjerë parlamentare. Edhe mandati i dytë i Thaçit në vitin 2011 siguroi shumicën e nevojshme, me 65 vota pro.

Në dhjetor të vitit 2014, qeveria e Isa Mustafës u formua me 73 vota, ndërsa opozita numëroi 38 vota kundër. Ndërkohë, qeveria e Ramush Haradinajt në vitin 2017 u votua me shumicën minimale prej 61 votash, duke reflektuar një situatë më të brishtë parlamentare.

Në shkurt të vitit 2020, qeveria e parë e Albin Kurtit mori 66 vota pro, por ajo u rrëzua pas pak javësh. Pas saj, qeveria e Avdullah Hotit u formua në qershor të vitit 2020 me 61 vota, sërish me shumicë minimale.

Qeveria Kurti II, e dalë pas zgjedhjeve të vitit 2021, u votua me 67 vota pro, duke siguruar një shumicë më stabile krahasuar me disa nga qeveritë e mëparshme.

Të dhënat tregojnë se, ndonëse Kushtetuta kërkon vetëm 61 vota për formimin e qeverisë, mbështetja parlamentare për ekzekutivin në Kosovë ka luhatur ndjeshëm ndër vite, duke reflektuar fragmentimin politik dhe koalicionet e ndryshme qeverisëse./Telegrafi.

GRAFIKA / REL

Numërohen mbi 55 për qind të votave, këto janë rezultatet e KQZ-së

28 December 2025 at 19:57


E plotësuar: Sipas rezultateve të publikuara deri më 28.12.2025, ora 20:39, Lëvizja Vetëvendosje (VV) kryeson zgjedhjet me 49.67% të votave, duke grumbulluar 226,354 vota në nivel vendi.

Në vendin e dytë renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 20.02% ose 91,217 vota, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) mban pozitën e tretë me 14.12% të votave, përkatësisht 64,359 vota.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka siguruar 6.85% (31,206 vota).

Lista Serbe ka marrë 3.33% ose 15,186 vota.

Nisma Socialdemokrate renditet e fundit me 1.49% të votave, që përkthehen në 6,795 vota.

Sipas të dhënave, janë numëruar 469,898 vota, që përbëjnë rreth 23.50% të totalit të pritshëm apo mbi 55 për qind, ndërsa procesi i numërimit vazhdon.

E përditësuar: Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar përditësimin e radhës të rezultateve paraprake të zgjedhjeve, ku deri më tani janë numëruar 327,567 vota, apo mbi 41 për qind.

Sipas të dhënave zyrtare të përditësuara më 28.12.2025 në ora 20:29, Lëvizja VETËVENDOSJE! vazhdon të kryesojë bindshëm me 48.79 për qind të votave, që përkthehen në 154,826 vota.

Në vendin e dytë renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 19.91 për qind apo 63,180 vota, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) mban pozitën e tretë me 13.85 për qind ose 43,952 vota.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka siguruar deri më tani 7.37 për qind të votave (23,390 vota), ndërsa Lista Serbe figuron me 3.70 për qind apo 11,740 vota. NISMA Socialdemokrate mbetet nën prag me 1.65 për qind të votave (5,233 vota).

Sipas KQZ-së, janë përpunuar 1,049 vendvotime nga gjithsej 2,557, që përbëjnë 41.02 për qind të vendvotimeve në nivel vendi. Harta zgjedhore tregon dominim të Vetëvendosjes në shumicën e komunave të Kosovës.

Procesi i numërimit po vazhdon, ndërsa nga KQZ theksojnë se rezultatet janë paraprake dhe mund të pësojnë ndryshime deri në përfundimin e plotë të numërimit dhe certifikimin zyrtar të tyre.

Me 21 për qind të votave të numëruara, LVV thellon epërsinë: Këto janë rezultatet e KQZ-së

E plotësuar: Rezultatet e përditësuara preliminare nga numërimi i votave tregojnë se Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të kryesojë bindshëm në zgjedhje.

Sipas të dhënave të fundit, VV ka marrë 47,12 për qind të votave, përkatësisht 72.737 vota, duke konfirmuar epërsinë ndaj subjekteve të tjera politike.

