Kancelari gjerman Friedrich Merz, në fjalën e tij në Forumin e Davosit, deklaroi se ka përpunuar së bashku me kryeministren Giorgia Meloni “ide të reja” për të ndryshuar Bashkimin Evropian, “të cilat do të propozohen së shpejti”, mes tyre edhe “një frenë emergjente për burokracinë”.
Merz kritikoi ashpër teprinë e burokracisë dhe të rregulloreve në BE, që sipas tij kanë “frenuar potencialin tonë: e gjithë kjo duhet të ndryshojë”. Merz dhe Meloni do të takohen të premten në Romë për një samit ndërqeveritar./K.M
Kryeministri Edi Rama, në seancën për ratifikimin e marrëveshjes për Bordin e Paqes, nuk ka kursyer edhe ironitë ndaj opozitës.
Rama i tha opozitës se duhet të zgjidhte mes ftesës së babait dhe mikpritjes së vajzës, referuar ftesës së Trump dhe Shqipërisë.
Më tej kryeministri tha se zgjodhi vajzën me leje të babait.
Drejtuar opozitës, Rama u shpreh se e dinte që ata prisnin ta shihnin në Davos sot.
“Unë e di që ju prisnit të më shihnit në Davos sot, por jam këtu. Duhet të zgjidhja mes ftesës së babait dhe mikpritjes së vajzës. Duhet të bëja një zgjedhje dhe zgjodha vajzën, natyrisht me lejen e babait. Prisja nga zoti Mediu që të hidhte poshtë pretendimin e Britanisë dhe të mbante anë e Amerikës. Ne nuk na ka ardhur akoma koha të analizojmë ata që na ftojnë”, tha Rama./kb
Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi i ka fikur mikrofonin kreut të PD-së Sali Berisha i cili sipas tij përdori gjuhë të ashpër në Kuvend.
Berisha nuk është larguar nga foltorja duke vijuar me deklaratat e tij dhe për këtë arsye Peleshi i ka tërhequr vëmendjen se nëse nuk liron foltoren do të hiqet fjala për ditën e sotme.
“Liro foltoren. Po marr masën vërejtje ndaj jush”, tha Peleshi./Kb
Një studim i ri shkencor po rishkruan një nga misteret më të mëdha të historisë, mënyrën se si u ndërtua Piramida e Madhe e Gizës.
Për dekada me radhë, arkeologët janë mbështetur te teoritë tradicionale të rampave të jashtme dhe punës së ngadaltë, por këto modele nuk kanë arritur të shpjegojnë bindshëm se si blloqe guri që peshojnë deri në 60 tonë u ngritën qindra metra lart brenda vetëm rreth 20 vitesh.
Sipas një studimi të publikuar në revistën shkencore ‘Nature’, studiuesi Dr. Simon Andreas Scheuring nga ‘Weill Cornell Medicine’ në Nju Jork propozon një teori revolucionare: Piramida e Madhe u ndërtua nga brenda, duke përdorur një sistem të fshehtë kundërpeshash dhe mekanizmash të ngjashëm me rrotulla ngritëse.
Ai llogarit se, falë këtij sistemi, ndërtuesit mund të vendosnin blloqet me një ritëm befasues, madje deri në një bllok në minutë.
Studimi sugjeron se korridore të brendshme si Galeria e Madhe kanë shërbyer si rampa të pjerrëta, ku kundërpeshat rrëshqisnin poshtë për të gjeneruar forcën e nevojshme për ngritjen e gurëve. Dhoma e Antekamerës, e konsideruar më herët si element sigurie kundër grabitësve, rinterpretohet si një stacion mekanik ngritës me trarë druri dhe litarë.
Gjurmët, gërvishtjet dhe sipërfaqet e lëmuara në Galerinë e Madhe mbështesin idenë e lëvizjes së vazhdueshme të sliteve të rënda.
Nëse kjo teori konfirmohet nga kërkime të ardhshme, ajo mund të ndryshojë rrënjësisht mënyrën se si kuptohet ndërtimi i piramidave në Egjiptin e Lashtë, duke i paraqitur ndërtuesit e saj si inxhinierë shumë më të avancuar sesa është menduar deri tani./KM
Javën e ardhshme, Neptuni kalon në shenjën e Dashit dhe kjo lëvizje do të ndryshojë tërësisht marrëdhëniet tuaja romantike.
Neptuni udhëheq ëndrrat, romancën dhe shpresën. Në shenjën e Dashit energjia e këtij planeti bëhet edhe më e përqendruar. Kjo mund të ndihmojë marrëdhënien tuaj, por gjithashtu mund t’ju bëjë të veproni në mënyrë të nxituar. Edhe pse kjo javë mund të jetë sfiduese për disa marrëdhënie, disa shenja do të mund të forcojnë lidhjet e tyre.
1. Peshorja
Kini kujdes ku dhe për çfarë angazhoheni, Peshore. Të hënën, më 26 janar, Neptuni kalon në Dash, ku do të qëndrojë deri në vitin 2039. Neptuni sjell energji pozitive në marrëdhënien tuaj, por në Dash, ai vjen me një paralajmërim. Nëse tashmë jeni në një marrëdhënie, ruani kufijtë tuaj dhe jini të vëmendshëm se si dhe kur trajtoni çështjet që janë pak të ndjeshme. Pritja ose sakrifikimi i nevojave tuaja mund të sjellë tension më vonë. Veproni në kohë ndaj sfidave dhe zbuloni se ku jeni të gatshëm t’i lejoni disa lëshime dhe ku jo.
Kjo energji do të ketë më shumë ndikim te beqarët, të cilët mund të jenë në kërkim të një romance të re. Neptuni mund t’ju bëjë të shihni vetëm anën më të mirë të dikujt, por përpara se të dilni në takime sigurohuni të mos shpërfillini as ato gjëra që mund të jenë shqetësuese. Sigurohuni që ata të investojnë po aq energji sa ju në marrëdhënie.
2. Shigjetari
Çështjet në lidhje me romancat do të ndihen edhe më të vërteta për ju javën e ardhshme. Neptuni mund t’ju bëjë të ndiheni sikur keni gjetur personin e duhur, por gjithashtu mund të zbukurojë realitetin duke ju bërë të anashkaloni disa detaje që janë të rëndësishme për një marrëdhënie afatgjatë. Kjo është një kohë e mirë për të manifestuar marrëdhënien që dëshironi, por sigurohuni që vendimet të bazohen vetëm te e vërteta juaj.
