Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 5 February 2026Albeu

Ofruan para në këmbim të votave për PS-në, GJKKO shpall fajtor dhe jep dënimin për tre të pandehurit për korrupsion (EMRAT)

By: V K
5 February 2026 at 15:57

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka shpallur fajtorë tre të pandehurit për korrupsion aktiv dhe pasiv në zgjedhje, në Qarkun Lezhë.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), kishte paraqitur kërkesën për gjykimin e çështjes në ngarkim të shtetasve Gersi Kaçorri, Besnik Uka dhe Artur Jahja, ndërsa gjykimi u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar.

Sipas vendimit të gjykatës, Gersi Kaçorri, u shpall fajtor për veprën penale “Korrupsion aktiv në zgjedhje” dhe u dënua fillimisht me 1 vit burgim, dënim i cili, për shkak të gjykimit të shkurtuar, u reduktua në 8 muaj. Gjykata vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit dhe vënien e tij në provë për një periudhë 1 vit e 6 muaj.

Besnik Uka u shpall fajtor për veprën penale “Korrupsion pasiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim. Ai u dënua me 1 vit burgim, i reduktuar në 8 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar, ndërsa edhe për të u vendos pezullimi i dënimit dhe vënia në provë për 1 vit e 6 muaj.

Po ashtu, fajtor u shpall edhe Artur Jahja, i cili u dënua për “Korrupsion pasiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, me 1 vit burgim, dënim i reduktuar në 8 muaj, me pezullim të ekzekutimit dhe vënie në provë për 1 vit e 6 muaj.

Gjykata urdhëroi që gjatë periudhës së provës, të pandehurit të mbajnë kontakte me shërbimin e provës, të mos kryejnë vepra të tjera penale dhe të mos shoqërohen me persona të dënuar për vepra penale.

Në vendim u urdhërua gjithashtu konfiskimi i tre aparateve telefonike dhe kartave SIM, të sekuestruara gjatë hetimit, si prova materiale në këtë çështje.

Sipas SPAK, gjatë fushatës zgjedhore, të pandehurit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë premtuar, ofruar dhe dhënë shuma monetare zgjedhësve të Bashkisë Kurbin, në këmbim të votimit në mbështetje të Partisë Socialiste.

Hetimet kanë evidentuar se ata kanë qenë aktivë në fushatën zgjedhore në mbështetje të këtij subjekti politik, duke shpërndarë mjete monetare tek zgjedhësit me qëllim ndikimin në vullnetin e tyre të votës.

Njoftimi i SPAK:

SPAK dërgon për gjykim tre të pandehur për korrupsion aktiv dhe pasiv në zgjedhje në Qarkun Lezhë

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe më datë 7.11.2025, ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme, procedimin penal nr. 55 të vitit 2025, për korrupsion në zgjedhjet e zhvilluara në Qarkun Lezhë.

Të pandehurit e dërguar për gjykim janë:

Gersi Kaçorri, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsion aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga nenet 328 dhe 25 të Kodit Penal;

Besnik Uka, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsion pasiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga nenet 328/b dhe 25 të Kodit Penal;

Artur Jahja, i akuzuar për kryerjen e veprës penale, “Korrupsion pasiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga nenet 328/b dhe 25 të Kodit Penal.

Rrethanat e çështjes

Procedimi penal është regjistruar mbi bazën e materialit të referuar nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), në ngarkim të shtetasve të mësipërm, të dyshuar për veprën penale, “Korrupsion aktiv në zgjedhje” dhe “Korrupsion pasiv në zgjedhje”, të kryera në bashkëpunim, gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të datës 11 maj 2025.

Aktet e administruara gjatë hetimit proaktiv dhe ndjekjes me metoda speciale të hetimit (përgjime të komunikimeve telefonike, vëzhgime dhe veprime të tjera hetimore treguan se të pandehurit; Gersi Kaçorri, Besnik Uka dhe Artur Jahja janë përfshirë në veprimtari të kundërligjshme në Qarkun e Lezhës, gjatë zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë.

Gjatë fushatës zgjedhore, të pandehurit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, premtuan, ofruan dhe dhanë shuma monetare zgjedhësve të Bashkisë Kurbin, në këmbim të votimit në një mënyrë të caktuar, në mbështetje të subjektit politik, Partia Socialiste.

Hetimi evidentoi se të pandehurit kanë qenë aktivë në fushatën zgjedhore në mbështetje të këtij subjekti politik, duke ofruar dhe shpërndarë mjete monetare tek zgjedhësit për të ndikuar në mënyrën e votimit të tyre.

NJOFTIM PËR MEDIAT GJKKO

NJOFTIM PËR MEDIAT

1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Gjykimin e çështjes penale që i përket procedimit penal nr. 55 të vitit 2025, në ngarkim të të pandehurve Gersi Kaçorri, Besnik Uka dhe Artur Jahja”.

2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Flora Hajredinaj, Etleva Deda dhe Rudina Palloj, me vendimin nr. 8, datë 05.02.2026 vendosi:

1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Gersi Kaçorri, për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 të Kodit Penal, dhe dënimin e tij me 1 (një) vit burgim.

-Në bazë të nenit 406 pika 1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Gersi Kaçorri, i ulet 1/3 e dënimit për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar dhe, përfundimisht dënohet me 8 (tetë) muaj burgim.

-Në bazë të nenit 59 të Kodit Penal, urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të vendimit me burgim dhe vënia në provë e të pandehurit Gersi Kaçorri, për një afat prove prej 1 (një) vit e 6 (gjashtë) muaj gjatë së cilës i pandehuri duhet të mbajë kontakte me shërbimin e provës dhe të mos kryejë vepër tjetër penale.

-Bazuar në nenin 60 paragrafi i parë pika 9 të Kodit Penal, urdhërohet i pandehuri që brenda periudhës së provës të mos shoqërohet me persona të dënuar për vepra penale. -Afati i provës fillon pas marrjes formë të prerë të vendimit, nga momenti i kontaktit të parë të të pandehurit me shërbimin e provës.

2. Deklarimin fajtor të të pandehurit Besnik Uka, për veprën penale “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 328/b dhe 25 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 1(një) vit burgim.

-Në bazë të nenit 406 pika 1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Besnik Uka, i ulet 1/3 e dënimit, për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar dhe, përfundimisht dënohet me 8 (tetë) muaj burgim.