Në vendin e dytë renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 19,33 për qind apo 29.842 vota, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka siguruar 13,68 për qind të votave, që përkthehen në 21.122 vota.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka marrë 7,70 për qind të votave ose 11.884 vota, ndërsa Lista Serbe ka siguruar 4,59 për qind me 7.079 vota. Nisma Socialdemokrate renditet e fundit ndër subjektet kryesore me 1,82 për qind të votave, përkatësisht 2.806 vota.

Sipas të dhënave zyrtare, deri më tani janë numëruar mbi 159 mijë vota, ndërsa procesi i numërimit vazhdon edhe në qendrat e tjera. Rezultatet mbeten preliminare dhe mund të ndryshojnë deri në përfundimin e plotë të procesit dhe certifikimin nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

KQZ ka bërë thirrje për qetësi dhe ka theksuar se transparenca dhe integriteti i procesit zgjedhor do të garantohet deri në shpalljen e rezultateve përfundimtare.

KQZ nis numërimin e votave, këto janë rezultatet e para

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka filluar publikimin e rezultateve të para të zgjedhjeve parlamentare, të cilat u mbajtën të dielën në Kosovë.

Lëvizja Vetëvendosje po prin bindshëm në rezultatet paraprake të zgjedhjeve, sipas të dhënave të përditësuara më 28 dhjetor 2025, në orën 19:54. Me 45,81 për qind të votave të numëruara, Vetëvendosje ka siguruar deri tani 13.325 vota.

Në vendin e dytë renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 18,59 për qind apo 5.407 vota, ndërsa e treta është Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 12,94 për qind, që përkthehet në 3.765 vota.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka marrë 8,31 për qind të votave ose 2.417 vota.

Lista Serbe renditet pas saj me 3,93 për qind, përkatësisht 1.143 vota, ndërsa Koalicioni Vakat ka siguruar 2,61 për qind apo 760 vota.

Sipas të njëjtave të dhëna, deri në këtë fazë janë numëruar 30.367 vota nga gjithsej 1.999.204 votues të regjistruar, që përfaqëson një pjesëmarrje prej rreth 1,52 për qind.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të vazhdojë përditësimin e rezultateve gjatë orëve në vijim, ndërsa këto shifra konsiderohen ende paraprake./Telegrafi.

Krahasimi i Exit Polleve: LVV kryeson bindshëm, PDK dhe LDK me diferenca të vogla mes matjeve

28 December 2025 at 19:54


Exit pollet e publikuara nga UBO Consulting, T7 dhe Klan Kosova tregojnë një tablo të ngjashme të rezultateve zgjedhore, me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) që prin qartë në të gjitha matjet, ndërsa PDK dhe LDK ruajnë pozicione të qëndrueshme me dallime minimale.

Sipas UBO Consulting, LVV ka marrë 45.7%, e ndjekur nga PDK me 22.0% dhe LDK me 15.6%. Ndërkohë, AAK vlerësohet me 5.3%, ndërsa Nisma Socialdemokrate me 1.7%.

Exit poll-i i T7 e vendos LVV-në në 43.5%, PDK-në në 23.6% dhe LDK-në në 15.9%. Në këtë matje, AAK arrin 7.2%, ndërsa kategoritë “Të tjerë” shënojnë 9.8%.

Ndërsa sipas Klan Kosova, LVV rezulton me 44.1%, PDK me 23.9% dhe LDK me 16.1%. AAK në këtë exit poll vlerësohet me 5.8%, ndërsa Nisma me 1.1%.

Përfundim:

Të tri exit pollet konfirmojnë dominimin e LVV-së, me një epërsi të konsiderueshme ndaj partive të tjera.

Diferencat mes PDK-së dhe LDK-së janë relativisht të vogla, ndërsa AAK luhatet nga 5 deri në 7 për qind, varësisht nga matja. Rezultatet përfundimtare pritet të konfirmohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve./Telegrafi.

Lideri i partisë arsyeja kryesore pse qytetarët kanë votuar në zgjedhje, por jo për LDK-në

28 December 2025 at 19:39


Një sondazh i fundit i UBO Consulting tregon arsyet kryesore pse qytetarët e Kosovës zgjedhin partitë politike në zgjedhjet e fundit.

Sipas rezultateve, motivi kryesor për votuesit ndryshon në varësi të partisë që kanë votuar.

