Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 19 January 2026Gazeta Fjala

22:59 Një pjesë e Tiranës pa drita/ Reagon OSHEE: Avari në linjën e transmetimit

By: Monika
19 January 2026 at 22:59

Mbrëmjen e sotme një pjesë e lagjeve të Tiranës kanë pasur shkëputje të energjisë elektrike.

Me anë të një postimi në rrjetet sociale, OSHEE njofton se ka ndodhur një avari në linjën e transmetimit 110kV.

OSHEE bën me dije se në institucionet e rëndësisë së veçantë është rikthyer energjia.

Më tej në njoftim thuhet se grupet e OSSH po manovrojnë përmes skemave unazë në linjat e dyta.

Gjithashtu bëhet me doije se në disa zona është kthyer energjia pas vetëm 30 minutash.

Njoftimi i OSHEE

Avari në linjën e Transmetimit 110kV, rikthehet energjia në institucionet e rëndësisë së veçantë
OSSH po punon për furnizimin me linja të dyta
Rreth orës 20:30 është staktuar linja e transmetimit 110kV Tirana 220 kV – Traktora, ku për disa minuta la pa energji elektrike disa zona të Tiranës.
Aktualisht, grupet e OSSH po manovrojnë me linjat e dyta përmes skemave unazë.
Institucionet e rëndësisë së veçantë kanë marë energji elektrike, si dhe në disa zona është rikthyer brenda 30 minutash.
Aktualisht pa energji elektrike janë një pjesë e rrugës “Ali Demi”, zona pranë Teleferikut, Fresku, zonat pranë “Rruga e Elbasanit”, etj./mxh

22:47 Reali e shkarkoi, Alonso bëhet “okazion” për Premier League

By: Monika
19 January 2026 at 22:47

Xabi Alonso pritet të bëjë një periudhë pushimi nga futbolli pas largimit nga Real Madridi. Trajneri spanjoll u shkarkua pas humbjes në Superkupë ndaj Barcelonës, që i dha fund projektit të tij te “Los Blancos”.

Përveç rezultateve, në Spanjë raportohet edhe për vështirësi në marrëdhëniet me dhomën e zhveshjes. Megjithatë, emri i Alonsos mbetet shumë i kërkuar në tregun e trajnerëve.

Premier League shihet si destinacioni më i mundshëm për të ardhmen e tij. Sipas “The Times”, Alonso synon të pushojë për disa muaj përpara se të rikthehet në fund të sezonit.

Manchester United, Tottenham dhe Liverpool janë klubet më të përfolura. Edhe Manchester City e ndjek situatën, në varësi të së ardhmes së Pep Guardiolës./mxh

22:35 Einxhel hapi arkivat e 2016-s dhe s’e priste të shihte DJ Dagz!

By: Monika
19 January 2026 at 22:35

Si shumë persona nga showbiz-i shqiptar, edhe Einxhel Shkira iu bashkua trendit të kthimit pas në kujtimet e vitit 2016, një vit që interneti në mbarë botën po e kujton me shumë nostalgji, duke e konsideruar shpesh si “i fundit vit shumë i bukur” që kemi dëshmuar kolektivisht.

Einxhel postoi disa foto të saj nga arkiva e 2016-s, me mbishkrimin “mund t’i fshi më vonë”:

Në foton e dytë, ajo thotë se “ka diçka bombastike në atë postim” dhe në sy bie direkt emri i DJ Dagz në listën e njerëzve që kanë pëlqyer postimin:

Pra, na doli që Einxhel ka qenë në radarin e Dagz-it shumë më përpara “Big Brother VIP Albania 1”! Për këtë, edhe Einxhel tha me humor:

“Ja pra vajza, dashuria e jetës tuaj mund të jetë diku aty dhe po të ishit pak më të vëmendshëm, ose ai të kishte guxuar pak më shumë… mund të kishit 4 fëmijë tani. Nejse, kot s’thonë që çfarë është kësmeti yt, s’ta merr njeri.”

Kështu që, ndjekëse të dashura, kijeni pak më shumë mendjen se kush po jua pëlqen fotot që postoni, ose jo…çfarë është e shkruar për ty, do të të gjejë, dhe Einxhel na doli prova e gjallë e kësaj shprehjeje!/mxh

22:27 Nga çështja e Groenlandës, siguria dhe tarifat amerikane/ Trump do të marrë pjesë në Forumin Ekonomik në Davos

By: Monika
19 January 2026 at 22:27

Në Zvicër do të mbahet Forumi Ekonomik i Davos. I pranishëm do të jetë edhe presidenti amerikan Donald Trump. Sekretari i Thesarit, Scott Bessent u shpreh se Trump do të jetë prezent në takim dhe se do të përcjellë edhe mesazhet e tij të rëndësishme.

“Ka qenë një vit i ngjeshur dhe presidenti do të jetë këtu të mërkurën dhe të enjten, për të folur për qëndrimet e tij për të ardhmen”, tha ai.

Bessent hodhi poshtë sugjerimet se shtytja e Trump për Grenlandën është e motivuar nga përpjekja e tij publike për një Çmimin Nobel për Paqen, duke e quajtur atë një “mashtrim të plotë”.

Ai nënvizoi se presidenti e sheh Grenlandën si një “aset strategjik” për Amerikën dhe nuk do t’ia “delegojë sigurinë e hemisferës askujt tjetër”.

Në një letër të raportuar të hënën, Trump i tha kryeministrit norvegjez Jonas Gahr Store se nuk ndihet më i detyruar të përqendrohet ekskluzivisht te paqja pasi “vendi juaj vendosi të mos më japë Çmimin Nobel për Paqen” dhe përsëriti kërkesat për kontroll të SHBA-së mbi Groenlandën. Lidhur me tarifat amerikane, sekretari i Thesarit nënvizoi liderët europianë duhet të dëgjojnë fjalën e presidentit amerikan.

Në Davos do mbahet takimin vjetor i WEF, një takim global ku liderët politikë, drejtuesit e kompanive globale, akademikët dhe figurat publike diskutojnë çështje ekonomike, gjeopolitike dhe sociale./mxh

22:16 Më shumë se 160 besimtarë të rrëmbyer në Nigeri

By: Monika
19 January 2026 at 22:16

Banda të armatosura kanë rrëmbyer dhjetëra njerëz që ndiqnin dy kisha në shtetin Kaduna të Nigerisë, sipas policisë lokale. Një udhëheqës i lartë i kishës tha se më shumë se 160 besimtarë u rrëmbyen nga persona të armatosur gjatë shërbesës së të dielës.

Ky është rrëmbimi masiv i fundit në Nigeri, ku janë shënjestruar si të krishterë ashtu edhe myslimanë. Bandat, të njohura në vend si “banditë”, kryejnë shpesh sulme të tilla në pjesët veriore dhe qendrore të vendit për të marrë pagesa shpërblimi. Duke përshkruar sulmin e së dielës, policia lokale tha se persona të armatosur me “armë të sofistikuara” hynë me forcë në dy kishat në Kurmin Wali, një komunitet pyjor në lagjen Afogo, rreth orës 11:25 me kohën lokale.

“Sulmuesit erdhën në numër të madh, bllokuan hyrjen e kishave dhe i detyruan besimtarët të dilnin në shkurre”, tha të hënën për agjencinë e lajmeve AFP, Reverend Joseph Hayab, kreu i Shoqatës së Krishterë të Nigerisë për veriun e vendit.

Duke folur për Reuters, Hayab shtoi: “Më erdhi informacion nga pleqtë e kishave se 172 besimtarë u rrëmbyen, ndërsa nëntë të tjerë ikën”.

