Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 30 January 2026Albeu

Zgjedhja e presidentit të Kosovës, Kurti: Kemi nevojë për një raport të ri Qeveri-opozitës

By: M C
30 January 2026 at 18:32

Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka thënë të premten se Kosova ka nevojë për një marrëdhënie të re mes pushtetit dhe opozitës, në mënyrë që t’i kalojë marrëveshjet jetike ndërkombëtare dhe ta zgjedhë presidentin e ri të vendit, për ta shmangur një krizë të re politike.

Partia në pushtet e Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje, i fitoi bindshëm zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, duke i marrë 57 vende në Kuvendin me 120 sosh, dhe pritet ta formojë së shpejti qeverinë e re për një mandat të tretë katërvjeçar.

Megjithatë, atij i mungon një shumicë dërrmuese prej 82 deputetësh për të kaluar ligje sikurse janë marrëveshjet ndërkombëtare, apo zgjedhja e presidentit të vendit.

Kurti tha për gazetarë të premten se e ka takuar presidenten Vjosa Osmani – e cila po kërkon një mandat të dytë pesëvjeçar – por se votimi në Kuvend për presidentin e ri është “hapi i katërt” në një varg hapash, siç është certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve, konstituimi i Kuvendit të ri dhe formimi i qeverisë së re.

Derisa tha se nuk do të ketë telashe ta formojë qeverinë e re, Kurti kërkoi nga opozita bashkëpunim për t’i kaluar marrëveshjet ndërkombëtare dhe për çështjen e presidentit.

Dy marrëveshje ndërkombëtare, jetike për Kosovën, presin dritën jeshile të Kuvendit: Plani për Reforma dhe Rritje i Bashkimit Evropian (BE) në vlerë prej 882 milionë eurove, si dhe tri marrëveshje me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim (ANZH) të Bankës Botërore në vlerë mbi 120 milionë euro.

Ratifikimi i tyre është stërzgjatur si pasojë e mungesës së institucioneve të reja përgjatë vitit 2025.

Kurti tha se partia e tij është e gatshme për bashkëpunim me opozitën dhe pret të shohë nëse do të ketë lëvizje nga ajo në shkurt.

“Ne duhet të shohim në Kuvend se a ka atmosferë për një raport të ri Qeveri–opozitë”, tha Kurti.

“Populli na ka dhënë një mbështetje shumë të madhe, e cila është përgjegjësi e lartë për ne për formimin e qeverisë; nuk do të kemi asnjë problem, por për dy të tretat e votave që nevojiten në Kuvend, prej marrëveshjeve ndërkombëtare deri te zgjedhja e presidentes apo presidentit, ne kemi nevojë për bashkëpunim me opozitën”, shtoi ai.

Dështimi për ta zgjedhur presidentin ri, pasi Osmanit i mbaron mandati në prill, do ta çonte vendin në zgjedhje të reja të parakohshme për herë të tretë brenda afërsisht 12-muajsh.

Themelimi i institucioneve të reja pas zgjedhjeve të dhjetorit është zvarritur pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u detyrua t’i rinumërojë të gjitha votat në gjithë vendin, pas dyshimeve për manipulim të votave në të kandidatëve për deputetë të Kuvendit.

Komisioni pritet ta përfundojë rinumërimin të premten pasdite dhe në ditët në vijim t’i certifikojë rezultatet, për ta hapur rrugën për konstituimin e Kuvendit.

Megjithatë, ka druajtje se konstituimi mund të përballet me bllokada të reja, pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, e cila gjeti se Nenad Rashiq, nënkryetari i Kuvendit nga pakica serbe pas zgjedhjeve të shkurtit ishte zgjedhur në kundërshtim me Kushtetutën e vendit.

Gjykata theksoi se e drejta për të propozuar kandidatin i takon partisë që ka fituar shumicën e vendeve të rezervuara për komunitetin serb – në këtë rast, Listës Serbe, e cila i kishte nëntë nga dhjetë mandatet.

Kjo parti – më e madhja e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit – fitoi sërish nëntë mandate në zgjedhjet e dhjetorit, ndërsa një mandat e fitoi Nenad Rashiq, udhëheqës i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.

I pyetur për vendimin e Kushtetueses, Kurti tha se nuk mund të japë vlerësim pa e parë aktgjykimin e plotë, i cili pritet të publikohet më vonë.

“Besoj që në javën e ardhshme do ta kemi atë gjykimin me përmbajtjen e plotë dhe më pastaj do të mund ta japim një përgjigje të qartë e të saktë nga ana jonë. Por, ajo çfarë unë shpresoj është që aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i janar-shkurtit 2026, të mos jetë në kundërshtim me ato aktgjykimet e vitit 2025, në veçanti të muajit tetor, sepse bëhet fjalë për të njëjtën çështje”, tha ai.

Viti 2025 ka qenë vit i humbur legjislativ në pamundësi të partive politike për të themeluar institucione të reja./ REL

The post Zgjedhja e presidentit të Kosovës, Kurti: Kemi nevojë për një raport të ri Qeveri-opozitës appeared first on Albeu.com.

Ndihmë e shpejtë pas përmbytjeve në Shqipëri, Gjermania jep 250.000 paund për 400 familjet e prekura

By: M C
30 January 2026 at 18:09

1.800 persona në rajonet më të prekura nga përmbytjet në Shqipëri, gjatë javëve të fundit, do të përfitojnë ndihmë të shpejt falë mbështetjes nga Gjermania. Lajmin e jep Ambasada Gjermane në Tiranë.

Masat përfshijnë ndihma sanitare dhe higjienike, strehimin emergjent dhe artikujt jo-ushqimorë, masat mbrojtëse (duke përfshirë mbrojtjen nga dhuna gjinore), sigurinë ushqimore dhe nevojat jetike.

Ndihma garantohet nga Fondi Start, i mbështetur nga Gjermania, dhe do të shkojë për rreth 400 familje në rajonet më të prekura të Shqipërisë – duke përfshirë Durrësin (Sukth, Katund i Ri, Kënetë, Rrashbull, Porto Romano si dhe Shkozetin, Nishtullën).

“Për më tepër, përmes mbështetjes sonë të gjerë për zhvillimin e sistemeve të paralajmërimit të hershëm (përmes projektit ALBAdapt të GIZ), ne kontribuojmë që ngjarjet ekstreme të motit të mund të parashikohen më mirë në të ardhmen, duke i mundësuar njerëzve të marrin masa parandaluese”, njofton Ambasada.

The post Ndihmë e shpejtë pas përmbytjeve në Shqipëri, Gjermania jep 250.000 paund për 400 familjet e prekura appeared first on Albeu.com.

SPAK i mbyll derën “Xhafajt”/ Prokuroria e Posaçme refuzon komisionin “Nisma qytetare” dhe e cilëson cenim të pavarësisë

By: M C
30 January 2026 at 17:46

Pikërisht ditën kur Klodian Braho mori detyrën e kryeprokurorit në mënyrën më aktive të mundshme duke behur në Këshillin e Mandateve në Kuvend, komisioni i Përhershëm Parlamentar Xhafaj kërkonte të futej në axhendën e SPAK.

Kërkesa lidhej me një vizitë monitoruese mbi rezultatet e SPAK për pastrimin e parave. Në këtë shkresë që TCH disponon, politika e mbështet kërkesën tek një shkresë e Agjencisë së Inteligjencës Financiare drejtuar kuvendit dhe disa institucioneve për disponimin e të dhënave rreth pastrimit të parave.

Por SPAK i thotë ‘jo” takimit me komisionin Xhafaj, që ishte sugjeruar të mbahej në 6 shkurt 2026. SPAK në këtë dokument, e cilëson takimin monitorues në kapërcim të ligjit dhe pavarësisë së Prokurorisë së Posaçme.