Mos bëni premtime që nuk mund t’i mbani. Edhe pse kjo është koha perfekte për të qenë sa më të hapur ndaj romancave, tregohuni të zgjuar dhe merreni procesin me qetësi.
Nëse jeni beqarë, ky nuk është momenti i flirteve kalimtare, mund të gjeni dikë me të cilin/ën do të doni të krijoni jetën që aq shumë e kishit ëndërruar. Magjia për ju fillon sapo Saturni hyn në Dash më 13 shkurt. Deri atëherë, reflektoni mbi dashurinë e ëndrrat tuaja dhe kuptoni çfarë duhet për të ndërtuar një marrëdhënie të qëndrueshme.
3. Luani
Krijoni një jetë që e doni së bashku, Luan. Të martën, më 27 janar, Mërkuri bashkohet me Afërditën në Ujor, duke ju ndihmuar që së bashku me partnerin/en të planifikoni mbi të ardhmen. Komunikimi do të jetë në qendër të vëmendjes, ndaj sigurohuni të krijoni hapësirë për biseda domethënëse. Kjo do t’ju ndihmojë të reflektoni mbi atë që doni për veten dhe do ta shihni se si, së bashku, do të krijoni një jetë që e doni të dy.
Nëse jeni beqarë, daljet e takimet do të shpeshtohen. Kjo energji mund t’ju ndihmojë të njihni një person të ri ose të jeni ju ata që hidhni hapin e parë. Kjo është një periudhë e favorshme, ndaj shfrytëzojeni këtë energji dhe hapeni zemrën drejt një romance të re.
4. Binjakët
Marrëdhënia juaj përmirësohet pas të mërkurës, më 28 janar, kur Marsi formon një bashkim me Plutonin në Ujor. Kjo energji do të transformojë jetën tuaj romantike dhe lajmëron ndryshime të mëdha. Në vend që të përpiqeni të kontrolloni marrëdhënien, lejoni partnerin/en të vendosë për veten dhe përqendrohuni te dëshirat tuaja.
Kjo energji e re kërkon veprim. Nëse kishit menduar të zhvendoseshit ose të bënit një udhëtim, ky është momenti i duhur për t’i realizuar këto mendime. Mos lejoni që frika t’ju mbajë larg marrjes së vendimeve.
5. Peshqit
Hartoni një plan mbi atë që dëshironi, Peshq. Më 30 janar do të keni mundësinë të planifikoni të ardhmen dhe të kapërceni sfidat.
Kjo është një mundësi për të shprehur gjërat që zakonisht do t’i mbanit për vete. Shfrytëzojeni energjinë e kësaj kohe për të lënë pas frikërat tuaja dhe për të krijuar një marrëdhënie të shëndetshme plot përkushtim.
Nëse keni qenë në kërkim të dashurisë ose duke shijuar jetën si beqarë, kësaj periudhe mund t’i vijë fundi pasi do të mund të krijoni një lidhje të rëndësishme me një person të ri, por edhe me dikë nga e kaluara.
Përpiquni të mësoni nga e shkuara, dëgjoni zërin tuaj të brendshëm dhe thoni po ndaj mundësive për romancë sapo ato të shfaqen./K.M
Ndërsa qendrat e të dhënave që konsumojnë shumë ujë po zgjerohen globalisht, ndikimi i tyre në higjienë, pabarazi dhe sëmundje po bëhet një kërcënim serioz dhe shpesh i nënvlerësuar.
Termi “bubble” lidhet shpesh me AI-në, por tani po kuptojmë se kjo nuk është vetëm një kërcënim ekonomik. Konsumi i madh i ujit nga qendrat e të dhënave të AI-së mund të ulë higjienën dhe të rrisë sëmundjet gastrointestinale në komunitetet përreth, duke shtuar presion mbi infrastrukturën shëndetësore lokale, shkruan Al Jazzera.
Konsumi i energjisë dhe uji nga AI-ja është kolosal
AI-ja gjenerative mund të prodhojë tekst, foto, kod dhe më shumë, dhe tashmë është pjesë e jetës së shumicës së njerëzve në botë. Vetëm ChatGPT merr rreth një miliard kërkesa në ditë. Kompani si Google, Apple dhe Microsoft po integrjnë AI-në në produktet e tyre kryesore, duke rritur kërkesën për energji dhe ujë.
Një kërkim i vetëm në Google me AI përdor deri në 30 herë më shumë energji se versioni standard. GPU-të (Graphics Processing Units), që përdoren për procesimin paralel të algoritmeve të AI-së, prodhojnë shumë nxehtësi dhe kërkojnë deri në qindra mijëra litra ujë të freskët çdo ditë për ftohje.
Sipas një raporti të Qeverisë Britanike, përdorimi global i ujit nga AI-ja mund të rritet nga 1.1 miliard metra kub në 6.6 miliard metra kub deri në vitin 2027.
Rreziqet për shëndetin publik
Qendrat e të dhënave të vendosura në zona me mungesë uji mund të krijojnë ngarkesa të mëdha shëndetësore. Në 2023, Google raportoi se 15% e ujit të tij merrej nga zona me mungesë të lartë uji.
Mungesa e ujit lidhet me infeksione, kequshqyerje dhe ulje të higjienës. Fëmijët janë më të rrezikuar: 84% e sëmundjeve diareike globale godasin fëmijët nën pesë vjeç, me ndikime të mundshme në zhvillimin kognitiv.
Edhe pse lidhja direkte mes qendrave të të dhënave dhe sëmundjeve nuk është provuar plotësisht, shenjat paralajmëruese janë shqetësuese.
Komunitetet e margjinalizuara raportojnë ujë të ndotur
Në Newton County, Georgia, SHBA-të, një qendër AI e Meta-s ka shkaktuar shqetësim pasi banorët raportuan ujë të turbullt dhe me sedimente nga rubinetat. Situata e ngjashme është raportuar edhe në Fayette County dhe Bayview-Hunters Point, Kaliforni, ku komunitetet kryesisht me prani të madhe afrikano-amerikane shqetësohen për ndotje mjedisore.
Rezultatet e akumuluara mund të shkaktojnë sëmundje akute gastrointestinale ose probleme kronike, përfshirë kancerin.
Rëndësia e premtimeve të kompanive dhe rregullimeve
Vetëm 0.5% e ujit në planet është i freskët. Ai nuk përdoret vetëm nga qendrat e të dhënave, por edhe për prodhimin e çipeve dhe energjisë që i furnizon. Disa kompani premtuan të jenë “prodhues pozitiv të ujit”, por kjo nuk do të mjaftojë nëse komunitetet lokale nuk përfitojnë.
