Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 10 February 2026Gazeta Fjala

22:59 Norvegjia paralajmëron: Rusia mund të sulmojë për të mbrojtur arsenalet bërthamore

By: Monika
10 February 2026 at 22:59

Shefi i ushtrisë së Norvegjisë, gjenerali Eirik Kristoffersen, ka thënë se Oslo nuk mund të përjashtojë mundësinë e një pushtimi të ardhshëm nga Rusia. Ai ka paralajmëruar se Moska mund të ndërmarrë veprime në veri për të mbrojtur asetet e saj bërthamore, të vendosura kryesisht në gadishullin Kola, pranë kufirit norvegjez.

“Ne nuk e përjashtojmë një pushtim tokësor nga Rusia si pjesë e strategjisë së saj për të mbrojtur kapacitetet bërthamore”, tha Kristoffersen, duke shtuar se këto veprime do të ishin të rëndësishme në rast konflikti të Rusisë me NATO-n në ndonjë zonë tjetër.

Ai theksoi se Rusia nuk ka synime pushtuese si në Ukrainë, por se prania e nëndetëseve bërthamore, raketave tokësore dhe avionëve me kapacitet bërthamor e afron mundësinë e një skenari të tillë në veri. Norvegjia po mban gjithashtu vigjilencë ndaj sabotimeve dhe kërcënimeve hibride.

Ushtria ruse ngadalëson në Ukrainë, shkak i ftohti dhe mungesa e Starlink
Kristoffersen u shpreh gjithashtu kritik ndaj pretendimeve të Donald Trump për Greenlandin dhe rolin e vendeve aleate në Afganistan, duke theksuar se forcat norvegjeze kanë kryer shërbime frontale dhe kanë humbur ushtarë gjatë misioneve.

Ai përmendi se Norvegjia dhe Rusia mbajnë kontakte për misionet e kërkimit dhe shpëtimit në Detin e Barentsit dhe se Rusia respekton traktatin për mos-militarizimin e Svalbardit. Gjenerali sugjeroi edhe krijimin e një linje të drejtpërdrejtë komunikimi midis dy vendeve për të shmangur keqkuptimet dhe përshkallëzimin.

Kristoffersen ka qenë shef i mbrojtjes së Norvegjisë që nga viti 2020, gjatë një periudhe të tensionuar sigurie pas pushtimit rus të Ukrainës dhe zgjerimit të NATO-s me Suedinë dhe Finlandën./mxh

22:47 Operatori u prek nga flakët/ Berisha i drejton gishtin policisë

By: Monika
10 February 2026 at 22:47

Kreu i PD-së Sali Berisha i ka drejtuar gishtin e akuzës policisë për goditjen ndaj operatorit të televizionit, i cili pas hedhjes së molotovëve u prek nga flakët.

Sipas Berishës, filmimet dhe dëshmitarët okularë kanë thënë se flaka ka ardhur nga ana e policisë dhe jo protestuesve.

“Dëshmitarët okularë thonë se flaka ka ardhur nga ana e policies, jo e protestuesve.Kjo mund të vërtetohet nëpërmjet filmimeve, kontrolloni filmimet. Ose e ka kapur policia dhe e ka hedhur drejt operatorit. Sjellja e banditëve të policisë është kriminale, e paparë dhe e garantoj Sokol Bizhgën se do jetë përgjegjës për dhunën shtazore, kafshërore të përdorur ndaj protestuesve”, tha Berisha./mxh

22:38 BE përgatitet për ndalimin e mediave sociale për fëmijët

By: Monika
10 February 2026 at 22:38

Disa ditë pasi ligjvënësit francezë votuan për ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 15 vjeç, kryeministri spanjoll Pedro Sanchez premtoi të mbrojë fëmijët e Spanjës “nga Perëndimi i Egër digjital”.

Orët e shfletimit (scroll) të përmbajtjes së dëmshme po riformatojnë trurin e të rinjve dhe shkaktojnë ankth e rreziqe të tjera për shëndetin, thonë ekspertët, duke detyruar qeveritë evropiane të veprojnë.

“Fokusi i veçantë mbi të miturit vjen për shkak të rrezikut të shtuar të dëmeve afatgjata, pasi ata ende po zhvillohen kognitivisht,” i tha DW Paul O. Richter, bashkëpunëtor i lidhur me think tank-un Bruegel me bazë në Bruksel. “Ekziston shumë hulumtim që tregon korrelacione të forta midis përdorimit të mediave sociale dhe problemeve të shëndetit mendor.”

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjithashtu ka shprehur mbështetje për një kufi moshe në të gjithë BE-në, në përputhje me një ligj të ri australian që vendosi kufirin e moshës 16 vjeç për përdorimin e rrjeteve sociale.

Por si mund të zbatohet një ndalim i tillë ? dhe a do të funksiononte vallë?

Cilat vende evropiane po mendojnë të ndalojnë rrjetet sociale për fëmijët?

Në Francë, projektligji që kërkon ndalimin për të miturit nën moshën 15 vjeç do të dërgohet tani në senatin e parlamentit francez për votim.

Në Spanjë, pritet që Këshilli i Ministrave të miratojë ndalimin për të miturit nën moshën 16 vjeç dhe të shtojë klauzolën në një projektligj që është në diskutim në parlamentin spanjoll.

“Sot, fëmijët tanë janë të ekspozuar ndaj një hapësire që kurrë nuk ishte menduar ta lundronin vetëm, një hapësirë varësie, abuzimi, pornografisë, manipulimit dhe dhunës,” tha Sanchez ndërsa njoftoi ndalimin e propozuar.

Edhe vende të tjera evropiane po konsiderojnë një ndalim të rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 16 ose 15 vjeç.

Në fund të vitit 2025, Danimarka vendosi të mbrojë fëmijët dhe të rinjtë nga keqtrajtimi online dhe “të krijojë një kuadër më të mirë ligjor për jetën e tyre digjitale.”

Në një marrëveshje shumëpartiake, grupet politike në Danimarkë thanë se qasja në disa platforma të mediave sociale duhet të ndalohet. Një ligj ende nuk ka hyrë në fuqi.

Italia ka prezantuar gjithashtu një projektligj në parlamentin italian për të vendosur kufizime në mediat sociale, përfshirë edhe për influencuesit fëmijë nën moshën 15 vjeç.

Sipas një zyrtari të lartë që foli për agjencinë e lajmeve Reuters, Greqia është “shumë pranë” vendosjes së një ndalimi të ngjashëm.