Pyetja: Arsyeja pse keni votuar, sipas sondazhit.

Vetëvendosje, Albin Kurti: Për liderin e partisë: 53.7 për qind.

PDK, Bedri Hamza: Për linderin e partisë: 52.4 për qind.

LDK, Lumir Abdixhiku: Për liderin e partisë: 11 për qind.

(Arsyeja kryesore pse qytetarët e kanë votuar LDK-në është historiku i partisë)

AAK, Ramush Haradinaj: Për liderin e partisë: 4O.2 për qind.

Nisma, Fatmir Limaj: Për liderin e partisë: 23.6 për qind.

(Arsyeja kryesore pse qytetarët e kanë votuar Nismën është historiku i partisë)

Rezultatet e sondazhit tregojnë se faktorët kryesorë të vendimmarrjes së votuesve ndryshojnë dukshëm nga një parti te tjetra, duke reflektuar diversitetin e preferencave politike në Kosovë./Telegrafi/

Mbyllja e vendvotimeve, Kurti del me video-mesazh

28 December 2025 at 19:19


Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka bërë një paraqitje live në Facebook, pas përfundimit të procesit të votimit, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së vullnetit të qytetarëve të shprehur përmes votës.

Kurti ka deklaruar se vullneti i qytetarëve tashmë ndodhet në kutitë e votimit dhe se mbrojtja e tij është esenciale për legjitimitetin dhe kredibilitetin e procesit zgjedhor, si dhe për të ardhmen e vendit dhe institucioneve të Kosovës.

Ai u ka bërë thirrje komisionerëve dhe vëzhguesve zgjedhorë që të kryejnë me përgjegjësi detyrën e tyre, duke theksuar se roli i tyre është tejet i rëndësishëm dhe vendimtar në këtë fazë të procesit.

Kurti ka shprehur mirënjohje për angazhimin e tyre, duke e përmbyllur paraqitjen me falënderim dhe përshëndetje për publikun.

Exit Poll në T7: VV 43.5%, PDK 23.6%, LDK 15.9%, AAK 7.2%

28 December 2025 at 19:02


Në emisionin “Pressing”, janë prezantuar rezultatet e sondazhit të realizuar nga Albanian Post në bashkëpunim me T7.

Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 43.5% të votave, PDK ka marrë 23.6%, LDK ka marrë 15.9, AAK ka marrë 7.2.

Exit Poll u prezantua nga Baton Haxhiu i Albanian Post.

Rezultati që morën partitë politike në zgjedhjet e shkurtit 2025: Vetëvendosje 42.3%, PDK 20.9%, LDK 18.2, AAK 7%.

Detajet e prokurorisë: Kush është Millosh Steviq që u arrestua për presion ndaj votuesve në Graçanicë?

28 December 2025 at 18:33


Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar opinionin publik se ka pranuar një informatë anonime lidhur me dyshimet se Millosh Steviq ka ndikuar te qytetarët për të votuar, si dhe ka kërkuar raporte shëndetësore nga persona të caktuar, me qëllim që ata të asistohen gjatë procesit të votimit.

Sipas njoftimit, personi i dyshuar është shoqëruar në stacionin policor në Komunën e Graçanicës, ku ndaj tij janë duke u ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme hetimore, në përputhje me procedurat ligjore në fuqi.

Prokuroria bën të ditur se gjatë kontrollit fillestar nuk është gjetur asgjë e dyshimtë, ndërsa Steviq është intervistuar nga organet kompetente.

Hetimet po zhvillohen në koordinim të plotë mes Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe Policisë së Kosovës.

Autoritetet kanë theksuar se mbeten të përkushtuara në ruajtjen e rendit dhe ligjshmërisë, si dhe në garantimin e një procesi zgjedhor të lirë dhe demokratik.

Kush është Millosh Steviq?

Millosh Steviq, i cili është arrestuar nën dyshimet për ushtrim të ndikimit, presionit dhe orientimit të votës përmes detyrimit dhe shantazhit, është i afërt me kryetarin e Komunës së Graçanicës, Novak Ziviq.

Ai ishte bërë i njohur edhe më herët, pasi në vitin 2021 kishte publikuar një fotografi me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq./Telegrafi.