Qeveritë duhet të veprojnë shpejt për të vendosur standarde për menaxhimin e qëndrueshëm të ujit dhe raportimin e transparencës nga korporatat. Një popullatë e shëndetshme është një popullatë produktive, ndërsa rregullimi duhet të vendosë mirëqenien njerëzore mbi rritjen e shpejtë teknologjike.
Në thelb, përdorimi i ujit nga AI-ja është më shumë se një çështje teknologjike; është një sfidë globale për shëndetin publik, barazinë dhe drejtësinë mjedisore./K.M
Në dimrin e ashpër të vitit 1914, Shqipëria ishte ende më shumë një ide sesa një shtet i konsoliduar. Ajo ekzistonte në letra, në protokolle diplomatike dhe në hartat e improvizuara të kancelarive evropiane, por jo ende në jetën e përditshme të qytetarëve të saj. Flamuri i ngritur në Vlorë më 28 Nëntor 1912 kishte ndezur një shpresë të fuqishme kombëtare, por nuk kishte arritur të shuante rreziqet që e rrethonin vendin nga të gjitha anët. Entuziazmi i pavarësisë u përplas shpejt me realitetin brutal të një shteti pa kufij të sigurt, pa ushtri, pa financa dhe pa një administratë funksionale…
…Pas festës së flamurit erdhi ankthi. Shqipëria e re u zgjua në një botë armiqësore, ku fqinjët e saj e shihnin si një rast të hapur për copëtim, ndërsa Fuqitë e Mëdha e trajtonin më shumë si një eksperiment diplomatik sesa si një komb me të drejtë për të jetuar. Kufijtë ishin ende në diskutim, fatet e krahinave shqiptare vareshin nga firmat e diplomatëve të huaj dhe çdo telegram nga Londra, Vjena apo Roma mund të ndryshonte rrjedhën e historisë.
Brenda vendit, panorama nuk ishte më pak e errët. Varfëria, uria dhe mungesa e rendit e bënin jetën të pasigurt. Qytetet dhe fshatrat jetonin në pasiguri të përhershme, ndërsa shteti i sapolindur përpiqej të mbijetonte mes mungesës së mjeteve dhe përçarjeve të brendshme. Institucionet ishin të brishta, autoriteti i qeverisë i kufizuar dhe besimi i popullit i lëkundur nga premtimet e parealizuara dhe nga presioni i pandërprerë i jashtëm.
Në këtë klimë pasigurie dhe frike, fati i Shqipërisë varej më shumë nga tryezat diplomatike evropiane sesa nga vullneti i vet shqiptarëve. Çështja shqiptare nuk vendosej në Vlorë, Shkodër apo Janinë, por në sallonet e Londrës dhe kryeqyteteve të tjera, ku interesat gjeopolitike peshoheshin më shumë se aspiratat e një kombi të vogël ballkanik.
Periudha midis Shpalljes së Pavarësisë dhe janarit 1914 ishte, në thelb, një vrapim i ethshëm kundër kohës. Ishte një luftë e heshtur kundër urisë, kaosit administrativ dhe komploteve ballkanike; një përpjekje e përditshme për të mbajtur gjallë një shtet që rrezikonte të shuhej para se të merrte frymën e parë. Çdo ditë ishte një provë mbijetese dhe çdo vendim politik mbante peshën e fatit kombëtar. Në këtë udhëkryq historik, Shqipëria jetonte me ndjesinë se e nesërmja mund të mos vinte kurrë.
Në “darën” e Fuqive të Mëdha dhe të fqinjëve
Qeveria e Vlorës, e udhëhequr nga Ismail Qemali, funksiononte në kushte pothuajse mbinjerëzore. Pa ushtri të rregullt, pa financa dhe pa administratë të konsoliduar, ajo përpiqej të mbante gjallë një shtet që ende nuk kishte mësuar të ecë.
Ndërkohë, Konferenca e Ambasadorëve në Londër (1913) mori një vendim që do të mbetej plagë historike: Shqipëria u njoh si shtet i pavarur, por u la “gjysmake”. Kosova, Çamëria dhe vise të tjera shqiptare iu shkëputën trungut kombëtar. Ky vendim nuk ishte vetëm një amputim territorial, por edhe një tronditje morale që dobësoi autoritetin e Qeverisë së Vlorës dhe ushqeu kundërshtitë e brendshme ndaj “Plakut të Vlorës”.
Presioni i dyfishtë
Dorëheqja e Ismail Qemalit nuk ishte akt i papritur dhe as rezultat lodhjeje personale. Ajo erdhi si pasojë e një presioni të dyfishtë, të brendshëm dhe të jashtëm.
Nga njëra anë, Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit (KNK), përfaqësues i Fuqive të Mëdha, kishte marrë praktikisht në dorë frenat e shtetit shqiptar. Për ta, qeveria e Vlorës ishte tashmë një pengesë për realizimin e projektit të tyre: vendosjen e një principate dhe ardhjen e Princ Vidit në krye të Shqipërisë.
Nga ana tjetër, brenda vendit po rritej rreziku i përçarjes. Esad Pashë Toptani kishte krijuar një qeveri paralele në Durrës, të ashtuquajturën “Pleqësia e Shqipërisë së Mesme”, duke e futur vendin në një qorrsokak politik që kërcënonte të shndërrohej në konflikt të hapur vëllavrasës.
Sakrifica për unitetin
Në këtë udhëkryq historik, më 22 janar 1914, Ismail Qemali mori vendimin më të rëndë të jetës së tij politike: ai dha dorëheqjen dhe ia dorëzoi pushtetin Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit.
Ky nuk ishte një akt dorëzimi, por një sakrificë e ndërgjegjshme politike. Mesazhi i tij i pashkruar ishte i qartë: “Po largohem që Shqipëria të mos copëtohet nga brenda; po hap rrugën e unitetit, edhe nëse kjo rrugë kalon pa mua.”
Ishte një largim për të shpëtuar shtetin nga vetvetja.
Largimi me dhimbje dhe misioni në mërgim
Pas dorëheqjes, Ismail Qemali u largua nga Shqipëria drejt Evropës. Edhe në mërgim, ai nuk hoqi dorë nga misioni i tij. U kthye në diplomatin e përhershëm të çështjes shqiptare, duke lobuar në kancelaritë evropiane për njohjen dhe mbrojtjen e atij shteti që kishte lindur në Vlorë.