Javën e kaluar, Portugalia paraqiti një projektligj që kërkon pëlqimin e prindërve për fëmijët nën moshën 16 vjeç për të aksesuar përmbajtjen e rrjeteve sociale.

Austria gjithashtu po shqyrton një ndalim të rrjeteve sociale, ndërsa Mbretëria e Bashkuar ka nisur një proces konsultimi mbi këtë çështje.

Ndërkohë, parlamentarët evropianë nëntorin e kaluar (2025) rekomanduan një ndalim të mediave sociale në të gjithë Evropën për fëmijët nën moshën 16 vjeç, ndërsa sugjeruan gjithashtu që adoleshentët 13 deri në 16 vjeç të mund të kenë qasje me pëlqimin e prindërve.

Një ID digjitale në të gjithë BE-në për të verifikuar moshën?

Një ide që po diskutohet për verifikimin e moshës është një ID digjitale në të gjithë BE-në. Richter, bashkëpunëtor i lidhur me Bruegel, tha se ID-ja digjitale e BE-së parashikohet si një mjet që do të verifikonte moshën e përdoruesit pa kompromentuar të dhënat personale.

“Do t’u lejonte njerëzve të verifikonin në mënyrë digjitale se janë mbi një moshë të caktuar pa pasur nevojë për të regjistruar asnjë të dhënë personale shtesë, si data e lindjes, emri, adresa ose numri i identifikimit. Kjo do të lehtësonte zbatimin e një kufizimi moshor digjital,” tha Richter.

Por Marc Damie, zëdhënës i ctrl+alt+reclaim të Francës ? një lëvizjeje e drejtësisë teknologjike dhe të drejtave digjitale e drejtuar nga të rinjtë ? pretendoi se detajet rreth mënyrës se si do të funksiononin aplikacionet ose dokumentet e identifikimit për verifikimin e moshës, dhe nëse informacioni privat do të ishte i sigurt, janë të paqarta.

“Të tilla ndalime do të kenë efekt të kundërt,” tha ai. “Ne pajtohemi që ekziston një problem, mediat sociale po shkaktojnë çështje të shëndetit mendor, por një ndalim i tillë,” pretendoi ai, “është thjesht një masë simbolike nga ana e politikanëve dhe jo një zgjidhje e vërtetë.”

Eksperti: Ndalimi i mediave sociale nuk do të lehtësonte ‘problemet strukturore’

“Ndalimi nuk i zgjidh problemet strukturore” në platformat e mediave sociale, tha Damie. Ai theksoi si çështje kryesore praktikat e platformës si autoplay ? e cila u imponon përdoruesve përmbajtje audio dhe video të padëshiruara dhe të papritura ? dhe skrolimin e pafund që shkakton ankth, i destinuar për t’i mbajtur përdoruesit të lidhur online. Damie gjithashtu kundërshtoi kufirin e moshës, sepse “varësia nuk ndalet në 15 ose 16 vjeç.”

Richter u pajtua se mungesa e kërkimeve të mjaftueshme e bën të vështirë të argumentohet në mënyrë përfundimtare për një moshë specifike si kufiri optimal.

“Disa nga rreziqet e mundshme lidhen specifikisht me efektin që ka krahasimi social nga mediat sociale te vajzat adoleshente dhe të rejat,” tha ai. “Prandaj, një kufi moshe më i lartë mund të justifikohet.”

Vetëm BE-ja mund të detyrojë platformat online të bëjnë ndryshime sistematike

Bashkimi Evropian ka mbështetur një moshë madhore digjitale, por ka paralajmëruar shtetet anëtare që të mos shkelin Ligjin e tij për Shërbimet Digjitale (DSA), i cili kërkon nga kompanitë teknologjike të zbusin rrezikun lidhur me algoritmet dhe ndikimin te të miturit.

“DSA dhe Komisioni i BE-së janë entitetet e vetme që mund të vendosin detyrime shtesë mbi platformat shumë të mëdha,” u tha gazetarëve Thomas Regnier, zëdhënësi i Komisionerit për Teknologjinë.

Richter tha, se shtetet anëtare janë thjesht të zhgënjyera dhe nuk mendojnë se BE-ja është në gjendje t’ua imponojë në mënyrë efektive ligjet e saj kompanive të huaja të teknologjisë, kryesisht atyre në SHBA.

“Ligji DSA kërkon nga platformat e mëdha online si rrjetet sociale të njohura që… të ndryshojnë algoritmet dhe dizajnin e platformës për të zbutur rreziqet sistemike, përfshirë ato për të miturit,” tha Richter. “Ligji i BE-së gjithashtu kërkon që ata të ndajnë të dhëna me studiuesit për të lejuar kërkime të pavarura mbi rreziqet.

“Në praktikë, kjo nuk ka ndodhur në mënyrë sinjifikative. Prandaj propozimet për rregullore më të rrepta, duke përfshirë ndalimet e mediave sociale, kanë fituar më shumë mbështetje,” shtoi ai.

Para një jave, Elon Musk, pronari i platformës së mediave sociale X, e etiketoi kryeministrin e Spanjës “një tiran dhe tradhëtar të popullit të Spanjës,” pasi ky i fundit njoftoi planet e tij për të ndaluar mediat sociale për fëmijët.

Musk është përpjekur t’i paraqesë rregulloret evropiane për krijimin e hapësirave të sigurta online si një mashtrim për të penguar lirinë e shprehjes online. Damie tha, se ka ardhur koha që vendet e BE-së “të investojnë së bashku në alternativa evropiane” për platformat sociale jo-evropiane. “Ne jemi peng i kompanive të mëdha amerikane,” tha ai. Realiteti është “ose me ato ose s’ka jetë digjitale,” tha ai. Kjo ide po diskutohet mes ekspertëve me shpresën se një platformë evropiane do t’i përmbushte më mirë rregulloret dhe vlerat e BE-së./mxh

22:30 Sekretari i Tregtisë i SHBA-ve pranon se vizitoi ishullin e Jeffrey Epstein-it në vitin 2012

By: Monika
10 February 2026 at 22:30

Last Updated on 10/02/2026 by Monika

Sekretari amerikan i Tregtisë, Howard Lutnick, ka konfirmuar se vizitoi ishullin e Jeffrey Epstein-it në vitin 2012, duke kundërshtuar më herët pretendimet se kishte ndërprerë kontaktet me financierin e dënuar për abuzim seksual disa vite më parë, para se ai të shpallej fajtor.