Në nëntor, më shumë se 300 nxënës dhe mësues u rrëmbyen nga një shkollë katolike. Ata u liruan më vonë në dy grupe të njëpasnjëshme. Kjo ishte ndër një sërë rrëmbimesh që bënë bujë në mediat ndërkombëtare. Nigeria po përballet me sfida të shumta sigurie, duke përfshirë rrëmbime për shpërblim nga bandat kriminale, një kryengritje islamiste në verilindje, dhunë separatiste në juglindje dhe një betejë midis barinjve dhe fermerëve në qendër për aksesin në tokë dhe ujë.

Ekspertët thonë se korrupsioni, ndarja e dobët e informacionit të inteligjencës dhe policia lokale e financuar dobët kanë penguar përpjekjet për të trajtuar krizat e ndryshme. Ministri i Mbrojtjes i Nigerisë dha dorëheqjen muajin e kaluar në kulmin e krizës së rrëmbimeve, zyrtarisht për arsye shëndetësore, sipas zyrës së presidentit.

SHBA-të janë përfshirë kohët e fundit ushtarakisht në Nigeri, duke nisur sulme ajrore ditën e Krishtlindjeve në dy kampe të drejtuara nga një grup militant islamik në Nigerinë veriperëndimore.

Më herët këtë muaj, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, paralajmëroi për sulme të tjera nëse të krishterët vazhdojnë të vriten në kombin e Afrikës Perëndimore.

Në Nigeri ka më shumë se 250 grupe etnike, e cila është e ndarë përafërsisht në një veri kryesisht mysliman, një jug kryesisht të krishterë, me grupe të përziera në mes dhe qeveria thotë se njerëz të të gjitha besimeve kanë qenë viktima të sulmeve./mxh

22:07 Mark Rutte: NATO vazhdon bashkëpunimin me Danimarkën dhe Groenlandën në fushën e sigurisë

By: Monika
19 January 2026 at 22:07

“NATO do të vazhdojë bashkëpunimin me Danimarkën dhe Groenlandën për çështjet e sigurisë në rajonin e Arktikut”, deklaroi sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Mark Rutte.

Rutte është takuar me Ministrin danez të Mbrojtjes Threls Lund Poulsen dhe Ministren e Punëve të Jashtme të Groenlandës Vivian Motzfeld, për të cilën tha se diskutuan për Groenlandën dhe sigurinë.

“Diskutuam se sa i rëndësishëm është Arktiku, përfshirë Groenlandën, për sigurinë tonë kolektive dhe se si Danimarka po rrit investimet në kapacitetet kyçe. Ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku si aleatë për këto çështje të rëndësishme”, shkroi Rute në Platformën X.

Sipas mediave daneze, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s nuk iu drejtua gazetarëve pas takimit, por nga ana e tij ministri danez theksoi se takimi ishte “produktiv, pavarësisht situatës së tensionuar”./mxh

21:57 IGJEUM: Të martën rikthehen reshjet, temperaturat disa gradë nën zero

By: Monika
19 January 2026 at 21:57

nstituti i Gjeoshkencave ka ndarë sot një parashikim për kushtet e motit, që pritet të ndryshojnë nga e marta e në vijim.

Sipas të dhënave, të martën në mbrëmje priten reshje shiu në disa zona të vendit.

Po ashtu, sipas IGJEUM, temperaturat në vend do të vijojnë të ulen me disa gradë nën atë minimale.

Reshjet:

Sot, e hënë, datë 19, nuk priten reshje ndërsa nesër (e martë, datë 20) priten reshje të dobëta në qarqet Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër.

Temperatura:

Nesër temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë:

në bregdet: 4 / 12 °C

në vendet e ulëta: 0 / 12 °C

në vendet malore: -5 / 5 °C

Era:

Sot dhe nesër, era pritet të fryjë e lehtë deri mesatare./mxh

21:47 Sulme me peshkaqenë në Sidnei, dy persona në gjendje të rëndë

By: Monika
19 January 2026 at 21:47

Dy persona, përfshirë një djalë 12-vjeçar, raportohet se janë në gjendje kritike për jetën pas sulmeve të ndara nga peshkaqenët në Sidnei, Australi, incidenti i tretë brenda dy ditësh.

Djali ishte duke notuar me miqtë vonë të dielën pasdite, pranë plazhit Shark në Vaucluse, kur u kafshua.

Policia tha se ai u nxor nga uji nga miqtë dhe shërbimet e urgjencës me lëndime të rënda në të dyja këmbët.

“Ai është në betejë me jetën tani”, tha policia e vendit.

Dy incidente të tjera u raportuan gjithashtu në Sidnei. Australia sheh rreth 20 sulme peshkaqenësh në vit, me pak më pak se tre prej tyre që janë fatale, sipas të dhënave nga grupet e ruajtjes së natyrës – numra që janë shumë më të vogël nga mbytjet dhe aksidentet e tjera në plazhet e vendit./mxh

21:36 “Dëgjoja vetëm ulërima” pas tragjedisë pasagjerja e trenit në Spanjë jep dëshmi!

By: Monika
19 January 2026 at 21:36

Të paktën 39 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur pas një përplasjeje mes dy trenave me shpejtësi të lartë në jug të Spanjës, mbrëmjen e së dielës. Zyrtarët lokalë e përshkruajnë ngjarjen si aksidentin më të rëndë hekurudhor në vend në më shumë se një dekadë.

Ngjarja ndodhi rreth orës 19:45, një orë pasi një nga trenat u nis nga Málaga drejt Madridit. Sipas operatorit të linjës, Adif, treni doli nga shinat dhe kaloi në binarët e kundërt, duke u përplasur me një tren tjetër që po udhëtonte nga Madrid drejt Huelvës. Ministri i Transportit, Óscar Puente, tha se përplasja detyroi trenin e dytë të dilte në një argjinaturë pranë shinave. Shumica e viktimave dhe të plagosurve ishin në vagonët e parë të trenit që shkonte drejt Huelvës.

Arsyeja e daljes nga shinat mbetet e paqartë. Hetimet fillestare tregojnë se një nyje e dëmtuar në hekurat e shtratit të hekurudhave mund të ketë shkaktuar përplasjen. Trenat e përfshirë ishin: Iryo, që po udhëtonte nga Malaga në Madrid me 110 km/orë, dhe një tren tjetër me destinacion Huelva, me shpejtësi 200 km/orë.

Pasagjerët që udhëtonin drejt Madridit përshkruan momente tmerri gjatë përplasjes. Një nga pasagjerët tha se treni “u përplas si tërmet”, xhamat u thyen, bagazhet u përplasën dhe njerëzit u hodhën në dysheme. Një tjetër pasagjer, Lucas Meriako, i ndodhur në vagonin e pestë, tha se ndjeu “goditje të forta dhe dridhje të trenit”, duke shtuar se kishte ndier sikur treni do të shpërbëhej.

Një dëshmitare, Ana, tha për Reuters se treni “u rrokullis në një anë, gjithçka u errësua dhe dëgjova vetëm ulërima.” Ajo dhe motra e saj u shpëtuan nga pasagjerë dhe zjarrfikësit.

Álvaro Fernández Heredia, presidenti i operatorit shtetëror Renfe, theksoi se përjashtohet mundësia që aksidenti të ketë ndodhur për shkak të shpejtësisë ose gabimit njerëzor. Ai shtoi se treni ishte i pajisur me sisteme që do të korrigjonin gabime të mundshme, dhe se të dy trenat po lëviznin nën kufirin e lejuar të shpejtësisë. Heredia sugjeroi se një problem mekanik ose infrastrukture mund të ketë qenë shkaku kryesor.