“Çdo praktikë për të kryer vizita të tilla monitoruese do të binte ndesh me pavarësinë kushtetuese të Prokurorisë së Posaçme. Kjo pavarësi nuk është vetëm një kërkesë formale ligjore, por edhe një kusht themelor për të siguruar hetime të pavarura, të paanshme dhe efikase, në mbrojtje të interesit publik dhe të sundimit të ligjit.”

Megjithatë SPAK lë një dritë jeshile për bashkëpunim me komisionin, kur i kujton se mund ta informojë sipas ligjit, por jo ta monitorojë.

“Në vijim të dialogut dhe bashkëpunimit ndër institucional me komisionin, Prokuroria e Posaçme mbetet e angazhuar për të kontribuar në përcjelljen e çdo informacioni të nevojshëm në funksion të përmbushjes së detyrimeve të saj kushtetuese.”

Megjithatë siç rendit edhe në shkresë, SPAK e ka kryer më herët raportimin mbi përmbushjen e rekomandimeve të Task forcës. Ky informim kryhet në kuadër të procesit të Shqipërisë nga Moneyval, Organizata Ndërkombëtare e Monitoritimit kundër pastrimit të parave.

The post SPAK i mbyll derën “Xhafajt”/ Prokuroria e Posaçme refuzon komisionin “Nisma qytetare” dhe e cilëson cenim të pavarësisë appeared first on Albeu.com.

Motra e Bes Kallakut ndan momentet e ëmbla me ‘kunatën e re’, ja fotoja që po habit rrjetin

By: M C
30 January 2026 at 17:31

Pas divorcit të bujshëm nga Xhensila Myrtezaj, me të cilën ndau shumë vite jetë dhe ka dy fëmijë, Bes Kallaku duket se ka nisur përfundimisht një kapitull të ri.

Aktori i humorit jo vetëm që e ka lënë pas të shkuarën, por sinjalet e forta tregojnë se ai është sërish i dashuruar dhe tashmë lidhja është bërë familjare.

Kohët e fundit, Besi është shfaqur krejtësisht i “rilindur” dhe me një energji ndryshe në rrjetet sociale.

Ai ka ndarë me ndjekësit disa detaje që nuk lënë vend për dyshime, duke nisur nga një tatuazh i ri ku shkruhet emri “Ejona”, data 25.12.2025 dhe shprehja kuptimplotë “Trëndafil në kohë lufte”.

Gjendjen e tij emocionale e ka përshkruar më së miri edhe përmes një fotoje ku shfaqej i buzëqeshur dhe me sytë që i shkëlqenin, të cilën e shoqëroi me vargun: “Më ktheve vajtimin në valle”.

Por konfirmimi më i fortë ka ardhur mbrëmjen e djeshme nga motra e tij, Ana Kallaku.

The post Motra e Bes Kallakut ndan momentet e ëmbla me ‘kunatën e re’, ja fotoja që po habit rrjetin appeared first on Albeu.com.

BE miraton sanksione të reja ndaj Iranit: Ngrirje pasurish, ndalime udhëtimi dhe kufizime financiare

By: M C
30 January 2026 at 17:27

Komisioni Evropian ka përshëndetur vendimin e sotëm të Këshillit të Bashkimit Evropian për vendosjen e masave të tjera kufizuese ndaj Iranit, në përgjigje të shtypjes së vazhdueshme dhe brutale të protestuesve nga regjimi iranian.

Sipas vendimit, sanksione do të vendosen ndaj 15 personave të tjerë dhe gjashtë entiteteve. Masat përfshijnë ngrirjen e pasurive, ndalimin e udhëtimit drejt BE-së si dhe ndalimin e vënies në dispozicion të fondeve apo burimeve ekonomike për personat dhe subjektet e përfshira në listën e sanksioneve. Bashkimi Evropian thekson se po e ndjek nga afër situatën në Iran dhe mbetet i gatshëm të vendosë masa shtesë, nëse do të jetë e nevojshme.

Këshilli ka zgjeruar gjithashtu ndalimin e eksportit, shitjes, transferimit apo furnizimit nga BE-ja drejt Iranit të komponentëve dhe teknologjive të tjera që përdoren për zhvillimin dhe prodhimin e dronëve dhe raketave. Këto sisteme, sipas BE-së, i furnizohen nga Irani Rusisë dhe po përdoren për të goditur civilë dhe infrastrukturë në Ukrainë.

Për më tepër, janë vendosur sanksione edhe ndaj katër individëve dhe gjashtë entiteteve të tjera për shkak të përfshirjes së tyre në programin iranian të dronëve dhe raketave. Masat përfshijnë ndalime udhëtimi për individët dhe ngrirje pasurish për individët dhe subjektet.

Masat do të hyjnë në fuqi ditën e publikimit të tyre në Fletoren Zyrtare të Bashkimit Evropian.

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së dhe zëvendëspresidente e Komisionit, Kaja Kallas, deklaroi se sanksionet e fundit dërgojnë një mesazh të qartë ndaj regjimit iranian. “Shtypja e lirive nga Irani nuk do të mbetet pa përgjigje. Ata që janë përgjegjës për shtypjen me viktima të protestuesve, përfshirë ministrin e Brendshëm, do të përballen me pasoja ndërkombëtare. Nëse situata përkeqësohet më tej, ne jemi gati të bëjmë më shumë,” tha ajo, duke shtuar se regjimi iranian vazhdon të mbështesë regjimin diktatorial të Rusisë në luftën kundër Ukrainës.

Edhe Komisionerja për Shërbimet Financiare dhe Unionin e Kursimeve dhe Investimeve, Maria Luís Albuquerque, vlerësoi vendimin e Këshillit. “Këto masa tregojnë qartë se BE-ja dënon pa mëdyshje reagimin e dhunshëm dhe joproporcional të regjimit iranian ndaj protestave paqësore dhe legjitime, të cilat përbëjnë shkelje serioze të të drejtave themelore dhe dinjitetit njerëzor,” u shpreh ajo. Sipas saj, sanksionet forcojnë gjithashtu mbështetjen për Ukrainën, duke goditur ndihmën ushtarake që Irani i jep Rusisë dhe duke mbrojtur civilët, infrastrukturën dhe interesat e sigurisë së BE-së.

The post BE miraton sanksione të reja ndaj Iranit: Ngrirje pasurish, ndalime udhëtimi dhe kufizime financiare appeared first on Albeu.com.

A po kriset marrëdhënia mes Stenaldos dhe Malit? Banorët debatojnë, shkak bëhen konkurrentët e tjerë

By: M C
30 January 2026 at 16:55

Banorët e “BBVA5”, Mali dhe Stenaldo janë përfshirë pasditen sotme në një debat të papritur së bashku.

Pavarësisht se dyshja njihet për marrëdhënien e tyre të ngrohtë shoqërore, mesa duket nga tensioni i kirjuar në shtëpi, gjërat po marrin një tjetër rrjedhë.

Teksa diskutojnë për konkurrentët e tjerë, Stenaldo shfaq dyshimet e tij për lojën e disa prej banorëve, duke vënë në pikëpyetje madje dhe sjelljen e Joelës ndaj tij.

Për rrjedhojë Mali ndërhyn dhe e pyet atë se “pse ka filluar ta humbasë besimin”.

Nga ana e tij Stenaldo është justifikuar duke thënë se nuk i ka njohur mirë njerëzit, sidomos ata që janë pjesë e kësaj gare aktualisht.

Kujtojmë se Mali dhe Stenaldo janë njohur për marrëdhënien e tyre të ngrohtë miqësore. Jo pak herë, Mali është kujdesur për Stenaldon, qoftë duke i hapur dyert ose duke e shoqëruar kryesisht gjatë prime-ve.

The post A po kriset marrëdhënia mes Stenaldos dhe Malit? Banorët debatojnë, shkak bëhen konkurrentët e tjerë appeared first on Albeu.com.