“Hëngra drekë me të teksa po udhëtoja me anije gjatë një pushimi familjar”, deklaroi Lutnick gjatë dëshmisë së tij në Kapitol Hill të martën. “Isha me gruan time, fëmijët e mi dhe kujdestarët… Hëngrëm drekë në ishull. Kjo është e vërtetë. Për një orë.

Korrespondenca mbi vizitën është përfshirë në dokumentet e Epstein-it të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-ve.

Disa ligjvënës kanë kërkuar dorëheqjen e Lutnick-ut, por Shtëpia e Bardhë deklaroi të martën se ai ka mbështetjen e plotë të Presidentit Donald Trump. Sekretari i Tregtisë kishte deklaruar më parë para Kongresit se kishte ndërprerë kontaktet me Epstein-in në vitin 2005, pasi financieri, i cili ishte fqinj i Lutnick-ut në New York, përdori aluzion seksual për të shpjeguar pse kishte një tavolinë masazhi në një nga dhomat e tij.

Në dëshminë e tij të martën, Lutnick tha: Gjatë 14 viteve të ardhshme, e takova vetëm dy herë të tjera që mund të kujtoj.

Dosjet e Departamentit të Drejtësisë tregojnë se Lutnick vizitoi ishullin karibik të Epstein-it më 23 dhjetor 2012, katër vite pas dënimit të Epstein-it për përdhunim dhe shfrytëzim seksual të një fëmije.

Dëshmia e Lutnick-ut në Kapitol Hill ishte hera e parë që ai e konfirmoi publikisht vizitën.

“Nuk e kujtoj pse e bëmë, por e bëmë”, tha ai, duke iu referuar drekës.

Lutnick nuk është akuzuar për ndonjë shkelje lidhur me Epstein-in. Përveç takimit në ishull, Lutnick tha se kishte pasur edhe një takim tjetër me Epstein-in një vit e gjysmë më vonë, për një orë.

Ai shtoi se brenda miliona faqeve të dokumenteve të Epstein-it të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë, rreth 10 email-e e lidhin atë me financierin e famshëm.

“Gjatë një periudhe 14-vjeçare, nuk kam pasur asnjë marrëdhënie me të, pothuajse nuk kam pasur asgjë me atë person”, tha Lutnick.

Senatori demokrat nga Merilendi, Chris Van Hollen, e pyeti Lutnick-un për përputhshmërinë e informacionit të dhënë më parë.

“Çështja nuk është nëse keni bërë ndonjë shkelje në lidhje me Jeffrey Epstein-in, por që keni paraqitur në mënyrë të gabuar marrëdhënien tuaj me të për Kongresin, për publikun amerikan dhe për viktimat e aktit të tij kriminal dhe predatori”, tha Van Hollen.

Lutnick është një nga disa figura të njohura që përmenden në më shumë se 3.5 milion dokumente të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë, sipas ligjit.

Zbulimi se ai vizitoi ishullin e Epstein-it shumë kohë pas pretendimeve për ndërprerje të kontakteve ka shkaktuar thirrje dypartiake për dorëheqjen e tij nga administrata Trump.

Ligjvënësit demokrat Ro Khanna dhe republikan Thomas Massie, të cilët ishin bashkë-sponsorë të ligjit që detyroi publikimin e dokumenteve të Epstein-it vitin e kaluar, kanë kërkuar dorëheqjen e Lutnick-ut.

Khanna dhe Massie po ndjekin më tej publikimin e dokumenteve të plota. Pas shqyrtimit të kopjeve të papërpunuara, Khanna zbuloi emrat e gjashtë personave të tjerë që sipas tij ishin mbuluar gabimisht, ndërsa Massie tha se ata “mund të jenë të implikuar nga përfshirja në këto dokumente”.

BBC po kontakton personat për koment. Ndërkohë që Lutnick dëshmonte në një pjesë të Kapitol Hill-it, viktimat e abuzimit nga Epstein u mblodhën në pjesën tjetër për të prezantuar “Ligjin Virginia”, legjislacion që synon heqjen e kufizimit të kohës për paraqitjen e kërkesave civile nga viktimat e abuzimit seksual.

Ligji mban emrin e Virginia Giuffre, një nga viktimat më të njohura të abuzimit seksual nga Epstein, e cila ndërroi jetë në 2025. E motra e gruas së Giuffre, Amanda Roberts, tha se dëshira e saj ishte heqja e afatit ligjor.

“Asnjë ligj më që trajton viktimat sikur koha mund të fshijë dëm”, tha Roberts, duke shtuar më pas: “Miratoni Ligjin Virginia.”/mxh

22:26 CNN: Trump ka thirrur policinë për Epsteinin në vitin 2000, zbulohet çfarë i tha atyre

By: Monika
10 February 2026 at 22:26

Donald Trump ka thirrur policinë në Palm Beach të Floridës pak kohë pasi në mesin e viteve 2000 ishte nisur një hetim ndaj Jeffrey Epsteinit, për t’u shprehur mirënjohje, zbulon një dokument i ri.

“Faleminderit Zotit që po e ndaloni”, thuhet se ka thënë Trump, duke shtuar se “të gjithë e dinin që ai po e bënte këtë”, shkruan CNN.

Dokumenti, që është një shënim i shkruar i bisedës së FBI-së me ish-shefin e policisë së Palm Beachut, mund të ngrejë pyetje të mëtejshme rreth asaj se çfarë dhe kur saktësisht Trump e ka ditur për Epsteinin dhe krimet e tij. Presidenti amerikan dhe Shtëpia e Bardhë kanë pohuar disa herë se Trump ndërpreu çdo lidhje me Epsteinin në fillim të viteve 2000, pasi e konsideronte atë “një person të frikshëm”.

Thirrja e shefit të policisë

Sipas Miami Heraldit, që e publikoi i pari këtë histori, dokumenti përmban një bisedë me Michael Reiter, emri i të cilit është redaktuar në dokument. Reiter ishte shef i policisë së Palm Beachut në kohën e thirrjes, e cila besohet të ketë ndodhur rreth vitit 2006.

Në bisedën me Reiterin, Trump thuhet se ka deklaruar se njerëzit në New York e dinin që Epstein ishte “i neveritshëm”. Për bashkëpunëtoren e Epsteinit, Ghislaine Maxwell, ai tha se ajo ishte “operative e Epsteinit”, duke shtuar se “ajo është e keqe dhe duhet t’i kushtohet vëmendje”.

Trump gjithashtu tregoi se një herë ishte afruar pranë Epsteinit në praninë e adoleshenteve dhe se kishte “ikur sa më shpejt të mundej”, sipas dokumentit.