UBO-Consulting publikon në orën 19:00 EXIT POLL-in për zgjedhjet parlamentare

28 December 2025 at 18:03


Radio Televizioni Dukagjini ka bërë të ditur se sonte do të publikojë rezultatet e EXIT POLL-it për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, të realizuar nga kompania UBO-Consulting.

Sipas njoftimit, rezultatet e EXIT POLL-it do të bëhen publike menjëherë pas mbylljes së qendrave të votimit, në orën 19:00, dhe do të përfshijnë të dhëna nga komunat e mëdha të Kosovës.

Në Kosovë sot po mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ku të drejtë vote kanë 1.999.024 qytetarë.

Procesi i votimit po zhvillohet në 910 qendra të votimit me gjithsej 2.557 vendvotime, nga ora 07:00 deri në 19:00.

Zgjedhjet po monitorohen nga Policia e Kosovës, Prokuroria, si dhe nga vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë.

Ndërkohë, rezultatet e para zyrtare nga KQZ pritet të publikohen para orës 20:00.

"Ndikim dhe presion ndaj votuesve", policia jep detaje rreth intervistimit të kryetares së Ranillugut

28 December 2025 at 17:36


Policia e Kosovës ka njoftuar se ka intervistuar kryetaren e Komunës së Ranillugut, Tanja Antiq, nën dyshimin se përmes anëtarëve të komisionit komunal zgjedhor të Listës Serbe ka ushtruar ndikim dhe presion ndaj votuesve të papërcaktuar apo atyre që mbështesin subjekte të tjera politike.

Sipas njoftimit të Policisë, më 28 dhjetor 2025, përmes rrugëve operative janë pranuar informacione se Antiq, e cila është edhe anëtare e Kryesisë së forumit të gruas të Listës Serbe, dyshohet se ka ndikuar tek votuesit përmes strukturave partiake në komunën e Ranillugut.

“Të njëjtit dyshohet se janë kanosur për ndërprerje të benefiteve që këta qytetarë i përfitojnë nga shteti i Serbisë, në rast të mosvotimit sipas udhëzimeve”, ka thënë policia.

Policia ka bërë të ditur se e dyshuara është shoqëruar në ambientet e hetimeve rajonale, ku është intervistuar në prani të avokatit, me qëllim të verifikimit të informacioneve dhe sqarimit të rrethanave të rastit.

“Pas intervistimit, me vendim të Prokurorit të Shtetit, e dyshuara është liruar në procedurë të rregullt”, ka njoftuar Policia, duke shtuar se rasti i cilësuar si “Cenim i fshehtësisë së votimit” do të vazhdojë të hetohet nga Njësiti i Hetimeve Rajonale në Gjilan, në koordinim të plotë me Prokurorinë Themelore.

Në Kosovë sot, më 28 dhjetor 2025, po mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare./Telegrafi.

Arrestohet Millosh Steviq, dyshohet për presion dhe shantazh për orientimin e votës

28 December 2025 at 17:22


Policia e Kosovës ka arrestuar sot Millosh Steviq, nën dyshimet për ushtrim të ndikimit, presionit dhe orientimit të votës përmes detyrimit dhe shantazhit.

Burime të KosovaPress-it brenda Policisë së Kosovës kanë bërë të ditur se Steviq është shoqëruar në stacionin policor në Graçanicë, ku aktualisht po intervistohet në lidhje me këto dyshime.

Sipas të njëjtave burime, rasti lidhet me përpjekje për të ndikuar në vullnetin e qytetarëve gjatë procesit zgjedhor, përmes presionit dhe shantazhit. Po ashtu, thuhet se Steviq është i afërt me kryetarin e Komunës së Graçanicës, Novak Ziviq.

Gjatë aksionit, Policia e Kosovës ka sekuestruar edhe një fletore me shënime, ku sipas burimeve përmbahen emra kandidatësh të Listës Serbe. KosovaPress ka siguruar edhe fotografinë e fletorës së sekuestruar.

Atij i janë gjetur edhe para, të gjitha në kartëmonedha 20-she dhe 50-she.

Autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet po vazhdojnë dhe se ndaj të dyshuarit priten veprime të mëtejme procedurale në koordinim me organet e drejtësisë.