Deri në frymën e fundit, ai mbeti i lidhur me fatin e Shqipërisë, duke ndjekur zhvillimet dhe duke përgatitur pjesëmarrjen në Konferencën e Paqes në Paris.
Një mësim për sot
Dorëheqja e Ismail Qemalit mbetet një nga aktet më të pastra të etikës politike shqiptare. Ai e kuptoi se, kur pushteti personal rrezikon interesin kombëtar, largimi nuk është dobësi, por madhështi.
I zhgënjyer nga vendimet e Fuqive të Mëdha, ai nuk zgjodhi anarkinë, as përplasjen, por rrugën institucionale, duke lënë pas një shembull që rrallë është ndjekur në historinë politike shqiptare.
Fundi i një jete, jo i një ideali
Ismail Qemali vdiq në Peruxhia të Italisë më 1919, në rrethana që ende mbeten të paqarta, teksa po përgatitej të udhëtonte drejt Parisit. Ai vdiq pa pasuri materiale, duke dëshmuar se pasuria e tij e vetme kishte qenë Shqipëria.
Trupi i tij u kthye dhe u varros në Vlorë, ku populli e priti si themeluesin e shtetit – si njeriun që nuk e braktisi anijen në mes të stuhisë, por e la timonin vetëm pasi i kishte dhënë një drejtim.
Tamagotchit, krijuar nga kompania japoneze Bandai në vitin 1996, janë lojëra portative që u bënë një fenomen global në fundin e viteve ’90-të.
Në prag të 30 vjetorit të tyre në 2026, Tamagotchi vazhdojnë të jenë të popullarizuar dhe po rikthehen në vëmendje të njerëzve të çdo moshë përmes rilançimeve, eventeve dhe produkteve speciale.
Nga 7 janari deri më 2 shkurt 2026, Roppongi Museum në Tokio po organizon ekspozitën zyrtare të 30?vjetorit të Tamagotchi, ku vizitorët mund të përjetojnë historinë dhe evoluimin e këtij lojë virtuale ikonë.
Ekspozita shfaq jo vetëm pajisje klasikë, por edhe instalime immersive që i fusin vizitorët brenda botës së Tamagotchi, duke eksploruar se pse këta “miq digjitalë” kanë krijuar lidhje emocionale me njerëzit.
Tamagotchit kanë kapërcyer 100 milionë njësi të shitura në mbarë botën deri në vitin 2025, duke treguar se pavarësisht ndryshimeve teknologjike, këta pets dixhitalë mbeten të dashur nga fansa.
Lançimet e reja përfshijnë modele moderne me Wi?Fi dhe funksione të avancuara, si Tamagotchi Uni apo Tamagotchi Paradise, që ofrojnë përvojë më të pasur dhe ndërveprime online midis përdoruesve dhe pajisjeve.
Përveç lojërave klasike, modelet e reja dhe bashkëpunimet (p.sh. me marka të njohura si BLACKPINK) kanë ndihmuar që Tamagotchi të mbeten të dashura edhe për brezin e ri./KM
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka nënshkruar Bordin e Paqes së Gazës në Forumin Ekonomik në Davos.
“Jemi në një pozicion për të pasur një shans për t’u dhënë fund dekadave të vuajtjes dhe gjakderdhjes. Jeni yje. Jeni njerëzit më të rëndësioshëm në botë. E kundërta e paqes nuk ka shans, është kënaqësi që jam me ju.
Dje ndodhën gjëra të mira, për këtë arsye erdha sot janë kaq shumë njerëz në Davos, Bordi i Paqes do të hyjë në zbatim.
Presidenti i SHBA Donald Trump në fjalimin e tij në Davos ka deklaruar se një vit më parë bota ishte në flakë dhe shumë njerëz nuk e dinin këtë fakt.
Trump tha se tani po ndodhin gjëra shumë të mira dhe kërcënimet ndaj Europës, Amerikës dhe Lindjes së Mesme po zbehen.më tej foli për sulmet në centralet bërthamore iraniane që ndodhën verën e kaluar, të cilat ai thotë se SHBA shkatërruan kapacitetin bërthamor të vendit.
“Irani dëshiron të flasë dhe do të flasë”, tha Trump./kb
Një samit për Groenlandën që mbahet shumë shpejt dhe kërkon punë intensive. Një Europë dhe një BE që do të jetë bashkë, por që po “përçahet”, me interesa gjeopolitike në plan të parë; një arenë shumë e vështirë për Trump. Kjo është ajo që pritet të shfaqet në këtë samit të Groenlandës.
Shtetet e BE-së që do të jenë bashkarisht dhe pozicionimi i Francës do të bëjnë diferencën. Trump tentoi të prishte rregullat e lojës, por u gjend në një ring boksi, i rrethuar nga mundësia e prishjes së marrëdhënieve Washington–Londër, nga një Itali që mban një ekuilibër të vështirë, me Melonin e cilësuar edhe si ndërmjetëse; Merz i Gjermanisë, me një ekonomi të varur ekstremisht nga marrëdhëniet tregtare me SHBA-në; dhe një Rusi e “gëzuar” nga kërcënimet e Trump për Groenlandën, e cila e sheh këtë lëvizje të Trump si hapje të Kutisë së Pandorës.
Mark Rutte, personaliteti që ka ndikim te Presidenti i SHBA-së, është i vetmi që mund t’i flasë Trump-it. Ai ka një marrëdhënie shoqërore që ka pasur rezultatet e veta pozitive në këto bisedime.
Mundet që Franca të mbetet “vetme” në këtë samit, pasi pozicionimi i saj politik dhe ushtarak është i ndryshëm nga shtetet e tjera. Republika e Pestë i jep përparësi Presidentit Macron të reagojë shpejt, pa mbledhur instancat e rastit. Megjithatë, presim vazhdimin.
Rusia është në pritje të “gëzuar”, pasi mund të imitojë Trump-in në lidhje me vendet Baltike dhe me kufirin detar të Groenlandës nga krahu i Rusisë, dhe e favorizon totalisht këtë situatë për Ukrainën; pra janë bashkë si në një ndeshje futbolli ku ndajnë gjysmëfushat.
Tarifat doganore me një aleat si Europa dëmtojnë më shumë konsumatorin amerikan sesa prodhuesin europian, dhe këtë llogari tashmë Amerika e ka bërë mirë.