Të dy trenat transportonin rreth 400 pasagjerë dhe anëtarë të stafit. Nuk dihet ende nëse ka njerëz të bllokuar brenda vagonëve, pasi metali i deformuar ka penguar shpëtimin. Shefi i zjarrfikësve në Cordoba, Francisco Carmona, tha se shpesh nxirrnin viktima për të arritur tek pasagjerë të gjallë, duke e bërë operacionin të ndërlikuar dhe delikat.

Numri i të vdekurve, 39 persona, nuk është identifikuar ende dhe mund të ndryshojë pasi hetimet janë në fillim. Shërbimet lokale raportuan se 112 persona kishin marrë ndihmë mjekësore, 43 prej tyre mbetën në spital, katër të mitur dhe njëri në kujdes intensiv, ndërsa dymbëdhjetë të rritur ndodhen gjithashtu në kujdes intensiv./mxh

21:25 A ekziston një problem i tillë si të “ ngrënit shumë proteina”? Po, ja kur e tepron

By: Monika
19 January 2026 at 21:25

Duket sikur të gjithë flasin për “targetin” e proteinës. Dhe ka arsye: proteina është thelbësore sepse ndihmon në ndërtimin dhe riparimin e muskujve, lëkurës, flokëve dhe thonjve, si edhe në funksione jetike të metabolizmit, si prodhimi i hormoneve dhe mbështetja e sistemit imunitar.

“Proteina duhet të jetë protagonistja e çdo diete,” thotë mjekja María José Crispín. “Por nuk duhet të mbështetesh te një burim i vetëm, si p.sh. pulë ose vezë çdo ditë. Synimi është shumëllojshmëria.” Ajo përmend si opsione peshkun nga burime të qëndrueshme, vezët dhe produktet organike të qumështit, si edhe burime bimore si arrat, quinoa dhe thjerrëzat.

Dhe ka edhe një paralajmërim: po, mund të hash edhe më shumë proteina seç të duhen. Sidomos tani që “proteina” po i shtohet edhe karameleve, kafesë, kokoshkave e të tjera, bëhet edhe më e rëndësishme të dish çfarë sasie të shkon.

Sa proteina të duhen?
Nuk ka një përgjigje fikse për të gjithë. Si rregull i përgjithshëm për një person aktiv, shpesh përmendet rreth 2 gramë për kilogram peshë trupore, por kjo ndryshon nëse je shtatzënë, nëse synon të shtosh masë muskulore, ose nëse je shumë aktive. Nëse s’të pëlqejnë llogaritjet, një kalkulator mund të të japë një vlerësim më të saktë.

Dietologia e regjistruar Lisa McDowell jep një rregull praktik: “Proteina në pjatë të jetë të paktën sa madhësia e pëllëmbës tënde.” Rreth 30 gramë, afërsisht.

Si ta kuptosh që të duhet më shumë proteinë
Katër shenja tipike kur proteina mungon janë: lodhje, humbje e masës muskulore, rënie e fortë e flokëve dhe ndjesia që je gjithmonë e uritur edhe pasi ke ngrënë. Vaktet e balancuara, përfshirë proteinën, janë të rëndësishme për imunitetin dhe rregullimin e hormoneve.

Si ta kuptosh që po e tepron me proteinën
Çfarë ndodh kur e shton pa kriter? Sipas Brittany Towers Lewis, e njohur si “The Black Food Scientist”, Shoqata Ndërkombëtare e Ushqyerjes Sportive ka studiuar se, mesatarisht, trupi përdor rreth 20–30 gramë proteina pas një vakti. Kjo shifër mund të rritet nëse ushtron shpesh dhe ke nevojë për më shumë riparim muskulor. Por nëse rri ulur gjithë ditën, trupi nuk ka të njëjtën kërkesë, dhe një pjesë e proteinës nuk përdoret “me vlerë”.

Përveç faktit që mund të “shpërdorosh” lëndë ushqyese, ka edhe shqetësime të tjera fizike: teprica mund të rrisë rrezikun për gurë në veshka. Dietat shumë të larta në proteina shtazore dhe të ulëta në karbohidrate mund të rrisin aciditetin në veshka. Nëse ke probleme ekzistuese me veshkat, situata mund të përkeqësohet.

Lewis shton se produktet “me proteina të shtuara” si karamele, kokoshka apo kafe, për shumicën e njerëzve nuk janë të nevojshme dhe shpesh hyjnë te kategoria e teprimit. “Mesatarisht, njeriu nuk ka pse t’i konsumojë çdo ditë. Më e rëndësishme është cilësia e proteinës.”

Në fund, ideja s’është “sa më shumë, aq më mirë”, por “sa duhet dhe nga burime të mira”./mxh

21:00 A po i merrni vitaminat B6, E dhe C pa këshillë mjeku? Ja kur “ndihma” mund të kthehet në problem

By: EL
19 January 2026 at 21:00

Pse vitaminat B6, E dhe C nuk janë gjithmonë të padëmshme dhe kur doza e gabuar bëhet rrezik

Në vitet e fundit, suplementet ushqimore janë bërë pjesë e përditshme e shumë njerëzve. Vitamina B6, E dhe C merren shpesh “për nerva”, “për imunitet” ose “për zemrën”, pa u menduar shumë për dozën dhe kohëzgjatjen. Megjithatë, studimet shkencore dhe përvoja klinike tregojnë se vitaminat nuk janë gjithmonë të padëmshme, sidomos kur merren në doza të larta dhe për një kohë të gjatë.

Ekspertët e National Institutes of Health (NIH) dhe European Food Safety Authority (EFSA) theksojnë se, në megadoza, disa vitamina nuk sillen më si ushqyes, por si substanca me efekt farmakologjik, të afta të shkaktojnë pasoja të padëshiruara. Pikërisht vitaminat B6, E dhe C janë shembuj të mirë se pse parimi “më shumë është më mirë” nuk vlen gjithmonë.

Vitamina B6, e njohur si piridoksinë, është e nevojshme për funksionimin e nervave dhe metabolizmin, por vetëm në sasi shumë të vogla. Nevoja ditore për një të rritur është rreth 1.3 deri në 1.7 mg. Kur merret për muaj ose vite në doza të larta, sidomos mbi 25–50 mg në ditë, studimet e publikuara në revista neurologjike dhe të përmbledhura nga NIH kanë treguar rritje të rrezikut për dëmtime të nervave periferikë. Këto dëmtime shfaqen me mpirje, ndjesi shpimi gjilpërash, djegie në duar dhe këmbë, madje edhe vështirësi në ecje. Në disa raste, përmirësimi pas ndërprerjes së suplementit është i ngadalshëm dhe jo gjithmonë i plotë.

Edhe vitamina E, e njohur si antioksidant i fuqishëm, nuk është pa rrezik kur merret pa kontroll. Doza ditore e rekomanduar është rreth 15 mg, ndërsa shumë suplemente përmbajnë qindra njësi ndërkombëtare (IU). Meta-analiza të publikuara në BMJAnnals of Internal Medicine dhe rishikime të Cochrane Collaboration tregojnë se përdorimi i dozave të larta, veçanërisht mbi 200–400 IU në ditë, lidhet me rritje të rrezikut për gjakderdhje dhe goditje hemorragjike në tru. Ky rrezik është edhe më i madh te personat që përdorin aspirinë ose barna për hollimin e gjakut. Studimi i madh SELECT, i botuar në JAMA, nuk gjeti përfitime mbrojtëse nga vitamina E, por ngriti shqetësime për përdorimin e saj afatgjatë në doza të larta.

