09:00 Sot Kuvend/ Interpelancë me ministren e Arsimit, kërkohen shpjegime dhe për shëndetësinë
Kuvendi i Shqipërisë do të zhvillojë sot në 12 shkurt seancën e radhës plenare, e cila pritet të shoqërohet me debate të forta, për shkak të çështjeve të ndjeshme të përfshira në rendin e ditës dhe klimës së tensionuar politike në vend. Në qendër të diskutimeve do të jenë dy interpelanca me ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro, të fokusuara te siguria në institucionet arsimore.
Interpelanca e parë është kërkuar nga deputetja Erisa Xhixho, e cila ka ngritur shqetësimin për situatën e sigurisë në shkolla, pas disa ngjarjeve tragjike ku të mitur kanë humbur jetën si pasojë e konflikteve me bashkëmoshatarët. Ajo pritet të kërkojë informacion të detajuar mbi masat parandaluese, politikat e ndjekura nga ministria dhe bashkëpunimin me institucionet e tjera për të frenuar fenomenin e dhunës në ambientet shkollore. Në të njëjtën linjë është edhe kërkesa e deputetit Kapri, i cili do të kërkojë sqarime për strategjitë konkrete të qeverisë për garantimin e sigurisë së nxënësve dhe stafit pedagogjik.
Përveç çështjeve që lidhen me arsimin, në rendin e ditës është parashikuar edhe një seancë pyetje-përgjigje mes deputetit të Partisë Socialiste, Erion Braçe, dhe ministres së Shëndetësisë, Evis Salla. Braçe ka shprehur shqetësimin për mosfunksionimin e plotë të qendrës shëndetësore në rrugën “Irfan Tomini”, duke kërkuar shpjegime mbi arsyet e situatës dhe masat që do të merren për të garantuar shërbim të plotë për qytetarët e zonës.
Seanca plenare do të përfshijë gjithashtu shqyrtimin dhe votimin e një sërë projektligjesh dhe projektvendimesh me rëndësi. Mes tyre janë propozime për ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, amendime në ligjin “Për akcizat”, si dhe rishikime në ligjin “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë”. Këto nisma ligjore pritet të ngjallin diskutime mbi ndikimin e tyre në ekonomi, administratë dhe sektorin kulturor.
Rendi i ditës:
Mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare në datën 12.2.2026, ora 10:00.
II. Rendi i ditës i seancës plenare është si më poshtë:
1. Miratimi i procesverbaleve të seancave plenare të datave 27.1.2026 dhe 3.2.2026.
2. Njoftime.
4. Interpelancë me Ministrin e Arsimit, znj. Mirela Kumbaro, kërkuar nga deputetja Erisa Xhixho.
3. Interpelancë me Ministrin e Arsimit, znj. Mirela Kumbaro, kërkuar nga deputeti Erald Kapri.
5. Seancë pyetje – përgjigje me Ministrin e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, znj. Evis Sala, kërkuar nga deputeti Erion Braçe.
6. Projektligji “Për shërbimin e jashtëm në Republikën e Shqipërisë”.
7. Projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr. 61/2012 “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
8. Projektligji “Për një shtesë në ligjin nr.92/2014, “Për tatimin e vlerës së shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
9. Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 27/2018 “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë”
10. Projektvendimi “Për miratimin e strukturës, organikës dhe klasifikimit të pagave të personelit me kohë jo të plotë pune, që rekrutohet për përpunimin e materialeve zgjedhore, të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”.
11. Projektvendimi “Për disa shtesa në vendimin nr. 65/2025 “Për caktimin e anëtarëve zëvendësues në përbërjen e komisioneve të përhershme të Kuvendit”, i ndryshuar.
12. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.
III. Ngarkohen shërbimet e Kuvendit për publikimin e rendit të ditës të seancës plenare, njoftimin e anëtarëve të Kuvendit me anë të mjeteve të komunikimit elektronik, si dhe përgatitjen e dokumentacionit parlamentar që do të shqyrtohet.
IV. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë./kb