Nga ana tjetër, Von der Leyen dhe ekipi i saj reaguan shpejt ndaj tarifave amerikane, duke iu përgjigjur flakë për flakë, në unitet dhe me vendosmëri, dhe kjo solli avantazhin e vet. Pa dashje, Trump e bëri Europën edhe më të bashkuar. Nga një sondazh, 40% e amerikanëve janë kundër kërcënimeve për Groenlandën.
Ai që po del i fituar në këtë moment është Putin, i cili po fiton kohë pas kohe, ndërkohë që dosja e Ukrainës në këtë moment është në vend të dytë.
Por kriza nuk mbaron sot. Lufta tregtare vazhdon, garanci nuk ka.
Danezët presin pozicionin e tyre; Europa po i mbështet; Franca nuk dëgjoi, por reagoi. Mesazhe, influenca dhe mësime ka boll në këto ditë dinamike, në marrëdhëniet e tensionuara mes aleatëve.
A i trembet Trump një afrimi të Europës me Kinën apo një bashkëbisedimi diplomatik të saj me Rusinë? Sigurisht që i paramendon dhe jo rastësisht “sulmoi” Macron-in. Shprehja e Macron për një mundësi takimi diplomatik me Putin-in nuk e ka entuziasmuar Trump-in, pasi deri më tani ka pasur ekskluzivitetin e bisedimeve për Ukrainën, por pa asgjë konkrete.
Në Davos “vlon” puna dhe Europa po punon fort në unanimitet. Europa po ndryshon politikën e saj, por pa qenë asnjëherë kërcënuese.
Tashmë Trump e ka kuptuar që durimi i Europës është sosur dhe nuk dëshiron ta humbasë një aleat si ajo.
Sot në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, pritet të zhvillohet ceremonia e nënshkrimit të “Bordit të Paqes”, struktura ndërkombëtare e propozuar nga presidenti amerikan Donald Trump e cila synon t’i japë zgjidhje konflikteve në botë.
Ceremonia do shënojë një nga momentet më të rëndësishme të këtij procesi diplomatiko‑politik, i cili ka ngjallur debate të mes aleatëve perëndimorë dhe aktorëve të tjerë globalë.
Disa prej udhëheqësve botërorë kanë konfirmuar se do të marrin pjesë, ndërsa të tjerë kanë shfaqur skepticizëm. Kombet e Bashkuara kanë shprehur shqetësime se krijimi i një organi të tillë mund të minojë rolin dhe mandatin e saj në procesin e paqes dhe rindërtimit./K.M
Më 21 janar 1957, pas gati dy dekadash frike, pasigurie dhe hetimesh të dështuara, policia amerikane i dha fund një prej sagave më të errëta kriminale të shekullit XX. George Peter Metesky, i njohur nga shtypi si “Mad Bomber”, u arrestua në Waterbury, Connecticut, dhe u akuzua për vendosjen e më shumë se 30 bombave artizanale në qytetin e Nju Jorkut. Arrestimi i tij shënoi fundin e një epoke terrori urban që kishte paralizuar një metropol të tërë për 16 vjet me radhë.
Historia e Metesky-t nuk fillon me krimin, por me një ndjenjë hakmarrjeje që u shndërrua gradualisht në obsesion. Ai ishte një elektricist dhe mekanik amerikan, punonjës i kompanisë Consolidated Edison, i cili në vitin 1931 pësoi një aksident në punë. Metesky pretendonte se dëmtimi i kishte shkatërruar shëndetin dhe jetën, ndërsa kompania, sipas tij, i kishte mohuar kompensimin e merituar. Nga ky konflikt burokratik dhe ligjor lindi urrejtja që do ta shoqëronte për gjithë jetën.
Bombat e para u shfaqën në fillim të viteve 1940. Ato ishin të ndërtuara me kujdes teknik, por shpesh vendoseshin në mënyrë të tillë që të shmangnin viktimat masive. Megjithatë, efekti psikologjik ishte i jashtëzakonshëm. Teatrot, terminalet e autobusëve, bibliotekat, zyrat publike dhe ndërtesat simbolike u kthyen në zona ankthi. Çdo çantë e braktisur, çdo zhurmë e pazakontë, shkaktonte panik. Nju Jorku jetonte nën hijen e një armiku të padukshëm.
Metesky nuk ishte një kriminel i zakonshëm. Ai dërgonte letra anonime në polici, media dhe institucione shtetërore, ku shpjegonte motivet e tij dhe paralajmëronte për shpërthime të ardhshme. Gjuha e tij ishte e çuditshme, plot mllef, por edhe e strukturuar, duke lënë të kuptohej se pas bombave fshihej një mendje e organizuar, jo kaotike. Kjo e bëri hetimin edhe më të vështirë: policia kishte të bënte me një njeri që kërkonte vëmendje, por njëkohësisht dinte të fshihej me përpikëri.
Për vite me radhë, autoritetet dështuan ta identifikonin autorin. Rasti u bë një prej hetimeve më të gjata dhe më të kushtueshme në historinë e Nju Jorkut. Zgjidhja erdhi në mënyrë të pazakontë: për herë të parë, policia kërkoi ndihmën e një psikiatri për të ndërtuar profilin psikologjik të autorit. Analiza e gjuhës së letrave dhe e sjelljes së “Mad Bomber”-it çoi drejt një njeriu të zemëruar, teknikisht të aftë, me një konflikt të vjetër pune – dhe kështu pista u ngushtua te George Metesky.
Arrestimi i tij në Waterbury ishte i qetë, pothuajse banal. Në shtëpinë e tij u gjetën pjesë bombash, skica teknike dhe dokumente që e lidhën drejtpërdrejt me sulmet. Metesky nuk e mohoi fajin. Përkundrazi, ai e shihte veten si një njeri që po kërkonte drejtësi, jo si një terrorist.
Gjykata e shpalli të papërgjegjshëm penalisht për shkak të gjendjes së tij mendore dhe ai u dërgua në një spital psikiatrik, ku kaloi pjesën më të madhe të jetës. Historia e tij u bë një pikë referimi për kriminologjinë moderne, veçanërisht për përdorimin e profilizimit psikologjik në hetime.
Rasti i George P. Metesky-t mbetet një kujtesë e frikshme se si një padrejtësi reale ose e perceptuar mund të shndërrohet, me kalimin e kohës, në një cikël dhune që terrorizon një shoqëri të tërë. “Mad Bomber” nuk ishte thjesht një kriminel i vetëm, por simboli i ankthit urban në një epokë kur qytetet amerikane po përballeshin me anën e errët të modernitetit.