Vitamina C, ndoshta më e përdorura nga të gjitha, konsiderohet relativisht e sigurt, por edhe këtu doza bën diferencën. Nevoja ditore është rreth 75–90 mg, ndërsa shumë njerëz marrin 1 ose 2 gramë në ditë “për imunitet”. Sipas NEJM, BMJ dhe JAMA Internal Medicine, dozat e larta të vitaminës C mund të shkaktojnë shqetësime gastrointestinale dhe diarre, ndërsa te personat e predispozuar rrisin rrezikun për formimin e gurëve në veshka. Studimet tregojnë se përfitimi imunitar nuk rritet proporcionalisht me dozën, ndërsa rreziku po.

Mesazhi që del nga literatura shkencore është i qartë: suplementimi nuk duhet të bëhet sipas këshillave të internetit apo trendeve, por sipas nevojës reale të organizmit. Vitaminat duhen marrë në dozat e duhura, për kohën e duhur dhe me qëllim të qartë. Analizat laboratorike, gjendja shëndetësore dhe terapia që përdorni janë faktorë kyç që duhen marrë parasysh.

Në fund, ekspertët theksojnë një parim të thjeshtë, por shumë të rëndësishëm: suplementet nuk janë karamele dhe vitamina nuk është gjithmonë sinonim i sigurisë. Kur keni dilema, këshilla mjekësore është gjithmonë zgjidhja më e sigurt. /et

20:50 Antonela Roccuzzo, gruaja që e fitoi Messin para se ta fitonte bota

By: EL
19 January 2026 at 20:50

Magjistre e stomatologjisë, modele dhe nënë e tre djemve, ajo është dashuria e parë e Lionel Messit dhe shtylla emocionale e familjes që qëndron pas një prej historive më të bukura të futbollit botëror

Antonela Roccuzzo, bashkëshortja e Lionel Messit, shpesh përshkruhet si një nga gratë më të arsimuara dhe më të bukura në botën e sportit. Ajo është rritur në Rosario, qytetin e tretë më të madh të Argjentinës, pikërisht në të njëjtën lagje ku Lionel Messi kaloi fëmijërinë e tij. Historia e tyre është shumë më tepër sesa një përrallë dashurie, është një tregim për miqësinë, dashurinë që zgjat me dekada dhe mbështetjen e ndërsjellë.

Antonela dhe Messi njihen që nga fëmijëria, ndërsa rrugët e tyre u kryqëzuan përmes mikut të Messit, Lucas Scaglia, i cili ishte edhe kushëriri i Antonelës dhe luante me Messin në ekipet e reja të Newell’s Old Boys. Thuhet se që në fillim ata ishin miq shumë të afërt, ndërsa dashuria u zhvillua natyrshëm, hap pas hapi, teksa rriteshin së bashku në qytetin e tyre të lindjes. Miqtë e familjes shpesh tregojnë se lidhja e tyre ka qenë gjithmonë e qetë, larg skandaleve dhe vëmendjes së panevojshme publike.

Dashuri që zgjat me dekada

Çifti e bëri publike lidhjen e tyre për herë të parë në vitin 2009, pas ndeshjes Barcelona – Espanyol, kur u shfaqën së bashku në një festival në Sitges. Vite më vonë, në intervista të ndryshme, ata kanë treguar se ndjenjat e tyre u ndërtuan ngadalë, mbi themelet e miqësisë dhe respektit të ndërsjellë.

Në vitin 2017, Lionel Messi dhe Antonela Roccuzzo u martuan në një ceremoni madhështore në Rosario, e cila nga mediat u quajt “dasma argjentinase e shekullit”. Mes të ftuarve ishin shumë yje të njohur botërorë, përfshirë Shakirën dhe Gerard Piqué, ish-bashkëlojtarin e Messit. Sot, çifti ka tre djem: Thiago (lindur më 2012), Mateo (2015) dhe Ciro (2018). Të tre djemtë duket se e kanë trashëguar pasionin për futbollin nga i ati, ndërsa më i madhi, Thiago, tashmë stërvitet me ekipet e reja të Inter Miami. Ata që i njohin nga afër tregojnë se Thiago është më i qetë dhe i matur, Mateo më energjiku dhe shakaxhiu i familjes, ndërsa Ciro është “i vogli i përkëdhelur”, që sjell gjithmonë gjallëri në shtëpi.

Antonela është e njohur për përkushtimin e saj të jashtëzakonshëm ndaj rolit të nënës dhe shpesh ka theksuar se prioriteti i saj absolut janë fëmijët. Ajo dhe Messi përpiqen t’u ofrojnë atyre një fëmijëri sa më normale, larg presionit të famës dhe kamerave, duke ruajtur një stil jetese të thjeshtë dhe familjar, pavarësisht pasurisë dhe statusit që kanë.

Antonela Roccuzzo – e arsimuar, e suksesshme dhe e përkushtuar

Antonela nuk është vetëm partnerja e një legjende të futbollit, ajo është edhe një grua shumë e arsimuar. Pas përfundimit të studimeve bazë në fushën e shkencave humane dhe shoqërore, ajo vendosi të vazhdojë studimet pasuniversitare në stomatologji dhe u diplomua si magjistre e stomatologjisë.

Edhe pse në një moment vendosi t’i vërë ambiciet akademike në plan të dytë për të qenë pranë Messit, Antonela arriti të ndërthurë jetën profesionale me atë familjare. Ajo u shpërngul nga Argjentina në Barcelonë, ku ishte pranë Lionel Messit gjatë viteve të tij më të suksesshme, por njëkohësisht ndërtoi edhe profilin e saj profesional dhe publik. Për shumë vite ajo ka refuzuar ta përdorë famën e bashkëshortit për publicitet personal, duke pranuar vetëm më vonë bashkëpunime të zgjedhura me marka të mëdha ndërkombëtare.

Modele, influencuese dhe entuziaste e fitness-it

Antonela është gjithashtu një modele e njohur, që ka bashkëpunuar me shumë marka të mëdha ndërkombëtare. Në Instagram ajo numëron mbi 40 milionë ndjekës, ndërsa popullariteti i saj nuk lidhet vetëm me pamjen, por edhe me stilin e shëndetshëm të jetesës dhe përkushtimin ndaj aktivitetit fizik. Ajo shpesh publikon fotografi nga palestra, shumë herë edhe së bashku me Messin, duke promovuar disiplinën, këmbënguljen dhe kujdesin për trupin.

Miqtë e përshkruajnë si një person shumë të thjeshtë, jo snob, dhe si njeriun që arrin ta mbajë familjen të bashkuar dhe jetën e Messit të balancuar, larg kaosit të famës dhe presionit të vazhdueshëm mediatik.

Krenari dhe mbështetje në sukseset e Messit

Kur Lionel Messi e udhëhoqi Argjentinën drejt titullit të kampionit të botës në vitin 2022 në Katar, Antonela ishte pranë tij, duke e mbështetur nga tribunat. Pas finales dramatike kundër Francës, që përfundoi 3-3 dhe më pas me fitoren e Argjentinës 4-2 me penallti, Antonela i dërgoi një mesazh emocional bashkëshortit të saj, duke theksuar këmbënguljen, përpjekjen dhe luftën e tij frymëzuese deri në fund.

Për Antonelën, suksesi i Messit nuk është vetëm një fitore sportive, është dëshmi e mbështetjes së ndërsjellë, e dashurisë dhe e forcës për t’i kapërcyer së bashku të gjitha sfidat e jetës. Miqtë e çiftit shpesh thonë se Messi e konsideron Antonelën personin e vetëm që e qetëson vërtet para ndeshjeve të mëdha dhe vendimeve të rëndësishme.