-Në bazë të nenit 59 të Kodit Penal, urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të vendimit me burgim dhe vënia në provë e të pandehurit Besnik Uka, për një afat prove prej 1(një) vit e 6 (gjashtë) muaj gjatë së cilës i pandehuri duhet të mbajë kontakte me shërbimin e provës dhe të mos kryejë vepër tjetër penale.

-Bazuar në nenin 60 paragrafi i parë pika 9 të Kodit Penal, urdhërohet i pandehuri që brenda periudhës së provës të mos shoqërohet me persona të dënuar për vepra penale. -Afati i provës fillon pas marrjes formë të prerë të vendimit, nga momenti i kontaktit të parë të të pandehurit me shërbimin e provës.

3. Deklarimin fajtor të të pandehurit Artur Jahja, për veprën penale “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 328/b dhe 25 të Kodit Penal, dhe dënimin e tij me 1(një) vit burgim.

-Në bazë të nenit 406 pika 1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Artur Jahja, i ulet 1/3 e dënimit, për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar dhe përfundimisht dënohet me 8 (tetë) muaj burgim.

-Në bazë të nenit 59 të Kodit Penal, urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të vendimit me burgim dhe vënia në provë e të pandehurit Artur Jahja, për një afat prove prej 1(një) vit e 6 (gjashtë) muaj gjatë së cilës i pandehuri duhet të mbajë kontakte me shërbimin e provës dhe të mos kryejë vepër tjetër penale.

-Bazuar në nenin 60 paragrafi i parë pika 9 të Kodit Penal, urdhërohet i pandehuri që brenda periudhës së provës të mos shoqërohet me persona të dënuar për vepra penale. -Afati i provës fillon pas marrjes formë të prerë të vendimit, nga momenti i kontaktit të parë të të pandehurit me shërbimin e provës.

4. Në lidhje me provat materiale të bashkuara me fashikullin e gjykimit sipas procesverbalit datë 06.11.2025, gjykata disponon si më poshtë: Aparat telefonik i markës “Samsung Galaxy A12”, me numër imei 1: **** dhe imei 2: **** dhe karta sim e kompanisë ONE me numër serial ****, të sekuestruar të pandehurit Besnik Uka; aparat telefonik i markës “iPhone XR”, me numër imei 1: **** dhe imei 2: **** dhe karta sim e kompanisë ONE me numër serial ****, sekuestruar të pandehurit Gersi Kaçorri, dhe aparat telefonik i markës “Samsung Galaxy A04S”, me numër imei 1: **** dhe imei 2: **** dhe karta sim e kompanisë ONE me numër serial ****, sekuestruar të pandehurit Artur Jahja, të konfiskohen.

5. Shpenzimet proceduriale, të kryera gjatë hetimit paraprak si dhe ato të gjykimit, sipas procesverbalit të shpenzimeve bashkëngjitur këtij vendimi, u ngarkohen të pandehurve, në mënyrë solidare.

6. Kundër këtij vendimi lejohet ankim, brenda 15 (pesëmbedhjetë) ditëve nga e nesërmja e njoftimit, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Tiranë, më datë 05.02.2026

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar

 

The post Ofruan para në këmbim të votave për PS-në, GJKKO shpall fajtor dhe jep dënimin për tre të pandehurit për korrupsion (EMRAT) appeared first on Albeu.com.

Dosja e AKSHI-t/ Apeli i GJKKO-së lë në fuqi masat për Karçanajn dhe 7 të akuzuarit e tjerë

By: V K
5 February 2026 at 15:35

Këtë të enjte, Gjykata e Posaçme e Apelit, ka dhënë masat e sigurisë për të akuzuarit e dosjes së AKSHI-t, mes tyre për drejtoreshën Mirlinda Karçanaj dhe në mungesë për dy biznesmenët e kërkuar, Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri.

Pas një seance të gjatë, trupa gjykuese vendosi të lërë në fuqi të gjitha masat e sigurisë për të arrestuarit, të akuzuarit dhe të kërkuarit.

Mirlinda Karçanaj dhe Hava Delibashi u lanë po në “arrest shtëpie”, sipas vendimit të shkallës së parë të GJKKO-së, me kërkesë të SPAK-ut.

Edhe për të tjerët të njëjtat masa. Ndërsa masa “arrest me burg” në mungesë mbeti në fuqi edhe për biznesmenët e kërkuar Ermal beqiri dhe Ergys Agasi, të akuzuar si drejtues të skemave korruptive me tenderët në AKSHI.

 

The post Dosja e AKSHI-t/ Apeli i GJKKO-së lë në fuqi masat për Karçanajn dhe 7 të akuzuarit e tjerë appeared first on Albeu.com.

SPAK përfundon parashtrimet në gjyqin paraprak ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit

By: V K
5 February 2026 at 15:17

SPAK ka përfunduar parashtrimet në gjyqin paraprak ndaj Ilir Metës, Monika Kryemadhit, Pirro Xhixhës, Ema Çokut dhe Fatime Kryemadhit.

Siç bëjnë me dije burimet, prokurori i çështjës në procesin me dyer të mbyllura që po zgjat prej disa orësh, prokurori Sotir Kllapi, i kërkoi gjykatës paraprake të kalojë në gjykim themeli dosjen me 5 të akuzuar, ndaj të cilëve janë rëndojnë akuzat e korrupsionit të pastrimit të parave.

Aktualisht, në gjyq po flet ish-presidenti Ilir Meta.

The post SPAK përfundon parashtrimet në gjyqin paraprak ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit appeared first on Albeu.com.

Studimet: COVID-19 lidhet me rritjen e rrezikut për zhvillimin e sëmundjes Alzheimer

By: D Marku
5 February 2026 at 15:11

Disa studime të fundit shkencore kanë identifikuar një lidhje shqetësuese mes infektimit me COVID-19 dhe rritjes së rasteve të reja të diagnostikimit me sëmundjen Alzheimer. Edhe pse mekanizmat e saktë janë ende në studim, ekspertët kanë propozuar disa shpjegime të mundshme për këtë lidhje.

Një nga faktorët kryesorë është inflamacioni i trurit, i cili shfaqet si te pacientët me Alzheimer ashtu edhe te ata që preken nga COVID-19. Virusi SARS-CoV-2 mund të dëmtojë barrierën gjak-tru, e cila normalisht mbron trurin nga patogjenët. Kur kjo barrierë dëmtohet, viruset dhe substanca të tjera mund të depërtojnë në tru, duke shkaktuar inflamacion dhe dëmtime nervore.