Thuhet gjithashtu se ai ishte ndër “personat e parë” që telefonuan stacionin e policisë në Palm Beach pasi u bë e ditur hetimi ndaj Epsteinit. Dokumenti është pjesë e miliona faqesh të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë, bazuar në një ligj të ri të Kongresit.

Shtëpia e Bardhë i dërgoi pyetje për koment Departamentit të Drejtësisë. Një zyrtar i departamentit deklaroi se “nuk jemi të njohur me ndonjë provë që presidenti të ketë kontaktuar policinë 20 vjet më parë.” Kompania private e sigurisë e Reiterit u përgjigj se “Michael Reiter aktualisht nuk jep intervista.”

Historia e gjatë e ndërprerjes së miqësisë

Pyetja se çfarë dinte Trump për Epsteinin dhe krimet e tij ka rënduar mandatin e dytë presidencial të 79-vjeçarit, për shkak të interesit të publikut dhe publikimit të miliona faqesh dokumentesh lidhur me pedofilin e ndjerë.

Trump ka thënë më herët se ai dhe Epstein ishin miq në vitet ’90 dhe lëviznin në të njëjtat rrethana në Palm Beach, para se të grindeshin në fillim të viteve 2000. Sipas tij, ky konflikt çoi në ndalimin e qasjes së Epsteinit në klubin e tij Mar-a-Lago.

Trump ka pretenduar se grindja ndodhi sepse Epstein përpiqej t’i merrte punonjësit e tij, por ka mohuar të ketë ditur për krimet e tij.

“Nuk më pëlqen koncepti që njerëzit marrin staf që ka punuar për mua”, tha ai për gazetarët në muajin korrik, duke shtuar se “njerëzit u larguan nga spa-ja, ai i punësoi, me fjalë të tjera, u larguan”.

“Kur e dëgjova për këtë, i thashë se nuk duam që të na merr njerëz – as nga spa-ja, as nga ndonjë vend tjetër. Nuk dua që të marrë njerëz, ai pranoi, dhe pak kohë më pas e bëri përsëri dhe i thashë: ‘Ik nga këtu’,” tregoi Trump. Ai një herë sugjeroi se një prej atyre personave ishte Virginia Giuffre, një nga viktimat më të njohura të Epsteinit, por më vonë tha për gazetarët se nuk di pse ato gra e lanë klubin e tij.

Deklarata kontradiktore për Ghislaine Maxwell

Përshkrimi i supozuar i Trumpit për Maxwell si “e keqe” është në kundërshtim me reagimin e tij ndaj arrestimit të saj në vitin 2020, kur ai “i uroj të gjitha të mirat”.

Maxwell aktualisht po vuan një dënim të gjatë me burg për trafikim njerëzor për qëllime seksuale.

Ndërsa Maxwell, në një dëshmi të fundit para Komitetit të Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve, iu referua Amendamentit të Pestë, avokati i saj deklaroi se ajo do të ishte e gatshme “të fliste plotësisht dhe sinqerisht nëse presidenti Trump do ta falte”.

Në një bisedë më herët me zëvendës-prokurorin Todd Blanche, Maxwell tha se “absolutisht kurrë” nuk kishte dëgjuar nga Epstein apo nga dikush tjetër se Trump kishte bërë ndonjë veprim të papërshtatshëm.

Në muaJIN korrik, Trump i tha CNN se nuk kishte menduar për falje ose lehtësim të dënimit për Maxwell, edhe pse nuk e përjashtoi plotësisht mundësinë.

“Është diçka për të cilën nuk kam menduar”, tha ai, duke shtuar se “kam të drejtë ta bëj, por nuk kam menduar për këtë”./mxh

22:25 Tërmet me magnitudë 4.8 godet Kosovën, epiqendra në Shtërpcë

By: Monika
10 February 2026 at 22:25

Last Updated on 10/02/2026 by Monika

Një tërmet me magnitudë 4.8 ballë të shkallës Rihter është regjistruar sonte në Kosovë, me epiqendër në zonën e Shtërpcës.

Sipas të dhënave sizmologjike, lëkundja është regjistruar në orën 22:05:08 me kohë lokale, në thellësi prej rreth 10 kilometrash. Tërmeti është ndjerë në disa rajone të vendit, si dhe në rajonin veriperëndimor të Ballkanit.

Autoritetet nuk kanë raportuar për viktima apo dëme materiale, ndërsa qytetarët kanë raportuar se lëkundjet janë ndier dukshëm në disa qytete.

Institucionet përkatëse kanë bërë thirrje për qetësi dhe kanë theksuar se situata po monitorohet, ndërsa qytetarët këshillohen të ndjekin udhëzimet e sigurisë në raste tërmetesh./mxh

22:16 Protesta e opozitës/ Policia me reagim zyrtar: 16 efektivë të lënduar

By: Monika
10 February 2026 at 22:16

Policia ka njoftuar se 16 efektivë kanë mbetur të lënduar nga protesta e opozitës para Kryeministrisë dhe më pas para Kuvendit.

Në njoftim thuhet se efektivët të cilët janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore, kanë pësuar djegie dhe dëmtime fizike.

Ndërkohë bëhet po ashtu me dije se po punohet për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë të autorëve.

Reagimi i plotë:

Gjatë zhvillimit të tubimit të organizuar pasditen e sotme para godinës së Kryeministrisë dhe më pas te Kuvendi, një pjesë e protestuesve kanë ushtruar akte të rënda dhune ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit dhe institucioneve shtetërore.
Policia e Shtetit, gjatë gjithë zhvillimit të tubimit iu ka bërë thirrje me megafon protestuesve të dhunshme që të distancoheshin nga dhuna, por sulmet ndaj punonjësve të policisë kanë vijuar deri në përfundim të tubimit me bomba molotov, lëndë piroteknike dhe sende të forta.
Si pasojë e sulmeve drejt Policisë u dëmtuan 16 punonjës Policie, të cilët janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore, pasi kanë pësuar djegie dhe dëmtime fizike.
Policia e Shtetit thekson se ka qenë e angazhuar gjatë gjithë tubimit për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për të siguruar ushtrimin e së drejtës kushtetuese të tubimit paqësor.
Strukturat ligjzbatuese po dokumentojnë të gjitha rastet e dhunës, me qëllim identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorëve, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Policia e Shtetit mbetet e vendosur në përmbushjen e misionit të saj për garantimin e rendit, sigurisë dhe sundimit të ligjit, duke falënderuar qytetarët që kanë bashkëpunuar dhe janë distancuar nga aktet e dhunshme, si dhe gazetarët dhe punonjësit e medias për transparencën që kanë ofruar për publikun./mxh

22:08 Jorida Tabaku: Dhuna ndaj gazetarëve dhe deputetit Nallbati shkel çdo kufi demokratik

By: Monika
10 February 2026 at 22:08

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar ashpër ndaj dhunës së ushtruar gjatë protestës së sotme, duke e cilësuar atë si të papranueshme në një shoqëri demokratike.