I shpallur në kërkim ndërkombëtar, merr fund arratia e vëllait të “Visit të Pojës”, arrestohet në Turqi

By: M C
30 January 2026 at 16:35

Është arrestuar ditën e sotme në Turqi, shqiptari Bledar Doçi, vëllai i Elvis Doçit, i njohur ndryshe si “Visi i Pojës”, emër i shumëpërfolur në botën e krimit.

Mësohet se Bledar Doçi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane për trafikim të lëndëve narkotike.

Vëllai i “Visit të Pojës” ishte në kërkim që prej nëntorit të vitit të shkuar, në sajë të një operacioni antidrogë që u zhvillua nga autoritetet fqinje, nga i cili u godit sërish grupi kriminal që dyshohet se kryesohej nga vëllai i tij, Bledar Doçi.

Gjykata e Breshias ka lëshuar gjithsej 24 masa sigure për grupin i cili akuzohet për trasnportimin e 1.3 tonë kokaine, veprimtari kriminale e kryer brenda një periudhe kohore 5-vjeçare, më konkretisht 202-2025.

Visi i Pojës rezulton i përfshirë në trafikun e 8 kilogramëve kokainë në Itali, ngarkesë e trafikuar për llogari të grupit të lidhur me Adi Çobën, ky i fundit një prej drejtuesve të grupit kriminal.

Elvis Doçi, apo i njohur me nofkën “Visi i Pojës” është një personazh me “emër” për drejtësinë shqiptare. Një vit më parë në banesën e këtij shtetasi u zhvilluan kontrolle ndërkohë që SPAK lëshoi dhe një urdhër-arrest.

Në kuadër të këtij operacioni asokohe blutë sekuestruan në cilësinë e provës materiale rreth 3 milionë euro cash vetëm në banesën e Elvis Doçit.

Sakaq, emri i “Visit të Pojës” është përmendur jo pak herë dhe në seancat gjyqësore në të cilat ka dëshmuar i penduari i drejtësisë, Altin Dumani.

Dumani ka identifikuar Elvis Doci, i njohur në botën e krimit si “Visi i Pojës”, si një nga figurat më të rëndësishme të trafikut të heroinës dhe më vonë të kokainës në Shqipëri dhe më gjerë. Ai e përshkruan Docin si “negociator shumë të aftë”, i lidhur ngushtë me klanin Troplini, konkretisht me Xhevdet Troplinin, një emër me peshë në Durrës.

The post I shpallur në kërkim ndërkombëtar, merr fund arratia e vëllait të “Visit të Pojës”, arrestohet në Turqi appeared first on Albeu.com.

Kompany “feston” me Urbig: Një nga më të mirët!

By: admin
30 January 2026 at 16:15

Ndeshja në Eindhoven i dha shumë garanci për të ardhmen Bayern-it pasi në fushë zbriti një ekip i mbushur me talente. Njëri prej tyre në veçanti arriti që të merrte të gjitha duartrokitjet për shkak të kontributit që dha në fushë në situatën në të cilën ndodhej.

Bëhet fjalë për Jonas Urbig, i cili u vlerësua nga shtypi gjerman me notën 1 (më e larta) ndërsa nga portalet e statistikave me 9.9! të tillë vlerësim Urbig e fitoi në fushë pasi përveç se bëri tri pritje të një vështirësia të lartë ishte edhe iniciatori i golit të dytë të Bayern-it kur me një top të gjatë “ndezi” Diaz-in, i cili i kaloi topin Kane-t.

Ndeshja në Holandë nuk ishte e lehtë për talentin 22-vjeçar, i cili kishte gabuar pak ditë më parë në humbjen e Bayern-it përballë Augsburg. Mediet u habitën kur panë emrin e tij mes titullarëve për transfertën delikate të Eindhoven-it pasi Manuel Neuer nuk ishte as i pezulluar dhe as i dëmtuar. Këtë zgjedhje që bëri Kompany në fund të ndeshjes e komentoi: “Që në pushimin e dhjetorit kishim vendosur se Jonas do të luante në janar do të luante dy ndeshje.

The post Kompany “feston” me Urbig: Një nga më të mirët! appeared first on Albeu.com.

Çfarë po ndodh në BBVK? Banorja dëgjohet duke qarë: Ma hap derën, dua të dal nga këtu

By: M C
30 January 2026 at 16:12

Një situatë e pazakontë është regjistruar në shtëpinë e “Big Brother VIP Kosova”, ku banorja Suanita ka shprehur dëshirën për t’u larguar nga gara.

Sipas pamjeve që po qarkullojnë në rrjetet sociale, Suanita është parë në dhomën e rrëfimit, ku dëgjohet duke bërtitur dhe duke qarë, ndërsa thotë: “Ma hap derën, dua të dal nga këtu.”

Të bërtiturat e saj nuk kanë kaluar pa u vënë re nga banorët e tjerë, të cilët kanë nisur ta diskutojnë situatën.

Në oborrin e shtëpisë, Londrimi, Dolçe dhe Benita janë parë duke komentuar ngjarjen, por në atë moment “Vëllai i Madh” ka vendosur muzikë, në përpjekje për të shmangur dëgjimin e zërave nga dhoma e rrëfimit.

Ky veprim ka nxitur reagime të shumta në rrjetet sociale, ku fansat kanë ngritur pikëpyetje mbi gjendjen e banores dhe atë që po ndodh brenda shtëpisë.

The post Çfarë po ndodh në BBVK? Banorja dëgjohet duke qarë: Ma hap derën, dua të dal nga këtu appeared first on Albeu.com.

Paguhet 230,000 £ në ditë, Benzema ndihet i “ofenduar” nga oferta për rinovim dhe po mendon të refuzojë të kthehet në fushë

By: admin
30 January 2026 at 16:12

Karim Benzema mendohet se është rebeluar dhe se do të bojkotojë stërvitjet dhe ndeshjet e radhës të skuadrës së tij, pasi sipas lojtari drejtuesit e klubit e kanë “ofenduar” me ofertën e prezantuar për rinovim.

Aktualisht Benzema paguhet nga Al-Ittihad me rreth 1.61 milion £ në javë ose 230,000 £ në ditë.

Mësohet se 38-vjeçari, i cili mbyll kontratën me skuadrën në fund të sezonit 2025-26, po mendon që të mos kthehet në stërvitje me shokët e ekipit pasi në diskutimet e para rreth akordit të ri i ëshhtë prezantuar një shifër shumë e ulët për rinovimin e kontratës.

The post Paguhet 230,000 £ në ditë, Benzema ndihet i “ofenduar” nga oferta për rinovim dhe po mendon të refuzojë të kthehet në fushë appeared first on Albeu.com.

Refuzimi i qumështit me aflatoksinë/ AKU: Vendimi i duhur si detyrim ligjor nga konsumatorit

By: M C
30 January 2026 at 16:11

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit deklaroi se qumështi që rezulton me përmbajtje aflatoksine M1, mbi kufirin i përcaktuar në legjislacionin e Bashkimit Europian, konsiderohet i pasigurt. Në njoftimin zyrtar, AKU shprehet se, refuzimi i saj nga subjektet përpunuese përbën jo vetëm të drejtë, por edhe detyrim ligjor, në funksion të mbrojtjes së shëndetit të konsumatorit.

Vetëm disa ditë më parë, përmbajtja e aflatoksinës tek qumështi i disa fermave, në zonën e Lushnjës, ka rikthyer në vëmendje çështjen e sigurisë ushqimore. Pas kësaj, subjekte të mëdha morën vendimin për ta ndaluar menjëherë grumbullimin dhe përpunimin e kësaj mase qumështi, e cila përbën rrezik për shëndetin e konsumatorit. Ndërkohë, industria e përpunimit të qumështit është e detyruar të kryejë kontrolle rigoroze për antibiotikët dhe nivelin e qelizave somatike, indikatorë kyç të cilësisë dhe sigurisë së produktit.