Kombinimi perfekt i bukurisë, inteligjencës dhe dashurisë

Sot, Antonela është shumë më tepër sesa “gruaja e një legjende të futbollit”, ajo është simbol i gruas moderne që arrin të balancojë familjen, karrierën dhe jetën publike. Historia e saj tregon se është e mundur të bashkohen arsimi, disiplina personale, familja dhe dashuria, dhe se mbështetja e vërtetë mund t’i bëjë edhe ëndrrat më të mëdha të realizueshme. /et

20:39 “Ju zhgënjeva, më falni”, Brahim Diaz reagon për herë të parë pas penalltisë së humbur ndaj Senegalit

By: EL
19 January 2026 at 20:39

Brahim Diaz ka kërkuar falje për penalltinë e humbur në finalen e Kupës së Afrikës ndaj Senegalit.

Ylli i Real Madridit kishte një mundësi të artë për t’ia fituar Marokut trofeun e Kupës së Afrikës pas mbi 50 viteve, por në kohën shtesë tentoi një “parabolë” që nuk rezultoi e suksesshme.

Për herë të parë, Diaz ka reaguar në rrjetin social “Instagram” duke i kërkuar falje të gjithë popullit maroken si dhe shtoi se do të provojë që në të ardhmen t’ia kthejë.

“Shpirti më dhemb. E kam ëndërruar këtë titull falë të gjithë dashurisë që më keni dhënë, secili mesazh, secila shenjë mbështetje që më bëri të ndihem se nuk jam vetëm. Luftova me gjithçka që kisha, me zemër mbi të gjitha”.

“Dje dështova dhe marrë përgjegjësi të plotë. I kërkoj falje të gjithëve me tërë zemrën. Do të jetë vështirë që të shërohem sepse kjo plagë nuk shërohet lehtë, por do të provoj. Jo për mua, por të gjithë që më besuan dhe të gjithë që vuajtën me mua”.

“Do të vazhdoj derisa ta rikthejë të gjithë dashurinë dhe krenarinë për njerëzit e mi të Marokut”, shkroi ai.

Ndërkohë, Diaz është kritikuar tejmase në rrjetet sociale si dhe e akuzuan se me qëllim e ka humbur penalltinë./et

20:30 Vendim historik te Fenerbahçe, 1% e pagës së çdo lojtari të ri shkon për kauza humanitare

By: EL
19 January 2026 at 20:30

Gjigandi turk i futbollit, Fenerbahçe, ka prezantuar një rregull të ri për transferimet e ardhshme, duke vendosur një standard të fortë të përgjegjësisë sociale.

Sipas këtij vendimi, çdo lojtar i ri që i bashkohet ekipit të parë do të ndajë 1% të pagës së tij për projekte humanitare në ndihmë të fëmijëve në nevojë.

Klubi bëri të ditur se fondet e mbledhura do të dedikohen për një program që synon edukimin, zhvillimin dhe ndërtimin e së ardhmes së fëmijëve, duke theksuar se nuk do të zhvillohen negociata me lojtarë që nuk e pranojnë këtë parim dhe që nuk bien dakord të kontribuojnë me një pjesë të pagës së tyre.

Sipas njoftimit zyrtar, iniciativa ka nisur si ide e drejtorit sportiv Devin Ozek, ndërsa hapi i parë i projektit i është kushtuar kujtesës së nënës së tij, Cornelia Ozek.

Fenerbahçe thekson se synimi është që ky program të mos mbetet një veprim simbolik, por të shndërrohet në një model të qëndrueshëm dhe afatgjatë të përgjegjësisë sociale, në bashkëpunim me institucionet dhe organizatat përkatëse.

Qëndrimi i klubit është i qartë dhe i prerë. Fenerbahçe ka publikuar të plotë njoftimin zyrtar.

“Si Fenerbahçe, ne e konsiderojmë marrjen e përgjegjësisë jo vetëm në fushë, por edhe në çdo aspekt të jetës, shtimin e vlerës në shoqëri dhe të qenit burim shprese për të ardhmen si një nga detyrat tona themelore. Në përputhje me këtë kuptim, ne po lançojmë një projekt të qëndrueshëm të përgjegjësisë sociale, i cili filloi me idenë vizionare të drejtorit tonë sportiv, Devin Ozek, dhe që është përqafuar plotësisht nga klubi ynë”.

“Që tani e tutje, të gjitha transferimet hyrëse në ekipin e parë do të kenë 1% të pagave të tyre të ndara për një program mbështetës që synon përmirësimin e jetës së fëmijëve në nevojë dhe kontributin në arsimimin, zhvillimin dhe të ardhmen e tyre. Negociatat me lojtarë që nuk e pranojnë këtë parim të përgjegjësisë sociale dhe që nuk bien dakord të kontribuojnë nuk do të zhvillohen”, thuhet në njoftim.

Në njoftim theksohet gjithashtu se, pas takimeve me institucionet dhe organizatat përkatëse, ky program nuk do të zbatohet si një fushatë e përkohshme, por si një traditë e re dhe e qëndrueshme e klubit, e cila reflekton vlerat themelore të Fenerbahçes.

“Udhëtimi i këtij projekti, hapi i parë i të cilit është hedhur në kujtim të Cornelia Ozek, nënës së Devin Ozek dhe burimit të frymëzimit për këtë iniciativë, do të shndërrohet në një traditë të Klubit Sportiv Fenerbahçe – duke simbolizuar një ide të ushqyer me dashuri dhe dëshirë për të lënë shpresë dhe një gjurmë të qëndrueshme në jetën e mijëra fëmijëve”.

“Ashtu si në të kaluarën, Fenerbahçe do të vazhdojë ta masë suksesin jo vetëm me trofe, por edhe me vlerën që i shton jetës së njerëzve. Si një klub që mban përgjegjësinë e të qenit një komunitet i madh në zemër të tij, ne do të vazhdojmë ta mbështesim dhe ta mishërojmë këtë mirëkuptim në çdo fushë”.

“Ashtu siç Fenerbahçe jeton në zemrat e miliona njerëzve, ne do të vazhdojmë të jemi Fenerbahçe edhe në jetën e fëmijëve që po ndërtojnë të ardhmen e tyre me shpresë”, thuhet në njoftim. /et

20:24 Shqipëria më 1981: Rakia me ujë frenon hovin revolucionar për të shkuar në punë!

By: EL
19 January 2026 at 20:24

Nga: Kastriot Dervishi

Ndërmarrja e Furnizimit të Punëtorëve në Mëzez, më 26 tetor 1981 denoncoi se banakieri i klubit të punëtorëve të Minierës së Priskës, i cili nuk kish mbushur muajin në punë ende, i kishte hedhur ujë rakisë të llojit “Rrashbull” që tregtonte për arsye përfitimi.

Konstatimin e kish bërë banakieri tjetër.

Po ashtu punëtorët ankoheshin se nuk e ndjenin që rakia të kishte bërë efektin e vet për të rritur entuziazmin te ata, në mënyrë që me hov revolucionar të shkonin në punë.

Fillimisht u bllokuan në cilësinë e provës materiale katër shishe me raki. U dërguan në laborator. Atje u konstatua se rakia nga 18 gradë kish zbritur në 15 gradë.