Studimet sugjerojnë gjithashtu se COVID-19 mund të dëmtojë neuronet dhe të rrisë nivelet e proteinave si amyloid beta, e cila luan një rol kyç në zhvillimin e Alzheimerit. Sipas të dhënave, ka një rritje të diagnozave të Alzheimerit brenda një viti pas infektimit me COVID-19, veçanërisht te personat mbi 50 vjeç. Megjithatë, deri më tani nuk ka prova që tregojnë se sëmundja po shfaqet më shpesh te të rinjtë.

Nga ana tjetër, personat që tashmë vuajnë nga Alzheimer kanë rrezik më të lartë për t’u infektuar me COVID-19 dhe për të përjetuar pasoja më të rënda, përfshirë përkeqësim të shpejtë të funksioneve njohëse dhe rrezik më të lartë për vdekje. Kjo lidhet me moshën e avancuar, sëmundjet shoqëruese dhe vështirësitë për të ndjekur masat mbrojtëse.

Ekspertët theksojnë se vaksinimi kundër COVID-19, mbajtja e maskës, higjiena e duarve dhe shmangia e kontakteve me persona të infektuar janë masa thelbësore për uljen e rrezikut. Në rast infektimi, kërkimi i ndihmës mjekësore sa më herët është vendimtar për të parandaluar komplikacionet afatgjata neurologjike.

The post Studimet: COVID-19 lidhet me rritjen e rrezikut për zhvillimin e sëmundjes Alzheimer appeared first on Albeu.com.

Megjithëse e prezantoi veten si profesor i muzikës, Ardit Stafaj nuk e di se kush e ka kompozuar Himnin e Shqipërisë

By: D Marku
5 February 2026 at 15:04

Muzikanti i njohur Ardit Stafaj nuk ia ka lënë keq me gabime gjatë qëndrimit të tij në Big Brother VIP Kosova 4, duke regjistruar disa prej momenteve më të komentueshme të sfidës së së vëllait të madh që testonte njohuritë e banorëve për faktet dhe historinë e vendit.

Gjatë lojës, Arditi nuk arriti të përgjigjej se në cilin qytet ndodhet dukuria e famshme e Bifurkacionit – që në rastin konkret është në Ferizaj.

Edhe kur iu kërkua të emëronte tre fshatra të këtij qyteti, ai nuk mundi të japë asnjë përgjigje. Po ashtu, muzikanti nuk ishte në dijeni se kampionja olimpike Nora Gjakova ka prejardhjen nga Peja, një tjetër detaj që tërhoqi vëmendjen e audiencës.

Megjithatë, huqja më e madhe e tij u regjistrua kur iu kërkua të përgjigjej se kush e kompozoi Himnin Kombëtar të Shqipërisë. Edhe pse Arditi e ka prezantuar veten në BBVK si profesor i muzikës, ai nuk ishte në gjendje të tregonte se autorët e himnit kombëtar janë Asdreni (tekstin) dhe Ciprian Porumbescu (muzikën), duke surprizuar jo pak ndjekësit e formatit.

Ky episod ka bërë që publiku të reagojë me humor dhe habi, duke rikujtuar se Big Brother VIP Kosova 4 nuk është vetëm lojë strategjie dhe argëtimi, por edhe një test i njohurive të banorëve mbi historinë, kulturën dhe figurat e vendit.

The post Megjithëse e prezantoi veten si profesor i muzikës, Ardit Stafaj nuk e di se kush e ka kompozuar Himnin e Shqipërisë appeared first on Albeu.com.

Nis numërimi mbrapsht, çka mund të ndodhë me pozitën e presidentit?

By: D Marku
5 February 2026 at 14:55

Ani pse është demokraci parlamentare, në Kosovë ka pasur gjithmonë rëndësi se kush është ngjitur në pozitën e presidentit. Mandati i radhës nuk përbën asnjë dallim. Madje, kalkulimet për të duket që sa shkojnë e rriten.

Në anën tjetër, koha për finalizim të procesit sa shkon e shkurtohet. Pse, atëherë, partitë nuk deklarohen zëshëm për një kandidat?

Çfarë pritet nga legjislatura e dhjetë?

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka thënë hapur se synon edhe një mandat në krye të shtetit.

Por, disponimin e njëjtë nuk duket se e kanë ata që duhet t’ia japin votën.

Momentalisht, Kosova nuk e ka një legjislaturë të re në Kuvend, ndonëse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i ka shpallur rezultatet përfundimtare dhe pritet t’i certifikojë ato shpejt.

Ndërkohë, numërimi mbrapsht ka nisur: Deputetët duhet ta votojnë deri më 4 mars emrin e presidentit për mandatin e ri, në të kundërtën vendi i rrezikon edhe një palë zgjedhje të parakohshme.

Çfarë thonë partitë?

Për Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), partinë që ka fituar mbi 51 për qind të votave në parlamentaret e parakohshme të 28 dhjetorit, zgjedhja e presidentit përbën prioritetin e katërt.

Kreu i saj, Albin Kurti, njëherësh kryeministër në detyrë i Kosovës, e ka pranuar se ka biseduar me Osmanin në këtë drejtim, por, sipas tij, muaji shkurt e vërteton gatishmërinë dhe interesimin e opozitës për të nisur një kapitull të ri me pushtetin.

Për Dritëro Arifin, njohës i çështjeve politike, LVV-ja me qëllim nuk është deklaruar me “po ose jo të madhe” për Osmanin. Sipas tij, Kurti nuk dëshiron të negociojë për Osmanin, për të cilën besimi, pavarësisht se nga fundi i mandatit kanë pasur bashkëpunim, nuk është sikurse më 2021.

“E ka lënë me qëllim që të nënkuptohet që janë të mundshme të dyja variantet. LVV-ja po luan me skenarin e presionit të madh, që të afrohet sa më shumë data e 4 marsit, dhe të ketë presion më të madh te opozita, që në rastin më të keq të pranohet cilido kandidat apo kandidate që propozohet, vetëm të mos shkohet në zgjedhje të reja”, thotë Arifi për Radion Evropa e Lirë.

As ish-partitë opozitare nuk duket se e kanë ndarë mendjen.

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka thënë se fillimisht duhet të konstituohet Kuvendi dhe më pas të gjendet një formulë.

Udhëheqësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka pohuar së voni se është i gatshëm të flasë me gjithë spektrin politik për t’i dhënë zgjidhje kësaj çështjeje. Sipas tij, figura në pozitën e presidentit duhet të përfaqësojë “unitetin kombëtar” të Kosovës.

“Na duhet komunikim publik brenda spektrit politik. Kjo është shumë e natyrshme. Kur flasim për marrëveshje politike, nuk e kemi fjalën për pazare politike, e kemi fjalën që duhet ulur partitë që t’i bëjnë numrat për një president të ardhshëm të Republikës së Kosovës”, ka thënë Abdixhiku.

Partia e tij, LDK-ja, ka qenë ajo që ia ka bërë kuorumin Osmanit më 2021.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës duket se do ta ketë kandidatin e vet. Pal Lekaj nga kjo parti tha ditë më parë se lideri i partisë, Ramush Haradinaj, mund të jetë kandidat.

“Mendoj që është koha e duhur që opozita të unifikohet dhe të vendosë për një kandidat konsensual, e në këtë rast pse të mos ishte edhe zoti Haradinaj”, u shpreh Lekaj, duke shtuar se ka diskutime edhe me krerët e PDK-së dhe LDK-së në këtë drejtim.

Arifi beson se këto parti nuk janë në pozitë shumë të favorshme, për shkak të rrezikut të zgjedhjeve të reja, andaj edhe mund të lëshojnë pe – nëse jo partia si një, mund të ketë deputetë që të paktën qëndrojnë në sallë.

Sa u përket minoriteteve joshumicë, tre përfaqësues të tyre – Emilija Rexhepi, Veton Berisha dhe Erxhan Galushi – thanë ditë më parë se do të votonin kandidatin që e propozon shumica, duke përmendur se kanë votë edhe për Osmanin.

Si zgjidhet presidenti i Kosovës?

Për ta çuar përpara një propozim duhet të sigurohen të paktën 30 nënshkrime të deputetëve.

Një kandidat duhet t’i sigurojë dy të tretat e votave të deputetëve në Kuvendin me 120 karrige, ndërsa kuorumi arrihet me 80 deputetë.

Nëse në dy rundet e para një kandidat nuk i siguron 80 vota, atëherë në votimin e tretë mjafton t’i ketë 61.

Çfarë ndodh nëse nuk zgjidhet presidenti?

Këtë herë, përtej kalkulimeve partiake, mosrespektimi i afateve kohore do ta çonte shtetin në zgjedhje dhe do të rrezikonte ta paralizonte gjithë sistemin. Shteti do të mbetej pa buxhet dhe rrjedhimisht as nuk do të mund të ndaheshin fonde për proces tjetër zgjedhor.

Mos të flasim për mungesë pagash për sektorin publik dhe një mori komplikimesh tjera.

Një tjetër fatkeqësi për shtetin do të ishte nëse nuk do të ratifikoheshin marrëveshjet ndërkombëtare për Planin e Rritjes të Bashkimit Evropian dhe ato me Bankën Botërore.

Arifi beson se Kosova mund të përballet me zgjedhje të reja, vetëm nëse kalon në një “marrëzi totale kolektive politike”.

“Përndryshe nëse ka pak racionalitet, partitë opozitare duhet ta marrin një vendim se si do të duket skena politike me presidenten, cilindo që do ta propozojë LVV-ja. Normalisht, do të ishte mirë të kishin marrëveshje me LVV-në, që të jetë një pushtet më balancues, por po vërehet që partia [LVV-ja] nuk është e gatshme ta ndajë këtë pozitë”.

Presidentja Osmani është kritikuar disa herë gjatë mandatit të saj se ka mbajtur anë nga Lëvizja Vetëvendosje.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, në fund të dhjetorit, ajo tha se nëse nuk e fiton edhe një mandat, atëherë do t’i kthehet angazhimit politik, pa treguar se me cilën parti./REL/

The post Nis numërimi mbrapsht, çka mund të ndodhë me pozitën e presidentit? appeared first on Albeu.com.

Osmani: Kosova dhe Emiratet e Bashkuara Arabe të gatshme për të hapur kapituj të rinj bashkëpunimi

By: D Marku
5 February 2026 at 14:54

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit të saj në Emiratet e Bashkuara Arabe, është takuar me gra lidere, me nikoqire Lartmadhërinë e Saj, Sheikha Latifa bint Mohammed bin Rashid Al Maktoum, Kryetare e Autoritetit të Kulturës dhe Arteve.

Në një postim, Presidentja Osmani ka theksuar rëndësinë e këtij takimi dhe potencialin për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

“Një pasdite në shoqërinë e grave lidere, me nikoqire Lartmadhërinë e Saj, Sheikha Latifa bint Mohammed bin Rashid Al Maktoum, Kryetare e Autoritetit të Kulturës dhe Arteve”, ka shkruar Osmani.

Ajo ka vënë në pah se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe shkojnë përtej miqësisë tradicionale. “Kosova dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë më shumë sesa miqësi: kanë hapësirë për të hapur kapituj të rinj bashkëpunimi edhe në kulturë, krijimtari, art dhe inovacion”, ka theksuar Presidentja.

Takimi u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, veçanërisht në fushat e kulturës, artit dhe inovacionit, me fokus të veçantë në rolin e grave lidere në këto procese.

The post Osmani: Kosova dhe Emiratet e Bashkuara Arabe të gatshme për të hapur kapituj të rinj bashkëpunimi appeared first on Albeu.com.

SPAK kërkon ta arrestojë/ Balluku vijon takimet me fermerët në Fier

By: V K
5 February 2026 at 14:32

Zv.kryeministrja Belinda Balluku, të cilën SPAK kërkon ta arrestojë, pasi është marrë e pandehur për shkelje të barazisë në tendera, ka vijuar të sfidojë hapur drejtësinë.

Këtë të enjte, ajo është shfaqur në Fier aty ku ka zhvilluar një takim me fermerët, të cilëve u ka premtuar se 5.2 miliardë lekë do të vendosen në dispozicion të skemës kombëtare të bujqësisë, duke shpërfillur sërish faktin se është një zyrtare e pandehur.