“Në bazë të nenit 10 të Ligjit Nr. 9863, datë 28.01.2008 “Për Ushqimin”, i ndryshuar, ushqimi konsiderohet i pasigurt kur është i dëmshëm për shendetin e njeriut dhe, si i tillë, nuk lejohet të nxirret në treg apo të përdoret për përpunim. Neni 24 i po këtij ligji parashikon detyrimin e operatorit të biznesit ushqimor që, në rast se konstaton se një ushqim ose lëndë e parë nuk është në përputhje me kërkesat e sigurisë ushqimore, të ndërmarrë menjëherë masat për refuzimin, bllokimin dhe njoftimin e autoritetit kompetent. AKU vlerëson angazhimin e industrisë së përpunimit të qumeshtit për zbatimin e standardeve të sigurisë ushqimore”, thuhet në njoftimin e AKU-së.

The post Refuzimi i qumështit me aflatoksinë/ AKU: Vendimi i duhur si detyrim ligjor nga konsumatorit appeared first on Albeu.com.

Skënderbeu nuk njeh rivalë, mposht Kastriotin dhe marshon drejt Abissnet Superiores

By: admin
30 January 2026 at 16:09

Skënderbeu ka mposhtur me rezultatin 2-1 Kastriotin në Korçë, në sfidën që çeli javën e 20-të të Kategorisë së Parë.

Sfida e transmetuar drejtpërdrejt në RTSH Sport ka qenë e bukur dhe e luftuar. Gjithçka ka ndodhur në pjesën e dytë.

Pas një pjese të parë të mbyllur në barazim pa gola, korçarët zhbllokojnë takimin me Gjinin. Beshiraj shënon golin e dytë për vendasit në fundin e kohës së rregullt, por krutanët reagojnë dhe shënojnë me Xhixhon në kohën shtesë.

Mbyllet 2-1 për vendasit takimi. Skënderbeu shkon në kuotën e 47 pikëve dhe kryeson i vetëm renditjen, 8 pikë larg Laçit të vendin të dytë, ndërsa Kastrioti mbetet në vendin e 4-t me 27 pikë.

The post Skënderbeu nuk njeh rivalë, mposht Kastriotin dhe marshon drejt Abissnet Superiores appeared first on Albeu.com.

“Emigrantët shqiptarë më riemigrimin më të lartë”, BERZH: Po largohet mosha 20-39 vjeç, popullsia me tkurrje më të shpejtë

By: D Marku
30 January 2026 at 15:51

Shqipëria renditet ndër vendet me tkurrjen më të shpejtë të popullsisë si pasojë e lindshmërisë së ulët dhe emigracionit të lartë.

Largimi jashtë vendit, një ndër plagët më të mëdha në Shqipëri po thellohet më shumë për shkak të emigrimit kryesisht të forcës së punës. Në raportin e tranzicionit BERZH vë në dukje se në Shqipëri po emigron më së shumti mosha 20-39 vjeç, duke shkaktuar ndër tkurrjet më të shpejta edhe se mesatarja e Europës Juglindore.

Shqipëria po zbrazet jo vetëm nga njerëzit por dhe nga ideja e kthimit. Edhe në rastet kur emigrantët rikthehen sipas BERZH ata rimendojnë largimin përsëri për të punuar.

“Të kthyerit në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut raportojnë se kanë veçanërisht gjasa të kërkojnë një periudhë tjetër jashtë vendit. Vlen të përmendet se shkalla e papunësisë është më e lartë në mesin e individëve me përvojë emigrimi sesa në mesin e atyre që nuk kanë emigruar kurrë”, thekson BERZH.

Plakja dhe një popullsi në moshë pune në rënie sipas BERZH po I sjellë Shqipërisë një rënie të rritjes ekonomike me përkatësisht 0.6%.

BERZH thekson nevojën për politika që lehtësojnë riintegrimin e të kthyerve në tregun e punës, duke shfrytëzuar mirë aftësitë e tyre të akumuluara, rrjetet ndërkombëtare dhe potencialin sipërmarrës/

The post “Emigrantët shqiptarë më riemigrimin më të lartë”, BERZH: Po largohet mosha 20-39 vjeç, popullsia me tkurrje më të shpejtë appeared first on Albeu.com.

“Në shkurt do të shohim…”, Kurti: I gatshëm për bashkëpunim me opozitën për zgjedhjen e presidentit të ri

By: D Marku
30 January 2026 at 15:06

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti është shprehur i gatshëm për bashkëpunim me opozitën për çështjet që kërkojnë dy të tretat e votave në Kuvendin e Kosovës, përfshi edhe zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

Megjithatë, sipas tij, ky është hapi i katërt që e pret vendin pas përmbylljes së procesit të rinumërimit.
“Sa i përket takimit me presidenten, jemi në komunikim dhe jemi akorduar, por ta keni parasysh se ai do të jetë hapi i katërt. Pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve dhe trajtimit të të gjitha aneksave të mundshme, kemi nevojë për tre hapa paraprakë. I pari, konstituimi i Kuvendit, që nënkupton zgjedhjen e kryetares apo kryetarit dhe pesë nënkryetarëve; pastaj formimi i qeverisë; dhe pastaj na duhet që menjëherë të fillojmë me vendimet për marrëveshjet ndërkombëtare”, shprehet Albin Kurti, kryeministri në detyrë.

Kurti që doli i pari në zgjedhjet e 28 dhjetorit e që është në rrugë për mandatin e tretë, pret që në muajin shkurt të definohet raporti “qeveri-opozitë”, ku shton se ka gatishmëri dhe interes nga ana e tij.
“Nga ana jonë, gatishmëria dhe interesimi ekziston. Në muajin shkurt do të shohim se a ka gatishmëri dhe interesim nga opozita”, shtoi Kurti.
Për vendimin e Gjykatës Kushtetuese të së mërkurës, përmes së cilit u definua se propozimi për nënkryetarin e komunitetit serb i takon shumicës parlamentare të atij komuniteti, kryeministri në detyrë tha se duhet të pritet aktgjykimi i plotë. Çështja e nënkryetarit serbë që duhet të vijë nga Lista Serbe pritet të jetë pengesa e parë në konstituimin e Kuvendit, nëse Lëvizja Vetëvendosje si në të kaluarën refuzon të votojë pro.
I pyetur se si do veprojë Lëvizja Vetëvendosje në raport me kandidatët për deputetë nga radhët e saj për të cilët u evidentua manipulim i votës, Kurti tha se me ta do të merret komisioni disiplinor i partisë, por që aktualisht nuk specifikoi se do të merret ndonjë masë.

The post “Në shkurt do të shohim…”, Kurti: I gatshëm për bashkëpunim me opozitën për zgjedhjen e presidentit të ri appeared first on Albeu.com.

I dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e një 9-vjeçari në 1997, arrestohet 59-vjeçari. Fshihej në Greqi

By: D Marku
30 January 2026 at 15:03

59-vjeçari, Kostandin Nishku alias Baki Duzha, është kapur në Greqi pasi akuzohet se ka vrarë një 9-vjeçar, në vitin 1997.

Sipas uniformave blu, 59-vjeçari është dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa motivi i ngjarjes ka qenë se xhaxhai i të miturit, i ka vrarë vëllanë dhe ishte arratisur nga IEVP-ja.
Ky shtetas fshihej në Greqi duke përdorur një identitet shqiptar fals.