Before yesterdayMain stream

Rukiqi: Numri i familjeve në prag të varfërisë është rritur nga 80 mijë në 90 mijë

25 December 2025 at 23:47


Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për deputet, Berat Rukiqi, ka reaguar lidhur me rritjen e numrit të familjeve në prag të varfërisë në Kosovë, duke u thirrur në të dhënat e publikuara nga ministri i Financave, Hekuran Murati.

Sipas Rukiqit, këtë vit numri i familjeve që jetojnë në prag të varfërisë ka arritur në 90 mijë, nga rreth 80 mijë sa ishin më herët.

“Nga 80 mijë familje në prag të varfërisë, këtë vit i kemi 90 mijë familje në prag të varfërisë, sipas të dhënave të vet Hekuran Muratit”, ka deklaruar Rukiqi.

Ai ka ironizuar narrativën e Qeverisë për zhvillim ekonomik, duke thënë se kjo situatë është pasojë e asaj që pushteti e quan “mrekulli ekonomike”.

“Krejt kjo si rezultat i mrekullisë ekonomike, rritjes së pakrahasueshme ekonomike, varfërimit të të pasurve dhe pasurimit të të varfërve. Bravo”, ka shtuar Rukiqi.

Rukiqi ka theksuar se këto shifra tregojnë përkeqësim të gjendjes sociale dhe ekonomike të qytetarëve, duke kërkuar politika konkrete që adresojnë varfërinë dhe mbështesin familjet në nevojë.


Konjufca uron besimtarët për Krishtlindje

25 December 2025 at 23:33


Gëzim, paqe dhe begati u uroi Glauk Konjufca të gjithë besimtarëve të krishterë me rastin e festës së Krishtlindjes.

Ai tha se kjo ditë feste është simbol i shpresës dhe besimit.

Konjufca përmes urimit të tij, i ftoi qytetarët që të kujdesen për njëri-tjerin, duke shtuar solidaritetin e mirësinë, sepse kjo eshtë kohë reflektimi, afrimi dhe shprese.

Ai u uroi shëndet e begati, të gjitha familjeve, duke përcjellë mesazhet më të mira që sjell kjo ditë.

Abdixhiku: Udhëheqësit e LVV-së s’kanë kauzë politike, ata mbesin gjallë me sharje e fyerje

25 December 2025 at 23:24


Kandidati për kryeministër të Kosovës nga LDK-ja, Lumir Abdixhiku ka folur në lidhje me gjuhën e Vetëvendosjes para dhe gjatë fushatës.

“Lëvizja Vetëvendosje dhe eksponentët kryesorë të saj nuk kanë kauza politike të bërjes diçka, ata kanë kauzë ekzistencën e vet me sharje dhe ofendim ndaj tjetrit”, ka thënë kreu i LDK-së në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova.

I pyetur se a është zbutur VV-ja këto dy javët e fundit, ai tha se është vetëm një taktikë elektorale.

“Dëmet janë shumë më të thella, do të thotë polarizimi i shoqërisë sjell dëme më të thella. Një shoqëri e ndarë nuk arrinë me gjetë konsensus për çështje vitale në momente gjeostrategjike të popullit tënd”, u shpreh Abdixhiku.

Mbi 90 mjekë dhe 192 infermierë lëshuan Kosovën më 2025

25 December 2025 at 22:38


Mungesa e kushteve të punës e pakënaqësitë më paga kanë bërë që shumë profesionistë shëndetësor të largohen në Kosova.

Avazi i largimeve ka vazhduar edhe gjatë vitit 2025.

Ani pse krahasuar me vitet paraprake numri mjekëve e profesionistëve tjerë shëndetësor të cilët janë larguar ka rënë, kjo dukuri vazhdon të jetë shqetësuese për Odën e Mjekëve.

“Statistika nuk janë të sakta asnjëherë për arsyen se koha e liberalizimit të vizave ka lehtësuar kushtet dhe rrethanat që lëvizja e lirë të ndodhë. Megjithatë, në krahasim me vitet e tjera është rendi në rënie, por nuk është ndonjë diferencë e madhe, është duku rreth 20 më pak. Këtë vit kanë kërkuar certifikatë të sjelljes së mirë në Odën e Mjekëve rreth 90 mjekë”, thotë për Tëvë1, Naser Gjonbalaj nga Oda e Mjekëve.

Sipas nënkryetarit të kësaj Ode, pjesa dërmues e atyre që janë larguar janë mjekë të përgjithshëm.