Një marrëveshje e SHBA-së për Groenlandën mund të përfshijë marrjen e kontrollit nga Uashingtoni të zonave të vogla të ishullit.
Gazeta The New York Times (NYT) e raportoi këtë, duke cituar burime.
U vu re se, përpara njoftimit të udhëheqësit të Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump, më 21 janar se një marrëveshje e ardhshme ishte finalizuar, zyrtarët ushtarakë të NATO-s diskutuan mundësinë e një kompromisi në të cilin Danimarka do t’u jepte Shteteve të Bashkuara sovranitetin mbi territorin e vogël të Groenlandës.
Kompromisi, i cili mund të përfshijë ndërtimin e bazave ushtarake amerikane në ishull, po diskutohet nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, i cili ka shprehur mbështetje për një marrëveshje të tillë, thanë tre zyrtarë.
Burimet e gazetës e krahasuan këtë me bazat britanike në Qipro, e cila konsiderohet territor britanik jashtë shtetit. Megjithatë, nuk është e qartë nëse kjo ide është pjesë e konceptit të shpallur nga Trump./K.M
Numri i punonjësve dhe fondet për administratën publike janë rritur në rekorde historike në 2025. Paralelisht, qeveria po rrit me shpejtësi financimet për qeverisjen digjitale, por nga ana tjetër qytetarët dhe bizneset muajt e fundit po përballen me më vështirësi për të aksesuar shërbimet publike.
Në vitin 2014, fondet për paga dhe kontribute për punonjësit e shtetit ishin rreth 71.4 miliardë lekë, ndërsa numri i të punësuarve në sektorin publik ishte rreth 163 mijë persona.
Njëmbëdhjetë vite më vonë, në vitin 2025, administrata publike numëron rreth 184 mijë punonjës dhe shpenzimet buxhetore për personelin janë rritur në rreth 129 miliardë lekë. Që nga 2024 në 2025, numri i punonjësve në sektorin shtetëror është zgjeruar me 12.7 për qind, ndërsa shpenzimet ndaj tyre janë rritur me 80 për qind.
Rritja nuk ka qenë vetëm në numrin e punonjësve dhe fondet për paga. Paralelisht, investimet për qeverisjen digjitale janë shtuar me ritme të shpejta në 6 vitet e fundit.
Në 2025, financimi për e-qeverisjen u rrit me tre herë brenda vitit, duke arritur në 20.1 miliardë lekë (mbi 200 milionë euro), nga rreth 3.3 miliardë lekë që jepeshin në vitin 2019, në një total prej 48.4 miliardë lekësh në 4 vjet, ose gati 500 mln euro.
Qeveria e ka paraqitur digjitalizimin si një nga shtyllat kryesore të modernizimit të administratës dhe përmirësimit të shërbimeve për qytetarët dhe bizneset.
Megjithë këto investime, shërbimet publike digjitale kanë shfaqur probleme serioze funksionimi gjatë muajve të fundit. Platforma kryesore e-Albania e shërbimeve elektronike për qytetarët dhe bizneset është përballur me ndërprerje të shpeshta, vonesa dhe pamundësi aksesimi, duke krijuar vështirësi reale në marrjen e dokumenteve, kryerjen e procedurave administrative dhe përmbushjen e detyrimeve ligjore.
E-Albania ëshë kthyer në një makth për bizneset. Ekonomistet janë bërë si policët që u zënë pritë makinave. Policët e bëjnë këtë që të dallojnë ata që bëjnë shkelje e tu vënë gjoba, ekonomistet që të dallojnë se kur funksionon sistemi e të bëjnë ndonjë punë.
Bizneset janë ankuar vazhdimisht pranë Monitor që shpesh nuk arrijnë të hyjnë në sistemin e self care përmes të cilit bizneset mund të shohin të gjitha faturat e blerjes që vijnë nga furnitorët, të verifikojnë faturat e blerje e shitjeve në fund të muajit, apo të bëjnë shërbime të tilla si fiskalizimi i importeve, dhe bizneset e vogla pa të punësuar mund ta përdorin për të fiskalizuar faturat e shitjes pa blerë program.
Ekonomistët thonë se ata nuk dinë ku të ankohen kur sistemi nuk punon. “Në këtë moment psh, nuk fiskalizohen faturat dhe punonjësit e një biznesi që shet produkte ushqimore nuk u nisën për në Durrës dhe shoferët po rrinë, pasi nuk mund të lëvizin mallin pa faturë shitje, ose faturë shoqëruese”.
“Të paktën shkruani ju se nuk e pranon njeri që sistemet nuk punojnë”, thotë me ironi përfaqësuesi i një subjekti, i lodhur dhe i acaruar nga kjo situatë dhe nga fakti që ata nuk po dinë ku të ankohen që të gjejnë zgjidhje.
E vetmja alternativë është që ti shkruajnë ministres së shtetit për inteligjencën artificiale, “Diellës”, që u paraqit nga kryeministri Rama si një revolucion dhe risi në botë. Por, as ajo nuk po ua zgjidh hallet, ndërsa administrata publike fundjave është pushim, apo kur ditët e festave bien pranë fundjavës i gëzohet dhe ndonjë dite më shumë pa punë.
Nuk arrijmë ta kuptojmë se për çfarë shërbejnë 20 mijë të punësuar shtesë në administratën publike në 10 vitet e fundit, apo 500 milionë euro investime për e-qeverisjen në 4 vjet, kur bizneset nuk po arrijnë të punojnë, individët shpesh nuk arrijnë të marrin dokumentet që u duhen online, dhe asnjë person fizik nuk u sqaron se çfarë duhet të bëjnë. Nuk mban askush përgjegjësi dhe për orët shtesë të punës, apo të ardhurat e munguara pasi bizneset nuk arrijnë të realizojnë shitjet, jo për faj të tyre.
Kush mban përgjegjësi për kostot
Nuk arrijmë ta kuptojmë se për çfarë shërbejnë 20 mijë të punësuar shtesë në administratën publike në 10 vitet e fundit, apo 500 milionë euro investime për e-qeverisjen në 4 vjet, kur bizneset nuk po arrijnë të punojnë, individët shpesh nuk arrijnë të marrin dokumentet që u duhen online, dhe asnjë person fizik nuk u sqaron se çfarë duhet të bëjnë. Nuk mban askush përgjegjësi dhe për orët shtesë të punës, apo të ardhurat e munguara pasi bizneset nuk arrijnë të realizojnë shitjet, jo për faj të tyre.