Përmes një reagimi publik, Tabaku deklaroi se dhuna ndaj protestuesve paqësorë, gazetarëve dhe deputetit të PD, Bledion Nallbati, ka kaluar çdo kufi të lejueshëm.

Sipas saj, përdorimi i forcës për të shtypur protestën dhe për të frikësuar qytetarët që ngrihen kundër korrupsionit është tregues i qartë i një regjimi që ka humbur çdo lidhje me parimet demokratike.

Postimi i Tabakut:

Dhuna e ushtruar sot ndaj protestuesve, ndaj gazetarëve dhe ndaj një deputeti të Kuvendit, kolegut Nallbati, është përtej çdo kufiri të lejuar në një shoqëri demokratike. Dhuna si mjet për të mbytur protestën dhe për të frikësuar qytetarët që ngrihen kundër korrupsionit është shenjë e qartë e një regjimi që ka humbur çdo lidhje me demokracinë. Goditja e protestuesve paqësorë, pengimi i gazetarëve në kryerjen e detyrës dhe ushtrimi i forcës ndaj një deputeti të zgjedhur janë akte që ndodhin vetëm në autokraci – jo në një vend që pretendon të ecë drejt Bashkimit Europian./mxh

21:58 Tirana prezanton mesfushorin, përforcohen bardheblutë

By: Monika
10 February 2026 at 21:58

Rijad Kobiljar është lojtari më i ri i Tiranës. Klubi bardheblu ka zyrtarizuar afrimin e mesfushorit, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale. Lojtari ka luajtur në Bosnje-Hercegovinë te Sarajevo, Tuzla City dhe Posusje, ndërsa në Turqi është aktivizuar së fundmi te Sakaryaspor.

“Mirësevjen, Rijad! KF Tirana njofton zyrtarisht afrimin e mesfushorit Rijad Kobiljar. Lojtari tashmë është pjesë e skuadrës dhe i gatshëm për angazhimet e radhës si përforcimi më i ri në kampin e bardhebluve! I urojmë mirëseardhjen!”- Shkruan klubi./mxh

21:47 “Mesazhi është i qartë”/ Këlliçi: Përdorimi i gazit dhe bombave zhurmuese tregojnë panikun e Ramës

By: Monika
10 February 2026 at 21:47

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi ka reaguar lidhur me protestën e opozitëqs që u zhvillua para Kryeministrisë dhe Kuvendit.

Këlliçi shprehet në reagimin e tij se përdorimi i gazit lotsjellës dhe bombave zhurmuese tregon sipas tij panikun e kryeministrit Edi Rama.

Sipas deputetit, nga incidentet dhe reagimet e policisë ka pasur protestues të lënduar dhe po ashtu disa prej tyre janë shoqëruar në komisariate. Ai shprehet ndër të tjera se qytetarët dhe demokratët nuk tërhiqen.

Reagimi i plotë:

Dhuna e policisë ndaj protestuesve, qytetarëve e deputetëve, përdorimi i mjeteve luftarake si gazi lotsjellës e bombat zhurmuese, tregon gjendjen e rënduar nervore dhe panikun e Kryeministrit më hajdut në Europë.

Kjo dalje nga faza po sjell përkeqësim dhe shumë dëme të pariparueshme për vendin.

Nga brutaliteti policor pati dhe gazetarë të lënduar, një operator i Neës24 u vu seriozisht në rrezik, por janë prekur edhe banorë që jetojnë pranë zonës së Parlamentit.

Të dhënat e para flasin për protestues që po marrin ndihmë në spitale dhe po ashtu të shoqëruar me forcë në komisariate.

Me këto akte, Edi Rama nuk ka për ta zbutur zemërimin dhe revoltën, përkundrazi ai po mbjell edhe më shumë mllef dhe pakenaqësi tek njerëzit.

Qytetarët dhe demokratët treguan dhe sonte se qëndrojnë në këmbë, nuk tërhiqen. Guximi që kanë sot protestuesit është frika e Edi Ramës, kryeministrit më të korruptuar të Europës.

Mesazhi është i qartë.

Qytetarët dhe demokratët nuk tërhiqen.

Edi Rama do largohet!/mxh

20:59 Efektivë të policisë përfundojnë në spital/ Reagon Albana Koçiu

By: Monika
10 February 2026 at 20:59

Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu ka reaguar lidhur me tensionet në protestën e sotme të opozitës. Ministrja shprehet se nga përplasjet në protestë ka pasur edhe efektivë të lënduar.

Sipas saj, dhuna e përdorur nga protestuesit nuk mund të justifikohet, ndërsa shton se policia do të vijojë të jetë në krye të detyrës.

Koçiu ka ndarë dhe pamje të efektivëve të lënduar, të cilët janë dërguar për ndihmë mjekësore në spital.

Reagimi i plotë:

E drejta për të protestuar, për të disatën herë, u dhunua nga një grup që zgjodhi forcën në vend të fjalës, duke sulmuar, dhunuar e lënduar punonjësit e Policisë së Shtetit.
Dhuna nuk mund të jetë kurrë një mjet dhe asnjë lloj agjende nuk e justifikon përdorimin e saj.
Mirënjohje për çdo punonjës policie që tregoi profesionalizëm dhe maturi përballë çdo provokimi.
Policia do të jetë gjithmonë në krye të detyrës për të garantuar të drejtën për të protestuar, si dhe të garantojë sigurinë e çdo qytetari dhe të pronës publike dhe të qytetarëve./mxh

20:59 Unazat e divorcit janë simboli i ri i forcës, lirisë dhe dashurisë për veten – ja cilat yje i mbajnë

By: EL
10 February 2026 at 20:59

Unazat e divorcit po shndërrohen në një simbol të ri të fuqisë personale dhe fillimit të ri, duke ripërkufizuar bizhuterinë që tashmë nuk shënon martesën, por një vendim të vetëdijshëm për të ecur përpara

Në vend të dhuratave nga partneri, bëhet fjalë për bizhuteri që gratë ia dhurojnë vetes, shpesh duke ridizajnuar diamantet e unazave të fejesës në pjesë të guximshme, jokonvencionale, me një mesazh të qartë pavarësie.