Njoftimi i policisë:
Kjo fazë e operacionit, rezultat i bashkëpunimit disavjeçar ndërmjet Departamentit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare të DPPSh-së, Interpol Tiranës, Oficerit Ndërlidhës të Policisë shqiptare në Athinë, Sektorit të Identifikimit dhe Krahasimit të fytyrës (Facial Recognition) dhe Interpol Athinës.
Kapet në Greqi, një shtetas i dënuar me burgim të përjetshëm, për vrasjen e një 9-vjeçari, në muajin mars, 1997, me motivin se xhaxhai i të miturit i kishte vrarë vëllanë dhe ishte arratisur nga IEVP-ja.
Ky shtetas fshihej në Greqi, duke përdorur një identitet shqiptar fals.
Në kuadër të kësaj faze të operacionit ndërkombëtar “The wanted”, koordinimi operacional i realizuar nëpërmjet Oficerit Ndërlidhës të Policisë shqiptare në Athinë, shkëmbimi intensiv i informacionit ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Athinës dhe verifikimet disavjeçare, mundësuan lokalizimin, kapjen dhe arrestimin me qëllim ekstradimin në Shqipëri, të shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar:
-Kostandin Nishku alias Baki Duzha alias H. V., 59 vjeç, lindur në Gramsh.
59-vjeçari, i cili është dënuar në vitin 1998, me burgim të përjetshëm, për veprën penale “Vrasja për shkak të cilësive të veçanta”, iu fshihej autoriteteve, në Greqi, ku përdorte një identitet shqiptar të falsifikuar (H. V.).
Në muajin mars, 1997, shtetasi Kostandin Nishku alias Baki Duzha alias H. V. dhe shtetasi R. K., kanë shkuar të armatosur, në shtëpinë e shtetasit K. B., dhe kanë kërkuar vëllanë e këtij të fundit, shtetasin V. B., i cili ishte arratisur nga IEVP ku vuante dënimin për vrasjen e vëllait të shtetasit Kostandin Nishku alias Baki Duzha alias H. V., në vitin 1993. Pasi shtetasi K. B. dhe familjarët e tij nuk i janë përgjigjur kërkesës së 59-vjeçarit, mbi vendndodhjen e shtetasit V. B., shtetasi Kostandin Nishku alias Baki Duzha alias H. V. ka vrarë me armë zjarri, djalin 9 vjeç të shtetasit K. B..
Identifikimi i këtij shtetasi është bërë i mundur si rezultat i krahasimit të fotografisë së tij, në vitin 1997 dhe fotografisë në pasaportën false të marrë në vitin 2013.
Bashkëpunimi ndërmjet strukturave homologe të INTERPOL-it vijon, për të finalizuar procedurën për ekstradimin e këtij shtetasi, në Shqipëri.

The post I dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e një 9-vjeçari në 1997, arrestohet 59-vjeçari. Fshihej në Greqi appeared first on Albeu.com.

Rama u shfaq krah Ballukut në Divjakë, Berisha: Si i ‘vdekuri me të gjallin’, ofendon shqiptarët dhe u thotë: ‘Do ju plaçkit’!

By: D Marku
30 January 2026 at 14:06

Kreu i PD-së Sali Berisha në një dalje për mediat, reagoi pas shfaqjes së kryeministrit Edi Rama sot gjatë një takimi me fermerë në Divjakë, bashkë me zëvendëskryeministren Belinda Balluku.

Ai tha se Rama u tregoi shqiptarëve se do i grabisë akoma edhe më shumë.

“Sot është revolta juaj ndaj narkoshtetit, varfërimit nga plaçkitja e kësaj qeverie. Edi Rama në vend të dorëheqjes së tij shëtit si i ‘vdekuri me të gjallin’ me Lubi Ballukun, për t’u thënë shqiptarëve, për t’i sfiduar ata, për t’i ofenduar ata dhe më shumë se ofendim se; unë u kam plaçkitur dhe do ju plaçkis. Në Tiranë dhe kudo në botë, 24 maji, është i gjallë çdo ditë. Çka do të thotë që qytetarët shqiptarë, shqiptarët në Diasporë dhe miqtë e shqiptarëve, presin revoltën dhe protestën e shqiptarëve.”, tha ai.

The post Rama u shfaq krah Ballukut në Divjakë, Berisha: Si i ‘vdekuri me të gjallin’, ofendon shqiptarët dhe u thotë: ‘Do ju plaçkit’! appeared first on Albeu.com.

E zbulon Berisha, ja kur do të mbahet protesta e radhës e opozitës

By: D Marku
30 January 2026 at 13:49

Më 10 shkurt do të mbahet protesta e radhës e opozitës. Lajmi është bërë i ditur nga vetë kreu i PD-së, Sali Berisha në një deklaratë për mediat. Ai tha se më 10 shkurt, në orën 17:00, para Kryeministrisë, do të mbahet tubimi i radhës, kundër padrejtësisë, për një qeveri teknike.

“Qytetarë dhe qytetare!
Çdo përpjekje, përveç se përpjekjeve tuaja janë humbje kohe.
Sot më shumë se kurrë është fjala juaj, është fjala juaj, është guximi juaj, është revolta juaj, zemërimi juaj, qëndrimi ndaj padrejtësisë ndaj vjedhjes, ndaj narkoshtetit, ndaj varfërimit dhe mjerimit nga plaçkitja e kësaj qeverie, që duhet të shpëtojë, dhe do të shpëtojë Shqipërinë.
Edi Rama në vend të dorëheqjes së tij, shëtit si i vdekuri me të gjallin me Lubi Ballukun, për t’u thënë shqiptarëve, për të sfiduar qytetarët, për t’i ofenduar ata dhe më shumë se ofendim, se unë ju kam plaçkitur dhe do ju plaçkis dhe se mos mendoni kurrë se drejtësia apo ligji janë për Ramën apo Lubinë, por janë vetëm për ata që duan këta të dy.
Ka qenë dhe është bindja ime më e prerë, se është vetëm sovrani, gjuha e tij, revolta dhe zemërimi i tij ata që do bindin këtë grusht hajdutësh, këtë organizatë kriminale të kryesuar nga Edi Rama, të largohen një minutë e më parë nga pushteti dhe të hapin rrugën për qeveri teknike, zgjedhje të ndershme.
Në Tiranë, dhe kudo në Europë dhe botë, 24 janari është i gjallë çdo ditë. Çka do të thotë, qytetarët shqiptarë, shqiptarët në diasporë dhe kudo, miqtë e shqiptarëve, presin protestën, revoltën dhe vetëm revoltën e qytetarëve shqiptarë.
Ndaj dhe ftoj të gjithë të rinjtë shqiptarë, burrat, gratë, të moshuarit, të bashkohemi ne datën 10 shkurt në ora 5 në Tiranë për t’i dhënë leksionin e merituar kësaj organizate kriminale me në krye Edi Ramën.”, tha Berisha.

The post E zbulon Berisha, ja kur do të mbahet protesta e radhës e opozitës appeared first on Albeu.com.

Mjeku jep alarmin: Gripi, Covid dhe një virus i tretë po qarkullojnë masivisht, si t’i dalloni dhe kur duhet të shqetësoheni

By: D Marku
30 January 2026 at 13:35

Shqipëria, ashtu si pjesa më e madhe e Evropës, po përballet me një valë intensive të virozave stinore, ku tre viruse respiratore po qarkullojnë njëkohësisht: virusi i gripit (Influenza), virusi sincitial respirator (RSV) dhe SARS-CoV-2 (COVID-19).

Sipas mjekëve, kjo situatë është e pritshme dhe në përputhje me tendencat e vërejtura në vende si Gjermania, ku rastet e gripit dhe RSV janë në rritje, ndërsa ato të COVID-19 po shënojnë rënie.

Bashkëqarkullimi i këtyre tre viruseve është bërë një normalitet i ri në sezonet e ftohta pas pandemisë.

Mjeku Erion Dasho shpjegon se të tre viruset, herë duke dominuar njëri e herë tjetri, kanë qenë prezentë në mënyrë të vazhdueshme vitet e fundit. Kjo situatë, ndonëse nuk përbën një emergjencë të paparashikuar, kërkon kujdes dhe vëmendje nga qytetarët për të menaxhuar simptomat dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme.

Ndonëse pjesa më e madhe e të prekurve kalojnë një formë të lehtë të sëmundjes, është thelbësore të njihen shenjat që tregojnë një përkeqësim të situatës dhe kërkojnë ndërhyrje mjekësore.