Sipas bizneseve, kjo situatë e përsëritur përbën një shqetësim serioz për funksionimin normal të aktivitetit ekonomik dhe marrëdhënien e bizneseve me administratën publike apo të profesionistëve me klientët e tyre.
Ekspertët e teknologjisë pohojnë se rritja e shpejtë e investimeve në teknologji nuk është shoqëruar gjithmonë me forcim proporcional të kapaciteteve teknike dhe njerëzore për mirëmbajtjen dhe sigurinë e sistemeve.
Një pjesë e projekteve digjitale janë ndërtuar me logjikë fragmentare, pa integrim të plotë dhe pa testime të mjaftueshme nën ngarkesë të lartë përdorimi.
Problemet e fundit kanë nxjerrë në pah hendekun mes investimeve financiare dhe funksionimit real të administratës publike.
Vitin e kaluar, administrata dhe e-qeverisja kanë marrë 149 miliardë lekë, rreth 1.5 miliardë euro ose rreth 18 për qind të shpenzimeve buxhetore të vitit 2025. Kjo shumë ishte 108% më e lartë se në vitin 2014./ Monitor/K.M
Prokuroria e Posaçme deklaroi se kishte regjistruar një procedim pas kallëzimit të depozituar nga PD, ndërkohë që Këshilli i Lartë Gjyqësor administroi informacionin e Prokurorisë së Përgjithshme dhe nis procedurën për gjyqtaren e Gjykatës së Posaçme.
Prokuroria e Posaçme, SPAK regjistroi një procedim penal pas një kallëzimi ndaj gjyqtares Irena Gjoka, e cila akuzohet se ka fshehur nga formulari i vetëdeklarimit të pastërtisë së figurës një dënim penal të dhënë nga drejtësia greke për falsifikimin e një pasaporte dhe një vize në mesin e viteve 2000. Kallëzimi ishte depozituar në SPAK nga Adriana Kalaja.
Sipas SPAK, procedimi është regjistruar për veprën penale të parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal, “falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, por ende nuk është regjistruar ndonjë emër si person nën hetim.
Pas një hetimi administrativ që zgjati rreth 20 muaj, Prokuroria e Përgjithshme njoftoi të martën se i kishte dërguar zyrtarisht më datë 19 janar 2026 rezultatet e këtij verifikimi pranë KLGj-së, që është organi kompetent që duhet të interpretojë rezultatet e gjetjeve.
Këshilli i Lartë Gjyqësor, KLGJ administroi të mërkurën vendimin e Prokurorisë së Përgjithshme për rezultatet e verifikimit të thelluar të deklarimeve të kryera në formularin e vetëdeklarimit për pastërinë e figurës nga ana e gjyqtares së Gjykatës së Posaçme, Irena Gjoka.
Burime zyrtare të KLGJ-së i bënë me dije BIRN se aktet e mbërritura nga Prokuroria e Përgjithshme, do t’i vendosen në dispozicion Komisionit të Zhvillimit të Karrierës në KLGJ, që do të hartojë raportin. Ky raport do t’i kalohet më pas seancës plenare publike. KLGJ nuk bëri me dije ndonjë afat të përafërt se kur do të përfundojë kjo procedurë.
Edhe pse Prokuroria e Përgjithshme e mbajti të fshehtë rezultatin e verifikimit, një burim pranë saj i tha BIRN në kushtet e anonimatit se vendimi i gjykatës greke ndaj Gjokës ishte autentik.
Tashmë, KLGj do të duhet të shqyrtojë nëse gjetjet e prokurorisë përbëjnë kusht ndalimi për ushtrimin e funksionit publik, bazuar në ligjin nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.
Akuzat ndaj Gjokës u bënë publike pasi ajo firmosi masat e sigurisë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha në lidhje me dosjen “Partizani”. Berisha dhe mbështetësit e tij e kanë akuzuar vazhdimisht Gjokën, duke pretenduar se ajo është në konflikt interesi dhe se ka fshehur të kaluarën e saj, përfshi dënimin penal në Greqi. KLGJ e cila shqyrton ankesat, kërkoi verifikim të rastit nga Prokuroria e Përgjithshme.
Akuzat publike sugjeronin se ajo ishte dëbuar nga Greqia për përdorim të dokumenteve të falsifikuara ose shkelje të rregullave të qëndrimit, një fakt që pretendohet se nuk është pasqyruar në formularin e dekriminalizimit nga gjyqtarja.
Gjyqtarja Gjoka e ka kaluar më herët procesin e vetingut, pasi KPK nuk gjeti probleme që do të çonin në shkarkimin e saj. Komisioneri Publik fillimisht e ankoi vendimin në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, por gjatë procesit ish-komisionerja Publike Irena Nino u tërhoq nga ankimi duke bërë që vendimi i konfirmimit në detyrë të mbetej në fuqi./ BIRN/K.M
Mark Rutte filloi të vepronte menjëherë pas takimit të dështuar më 14 janar në Uashington midis Zëvendëspresidentit të SHBA-së J.D. Vance dhe Ministrave të Jashtëm të Danimarkës, Lars Løkke Rasmussen, dhe Grenlandës, Vivian Motzfeldt. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s zhvilloi një raund të gjerë konsultimesh, duke përfshirë jo vetëm danezët dhe aleatët evropianë, por edhe Ambasadorin Matthew Whitaker, përfaqësuesin e SHBA-së në NATO.
Negociatat
Rasmussen dhe Motzfeldt i kishin ofruar Vance Greenland-it mundësinë për të strehuar sa më shumë baza ushtarake që të konsiderohej e nevojshme . Megjithatë, Vance u kundërpërgjigj: “Ne duam ta zotërojmë ishullin”. Kundërpropozimi i tij ishte: “Me ligj, toka e Greenland-ës nuk është në shitje ; ne mund t’ju japim një koncesion shumëvjeçar”. Kjo është ideja që Donald Trump e hodhi poshtë dje nga skena në Davos.
Më 19 janar, Rutte priti Ministrin e Groenlandës Motzfeldt në Bruksel, i shoqëruar këtë herë nga Ministri danez i Mbrojtjes Troels Lund Poulsen. Të tre finalizuan një kornizë më të gjerë, një marrëveshje që do të përfshinte ndërhyrjen e vendeve të gatshme për të forcuar sigurinë ushtarake në dhe përreth Groenlandës. Pasi të dy u larguan, Rutte telefonoi Trumpin. Ai i ofroi atij jo aq shumë një formulë përfundimtare sesa një kornizë: të gjithë aleatët do të pranonin lidershipin amerikan në rajon. Dhe, duke zgjuar interesin e presidentit, ai shtoi se partnerët ishin të gatshëm të shpenzonin më shumë në Arktik, duke blerë pajisje ushtarake nga Shtetet e Bashkuara.