Trendi shpërtheu pasi Emily Ratajkowski tregoi publikisht “unazat e saj të divorcit”, duke frymëzuar shumë gra që fundin e martesës ta shohin si akt autonomie, e jo si dështim.

Bizhuteria ka shërbyer gjithmonë si kronikë e momenteve më të rëndësishme të jetës. Unazat e fejesës premtojnë të ardhmen, unazat e martesës festojnë bashkësinë, ndërsa unazat “eternity” shënojnë dekada të kaluara së bashku. Por, në një botë ku pothuajse 40 për qind e martesave përfundojnë me divorc, është shfaqur një kategori e re bizhuterie që feston një moment tjetër kyç, deri më tani shpesh të heshtur – fundin e martesës. Bëhet fjalë për “unazat e divorcit”, një trend që e ripërkufizon bizhuterinë si simbol të forcës personale, pavarësisë dhe festimit të një fillimi të ri.

Simbol i një fillimi të ri, jo i dështimit

Ndryshe nga bizhuteritë tradicionale të lidhura me martesën, unaza e divorcit nuk është dhuratë nga partneri, por më së shpeshti dhuratë për veten. Qëllimi i saj nuk është ta zëvendësojë unazën e martesës, por ta transformojë atë. Në shumicën e rasteve, diamantet dhe gurët e çmuar nxirren nga unaza e fejesës dhe vendosen në një dizajn krejtësisht të ri, të guximshëm, që nuk ka më asnjë lidhje me estetikën e bizhuterive të martesës. Kështu, një objekt që mbante peshën e së kaluarës shndërrohet në simbol rritjeje dhe fuqizimi personal.

Ky trend pasqyron një ndryshim më të gjerë kulturor në perceptimin e divorcit, i cili gjithnjë e më pak shihet si dështim personal dhe gjithnjë e më shumë si një vendim i vetëdijshëm për të ecur përpara. Argjendarë në mbarë botën po raportojnë rritje të kërkesës për shërbime të tilla, ndërsa disa prej tyre organizojnë edhe festa “divorce ring” në butikët e tyre, ku klientet, me shampanjë në dorë, festojnë nënshkrimin e dokumenteve të divorcit dhe krijimin e bizhuterisë së re. Është një moment që, në vend të trishtimit, shënohet nga të qeshura, solidaritet dhe ndjenjë lehtësimi.

Emily Ratajkowski ndezi valën

Edhe pse për ridizajnimin e unazave të fejesës është folur prej vitesh në heshtje, trendi shpërtheu në mars të vitit 2024, kur modelja dhe shkrimtarja Emily Ratajkowski publikoi në Instagram “unazat e saj të divorcit”. Unazën e saj të famshme të fejesës Toi et Moi, e përbërë nga dy diamante të mëdhenj, ajo e ndau në dy unaza të reja, shumë të dallueshme. Mesazhi i saj ishte i qartë dhe i fuqishëm, i përmbledhur në një deklaratë për Vogue“Nuk mendoj se një grua duhet të mbetet pa diamantet e saj vetëm sepse humbet një burrë.”

Veprimi i saj e destigmatizoi këtë ide dhe frymëzoi shumë gra të njohura. Dizajnerja e modës dhe ylli i reality show-ve Rachel Zoe, pas divorcit nga bashkëshorti me të cilin kishte kaluar më shumë se dy dekada, ridizajnoi unazën e saj masive me diamant. Pjesa e re, me një diamant oval të madh në qendër dhe dy më të vegjël anash, simbolizon atë dhe dy djemtë e saj.

“Jam e lumtur që jam e divorcuar. Merr një unazë fejesë kur martohesh, por pse të mos i blejmë vetes një unazë kur jemi të pavarura dhe të lumtura?”, deklaroi Zoe, duke shtuar se kjo unazë nuk duhet domosdoshmërisht të quhet ‘unazë divorci’, por mund të jetë ‘unazë e jetës së re’ ose ‘unazë për gjithçka’.

Trendi u përqafua edhe nga modelja Brooks Nader, e cila shndërroi diamantin e saj prej nëntë karatësh në një unazë të re, si dhe nga dermatologia Barbara Sturm, e cila diamantet nga unaza e saj i përdori për të krijuar vathë, duke treguar se transformimi nuk duhet të kufizohet vetëm te unazat.

Dizajn që sfidon traditën

Estetika e unazave të divorcit është qëllimisht e kundërta e bizhuterive tradicionale të martesës. Ndërsa unazat e fejesës karakterizohen nga korniza të buta dhe prerje klasike, unazat e divorcit janë të guximshme, skulpturore dhe arkitektonike. Klientet kërkojnë shirita të trashë ari, vendosje asimetrike dhe dizajne që mund të mbahen çdo ditë si pjesë e stilit personal, e jo si simbol statusi martesor.

Në vend që të mbahen në gishtin e unazës së dorës së majtë, këto bizhuteri shpesh vendosen në gishtin e mesit, në gishtin e vogël apo edhe në tregues. Vetë ky akt i zhvendosjes së unazës në një gisht tjetër ka një simbolikë të fortë, një shkëputje e vetëdijshme nga tradita dhe asociacioni vizual me martesën.

Një akt terapeutik dhe festë e autonomisë

Përveç transformimit estetik, procesi i ridizajnimit të bizhuterive ka edhe një ndikim të thellë psikologjik. Për shumë gra, ai është një akt terapeutik përmes të cilit marrin kontrollin mbi narrativën e jetës së tyre. Një objekt që dikur simbolizonte një premtim të dhënë nga dikush tjetër, shndërrohet në simbol të një premtimi që ia kanë dhënë vetes, premtim për forcë, qëndrueshmëri dhe dashuri për veten. Është një mënyrë për t’i bërë nder së kaluarës, por edhe për ta riformësuar atë në diçka që pasqyron personalitetin aktual dhe aspiratat e së ardhmes./ET

20:51 Franca do të ndalojë zyrtarët nga mjetet amerikane të videos, përfshirë Zoom dhe Teams

By: EL
10 February 2026 at 20:51

Franca do t’u ndalojë zyrtarëve publikë të përdorin platformat amerikane, përfshirë Google Meet, Zoom dhe Teams, për videokonferenca, tha një zëdhënës për POLITICO.