Sipas mjekut Dasho, qytetarët duhet të kërkojnë ndihmë nëse vërejnë:

– Temperaturë të lartë, që nuk bie për 3-5 ditë dhe nuk kontrollohet lehtë me ilaçe.

– Kollë që nga e thatë kthehet në kollë me sekrecione (sputum).

– Vështirësi në frymëmarrje

Kujdes i veçantë duhet treguar për grupet e riskut. Virusi sincitial respirator (RSV) prek më rëndë fëmijët, ndërsa gripi dhe COVID-19 paraqesin rrezik më të lartë për të moshuarit.

Rruga kryesore për t’u mbrojtur mbetet vaksinimi. Vaksina janë të disponueshme për të tre viruset dhe rekomandohen veçanërisht për grupet vulnerabël. Mjeku thekson se edhe pse idealja është vaksinimi para fillimit të sezonit, nuk është vonë për ta kryer atë edhe tani, pasi sezoni i virozave pritet të zgjasë edhe për të paktën dy muaj.

Një tjetër masë thelbësore parandaluese, e mësuar edhe gjatë pandemisë, është izolimi. Personat që shfaqin simptoma duhet të qëndrojnë në shtëpi për të mos u bërë burim infektimi për të tjerët në komunitet, në punë apo në shkollë. Ky rregull i thjeshtë ndihmon në frenimin e ndjeshëm të përhapjes së viruseve.

Përtej virozave, mjeku Dasho ngre një shqetësim tjetër madhor për shëndetin publik në Shqipëri: sigurinë ushqimore. Ai kritikon ashpër menaxhimin e kësaj çështjeje nga autoritetet, duke e cilësuar si një dështim të politikave qeveritare.

Duke bërë një krahasim me standardet strikte të Bashkimit Evropian, ai thekson se në Shqipëri mungojnë kontrollet efikase dhe mekanizmat e gjurmueshmërisë së produkteve.

Si shembull ai përmendi rastin e pulave me salmonelë vitin e kaluar, i cili tregoi se sistemi i kontrollit ishte defektoz dhe i paaftë për të gjurmuar produktin e infektuar në treg.

Sipas tij, kjo tregon se administrata është e paaftë për të garantuar për qytetarët një siguri ushqimore sipas standardeve ndërkombëtare, duke i lënë ata të ekspozuar ndaj rreziqeve shëndetësore.

INTERVISTA

Atëherë nisim pikërisht me këtë pyetje me të cilën bëra dhe hyrjen. Është një situatë normale e sezonit dhe a jemi në pikun e sezonit ndoshta të gripit në këto momente që flasim, për çfarë bëhet fjalë?

Dasho: Kjo përkon me situatën ëh, qoftë në vende të tjera të Bashkimit Europian dhe të Europës, qoftë edhe me atë që është paterna ose skema e njohur e çdo viti përsa i takon gripit dhe virozave respiratore.

Në qoftë se do t’i referoheshim Shqipërisë, është situata e ngjashme me atë të Gjermanisë. Edhe në Gjermani kemi dy viroza, kemi gripin, kemi dhe virusin sincitial respirator, që janë me një incidencë në rritje.

Kemi nga ana tjetër Covid-in, i cili është me një incidencë në rënie. Kjo është një situatë të paktën e vërtetë, e konstatuar edhe vjet edhe para vjet, në Gjermani ku unë jetoj, punoj dhe ndjek dhe situatën epidemiologjike, dhe do të thoja edhe në Shqipëri ndoshta është, vlen e njëjta dhe vlen e njëjta ligjësi.

Pra, në fund të muajit janar, në fillim të muajit shkurt, edhe vitin e kaluar kemi patur një rritje të numrit të rasteve. Të dhënat që vijnë qoftë nga Gjermania, qoftë nga Shqipëria, flasin për një situatë e cila normalisht, e cila është drejt përkeqësimit, por nuk duket një situatë jashtë të zakonshmes, duket një situatë e pritshme dhe me atë qarkullim të virozave që i korrespondon periudhës së vitit në të cilën jemi.

Po mes viruseve mund të qarkullojë edhe rasti i Covid-19, apo jo?

Dasho: Po, janë tre viruse që ka vite tashmë, që prej pandemisë së Covid-it. Janë tre viruse që në këtë periudhë të vitit qarkullojnë bashkarisht. Unë i përmenda, po t’i ripërsërisim për qytetarët që na ndjekin. Pra, është virusi i gripit, është virusi Covid-19, është edhe virusi sincitial respirator. Të tre këto viruse, herë duke dominuar njëri dhe herë duke dominuar tjetri, kanë qenë prezent gjatë gjithë sezoneve të fundit të virozave, të paktën në Europë, përfshi edhe Shqipërinë. Dhe edhe në situatën që flasim, të gjitha ato institute, institucione që merren me monitorimin e situatës epidemiologjike, në Gjermani kemi Robert Koch Institute, raportojnë mbi bazë, me bazë në baza javore, mbi ecurinë e të tre këtyre viruseve. Dhe siç e thashë, në momentin që flasim, ajo situatë që shohim në Shqipëri përputhet edhe me situatën që shohim në Gjermani. Kemi rritje të incidencës së gripit dhe virusit sincitial respirator dhe rënie të incidencës së Covid-it. Në spitale ndërkohë kemi, sepse në Gjermani raportohen tre parametra, raportohet incidenca, raportohet frekuentimi… raportojnë mbi bazë, me bazë, në baza javore mbi ecurinë e të tre këtyre viruseve. Dhe siç e thashë, në momentin që flasim, ajo situatë që shohim në Shqipëri përputhet edhe me situatën që shohim në Gjermani. Kemi rritje të incidencës së gripit dhe virusit sincitial respirator dhe rënie të incidencës së Covid-it. Në spitale ndërkohë kemi, sepse në Gjermani raportohen tre parametra, raportohet incidenca, raportohet frekuentimi i spitaleve, raportohet edhe frekuentimi i qendrave të reanimacionit ose i pavioneve të kujdesit të kujdesit intensiv. Pra, përsa i takon virusit qoftë sincitial respirator, qoftë gripit jemi në një plato përsa i takon këtyre indikatorëve, kurse incidenca vazhdon të jetë në rritje.

Por ka një ndryshim ndërmjet këtyre tre viruseve nëse do e cilësonim cili nga këto është më i ashpër dhe simptomat që mund ta dallojë një person që është i prekur pra tani me Covid dhe a duhet të marrë pra një trajtim më të specializuar nëse flasim për për Covid-in apo për nga dy viruse të tjera të cilët ju përmendët? Ku duhet më shumë kujdes?

Dasho: Tani të mos harrojmë që prej disa viteve, duke, pasi kaluam tre-katër vitet e parë të qarkullimit të virusit të Covid-it në popullatë, edhe virusi SARS-CoV-2, ashtu sikurse është parashikuar dhe si u tha nga të gjithë ekspertët gjatë periudhës së pandemisë, pasi të kishim një qarkullim të virusit në popullatë, ky virus kthehet në një nga ato dhjetëra viruse të tjerë që janë përgjegjës për të shkaktuar atë që ne e quajmë virozat e stinës ose virozat respiratore, të cilat janë në hemisferën e veriut ndodhin gjatë sezonit të, gjatë sezonit tetor deri në pranverë. Pra kemi gjatë periudhës, gjatë fundit të vjeshtës, dimrit dhe fillimit të pranverës. Pra, nuk ka arsye sepse virusi i Covid të shihet tashmë në një mënyrë, në një mënyrë të ndryshme, në mënyrë të veçantë nga virozat e tjera respiratore. Pra, tashmë ky virus ka qarkulluar mjaftueshëm në popullatë, ka krijuar atë mbrojtjen ose imunitetin popullata njerëzore. Sigurisht, të tre këto viruse, virusi sincitial respirator, Covid-i dhe gripi, janë, vazhdojnë të shkaktojnë sëmundshmëri, vazhdojnë të shkaktojnë hospitalizim. Fatkeqësisht vazhdojnë, vazhdojnë të shkaktojnë komplikacione dhe humbje jete. Fati i mirë është që ndaj të tre këtyre viruseve tashmë ka vaksina dhe në përputhje me moshën, në përputhje me grupet në risk, këto vaksina rekomandohen të kryhen para fillimit të sezonit të virozave. Dhe kjo ka, ky ka qenë edhe rekomandimi im i përvitshëm. Në muajin, e kam filluar, i filloj këto rekomandime zakonisht në gusht dhe në shtator, duke i rekomanduar qytetarëve që i përkasin grupeve vulnerabël që në shtator, maksimumi gjatë muajit tetor, të kryejnë vaksinat përkatëse për të qenë të mbrojtur.