Gjatë bisedës, Rutte citon shembullin e Danimarkës, tashmë një kliente besnike e Lockheed Martin për avionët e saj F-35. Trump kufizohet në një përgjigje të ngurta. Këto nuk janë qartësisht të vetmet kontakte me Shtëpinë e Bardhë. Kancelari gjerman Friedrich Merz dhe kryeministri britanik Keir Starmer po mobilizohen gjithashtu.
Trump: “Kemi një marrëveshje kornizë.” Detajet mbeten.
Më 20 janar, Rutte ua paraqiti arsyetimin për këtë operacion ambasadorëve të 32 vendeve anëtare, të cilët u takuan në Këshillin e Atlantikut të Veriut në Bruksel. Sekretari propozoi vazhdimin e diskutimeve brenda “grupit të punës” të Shteteve të Bashkuara, Danimarkës dhe Groenlandës i vetmi rezultat i samitit me Vance. Ky sugjerim u mirëprit nga danezët dhe anëtarë të tjerë të shquar të këshillit, përfshirë britanikët. Më e rëndësishmja, qasja e Rutte mori dritën jeshile nga amerikani Whitaker.
Sigurisht, nevojitej vula e miratimit të Trump. Në takimin dypalësh të djeshëm, Rutte shfaqi të gjitha lajkat që ka demonstruar tashmë. “Kemi një marrëveshje kornizë “, tha presidenti amerikan. Tani do të shohim detajet, të paqarta si gjithmonë. Çështja e pronësisë territoriale mbetet qendrore. Disa sugjerojnë modelin e Guantanamos, bazën detare të dhënë Shteteve të Bashkuara nga qeveria kubane me një kredi të përhershme në vitin 1903./K.M
Qeveria dhe SPAK do të përballen sot në Gjykatën Kushtetuese për rastin e zv.kryeministres Belinda Balluku. Seanca në Kushtetuese me relator Sandër Becin do të nisë në orën 10:00, ku do të shqyrtohet ankimi i kryeministrit Edi Rama i cili kërkon shfuqizimin e vendimit të GJKKO-së të marrë në nëntor 2025 për pezullimin e Ballukut nga detyra. Përveç qeverisë, Kushtetuesja ka thirrur në seancë edhe përfaqësues nga Prokuroria dhe Gjykata e Posaçme, si dhe nga parlamenti e Presidenca si subjekte të interesuara.
Numri 2 i qeverisë aktualisht është rikthyer në detyrë pas një vendimi të Kushtetueses, deri në shqyrtimin e plotë të ankimit të kryeministrit Rama dhe shpalljes së vendimit përfundimtar nëse do ta ‘lejojë’ ose jo precedentin e krijuar nga GJKKO me pezullimin e një anëtari qeverie.
Kryeministri Rama iu drejtua Kushtetueses me argumentin se vendimi i GJKKO-së ishte një ndërhyrje brutale të një pushteti si ai gjyqësor, në kompetencat e një pushteti tjetër, si ai ekzekutiv. Ai i kërkon Kushtetueses që të zgjidhë konfliktin e kompetencave GJKKO-Këshilli i Ministrave, pra nëse Gjykata e Posaçme ka ekskluzivitet për të pezulluar nga detyra një anëtar qeverie, duke qenë se propozimin e ministrave Kushtetuta ia njeh si ekskluzivitet Kryeministrit.
Kjo është vetëm një prej pikave të ankimit të Ramës. Pasi të sqarojë mosmarrëveshjen e kompetencave, Qeveria kërkon nga Gjykata shfuqizimin e vendimit të GJKKO për masën ndaj Ballukut, vetëm për pjesën e pezullimit të saj nga detyra e zv. kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, pasi masa tjetër e ndalimit të lëvizjes jashtë vendit nuk është ankimuar. Në ankim, kryeministri i kërkon Gjykatës Kushtetuese të interpretojë dhe nenin 103 të Kushtetutës, i cili i njeh anëtarit të Qeverisë imunitetin e deputetit.
Nga ana tjetër GJKKO argumenton se pezullimi i Ballukut nga detyra është i ligjshëm. Gjyqtari Erion Çela argumenton se përse është e nevojshme masa e sigurisë ndaj saj duke renditur mes të tjerave, mundësinë e ndërhyrjes dhe ndikimit në prishjen apo asgjësimin e provave, rrezikun e largimit, apo dhe të përsëritjes të së njëjtës vepër penale. Masa e pezullimit nga detyra, sipas GJKKO-së, e respekton Kodin e Procedurës Penale, pasi edhe pse “e penguar” për qenë në qeveri, Balluku mund të vijojë pa probleme aktivitetin e saj si deputete në Kuvend.
Vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese do të vijë në një kohë kur SPAK ka dorëzuar në Kuvend edhe kërkesën për autorizim për arrestimin e Ballukut. Kjo lëvizje e SPAK erdhi menjëherë pasi Kushtetuesja e ktheu Ballukun në detyrë, ndërsa mbledhja e radhës e Këshillit të Mandateve është më datë 28 janar.
Belinda Balluku është e pandehur për tenderin me vlerë 190 mln euro të Tunelit të Llogarasë, nën hetim për 7 lotet e Unazës së Madhe dhe po verifikohen edhe tenderë të tjerë./K.M
Ditën e sotme duke nisur nga ora 10:00 do të zhvillohet seanca plenare në Kuvendin e Shqipërisë.
Për ditën e sotme në rend dite është projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri, Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes”.
Në lidhje me projektligjin do të zhvillohen diskutime dhe pyetje e më pas dhe votimi.
Rendi i ditës
Në mbështetje të urdhrit nr. 4, datë 21.1.2026 të Kryetarit të Kuvendit, z. Niko Peleshi,
rendi i ditës është si më poshtë:
1. Njoftime.
(Neni 44, pika 3, të Rregullores së Kuvendit)
2. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së
Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të
Paqes”.
(Në mbështetje të neneve 78, 81 pika 1, 83, pika 1 dhe 2, dhe nenit 121, pika 1, të
Kushtetutës, si dhe neneve 55, 73-77 të Rregullores, shumicë absolute votash për
miratim)
Pyetje
Shprehet nismëtari
Shprehet Komisioni përgjegjës për Europën dhe Punët e Jashtme