Ndërmarrja bisedoi fillimisht me shokët e gjykatës popullore e më pas me shokët e hetuesisë së rrethit. Filloi çështja penale bazuar në nenin 75 të Kodit Penal (shitja e mallrave të cilësisë së lartë për cilësi më të ulët). Mirëpo, nga hetimi rezultoi se banakieri “rridhte nga një familje punëtorësh me përbërje të mirë moralo-politike”, e për këtë arsye çështja duhej parë në një sy tjetër, me një skenar larg atij armiqësor. U vendos të thuhej banakieri e kishte derdhur pa dashje rakinë dhe nga frika e zëvendësoi me ujë. Në këto rrethana, duke lidhur me pendesën e tij, partia vendosi që çështja të pushohej. Për këto arsye, meqë “nuk paraqiste rrezikshmëri shoqërore”, hetuesia vendosi pushimin e çështjes, duke rekomanduar për të akuzuarin një punë me pagë më të ulët brenda ndërmarrjes, veprim të cilin e miratoi edhe Prokuroria, “për politikë penale”./et

20:11 Burrat që njoh e duan IA-në – gratë jo dhe e kuptoj pse (Lifestyle)

By: EL
19 January 2026 at 20:11

Nëse burrat me të cilët kam dalë gjatë vitit të fundit kanë pasur ndonjë gjë të përbashkët, është ajo se të gjithë duan të flasin me mua për inteligjencën artificiale [IA].

E përdor për të shkruar artikujt e mi? Jo.

A jam e shqetësuar se do të ma zaptojë punën? Në fakt jo.

A do të vazhdoj të shkruaj libra nëse të gjithë duan të lexojnë ato që janë shkruar nga IA-ja? Po.

A e kam përdorur ndonjëherë për t’i shkruar mesazh dikujt në një aplikacion takimesh? Jo.

A duhet ta pyesim ChatGPT-në të na përshkruajë për ndonjë partnerë të mundshëm? Oh, Zot.

Këto biseda rrallëherë janë të rastësishme. Kam pasur edhe debate. Një herë hyra në një bisedë të zjarrtë me një burrë nëse njerëzit duhet të kërkojnë këshilla mjekësore te ChatGPT-ja, dhe me një tjetër që pranoi se e kishte përdorur për ta ndihmuar për ta shkruar një mesazhe ndarjeje.

Ndërkohë, sa herë që kam postuar në Instagram në mbështetje të krijimtarisë njerëzore mbi përmbajtjen e gjeneruar nga IA-ja, marr një lumë reagimesh – dhe ato gjithmonë nga burrat e etur për të përmbysur përsiatjet e mia rreth asaj se çfarë do të thotë të krijosh dhe të konsumosh art.

Kjo nuk do të thotë se gratë që njoh nuk e përdorin IA-në – shumë nga to e shohin si mjet të paçmuar për këshilla për karrierë, mbështetje financiare dhe, në disa raste, mbështetje emocionale – por, nuk besoj se e përdorin, apo qoftë edhe mendojnë për të, aq shumë.

Të dhënat e mbështesin këtë. Megjithëse kërkimet ndryshojnë, disa studime kanë treguar se burrat e përdorin IA-në gjeneruese më shumë se gratë. Në vitin 2024, një punim i titulluar Hendeku gjinor në Gen IA ka përshkruar se të dhënat nga Anketa e Pritshmërive të Konsumatorëve tregonin që 50 për qind e burrave përdorin mjete të IA-së gjeneruese, në krahasim me 37 për qind të grave.

Një studim nga Danimarka zbuloi se gratë kanë më pak gjasa të përdorin ChatGPT-në për punë sesa burrat, ndërsa kërkimi i kryer në Shkollën e Biznesit të Harvardit zbuloi se, ndërmjet nëntorit 2022 dhe majit 2024, gratë përbënin 42 për qind të 200 milionë përdoruesve mesatarë mujorë të faqes së internetit të ChatGPT-së.

Po shfaqet një hendek i qartë – i tillë që shumëkush ka frikë se do të thellojë pabarazitë ekzistuese ekonomike në vendin e punës.

Shpjegimet më të zakonshme përfshijnë faktin se gratë janë më pak të përfaqësuara në karrierat STEM [Shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë] dhe në rolet specifike të IA-së, si një industri që kryesisht mbahet nga burra; vetëm 14 për qind e pozicioneve ekzekutive të larta në IA mbahen nga gratë.

Por, sinqerisht, mendoj se arsyeja pse gratë nuk e përdorin AI-në aq shumë shkon shumë më thellë sesa përfaqësimi i thjeshtë.

Si fillim, kjo teknologji është përdorur kundër nesh – që nga fillimi. Ka trillime pornografike [deepfake]të krijuar nga Grok-u dhe platforma të tjera; të dashurat e IA-së që burrat përdorin për të zhvilluar biseda dhe për të realizuar fantazi në hapësira ku pëlqimi nuk ekziston; dhe, një mori paragjykimesh gjinore që teknologjia vazhdon të përforcojë.

Ajo i nënvlerëson problemet e shëndetit të grave, shpesh i portretizon gratë në role shtëpiake ose nënshtruese, dhe mbështetet në asistente që janë në thelb të feminizuara – mos harroni që ChatGPT-ja përdori (dhe më pas hoqi) një ndërfaqe zanore që tingëllonte në mënyrë të frikshme si zëri i Scarlett Johanssonit nga filmi Her?

Me gjithë këtë në mendje, a është për t’u habitur që disa gra mund të ndihen të rezervuara për të përqafuar IA-në me të njëjtin entuziazëm që duket se po shfaqin burrat?

Kam disa shokë që janë gjithashtu të pavendosur, por, si unë, ata punojnë në fusha krijuese ku IA-ja aktualisht përbën më shumë kërcënim sesa ndihmë. Edhe kështu, disa prej tyre janë të lumtur t’i bëjnë pyetje ChatGPT-së, gjatë gjithë ditës, ashtu siç nuk i kam parë kurrë gratë.

Ndoshta ekziston një nivel i natyrshëm i besimit në lojë – një supozim se kjo platformë mund të  ndihmojë sepse  favorizon.

Është një vetëbesimqë gratë nuk janë inkurajuar ta zhvillojnë. Dhe, megjithatë, përderisa teknologjia evoluon, IA-ja do të formësojë dhe përcaktojë gjithnjë e më shumë jetën tonë.

Mbetet vetëm të shpresojmë që përgjatë rrugës të bëhet një hapësirë më e sigurt për gratë. Ndërkohë, do të mund t’u bënte mirë përdoruesve të zjarrtë meshkuj që të jenë të vetëdijshëm për këtë – ose, të paktën, të kenë një shkallë të shëndetshme skepticizmi gjatë përdorimit të saj.

Kjo më kthen te takimi ku një burrë sugjeroi të përdornim ChatGPT-në për të na përshkruar si partnerë të mundshëm. Ia dërgova timen: një listë e çrregullt me klishe të parashikueshme të gjeneruara nga ajri i nxehtë i internetit (“Olivia është altruiste, bujare dhe e ngrohtë”).

Bëra shaka për faktin që nuk isha asnjë nga këto gjëra. Ai nuk dukej se e kuptoi dhe u përgjigj se në të vërtetë do të donte shumë të ishte me një altruiste, bujare dhe të ngrohtë. “Sa keq”, shtoi ai.

Nuk jam edhe aq e sigurt që ishte. /et

20:00 Pse është e rëndësishme që gratë shtatzëna të pinë qumësht dhe cila është zgjedhja më e mirë

By: EL
19 January 2026 at 20:00

Ekspertët tregojnë pse qumështi nuk duhet anashkaluar dhe si të zgjidhni variantin më të sigurt për ju dhe foshnjën

Gratë shtatzëna duhet të konsumojnë qumësht në sasi të moderuar për të marrë kalcium, vitaminë D dhe lëndë të tjera ushqyese të rëndësishme. Zgjedhja më e mirë është qumështi i lopës, por ja çfarë duhet të dini edhe për variantet bimore.