“Këtë vit qeveria shqiptare ka dizenjuar buxhetin më të madh që ka pasur ndonjëherë për bujqësinë, blektorinë dhe peshkimin. Flitet për 16.3 miliardë lekë, nga të cilat 5.2 miliardë do të vendosen për në dispozicion të skemës kombëtare në bujqsi. Për shkak të një zone që është hambari i Shqipërisë, qarku i Fierit, kam arritur të kuptoj që skemat duhet të jenë më efikase më të goditura”,-është shprehur Balluku në takim.

The post SPAK kërkon ta arrestojë/ Balluku vijon takimet me fermerët në Fier appeared first on Albeu.com.

Vizita në Vatikan, Kryeministri Rama pritet nga Papa Leone XIV

By: V K
5 February 2026 at 14:05

Kryeministri Edi Rama u prit mëngjesin e së enjtes, 5 shkurt, nga Papa Leone XIV në kuadër të vizitës që po zhvillon në Vatikan. Kreu i qeverisë shoqërohej nga bashkëshortja Linda Rama dhe djali i tyre, Zaho.

Më pas, kryeministri u takua në Sekretariatin e Shtetit me Kardinalin Pietro Parolin dhe Imzot Paul Richard Gallagher, Sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare.

“Gjatë diskutimeve të përzemërta”, thuhet në një deklaratë nga Selia e Shenjtë, “u theksuan marrëdhëniet e mira që ekzistojnë midis Selisë së Shenjtë dhe Republikës së Shqipërisë dhe u trajtuan çështje me interes të ndërsjellë që lidhen me marrëdhëniet midis bashkësive kishtare dhe civile.”

Ndër temat në qendër të diskutimit ishin çështjet kryesore rajonale, përfshirë situatën në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe rrugën e Shqipërisë drejt integrimit të plotë në BE.

The post Vizita në Vatikan, Kryeministri Rama pritet nga Papa Leone XIV appeared first on Albeu.com.

E rëndë në Sarandë/ i riu bën për spital pas sherrit 48-vjeçarin, i plagosuri dërgohet me urgjencë drejt spitali të Traumës, rrezikon të humbasë syrin (EMRAT)

By: V K
5 February 2026 at 14:01

Pasditen e djeshme, një grindje për motive të dobëta ka ndodhur në Sarandë. 45-vjeçari Gëzim Preçi, lindur në Tiranë por me banim në Lezhë, pas një grindjeje të momentit, dyshohet se pa asnjë motiv, ka goditur me grushte dhe sende të forta 48-vjeçarin Gentjan Mustafa, banor i Shelegarit.

Nga persona të ndodhur prezent në ngjarje, është bërë transportimi i 48-vjeçarit në urgjencën e spitalit të Sarandës.

Sipas bluzave të bardha, mësohet se goditja me sende të forta e 48-vjeçarit Gentjan Mustafa ishte e rëndë. Goditja ishte poshtë syrit dhe për rrjedhojë i ishte thyer kocka, njëherazi nga goditja pati edhe hemorragji të syrit.

Pas ndihmës së parë në spitalin e Sarandës, 48-vjeçari Gentjan Mustafa, është transportuar me ambulancë drejt spitalit të Traumës në Tiranë.

Pas ngjarjes kanë shkuar në vend shërbimet policore dhe bënë arrestimin e 45-vjeçarit Gëzim Preçi, për veprën penale “plagosja e rëndë me dashje”.

Burime bëjnë me dije se autori kishte rreth një javë që ndodhej në Sarandë dhe raste grindjeje kishte pasur edhe me të tjerë qytetarë, por pa përdorimin e sendeve të forta, si në rastin e 48-vjeçarit Mustafa.

Mësohet se 45-vjeçari Gëzim Preçi, ka shfaqur shqetësime të shëndetit mendor dhe për rrjedhojë edhe pse i arrestuar, do të dërgohet në Spitalin Psikiatrik në Lezhë me shtrim të detyruar, deri në pritje të ekspertimit nga mjekët.

The post E rëndë në Sarandë/ i riu bën për spital pas sherrit 48-vjeçarin, i plagosuri dërgohet me urgjencë drejt spitali të Traumës, rrezikon të humbasë syrin (EMRAT) appeared first on Albeu.com.

Kryebashkiaku socialist i Gjirokastrës, Flamur Golemi paraqitet në SPAK

By: V K
5 February 2026 at 13:30

Këtë të enjte, kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi, është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Ai është parë të futet në ambientet e Prokurorisë, por deri më tani nuk ka detaje se për çfarë çështjeje në hetim është thirrur.

Priten detaje në vijim për arsyet e paraqitjes së tij.

The post Kryebashkiaku socialist i Gjirokastrës, Flamur Golemi paraqitet në SPAK appeared first on Albeu.com.

Familja Kola u shua nga helmimi me gaz në banesë, fqinji shqiptar tregon momentet dramatike: I gjetëm të shtrirë përtokë në katin e dytë, kishin ende rrahje zemre

By: V K
5 February 2026 at 13:25

Ernest Çela, fqinji i familjes Kola, 4 anëtarët e së cilës ndërruan jetë mbrëmjen e 4 shkurtit në Porcari në provincën e Lucca-s në Itali, ka rrëfyer për mediat italiane momentet dramatike nga ngjarja e rëndë.

Për La Repubblica, i riu shqiptar tregon se kur hyri në banesën tre katëshe të familjes Kola bashkë me të afërmin e tyre, vëllain e kryefamiljarit Arti Kola, si dhe dy efektivë policie, i gjetën të shtrirë përtokë pa ndjenja në katin e dytë.

Gjithashtu, ai thekson se në atë moment ata kishin ende puls dhe rrahje zemre.

I riu tregoi se në një moment edhe xhaxhai i djalit humbi ndjenjat, si dhe atij filluan t’i merreshin mendtë dhe doli jashtë. I riu tha se kur hapën dritaret, kishte dalë tym i bardhë.

“Mbrëmë rreth orës 21:30 erdhi patrulla e policisë bashkë me xhaxhain e djalit që ka ndërruar jetë. Menjëherë hymë në banesë dhe u ngjitëm në katin e dytë, ku pashë 4 trupat të shtrirë pa ndjenja në tokë. Në atë moment shkova menjëherë të kontrolloja nëse kishin akoma puls dhe deri në atë moment kishin ende rrahje zemre. Më pas, një moment, xhaxhai i djalit, ai që tani është i shtruar në spitalin e Cisanellos në gjendje të rëndë, humbi ndjenjat. Më pas edhe mua filluan të merreshin mendtë. Më pas bashkë me babanë tim dhe dy karabinierët kuptuam se në ajër kishte diçka, një gaz ose diçka e ngjashme”, ka thënë ai.