Cilat grupe kemi parasysh?

Dasho: Atëherë, tek, tek gripi kemi fëmijët dhe të moshuarit. Tek virusi sincitial respirator kryesisht fëmijët. Kurse tek Covid-i i kemi të moshuarit kryesisht dhe vaksina rekomandohet për momentin tek personat me moshën mbi 65 vjeç. Pra, të gjithë këto grupe popullate duhet, u rekomandohet vaksinimi ndaj tre viruseve përkatëse, me qëllim që ose të shmangin krejtësisht infektimin, ose të ulin atë shkallën e rëndesës, ose shkallën e gravitetit të sëmundjes, ose të shmangin komplikacionet dhe humbjen e jetës.

Në këtë fazë që ne jemi, mund të aplikohet vaksina apo nuk ka efekt, pasi jemi në kulmin e sezonit të griprave?

Dasho: Vaksina ka kuptim të aplikohet dhe tani, madje edhe te personat të cilët mund të mos ta, mund ta kenë neglizhuar kryerjen e vaksinës. Vaksina në çdo moment mbron, sepse ende sezoni i virozave nuk ka përfunduar, ende kemi të paktën dy muaj, në mos më tepër sezon virozash dhe për këtë arsye personat që nuk e kanë kryer vaksinën mund ta kryejnë edhe tani.

Kemi parasysh që në këtë lloj situate takojmë shumë njerëz rreth e rrotull që kanë grip, por jo të gjithë shkojnë drejt spitalit. A ka një kufi ose një moment se kur duhet që personat të marrin ndihmën e mjekut ose një recetë nga mjeku përpos trajtimit që mund t’i bëjë gjithsecili vetes në këtë periudhë pra me, me bimët medicinale, me çajra të ndryshëm e të tjerë?

Dasho: Atëherë, pjesa më e madhe e personave që preken nga këto, nga këto viroza, llogaritet që secili prej nesh preket nga dy deri në katër herë gjatë vitit për nga virozat respiratore. Në këto kushte, nuk ka vend dhe nuk është, nuk është koha sidomos që të ngjallim dhe panik për të thënë që çdokush që ka shenja duhet të drejtohet drejt spitaleve apo tek mjeku. Sigurisht që në qoftë se, në qoftë se ecuria është atipike, pra në qoftë se brenda tre deri në pesë ditëve nuk kemi qetësim të situatës, në qoftë se konstatohet që kolla ose, ose shenjat e tjera, temperatura vazhdon të jetë e lartë dhe nuk dominohet nga antipiretikët, në qoftë se kemi kollën e cila nga një kollë që është tipike për virozat që është një kollë e thatë, kthehet në një kollë me sputum, kthehet në një, shoqërohet me mbajtje, me marrje fryme. Në qoftë se kjo ndodh sidomos në personat e moshuar ose në fëmijët e vegjël, në qoftë se kjo, pra siç e thashë, ndodh një kuadër që shkon drejt përkeqësimit, sigurisht që duhet menjëherë kërkim i ndihmës mjekësore, jo vetëm nga mjeku i familjes por në raste të caktuara edhe drejt urgjencës mjekësore. Këto janë sigurisht qytetarët e kanë përvojën, sepse siç e thashë secili prej nesh kalon të paktën dy deri në katër viroza në vit, kështu që nuk ka, nuk ka rregulla të prera me fik që të thuhet në këtë ose në atë situatë duhet patjetër. Këto rregulla i imponon dhe i zbaton mjeku. Qytetarët shohin që në qoftë se situata e tyre është në përputhje ose është e ngjashme me virozat e kaluara gjatë jetës, sigurisht që nuk ka vend për alarm. Por në qoftë se konstatohet një përkeqësim i situatës, atëherë natyrisht kërkohet menjëherë kujdes mjekësor, jo vetëm te mjeku i familjes, por ka raste dhe te urgjenca mjekësore, sidomos kur kemi situata temperature mbi 40 gradë, e cila vazhdon për orë të tëra, nuk dominohet nga antipiretikët. Këto përbëjnë edhe situata ekstreme të urgjencës mjekësore kur duhet thirrur dhe ambulanca, transporti me ambulancë dhe kalimi drejt një qendre të, drejt një qendre mjekësore të specializuar për të trajtuar këto raste. Por, siç e thashë, fatmirësisht pjesa më e madhe e virozave respiratore kalojnë ose pa shenja, ose me shenja të lehta dhe mbi të gjitha, në qoftë se këto ndodhin te persona të vaksinuar, personat e vaksinuar kanë edhe mbrojtjen shtesë që u ofron vaksina dhe nuk besoj se kalojnë në këto situata ekstreme.

Po nëse flasim për parandalimin, përveç vaksinave, diçka që ju ndoshta nga gjithë përvoja juaj, çfarë mund të këshilloni për t’i shmangur këto viruse, çfarë duhet të kenë parasysh qytetarët?

Dasho: Atëherë, ju sapo e përmendët dhe kështu filloi dhe biseda, që persona të cilët kanë shenja shihen edhe në qarkullim. Pikërisht kjo duhet të shmanget. Dhe kjo është A-ja e gjithë, e gjithë parandalimit. Pra, në qoftë se një person shfaq shenja, kjo tregon që ky person është tashmë i infektuar dhe është infektues edhe për të tjerët. Në qoftë se ky person shkon në punë, ose një fëmijë që ka filluar të shfaqi shenjat e një viroze, prindërit e çojnë në kopsht ose në shkollë, kjo sigurisht ndikon për përhapjen më tej të sëmundjes. Pra, rregulli i parë është ajo që e mësuam dhe gjatë Covid-it, pra personat që shfaqin shenja të sëmundjeve infektive, të virozave respiratore, duhet menjëherë të qëndrojnë në shtëpi të paktën derisa këto shenja të stabilizohen dhe të mos jenë më infektues për të tjerët, pra pasi të kalojë sëmundja. Kjo është A-ja e gjithçkaje. Në qoftë se do të zbatohej ky element, do të kishim një situatë shumë më, shumë më të, do të shmangnim shumë nga ato objektivistëve dhe të personave që merren tashmë me propagandimin dhe me promovimin e një ushqyerje të shëndetshme, të ushqehen shëndetshëm, të kenë një jetë aktive nga pikëpamja fizike dhe në këtë mënyrë duke patur një shëndet më të mirë, do të kenë dhe një imunitet më të mirë, do të kenë edhe rrjedhimisht do të preken ose më lehtë, ose do të mund të shmangin komplikacionet dhe format e rënda të sëmundjeve. Sigurisht që kjo, përsa i takon ushqyerjes e thashë, është diçka që ka lidhje me ndryshime afatgjata të sjelljes dhe nuk është se mund t’i japë efekte të menjëhershme kur fillon sezoni i virozave.