Vendimi, pjesë e një përpjekjeje për të zhvendosur aktivitetet qeveritare në një platformë teknologjike vendase, vjen mes ndjeshmërisë në rritje në Evropë në lidhje me varësinë e thellë nga shërbimet amerikane.

Zyra e kryeministrit ka përgatitur një njoftim që u kërkon zyrtarëve shtetërorë të përdorin Visio, një softuer videokonferencash i projektuar nga Autoriteti Digjital Ndërministror i vendit (Dinum).

Ai funksionon në infrastrukturën e ofruar nga kompania franceze Outscale.

Njoftimi do të publikohet “brenda pak ditëve të ardhshme”, tha një zëdhënës nga Dinum.

Kjo vjen pas një njoftimi të dielën nga Ministri për Reformën Shtetërore, David Amiel se Franca do të synojë miratimin e një platforme videokonferencash vendase deri në vitin 2027.

Franca verën e kaluar urdhëroi që zyrtarët të heqin dorë nga WhatsApp dhe Telegram dhe në vend të kësaj të përdorin Tchap, një shërbim mesazhesh të menjëhershme i projektuar ekskluzivisht për nëpunësit civilë.

Visio përdoret tashmë nga 40,000 punonjës — duke përfshirë shumicën e ministrive dhe disa nga degët e tyre, siç është Qendra Kombëtare Franceze për Kërkime Shkencore.

Dinum synon 250,000 përdorues. Departamenti do të monitorojë pajtueshmërinë me tranzicionin dhe, në muajt në vijim, mund të bllokojë rrjedhat nga mjetet e tjera të videos përmes rrjetit të internetit të shtetit, tha ai. /ET

20:47 “Mirë se vjen engjëlli ynë”/ Ardian Bujupi së shpejti baba për herë të parë

By: Monika
10 February 2026 at 20:47

Këngëtari i njohur Ardian Bujupi ka ndarë një lajm të bukur me ndjekësit e tij në Instagram, duke zbuluar se së shpejti do të bëhet baba. Artisti ka publikuar një foto ku shfaqet krah partneres së tij, Fjolla, duke konfirmuar kështu pritjen e ëmbël.

Në përshkrimin e fotos, Ardiani ka shkruar fjalë plot emocion:

“Nga dashuria jonë po lind një jetë e re. Mirë se vjen engjëlli ynë.”

Postimi është pritur me shumë urime dhe reagime pozitive nga fansat, miqtë dhe kolegët e tij nga bota e muzikës dhe showbiz-it.

Ky është një kapitull i ri dhe shumë i rëndësishëm në jetën personale të këngëtarit, i cili prej vitesh është një nga emrat më të dashur për publikun shqiptar./mxh

20:41 YouTube Music tani kufizon numrin e teksteve të këngëve që mund të shihni në një llogari jo-Premium

By: EL
10 February 2026 at 20:41

Google vazhdon të bllokojë veçoritë e YouTube ndërsa i zhvendos ato pas abonimit Premium.

Së pari, çaktivizoi boshllëqet e riprodhimit në sfond. Tani dëshiron t’ju faturojë për tekstet e këngëve në YouTube Music.

Disa postime në subreddit r/YoutubeMusic tregojnë ndërfaqen e përdoruesit të YouTube Music me një paralajmërim – “Keni X shikime të mbetura, zhbllokoni tekstet me Premium”, ku X fillon nga 5 dhe numëron deri në zero sa herë që klikoni në skedën e Teksteve.

Kjo ka qenë në proces për një kohë tani – ishte në shtator kur dolën raportet e para se disa përdorues po merrnin njoftimin “zhbllokoni tekstet me Premium”. Megjithatë, vetëm disa përdorues e panë këtë – duket se ishte një provë.

Tani, shumë më tepër përdorues po e shohin atë, gjë që sugjeron se testimi është bërë dhe Google ka miratuar politikën e re.

Nuk po shohim ende konfirmim zyrtar të këtij ndryshimi, por në rastin e riprodhimit në sfond, u deshën disa ditë nga zbatimi i ndryshimit deri në publikimin e një deklarate zyrtare nga Google.

YouTube Music Premium kushton 11 dollarë në muaj në SHBA, por mund ta merrni si pjesë të YouTube Premium për 14 dollarë në muaj (kjo gjithashtu heq reklamat dhe mundëson luajtjen në sfond të videove të YouTube). Në Evropë, çmimet ndryshojnë sipas vendit. /ET

20:40 Gazetari i huaj plagoset gjatë protestës së opozitës para Parlamentit! I vijnë në ndihmë forcat e policisë

By: EL
10 February 2026 at 20:40

Last Updated on 10/02/2026 by EL

Një person i huaj ka mbetur i lënduar gjatë protestës së opozitës para parlamentit. Mësohet se ai është një gazetar i huaj, madje edhe në sfond dëgjohen zëra ku thuhet se “është gazetar amerikan që bën podkast”.

Siç shihet edhe nga pamjet ai është ndjerë keq në momentin kur policia hodhi gaz lotsjellës ndaj protestuesve.

Protestuesit e tjerë, por edhe forca të rendit i kanë ardhur në ndihme duke i dhënë atij ujë./ET

20:37 Cardi B dhe Stefon Diggs i japin fund lidhjes

By: Monika
10 February 2026 at 20:37

Marrëdhënia mes Cardi B dhe yllit të NFL-së, Stefon Diggs, duket se ka marrë fund menjëherë pas Super Bowl LX. Dyshimet për ndarje u shtuan pasi çifti hoqi njëri-tjetrin nga lista e ndjekësve në rrjetet sociale, një veprim që zakonisht sinjalizon kriza serioze në botën e showbiz-it.

Ndarja vjen në një moment delikat për Diggs, pasi New England Patriots pësuan humbje në ndeshjen e kampionatit ndaj Seattle Seahawks, të cilët triumfuan bindshëm me rezultatin 29-13. Situata u bë edhe më e dukshme nga fakti se Cardi B u largua herët nga Levi’s Stadium në Santa Clara, Kaliforni. Ajo publikoi një video nga makina e saj, ku shihej duke kënduar këngë të Bad Bunny, menjëherë pas shfaqjes së pushimit të ndeshjes.

Reperja ishte një nga të ftuarat speciale gjatë performancës së artistit portorikan, së bashku me emra të njohur si Pedro Pascal, Karol G, Alix Earle dhe Jessica Alba, por qëndrimi i saj në stadium zgjati vetëm pak minuta.