E jo vetëm mjekët, Kosovën e kanë braktisur edhe infermierët.

“Këtë vit infermierë gjithsejtë kanë kërkuar 192, licenca të plastifikuara, dokument i cili ju nevojitet, për ta dërguar në vendin ku ata ushtrojnë profesionin shëndetësor. Me vitin 2024, është një rënie mirëpo trendi po vazhdon”, shprehet Nexhmije Gori – Kryetare e Odës së Infermierëve.

Madje sipas kryetares së Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë në Kosovë, Tëvdie Imeri, largimi i profesionistëve shëndetësor është shqetësues.

Prandaj kryetarja e kësaj Federate, kërkon që të ndërmerren masa.

“Është hala me shqetësuese se pse një kuadër të përgatitur kaq shumë të shkojë i përgatitur në një vend tjetër ndërsa ju e dini shumë mirë se sa i duhet investim për me nxjerr një doktor të përgjithshme e pastaj të mos flasim për specializant. E gjithë kjo kosto që i kushton familje dhe në fund të fundit po ja dërgojmë një produkt të gatshëm .Ish dashtë të bëhet një strategji për ndaljen e ikjeve të punëtorëve shëndetësor, pasi Kosova mund të mbetet shumë keq pas pak kohe”, thotë ajo.

Sipas Odës së Mjekëve të Kosovë, Gjermania vazhdon të jetë destinacioni i profesionistëve shëndetësor.

Abdixhiku thotë se 1 miliard euro kemi ble rrymë për pesë vjet, tregon se çfarë do të mund të bënte Kosova me ato para

25 December 2025 at 22:34


Kandidati për kryeministër nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se Kosova gjatë pesë viteve të fundit ka shpenzuar rreth 1 miliard euro për blerjen e rrymës.

Në emisionin Rubikon në Klan Kosova, Abdixhiku ka kritikuar qeverinë aktuale duke thënë se për shkak të këtyre shpenzimeve janë ndalur projekte të rëndësishme kapitale.

“Këta njerëz e kanë ndalur unazën e kryeqytetit të Prishtinës, ka qenë investim prej 250 milionë eurosh. Çka s’është ndalur këtu në Kosovë? Kosova për pesë vjet ka blerë rrymë në vlerë prej 1 miliard eurosh. Veç sivjet kemi 250 milionë kemi blerë rrymë, qe ku janë paratë,” ka deklaruar ai.

Ai tha se me 250 milionë eurot e shpenzuara vetëm këtë vit, do të ishte përfunduar unaza e kryeqytetit.

“Me 250 milionë euro vetëm të sivjetshit do të ishte paguar unaza e kryeqytetit. Me 250 milionë ishte paguar gjysma e spitalit të ri të Kosovës, investimi më i madh në shëndetësi që nga viti 1964” tha ai.

Sipas Abdixhikut, me këto mjete do të ishte mundësuar edhe realizimi i projektit të mësimit tërëditor në shkolla.

“Me 250 milionë euro do të ishte kryer mësimi tërëditor; fëmijët do të kishin ngrënë ushqim të ngrohtë dhe do të qëndronin tetë orë në shkollë,” shtoi ai.

Kurti: Me integrimin e SEPA, i kursejmë mërgimtarëve rreth 60 milionë euro

25 December 2025 at 22:26


Kandidati për kryeministër nga Vetëvendosje, Albin Kurti takoi mërgimtarët në qytetin e Kamenicës.

Të shumtë ishin ata që kishin ardhur për ta takuar e votuar, ndërsa Kurti e vlerësoi si shumë të rëndësishme përkrahjen dhe pjesëmarrjen e tyre në procesin zgjedhor të 28 dhjetorit.

Kurti theksoi se përfshirja e diasporës në katërvjeçarin e ardhshëm qeverisës tashmë është e konkretizuar.

Disa nga këto zotime i ndau edhe me ta, duke përmendur kurrikulën e posaçme për mësimin e gjuhës shqipe për fëmijët e familjeve në mërgatë dhe përmes integrimit të Kosovës në sistemin SEPA, hap ky o cili do të mundësojë kursimin e rreth 60 milionë eurove në vit nga transferet financiare drejt Kosovës.

❌
❌