Meqënëse jemi tek ushqimi, siguria ushqimore është një ndër prioritetet e qeverisë tonë, si kusht edhe në fakt për ecjen më tej të negociatave me Bashkimin Europian. Një temë që pa diskutim është shumë e gjerë dhe do donte shumë, shumë mendime për të, për të dalë në një konkluzion. Megjithatë si mjek, do doja një vlerësim nga ana juaj, duke qenë se mund të bëni dhe krahasimin shumë mirë me një vend të Bashkimit Europian, sa i përket standartit dhe kontrollit të ushqimit atje dhe me Shqipërinë, sa larg është dhe cilat janë pasojat tek shëndeti sepse po raportohen raste me, të skaduara ose baktere prezente në shumë e shumë ushqime, në afatgjatë ose në afatshkurtër tek qytetarët?

Dasho: Tani, ju më ngacmuat me qeverinë dhe më thoni që qeveria ka prioritete, por qeveria jonë ka treguar që shëndetin e qytetarëve të vet nuk e ka prioritet fatkeqësisht. Dhe këtë e manifeston jo vetëm tek mënyra se si e keqmenaxhon sistemin shëndetësor, duke e keqfinancuar, keqmenaxhuar dhe mund të shtojmë edhe shumë fjalë të tjera që fillojnë me keq, por edhe tek ushqyerja është dhe te siguria ushqimore është një nga këto shumë aspekte të dështimit të politikave të qeverisë sonë në lidhje me mbrojtjen dhe me sigurinë e qytetarëve tanë. Pra, në qoftë se në Shqipëri janë vendet e huaja, ato që zbulojnë shpeshherë produkte shqiptare të cilat kanë si perimeve ose të tjerave produkte, por në Shqipëri këto qarkullojnë lehtësisht. Kjo është një, ky është një argument se realisht ne, kontrolli ynë ushqimor dhe i gjithë sistemi ynë i sigurisë ushqimore nuk funksionon. Apo siç ishte, siç ishte rasti vitin e kaluar i pulave me salmonelë, të cilat përsëri i shpëtuan kontrolleve dhe askush nuk arriti dot pastaj kur u, kur ju kthye sistemit të kontrollit të sigurisë ushqimore, u pa se mungonin edhe mekanizmat elementarë për të ndjekur, ajo që është ‘tracking’ quhet në gjuhën angleze. Pra është ndjekja e gjithë zinxhirit, është ndjekja e gjithë zinxhirit të logjistikës se si ushqimi vjen nga vendi ku prodhohet ose importohet deri te konsumatori fundor. Pra, përvoja e pulave me salmonelë tregoi se ky zinxhir në Shqipëri ishte defektoz dhe nuk funksiononte. Pra, organet përkatëse ishin të paaftë të thonin se në cilat njësi kishin përfunduar pulat e dyshuara si të infektuara me salmonelë. Në këto kushte, fatkeqësisht më duhet t’i them qytetarëve shqiptarë që na ndjekin, se është treguar jashtëzakonisht e paaftë administrata jonë për të siguruar atyre dhe për t’u garantuar atyre një siguri ushqimore në përputhje me standardet ndërkombëtare. Ndërkohë, në Gjermani, në vendet e Bashkimit Europian, ka procedura shumë strikte, të cilat në radhë të parë garantojnë ruajtjen e ushqimeve në kushte optimale, garantojnë respektimin e afateve të skadencës dhe garantojnë edhe gjurmueshmërinë e atyre që, qoftë ushqime, qoftë medikamente, që për një arsye ose për një tjetër mendohet se mund të përbëjnë rrezik për shëndetin publik.

The post Mjeku jep alarmin: Gripi, Covid dhe një virus i tretë po qarkullojnë masivisht, si t’i dalloni dhe kur duhet të shqetësoheni appeared first on Albeu.com.

Jep dorëheqjen drejtori i Policisë së Dibrës, zbardhet arsyeja. Ja kush e zëvendëson

By: D Marku
30 January 2026 at 13:18

Jep dorëheqjen Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, Artion Duka.

Mësohet se vendimin për dorëheqjen nga detyra e ka bërë për arsye familjare.

Me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, në detyrën e Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër është caktuar përkohësisht Armir Gjikolaj.

The post Jep dorëheqjen drejtori i Policisë së Dibrës, zbardhet arsyeja. Ja kush e zëvendëson appeared first on Albeu.com.

DOKUMENTI/ Vangjeli: Ergys Agasi do ndërtojë kompleksin te Eco-Parku! U bë ortak pak para se të fitonte tenderin 10 mln euro

By: D Marku
30 January 2026 at 12:47

Në një dalje për mediat, zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli ka lëshuar akuza në drejtim të qeverisë ‘Rama’ dhe ndaj Ergys Agasit, person i shpallur në kërkim nga SPAK.

Vangjeli deklaroi se Ergys Agasi do ndërtojë kompleksin te Eco-Parku. Ajo shton se ai u bë ortak pak para se të fitonte tenderin 10 mln euro.

DENONCIMI
Të nderuar qytetarë, sot do t’ju prezantojmë një tjetër projekt ku lidhet emri i Edi Ramës, Ergys Agasit, investitorëve arabë të portit të Durrësit, dhe Spitallës, zona e Eco Parkut të famshëm.

Në datën 26 prill 2023 është lidhur marrëveshja e bashkëpunimit midis Manchester City Football Club ltd (MCFC), Eagle Hills Properties LLC, Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Bashkisë së Durrësit, nëpërmjet së cilës do të krijohej një partneritet futbolli, një shkollë futbolli për lojtarët dhe një Akademi Elitë.

Madje në qershor të vitit 2023 është përgatitur edhe projekt-ideja arkitekturore e kampusit të akademisë së fondacionit ‘Dyrrah City Football Academy’ nga studio ‘Marco Casamonti and Partners’.

Një muaj më vonë më 28 korrik 2023 është miratuar urdhri i MAS nr. 422, për krijimin e fondacionit me emërtimin ‘Dyrrah City Football Academy’, me qëllimin kryesor çeljen dhe menaxhimin e një akademie elitare të futbollit në qytetin e Durrësit.

Me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 580, datë 11 tetor 2023, Edi Rama vendos që pronat shtetërore me sipërfaqe totale mbi 200 mijë m2 në zonën kadastrale nr. 8517, Bashkia Durrës, në Spitallë, të përdoren për ndërtimin dhe zhvillimin e kompleksit të Akademisë së Futbollit Durrës.

KUJDES!

Kjo është pikërisht e njëjta zonë kadastrale 8517, ku ndodhet edhe Eco Park-u famëkeq, aty ku u shpenzuan 19 milionë euro për mbylljen e vend-depozitimit të mbetjeve – një çështje nën hetim por pa asnjë vendimmarrje konkrete.

Më 29 tetor 2023, janë nënshkruar edhe dy marrëveshje konsulence për infrastrukturën, menaxhimin dhe programet futbollistike, me afat deri më 30 Qershor 2028, ndërmjet fondacionit, Durrës Marina, City Football Services Limited dhe Manchester City Football Club Limited.

Më 2 shkurt 2024, fondacioni shpall ftesën për propozim për zgjedhjen e klubit që do të financojë ndërtimin e kompleksit, me vlerë 10 milionë euro, me afat ndërtimi 24 muaj. Në këmbim, klubi fitues do të përfitonte të drejta mbi lojtarët e akademisë për 120 muaj.

Dy muaj më pas, më 24 prill 2024, fondacioni shpall fitues propozimin e vetëm të paraqitur, nga ‘Futboll Club Dinamo City’ sh.a., një klub i krijuar në vitin 2021.

Çuditërisht, pak ditë para shpalljes së fituesit, në dokumente shfaqet Ergys Agasi i cili bëhet pjesë e pronësisë së këtij klubi.

Ekzakt më 31 mars 2024, Agasi blen 30% të aksioneve kundrejt vlerës 220 mijë euro.

The post DOKUMENTI/ Vangjeli: Ergys Agasi do ndërtojë kompleksin te Eco-Parku! U bë ortak pak para se të fitonte tenderin 10 mln euro appeared first on Albeu.com.

❌
❌