Sinjalet e para të tensioneve mes çiftit kishin dalë në pah edhe më herët. Gjatë një interviste për ESPN, kur u pyet nëse kishte ndonjë mesazh motivues për Diggs përpara Super Bowl-it, Cardi u përgjigj shkurt: “Fat të mbarë”, duke u larguar menjëherë më pas.

Vetëm dy javë më parë, gjithçka dukej ndryshe. Cardi B kishte qenë e pranishme në ndeshjen e Kampionatit AFC për të mbështetur Diggs-in dhe New England Patriots në përballjen kundër Denver Broncos. Pas fitores së ngushtë 10-7, fituesja e çmimeve Grammy zbriti në fushë për të festuar krah për krah me partnerin e saj dhe pjesën tjetër të skuadrës./mxh

20:34 “Një grup sulmoi dhe lëndoi punonjësit e policisë”, ministrja Koçiu reagon për protestën e opozitës

By: EL
10 February 2026 at 20:34

Last Updated on 10/02/2026 by EL

Ministria e Punëve të Brendshme Albana Koçiu në një reagim në rrjetet sociale për protestën e sotme para Kryeministrisë tha se janë sulmuar dhe lënduar punonjësit e Policisë së Shtetit. Koçiu thekson se asnjë agjendë nuk mund ta justifikojë përdorimin e dhunës. 

E drejta për të protestuar, për të disatën herë, u dhunua nga një grup që zgjodhi forcën në vend të fjalës, duke sulmuar, dhunuar e lënduar punonjësit e Policisë së Shteti. Dhuna nuk mund të jetë kurrë një mjet dhe asnjë lloj agjende nuk e justifikon përdorimin e saj. Mirënjohje për çdo punonjës policie që tregoi profesionalizëm dhe maturi përballë çdo provokimi.  Policia do të jetë gjithmonë në krye të detyrës për të garantuar të drejtën për të protestuar, si dhe të garantojë sigurinë e çdo qytetari dhe të pronës publike dhe të qytetarëve“, shprehet ministrja.

Katër punonjës policie raportohet se janë lënduar përgjatë gjithë protestës së sotme të thirrur nga Partia Demokratike. /ET

20:31 “Qava tetë orë pa pushim”/ U përgatit pesë vjet për Olimpiadën Dimërore, por nuk mund të garojë sepse është grua

By: EL
10 February 2026 at 20:31

Atletja amerikane Annika Malacinski nuk do të ketë mundësinë të garojë në Lojërat Olimpike Dimërore Milano–Cortina 2026, pavarësisht përgatitjeve shumëvjeçare. Arsyeja është tronditëse: gratë nuk lejohen të garojnë në sportin që ajo ushtron.

Malacinski merret me kombinimin nordik, një nga sportet më të vjetra olimpike, i cili ishte pjesë e programit që në Lojërat Olimpike Dimërore të para më 1924 në Chamonix. Ky sport kombinon kërcimin me ski dhe skijimin në terren të hapur.

Megjithatë, prej më shumë se një shekulli, garat e grave në kombinimin nordik nuk janë përfshirë në Lojërat Olimpike, dhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) nuk ka ndryshuar qëndrim as për edicionin e vitit 2026.

Në prag të Olimpiadës, IOC vendosi të mos prezantojë disiplinën e grave, duke arsyetuar se sporti “nuk është i zbatueshëm në kategorinë e femrave”. Si arsye u përmendën shikueshmëria e ulët dhe numri i kufizuar i vendeve pjesëmarrëse.

Ky vendim e ka goditur rëndë Malacinskin. Në një intervistë për revistën Self, ajo kujtoi momentin kur mori lajmin.

“Isha përgatitur për pesë vjet dhe ndihesha gati të bëja histori. Madje mendova t’i kërkoja stjuardesës një gotë shampanjë, duke pritur njoftimin zyrtar”.

“Në vend të kësaj, qava për tetë orë rresht. Teksa qëndroja ulur në avion, kuptimi se ëndrra ime do të mbetej e paarritshme edhe për katër vjet të tjera më shkatërroi plotësisht”, deklaroi ajo.

Për shkak të këtij vendimi, Malacinski do t’i ndjekë Lojërat Olimpike vetëm përmes televizionit – ku do të shohë edhe vëllanë e saj, i cili do të garojë pikërisht në kombinimin nordik, një disiplinë që për të mbetet ende e ndaluar. /ET

20:30 Rrugët rurale/ 8.4 milionë euro për fshatrat e Lezhës, 9 njësitë ku do ndërhyhet

By: EL
10 February 2026 at 20:30

Bashkia e Lezhës ka hapur një procedurë prokurimi me fond limit 848 milionë lekë, ose rreth 8.4 milionë euro, për sistemimin dhe asfaltimin e rrugëve rurale në njësitë administrative të territorit të saj.

Ndërhyrjet do të realizohen përmes dy loteve. Loti i parë, me vlerë 357 milionë lekë (3.6 milionë euro), përfshin Zejmenin, Shëngjinin dhe Kolshin.

Loti i dytë, me fond limit 491 milionë lekë (4.9 milionë euro), parashikon investime në Kallmet, Blinisht, Dajç dhe Ungrej.

Sipas dokumentacionit zyrtar, investimi synon përmirësimin e aksesit rrugor në zona me potencial të identifikuar ekonomik, me fokus në zhvillimin e turizmit, bujqësisë, vreshtarisë dhe agroturizmit.

Bashkia vlerëson se përmirësimi i infrastrukturës do të krijojë kushte për rritjen e aktivitetit ekonomik, lehtësimin e qarkullimit të produkteve bujqësore dhe nxitjen e investimeve private.

Por cilat janë në fakt këto fusha? Në dokumente është bërë edhe një përshkrim i potencialit që paraqet secila njësi sa i takon zhvillimit të ekonomisë lokale:

  • Shëngjin – potencial në turizëm dhe shërbime
  • Shënkoll – potencial në bujqësi dhe blegtori
  • Zejmen – potencial në bujqësi, pemëtari dhe vreshtari
  • Kolsh – potencial në blegtori dhe agroturizëm
  • Ungrej – potencial në turizëm natyror dhe zhvillim rural
  • Balldre – potencial në bujqësi intensive
  • Kallmet – potencial në vreshtari dhe agroturizëm
  • Dajç – potencial në prodhim bujqësor dhe menaxhim ujor
  • Blinisht – potencial në turizëm natyror dhe aktivitete rurale.

❌
❌