NGJARJA

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 4 shkurtit në banesën e familjes. Nga hetimet e para, dyshohet se anëtarët e saj u helmuan nga rrjedhja e monoksidit të karbonit nga pajisja e ngrohjes.

Viktimat janë identifikuar si Arti Kola 48 vjeç, Jonida Kola 42 vjeçe dhe dy fëmijët, Hajdar dhe Xhesika Kola, 22 dhe 15 vjeç.

Alarmin e ka dhënë vëllai i kryefamiljarit, i cili njoftoi karabinierët. Pasi mbërritën në banesën trekatëshe dhe nuk morën asnjë përgjigje pas trokitjeve dhe u detyruan të thyejnë derën.

Kryetari i komunës së Porcarit në Itali, Leonardo Fornaciari shprehu tronditjen dhe hidhërimin e tij të thellë për tragjedinë.

“Mbrëmë, një tragjedi e madhe ndodhi në qytetin tonë. Një familje e tërë humbi jetën në shtëpi. Hetimi do të hedhë dritë mbi këtë çështje, por shkaku duket të jetë monoksidi i karbonit. Familja Kola, përfshirë babain Arti, nënën Jonidën dhe fëmijët e tyre Hajdar dhe Xhesikë, ishin shumë të respektuar dhe të dashur nga komuniteti ynë. Jemi të gjithë të tronditur dhe të trishtuar nga kjo ngjarje, e cila më kujtoi menjëherë tragjedinë e familjes Malanca, e cila ndodhi në shkurt të vitit 1992. Komuniteti ynë u shpreh ngushëllimet e tij të sinqerta të afërmve dhe miqve të familjes Kola për këtë humbje të rëndë që ka prekur të gjithë Porcarin.”, shkroi ai.

The post Familja Kola u shua nga helmimi me gaz në banesë, fqinji shqiptar tregon momentet dramatike: I gjetëm të shtrirë përtokë në katin e dytë, kishin ende rrahje zemre appeared first on Albeu.com.

Ngjashmëria e Mirit të BBVA 5 me Shefqet Krasniqin – krahasimi bëhet viral në rrjetet sociale

By: D Marku
5 February 2026 at 13:13

Teksa rrugëtimi i Mirit në Big Brother VIP po ndiqet nga një numër i madh shikuesish, një detaj interesant ka nisur të tërheqë vëmendjen e publikut jashtë dinamikave të lojës.

Shumë ndjekës kanë filluar të pyesin veten nëse fytyra e tij u duket e njohur edhe nga një tjetër kontekst, përtej videoklipeve të West Side Family – dhe duket se nuk janë të vetmit që e kanë bërë këtë vëzhgim.

Së fundmi, në rrjetet sociale, veçanërisht në TikTok dhe Instagram, ka qarkulluar një kolazh që vë përballë Mirit dhe hoxhën e njohur nga Kosova, Shefqet Krasniqi. Krahasimi ka marrë menjëherë vëmendje, duke u shpërndarë gjerësisht dhe duke nxitur reagime të shumta nga ndjekësit.

Edhe pse vijnë nga fusha krejtësisht të ndryshme, shumë komentues kanë vënë në dukje ngjashmërinë fizike mes tyre në disa plane. Nga tiparet e fytyrës e deri te mimika në fotografi të caktuara, ndjekësit kanë nisur të diskutojnë me habi, ku disa shprehen se nuk e kishin vënë re më herët këtë ngjashmëri, ndërsa të tjerë e kanë marrë situatën me humor dhe sportivitet.

Ky “binjakëzim” i papritur ka sjellë një valë komentesh argëtuese në rrjet, duke e kthyer krahasimin në një temë diskutimi mes fansave të formatit.

Ndërkohë që Miri vazhdon rrugëtimin e tij në Big Brother VIP, kjo ngjashmëri e vënë re nga publiku është shndërruar në një detaj interesant të bisedave online, duke dëshmuar edhe një herë se çdo detaj i banorëve analizohet dhe komentohet me kujdes nga ndjekësit e spektaklit.

The post Ngjashmëria e Mirit të BBVA 5 me Shefqet Krasniqin – krahasimi bëhet viral në rrjetet sociale appeared first on Albeu.com.

Ish-presidentit Thaçi s’i ndalet përgjimi prej afër 4 vjetësh, Prokuroria mblodhi 35 orë incizime

By: D Marku
5 February 2026 at 12:57

Ish-presidentit të Kosovës që po mbahet në qendrën e paraburgimit në Hagë gjatë gjithë kohës i përgjohen bisedat me vizitorë.
Në gjyqin e dytë ndaj Hashim Thaçit, Prokuroria e Specializuar, i ka dorëzuar 35 orë audio-incizime si prova, njofton Klan Kosova.

Rëndimi që po i bëhet mbrojtjes me mbi 5 mijë faqe transkripte nuk është ankesa e vetme e avokatëve të Thaçit dhe të tjerëve, të cilët kanë gjetur se Prokuroria po i ndryshon edhe versionet e përkthimeve të pjesëve ku pretendohet se ish-presidenti u mundua të jap udhëzime për dëshmitarë.

Kujtojmë se deklaratat përmbyllëse në çështjen kundër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të mbahen nga 9 deri më 18 shkurt.

Ish-eprorët e UÇK-së Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Të katërtit janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.

Sipas njoftimit, parashihet që fillimisht Zyra e Prokurorit të Specializuar të mbajë deklaratën përmbyllëse më 9 shkurt. Një ditë më pas, radha do të jetë e mbrojtësit të viktimave.

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi janë në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020. Gjykimi ndaj tyre nisi në prill të vitit 2023. Fillimisht, Zyra e Prokurorit të Specializuar thirri në gjykatore 125 dëshmitarë, ndërkaq 117 të tjerë dorëzuan dëshmitë e tyre me shkrim.

Ndërkaq, Thaçi po përballet edhe një rast tjetër për pengim të drejtësisë dhe gjykimi për këtë çështje është caktuar të nisë më 24 shkurt të këtij viti.

The post Ish-presidentit Thaçi s’i ndalet përgjimi prej afër 4 vjetësh, Prokuroria mblodhi 35 orë incizime appeared first on Albeu.com.