Sipas studimeve klinike, konsumimi i moderuar i qumështit gjatë shtatzënisë lidhet me një ecuri më të mirë të shtatzënisë. Shumica e ekspertëve rekomandojnë qumështin e lopës si llojin më të shëndetshëm të qumështit për t’u pirë gjatë shtatzënisë. Arsyeja është se qumështi i lopës ka profilin më të plotë ushqyes, me një spektër të gjerë vitaminash dhe mineralesh që janë të domosdoshme për nënën dhe foshnjën gjatë shtatzënisë, përfshirë kalciumin dhe vitaminën D.

Megjithatë, nëse shmangni produktet e qumështit për shkak të intolerancës ose preferencave personale, qumështet bimore mund të jenë një alternativë e mirë. Në vijim, mësoni më shumë për përbërjen ushqyese të qumështit dhe alternativave të tij, në mënyrë që të siguroheni se po merrni mjaftueshëm lëndë ushqyese të rëndësishme për një shtatzëni të shëndetshme, transmeton Telegrafi.

Qumështi i lopës

Shumica e ekspertëve rekomandojnë qumështin e lopës gjatë shtatzënisë, sepse është i pasur me lëndë ushqyese për nënën dhe foshnjën në zhvillim. Kalciumi dhe vitamina D janë veçanërisht të rëndësishëm për ndërtimin dhe ruajtjen e kockave të forta. Qumështi i lopës është gjithashtu i pasur me proteina dhe aminoacide esenciale, të cilat janë blloqet ndërtuese të qelizave të foshnjës.

Vitamina D ndihmon në uljen e rrezikut për diabet gestacional, ndërsa vitamina E vepron si antioksidant dhe mbron organizmin nga sëmundje të ndryshme. Një gotë qumësht lope përmban rreth 285 mg kalcium.

Nëse po përpiqeni të ulni marrjen e yndyrnave të ngopura, mund të zgjidhni qumësht të skremuar. Duhet shmangur konsumimi i qumështit të papasterizuar (të papërpunuar) dhe produkteve të përgatitura prej tij gjatë shtatzënisë, pasi ato mund të përmbajnë baktere të rrezikshme. Konsumimi i qumështit të papasterizuar nuk është i sigurt gjatë shtatzënisë.

Gjatë procesit të pasterizimit, mikroorganizmat që shkaktojnë sëmundje shkatërrohen përmes ngrohjes në temperatura të larta.

Qumështi i sojës

Qumështi i sojës ka pothuajse të njëjtën sasi proteinash si qumështi i lopës dhe shpesh është i pasuruar me kalcium, në mënyrë që përmbajtja e tij të jetë e ngjashme me atë të qumështit të lopës. Megjithatë, organizmi mund të mos e përthithë të gjithë këtë kalcium, pasi soja përmban një përbërës natyror që pengon absorbimin e tij.

Qumështet bimore të aromatizuara, përfshirë edhe qumështin e sojës, shpesh përmbajnë sheqerna të shtuar, prandaj nëse i kushtoni vëmendje marrjes së sheqerit, rekomandohet të zgjidhni variantet pa sheqer të shtuar.

Qumështi i sojës ka vlerën ushqyese më të afërt me qumështin e lopës krahasuar me alternativat e tjera bimore, ndaj disa ekspertë e konsiderojnë atë si alternativën më të mirë gjatë shtatzënisë. Antioksidantët që përmban ndihmojnë në mbrojtjen e qelizave nga dëmtimet. Një gotë qumësht soje siguron rreth 300 mg kalcium.

Qumështi i bajameve

Nëse jeni alergjike ndaj produkteve të qumështit ose sojës, qumështi i bajameve mund të jetë një alternativë e mirë. Ai përmban më pak lëndë ushqyese dhe më pak proteina se qumështi i lopës, por natyrshëm ka më shumë vitaminë A dhe kalcium. Disa lloje janë të pasuruara me kalcium dhe vitamina të tjera, përfshirë vitaminën D.

Qumështi i bajames përmban acid folik, fibra, proteina, vitamina të grupit B, kalcium, hekur dhe vitaminë E. Ka pak kalori dhe antioksidantët e tij ndihmojnë në forcimin e sistemit imunitar. Një gotë qumësht bajameje siguron rreth 7,5 mg kalcium.

Qumështi i orizit

Qumështi i orizit mund të jetë alternativë e mirë për personat alergjikë ndaj qumështit, sojës dhe arrorëve. Ai përmban pak proteina, por ka më shumë karbohidrate se qumështi i lopës. Nuk rekomandohet për gratë me diabet, pasi përmban deri në katër herë më shumë karbohidrate krahasuar me qumështin e lopës. Disa lloje janë të pasuruara me vitamina A dhe D.

Qumështi i tërshërës

Qumështi i tërshërës është një tjetër alternativë e mirë për personat me alergji ndaj qumështit, sojës dhe arrorëve. Edhe pse tërshëra nuk përmban natyrshëm gluten, qumështi i tërshërës i blerë në dyqan shpesh përpunohet në të njëjtat ambiente me drithëra që përmbajnë gluten. Prandaj, nëse keni intolerancë ndaj glutenit, kontrolloni etiketën për të siguruar që produkti është pa gluten.

Qumështi i tërshërës ka më pak proteina se qumështi i lopës, por më shumë karbohidrate se alternativat e tjera bimore. Ai përmban natyrshëm hekur, vitamina të grupit B dhe minerale të tjera esenciale. Shumë produkte tregtare janë të pasuruara me kalcium dhe vitamina A dhe D. Përmbajtja e lartë e fibrave ndihmon në parandalimin e kapsllëkut gjatë shtatzënisë.

Këshilla ushqimore gjatë shtatzënisë

Nëse konsumoni rregullisht qumësht bimor, duhet të siguroheni që përmes ushqimit të merrni mjaftueshëm kalcium, vitaminë D dhe proteina nga burime të tjera. Produktet e qumështit janë burim i rëndësishëm i vitaminës D, prandaj nëse nuk i konsumoni, duhet të kujdeseni që ta merrni këtë vitaminë nga burime të tjera, si peshku yndyror (salmoni, trofta), vezët ose drithërat e pasuruara. /et

19:51 Selami Xhepa: Buxheti 2026 ka vetëm dy prioritete reale

By: EL
19 January 2026 at 19:51

Eksperti i ekonomisë, Dr. Selami Xhepa vlerëson se buxheti i Shqipërisë për vitin 2026 dallon nga vitet e mëparshme vetëm në dy drejtime konkrete: rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen dhe një vëmendje më të fortë ndaj pensioneve.

Sipas Xhepës, logjika themelore e çdo buxheti është e thjeshtë: identifikimi i një dobësie dhe adresimi i saj përmes shpenzimeve publike. Në rastin e buxhetit të vitit 2026, dobësia e parë që shteti ka zgjedhur të adresojë është mbrojtja, një zgjedhje që ai e konsideron të kuptueshme në kushtet e reja gjeopolitike dhe detyrimeve që Shqipëria ka si vend anëtar i NATO-s. “E gjithë bota po shkon drejt armatimit dhe vendet e vogla nuk mund të vazhdojnë më të jenë ‘free riders’,” thekson Xhepa, duke nënvizuar se tashmë çdo shtet duhet të mbajë peshën e vet në sigurinë kolektive.

Prioriteti i dytë i buxhetit, sipas tij, janë pensionet dhe axhenda sociale. Xhepa vëren se për herë të parë shpenzimet për pensionet jo vetëm që përbëjnë peshën më të madhe në buxhet, por edhe rritja e fondeve krahasuar me vitet e kaluara është më e ndjeshme. Megjithatë, ai e cilëson këtë si një reagim të vonuar ndaj një problemi të kahershëm social.