Përmbytjet në Durrës, Prokuroria sekuestron dokumentet e tenderit për rehabilitimin e argjinaturës së lumit Erzen

By: V K
5 February 2026 at 12:36

Përmbytjet në Durrës, Prokuroria sekuestron dokumente në Bashkinë Durrës. Organi i akuzës po avancon me hetimet, në lidhje me penal nr. 56 i vitit 2026, për disa vepra penale: shkatërrim prone nga pakujdesia, shkatërrim i pronës me përmbytje dhe shpërdorim detyre.

Dokumentacioni i procedurës së prokurimit, zbatimit dhe marrjes në dorëzim për objektin “Rehabilitim i argjinaturës, ngritjes së bankinës dhe sistemimi i argjinaturës së lumit Erzen”.

Dokumentacioni tekniko-ligjor i të gjithë procedurës së lejes së ndërtimit për objektin “Rehabilitim i argjinaturës, ngritjes së bankinës dhe sistemim i argjinaturës së lumit Erzen”.

Krahas hetimeve nga Prokuroria e Durrësit, zyrtarët e Bashkisë së qytetit bregdetar, ndër to edhe kryebashkiakja Emirjana Sako, janë kallëzuar edhe në SPAK nga anëtarja e Këshillit Kombëtar në Partinë Demokratike, Ilirjana Kuçana.

Dyshohet se ndërhyrja në argjinaturën e lumit Erzen pa leje ndërtimi dhe pa studim solli përmbytjen e fshatrave të Sukthit dhe evakuimin e banorëve.

 

The post Përmbytjet në Durrës, Prokuroria sekuestron dokumentet e tenderit për rehabilitimin e argjinaturës së lumit Erzen appeared first on Albeu.com.

“Jam me fat që jam gjallë”: Rrëfimi i fortë i Britney Spears mes tensioneve të vazhdueshme familjare

By: D Marku
5 February 2026 at 12:18

Britney Spears ka folur sërish hapur për marrëdhëniet e vështira me familjen e saj, duke pranuar se ndihet e vetmuar dhe e frikësuar pas asaj që ka përjetuar ndër vite. Në një postim në Instagram më 4 shkurt, këngëtarja 44-vjeçare shkroi se nevoja për lidhje njerëzore është thelbësore dhe se izolimi, i justifikuar dikur si “ndihmë”, ishte një gabim i madh.

“Si njerëz, gjithçka që duam është të mos ndihemi vetëm,” shkroi ajo, duke shtuar se megjithëse falja është e mundur, kujtesa e dhimbjes mbetet. Spears tha se ndihet “jashtëzakonisht me fat që është gjallë”, duke lënë të kuptohet se trajtimi nga familja e saj e ka lënë ende me frikë dhe pasiguri.

Ajo përmendi edhe besimin te Zoti, duke reflektuar mbi mënyrat “misterioze” se si funksionon jeta, por theksoi se, sipas saj, disa anëtarë të familjes nuk kanë marrë kurrë përgjegjësi për veprimet e tyre. Në fund të postimit, këngëtarja shtoi një detaj më të lehtë, duke treguar se kishte ngrënë cheesecake me një fqinj dhe se nuk kishte kërcyer prej një muaji për shkak të një gishti të thyer.

Postimi vjen pas vitesh deklaratash publike për marrëdhëniet e saj të ndërlikuara me babain Jamie, nënën Lynne dhe motrën Jamie Lynn. Në kujtimet e saj të vitit 2023, The Woman in Me, Spears rrëfeu hapur për dhimbjen e shkaktuar nga konservatoria e vendosur në vitin 2008, e cila u mbyll përfundimisht në vitin 2021. Edhe pse disa përpjekje për pajtim janë bërë, Spears ka pranuar se plagët emocionale mbeten ende të hapura.

The post “Jam me fat që jam gjallë”: Rrëfimi i fortë i Britney Spears mes tensioneve të vazhdueshme familjare appeared first on Albeu.com.

Ngjarja tragjike në Itali/ Familja shqiptare kishte 5 muaj që ishte transferuar në banesën ku humbën jetën nga helmimi me gaz

By: V K
5 February 2026 at 12:18

Të tjera detaje mësohen lidhur me tragjedinë në familjen shqiptare që jetonte në Porcari, pranë Luccës në Itali. Çifti Arti dhe Jonida Kola, 48 dhe 42-vjeç, si dhe dy fëmijët e tyre, Hadjari, 23-vjeç, dhe Xhesika, 15-vjeçe, u gjetën të pajetë në banesë dhe dyshohet se janë helmuar nga monoksidi i karbonit që ka rrjedhur nga pajisja e ngrohjes.

Familja e kishte blerë shtëpinë vetëm një vit e gjysmë më parë dhe ishte zhvendosur vetëm pesë muaj më parë.

Kryefamiljari punonte në një dyqan bojërash, ndërsa i biri punonte si elektricist.

Alarmi u dha duke telefonuar numrin e urgjencës 112, pasi dikush brenda shtëpisë raportoi se nuk ndihej mirë.

Pak pas orës 22:00, ekipet e emergjencës mbërritën dhe, me të hyrë në apartament, gjetën një skenë dramatike: trupat e katër anëtarëve të familjes ishin tashmë të pajetë.

Sipas hetimeve fillestare, rrjedhja e gazit duket të jetë aksidentale.

REAGIMI I KRYETARIT TË BASHKISË SË PORCARIT:

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e djeshme (4 shkurt) në banesën e familjes. Nga hetimet e para dyshohet se anëtarët e saj u helmuan nga rrjedhja e monoksidit të karbonit nga një pajisje ngrohjeje.

Kryetari i komunës së Porcarit në Itali, Leonardo Fornaciari shprehu tronditjen dhe hidhërimin e tij të thellë për tragjedinë.

“Mbrëmë, një tragjedi e madhe ndodhi në qytetin tonë. Një familje e tërë humbi jetën në shtëpi. Hetimi do të hedhë dritë mbi këtë çështje, por shkaku duket të jetë monoksidi i karbonit. Familja Kola, përfshirë babain Arti, nënën Jonidën dhe fëmijët e tyre Hajdar dhe Xhesikë, ishin shumë të respektuar dhe të dashur nga komuniteti ynë. Jemi të gjithë të tronditur dhe të trishtuar nga kjo ngjarje, e cila më kujtoi menjëherë tragjedinë e familjes Malanca, e cila ndodhi në shkurt të vitit 1992. Komuniteti ynë u shpreh ngushëllimet e tij të sinqerta të afërmve dhe miqve të familjes Kola për këtë humbje të rëndë që ka prekur të gjithë Porcarin”, shkroi ai.

The post Ngjarja tragjike në Itali/ Familja shqiptare kishte 5 muaj që ishte transferuar në banesën ku humbën jetën nga helmimi me gaz appeared first on Albeu.com.

Tragjedi e përsëritur! Në banesën ku humbi jetën familja shqiptare, kishin vdekur edhe 4 persona të tjerë

By: V K
5 February 2026 at 12:02

Janë zbardhur detaje të reja në lidhje me ngjarjen tragjike, ku 4 anëtarë të një familje shqiptare kanë humbur jetën si pasojë e rrjedhjes së gazit brenda në banesë.

Sipas raportimeve, kjo ishte një ngjarje e përsëritur, pasi kohë më parë një tjetër banesë ishte përfshirë nga rrjedhja e gazit dhe për pasojë kishin ndërruar jetë po 4 anëtarë të një familje.

Ndëkohë, viktimat janë identifikuar si, Arti Kola, 48-vjeç, (kryefamiljar) bashkëshortja e tij Jonida Kola, 42-vjeçe, dhe dy fëmijët e tyre, Hajdar Kola, 23-vjeç, dhe Xhesika Kola, 15-vjeçe.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orët e mbrëmjes, ku familja sapo kishte shtruar darkën. Në rrethana ende të paqarta në sasi gazi dyshohet se ka rrjedhur nga kaldaja e ngrohjes dhe për pasojë familjarët janë asfiksuar.

Ka qënë vëllai i kryefamiljarit ai që ka dhënë alarmin dhe njoftoi karabinierët. Sapo arritën në shtëpinë trekatëshe, xhaxhai dhe karabinierët trokitën disa herë, por nuk morën përgjigje.

Në këtë moment ata kanë hapur derën me forcë dhe, sapo hynë brenda, u përballën me skenën dramatike, katër trupat e familjarëve ishin të pajetë përtokë.

Gjithashtu, si pasojë e gazit dhe tronditjes, edhe xhaxhai i dy fëmijëve të mitur, humbi ndjenjat para karabinierëve dhe u dërgua me urgjencë në spitalin e Cisanello-s./B.news

The post Tragjedi e përsëritur! Në banesën ku humbi jetën familja shqiptare, kishin vdekur edhe 4 persona të tjerë appeared first on Albeu.com.

Po pret Albën apo Dolcen? Limi flet hapur pas daljes nga ‘BBVK’

By: D Marku
5 February 2026 at 11:58

Lim Hoti ka reaguar për herë të parë publikisht vetëm pak ditë pas largimit të papritur nga shtëpia e Big Brother VIP Kosova, duke i dhënë fund çdo dileme që kishte mbajtur publikun në pritje.

Rrugëtimi i tij në reality show u shënua nga një trekëndësh i ndërlikuar emocionesh, ku në qendër ishin ish-partnerja Alba dhe banorja tjetër Dolce. Megjithatë, deklarata e parë e Limit jashtë shtëpisë ka qenë e prerë dhe pa ekuivoke: nuk ka vend për ribashkim me asnjërën prej tyre.

Në një intervistë telefonike për Andale Media, Limi ka zgjedhur të flasë hapur, duke ofruar një këndvështrim ndryshe nga ai që u krijua gjatë transmetimit të spektaklit. I pyetur për raportin me Albën, ai surprizoi me deklaratën e tij, duke e cilësuar atë si një figurë të dëmtuar nga dinamika mediatike.

“Mënyra si e shoh unë Albën është thjesht një viktimë e televizioneve. Më vjen keq që po e them,” u shpreh ai.

Përballë aludimeve se mund të kishte një sqarim apo një takim jashtë shtëpisë me njërën nga vajzat, Limi i ka mbyllur të gjitha dyert me një fjali të vetme, duke konfirmuar se jeta e tij private jashtë është tashmë e stabilizuar.

“Nuk po e pres asnjërën, me thënë të drejtën, sepse jam i zënë. Nuk po mendoj fare për këta persona,” deklaroi ai.

The post Po pret Albën apo Dolcen? Limi flet hapur pas daljes nga ‘BBVK’ appeared first on Albeu.com.

Rënie gurësh në aksin Kukës-Bushtricë, vështirësohet lëvizja e automjeteve

By: V K
5 February 2026 at 11:38

Gjatë orëve të natës, i gjithë qarku i Kukësit është përfshirë  nga reshje shiu me intensitet mesatar,  të shoqëruara herë pas here edhe me erë, duke krijuar vështirësi në disa segmente rrugore.

Reshjet kanë vijuar deri në orët e para të mëngjesit të kësaj të enjteje, kur janë ndërprerë gradualisht.

Si pasojë e motit të paqëndrueshëm, në disa akse rrugore të qarkut janë shënuar rënie gurësh dhe inertesh nga shpatet malore, veçanërisht në zonat me terren të thyer.

Problematika më e theksuar është evidentuar në segmentin rrugor Kukës–Bushtricë, ku në orët e para të ditës së sotme janë regjistruar rënie gurësh dhe masash dherash, duke vështirësuar përkohësisht lëvizjen e automjeteve.

Aktualisht, ky aks kombëtar që lidh Kukësin me Peshkopinë është i qarkullueshëm normalisht, megjithatë drejtuesit e mjeteve këshillohen të tregojnë kujdes të shtuar gjatë orëve në vijim.

Sipas raportimeve nga strukturat vendore, në bashkitë Kukës, Tropojë dhe Has, nuk janë konstatuar dëme në banesa apo infrastrukturë tjetër publike dhe nuk ka pasur situata emergjente që të kërkojnë ndërhyrje shtesë.

Furnizimi me energji elektrike vijon normalisht në të gjithë territorin e qarkut, pa ndërprerje. Autoritetet vendore dhe shërbimet emergjente mbeten në gatishmëri për të monitoruar situatën, ndërsa u bëhet thirrje qytetarëve dhe drejtuesve të mjeteve të ndjekin informacionet zyrtare dhe të tregojnë kujdes gjatë lëvizjes, sidomos në akset malore.

The post Rënie gurësh në aksin Kukës-Bushtricë, vështirësohet lëvizja e automjeteve appeared first on Albeu.com.

❌
❌