“Jemi shumë të vonuar, sepse është e pafalshme për një shoqëri dhe për një ekonomi si e jona që, megjithëse modeste, nuk jemi më keq se vendet e rajonit – pra se sa Maqedonia, fjala vjen apo Bosnja dhe Hercegovina – dhe të kemi pensione që janë dy herë më të ulëta se këto vende.” shprehet Xhepa. Sipas tij, reformat strukturore dhe indeksimet e pensioneve duhej të ishin ndërmarrë shumë më herët.

Përtej këtyre dy zërave, Xhepa argumenton se pjesa tjetër e buxhetit mbetet kryesisht “business as usual”, me rritje lineare të shpenzimeve që ndjekin projeksionet e rritjes ekonomike, pa një vizion të qartë reformues. Ai e krahason këtë qasje me një formë buxhetimi mekanik, ku shtesat bëhen automatikisht, pa një rishikim të thellë të prioriteteve./et

19:38 Shkaqet pse PD u destabilizua nga ftesa e Trump për Ramën!

By: EL
19 January 2026 at 19:38

Last Updated on 19/01/2026 by EL

Nga Ylli Pata

Partia Demokratike ka pasur gjithmonë një problem me administratën amerikane. Madje e ka pasur edhe kur ka pasur relacione të shkëlqyera me Uashingtonin. Sali Berisha është edhe sot rekordmeni shqiptar i vizitave në Zyrën Ovale. Dy herë; me Presidentin George Bush(i vjetra) dhe Bill Clinton, ndërkohë që ka vizituar fermën mitike të bushëve në Crawford Teksas. Plus, në kohën më të vështirë të tij, Sali Berisha pati një vizitë VIP në Vlorë prej Bushit të vjetër dhe gjeneralit Colin Powell.

Askush në politikën shqiptarë nuk e ka pasur mundësinë diplomatike të Sali Berishës në lidhje me marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por siç dihet, doktori, si lopa me kovën e qumshështit e derdhi këtë mundësi, duke treguar së paku një mungesë strategjike të kapjes së momentumit politik kur i erdhi.

Më pas historia e Sali Berishës me SHBA ka qenë kaotike. Madje më shumë se kaq; ka qenë problematike dhe për ata që e njohin diplomacinë thonë se ka qenë diletanteske.

Berisha, i cili u prit në Zyrën Ovale nga Bill Clinton në vitin 1995, pak muaj më pas krisi marrëdhëniet me aparatet gjigande të Perandorisë: CIA, Pentagon, Depatamentin e Shtetit, e nayrisht ambasadën amerikane.

Jo më kot, Berisha u përplas me të gjithë ambasadorët, madje edhe me William Ryerson, i cili mbështeti fuqishëm ardhjen e PD-së në 1992. Në 1996 administrata amerikane e ka shpallur de facto Sali Berishën Non Grata. Ndërkohë që vendimi i marrë në vitin 2021, ishte thjeshte një hapjen nga arkivi. Pasi jo vetëm që nuk ishte miratuar 7031/C, por në vitin 1998, DASH vendosi që të ketë një qetësi në politikën shqiptaret, duke dërguar një diplomat të vjetër sit ë ngarkuar me punë, Robert Frowick, i cili kishte mision që ta mbante Sali Berishën jashtë konfliktit që ndodhi më 14 shtator 1998.

Pas gjithë kësaj kohe, Sali Berisha vendosi të lidhet me SHBA nëpërmjet kanaleve lobiste, ku së pari u konsultua me të ashtuquajturet lobe të shqiptarëve të Nju Jorkut. Të cilët sado që ishin aktivë, ishin thjesht relike të një kohe të vjetër. Lobistët e vërtetë të lobit shqiptar, duke nisur nga Diogardi, Bardha etj nuk kishin marrëdhënie të mira me Berishën.

Ndërkaq, kur erdhi në pushtet në 2005, Berisha siç dihet u lidh me lobet e Beogradit e Sarajevës që kishin lidhje me republikanët. Ishte Damir Fazliç, një lidhje e vjetër e aparateve serbe që kishin stacionimet e administrative republikane duke nisur me Eagelburgle apo edhe me Zimermanin. Ka shumë zëra, që edhe diplomatët që erdhën në Tiranë e Shkup pas 1990 patën ardhur nga analizat e këtij grupi aparatesh.

Siç dihet, lobimi i Fazliç i siguroi Sali Berishës jo vetëm një detantë me administratën e Georgë Bush (djalit), por edhe vizitën e parë të një Presidenti Amerikan në Shqipëri në vitin 2007. Më shumë se kaq një drejtues i një shteti të vogël si Shqipëria nuk mund të ketë. Po përse atëherë Sali Berisha u prish me amerikanët? Mjafton të shikohen leaksat e kabllogrameve të rrjedhura në kohën e Obama-s për të parë se çfarë mendonin amerikanët për administratën dhe qeverinë e PD. Janë të botuara dhe të arritshme në rrjet.

Nuk flasin thjeshte për korrupsion, por për një shtet të kapur, që doli qartë në New York Times për Gërdecin. E më pas, pas 21 janarit, kur m…. u bë mullar Sali Berisha zgjodhi Podesta Group një kompani lobimi afër Barck Obama-s për të ndrequr imazhin. Edhe atëherë u moën shumë para, që natyrisht pak shënohen publikisht, por diku shënohen të gjitha.

Më pas erdhi opozita në luftë me amerikanët e Non Grata, më pas lobimi me Lacivita e grupe të tjera republikane që i morën para pa fund, por në fund të ditësh: si thotë anektoda: ashtu ishe ashtu mbete.

Ndërkohë rasti i ftesës së Edi Ramës nuk përbën një zhvillim politik, por e vendos Tiranën, ërkatësisht kreun e qeverisë Shqiptare në një radhë të asaj që po quhet rendi i ri botëror, përkatësisht Jalta e Re. Kjo nuk rrëzon thjeshte retorikën e PD në lidhje me Edi Ramën, por fik realisht gjeneratorët e energjisë që i japin dritë Berishës që prej shpalljes Non Grata. Shenjat sapo kanë filluar…/et

19:37 Vangjel Dule anëtar zëvendësues i PD në KiE/ Antishqiptari vjen në parlament me patericën e doktorit

By: EL
19 January 2026 at 19:37

Last Updated on 19/01/2026 by EL

Deputeti socialist, Ardit Bido ka kritikuar vendimin e Opozitës për të zgjedhur si anëtar zëvendësues në KiE, Vangjel Dulen.

Në një video të postuar në Facebook Bido shpreh se vendimi i opozitës për të dërguar Vangjel Dulen në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës është një akt antishqiptar.

Bido tha se Dule është një deputet i pavotë që vjen me patericën e doktorit çdo katër vjet në Kuvend dhe shtoi se me këtë vendim atij do i lejohet të shpreh antishqiptarizmin e tij para Europës.

Teksa e rinisën sjelljen parlamentare në paturpësinë e zhurmës së kakofonisë sapo përfundoi himni kombëtar, po ashtu sikurse mbyllën vitin, vendosën që akti i tyre i parë politik i vitit 2026 të ishte emërimi nga PD, si anëtar zëvendësues në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i deputetit të pavotë, që vjen me patericën e doktorit çdo katër vjet në Kuvend, vetëm pse është epitomia e nacionalizmit politik antishqiptar, Vangjel Dule.

Në shtator fola për Kosovën dhe Çamërinë në atë Asamble dhe prisja që PD të bënte të njëjtën gjë. Por, ndërkohë që kjo shumicë vendos aleanca solide me SHBA-në dhe të gjitha vendet e BE-së, doktori mbetet te aleanca e vetme që ai di: te aleanca e antishqiptarisë madhështore./et

❌
❌